Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

Nga Greqia në Durrës, sulmuesi Manssour Fofana firmos me Teutën

12 January 2026 at 22:14

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Teuta e Durrësit në Superligën e futbollit ka zyrtarizuar këtë të hënë firmën me sulmuesin e majtë, Manssour Fofana. 23-vjeçari nga Bregu i Fildishtë e ka nisur karrierën në Itali me Cannara në ligat e ulëta, për të vijuar më pas në Greqi me Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo.

“Sulmuesi i majtë nga Bregu i Fildishtë, Manssour Fofana, i bashkohet Teutës pas disa viteve eksperiencë në kampionatin grek, ku ka veshur fanelat e Veria NPS, PAS Giannina dhe së fundmi AO Egaleo. 23-vjeçari pritet të forcojë repartin ofensiv të skuadrës sonë, duke sjellë më shumë intensitet, shpejtësi dhe rrezikshmëri në sulm”, njofton klubi durrsak.

Gjatë këtij sezoni në Ligën e dytë greke, Manssour Fofana është aktivizuar në 16 takime dhe ka shënuar një gol. Trajneri i durrsakëve, Enkeleid Dobi, shpreson që klubi të ketë afruar një element me cilësi në repartin sulmues.

KF Teuta me 25 pikë pas 18 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në Superligë mban vendin e pestë në klasifikim.

/m.q/a.f/r.e/

The post Nga Greqia në Durrës, sulmuesi Manssour Fofana firmos me Teutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar

12 January 2026 at 22:13

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Projektligji i ri “Për Prefektin e Qarkut” është në fazën e konsultimit publik.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se me këtë projektligj “forcojmë rolin e prefektit në sigurinë publike, mbrojtjen e territorit dhe menaxhimin e emergjencave civile, duke garantuar që çdo qytetar, në të gjithë territorin e vendit, të përfitojë shërbime me standarde të larta, mbështetje dhe siguri”.

Gjithashtu, sipas Koçiut, prezantohet për herë të parë nocioni i Prefektit Detar, për monitorimin dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.

Projektligji “Për Prefektin e Qarkut” synon të riformësojë rolin e prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor dhe të forcojë mekanizmat e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.

Projektligji parashikon një rol më aktiv të prefektit në ndërlidhjen e veprimtarisë së administratës shtetërore me pushtetin vendor, si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë pranë Kryeministrit në rastet kur problematikat nuk gjejnë zgjidhje në nivel ministror.

Risi e paketës ligjore është krijimi i institucionit të “Prefektit Detar”, një strukturë e re që synon forcimin e sigurisë në zonat bregdetare. Sipas projektligjit, do të emërohen dy prefektë detarë, me qendra në Durrës dhe Vlorë, me juridiksion mbi dhe nën lumin Seman. Prefekti Detar do të ketë përgjegjësi të gjera në koordinimin e sigurisë detare, monitorimin e vijës bregdetare, menaxhimin e burimeve detare, sigurinë e plazheve, luftën kundër aktiviteteve të paligjshme në det dhe drejtimin e strukturave për emergjencat civile detare.

/m.q/a.f/r.e/

The post Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 January 2026Main stream

Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, merr pjesë në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm

12 January 2026 at 19:30

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe për të marrë pjesë në Javën e Qëndrueshmërisë “Abu Dhabi Sustainability Week 2026” (ADSW).

“Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë është shoqëruar edhe nga disa ministra e kryetarë bashkish.

Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

1 nga 4

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama në Emiratet e Bashkuara Arabe, merr pjesë në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Më 24 janar, kryengritje qytetare kundër korrupsionit

12 January 2026 at 19:00

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku ishte vendosur edhe foltorja.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje për protestë më 24 janar qytetarëve, intelektualëve dhe të rinjve që të bashkohen në një front të vërtetë opozitar për përmbysjen e asaj që ai e quajti “narkodiktaturë”.

Ai theksoi se protestat do të jenë paqësore, por të vendosura, dhe se opozita do të bëjë gjithçka për një kryengritje qytetare kundër korrupsionit, varfërisë dhe kapjes së shtetit.

