Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 December 2025Main stream

Berisha: Vitin tjetër e fillojmë me protesta

29 December 2025 at 20:22

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/Opozita iu rikthye sot “Foltoreve” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se opozita nuk do të largohet nga sheshi pa larguar “binomin e korrupsionit” Rama-Balluku.

“Do qëndrojmë në këtë shesh, “Sheshin e lirisë”, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim binomin që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun”, u shpreh Berisha.

Ai përshëndeti pjesëmarrësit, të cilët i cilësoi “misionarë të pamposhtur”, duke theksuar se opozita synon të mbajë gjallë frymën e protestës dhe angazhimit qytetar. Sipas tij, sheshi shërben si një formë e drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, duke i dhënë mundësi secilit të shprehë shqetësimet dhe kërkesat për ndryshim politik.

Në fjalën e tij, Berisha kritikoi qeverisjen aktuale, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për reforma të thella që përfshijnë arsimin, familjet dhe komunitetet. “Ne kemi nevojë për një qeverisje që respekton qytetarët dhe garanton kushte më të mira për të gjithë”, theksoi ai.

/a.f/

The post Berisha: Vitin tjetër e fillojmë me protesta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Kushtetuesja të publikojë argumentet për pezullimin e vendimit ndaj Ballukut

29 December 2025 at 19:21

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi pas deklaratës së Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar sqarime prej saj lidhur me mënyrën se si ky institucion po trajton çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Bardhi theksoi se publikimi i arsyetimeve për vendimet e Gjykatës do të kontribuonte në rritjen e besueshmërisë së saj dhe do të zvogëlonte perceptimin e ndikimit politik.

“I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë”, deklaroi ai.

Bardhi e akuzoi Gjykatën Kushtetuese për “dy standarde” në qëndrimet e saj sa i takon interpretimit për masat ndaj një deputeti dhe ndaj një ministri.

“Njësoj e domosdoshme për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese mbetet sqarimi për dy standardet e ndjekura: se pse 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen për të kërkuar interpretim për masat ndaj një deputeti, ndërsa Kryeministri legjitimohet për të kërkuar interpretim për masat ndaj një ministri”, u shpreh Bardhi.

Më herët sot, përmes një deklarate të shpërndarë në medie, Gjykata Kushtetuese njoftoi se çështja do të shqyrtohet në seancë plenare më 22 janar 2026, me pjesëmarrjen e Kryeministrit, Presidentit, Kuvendit, Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, ndërsa ftoi të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.

/r.e/

The post Bardhi: Kushtetuesja të publikojë argumentet për pezullimin e vendimit ndaj Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese përgënjeshtron deklaratat mbi pezullimin e vendimeve ndaj zv.kryeministres Balluku

29 December 2025 at 20:15

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese përgënjeshtroi sot deklaratat publike lidhur me procedurën dhe rezultatin e votimit për pezullimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Posaçme, që lidhen me masën “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta”, thuhet në një deklaratë për mediet.

Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026 do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi”, citohet deklarata.

Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.

/r.e/

The post Gjykata Kushtetuese përgënjeshtron deklaratat mbi pezullimin e vendimeve ndaj zv.kryeministres Balluku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro paralajmëron çlirimin e hapësirave publike në mbështetje të programeve jashtë kurrikulës mësimore

29 December 2025 at 17:23


TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro vizitoi sot kantierin e shkollës “Urani Rumbo”, një prej institucioneve arsimore në zonën historike të qytetit të Gjirokastrës, e cila i është nënshtruar rikonstruksionit.

“Disa muaj më parë premtuam që do të mbështesim me financim bashkinë Gjirokastër për rindërtimin dhe rinovimin e projektit të shkollës “Urani Rumbo” dhe sot jemi në kantier. Po ribëhet e gjithë infrastruktura e brendshme dhe garantimi i efiçiencës energjitike që na kursen para dhe na përmirëson parametrat”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi gjatë këtij inspektimi, nevojën e ndërhyrjeve për t’i rikthyer shkollës hapësirat e zëna.

