Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 December 2025Main stream

“Haram votat tona”- Prej 5 ditësh pa ujë, qytetarët e Vlorës protestojnë para bashkisë: O qeveritarë të poshtër, maskarenj! Përplasje edhe me policinë (VIDEO)

By: V K
29 December 2025 at 10:59

Prej pesë ditësh qytetarët e Vlorës po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Sot me bidona në duar ata kanë dalë për të protestuar para bashkisë, ku shprehen të indinjuar, ndërsa kërkojnë edhe një takim me kryetaren e bashkisë.

“Duam ujë, ujë. Ujë o ujë. O qeveritarë të poshtër, duam ujë. O maskarenj, o të degjeneruar. Pa ujë nuk ka jetë. O maskarenj që jeni në pushtet. Ka 5 ditë pa ujë. Po zihemi me fëmijët se duan të lahen. I paçi haram ato votat”, shprehen të revoltuar qytetarët.

Një defekt i shkaktuar në tubacionin kryesor ka lënë të gjithë qytetin pa ujë. Me bidona e ç’të munden, qytetarët e Vlorës i janë drejtuar burimeve natyrore për të mbushur ujë.

Ndërsa spitali rajonal, ai psikiatrik, si dhe institucionet e veçanta janë furnizuar përmes autobotëve të zjarrfikëses. Gjendja është bërë edhe më e vështirë, pasi depozitat e ujit në banesa janë boshatisur dhe familjet, edhe pse ditë festash, nuk kanë as ujë për t’u larë. Për banorët, kjo situatë është e papranueshme.

Ndërkohë, prej katër ditësh po punohet për rikthimin e furnizimit në normalitet, por procesi ka hasur vështirësi. Pas dy ndërhyrjeve, ku u tentua një zgjidhje alternative, presioni i lartë i ujit ka shkaktuar sërish çarje të tubacionit, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit. Ujësjellësi deklaron se po punohet për gjetjen e një zgjidhje provizore, por ende nuk është bërë e mundur. Prova e kryer dy ditë më parë nuk ka dhënë rezultat dhe aktualisht po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje alternative, me synimin që furnizimi të rikthehet gjatë pasdites.

Kreu i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, thekson se për institucionet e rëndësisë së veçantë janë siguruar zgjidhje alternative, ndërsa ndërhyrja për riparimin përfundimtar vijon. “Kemi realizuar pjesërisht një zgjedhje, që dha sërish probleme. Qyteti sërish vuan furnizimin me ujë. I kërkojmë ndjesë qytetarëve, avaria është shumë serioze. Sot kemi ndryshuar edhe mënyrën e zgjidhjes së problematikës”, tha Murati.

The post “Haram votat tona”- Prej 5 ditësh pa ujë, qytetarët e Vlorës protestojnë para bashkisë: O qeveritarë të poshtër, maskarenj! Përplasje edhe me policinë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Shpërthim me tritol në një pallat në Shkodër, humb jetën një person

By: V K
29 December 2025 at 10:43

Këtë të hënë, një shpërthim me tritol është regjistruar në Shkodër, në hyrjen e një pallati në Perash në Shkodrës, duke shkaktuar vdekjene e një personi

Viktima është ende i paidentifikuar. Raportohet se fillimisht është menduar se ka shpërthyer boksi elektrik, por më pas ka rezultuar lëndë plasëse.

Policia ndodhet në vendngjarje, ndërsa ka nisur hetimet.

Sakaq, punonjësit e OSHEE kanë konfirmuar se shpërthimi nuk ka ardhur nga boksi elektrik.

Personi i plagosur nga shpërthimi u dërgua menjëherë në spitalin e Shkodrës, por duket se gjithçka ka rezultuar pa sukses, pasi ai kishte ndërruar jetë.

The post Shpërthim me tritol në një pallat në Shkodër, humb jetën një person appeared first on Albeu.com.

Zhvendosen zyrat IdentiTek, ndryshojnë vendndodhjet e aplikimeve në Tiranë duke filluar nga dita e nesërme

By: V K
29 December 2025 at 10:17

Duke filluar nga dita e nesërme (30 dhjetor 2025), do të ndryshojë vendndodhja e disa zyrave të aplikimit për dokumente biometrike në qytetin e Tiranës, konkretisht zyrave IdentiTek 5 dhe IdentiTek 8 & 9.

Zyrat e reja do të funksionojnë pranë njësive administrative përkatëse.

Zyra IdentiTek 5, e cila ndodhet në Rrugën “Robert Shvarc”, në zonën e Komunës së Parisit, do të zhvendoset dhe do të ofrojë shërbimet pranë Njësisë Administrative Nr. 5, në zonën e Bllokut.

Ndërkohë, zyra IdentiTek 8 & 9, që operon në Rrugën e Barrikadave, do të ndahet si më poshtë:

IdentiTek 8 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 8, në Rrugën e Dibrës;

IdentiTek 9 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 9, në Bulevardin “Zogu I”.

Qytetarët që kanë kryer aplikime për karta identiteti pranë zyrave IdentiTek 8 & 9 deri më sot, do t’i tërheqin dokumentet e tyre pranë Njësisë Administrative Nr. 8.

Këto ndryshime kanë qëllim rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve të aplikimit për dokumente identifikimi, duke i afruar ato më pranë qytetarëve, në njësitë administrative përkatëse.

The post Zhvendosen zyrat IdentiTek, ndryshojnë vendndodhjet e aplikimeve në Tiranë duke filluar nga dita e nesërme appeared first on Albeu.com.

12 vite nga aksidenti i rëndë/ Ja si paraqitet gjendja shëndetësore e Michael Schumacher sot

By: V K
29 December 2025 at 10:11

Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, pësoi një aksident tragjik gjatë skijimit në dhjetor të vitit 2013, i cili e la për muaj të tërë në koma të induktuar mjekësisht dhe i hapi rrugë një rikuperimi shumë të gjatë, larg syrit publik.

Sot bëhen 12 vite nga dita kur Michael Schumacher, pësoi aksidentin pothuajse fatal. Edhe pse ai mbijetoi, që prej asaj kohe ka qëndruar plotësisht larg publikut dhe informacionet mbi gjendjen e tij aktuale shëndetësore, kanë qenë jashtëzakonisht të kufizuara.

Ngjarja ndodhi në Alpet franceze, ku Schumacher doli jashtë pistës së skijimit dhe goditi kokën pas një shkëmbi, pavarësisht se mbante helmetë mbrojtëse.

Legjenda gjermane e Formula 1, u transportua me helikopter drejt spitalit dhe u vendos në koma të induktuar mjekësisht për disa muaj.

Më pas, ai u transferua në shtëpinë familjare pranë Liqenit të Gjenevës, ku jeton edhe sot, nën kujdes mjekësor 24 orë në ditë.

Raportohet se jeta e Schumacher-it është jashtëzakonisht e vështirë, me deri në 15 persona që kujdesen vazhdimisht për të.

Po ashtu, besohet se ai është i shtrirë në shtrat dhe i paaftë për të folur.

Sa i përket komunikimit, Schumacher mbështetet vetëm te sytë për të komunikuar me familjen dhe miqtë.

