Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 January 2026Main stream

Tragjedia në Zvicër/ Arrestohet pronari i restorit të skive që u përfshi nga flakët

By: xhir jeta
9 January 2026 at 16:01

Arrestohet pronari i resortit të skive në Zvicër, ku 40 persona humbën jetën si pasojë e flakëve që përfshiu resortin natën e ndërrimit të viteve.

Krahas 40 viktimave zjarri në barin Le Constellation në resortin e skive në Crans-Montana la të plagosur 116 persona. Shumica e të vdekurve ishin adoleshentë.

Prokurorët kanë thënë se besojnë se zjarri nisi kur njerëzit po festonin Vitin e Ri dhe kishte shampanja me fishekzjarrë, duke ndezur shkumën izoluese në tavanin e podrumit të barit.

Që nga viti 2019 nuk ishin kryer inspektime sigurie në barin zvicerin ku një zjarr vrau të paktën 40 persona dhe plagosi qindra të tjerë natën e ndërrimit të viteve.

Kryebashkiaku i Crans Montana tha se inspektimet e zjarrit duhet të kryhen çdo vit në baret e qytetit dhe se i fundit në vitin 2019 në barin luksoz të resortit të skive, kishte qenë pozitiv.

Shkuma e izolimit akustik në tavan konsiderohej e pranueshme në atë kohë dhe një alarm zjarri nuk ishte i nevojshëm për shkak të madhësisë së barit, shtoi kryebashkiaku.

Prokurorët kanë thënë se zjarri që u përhap me shpejtësi në orët e para të 1 janarit ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga fishekzjarrët në shishet e shampanjës, që i vunë zjarrin tavanit, i cili ishte i mbuluar me një material shkumë të përdorur për izolim akustik./abcnews.al

Zgjedhjet e 28 dhjetorit/ Përfundon numërimi i votave në Kosovë

By: xhir jeta
9 January 2026 at 14:30

Ka përfunduar numërimi i të gjithë votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Tani, KQZ-ja është e gatshme që të shpallë rezultatin përfundimtar, por sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve brenda 48 orëve, në mënyrë që institucioni të procedoj me zyrtarizimin e rezultateve.

Grupi i fundit i fletëvotimeve që u numëruan ishin ato me postë, numërimi i të cilëve përfundoi në orën 02:00 të 9 janarit.

Pikërisht për votat me postë, në PZAP është dërguar një ankesë nga Partia Demokratike e Kosovës e cila ka kërkuar shufqizimin e mijëra votave të diasporës që kanë ardhur në Kosovë me postë.

LVV-ja e Albin Kurtit ka fituar 51.11 për qind të votave apo 57 vende në Kuvend, partia e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave apo 22 deputet, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 vende në organin ligjvënës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave dhe kjo parti do të ketë gjashtë deputetë.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar – do të ketë nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb. Një deputet nga radhët e komunitetit serb do ta ketë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit. Ndërkaq, të dhjetë vendet e tjera të garantuara për komunitetet pakicë joserbe janë shpërndarë në disa parti dhe koalicione.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë 45 % e votuesve. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit erdhën pas krizës së gjatë politike në vend të prodhuara nga zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit.

Gjatë kësaj kohe Kurti nuk arriti të formonte qeverinë. Sfida e rardhës për vendin është zgjedhja e presidentit. Për kreun e ri të shtetit, presidentja aktuale Osmani ka shfaqur ambicien edhe për një mandat./abcnews.al

Përmbytje nga Erzeni/ Durres, situatë e rëndë në Sukth dhe Katund të ri. 842 persona janë evakuuar

By: xhir jeta
9 January 2026 at 14:21

Pasojat e rënda të përmbytjeve ndihen ende në Durrës. Reshjet intensive të ditëve të fundit dhe prurjet e shtuara të lumit Erzen shtuan problematikat në Katund të Ri dhe Sukth.

Për përballimin e prurjeve, hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet të plotë.

Mijëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, e qindra banesa po ashtu. Situata detyroi 842 banorë të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

Shume prej tyre janë akomoduar në struktura të posaçme, por ka edhe nga ata që kanë vendosur të strehohen pranë familjarëve.

Evakuimet janë kryer në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe orët e para të mëngjesit.

Në mes të kësaj situate të vështirë, banorët shprehen se dëmet në banesat e tyre janë të mëdha, ndërsa thonë se rrezikun e ndjejnë çdo ditë.

Procesi i vlerësimit do të vijojë për të verifikuar banesat e përmbytura.

Për të përballuar nevojat emergjente, Drejtoria e Rezervave Shtetërore ka siguruar qindra pako ushqimore, të shpërndara për familjet e prekura.

Po ashtu, në Durrës janë angazhuar 448 specialistë ku përfshihen punonjës të bashkisë dhe ndërmarrjeve, ujësjellësit, Policisë Bashkiake, OSHEE-së, si edhe 37 efektivë të Forcave të Armatosura.