“Mungojnë hapësirat për programet jashtë kurrikulës mësimore dhe terrene sportive. Interesi i fëmijëve dhe prona publike kanë prioritet. Kur prindërit kërkojnë kushte më të mira për fëmijët dhe që hapësirat të vihen në shërbim të shkollës, patjetër që do t’i lirojmë. Është një aksion që ka nisur në të gjithë Shqipërinë dhe s’ka pse Gjirokastra të bëjë përjashtim. Shkollat janë edhe qendra komunitare dhe ne duam të zhvillojmë programe jashtë orarit mësimor, janë po aq në interes të familjeve”, tha ministrja Kumbaro, duke nënvizuar gjithashtu se shkolla në shtator duhet të jetë gati për të hapur dyert për nxënësit, krejtësisht e riparuar.

“Në këtë shkollë që ka më shumë se 300 nxënës, projekt i përbashkët me UNICEF, po kujdesemi që punimet të jenë në harmoni me peizazhin e zonës Historike të Gjirokastrës”, informoi kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Ndërhyrjet në këtë shkollë parashikojnë ndërtimin e një çatie të re, sistem kapot, rikonstruksion dhe infrastrukturë të re, si dhe përmirësim të eficiencës energjetike.

/r.e/

The post Kumbaro paralajmëron çlirimin e hapësirave publike në mbështetje të programeve jashtë kurrikulës mësimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Manjani: Reforma e pensioneve gati në 2026-ën, nuk preken kontributet

28 December 2025 at 11:28

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Shqipëria po hyn në një fazë të re rishikimi të skemës së pensioneve, në një kontekst të shënuar nga plakja e popullsisë, ndryshimet në tregun e punës dhe procesi i integrimit evropian.

Reforma e re synon të garantojë që sistemi i pensioneve të mbetet i qëndrueshëm financiarisht, i drejtë për brezat dhe i aftë të sigurojë të ardhura të mjaftueshme për një jetë dinjitoze.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, në një intervistë për ATSH bëri të ditur se reforma e re e pensioneve do të jetë gati brenda vitit 2026 dhe se ajo nuk prek kontributet e derdhura nga qytetarët, por mënyrën se si sistemi i përgjigjet realiteteve të reja ekonomike dhe demografike.

Sipas Manjanit, reforma po ndërtohet mbi dy shtylla kryesore: ndryshimet parametrike dhe ndryshimet sistemike.

Në kuadër të ndryshimeve parametrike, vëmendja kryesore i kushtohet moshës së daljes në pension dhe formulës së përllogaritjes së përfitimeve.

Aktualisht, mosha e pensionit për gratë rritet me dy muaj çdo vit dhe në vitin 2026 do të arrijë 62 vjeç, ndërsa për burrat rritja e moshës nis në vitin 2032, me objektivin që mosha e daljes në pension për gratë dhe burrat të barazohet në vitin 2056.

Megjithatë, sipas Manjanit, ky afat po rishikohet në kuadër të përafrimit me direktivat e Bashkimit Evropian, të cilat parashikojnë barazimin e moshës së pensionit deri në vitin 2030.

“Përafrimi që do të bëjmë me direktivën na dikton nevojën për rritje më të shpejtë. Ne i kemi kërkuar periudhë tranzitore Bashkimit Evropian, në mënyrë që të mos krijojmë deformime në tregun e punës, që kjo të ndodhë pak më ngadalë se sa kërkon BE, ku sipas direktivave deri në vitin 2030 moshat duhet të jenë të barazuara. Kemi kërkuar 2035 apo 2040 dhe, në varësi të vendimit, do të bëjmë edhe një rillogaritje”, u shpreh Manjani.

Ajo theksoi se ndryshimet në tërësi të skemës nuk synojnë të cenojnë të drejtat e përfituesve, por të sigurojnë që skema të ketë qëndrueshmëri financiare në terma afatgjatë dhe njëkohësisht të adresojë mjaftueshmërinë e të ardhurave të pensionistëve.

Në drejtimin e dytë, reforma parashikon ndryshime sistemike që lidhen me vetë strukturën e skemës së pensioneve. Në këtë kuadër, po diskutohet forcimi i skemave private vullnetare të pensioneve, të njohura si kolona e tretë, si dhe ndërtimi dhe konsolidimi i skemave private të detyrueshme, kolona e dytë.

Sipas Manjanit, këto ndërhyrje do të ndërmerren vetëm pas një procesi të gjerë konsultimi me biznesin dhe grupet e interesit, në mënyrë që sistemi të jetë i balancuar dhe i zbatueshëm.

Zëvendësministrja nënvizoi se qëllimi i reformës nuk është të ndryshojë mënyrën se si qytetarët kanë kontribuar apo përfitimet që kanë marrë, pasi parimi kontributiv mbetet themeli i sistemit.