Ky detaj u bë publik nga Elisabetta Gregoraci, ish-partnerja e ish-drejtuesit të Formula 1, Flavio Briatore, dhe ka habitur shumëkënd, duke pasur parasysh sa pak dihet realisht për gjendjen e tij.

“Michael nuk flet, ai komunikon me sytë. Vetëm tre persona mund ta vizitojnë dhe unë e di kush janë.

Ata u zhvendosën në Spanjë dhe bashkëshortja e tij ka ngritur një spital në atë shtëpi”, ka deklaruar ajo.

Është raportuar gjithashtu se Schumacher ka bërë një paraqitje të parë publike në dasmën e vajzës së tij në vitin 2024, ku të ftuarve u ishte kërkuar të dorëzonin telefonat për të mbrojtur privatësinë e tij, megjithëse ky informacion më pas është kundërshtuar.

Një tjetër person që ka dhënë informacion të vlefshëm për gjendjen e Schumacher-it është Jean Todt, ish-shefi i Ferrari-t. Duke folur për një media franceze në vitin 2023, ai u shpreh:

“Michael është këtu, kështu që nuk më mungon. Por ai thjesht nuk është më Michael-i që ishte dikur. Ai është ndryshe dhe udhëhiqet në mënyrë të mrekullueshme nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij, të cilët e mbrojnë. Jeta e tij tani është ndryshe dhe unë kam privilegjin të ndaj disa momente me të. Kaq ka për të thënë. Fatkeqësisht, fati e goditi dhjetë vite më parë. Ai nuk është më Michael-i që njihnim në Formula 1.”

Neurokirurgu finlandez Dr. Jussi Posti, ka dhënë gjithashtu një vlerësim mbi gjendjen e mundshme aktuale të Schumacher-it. Duke folur për median finlandeze Iltalehti, ai tha:

“Në bazë të informacionit që është i disponueshëm, nuk mendoj se ai bën një jetë shumë aktive”.

Vetëm një rreth shumë i vogël miqsh dhe familjarësh lejohen ta vizitojnë Schumacher-in. Mes vizitorëve të konfirmuar janë Jean Todt, Ross Brawn dhe ish-piloti Gerhard Berger.

Duke folur për privatësinë e Schumacher-it, menaxherja e tij Sabine Kehm ka deklaruar:

“Shëndeti i Michael-it nuk është çështje publike dhe për këtë arsye do të vazhdojmë të mos komentojmë në lidhje me të”.

Edhe bashkëshortja e tij, Corinna Schumacher, foli për këtë temë në dokumentarin e vitit 2021, duke thënë:

“Ne po përpiqemi të vazhdojmë jetën si familje, ashtu siç e pëlqente Michael dhe siç ende e pëlqen. Michael gjithmonë na mbrojti ne, dhe tani ne po e mbrojmë Michael-in”.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur jetën e tij private, në fillim të këtij viti u bë e ditur se ish-roja e një klubi nate, Yilmaz T., dhe bashkëpunëtorët e tij kishin organizuar një skemë shantazhi, duke kërkuar 12 milionë paund për të mos publikuar 900 fotografi, 600 video dhe dokumente mjekësore në “dark web”.

Thuhet se imazhet e tregonin Schumacher-in të shtrirë në shtrat spitalor, të ulur në karrocë dhe të lidhur me pajisje mjekësore. Personi kryesor u dënua me tre vite burg, ndërsa bashkëpunëtorët morën dënime me kusht.

Një hard disk i humbur vazhdon të shqetësojë familjen Schumacher. Avokati Thilo Damm që citohet nga Walles Online, ka deklaruar:

“Nuk e dimë se ku ndodhet hard disku i humbur… Ekziston mundësia e një kërcënimi tjetër nga prapavija”.

The post 12 vite nga aksidenti i rëndë/ Ja si paraqitet gjendja shëndetësore e Michael Schumacher sot appeared first on Albeu.com.

Ndërron jetë një i dënuar në burgun e Shënkollit në Lezhë (EMRI)

By: V K
29 December 2025 at 09:56

Një 50-vjeçar ka ndërruar jetë në burgun e Lezhës. I dënuari Sotir Shabani, është konstatuar nga oficeri i burgut gjatë ndërrimit të turneve teksa pa se 50-vjeçari, i cili merrte mjekim të detyruar, nuk po reagonte.

Ai menjëherë ka njoftuar mjekun e turnit, i cili pas verifikimit ka konstatuar se i dënuari kishte ndërruar jetë.

Sotir Shabani, qëndronte në burg që prej datës 27 nëntor 2021, i dënuar për veprën penale “Dhunë në familje” me masë mjekimi të detyruar.

Është hartuar dokumentacioni përkatës dhe janë njoftuar drejtuesit e institucionit, specialisti i SHKBB-së, Komisariati i Policisë Lezhë, si dhe Prokurori i gatshëm, për vijimin e procedurave ligjore.

The post Ndërron jetë një i dënuar në burgun e Shënkollit në Lezhë (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Shi, dëborë dhe temperatura të ulëta, ja si pritet të nisë viti i ri 2026

By: V K
29 December 2025 at 09:50

Java ka nisur me mot të kthjellët dhe me diell, por me temperatura të ulëta. Meteorologia Tanja Porja, tha në Dita Jonë se temperaturat janë rreth 2–3 gradë më të ulëta se mesatarja sezonale, ndërsa vitit i ri do të nisë me shi dhe dëborë.

“Është shumë ftohtë. Është diku 2-3 gradë më ftohtë sesa një ditë normale dimri. Ky vit po mbyllet me një temperaturë mesatare mjaft të lartë. Këto temperatura të ulëta do të freskojnë tablon mjaft të nxehtë të 2025-s dhe fillimin e 2026-s i cili do të jetë i ftohtë, me shi dhe me dëborë”.

Sipas meteorologes, temperatura e ulët në rang territori është shënuar minus 5 gradë celsius.

“Termometri i mëngjesit të sotëm ka vijuar me një tjetër rënie përveç asaj të ditës së diel. Kemi minus 5 deri në-2 për zonat malore. Pra minus 5 është vlera më e ulët sot në rang territori, kjo në zonat verilindore dhe në skajin verior. Ndërsa në shtrirjen perëndimore, përfshirë kryeqytetin kemi temperatura nga 3-4 në brendësi të territorit deri në 7 gradë në vijën bregdetare. Vija bregdetare e bën disi diferencën, ndërsa gjithë pjesa tjetër përfshirë dhe veriperëndimin. Kemi vlera rreth 2 gradë. Po ashtu Tirana, Elbasani 3 gradë celsius, si kundër edhe Berati Gjirokastra. Gjirokastra është shumë pranë zeros. Berati tre diçka mbi 3 gradë në mëngjesin e sotëm”.

Nga nesër parashikohen reshje të pakta, ndërsa fillimi i vitit 2026 pritet të jetë më i ftohtë, me shi dhe dëborë.

The post Shi, dëborë dhe temperatura të ulëta, ja si pritet të nisë viti i ri 2026 appeared first on Albeu.com.