Çmimet u shtrenjtuan në dhjetor/ INSTAT: Inflacioni 2.3 përqind, ndikim kryesor shtrenjtimi i qirave

By: xhir jeta
9 January 2026 at 14:17

Qiratë kanë udhëhequr  inflacionin edhe për muajin dhjetor ndryshe nga sa ka qenë traditë përgjatë maujve të tjerë ku impaktin kryesor e kanë dhënë ushqimet.Sipas të dhënave të Instat përgjatë vitit 2025 niveli i inflacionit rezultoi 2.2% duke treguar tendencën për të arritur në objektivin  e Bankës së Shqipërisë .

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2025 është 2,3 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1 % .Rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, i cili kontribuoi me +0,96 pikë përqindje në inflacionin total. Ky grup u pasua nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me një ndikim prej +0,56 pikë përqindje, duke konfirmuar se kostot bazë të jetesës mbeten faktorët kryesorë që shtyjnë inflacionin në fund të vitit.

Nga të dhënat e instat rezulton se ndikim në rritjen e çmimeve dhanë edhe çmimet e “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,16 pikë përqindje, “Hotele, kafene dhe restorante”     të cilat lidhen me ndiimin e festave të fundvitit.Efekte  më të moderuara u regjistruan nga grupet “Argëtim dhe kulturë”, “Shërbimi arsimor”, “Komunikimi”, ndërsa rritje minimale u shënuan në “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Transporti”.Banka e Shqipërisë parashikon që niveli i inflacionit do të kthehet në objektivin prej 3% në pjesën e parë të këtij viti.

Ndërsa në mbledhjen e fundit këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 2.5% duke u vlerësuar një nivel i përshtatshëm për të mbajtur stabël nivelin e çmimeve në vend./abcnews.al

Kërcënoi shitësen me thikë dhe vodhi paratë në market/ Arrestohet 40-vjeçari në Tiranë

By: xhir jeta
9 January 2026 at 14:13

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 40-vjeçari që vodhi një shumë parash, në një market në Yzberisht, duke kanosur punonjësen, me thikë.

I arrestuari, me precendent penal për vjedhje me dhunë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent”.

Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi Elkjer Tafciu(Tafçiu) 40 vjeç, banues në Tiranë.

Punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.

Menaxhimi i kaskadës së Drinit/ Balluku: Asnjë problem nga shkarkimet. KESH realizon shitje energjie për herë të parë këtë vit

By: xhir jeta
9 January 2026 at 14:07

Ulja e temperaturave dhe nisja e borës duket se ka stabilizuar prurjet në KAskadën e Drinit. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në rreth 289 .8 metra nga rreth 296 që është pika maksimale.
Por përtej permbytjeve reshjet e shiut kanë përmirësuar ndjeshëm situatën energjitike në vend dhe në liqenin e fierzës niveli i ujit është rritur me gati 9 metra vetëm në 3 ditët e fundit. Në hidrocentarlin e Komanit Niveli i ujit rezultoi 173.3 metra ndërsa në Vaun në Dejës niveli i ujit është 74.9 metra.

Pas stabilizimit të situatës dhe pakësimit të reshjeve intensive Shkarkimet nga hidrocentarli i Komanit dhe Vau i Dejës janë të kontrolluara dhe nuk tejkalojnë 700 metër kub në second duke mos përbërë rrezik për përmbytje në zonën e nënshkodrës.Z.kryeministrja Belinda Balluku tha se aktualisht ka prurje të menaxhueshme dhe reshjet gjatë së shtunës nuk parashikohen të jenë intensive.
Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare prurrjet në Kaskadën e Drinit gjatë së premtes kanë rënë në 1500 metërkub në sekond në Fierzë një nivel ky i menaxhueshëm dhe që nuk përbën rrezik.

Përmirësimi i kuotave në Kaskadën e Drinit ku janë të vendosur tre hidrocentralet më të mëdhaja në vend është një element pozitiv për situatën energjitke në vendin tonë. Gjatë vitit të kaluar vendi u përball me thatësira të tejzgjatura duke ulur prodhimin e energjisë. Aktualisht prodhimi ditor i energjisë elektrike rezulton se ka arritur në 16 mijë e 300 megavator. Si rezultat KESH ka realizuar procedurën e parë për shitje energjie per kete vit.

Sipas njoftimit zyrtar për periudhën 10–11 janar 2026, KESH arriti të shesë gjithsej 18,944 Mwh energji elektrike, me një çmim mesatar prej 57.64 euro/mWh. Në total nga kjo procedura u përfituan mbi 1 milion euro. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vijon të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike në kaskadë, duke garantuar menaxhim të sigurt dhe efikas të burimeve ujore.