“Më 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar. Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike.

“Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali. Se konformizmi nuk i lejon atij të përmbushë misionin e madh para qytetarëve, para popullit të tij”, tha Berisha.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama po bllokon sistemin e drejtësisë për të mbrojtur Belinda Ballukun, ndërsa shtoi se qeveria mbahet në këmbë nga mashtrimi, propaganda dhe korrupsioni.

Berisha e mbylli fjalën me thirrje për unitet, guxim dhe angazhim qytetar, duke deklaruar se ka ardhur koha që qeveria të përballet me zemërimin e shqiptarëve dhe me kërkesën për ndryshim rrënjësor.

“I bëj thirrje të rinjve të ngrihen në lartësinë e misionit të shenjtë, hyjnor. Gjenerata e tyre është gjenerata e misioneve të mëdha. Ndaj dhe ftoj çdo të ri të këtij vendi të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij dhe me guximin, energjinë të bëjë çdo gjë për largimin e këtij regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Më 24 janar, kryengritje qytetare kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Bllokimi gjashtëjavor i kërkesës së SPAK për Ballukun është pengim i drejtësisë

12 January 2026 at 17:32

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas vendimit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të thirrur mbledhjen për Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 28 janar, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për deputeten Belinda Balluku.

Bardhi thekson se “ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste”.

Sipas Bardhit, “pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cenuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve”.

Në emër të grupit parlamentar të PD, Bardhi dënoi me forcë “shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhrit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Bardhi: Bllokimi gjashtëjavor i kërkesës së SPAK për Ballukun është pengim i drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VanHorn takon kryetaren e “Kushtetueses”: Mbështetje për të çuar përpara prioritetet e Trump

12 January 2026 at 17:20

TIRANË, 12 janar /ATSH/ E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn, përgëzoi sot kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.

Përmes një njoftimi për mediet, ambasada amerikane thekson se gjatë takimit VanHorn “diskutoi se si mbështetja afatgjatë e Shteteve të Bashkuara për institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri çon përpara prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane”.

Sipas ambasadës amerikane “Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë”.

Fiona Papajorgji u zgjodh në dhjetor të vitit të kaluar, kryetare e Gjykatës Kushtetuese për një mandat 3-vjeçar.

Vakanca për kryetaren e GJK-së u krijua pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt në mars të këtij viti, ndërsa Papajorgji ishte kandidatura e vetme në garë për drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.

/m.q/a.f/

The post VanHorn takon kryetaren e “Kushtetueses”: Mbështetje për të çuar përpara prioritetet e Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Mbrojtja Civile: Situatë problematike nga moti i keq në shtatë qarqe

11 January 2026 at 13:28

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, njoftoi sot në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e kushteve të paqëndrueshme atmosferike në vend.

AKMC bëri të ditur se reshjet intensive të shiut dhe dëborës gjatë orëve të fundit kanë përfshirë një pjesë të madhe të territorit të vendit, duke krijuar problematika të natyrës hidrologjike dhe infrastrukturore në disa qarqe.

Sipas AKMC-së, situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera situata ka qenë me problematika të kufizuara dhe të menaxhueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë rritje të prezencës së ujit në zonën e Obotit dhe Dajçit si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat dhe kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Strukturat vendore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve, me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. Po ashtu vijon operacioni i kërkimit për një shtetas të humbur, me angazhimin e forcave të specializuara.

Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës.

Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojën për masa shtesë.

Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.

Sipas AKMC-së, puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët. Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

AKM u bëri thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse. /j.p/

The post Mbrojtja Civile: Situatë problematike nga moti i keq në shtatë qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëbora në Korçë bashkon fëmijë e të rritur në lojë

11 January 2026 at 13:18

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Reshjet e dëborës kanë mbuluar qytetin e Korçës, duke krijuar një pamje piktoreske. Rrugët, sheshet dhe ndërtesat e qytetit juglindor duken si një tablo e bardhë dimërore, ndërsa qytetarët shijojnë bukurinë natyrore.

Kryeministri Edi Rama, ndau foto nga të rritur e fëmijë të cilët luajnë më dëborë dhe shijojnë bardhësinë e saj.