“Qëllimi i reformës nuk është të ndryshojmë mënyrën se si është kontribuar kundrejt skemës apo benefitet që janë marrë. Qëllimi është përgjigjja ndaj ndryshimeve demografike, zhvillimeve në tregun e punës dhe përafrimit me direktivat në kuadër të procesit të integrimit, duke ruajtur gjithmonë parimin kontributiv, qëndrueshmërinë fiskale të skemës, barazinë mes kategorive dhe mjaftueshmërinë e të ardhurave për të garantuar një jetë dinjitoze”, deklaroi Manjani.

Paralelisht me reformën, qeveria do të zbatojë edhe një politikë mbështetëse për rritjen graduale të të ardhurave të pensionistëve deri në vitin 2030. Kjo politikë nuk është pjesë e reformës strukturore, por synon përmirësimin e menjëhershëm të të ardhurave të pensionistëve.

Si rezultat i kësaj politike mbështetëse, pensioni mesatar urban me vite të plota të punës pritet të rritet nga 27 350 lekë aktualisht në 40 000 lekë. Pensioni urban i pjesshëm synohet të kalojë nga 15 850 lekë në 22 000 lekë, ndërsa pensioni rural nga 11 500 lekë në 18 000 lekë. Në të njëjtin nivel, nga 11 400 lekë në 18 000 lekë, parashikohet të rritet edhe pensioni familjar, ndërsa pensioni i invaliditetit pritet të arrijë nga 20 000 lekë në 30 000 lekë.

Për të realizuar këto nivele, duke nisur nga janari 2026 do të aplikohet një rritje mujore e të ardhurave të pensionistëve, pa përfshirë indeksimin vjetor.

Rritja mujore në 2026-ën për pensionin urban me vitet e plota të punës do të jetë 1 800 lekë, për pensionin urban të pjesshëm 800 lekë, për pensionin rural 1 000 lekë, për pensionin familjar 700 lekë dhe për pensionin e invaliditetit 600 lekë, rritje që do të vijojnë çdo vit deri në arritjen e objektivave të përcaktuara për vitin 2030.

“Shuma do të dyfishohet në janar 2027, do të trefishohet në janar 2028, do të katërfishohet në janar 2029, e do të pesëfishohet në janar 2030”, u shpreh Manjani.

Sipas Manjanit, kjo qasje e dyfishtë – reforma strukturore dhe mbështetja afatshkurtër – synon të sigurojë stabilitet për pensionistët sot dhe një sistem pensioni të drejtë e të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

/a.f/r.e/

The post Manjani: Reforma e pensioneve gati në 2026-ën, nuk preken kontributet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Zgjedhjet ishin farsë elektorale, protestë paqësore të qëndrueshme

27 December 2025 at 19:14

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj qeverisë për deformim të zgjedhjeve dhe shkelje të rënda të votës së lirë.

Gjatë turit të “Foltores”, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë, Berisha nga Korça theksoi se opozita ka dokumentuar, me mijëra prova se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të lira e të ndershme, por “farsë elektorale”.

Ai akuzoi qeverinë për përdorim të burimeve shtetërore, falje gjobash dhe kamatash, shpërndarje parash, përfshirje të krimit të organizuar dhe presion mbi administratën publike.

“Sot ne vijmë pasi u kemi faktuar shqiptarëve dhe botës, me dokumente, me mijëra, e mijëra dokumente se Edi Rama është një armik i egër i votës së shqiptarëve. Se ai nuk zhvillon zgjedhje, po vetëm farsë elektorale. Dhe kjo, kjo është arritje e jashtëzakonshme”, tha Berisha.

Kreu i PD iu referua edhe raporteve ndërkombëtare, duke theksuar se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës është rekomanduar ndarja e partisë nga shteti, ndërsa në Parlamentin Europian është ngritur shqetësimi se krimi i organizuar pengon rotacionin e pushtetit në Shqipëri.

“Sot jemi më të kthjellët dhe më të vendosur se kurrë. Ne jemi parti e paqes, por të pamposhtur dhe do rrojmë e do fitojmë për liri”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD ka ditur gjithmonë të reagoi. “Ndaj dhe ju garantoj se Edi Rama i ka ditët e numëruara, kohërat e numëruara”.

Berisha tha se ligji i “Barazisë gjinore” është ligji i shkatërrimit të përfundimtar të familjes.