Lefter Maliqi: Kuçova në varfëri dhe e mbuluar nga plehrat, socialistët festojnë në lokale luksi

By: V K
29 December 2025 at 09:21

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, drejtuesi politik i PL-së për Qarkun e Beratit, Lefter Maliqi, ka denoncuar atë që e cilëson si kontrast të thellë mes luksit të përfaqësuesve të qeverisë dhe varfërisë së qytetarëve në Kuçovë dhe zona të tjera të qarkut.

Ai shkruan se, ndërsa përfaqësues të mazhorancës festojnë në ambiente luksoze, një pjesë e madhe e qytetarëve përballen me varfëri, papunësi dhe kushte të vështira jetese.

Gjithashtu, në postimin e tij, Maliqi thekson se ky kontrast tregon shkëputjen e pushtetit nga realiteti i përditshëm i qytetarëve, duke shtuar se propaganda dhe luksi nuk mund të fshehin problemet reale me të cilat përballet shoqëria.

Postimi i Maliqit:

“KONTRASTI ME REALITETIN SOCIALIST

Fotoja e parë: Të pangopurit e PS që festojnë në lokale luksi mes tyre, te “Hani Qerozit”, ndërkohë Kuçova zhytur në varfëri, plehra e qenë!

Fotoja e dytë: Pakot e mia modeste për familjet në nevojë në të gjithë zonën e Kuçovës këtë prag festash.

Të dashur miq, ‘Barkdërrat’ e pangopur, abuzuesit e Rilindjes nuk fryhen dhe as nuk skuqen. Ata s’kanë as turp as moral, por hanë e pijnë, kërcejnë në lokale luksoze e ndërsa populli vuan!!! Jam krenar me mbështetjen që kam marrë ndaj nuk i lë në baltë, ashtu si familja ime do festojnë edhe ata pasi nuk më interesojnë festat kur populli vuan. Këto ditë u përpoqëm të ndihmonim disa familje nevojë për t’i lehtësuar sadopak vuajtjet me pako modeste nga ana jonë në bashkëpunim me biznesin e ndershëm. Kontrastin kuptojeni vetë. Zoti i sheh më mirë se kushdo. Mbetem me njerëzit në nevojë dhe në mbeshtetje të plotë të tyre. Rilindja mendjen e ka te parfumosja, veshjet luksoze, pijet e shtrenjta, vallet lokalet lluksoze dhe reklamë e propagandë ndërkohë që populli ne vuajtje në mjerim, duke u lutur në Zot.

Ju uroj gëzuar dhe të keni besim se me fitoren tonë të përbashkët do jem zëri dhe mbështetja juaj për punësim, mirëqënie dhe ndryshim.

Gëzuar!”, shkruan Maliqi.

 

The post Lefter Maliqi: Kuçova në varfëri dhe e mbuluar nga plehrat, socialistët festojnë në lokale luksi appeared first on Albeu.com.

BBC: Partia qeverisëse e Kosovës fiton zgjedhjet pas muajsh bllokimi politik, Albin Kurtit i hapet rruga e mandatit të tretë

By: V K
29 December 2025 at 09:07

Lëvizja Vetëvendosje, ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve paraprake.

Me rreth 90% të votave të numëruara, subjekti politik i udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë 50.8% të votave, duke i hapur rrugën një mandati të tretë qeverisës, raporton BBC.

Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë renditur pas, me përkatësisht 20.98% dhe 13.89% të votave.

Vetëvendosje kishte fituar edhe zgjedhjet e mbajtura në shkurt, por pa arritur shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, ç`ka e la Kosovën pa institucione funksionale për disa muaj.

Ngërçi politik ngriti pikëpyetjen kryesore të këtyre zgjedhjeve të dyta brenda vitit, nëse votuesit do ta ndëshkonin Kurtin për bllokadën institucionale apo partitë opozitare që refuzuan bashkëqeverisjen me të. Rezultati duket se ka dhënë një përgjigje të qartë.

Edhe pse Vetëvendosje pritet të mos i ketë e vetme votat e mjaftueshme për të qeverisur pa partnerë, Kurti pritet të sigurojë mbështetje nga partitë e pakicave etnike, të cilat kanë të garantuara 20 nga 120 ulëset në Kuvend.

Kjo është fitorja e katërt radhazi e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare dhe shihet si një konfirmim politik pas dështimit për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kurti e cilësoi rezultatin si “fitoren më të madhe në historinë e vendit” dhe shprehu pritshmërinë që opozita këtë herë të bashkëpunojë.

Një sinjal i tillë erdhi edhe nga LDK-ja. Deputeti Arben Gashi deklaroi se, “kur votuesit flasin, rezultati nuk mund të injorohet”, duke bërë thirrje për reflektim dhe veprim të përgjegjshëm.

Në lojë janë interesa të mëdha. Për shkak të mungesës së një qeverie funksionale, Kosova ka humbur qindra milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.

Kurti ka përmendur gjithashtu marrëveshje të mundshme me Bankën Botërore, që do ta çonin shumën e investimeve mbi një miliard euro.

Një tjetër sfidë mbetet riparimi i marrëdhënieve me aleatët kryesorë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-në.

Politikat e Kurtit ndaj institucioneve që shërbejnë komunitetin serb në Kosovë kanë shkaktuar tensione, veçanërisht në veri të vendit.

Edhe pse BE-ja ka rënë dakord të heqë masat ndëshkuese të vendosura në vitin 2023, ajo pritet të kërkojë një qasje më pragmatike në dialogun e normalizimit me Serbinë, thuhet në shkrimin e BBC.

The post BBC: Partia qeverisëse e Kosovës fiton zgjedhjet pas muajsh bllokimi politik, Albin Kurtit i hapet rruga e mandatit të tretë appeared first on Albeu.com.

BIRN: Balluku dhe Veliaj para drejtësisë, rekord i ri në luftën kundër korrupsionit në 2025

By: V K
29 December 2025 at 08:50

Shqipëria përjetoi ngjarje të jashtëzakonshme gjatë vitit që po lëmë pas, përfshirë vendosjen para drejtësisë të dy prej politikanëve më të fuqishëm të vendit në detyrë, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku, duke shënuar rekorde të reja në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Data 10 shkurt e këtij viti nisi si një ditë e zakonshme, me socialistët që përgatiteshin për fushatën zgjedhore të 11 majit dhe opozitën që prezantonte zbulimin e saj të ri, Chris LaCivita, këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, si kartë suksesi për zgjedhjet.

Politikani Erion Veliaj, i cili gjerësisht konceptohej si një trashëgimtar potencial i pushtetit të Edi Ramës, ishte duke bërë atë për të cilën njihej më shumë.

Në shumë kanale televizive dhe në faqe të ndryshme të medias sociale, ai u shfaq në “transmetim live” nga një kopsht në Yzberisht, duke kryer një inagurim dhe duke luajtur me fëmijët.

Por ndërsa Veliaj shfaqej në “transmetim live” nga Yzberishti, një numër i vogël gazetarësh të kronikës dinin se në fakt, Veliaj nuk ishte në Yzberisht.

Ai gjendej në zyrën e tij, ku oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit i komunikuan urdhërarrestin.

Veliaj u arrestua me akuzat e krijimit të një skeme për mbledhjen e ryshfeteve përkundrejt firmave të tij për leje ndërtimi dhe prokurime publike, “më shumë se një herë”, nga së paku pesë biznesmenë.