Dëbora i ka dhënë qytetit që tërheq mijëra turistë në të katër stinët e vitit, një bukuri për t’u admiruar.

Të rinjtë e apasionuar pas sportit të skive mund të shijojnë edhe Dardhën. Vetëm 18 km në juglindje të Korçës, pista e skive në Dardhë vizitohet në këto ditë të ftohta nga qindra turistë vendas e të huaj. Fshati turistik është një nga atraksionet turistike kryesore gjatë dimrit.

/m.q/j.p/

The post Dëbora në Korçë bashkon fëmijë e të rritur në lojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksi Qafë Priskë-Shëngjergj, i hapur për qarkullimin e automjeteve

11 January 2026 at 12:46

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani ka bërë me dije se aksi rrugor Qafë Priskë – Shëngjergj, i cili ishte mbuluar nga dëbora, është tashmë i hapur për qarkullimin e automjeteve.

Ristani theksoi se aksi është pastruar dhe është trajtuar me kripë për të mundësuar qarkullimin e automjeteve, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të udhëtojnë me kujdes.

“Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe mundësisë së ngricave, u bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë gjatë lëvizjes dhe të sigurohen që automjetet të jenë të pajisura me zinxhirë dëbore për gomat, me qëllim shmangien e aksidenteve”, theksoi Ristani.

Për çdo situatë emergjente, Ristani apeloi që të kontaktohet numri 112.

/m.q/j.p/

The post Aksi Qafë Priskë-Shëngjergj, i hapur për qarkullimin e automjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet masive gjatë natës, sot priten prurje në të gjithë lumenjtë

11 January 2026 at 12:41

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave njoftoi sot se sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve të rëna me intensitet të lartë, pritet që ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë.

Po ashtu rrezik të shtuar për përmbytje lokale, ditën e sotme, do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, Shkumbin, Seman dhe Vjosë, ndërsa nesër pritet rënie e prurjeve dhe niveleve në këta lumenj.

Sipas IGJEO-s, Lumi Drin- Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojë të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.

Gjithashtu sot dhe nesër si pasojë e temperaturave të ulëta në veri, lindje dhe juglindje të territorit, ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.

Sa i përket reshjeve, priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje deri lokalisht të dobëta.

Në veri, lindje dhe juglindje në lartësitë mbi 600 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

/m.q/j.p/

The post Reshjet masive gjatë natës, sot priten prurje në të gjithë lumenjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alis, fituesi i Festivalit të këngës: Eurovizioni, ëndrra e bërë realitet

11 January 2026 at 11:07

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Me këngën “Nan”, të Alis Kallaçit, Shqipëria do të marrë pjesë në Eurovizion 2026, i cili do të mbahet në Vjenë të Austrisë. Këngëtari ishte i ftuar sot në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim”, me kryeministrin Edi Rama.

Alis tregoi se momenti kur kishte kuptuar se duhej të vazhdonte rrugën e muzikës, ishte kur kishte fituar spektaklin e talenteve “X Factor”.

“Aty ishte konfirmimi që unë ta nis seriozisht. Unë isha i ndrojtur kisha problem të këndoja dhe në “X Factor”, ishte pjesa që unë ndërrova lëkurë komplet dhe thashë shyqyr më erdhi momenti që të bëj atë që unë dashuroj pa frikë dhe këtë e quaj fitore prej “X Factor”, tha ai.

Ai vlerësoi gjithashtu edhe këngët e tjera në Festivalin e Këngës.

“Ishte konkurrencë e fortë, kishte këngë shumë të bukura. Ishin këngë origjinale dhe nga ana skenike i kishin dhënë përparësi”, tha ai.

I ndalur tek kënga e tij “Nan”, Alis tregoi se në Eurvizion do të shkojë me ndryshime sa i përket paraqitjes skenike.

“Ne po mendojmë ta amplifikojmë të paktën nga ana skenike, diçka pak më të madhe dhe më të veçantë”, tregoi Alis.