“Post-marksistët, post-marksistët kanë shpallur familjen dhe shpërbërjen e saj, ndryshimin e gjinive dhe shpërbërjen e tyre si qëllimin kryesor të një bote të ardhshme.
Ndaj dhe kjo betejë është një betejë për familjen tonë, e cila ka mbajtur kombin nga shekulli në shekull, nga mijëvjeçari në mijëvjeçar dhe i detyrojmë një lloj sa Zotit ekzistencën tonë”, vijoi Berisha.

Ai shton se Rama duhet të japi dorëheqjen. “Jep dorëheqjen, se nuk ka forcë në botë që të mban më në pushtet”.

“Ndaj dhe Partia Demokratike dhe opozita e cila ka gjithë trashëgiminë e saj, ka të drejtën me vete, ka guximin e qytetarëve. Kjo kërkon nga çdo qytetar, kërkon nga çdo demokrat e demokratë, protestë paqësore të qëndrueshme. Ne nuk duhet të humbasim nordin tonë. Të gjitha betejat i kemi fituar me qëndresë paqësore. Paqja është shumë herë më e fortë se të gjitha të tjerat”, nënvizoi Berisha.

/a.f/

The post Berisha: Zgjedhjet ishin farsë elektorale, protestë paqësore të qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Nga Uashingtoni bien sirenat e alarmit për korrupsionin e qeverisë

27 December 2025 at 18:30

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga Korça se “sirenat e alarmit po bien nga Uashingtoni” për korrupsionin e qeverisë dhe për lidhjet e saj me drogën dhe krimin.

Gjatë turit të “Foltores”, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet forca më e qëndrueshme opozitare në vend, pavarësisht përpjekjeve për izolimin dhe dobësimin e saj ndër vite.

“Ne vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti, pa asnjë tjetër, në të gjitha vendet ish-komuniste, që jemi në këmbë, jemi gjallë, jemi të fortë dhe të sigurt në fitore. Por ne në dallim, në dallim nga çdo forcë politike tjetër në historinë politike të Europës pluraliste, jemi një forcë ndaj të cilës në mënyrën më të padrejtë u ndërmorën aktet më brutale, përpjekjet më të turpshme për shkatërrimin e saj, në projektin Shqipëria pa opozitë. Përpjekjet më kriminale për përçarjen e copëtimin e saj në projektet Shqipëria pa opozitë. Izolimin më të thellë, forcën politike më properëndimore në historinë e kombit. Megjithatë ne triumfuam. Se mbronim të vërteta të përjetshme, të njeriut, të qytetëruar, të kombit, të qytetit, të familjes, të vendit”, deklaroi Berisha.

Ai u shpreh se rezoluta të miratuara nga forca politike ndërkombëtare kanë evidentuar problematika serioze në Shqipëri, duke përfshirë përqendrimin e pushteteve, cenimin e pluralizmit dhe rrezikun e shndërrimit të zgjedhjeve në farsë.

Berisha e cilësoi PD-në si një forcë politike që ka mbrojtur vlera themelore demokratike dhe perëndimore, duke shtuar se këto kauza, sipas tij, kanë marrë tashmë mbështetje ndërkombëtare.

“I dëgjoni ju tani sirenat e alarmit që bien nga Uashingtoni për korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës dhe lidhjet e saj me drogën dhe krimin. Ne triumfuam!”, u shpreh kreu i PD-së.

/a.f/

The post Berisha: Nga Uashingtoni bien sirenat e alarmit për korrupsionin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit “ndezin” atmosferën në Durrës

27 December 2025 at 18:28


TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Dritat shumëngjyrëshe, zbukurimet e fundvitit dhe pema e madhe e Vitit të Ri kanë veshur Durrësin me atmosferë festive, duke e kthyer qytetin bregdetar në një hapësirë të ngrohtë dhe plot gjallëri në ditët e fundit të dhjetorit.

Në sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit, ndriçimet dekorative dhe elementët festivë krijojnë një pamje të veçantë, ndërsa qytetarë dhe vizitorë shijojnë mbrëmjet në një ambient që përcjell gëzim dhe frymën e festave.

Pamjet nga kjo atmosferë festive janë ndarë mbrëmjen e sotme edhe nga Kryeministri Edi Rama, duke sjellë në vëmendje gjallërinë që mbizotëron në Durrës gjatë këtij sezoni festash.