Arrestimi i tij ishte i pari në harkun e një viti, ku Prokuroria e Posaçme shënoi rekorde të reja në luftën kundër pandëshkueshmërisë.

Viti po mbyllet me dy telashe të tjera madhore për kryeministrin Edi Rama; marrja e pandehur e Belinda Ballukut, politikania e dytë më e fuqishme e vendit, si dhe goditja e një grupi të strukturuar kriminal në krye të manipulimit të tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI – një institucion në varësi të kryeministrit që menaxhon infrastrukturën sensitive digjitale të vendit.

Paralelisht me vendosjen përballë drejtësisë të dy prej politikanëve më të fuqishëm të vendit në detyrë, goditje të njëpasnjëshme u shënuan ndaj strukturave të shumta të krimit të organizuar, shpesh të bëra njësh me strukturat e pushtetit politik dhe shtetëror, dhe me luftë, e cila me raste ngjau më shumë si përpëlitje, të pushtetit politik përballë drejtësisë.

Krahas kësaj, vendi përjetoi një rrëshqitje drejt politikës së emocioneve, e cila duket se u përdor si kundërpeshë ndaj tronditjes së një klase politike nga skandalet korruptive.

Përplasja me drejtësinë

 

 

Gjatë vitit 2025, u shënuan disa përplasje mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë, por më e madhja ndodhi në mesin e dhjetorit, pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Prej 16 dhjetorit, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e arrestimit të Ballukut po zvarritet pa afat nga mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërsa po fiton kohë, kryeministri Edi Rama, ka lënë të kuptohet se shumica socialiste mund ta kundërshtojë kërkesën e SPAK me forcën e kartonëve.

Balluku akuzohet për manipulimin e prokurimeve publike në rendin e qindramiliona eurove. Ajo u akuzua fillimisht se kishte paracaktuar fituesin e tenderit për projektin kontrovers të tunelit të Llogarasë, i cili u ka kushtuar qytetarëve mbi 190 milionë euro, ndërsa procesi i parë i prokurimit, me oferta gati 50 milionë euro më të ulët, ishte anuluar me urdhër të zv/kryeministres.

Gjykata vendosi ta pezullojë nga detyra Ballukun, pasi provat e prokurorëve bënë të ditur përcaktimin e fituesve në projektet e kushtueshme të Unazës së re si dhe për koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.

Përgjatë dy javëve që pasuan, sulmet e Ramës ndaj sistemit të drejtësisë u bënë të përditshme dhe përfunduan me një fitore të pjesshme në Gjykatën Kushtetuese, shumica e anëtarëve të së cilës, miratuan kërkesën e tij për ngrirjen e masës së sigurisë “pezullim nga detyra” që gjykata kishte caktuar për Ballukun.

Përgjatë ditëve që pasuan, Rama sulmoi drejtësinë çdo ditë ndërsa Gjykata Kushtetuese i dha një fitore të pjesshme, dhe me gjasa, shumë të përkohshme, duke pezulluar masën e gjykatës për pezullim dhe duke kaluar pretendimet e Ramës në seancë gjyqësore të caktuar për në janar.

Fitorja e vogël në Gjykatën Kushtetuese nuk e ndihmoi dot kryeministrin, pasi vetëm pak ditë më vonë, më 16 dhjetor, SPAK kreu një goditje tjetër tronditëse: biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, u shpallën në kërkim, jo thjesht për akuzën tashmë të rëndomtë të manipulimit të prokurimeve publike, por për rrëmbim. Sipas provave të mbledhura nga SPAK, zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili dyshohet se i ka ndihmuar këta të rrëmbejnë një biznesmen tjetër, me qëllim që ky i fundit të tërhiqej nga ankesat për rezultatet e disa tenderave të manipuluar të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Përplasja e mazhorancës ndaj drejtësisë doli gjithashtu në pah, në ditët e trazuara që pasuan arrestimin e Veliajt në shkurt të këtij viti.

Mbështetësit e Veliajt, më së shumti, punonjës të bashkisë, rrethuan Gjykatën e Posaçme në mënyrë kërcënuese në ditën kur gjykata shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për masë sigurie.

Më vonë u mësua se, kur administrata e gjykatës i pati kërkuar masa mbrojtëse Policisë së Shtetit, kjo e fundit kishte dështuar t’i përgjigjej.

Mbështetësit e Veliajt mbajtën qëndrim kërcënues ndaj automjeteve të prokurorisë kur këto dolën nga gjykata pas vendimit për masë sigurie arrest me burg për kryebashkiakun.

Nga qelia e paraburgimit, kryebashkiaku ndërmorri një sulm frontal kundër prokurorisë dhe gjykatës, duke cilësuar prokurorin e çështjes si “lunatik” dhe “pervers”.

Sulmet e tij nga qelia nuk e ndihmuan shumë por ai mori edhe një akuzë shtesë për përdorim të paautorizuar të një celulari të marrë nga një roje për të komunikuar me mbështetësit jashtë, në koordinim të fushatës mediatike kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Nga jashtë burgut kryeministri Edi Rama u vu në vijën e parë, përmes shfrytëzimit të asimetrisë së informacionit të siguruar përmes kontrollit pa pyetje të shumicës dërrmuese të medias, për të ngritur pretendime faktualisht të pabaza, nga pretendimi se “Veliaj është arrestuar pa gjyq”, te sugjerimet se SPAK po sillet si “Sigurimi i Shtetit”.

Pakënaqësitë e Ramës ndaj drejtësisë u shpeshtuan gjatë muajve gusht e shtator, ku gjyqtarë dhe prokurorë u shënjestruan me batuta politike dhe individualisht për shkakun se vendimet e tyre nuk i pëlqenin kryeministrit.

Menjëherë pas fitores së zgjedhjeve përmes praktikave “jo në përputhje me standardet ndërkombëtare”, Rama ndërmorri një sulm sistematik kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sugjeruar se këta të fundit janë “armiku”.

Në mënyrë shumë ironike, Rama theksoi gjatë sulmeve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve “të mirën e përbashkët” të cilën supozohej se ai po e mbron ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët, po i kundërvihen.

Gjyqtarët dhe prokurorët iu përgjigjën me ankesa përmes një shoqate që përfaqëson interesat e tyre, ndërsa vëzhguesit vunë re një lloj strategjie mes këtyre sulmeve, me qëllim final, gërryerjen e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë më në përgjithësi.

Korrupsioni sistemik

 

 

Lufta kundër korrupsionit nga ana e SPAK ishte gjatë këtij viti në brez të gjerë. Ndërsa vëmendja u përqendrua te “peshqit e mëdhenj” si Veliaj dhe Balluku, një numër i lartë drejtuesish të administratës publike u vunë gjithashtu nën akuza.

Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, u morën të pandehur për korrupsion në maj. Meta gjendet në burg që nga tetori i vitit të kaluar.

Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI, u vendos në arrest shtëpie për shkelje të barazisë në tenderë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa Jonaid Myzyri, kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, u mor i pandehur në qershor.

Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, u mor i pandehur në shtator, ndërsa në qershor, gjashtë zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar u morën të pandehur për një nga tenderët e Unazës së Madhe.

Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, u akuzua nga SPAK se kishte përdorur pushtetin shtetëror për të shantazhuar një votues, mbështetës të opozitës në zgjedhjet e vitit 2023.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, u dënua në shkallë të parë për korrupsion zgjedhor.

Vendimi nuk është përfundimtar dhe Memolla vijon të jetë kryetar.

Rrjedhja e vendimit të gjykatës për masën e sigurisë kundër Agasit dërgoi një valë drithërimash te publiku i gjerë, përfshirë mediat proqeveritare, të cilat e patën të vështirë të mos tronditeshin.

Sipas asaj që është dokumentuar nga prokurorët, Agasi ka përgjuar veten dhe zyrtarë të ndryshëm socialistë që e kanë vizituar, duke dokumentuar incidentalisht në këtë mënyrë planin e tij për rrëmbimin e një biznesmeni.

Gjuha banale dhe lehtësia me të cilën Agasi i jepte të drejtë vetes të lëshonte kërcënime ndaj zyrtarëve të ndryshëm socialistë, përfshirë Damian Gjiknurin kur ai ishte ministër, tregojnë për ekzistencën e një shteti paralel të drejtuar nga krimi i organizuar.

Dosja dokumenton se si dhjetëramiliona euro ikën nga xhepat e taksapaguesve për të kaluar në xhepat e Agasit, i cili krijoi me këto para edhe një koleksion verërash të vlerësuar në 1 milion euro.

Koleksioni i verërave të Agasit si dhe koleksioni i rrobave dhe bizhuterive të Ajola Xoxës, bashkëshorte e Veliajt, janë ajka e korrupsionit sistemik që ka mbërthyer vendin prej vitesh dhe të cilin, SPAK duket se po e godet në nivelet më të larta, goditje që pak vite më parë konsideroheshin të paimagjinueshme.

The post BIRN: Balluku dhe Veliaj para drejtësisë, rekord i ri në luftën kundër korrupsionit në 2025 appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
29 December 2025 at 08:32

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan, do të blihet sot me 80.6 lekë dhe do shitet me 82.1 lekë.

Ndërkohë monedha evropiane euro, do blihet me 95 lekë dhe do shitet me 96.5 lekë.

Franga zvicerane, sot në tregun shqiptar do blihet me 101.9 lekë dhe do shitet me 103.4 lekë.

Ndërsa paundi britanik, do blihet me 108.6 lekë dhe do shitet me 110.1 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Pasimi i Gjimshitit i solli 3 pikë Interit, trajneri: E përqafova sepse nuk i bën këto gabime

By: V K
29 December 2025 at 08:26

Berat Gjimshiti gaboi në ndeshjen me Interin, duke i dhuruar golin e fitores. I vetmi që u shënua erdhi në minutën e 65-të, ndërsa Lautaro Martinez përfitoi nga kundërsulmi i krijuar.

Trajneri i Atalantës tha fjalën e tij pas ndeshjes. Rafaele Paladino deklaroi:

“Në fund të ndeshjes e përqafova Gjimshitin, sepse ai zakonisht nuk i bën këto gabime. Janë episode që ndodhin dhe nuk mund ta fajësoj.

Kemi gabuar në zgjedhjet përfundimtare, kemi pasur edhe disa raste, si ai i Samardziç. Kundër këtyre skuadrave duhet t’i shfrytëzosh rastet sepse nuk të japin shumë”, u shpreh trajneri i Atalantës.

The post Pasimi i Gjimshitit i solli 3 pikë Interit, trajneri: E përqafova sepse nuk i bën këto gabime appeared first on Albeu.com.

Vlora si në Mesjetë, qyteti prej 5 ditësh pa furnizim me ujë të pijshëm

By: V K
29 December 2025 at 08:15

Sot është disa e pestë ku qytetarët e Vlorës përballen me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm. Ditën e djeshme, revolta e banorëve kulmoi me protestën e organizuar në teatrin e qytetit, “Petro Mrko”.

Qytetarët e shumtë shkuan pikërisht aty pasi, bashkia po organizon një festë të fundvitit në ambientet e teatrit për punonjësit e saj dhe kanë ndërprerë shfaqjen.

“Duam Ujë”, ishte thirrja e tyre. Ndërkohë që u tensionuan edhe me policinë që mbronte ambientet ku ishte mbledhur bashkia të festonte.

Ata kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë, pasi po përballen më këtë situatë shqetësuese në prag të festave.

Ata kanë paralajmëruar se nesër në orën 10:00, do të protestojnë para Bashkisë.

Ditën e djeshme Drejtori i Ujësjellësit, Ermal Murati, ka bërë me dije se ende nuk është arritur të rregullohet defekti, ndërsa ka shtuar se po punohet për gjetjen e një rruge alternative për furnizimin e qytetarëve me ujë gjatë pasdites.

Kreu i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, thekson se për institucionet e rëndësisë së veçantë kanë siguruar zgjidhje alternative, ndërsa ndërhyrja për riparimin përfundimtar vijon.

The post Vlora si në Mesjetë, qyteti prej 5 ditësh pa furnizim me ujë të pijshëm appeared first on Albeu.com.

Azili i pleqve përfshihet nga flakët, humbin jetën 16 persona

By: V K
29 December 2025 at 07:59

Gjashtëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një azil pleqsh në qytetin Manado, në ishullin indonezian të Sulawesi-t.

Lajmi u konfirmua sot për AFP-në nga punonjësi i shpëtimit, Jimmy Rotinsulu, i cili bëri të ditur se shumica e viktimave u gjetën brenda dhomave të tyre.

Sipas tij, banorët e moshuar me shumë gjasa ndodheshin duke pushuar në dhomat e tyre të dielën në mbrëmje, në momentin kur shpërtheu zjarri.

Autoritetet arritën të evakuonin 12 persona, të gjithë të padëmtuar, të cilët më pas u dërguan për kontroll mjekësor në një spital lokal.

Pamjet e transmetuara nga televizioni lokal Metro TV treguan flakët që përfshinë godinën e azilit, ndërsa banorë të zonës ndihmonin ekipet e emergjencës në evakuimin e të moshuarve.

Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe autoritetet kanë nisur hetimet.

The post Azili i pleqve përfshihet nga flakët, humbin jetën 16 persona appeared first on Albeu.com.

Nuk ndalet rënia e bujqësisë dhe industrisë, rritja po vjen nga sektorë të paqëndrueshëm

By: V K
29 December 2025 at 07:31

Mënyra se si po rritet Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), tregon se ekonomia po mbështetet gjithnjë e më pak te sektorët tradicionalë prodhues dhe gjithnjë e më shumë te shërbimet, ndërsa bujqësia dhe industria vijojnë të japin kontribut negativ në zgjerimin e ekonomisë.

Të dhënat e fundit nga INSTAT, tregojnë se ekonomia u rrit me 3.75% në tremujorin e tretë në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit te kaluar, teksa sektori i bujqësisë ra me -1.73% në të njëjtën periudhe dhe industria ra me -4.7 %.

Bujqësia po shfaq një rënie të vazhdueshme të vlerës së shtuar që nga viti 2021, duke reflektuar probleme strukturore që lidhen me fragmentimin e tokës, produktivitetin e ulët, mungesën e subvencioneve dhe presionet nga kostot.