Një ditë pas zjarrit te tregu te ‘5 Maji’/ Në rrënoja gjithçka e shkrumbuar, tregtarët: Dëme kolosale

By: xhir jeta
9 January 2026 at 14:00

Tregu i rrobave në lagjen 5 Maji në Tiranë është djegur plotësisht. Ajo çfarë ka mbetur janë vetëm rrënojat. Mbi 200 tregtarë janë prekur nga ky zjarr i përmasave të mëdha, që përfshinë 2 magazinat e tregut të rrobave.

Forcat zjarrfikëse kanë qendruar në zonë edhe pas neutralizimit të flakëve, edhe këtë të premte disa vatra u riaktivizuan por u vunë nën kontroll menjëherë. Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike.

ABC News ka siguruar videon e momentit kur nis zjarri, fillimisht dallohet tym dhe pak flakë të cilat më pas nisin të përhapen me shpejtësi, edhe për shkak të materialit tekstil që tregtohej në këto magazina.

Dëmet për tregtarët janë kolosale, një ditë më pas ata shprehen se kanë mbetur në qiell të hapur.

Paraprakisht dyshohet se shkak për rënien e zjarrit të jetë një shkëndinjë elektrike, por do të jetë grupi hetimor që do të përcaktojë shkaqet e zjarrit, ndërsa automjete të forcave zjarrfikëse janë ende në terren për të mbajtur nën monitorim vatrat aktive të zjarrit./abcnews.al 

Real, në finalen e superkupës/ “Los Blancos” triumfuan 2-1 në derbin kundër Atletico

By: xhir jeta
9 January 2026 at 12:45

Pritej “El Clasico” dhe “El Clasico” do të jetë. Real Madrid dhe Barcelona do të përballen në finalen e Superkupës së Spanjës në një tjetër shfaqe të futbollit.

Skuadra madrilene iu përgjigj nga distanca rivalëve të përjetshëm, duke fituar 2-1 derbin kundër Atletico në gjysmëfinalen e dytë për trofeun që edhe një herë do të jepet të dielën në Arabinë Saudite.

“Los Blancos” e vendosën menjëherë sfidën në rrugën e duhur, pasi pa u plotësuar dy minutat e para, kaluan në epërsi me Federico Valverde.

Pavarësisht rasteve të shumta, goli i uruguajanit mbeti në fuqi deri në fundin e pjesës së parë.

Pas pushimit, Real Madrid dyfishoi shpejt shifrat.

Në minutën e 55-të, Rodrygo ndali topin në rrjetë, ndërsa realizimi i sulmuesit brazilian do të rezultonte vendimtar.

Kjo pasi vetëm tre minuta më pas, Sorloth rihapi ndeshjen, duke ngushtuar shifrat për Atletico.

Gjithsesi, për skuadrën e “Cholo” Simeone nuk mjaftuan përpjekjet më vijim të futbollistëve në fushë dhe teknikut në pankinë, që ndezi sfidën duke shtuar tensionin në maksimum.

Në fund e gjithë festa ishte për Real Madrid, që të dielën në mbrëmje do të kërkojë trofeun e parë sezonal në një tjetër kapitull të sfidës së përjetshme të futbollin spanjoll.

Leao “shpëton” Milan / Skuadra kuqezi zhgënjen sërish, Genoa i merr pikë në “San Siro”

By: xhir jeta
9 January 2026 at 12:41

I madh me të mëdhenjtë, por i vogël me të vegjëlit. Milan vazhdon të vuajë nga kjo sindromë në këtë sezon të Serie A, duke zhgënjyer edhe një herë pritshmëritë e 70 mijë tifozëve që kishin mbushur “San Siro” për të festuar një fitore të sigurtë në letër kundër Genoa.

Por kuqezinjtë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1. Gjithsesi duhet të jenë të kënaqur, pasi mund të kishte shkuar më keq në një ndeshje të mbyllur me një dramë të vërtetë.

Miqtë surprizuan në minutën e 28-të, kur kaluan në epërsi me një ish si Kolombo. “Djali I shtëpisë” ndëshkoi Milan dhe vendosi fatin e pjesës së parë.

Ashtu siç pritej, pas pushimit të besuarit e Allegri provuan me çdo mënyrë për të kthyer sfidën, madje edhe me mënyra të palejueshme si Pulisic, goli i të cilit u anulua për një prjekje me dorë.

Përpjekjet e kuqezinjve do të shpërbleheshin vetëm në minutën e dytë shtesë. Rafael Leao shënoi golin e barazimit.

Por në minutën e nëntë shtesë, Genoa fitoi një 11 metërsh. Nga pika e penalltisë, Stancu shpërdoroi shansin e fundit për triumf të skuadrës së tij, duke lënë në fuqi barazimin 1-1.

