Rama: Taskforcë kundër mbetjeve, plan në tre faza për frenimin e papërgjegjshmërisë qytetare
TIRANË, 17 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryebashkiakët për sfidat e bashkive për 2026, sezonin turistik dhe betejat e përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.
Gjatë fjalës së tij Rama bëri të ditur se do të ngrihet një taskforcë për menaxhimin e mbetjeve plastike që hidhen në territor.
Rama deklaroi se viti ka nisur me një situatë të vështirë atmosferike, e cila ka prekur një pjesë të madhe të territorit dhe komuniteteve, duke e përballur vendin me emergjenca që po bëhen gjithnjë e më sistematike për shkak të ndryshimeve klimatike.
Kreu i qeverisë shtoi se përballë intensitetit të lartë të reshjeve ka pak çfarë mund të bëhet në aspektin teknik, por theksoi se situata përkeqësohet nga faktorë që lidhen drejtpërdrejt me sjelljen njerëzore. Ai tha se qytetarë të papërgjegjshëm hedhin mbetje plastike në natyrë, duke theksuar se këto mbetje, të shtyra nga era dhe reshjet, bllokojnë pikat kyçe të rrjetit të kullimit.
Rama bëri thirrje për angazhim të përbashkët ndaj mbetjeve plastike, duke theksuar se ato janë pasojë e sjelljes njerëzore dhe kanë ndikim të madh mjedisor dhe ushqimor.
“Kur gjendemi para kësaj situate, agresioni të mbetjeve plastike që është drejtpërdrejt ndikimi i njeriut, mbi këtë situatë duhet të vetëdijesohemi dhe angazhohemi për të ndërmarrë një ofensive të përbashkët, në nivelin vendor e qendror dhe që të angazhojmë komunitetet, nga njëra anë të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe nga ana tjetër që të krijojmë kushtet për të vënë në kontroll këtë faktor kaq të dëmshme jo vetëm për këto situata, por edhe për shumë çka tjetër.
“Ajo që ndodh me plastikën ka dëme të pariparueshme edhe për jetesën e detit dhe për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare të kujtdo qoftë ndër ne si popull që jeton në këtë vend dhe ndër ne si komb që këtë vend e kemi vendin e destinacionit kryesor turistik. Kjo është punë shqiptare, ky është krim shqiptar. Nuk është një krim që mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtor të turistët e huaj”, tha Rama.
Për të adresuar këtë problem, kreu i qeverisë kërkoi krijimin e një task-force të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor për të hartuar një plan tre-fazor, që përfshin sensibilizimin dhe veprimin në shumë dimensione.
“Për këtë duhet të marrim masa të shpejta. Kjo është arsye pse i kam kërkuar ministrit të pushtetit vendor që të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushteti vendor, përbërë nga përfaqësues kyç të qeverisë dhe disa përfaqësues nga ju për të konceptuar një plan me tre faza; afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, të përbashkët, 360 gradë që nga sensibilizimi deri tek veprimi në shumë dimensione”, tha Rama.
/m.q/j.p/
The post Rama: Taskforcë kundër mbetjeve, plan në tre faza për frenimin e papërgjegjshmërisë qytetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.