Ndërkohë Bashkia e Durrësit ka përpiluar një program të ngjeshur aktivitetesh, si koncerte në sheshin qendror apo zona të tjera të qytetit, aktivitete argëtuese për fëmijë e të rritur në sheshin qendror dhe tek shëtitorja..etj.

/a.f/

The post Festat e fundvitit “ndezin” atmosferën në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Akademia e Pushtetit Vendor nis në janar

27 December 2025 at 17:21

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Akademia e Pushtetit Vendor, një strukturë e re kombëtare që synon rritjen e kapaciteteve të administratës vendore në kuadër të procesit të integrimit evropian, pritet të nisë funksionimin në muajin janar. Akademia do të trajnojë punonjësit e të 61 bashkive të vendit, me fokus të veçantë përgatitjen e tyre për përthithjen e fondeve të Bashkimit Evropian dhe zbatimin e standardeve të reja që do të shoqërojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në një intervistë për televizionin Klan, ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha se akademia është krijuar për t’u përgjigjur drejtpërdrejt sfidave që do të përballen bashkitë, si në procesin e integrimit, ashtu edhe në menaxhimin e fondeve dhe reformave që prekin pushtetin vendor.

“Procesi i integrimit do të sjellë standarde të reja të cilat janë të detyruara për t’u implementuar në pushtetin vendor. Rreth 65% e legjislacionit do të prekë autoritetet lokale dhe bashkitë duhet të jenë me patjetër gati për të pasur mundësi të absorvojnë të gjitha kërkesat e reja të cilat do të jenë detyrime ligjore. Kjo do të jetë sfidë e madhe, sepse ne duhet të garantojmë që kemi institucione që ditën e parë që Shqipëria është në BE, të jenë gati për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që vijnë nga integrimi, si financime dhe fonde nga BE. Fondet e kohezionit janë të rëndësishme për bashkitë. Akademia në fillim të vitit 2026 fillon funksionin e saj normal, në muajin janar”, tha Demo.

Krahas integrimit, Akademia e Pushtetit Vendor pritet të ndihmojë stafet e bashkive edhe për çështjen e reformës së re territoriale, e cila tashmë është në diskutim.

“Bashkitë do të kenë një nevojë të jashtëzakonshme, sidomos vitin e parë, për të përthithur reformën territoriale, si nga funksionet, ashtu edhe nga hapësira gjeografike. Ne do të kemi sistemet e menaxhimit financiar ku bashkitë do të përfshihen në vitin 2026, kemi digjitalizimin e shërbimeve vendore që do të fillojë në vitin 2026 “, tha Demo.

Akademia e Pushtetit Vendor bën bashkë të gjithë aktorët vendimmarrës, por i rëndësishëm është fakti që do të jenë vetë bashkitë ato që do të evidentojnë nevojat ku duhet të rrisin performancën.

“Akademia vendore do të fokusohet specifikisht në nevojat që ka vetë bashkia dhe këto mund të ndryshojnë nga njëra bashki te tjetra. Për t’u ardhur në ndihmë bashkive për elemente specifike ku ato e kanë të domosdoshme një lloj përparimi nga pikëpamja e kapaciteteve, për të kapur standarde kombëtare apo për të krijuar mundësi të reja zhvillimi në territor”, tha Demo.

Akademia e Pushtetit Vendor është mbështetur nga të 61 bashkitë e vendit.

“Bashkitë e vendit kanë kaluar buxhetet për vitin 2026, kanë firmosur statutin e akademisë, po ashtu të gjitha qarqet e vendit janë pjesë e saj. Edhe qeveria shqiptare e ka dhënë zotimin e saj që tre vitet e para do e financojë në masën 50%”, tha Demo.

Financimi i akademisë është 50% nga buxheti i shtetit në tre vitet e para, dhe 50% nga buxheti i bashkive. Këto të fundit kanë buxhetuar në total 450 mijë euro për vitin 2026, në bazë të të ardhurave dhe buxhetit të gjithsecilës.

/a.f/

 

The post Demo: Akademia e Pushtetit Vendor nis në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s

27 December 2025 at 15:39

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi bazën e Grup Batalionit Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo, Bullgari, nga ku vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionet e Aleancës.

Gjatë vizitës në bazë, Komandanti italian i misionit, Mattia Scirocco, informoi ministrin se toga që përfaqëson Forcat e Armatosura të Shqipërisë luan një rol aktiv në detyrat e grupit shumëkombësh, duke kontribuar përtej misionit të saj të paracaktuar.