Një tjetër ndalesë për Milan, që i lejon kryesusëve të Inter të thellojnë në tre pikë diferencën. Nuk është ndonjë distancë e madhe, por mund të thellohet më tej, nëse Masimilliano Allegri dhe të besuarit e tij nuk largojnë frikën nga të vegjëlit, që i ka hequr 11 pikë mes Cremonese, Pisa, Sassuolo, Parma dhe në fund Genoa./abcnews.al

Lebron rrezikon “ndeshjen e yjeve” / “Mbreti” mund të mbetet jashtë “All Stars” për herë të parë

By: xhir jeta
9 January 2026 at 12:39

Çdo fillim e ka një fund, madje edhe për “Mbretërit” siç është LeBron James për NBA.

Në moshën 41 vjeçare ylli i basketbollit vijon të luajë në nivele të larta dhe të vendosë rekorde, por gjithsesi po përgatitet të lëshojë fronin.

Madje, një abdikim mund të vijë shumë shpejt, pasi basketbollisti i Lakers rrezikon të mbetet jashtë “All Star Games” për herë të parë pas 21 vitesh.

Shkak për këtë janë mungesat e shumta si pasojë e problemeve fizike, që në këtë edicion janë shtuar.

LeBron ka humbur 17 sfida nga 35 të luajtura gjithsej nga skuadra kaliforniane në këtë sezon të rregullt të NBA.

Kjo do të thotë se ai është vetëm një mungesë larg limitit të vendosur nga Liga Amerikane e Basketbollit, në përzgjedhjen e lojtarëve për ndeshjen e “Yjeve”.

Kjo do të ishte goditja e parë e rëndë që paralajmëron fundin e karrierës spektakolare të LeBron James.

Sipas mediave amerikane, ai do të provojë ta evitojë këtë me një program të veçantë sa i përket minutave që duhet të luajë në çdo ndeshje, por ky duket një mision i pamundur./abcnews.al

La liga “thërret” Asllanin/ Mediat spanjolle: Girona interesohet për shërbimet e shqiptarit

By: xhir jeta
9 January 2026 at 12:38

Për momentin është vetëm një sondazh, një interesim për të kuptuar kushtet e transferimit, por duke parë situatën, mbetet gjithesi një lajm i mirë për Kristjan Asllanin dhe kombëtaren e Shqipërisë.

I shkakrkuar nga Torino, që nuk e ka grumbulluar në dy ndeshjet e fundit dhe kërkon të prishë përpara kohe formulën e huazimit dhe jashtë projektit tek Inter, për mesfushorin kuqezi hapet një pistë e re në karrierën e tij.

Bëhet fjalë për Girona dhe një transferim të mundshëm në La Liga. Mediat spajolle kanë zbuluar interesimin e skuadrës nga Katalonja, që ka kërkuar informacion për Asllanin.

Më parë edhe skuadra si Sassuolo dhe Fiorentina ishin afruar me futbollistin 23 vjeçar, që duhet të gjejë një sistemim të shpejtë në merkaton e janarit.

Girona dhe La Liga mund të jenë një zgjidhje e mirë për të ardhmen e Kristjan Asllanit, por edhe një revansh përsonal për lojtarin, pas eksperiencës së fundit negative te Torino.

Po ashtu, edhe Inter kërkon të transferojë sa më shpejt futbollistin, në mënyrë që mos ulet vlera e tij në merkato.

Klubi zikaltër pretendon të fitojë të paktën 15 milion euro nga kartoni i shqiptarit, shifër kjo e njëjte me marrëveshjen që kishte me Torinon.

Në të njëjtën linjë janë edhe interesat e kombëtares së Shqipërisë. Asllani është një titullar i padiskutueshëm i skuadrës kuqezi dhe një nga pikat kryesore në zgjedhjet taktike të Silvinjos, që shpreson të ketë në formë të gjithë futbollistët për sfidën historike në play off e “Botërorit 2026” kundër Polonisë në fund të muajit mars.

Arsenal nuk “arratiset”/ “Topçinjtë” e Londrës ndalen në barazimin pa gola me Liverpool

By: xhir jeta
9 January 2026 at 12:36

Në një kampionat të gjatë dhe garë të fortë për titullin kampion, një barazim mund të qëndrojë. Aq më tepër ndaj një rivali të madh. Por Arsenal vazhdon të jetë pretendent kryesor në këtë sezon të Premier League.

Konfirmimi për këtë erdhi në sfidën e fundit kundër kampionëve në fuqi të Liverpool, të sigluar në shifrat 0-0. Pavarësisht rezultatit, “Topçinjtë” treguan edhe një herë forcën e tyre.

Mbi të gjitha në pjesën e parë, ku dominuan në të gjithë komponentët e lojës, nga kontrrolli i topit, te rastet për shënim dhe goditjet në portën e rivalëve.

Frkasioni i dytë ishte ndryshe, ndërsa frika për të mos humbur bëri që të besuarit e Mikel Arteta të tërhiqeshin duke i lënë më shumë hapësirë Liverpool. Por edhe të kuqtë nuk arritën të shfrytëzojnë rastet e tyre, duke ndarë pikët me Arsenal.

