Akuadromi nën presionin e kullave: Tjetër “konkurs rehabilitimi” poshtë digës së liqenit
Qeveria dhe Bashkia Tiranë synojnë të “rehabilitojnë” pishinat te diga e Liqenit Artificial, njohur si Akuadromi (Aquadrome) apo dhe Akuaparku (Aquapark).
Konkursi i projektimit, i hapur për herë të dytë, po kalon pa informacione nëse ka ngjallur interes. Ndërkohë zona është e rrethuar nga projekte kullash, të cilat kushtëzojnë tejmase zhvillimin e së vetmes hapësirë publike të mbetur aty.
Konkursi për Akuadromin favorizon kullat
Më 15 shtator 2025, qeveria dhe Bashkia e Tiranës hapën konkurs arkitekture për riprojektimin e zonës së Akuadromit – një prej hapësirave më të lakmuara për ndërtim pranë digës së Liqenit Artificial. Një konkurs i mëparshëm – hapur në mars 2025 – dështoi.
Sipas njoftimeve zyrtare, gara – e cila sipas kalendarit, më 6 janar përmbylli fazën e dytë të dorëzimit të propozimeve – synon “rehabilitimin e Akuaparkut të Tiranës” dhe integrimin e tij me mjedisin përreth, përmes “një qasjeje bashkëkohore të peizazhit, sportit dhe rekreacionit”.
Në letër kërkohen zhvillime me parametra të larta për 6 pishinat, kompleksin sportiv dhe mjediset përreth, të cilave u shtohen edhe sauna.
Por pas kësaj nisme“kulturore dhe ekologjike” fshihet një tjetër betejë urbane për kontrollin e zonës më të vlefshme poshtë digës së Liqenit Artificial – aty ku tashmë kanë mbirë projekte të reja kullash.

Sipas kushteve të konkursit, studiot e përzgjedhura duhet të propozojnë një qendër multifunksionale me pishina të brendshme e të jashtme, zona sportive, hapësira publike të gjelbra, si dhe shërbime komerciale.
Por, projekti duhet të lidhet me Parkun e Liqenit, Kopshtin Zoologjik e atë Botanik dhe Parkun Olimpik, duke krijuar një “rrjet të vazhdueshëm të gjelbër” rreth perimetrit të digës.
Në letër, ideja duket frymëzuese. Por ky është versioni institucional i një procesi të njohur tashmë në Tiranë, që fillon me “rehabilitim” dhe përfundon ose me “ndërtime vertikale” ose hapësira që u jepen apo favorizojnë privatët.
Lexo: Shqipëria si kantier ndërtimi, kulla dhe leje pa kriter
Akuadromi u ndërtua në fund të viteve 80-të si pjesë e kompleksit multi-sportiv Dinamo, i cili zinte një sipërfaqe prej rreth 80,000 m2 poshtë digës. Zona degradoi gjatë tranzicionit dhe dhënies në përdorim të privatëve.
Pasi u nda nga klubi Dinamo, në 1999, gjatë luftës në Kosovë, Akuadromi u kthye në qendrën kryesore pritëse për shqiptarët që i iknin përndjekjes së paramilitarëve serbë.
Në fillim-vitet 2000, kompleksi u rikonstruktua dhe për rreth 20 vite u dha me qira.
Sot, Akuadromi është pjesa që ka mbetur nga ish-kompleksi sportiv. Më shumë se gjysma e sipërfaqes së truallit u është dhënë privatëve për komplekse kullash, të cilat e shtrijnë kantierin deri në hyrjen e tij.
Rrethimi i kullave: Projektet kryesore
Vetëm pak metra larg zonës së konkursit po zhvillohet projekti “Tirana Lake”, i propozuar nga arkitekti italian Marco Casamonti për grupin Armaar (zotëruar nga sipërmarrësi Armand Lilo), që parashikon pesë kulla 17-katëshe me funksione banimi dhe komerciale.
Lilo njihet si investitor në projekte madhore kullash si “Eyes of Tirana”, “United Towers“, “Corner” dhe një sërë kompleksesh rezidenciale në Tiranë, Durrës, Himarë dhe së fundmi në Pogradec.