“Dëshira ime është të provoj edhe përtej kufijve dhe rasti i Eurovizioni është ëndrra e bërë realitet për ta prekur atë që kisha shpresuar, tha ai.

Teksti i këngës “Nan”, shtoi Alis është shkuar nga e dashura e tij.

“Ajo ishte shtysa, ajo pa një ëndërr dhe më tha Alis kam bërë një tekst. Më goditi teksti dhe u ula në piano dhe shkrova vijën melodike dhe shkova tek producenti për ta realizuar”, tha ai.

Gjithashtu Alis theksoi se edhe familja ishte një mbështetje e rëndësishme për të. Alis tregoi se ndjek studimet për Pedagogji Muzikore, duke shtuar se i pëlqen mësimdhënia.

/m.q/j.p

The post Alis, fituesi i Festivalit të këngës: Eurovizioni, ëndrra e bërë realitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Na duhet reflektim serioz e largpamës mbi politikën penale

11 January 2026 at 10:25

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim” në “Shënimet e Javës”, u ndal edhe tek Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën. Sipas Kryeministrit, samiti shërbeu për të bërë një bilanc të përpjekjeve të përbashkëta ndërkombëtare në mbështetje të Ukrainës dhe për të forcuar koordinimin mes aktorëve kryesorë

“Kjo javë nisi me pjesëmarrjen në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, thirrur nga Presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, ku kisha nderin të isha edhe unë ndër të ftuarit për të përfaqësuar Shqipërinë”, vuri në dukje Kryeministri.

“Në tërësi, takimi shërbeu për të bërë një bilanc të gjithë përpjekjeve të njehsimit të pozicionit dhe të koordinimit të forcave e të ndarjes së detyrave mes Shteteve të Bashkuara, Koalicionit të Vullnetmirëve dhe Ukrainës, në kuadër të garancive të sigurisë së nevojshme për hapjen e rrugës drejt kompromisit dhe paqes pas një lufte që ka marrë vërtetë tejet shumë jetë njerëzish”, tha Rama.

Gjatë qëndrimit në Paris, Rama bëri të ditur se zhvilloi edhe një takim me ministrin e Drejtësisë së Francës, ku fokusi ishte Kodi i ri Penal.

“Por, gjatë qëndrimit tim në Paris, u takova edhe me Ministrin e Drejtësisë së Francës, me të cilin diskutuam mbi pjesëmarrjen e partnerëve francezë në grupin e reflektimit që kemi nisur për problematikat e politikës penale në Shqipëri, si dhe mbi konsolidimin e draftit të ri të Kodit Penal, në harmoni të plotë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Rama.

Rama theksoi se se vendi ka nevojë për një rishikim të thellë të politikës penale. Kryeministri nënvizoi se Shqipëria ka tashmë një drejtësi të pavarur, por ende jo plotësisht funksionale në aspektin e cilësisë dhe paanësisë.

“Siç e kam thënë na duhet një reflektim i madh, serioz dhe largpamës mbi politikën penale në Shqipëri, sepse duhet të adresojmë problematika të mprehta, por njëkohësisht të mbrojmë pavarësinë, të nxisim paanësinë dhe të rrisim cilësinë e drejtësisë në këtë vend, ku kemi më në fund një drejtësi të pavarur, falë lidershipit të Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe mbështetjes bipartizane të popullit shqiptar, po nuk kemi ende as një drejtësi të paanshme e as një drejtësi cilësore. Nuk është e lehtë, por unë nuk i jam përkushtuar politikës për të bërë gjëra të lehta apo për t’i marrë lehtë gjërat e rënda. Përkundrazi”, u shpreh Rama.

/m.q/j.p

The post Rama: Na duhet reflektim serioz e largpamës mbi politikën penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndotja e lumenjve nga plastika rëndon përmbytjet, masa të reja ndaj fenomenit

11 January 2026 at 10:11

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim”, përmblodhi disa nga zhvillimet kryesore të fillimit të janarit 2026.

Në “Shënimet e Javës”, kryeministri Edi Rama deklaroi se përtej motit ekstrem dhe ndryshimeve klimatike, faktori njerëzor mbetet një nga shkaqet kryesore që rëndon situatat e përmbytjeve në vend.