Një frenim që nuk ka efekte negative për “Topçinjtë”, që nuk arrijnë të arratisen, por që ruajnë gjithsesi vendin e parë me një distancë sigurie prej 6 pikësh ndaj ndjekësve më të afërt të Manchester City./abcnews.al

Trump anulon “valën e dytë” të sulmeve ndaj Venezuelës: Bashkëpunimi me SHBA shmang përshkallëzimin

By: xhir jeta
9 January 2026 at 12:33

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka anuluar një “valë të dytë” sulmesh ndaj Venezuelës, për shkak të bashkëpunimit të treguar nga autoritetet e vendit me Shtetet e Bashkuara.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se vendimi erdhi pas lirimit të një numri të madh të të burgosurve politikë nga ana e Venezuelës, duke e cilësuar këtë veprim si një “gjest të rëndësishëm për paqe”.

Trump shtoi se Uashingtoni dhe Karakasi po bashkëpunojnë ngushtë për rindërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës së naftës dhe gazit. “Për shkak të këtij bashkëpunimi, vala e dytë e sulmeve nuk do të jetë e nevojshme”, shkroi ai, duke sqaruar se forcat detare amerikane do të mbeten në pozicion për arsye sigurie.

“Venezuela po liron një numër të madh të burgosurish politikë si shenjë e “Kërkimit të Paqes”. Ky është një gjest shumë i rëndësishëm dhe i zgjuar. SHBA-të dhe Venezuela po punojnë mirë së bashku, veçanërisht për sa i përket rindërtimit, në një formë shumë më të madhe, më të mirë dhe më moderne, të infrastrukturës së tyre të naftës dhe gazit. Për shkak të këtij bashkëpunimi, unë kam anuluar valën e dytë të sulmeve të pritura më parë, e cila duket se nuk do të jetë e nevojshme, megjithatë, të gjitha anijet do të qëndrojnë në vend për qëllime sigurie. Të paktën 100 miliardë dollarë do të investohen nga BIG OIL, me të cilët do të takohem sot në Shtëpinë e Bardhë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! “- shkruan Trump.

Deklarata vjen rreth një javë pasi SHBA-ja ndërmori një operacion ushtarak për rrëzimin e ish-presidentit Nicolás Maduro, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim në SHBA së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores.

Presidenti amerikan pritet të takohet të premten në Shtëpinë e Bardhë me drejtues të kompanive të mëdha të naftës, për t’i nxitur ato të rrisin prodhimin dhe investimet në Venezuelë. Ai ka pretenduar se investimet mund të arrijnë deri në 100 miliardë dollarë, megjithëse industria e naftës ka shprehur skepticizëm për realizimin e një angazhimi të tillë financiar.

‘Lind’ ChatGPT Shëndet: OpenAI siguron se nuk do të zëvendësojë mjekët

By: xhir jeta
9 January 2026 at 12:20

Lind ChatGPT Shëndet, funksioni i ri i inteligjencës artificiale që do t’u lejojë përdoruesve të ngarkojnë kartelën e tyre klinike dhe të dialogojnë mbi gjendjen shëndetësore me AI. OpenAI, megjithatë, nxitoi të sqarojë: “Nuk do të zëvendësojë mjekët dhe nuk do të bëjë diagnoza”. “Gjatë dy viteve të fundit kemi bashkëpunuar me mbi 260 mjekë aktivë në 60 vende dhe në dhjetëra specialitete, për të kuptuar se çfarë e bën një përgjigje shëndetësore të dobishme ose potencialisht të dëmshme”, shpjegon OpenAI.

Privatësi dhe siguri të përforcuara

Çdo javë, miliona përdorues i drejtohen ChatGPT-së duke ndarë detaje mbi gjendjen e tyre fizike. Pikërisht kjo ka ngritur shqetësime edhe nga autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale, përfshirë garantët e privatësisë. Për këtë arsye, OpenAI siguron se ChatGPT Shëndet mbështetet në “kontrolle të forta të privatësisë, sigurisë dhe menaxhimit të të dhënave”, me nivele shtesë mbrojtjeje të dedikuara për shëndetin. Këto përfshijnë sisteme të posaçme kriptimi dhe mekanizma izolimi për të mbajtur bisedat shëndetësore private dhe të ndara.

Në bashkëpunim me mjekët, jo në vend të tyre

“E projektuar në bashkëpunim të ngushtë me mjekët, ChatGPT Shëndet luan një rol më aktiv në kuptimin dhe menaxhimin e shëndetit dhe mirëqenies, duke mbështetur kujdesin e profesionistëve shëndetësorë pa i zëvendësuar ata”, thekson OpenAI. Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura edhe nga mjekët në Itali dhe vende të tjera, për rrezikun e përhapjes së informacionit të pasaktë apo potencialisht të rrezikshëm.