Faza e II-të e projektit “Tirana Lake” mori edhe truallin e bashkisë që shërbente për parking publik.
Në dy skajet e tjera, janë ngritur tashmë 7 kullat 17-katëshe në formë spiraleje “Lake View” të grupit Gener 2 (zotëruar nga sipërmarrësit Bashkim, Astrit dhe Ahmet Ulaj).
Pikërisht “Gener 2” ishte kompania që sponsorizoi konkursin për masterplanin e vitit 2008 të zonës poshtë digës, i cili nga studioja fituese – holandezët e MVRDV – u quajt “Tirana Rocks“.
Një masterplan që parashikonte rreth çerek milioni metra katrorë ndërtim gati për të nisur brenda vitit 2010 me një kosto rreth 600 milionë euro, dhe që u pëlqye dhe prezantua me pompozitet nga asokohe Kryetari i Bashkisë Tiranë, Edi Rama.
Lexo: “Shteti si agjent imobiliar”, ankandet e 2025, nga Sazani te Zyber Hallulli
Dy dekada më vonë ai koncept kubash i MVRDV-së rrëzuar rrëmujshëm poshtë digës së liqenit është ndryshuar, por volumi masiv i ndërtimeve në zonë jo, madje pritet të shtohet më tej.
Në cep, në truallin e korpusit të Universitetit Marin Barleti, pritet të ngrihen dy kulla të tjera 30 dhe 35 katëshe të njohura me emrat “Vistas Lake” nga grupi Vistas (zotëruar nga sipërmarrësi Adriatik Dudaj) dhe “Lake Diamond Tower” reklamuar nga “Texas Development” (zotëruar nga arkitektët sipërmarrës Andi dhe Olsi Efthimi).
Ky zhvillim është shembull tipik i mënyrës sesi planifikimi urban i Tiranës po orientohet nga kërkesat e ndërtuesve dhe jo më nga nevoja publike.
Toka poshtë digës, dikur e paprekshme për ndërtim, sot është e rrethuar nga leje të miratuara për ndërtime të larta.
Në këtë prespektivë, zinxhiri i investimeve në zonë e ka zhdukur kufirin me “hapësirën publike”.
Sipas dokumenteve të konkursit për Akuadromin, zona konsiderohet “e ndjeshme ekologjikisht”. Por në asnjë pjesë nuk sqarohet si do të garantohet që projekti fitues i konkursit të mos shndërrohet në një tjetër zhvillim ndërtimor, i justifikuar me togfjalëshit “rekreacion”, “hapësirë sportive” apo “inovacion”.

Projektet e fundit të shpallura fituese në zona dhe hapësira sportive si për shembull Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, kanë treguar se për qeverinë dhe Bashkinë Tiranë, një pallat sporti mund të jetë dhe pallat rezidencial prej 20 katesh.
Transparenca, pyetja që mungon në çdo konkurs
Konkursi i Akuadromit është prezantuar si garë ndërkombëtare. Ajo thuhet se do të ketë një jurí profesionale – edhe pse nuk është bërë me dije ende se kush do të jenë pjesë e saj – dhe me 100,000 euro shpërblim për 5-shen finaliste.
Por përtej termave estetikë, mbeten pa përgjigje disa pyetje kyçe: Kush do të jetë autoriteti përfundimtar që do ta zhvillojë projektin fitues: Bashkia e Tiranës apo qeveria përmes Korporatës së Investimeve Shqiptare?
Lexo: Projekti fitues i MVRDV-së për “Asllan Rusin”: Një “top betoni” 20-katësh
Në rastin e Korporatës, përvoja ka treguar se qeveria nuk investon në ndërtim, përkundrazi. Në të gjitha thirrjet e saj qeveria ka ofruar hapësirat publike si incentivë për të ndërtuar kulla ose për të marrë pjesë nga ndërtimet e reja.
Në këtë pikë nuk dihet se kush do ta financojë zbatimin e projektit dhe çfarë forme do marrë investimi, do të jetë një partneritet me privatin, apo koncesion.
Vlen të theksohet se në periudhën kur Akuadromi iu rikthye bashkisë, në vitin 2020, Kryetari Erion Veliaj, tha se “do ta zhvillonte më mirë se privati”. Por, më 19 prill 2023 bashkia e nxorri sërish me qira për 20 vite – edhe pse vetëm një pjesë të kompleksit 1,284 m2.
Çmimi dysheme për qiranë mujore ishte 180 mijë lekë (1,800 euro), çka ngjalli reagime nga opozita për aferë korruptive.
Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, llogaritja e nivelit minimal të qirasë“ishte bërë me vlerën e objekteve të banimit dhe jo të objekteve tregtare”.
Kështu, Akuadromi po shitet si rikualifikimi urban. Por realiteti përreth tregon logjikën e një qyteti që humb hapësirat e fundit publike nën retorikën e “gjelbërimit” dhe “sportit”.
Pyetja që mbetet është nëse do të jetë ky rehabilitim në interes të qytetarëve, apo një tjetër stacion në lartësimin e kullave drejt digës së Liqenit Artificial.
Lexoni gjithashtu:
- Shpallet projekti fitues, stadiumi “Selman Stërmasi” me dy kulla
- Bjarke Ingels në Petrelë: “Parku i Besimit” mbi zonën antike të Përsqopit
- Thirrjet “pa garë” dhe “pa llogari” të Korporatës së Investimeve
The post Akuadromi nën presionin e kullave: Tjetër “konkurs rehabilitimi” poshtë digës së liqenit appeared first on Citizens.al.