Në të njëjtën kohë, industria përpunuese po mbyll vitin e tretë të rënies.

Të dy sektorët prodhues, si bujqësia dhe industria kanë pasur peshë të konsiderueshme në punësim dhe ekonominë totale.

Të dyja së-bashku bujqësia dhe industria kontribuan vetëm ne 23% të PBB-së në vitin 2024 nga 27.3% që ishte pesha e tyre në vitin 2019.

Kjo ecuri tregon se zgjerimi ekonomik nuk po shoqërohet me forcim të kapaciteteve prodhuese. Industria nxjerrëse dhe përpunuese po ndikohet si nga kërkesa e dobët e jashtme, ashtu edhe nga kosto më të larta në vend, mungesa e fuqisë punëtore.

Sakaq, rritja ekonomike po mbahet gjallë kryesisht nga sektorët e shërbimeve, si administrata publike, aktivitetet profesionale, financiare dhe disa segmente të tregtisë e shërbimeve të lidhura me turizmin.

Sipas ekspertëve kjo e bën rritjen më pak të balancuar dhe më të ndjeshme ndaj goditjeve, pasi mungon mbështetja nga sektorët që krijojnë vlerë të shtuar afatgjatë dhe që janë baza e eksporteve.

Të dhënat e fundit mbi PBB tregojnë se rritja mbështetet mbi baza të brishta. Rënia e bujqësisë dhe dobësimi i industrisë ngrenë pikëpyetje mbi cilësinë e rritjes dhe aftësinë e ekonomisë për të gjeneruar zhvillim të qëndrueshëm, punësim produktiv.

Rënia e prodhimit do të thotë gjithashtu se ekonomia po humbet aftësinë për të konkurruar në tregjet e jashtme.

Eksportet kanë pësuar rënie vjetore me rreth 7% në 11 mujor dhe mbetën të përqendruara në produkte me vlerë të ulët të shtuar, duke e bërë rritjen më të varur nga importet dhe nga flukset e jashtme, si remitancat apo turizmi.

Kjo e thellon deficitin tregtar dhe e bën ekonominë më të ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme.

Nga ana tjetër sektori i prodhimit zakonisht ofron punë më të qëndrueshme dhe me potencial për rritje aftësish.

Më rënien e prodhimit punësimi zhvendoset drejt aktiviteteve më informale ose me produktivitet të ulët./ Monitor

The post Nuk ndalet rënia e bujqësisë dhe industrisë, rritja po vjen nga sektorë të paqëndrueshëm appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 29 Dhjetor 2025, temperatura -6°C deri në 12°C

By: V K
29 December 2025 at 07:20

Dita e sotme do të jetë dita më e ftohtë e javës, me kthjellime në paradite dhe vranësira në orët e pasdites e mbrëmjes.

Temperaturat do të bien ndjeshëm, nga -6°C deri në 12°C.

Era do të fryjë Verilindje mbi 35 km/h, me dallgëzim të ulët në brigje.

The post Parashikimi i motit 29 Dhjetor 2025, temperatura -6°C deri në 12°C appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 28 December 2025Main stream

Horoskopi i dashurisë për janarin 2026/ Çfarë kanë parashikuar yjet për secilën shenjë

By: V K
28 December 2025 at 15:38

Dashi 

Po investon shumë kohë në karrierën tënde këtë muaj, por hëna e plotë më 3 janar vë në pah anën tënde shtëpiake. Kalo pak kohë duke u rehatuar në shtëpi me dikë të veçantë, një vakt i gatuar në shtëpi dhe një mbrëmje filmi e përqafime në divan do të jenë më përmbushëse sesa një natë luksoze jashtë.

Java e dytë e janarit, mund të sjellë shumë shërim emocional nëse je i/e gatshëm/me të përballesh me ndjenjat e tua, ndaj mos i shtyp ato emocione të ndjeshme.

Planeti ëndërrimtar Neptun hyn në shenjën tënde për një periudhë të gjatë më 26 janar, duke i dhënë aurës tënde një shkëlqim dhe magjepsje. Edhe nëse e mban zemrën hapur, do të rrezatosh një ndjenjë misteri që do t’i tërheqë njerëzit dhe do të ngjallë kureshtje te kushdo që kalon në rrugën tënde.

Demi 

Po eksploron anën tënde aventuriere në dashuri këtë muaj dhe bashkimi Afërditë–Mars më 7 janar është koha perfekte për të eksperimentuar me diçka të re.

Planeti yt sundues, Afërdita, do të krijojë një treshe të mrekullueshme me Uranin rebel në shenjën tënde më 15 janar, duke të frymëzuar të ecësh në anën e egër. Dalja nga zona e rehatisë mund t’u shtojë shumë shije marrëdhënieve në përgjithësi tani, ndaj tregoju partnerëve një anë të papritur të vetes.

Hëna e re më 18 janar është plot mister dhe disa shtigje të reja mund të hapen duke çuar drejt seksit më të zjarrtë dhe një qasjeje më mendjehapur ndaj romancës. Sezoni i Ujorit e mban të lartë faktorin e paparashikueshmërisë gjatë pjesës tjetër të muajit, ndaj përqafo dëshirat e tua më pak konvencionale.

Binjakët 

Ky muaj po rrit ndjeshëm nivelin e intimitetit dhe hëna e plotë më 3 janar është plot dëshirë sensuale. Lidhja emocionale me veten dhe me partnerët është shumë e rëndësishme tani, por ka gjasa që të dëshirosh t’i manifestosh këto ndjenja edhe fizikisht.

E gjithë gjysma e parë e janarit të shtyn të gërmosh nën sipërfaqen e marrëdhënieve të tua, duke sjellë mundësi për të rregulluar kufijtë dhe për të adresuar ndjenjat dhe ndjeshmëritë e ndrydhura që kanë ndikuar në sfondin e jetës tënde romantike.

Sezoni i Ujorit e lehtëson energjinë në dashuri më 19 janar, duke të të lejuar të aksesosh një anë më mendjehapur dhe aventuriere të vetes. Eksperimentimi me gjëra të reja në dhomën e gjumit ose eksplorimi i dinamikave jokonvencionale të marrëdhënieve mund të jetë pikërisht ajo që të duhet për t’u ndier i/e përmbushur.

Gaforrja 

Ky vit nis me një hënë të plotë të bukur në shenjën tënde më 3 janar dhe zemra jote ndihet po aq e ndriçuar sa hëna. Shprehi emocionet hapur. Marrëdhëniet dhe angazhimi janë shumë në mendjen tënde gjatë kësaj gjysme të parë të muajit dhe do të ndihesh i/e motivuar të përputhësh veprimet me vlerat e tua në dashuri, veçanërisht kur Afërdita dhe Marsi bashkojnë forcat më 7 janar. Ata do të aktivizojnë planetin e bollëkut, Jupiterin, në shenjën tënde, duke krijuar hapësirë për rritje domethënëse dhe përvoja të reja me fat.

Hëna e re më 18 janar është koha ideale për të bërë manifestime romantike. Kthe një faqe të re dhe më të përkushtuar në një marrëdhënie ekzistuese ose vendos synime të sinqerta për atë që kërkon afatgjatë nëse je beqar/e.