“ChatGPT Shëndet është projektuar për të mbështetur asistencën mjekësore, jo për ta zëvendësuar atë. Nuk është i destinuar për diagnozë apo trajtim. Përkundrazi, ndihmon përdoruesit të orientohen në pyetjet e përditshme dhe të kuptojnë tendencat me kalimin e kohës, jo vetëm momentet e izoluara të sëmundjes, duke i përgatitur më mirë për bisedat e rëndësishme me mjekët”, sqaron kompania.

Risitë e platformës

Qëllimi i portalit të ri është të bashkojë në një vend të gjitha informacionet shëndetësore të përdoruesve. “Sot, të dhënat shëndetësore janë shpesh të fragmentuara mes portaleve, aplikacioneve, pajisjeve të veshshme, PDF-ve dhe shënimeve mjekësore. Kjo e bën të vështirë krijimin e një pasqyre të plotë dhe i detyron njerëzit të orientohen vetë në një sistem shëndetësor kompleks”, shpjegon OpenAI.

Me ChatGPT Shëndet do të jetë e mundur lidhja e sigurt e kartelave elektronike shëndetësore dhe aplikacioneve të mirëqenies, si Apple Health, Function dhe MyFitnessPal. Kjo do t’i lejojë ChatGPT-së të ndihmojë në kuptimin e rezultateve të fundit të analizave, përgatitjen për vizitat mjekësore, marrjen e këshillave mbi ushqimin dhe aktivitetin fizik, apo vlerësimin e alternativave të ndryshme të sigurimeve shëndetësore.

Kur do të jetë i disponueshëm

Aktualisht, funksionaliteti i ri nuk është ende i aksesueshëm për të gjithë. “Po fillojmë me një grup të vogël përdoruesish për të mbledhur komente dhe për të përmirësuar më tej përvojën”, bën të ditur OpenAI. Me shtimin e përmirësimeve të tjera, kompania parashikon zgjerimin gradual të aksesit, duke e bërë ChatGPT Shëndet të disponueshëm për të gjithë përdoruesit në web dhe iOS në javët në vijim. Ata që dëshirojnë qasje të hershme, mund të regjistrohen në listën e pritjes.

Përmbytjet/ Kumbaro: Kemi ndërprerje të mësimit në 54 shkolla, kryesisht në zonat malore

By: xhir jeta
9 January 2026 at 09:12

Për shkak të situatës së krijuar nga përkeqësimi i kushteve atmosferike, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro u shpreh se mësimi është ndërprerë përkohësisht në 54 shkolla të vendit, kryesisht në zonat malore.

Kumbaro garantoi se studentët në universitetin e Durrësit do të rikthehen në auditore ditën e hënë, ndërsa shtoi se janë në kontakt me drejtues të shkollave në të gjithë vendin lidhur me situatën.

“Kemi qenë në kontakt cdo orë me cdo drejtor shkolle, mësues, në 1510 shkollat e Shqipërisë në sistemin parauniversitar. Në raportimin e fundit sot, në të gjithë qarkun mësimi ka nisur rregullisht në të gjitha shkollat, kemi në Durrës një ndërprerje të përkohshme këto tre ditë në 12 shkolla. Të hënën nis mësimi normalisht në universitetin e Durrës.

Në Vlorë, Gjirokastër kemi ndërprerë të pjessshme të kontrolluar, kryesisht në shkollat në zona të thella.  Edhe në bashkinë Gjirokastër, ku kemi patur ndërprerje për arsye sigurie ndërpremë dje procesin mësimor. Në Korcë, Berat dhe Elbasan janë rreth 32 zona në zonat malore të thella ku për shkak të ngricës kemi menduar të mos rrezikojmë mësuesit dhe nxënesit. 54 kanë ndërprerje të mësimit sot.” tha Kumbaro./ abcnews.al

Yesterday — 8 January 2026Main stream

“Të gjitha i kam të lagura”, Shkozeti ende nën ujë, banesat mbeten të përmbytura

By: xhir jeta
8 January 2026 at 16:14

Dita e tretë e përmbytjeve e gjen pjesën qëndrore të Durrësit  në situate të përmiresuar, por jo kudo është kështu.

Problematike paraqitet situata në periferi të qytetit.

Disa prej tyre kane gjetur menyra altetnative.

“Zbathur, kam hyrë dje dhe pardje një pont sipër gjurit zbathur për të hyrë tek shtëpia. Kam dy ditë që nuk hy e dal nga shtëpia dot. Jemi katër veta në shtëpi. Dy kalamajtë janë në shkollë, gruaja në shtëpi, unë pa punë. Kjo punë është gjithë ditën me trup e rroba të lagura”, tha një banor.

Shume banesa ne Shkozet, zonen e burgut, Nishtullës dhe ish kenetes vijojne te jene nen uje.

“Jam shumë keq më ka hyrë uji brenda në shtëpi, ka tre ditë. Uji është mbi gjysmë metra. I kam të gjitha gjërat brenda mu kalbën. Frigoriferi ka iku, divanet, raftet të gjithave u ka hyrë uji brenda. Të vijë zjarrfikësja të më heq ujin nga shtëpia”, u shpreh një banore.