Sipas tij, ndotja masive e lumenjve dhe mjedisit, veçanërisht nga plastika, përbën një “krim” të mirëfilltë ndaj natyrës dhe vetë Shqipërisë.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull!”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal veçanërisht te ndotja e lumenjve, duke e cilësuar alarmante. Ai shtoi se ndotja e mjedisit cenon jo vetëm natyrën, por edhe identitetin kombëtar

“Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë”, tha Rama.

Duke folur për masat në vijim, Rama theksoi se qeveria nuk do të tërhiqet nga përpjekjet për ta luftuar këtë fenomen

“Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”, tha Rama.

/m.q/j.p

The post Rama: Ndotja e lumenjve nga plastika rëndon përmbytjet, masa të reja ndaj fenomenit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pasoja më të kufizuara nga reshjet falë investimeve masive gjatë kësaj dekade

11 January 2026 at 10:07

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në nisje të sezonit të ri të Podkastit “Flasim”, përmblodhi disa nga zhvillimet kryesore të fillimit të janarit 2026.

Në “Shënimet e Javës”, Rama u ndal fillimisht tek përmbytjet e ditëve të fundit, ku theksoi se moti ekstrem i ditëve të fundit nuk është një fenomen i izoluar vetëm në Shqipëri, por pjesë e një vorbulle atmosferike që ka përfshirë një hartë të gjerë të Evropës Juglindore, nga Italia deri në Turqi.

“Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje e me dëborë, një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye të lidhur me vendin tonë, nga ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politike mediatike të mexhelisit shqiptar, por ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit”, u shpreh Kryeministri.

“Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me ajër të ngrohtë e të lagësht nga Mesdheu, dhe ka krijuar pikërisht këtë vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, duke sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura të ulëta. Prandaj edhe lumenjtë rriten përsëri para se të bien. Prandaj edhe toka mbetet e ngopur me ujë. Prandaj edhe reshjet e shiut e të dëborës marrin përmasa anormale”, tha Rama.

Ai theksoi se ndryshimi klimatik nuk nënkupton vetëm vera më të nxehta.

“Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por do të thotë stinë të çrregullta, sisteme atmosferike të ngadalta, ku nuk ka qarkullim normal të këtyre flukseve, prandaj edhe krijohen vorbulla dhe pastaj të papriturat e një moti  më ekstrem e më këmbëngulës në atë ekstremitetin e vet. Më shumë thatësira e më shumë zjarre, më shumë vorbulla atmosferike e më shumë përmbytje, është tashmë një kuadrat i ri i klimës ku jetojmë, e cila nuk është më klima ku jemi rritur”, u shpreh Rama.

Duke folur për situatën e krijuar nga reshjet intensive ditë me radhë, Rama vlerësoi përgatitjen e institucioneve dhe investimet e bëra ndër vite. Sipas Ramës, përmasat e përmbytjeve këtë herë janë dukshëm më të ulëta krahasuar me të shkuarën.

“Por, unë jam shumë krenar për faktin se në çdo situatë emergjence, ne jemi më të gatshëm, më të përgatitur, më efikasë, falë investimeve masive që kemi bërë gjatë kësaj dekade, rreth çerek miliardë euro në infrastrukturën e kullimit e të mbrojtjes, si edhe falë investimit në strukturën e Emergjencave Civile, që sot kanë skuadra të stërvitura, pajisje bashkëkohore e çdo vit më shumë mjete, vuri në dukje Kryeministri.

“Një fakt: Të dalësh nga kjo vorbull atmosferike me vetëm 13 mijë e 160 hektarë të mbuluara nga uji, është realisht një ngushëllim shumë i madh dhe një tregues se jetojmë në një Shqipëri tjetër, sepse kjo vorbull deri 10 vjet më parë do kishte përmbytur e papenguar dy apo trefishin e kësaj sipërfaqeje, sikundër edhe ka ndodhur”, tha Rama.