Luani

Mendësia jote e Vitit të Ri të bën të mendosh praktikisht për dashurinë ndërsa janari nis, ndaj gjysma e parë e muajit do të të gjejë duke balancuar marrëdhëniet me përgjegjësitë personale. Po kërkon një lloj romance që mund të mbështesë më të mirën tënde pa të shpërqendruar nga qëllimet ose pa të konsumuar gjithë kohën, ndaj gjej mënyra për të futur takime romantike në axhendën tënde pa sakrifikuar produktivitetin.

Sapo Afërdita dashurore hyn në zonën tënde të marrëdhënieve më 17 janar, do të ndihesh më i/e butë në çështjet e dashurisë dhe më i/e gatshëm/me t’i kushtosh më shumë kohë romancës sesa detyrimeve të përditshme. Vetëm ki kujdes të mos i shtysh gjërat deri në ekstrem, humbja e vetes në dashuri është argëtuese, por mos e zhbëj përparimin që ke bërë në fusha të tjera të jetës!

Virgjëresha 

Gjysma e parë e muajit sjell disa nga rreshtimet më romantike të vitit për ty, pasi Afërdita dhe Marsi plot pasion do të ndriçojnë zonën më të zjarrtë të hartës tënde. Do të ndihesh i/e frymëzuar të veprosh sipas dëshirave dhe të ndjekësh zemrën kur bëhet fjalë për seksin dhe takimet romantike. Ti e di çfarë dëshiron, ndaj besoje veten për të marrë një drejtim.

Energjitë janë veçanërisht emocionuese në mes të muajit, duke sjellë potencial për angazhime romantike më të thella dhe një ndjenjë të bukur optimizmi për atë që po vjen në jetën tënde të dashurisë. Ëndërro pa kursim dhe përdor hënën e re më 18 janar për të manifestuar fantazitë e tua rozë në botën reale.

Ana jote praktike merr pak më shumë kontroll sapo fillon sezoni i Ujorit ditën pasuese, ndaj merr kohën që të duhet për të balancuar përpjekjet në marrëdhënie me përgjegjësitë e punës.

Peshorja

Shtëpia është aty ku është zemra gjatë gjysmës së parë të janarit, ndaj mund të ndihesh i/e tërhequr të bëhesh më familjar/e me partnerët, veçanërisht sapo planeti yt sundues, Afërdita, lidhet me Marsin plot epsh më 7 janar. Gjej mënyra për të ndërtuar një themel emocional më të fortë në jetën tënde të dashurisë, pasi kjo do të shërbejë si bazë për rritje të madhe të marrëdhënieve në të ardhmen. Mos ki frikë të tregosh anën tënde të ndjeshme.

Sapo Afërdita dashurore hyn në sektorin tënd të seksit dhe takimeve më 17 janar, dashuria bëhet shumë më pasionante dhe do të ndihesh më i/e frymëzuar të zgjerosh horizontet dhe të argëtohesh. Flirtet arrijnë kulmin gjatë ditëve të fundit të janarit, ndaj dërgo mesazhin provokues që e ke mbajtur në mendje ose fto për takim personin që të ka tërhequr vëmendjen së fundmi.

Akrepi

Po e mban zemrën hapur gjatë gjysmës së parë të këtij muaji, ndaj nuk do të ndjesh nevojën të luash lojën e sigurt në hënën e plotë më 3 janar. Zgjero horizontet dhe mendo për romancën si një përvojë mësimi dhe një aventurë. Eksplorimi i gjërave të reja në dashuri do të të lejojë t’i shohësh dëshirat e tua më qartë, duke e bërë më të lehtë shprehjen e nevojave. Tregoju partnerëve se si ndihesh dhe shprehi dëshirat me fjalë.

Gjërat fillojnë të bien në vend romantikisht në mes të muajit. Bisedat mund të çojnë në përparime të mëdha në marrëdhënie dhe flirtet e lehta mund të fillojnë papritur të duken sikur kanë potencial afatgjatë. Përdore hënën e re më 18 janar si një shans për të ndarë një anë të re të vetes në dashuri.

Shigjetar

Ndjenja të thella të përfshijnë ndërsa muaji nis, falë hënës së plotë të butë dhe të ndjeshme më 3 janar. Mos u largo nga intensiteti që po zien në zemrën tënde, pasi ato emocione janë aty për një arsye. Dashuria shpesh është e nxehtë në prekje. Mund ta kesh më të lehtë të shprehesh përmes prekjes sesa fjalëve, veçanërisht gjatë bashkimit sensual Afërditë–Mars më 7 janar. Lër trupin të flasë. Nëse je i/e gatshëm/me të heqësh dorë nga frenimet, ana jote sensuale mund të marrë drejtimin në hënën e re më 18 janar.

Sezoni i Ujorit ndez më shumë biseda në romancë, veçanërisht gjatë javës së fundit të muajit. Nëse ke pasur diçka në mendje ose dikë me të cilin ke dashur të ndash ndjenjat, kjo është një kohë e shkëlqyer për t’u hapur.

Bricjapi

Ky muaj është dashuror që nga fillimi, pasi hëna e plotë emocionale më 3 janar vë në pah gjithçka që kërkon në marrëdhënie. Nëse dëshiron të angazhohesh më seriozisht me dikë, tani është koha për të hedhur hapin dhe për të ndjekur zemrën. E gjithë java e dytë e janarit të jep një prekje në dashuri dhe mund të ndihesh çudtërisht flirtues/e dhe i/e drejtpërdrejtë për atë që dëshiron. Përdore fatin për t’i bërë realitet ëndrrat e tua më romantike, veçanërisht gjatë hënës së re në shenjën tënde më 18 janar.

Dëshirat dalin në plan të parë sapo fillon sezoni i Ujorit më 19 janar dhe pjesa tjetër e muajit është një kohë e mirë për të dalë nga mendja dhe për të udhëhequr me sensualitet. Lidhja fizike është shpesh po aq domethënëse sa lidhja emocionale.

Ujori 

Të shfaqesh në mënyrë autentike në marrëdhënie do të thotë të njohësh veten dhe të kuptosh dëshirat e tua dhe pikërisht për këtë bëhet fjalë gjysma e parë e këtij muaji. Jepi vetes kohë për të eksploruar fantazitë nga siguria e imagjinatës dhe bëj pak kërkim shpirtëror për atë që vërtet dëshiron nga romanca. Derisa të vijë hëna e re më 18 janar, do të jesh gati të hedhësh një magji dashurie dhe të manifestosh marrëdhënien e ëndrrave të tua.

Sezoni yt i ditëlindjes nis ditën pasuese dhe e gjithë kjo gjysmë e dytë e muajit të nxjerr nga mjegulla introspektive. Përdore aurën tënde magnetike për të tërhequr këdo që ka qenë në radarin tënd. Ke një tërheqje dhe vetëbesim të pamohueshëm tani që do t’i mbajnë të gjithë sytë nga ti.