Ata qe kane arritur te largojne ujin nga shtepite kane nisur te  perllogarisin demin e shkaktuar.

Me shume se 300 persona per shkak te kushteve te veshtira jane strehuar ne shtepine e pushimit te forcave te armatosura dhe Kovalishencen e ministrise se Brendshme.

Te tjere kane qendruar te te afermit, por ka dhe prej tyre qe  kane qendruar ne shtepi me friken se prona mund te behet objekt i grabitjeve.

PD “kujton” 8 janarin/ Katër vjet pas përleshjes në seli, tryeza e Berishës në prag dështimi

By: xhir jeta
8 January 2026 at 15:47

Shqipëria po përmbytet, por në PD vazhdon thatesira. Herën e fundit kur godina blu rrezikoi të përmbytej, ishte në këtë datë, 8 janar, 4 vite më parë, kurdoktori nuk ishte në zyrë, por jashtë saj. Atë ditë, selia blu e Lulzim Bashës për pak sa u përmbyt nga batica e dhunshme e doktorit, një baticë blu që vjen sa herë Sali Berishës i rrezikohet, ose nuk i lëshohet karrigia.

Kurse tani që doktori është në seli, ka vetëm zbaticë. Lapaj, Shehaj dhe Arlind Qori kanë refuzuar ftesën e Berishës për t’u ulur te premten në tryezë. Por Doktori e di që të vetët mund t’i mbajë akoma me shpresë. Së paku edhe për 24 orë.

“A mund t’i paragjykoj unë ato, pa u mbledhur tryeza. Po ja që mundet të ndryshojnë mendim, dhe pastaj ç’ngelet nga fjala ime, dera është e hapur, janë të gjithë ata që e ndjejnë veten opozitarë janë të mirëpritur” u shpreh Berisha.

Berisha e la për nesër humorin poltik. Sot foli seriozisht per permbytjet dhe dy faktoret dhe fajtoret kryesore te saj. Shiu dhe hidrovori, pastaj Rama.

“Durrësi është përmbytur, pa diskutim që reshjet e mëdha janë shkaku themelor, por ajo që e favorizoi në mënyrë të paprecedent është gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovorëve, atij të Porto Romanos dhe atij të zonës sipër Bishtit të Pallës, e cila mbron të gjithë atë ultësirë”, – vijoi ai.

Berisha i kërkoi qytetarëve të mos e dëgjojnë shumë Ramën, në ditë me shi doktori thotë se është më i kthjellët se kryeministri.

“Lëshon dje një tallje cinike, në të cilën pretendon se opozita po e akuzon për përmbytjet në Greqi dhe Itali, një fantazi e sëmurë e një fantazisti të sfazuar, njeriu i cili tani po përjeton net tmerri çdo natë për shkak të krimeve të tij të bëra evidente. E vërteta është që Edi Rama është i tmerruar nga dosja e tij”, – shtoi Berisha.

Në fakt, doktori është më i vjetër në përmbytje se Rama, ndaj dhe i ftoi qytetarët të dëgjojnë vetëm ekspertizën e tij.

“U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë sepse lumi Vjosa është një lumë me rrezikshmëri të pakrahasueshme me asnjë nga lumenjtë e tjerë të vendit në befasinë e prurjeve të tij,” përfundoi kreu i PD.

Rama mbledh krerët politikë/ Të premten takim edhe me kabinetin qeveritar

By: xhir jeta
8 January 2026 at 15:13

Pak minuta pasi të mbledhë Komitetin Ndërqeveritar, për të prezantuar masat dhe paketën për dëmshpërblimet nga përmbytjet , kryeministri Edi Rama do të mbledhë të premten nw Pallatin e Brigadave edhe kabinetin qeveritar

Sfida aktuale e qeverisë është menaxhimi i situatës nga përmbytjet të cilat kanë përfshirë disa qytete të vendit. Ndaj me gjasë dhe fokusi të premten do të jetë menaxhimi në terren dhe sigurimi I qytetarëve në këto kohë të vështira.

Në këtë takim pune, ministrat do të raportojnë mbi prioritetet dhe objektivat e cdo dikasteri për këtë vit për të planifikuar mënyrat me efektive për zbatimin e politikave publike.

Ndërsa një javë me vonë, të premten e 16 janarit, Rama do të presë në Pallatin e Brigadave grupin parlamentar të partisë socialiste.

Ky takim i cili mbahet tre ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, ka për qëllim të koordinojë punën e deputetëve në parlament, si dhe të diskotojë mbi projektligjet dhe iniciativat e qeverisë përgjatë këtij sesioni.

