Kuvendi vijon debatet në seancë plenare, përplasje për protestën e 24 janarit dhe Kodin Penal
TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kuvendi vijon që prej orës 10:00 punimet në seancë plenare, ku opozita dhe mazhoranca debatuan mbi protestën e opozitës më 24 janar, ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, apo Aktin Normativ për ndryshime në buxhetin e vitit 2025.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha se policia hodhi gaz lotsjellës të skaduar duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Nga ana e saj, ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, hodhi poshtë akuzat e opozitës për dhunë policore, duke deklaruar se Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin gjatë tubimit të organizuar nga opozita. Koçiu theksoi se efektivët e policisë janë përballur me akte dhune, përfshirë hedhjen e molotovëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta, çka ka sjellë edhe lëndimin e 11 punonjësve të Policisë së Shtetit.
Sipas saj, policia ka bërë thirrje të vazhdueshme për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe vetëm pasi këto thirrje janë shpërfillur dhe rreziku për jetën e punonjësve dhe institucioneve publike është bërë evident, janë ndërmarrë masa për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore.
Një tjetër pikë e rëndësishme e seancës ishte diskutimi i projektligjit për ndryshimet në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, e cilësoi paketën si një ndërhyrje të domosdoshme dhe strategjike, që synon forcimin e sigurisë publike dhe përafrimin e legjislacionit penal me standardet e Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave për anëtarësim.
Lamallari theksoi se ndryshimet forcojnë luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, trafikimit të qenieve njerëzore, terrorizmit dhe abuzimit seksual ndaj fëmijëve, si dhe rrisin mbrojtjen për gazetarët, mjedisin dhe pronën publike.
Nga ana e opozitës, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi tërheqjen e ndryshimeve në Kodin Penal nga diskutimi dhe marrjen e më shumë kohe për debat dhe konsultim.
Ai rikujtoi se Parlamenti ka marrë angazhimin për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përafrimin e dispozitave me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes.
“Pyetja është pse nuk po plotësohen këto rekomandime në raportin e fundit të OSBE/ODIHR”, u shpreh Bardhi, duke nënvizuar se shpifja duhet të trajtohet si çështje civile dhe jo penale.
Ai kritikoi gjithashtu faktin se ndryshimet e propozuara parashikojnë ndëshkime për shkelje të vogla, si parkimi në rresht të dytë, ndërkohë që, sipas tij, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i pronës publike vazhdojnë të trajtohen me standarde më të lehta.
Kuvendi diskutoi edhe Aktin Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025, i cili synon transferimin e fondeve të papërdorura drejt mbështetjes së pensionistëve dhe shtresave në nevojë, si dhe rialokimin e kursimeve drejt programeve me performancë më të lartë, pa ndikim në deficitin buxhetor.
Në nisje të seancës së sotme, Kuvendi tërhoqi nga rendi i ditës katër projektligje me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi heqjen nga rendi i ditës të katër projektligjeve që, sipas tij, duhet të dakordësohen më parë me Komisionin Europian.
Konkretisht të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””; projektligjit “Për disa shtesa në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar; projektligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”; projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
/r.e/a.f/
The post Kuvendi vijon debatet në seancë plenare, përplasje për protestën e 24 janarit dhe Kodin Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.