/m.q/j.p

The post Rama: Pasoja më të kufizuara nga reshjet falë investimeve masive gjatë kësaj dekade appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmbytjet, evakuime gjatë natës në Kuçovë e Dimal

11 January 2026 at 09:53

TIRANË, 11 janar /ATSH/ Evakuimi i banorëve të prekur nga përmbytjet në Kuçovë e Dimal, ka vijuar edhe për gjatë gjithë natës, si masë parandaluese për garantimin e sigurisë.

Kështu bëri të ditur ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili vlerësori Regjimentin e Këmbësorisë së Jugut për angazhimin.

“Një tjetër natë sprove dhe sakrifice për djemtë e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, të angazhuar në të dy anët e lumit Seman”, u shpreh Vengu.

Sipas tij, evakuimi i banorëve në fshatrat buzë lumit të bashkive Kuçovë dhe Dimal ka vazhduar gjatë gjithë natës.                   Vengu theksoi se Forcat e Armatosura në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, mbeten të angazhuara në terren, krah për krah me strukturat vendore, për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.                   Vendi prej disa ditësh u përfshi nga reshje të dendura që sollën prurje të mëdha të lumenjve. j.p

/m.q/

The post Përmbytjet, evakuime gjatë natës në Kuçovë e Dimal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj qytetarëve

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama garantoi sot mbështetje të plotë për qytetarët e prekur nga situata e përmbytjeve, duke theksuar se qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj tyre, si për banesat ashtu edhe për gjënë e gjallë.

Rama kujtoi se kur qeveria aktuale mori detyrën, trashëgoi borxhe të shumta nga përmbytjet, veçanërisht në zonën e Shkodrës, të cilat sipas tij janë shlyer një e nga një. Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës mbrojtëse ka ndikuar që dëmet nga përmbytjet të jenë më të pakta, pavarësisht përkeqësimit të sfidave klimatike.

“Kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgimia aleatët e shiut ishte edhe një pjesë të tërë borxhesh nga përmbytjet zonës së Shkodrës. Në i shlyem një më një ato borxhe dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit, përkundrazi kemi përballuar me dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik jo vetëm detyrimet nga përmbytjet, që edhe pse sfidat e klimës janë bërë më të mprehta, kanë qenë sidoqoftë shumë më pak pikërisht sepse ne kemi rritur ndjeshëm aftësinë mbrojtëse të infrastrukturës sonë, apo detyrimet nga zjarret që janë një sfidë e rritur e viteve të fundit, por edhe detyrime marramendëse nga fatkeqësi si pandemia apo tërmeti, duke dalë më të fortë se para fatkeqësive e më të ditur për të përballura sfidat e së nesërme.

“Sot dua t’i siguroj edhe të dëmtuarit e kësaj herë se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë”, tha Rama.

Gjatë mbledhjes së Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, Rama theksoi se puna intensive dhe mobilizimi në gjithë territorin do të vijojë pa u ndalur.

“Dua të theksoj se puna intensive dhe mobilizimi i pandalur 24 orë në të gjithë territorin ku është nevoja e të gjithash strukturave të shtetit si edhe bashkive, do të vazhdojë e pandërprerë deri në kapërcimin e kësaj situate të rënduar meteorologjike”, tha Rama.

Në fund, Rama u bëri thirrje deputetëve të shumicës qeverisëse që të jenë të pranishëm pranë qytetarëve edhe pas kalimit të situatës së vështirë.

“Nga ana tjetër dua t’u them të gjithë deputetëve të shumicës qeverisës të pranishëm në këtë mbledhje përmes zoom-it që të jenë të angazhuar edhe sot edhe nesër, edhe pasi momenti i vështirë të jetë kapërcyer pranë njerëzve me njerëzit dhe për njerëzit”, tha Rama.

/m.q/a.f/

The post Rama: Qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK dërgon për gjykim Benet Becin dhe gjashtë të tjerë

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

SPAK njoftoi se “objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë”.

Sipas SPAK hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se, gjatë zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave”, njoftoi SPAK.

Konkretisht, sipas SPAK “nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:

“I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k”.

Sipas SPAK në këtë procedurë prokurimi janë evidentuar veprime në kundërshtim me disa nene të ligjit “Për prokurimin publik”.