Ky vlerësim u cilësua si dëshmi e profesionalizmit, përkushtimit dhe besueshmërisë së efektivëve shqiptarë në çdo angazhim ku shërbejnë nën flamurin e NATO-s.

“Shqipëria mbetet e gatshme të rrisë më tej prezencën dhe kontributin e saj në misionet e Aleancës, aty ku nevoja e kërkon, duke dëshmuar përkushtimin ndaj sigurisë kolektive dhe duke forcuar përgatitjen operacionale krah për krah me aleatët”, u shpreh ministri Vengu.

/a.f/

The post Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësira moderne e funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan

27 December 2025 at 15:35

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Tregtimi i fruta-perimeve në Rajonin nr. 1 në Elbasan ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, falë investimit të fundit që ka transformuar rrënjësisht kushtet e punës dhe të shërbimit për tregtarët dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ky investim nuk ka përmirësuar vetëm estetikën urbane të zonës, por mbi të gjitha garanton standarde më të larta të sigurisë ushqimore.

Struktura e re është projektuar për t’u shërbyer rreth 35 tregtarëve, të cilët tashmë kanë lënë pas kushtet e vështira dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në ambiente moderne dhe funksionale.

“Tregu i ri i fruta-perimeve në Rajonin nr. 1 në Elbasan ofron kushte bashkëkohore për tregtarët, të cilët tashmë operojnë në hapësira moderne dhe funksionale”, u shpreh Rama.

Hapësira është e mbyllur plotësisht me struktura xhami, e pajisur me ndriçim efikas dhe me kushte optimale për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore, duke respektuar standardet higjieno-sanitare.

Ky projekt konsiderohet një hap konkret drejt formalizimit të tregut të produkteve bujqësore, duke garantuar dinjitet për tregtarët dhe siguri për qytetarët që furnizohen çdo ditë në këtë treg.

/a.f/

The post Hapësira moderne e funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AK: Vendimi për grumbulluesit mbron fermerët nga çmimet e diktuara

27 December 2025 at 18:00

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur sot se vendimi i marrë pak ditë më parë ndaj disa pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore nuk ka të bëjë me marrëveshje të shkruara apo formale mes tyre.

Sipas Autoritetit, shkelja lidhet me faktin se këto subjekte kanë vepruar njësoj në treg, duke bashkërenduar çmimet dhe sjelljen e tyre, edhe pa pasur kontakte të drejtpërdrejta mes njëri-tjetrit, gjë që ndalohet nga ligji për konkurrencën.

“Vendimi i marrë ndaj disa pikave të grumbullimit nuk lidhet me marrëveshje formale mes tyre, por me sjellje të bashkërenduara në treg, të cilat ligji i ndalon edhe kur nuk ka kontakte të drejtpërdrejta mes subjekteve”, bën të ditur Autoriteti i Konkurrencës.

Autoriteti bën të ditur se të gjitha palët janë dëgjuar gjatë procedurës dhe kanë pasur mundësi të paraqesin shpjegimet e tyre, ndërsa vendimi është marrë pas një analize ligjore dhe ekonomike të funksionimit të tregut.

Në sqarim theksohet gjithashtu se vendimet e Autoritetit të Konkurrencës janë të detyrueshme për zbatim, edhe në rastet kur subjektet vendosin t’i ankimojnë ato në gjykatë.

Sipas institucionit, qëllimi i ndërhyrjes është të sigurojë konkurrencë të ndershme në treg, të mbrojë fermerët nga çmimet e diktuara dhe të garantojë një treg transparent dhe funksional për produktet bujqësore.

Autoriteti i Konkurrencës përfundoi disa ditë më parë hetimin në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, duke konstatuar shkelje të rënda në dëm të fermerëve.

Në mbledhjen e 26 nëntorit 2025, Komisioni i Konkurrencës vendosi se gjashtë ndërmarrje grumbulluese kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë sezonit, duke diktuar çmime të ulëta për fermerët dhe duke aplikuar fitime shumë të larta, deri në 115%. Për këtë arsye, ndaj tyre janë vendosur gjoba deri në 0,15% të xhiros vjetore.

Autoriteti thekson se kjo sjellje ka kufizuar konkurrencën dhe ka dobësuar pozitat e fermerëve, të cilët përballeshin me mungesë negocimi dhe vonesa në pagesa. Vendimi synon të rikthejë konkurrencën e ndershme dhe çmime më transparente në treg.