Peshqit

Hëna e plotë më 3 janar është një nga më romantiket të vitit për ty dhe po sjell lloj-lloj emocionimi dhe përparimesh me fat në dashuri. Emocionet dhe pasionet rrjedhin në çdo drejtim, duke i mbushur marrëdhëniet me magji dhe sensualitet. Fantazitë shpërthejnë gjatë javëve që pasojnë, por arrin të gjesh ekuilibrin deri në mesin e muajit. Qëndro i/e hapur ndaj lidhjeve që mund të kenë potencial afatgjatë, veçanërisht rreth kohës së hënës së re më 18 janar.

Sezoni i Ujorit është pak më introspektiv për ty, ndaj bëj një pauzë nga kalendari yt i ngarkuar shoqëror për t’i lënë vend reflektimit. Eksplorimi i dëshirave të tua vetëm, pa ndikimin e një partneri, mund të të ndihmojë t’i shohësh nevojat e tua më qartë.

The post Horoskopi i dashurisë për janarin 2026/ Çfarë kanë parashikuar yjet për secilën shenjë appeared first on Albeu.com.

Plas sherri mes dy vëllezërve në Korçë

By: V K
28 December 2025 at 15:15

Një sherr që ka degraduar në përplasje fizike raportohet të ketë ndodhur në një familje në Korçë.

Sipas policisë, dy shtetas, S. Z., 58-vjeç dhe V. Z., 65-vjeç (vëllezër) janë konfliktuar me njëri-tjetrin për arsye ende të paqarta, dhe kanë ushtruar dhunë fizike mes tyre.

Gjithashtu, raportohet se në sherr është përfshirë edhe (bashkëshortja e V. Z.), e cila është pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Dy vëllezërit janë arrestuar nga Policia dhe janë shoqëruar për veprime të mëtejshme proceduriale.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit S. Z., 58 vjeç dhe V. Z., 65 vjeç, banues në Korçë (vëllezër) pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit. Gjithashtu shtetasi S. Z., dyshohet se ka dhunuar fizikisht edhe kunatën e tij (bashkëshorten e V. Z.), e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje”,– thuhet në njoftimin e Policisë.

The post Plas sherri mes dy vëllezërve në Korçë appeared first on Albeu.com.

Babai i Malit bën deklaratën e fortë për ish-gruan pasi djali nuk e takoi: Unë e kam bërë yll Violetën, t’i kthehen rehatllëkut

By: V K
28 December 2025 at 15:03

Pas refuzimit të Mal Retkoceri për ta takuar gjatë spektaklit të djeshëm, babai i tij, ka folur për mikrofonin e Fan Club, pasi doli nga studio.

Ai ka hedhur akuza të forta ndaj ish-bashkëshortes së tij, këngëtares së njohur nga Kosova, Vikoletë Kukaj, duke thënë se ajo nuk e ‘lejon’ të birin që të takohen.

Ai më tej, ka shtuar se është i gatshëm që të bashkohet me familjen, por se është ish-gruaja e tij që sipas tij nuk dëshiron.

“Ktheu jetës së mbarë, realitet, mbarësisë, rehatllëkut”, tha ai kur u pyet se cili është mesazhi i tij për të.

Ai tha se ka qenë ai që e ka bërë ‘yll’ të skenës.

“Unë e kam bërë yll. Kur e kam marrë për nuse, ajo kishte vetëm një këngë të incizuar. Unë ia kam incizuar mbi 300 këngë, me ajkën e Kosovës dhe Shqipërisë… ajo vinte nga një familje e dobët ekonomikisht para se të martohej me mua”, shprehet ai.

The post Babai i Malit bën deklaratën e fortë për ish-gruan pasi djali nuk e takoi: Unë e kam bërë yll Violetën, t’i kthehen rehatllëkut appeared first on Albeu.com.

Deklaratat e Ramës për AKSHI-n, Klevis Balliu: Mori në mbrojtje një aferë kriminale, është cënuar siguria e vendit

By: V K
28 December 2025 at 14:42

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu reagoi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili mori në mbrojtje drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Në një video mesazh në “Facebook”, Balliu thotë se “Rama nuk mbrojti AKSHI-n, por veten e tij”.

Sipas Balliut, Rama “justifikoi një aferë” ku siç tha ai, “baxhanaku i tij ka përfituar rreth 800 pagesa nga buxheti i shtetit, një skemë që ka cenuar sigurinë kombëtare dhe ka dorëzuar të dhënat personale të qytetarëve në duart e krimit të organizuar”.

Sipas Balliut, “Ergys Agasi është masha personale e Ramës. AKSHI, Agasi, Balluku janë vetë Rama”.

“Në pseudo-podcastin e sotëm, Edi Rama mbrojti korrupsionin më të madh në historinë e vendit. Ai justifikoi një aferë ku baxhanaku i tij ka përfituar rreth 800 pagesa nga buxheti i shtetit, një skemë që ka cenuar sigurinë kombëtare dhe ka dorëzuar të dhënat personale të qytetarëve në duart e krimit të organizuar.

Rama mbrojti një akt kriminal shtetëror: rrëmbimin dhe torturimin e një biznesmeni për ta detyruar të tërhiqej nga tenderi, që më pas t’i jepej baxhanakut të pushtetit. Kjo nuk është propagandë, por mafie shtetërore.

Ai e bëri këtë sepse Ergys Agasi është masha e tij personale. Sepse AKSHI, Agasi, Balluku janë vetë Rama.

Pa vendosur para drejtësisë Edi Ramën, nuk ka shpëtim për këtë vend. Çdo zgjidhje tjetër është shërbim ndaj narkoshtetit”, tha deputeti i PD.

The post Deklaratat e Ramës për AKSHI-n, Klevis Balliu: Mori në mbrojtje një aferë kriminale, është cënuar siguria e vendit appeared first on Albeu.com.

Vlora prej tre ditësh pa ujë/ Drejtori i Ujësjellësit: Po punojmë për gjetjen e një rruge alternative furnizimi

By: V K
28 December 2025 at 14:35

Pas denoncimit të rastit në News24, se qyteti i Vlorës prej tre ditësh kishte mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm, ka reaguar Drejtori i Ujësjellësit të Vlorës, Ermal Murati.

Ai ka bërë me dije se ende nuk është arritur të rregullohet defekti, ndërsa ka shtuar se po punohet për gjetjen e një rruge alternative për furnizimin e qytetarëve me ujë gjatë pasdites.

Kreu i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati, thekson se për institucionet e rëndësisë së veçantë kanë siguruar zgjidhje alternative, ndërsa ndërhyrja për riparimin përfundimtar vijon.

“Linja e transmetimit ka pësuar një çarje të rëndë. Tubi është specifik dhe ky tub përdoret specifikisht vetëm në Vlorë. Ë datë 26 është realizuar një furnizim i shkurtër, 1 orë-1 orë e 30 minuta. Po punojmë ende që të realizojmë furnizimin”, tha mes të tjerash ai.

Dëmtimi i rëndë në tubacionin kryesor 1000 mm ka lënë Vlorën pa furnizim me ujë prej tre ditësh, duke e bërë situatën tepër të vështirë për qytetarët.

The post Vlora prej tre ditësh pa ujë/ Drejtori i Ujësjellësit: Po punojmë për gjetjen e një rruge alternative furnizimi appeared first on Albeu.com.

❌
❌