/m.q/a.f/

The post SPAK dërgon për gjykim Benet Becin dhe gjashtë të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi për zjarrin tek “5 Maji”: Të dëmshpërblehen tregtarët

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, reagoi për zjarrin që përfshiu disa magazina me mallra në zonën e “5 Majit” në Tiranë, duke e cilësuar ngjarjen jo si një aksident, por si pasojë direkte e politikave të qeverisë dhe bashkisë së Tiranës.

Sipas Blushit, zjarri është rezultat i braktisjes së tregtarëve dhe i shkatërrimit sistematik të jetesës së qytetarëve në emër të betonit dhe interesave klienteliste.

“Zjarri në tregun “5 Maji” nuk është thjesht një ngjarje aksidentale. Është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të papërgjegjshme, të braktisjes totale të tregtarëve dhe të shkatërrimit sistematik të jetesës së qytetarëve në emër të betonit dhe interesave klienteliste.

“Neglizhenca dhe mosndërhyrja në kohë, me të gjitha mjetet, është tregues i indiferencës që e karakterizon këtë qeveri në raport me problemet madhore të qytetarëve”, theksoi Blushi.

Deputeti i PL-së, kërkoi të merren masa konkrete për të dëmshpërblyer tregtarët.

“Sot, përveçse u dogjën stendat dhe malli, u dogj edhe mundi i familjeve që jetojnë nga puna e ndershme. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë përgjegjësi të plotë politike dhe morale. Heshtja dhe justifikimet nuk mjaftojnë. Duhet transparencë e plotë për shkaqet e zjarrit, dëmshpërblim i menjëhershëm për tregtarët dhe fundi i politikës së zhdukjes së tregjeve dhe biznesit të vogël për t’i hapur rrugë oligarkëve”, tha Blushi.

/m.q/a.f/

The post Blushi për zjarrin tek “5 Maji”: Të dëmshpërblehen tregtarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Grabiti marketin në Tiranë, arrestohet 40-vjeçari

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Policia e Tiranës, arrestoi një 40-vjeçar pasi dyshohet si autor i grabitjes së një marketi një ditë më parë në zonën e Yzberishtit në Tiranë.

Policia njoftoi sot se “në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në kërcënimin e thikës, në një market në Yzberisht, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Intervent””.

“Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap në Rrugën e Qelqit dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi E. T.(T), 40 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia.

Sipas policisë punonjësja e marketit që u dëmtua në dorë, nga thika që mbante autori, në tentativë për ta ndaluar atë, mori mjekim dhe u largua nga spitali.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/a.f/

The post Grabiti marketin në Tiranë, arrestohet 40-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestimi i avokatit në sallën e gjyqit, ILD nuk nis hetim disiplinor për gjyqtarin e prokurorin

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) përfundoi verifikimin e nisur kryesisht, të informacionit të bërë publik në media, ku ngrihen pretendime për shkelje etike, nga ana e prokurorit Gjergj Ceka dhe nga ana e gjyqtares Megi Strakosha, me avokatin Ulian Bajrami, gjatë debatit të zhvilluar në seancën e datës 17.10.2025 në Gjykatën e Elbasanit, për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit M. L. (S.)., që përfundoi me arrestimin e avokatit.

ILD njoftoi se nga analiza e të dhënave të grumbulluara nga verifikimi, nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë, të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistratit prokuror Gjergji Ceka, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe ndaj magjistrates gjyqtare Megi Strakosha me detyrë gjyqtare e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në kohën e kryerjes së shkeljes së pretenduar.

Për këtë shkak, sipas ILD-së informacioni i bërë publik në media lidhur me pretendimet e ngritura për shkelje etike, duhet të arkivohet.

Lidhur me shkeljen e rregullave të etikës nga magjistrati Gjergji Ceka, theksoi se rasti do t’i referohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë për t’u marrë në konsideratë në vlerësimin etik-profesional për këtë magjistrat.

Lexo të plotë njoftimin e ILD

/m.q/a.f/

The post Arrestimi i avokatit në sallën e gjyqit, ILD nuk nis hetim disiplinor për gjyqtarin e prokurorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