Ndërkohë, këtë të enjte në selinë rozë, numri dy i partisë, Blendi Klosi zhvilloi një takim me drejtuesit politik në qarqe, pa praninë e kryeministrit Rama, ku në fokus ishin cështjet organizative të partisë gjatë 2026-ës./abcnwes.al

JD Vance kritika Europës dhe Danimarkës: Groenlanda është “kritike” për mbrojtjen e SHBA dhe botës

By: xhir jeta
8 January 2026 at 14:46

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka deklaruar se Grenlanda është “kritike” për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe të botës nga sulme të mundshme raketore ruse ose kineze, duke akuzuar Europën dhe Danimarkën se “nuk kanë bërë një punë të mirë” në sigurimin e territorit.

Në një intervistë për Fox News, Vance tha se Danimarka dhe aleatët europianë jo vetëm që kanë investuar në mënyrë të pamjaftueshme në mbrojtjen e Groenlandës, por edhe kanë dështuar të angazhohen seriozisht me argumentet e presidentit Donald Trump mbi këtë çështje.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, zyrtarë amerikanë po diskutojnë “aktivisht” një ofertë të mundshme për blerjen e Grenlandës – një territor gjysmë-autonom nën sovranitetin danez. Deklarata vjen vetëm një ditë pasi u sugjerua se përdorimi i forcës ushtarake për aneksimin e ishullit nuk përjashtohet si opsion.

Danimarka, aleate e SHBA-së në kuadër të NATO-s, ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të nënkuptonte fundin e aleancës. Si Danimarka, ashtu edhe autoritetet e Grenlandës kanë theksuar vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje.

Edhe pse është territori më pak i populluar në botë, pozicioni gjeografik i Grenlandës – mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut – e bën atë kyç për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast sulmesh raketore, si dhe për monitorimin e lëvizjeve detare në rajon.

Baza Hapësinore Pituffik, e njohur më parë si Baza Ajrore Thule, është operuar nga SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore. Vitet e fundit është rritur edhe interesi për burimet natyrore të Grenlandës, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin dhe hekurin, të cilat po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullit nga ndryshimet klimatike. Shkencëtarët besojnë se zona mund të ketë edhe rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

“Shumë njerëz nuk e kuptojnë se e gjithë infrastruktura e mbrojtjes raketore varet pjesërisht nga Grenlanda,” tha Vance. “Nëse, Zoti mos e dhashtë, Rusia apo Kina do të lëshonin një raketë bërthamore drejt kontinentit tonë apo Europës, Grenlanda është një pjesë kyçe e asaj mbrojtjeje.”

Ai shtoi se përgjigjja ndaj pyetjes nëse Europa dhe Danimarka kanë bërë mjaftueshëm për të siguruar ishullin është “qartazi jo”.

Tensionet mbi të ardhmen e Groenlandës u rritën pas përdorimit të forcës ushtarake nga Trump kundër Venezuelës për të rrëzuar presidentin Nicolás Maduro. Kujtohet se Trump kishte propozuar blerjen e Grenlandës edhe në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë, por ishte refuzuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se javën e ardhshme do të zhvillojë bisedime me Danimarkën. Ndërkohë, liderët europianë dolën me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Kopenhagës. “Grenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për marrëdhëniet e tyre,” thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja dhe Danimarka. Ata theksuan se siguria në Arktik duhet të garantohet “kolektivisht” nga aleatët e NATO-s dhe në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial./abcnews.al

Koçiu në Njësinë Sukth në Durrës: Banorët t’u përgjigjen thirrjes së autoriteteve për evakuim, nëse do të jetë e nevojshme

By: xhir jeta
8 January 2026 at 14:41

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu së bashku me Prefektin, Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, si dhe drejtues e përfaqësues të emergjencave civile, Policisë së Shtetit e Forcave të Armatosura ishin në Njësinë Sukth i ri, një zonë e prekur orët e fundit nga përmbyjtja. Ministrja Koçiu u bëri thirrje banorëve të prekur, t’u përgjigjen autoriteteve për evakuim.

“Jemi në Vadardh në Njësinë Administrative Sukth, ku aktualisht ka filluar plani i evakuimit. Të gjitha ekipet e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura janë në terren për të evokuar banorët, të cilët janë prekur nga përmbyjtja.

Parashikohen diku tek 500 qytetarë, të cilët do të evakuohen me mjetet e forcave të aramatosura.

Situata paraqitet e vështirë. Aktualisht janë të dislokuara 6 mjete të forcave të armatosura, mbi 200 punonjës në terren në zonën e Vadardhës dhe po punojmë që të mos kemi asnjë incident.

Edhe një thirrje për të gjithë qytetarët, të presin në banesat e tyre, të mos bëjnë lëvizje të pakontrolluara dhe të mos dalin apo të lënë banesën vetë. Në çdo derë do të trokasin stafet e emergjencave civile dhe të Forcave të Armatosura, të cilët do t’i udhëzojnë dhe do t’i transportojnë në zona të sigurta. Ju lutem është shumë e rëndësishme në këto momente të ruajmë qetësinë!” tha ajo.

❌
❌