Ndërmarrjet e gjobitura janë urdhëruar të afishojnë çmimet dhe do të monitorohen për një vit nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas institucionit, efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar të fruta-perimeve, në mbrojtje të fermerëve dhe të konsumatorëve.

/a.f/

The post AK: Vendimi për grumbulluesit mbron fermerët nga çmimet e diktuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr në parkimin e autobusëve pranë “Eco Park” në Durrës

27 December 2025 at 14:43

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Rreth orës 13:45, në lagjen nr. 15 të Durrësit, në parkun e autobusëve në sektorin “Rinia”, pranë zonës së njohur si “Eco Park”, ka rënë zjarr në ambientet e parkimit të autobusëve.

Si pasojë e flakëve, janë përfshirë disa autobusë të vjetër që ndodheshin në parkim.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit dhe për izolimin e zonës.

Nga të dhënat paraprake nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa po vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

/a.f/

The post Zjarr në parkimin e autobusëve pranë “Eco Park” në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Musabelliu: Mbështetje biznesit për përmbushjen e standardeve për të operuar në tregun unik të BE-së

27 December 2025 at 08:43

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është një proces që prek vetëm institucionet, por mbi të gjitha kërkon përgatitjen reale të biznesit shqiptar për të operuar në tregun e vetëm europian.

Zv.ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu në një intervistë për ATSH-në, u shpreh se anëtarësimi në BE duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me një transformim strukturor të vetë biznesit, si kusht për konkurrencë dhe funksionim të qëndrueshëm në një treg me rregulla të unifikuara.

Sipas Musabelliut, elementi i parë thelbësor lidhet me kapacitetet e biznesit.

“Integrimi në BE do të thotë që biznesi duhet të ketë burimet e nevojshme për të konkurruar dhe për të vepruar në tregun e vetëm europian”, thekson ai.

Kjo përfshin jo vetëm madhësinë apo kapitalin, por edhe mënyrën e organizimit, menaxhimit dhe qasjes ndaj tregut.

Po aq e rëndësishme, sipas zv.ministrit, është përmbushja e standardeve të prodhimit dhe operimit.

Bizneset shqiptare, veçanërisht ato që aktualisht nuk eksportojnë në BE, do të duhet të rrisin standardet e tyre në mënyrë që të jenë funksionale në tregun e përbashkët europian.

“Nuk do të ketë dy realitete të ndryshme, një për Shqipërinë dhe një për BE-në. Rregullat e BE-së do të zbatohen edhe këtu”, shpjegon Musabelliu, duke nënvizuar se anëtarësimi nënkupton një treg të vetëm, me të njëjtat kërkesa.

Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka nisur punën për hartimin e një programi kombëtar për përgatitjen e biznesit shqiptar për tregun e vetëm europian. Aktualisht po zhvillohet një analizë e detajuar e gatishmërisë, për të vlerësuar se ku ndodhen sektorë të caktuar të ekonomisë shqiptare në raport me kërkesat e anëtarësimit dhe funksionimit në tregun e përbashkët.

Bazuar në këtë analizë, programi do të ndërtohet mbi tre shtylla kryesore.

Shtylla e parë është informimi.

Zv.ministri thekson se është thelbësore që biznesi të kuptojë qartë se çfarë do të thotë të operosh në një treg me rreth 450 milionë konsumatorë, me rregulla më të forta dhe praktika të ndryshme nga ato të tregut vendas.

Shtylla e dytë lidhet me ndërtimin e kapaciteteve.

Programi parashikon trajnimin e një numri të caktuar konsulentësh dhe biznesesh, të cilët do të punojnë drejtpërdrejt me sipërmarrjet për të rritur aftësitë e tyre operuese dhe konkurruese në tregun europian.

Shtylla e tretë është mbështetja financiare, e cila mund të realizohet përmes kredive sovrane, garancive sovrane, granteve të drejtpërdrejta apo skemave të tjera financimi.

Sipas Musabelliut, qëllimi është që të bashkohen të gjithë aktorët për të mbështetur biznesin në forma të ndryshme, në mënyrë që ai të jetë gati që ditën e anëtarësimit të mund të operojë normalisht në tregun e BE-së.

Zv.ministri thekson se Shqipëria nuk po e nis sot këtë proces.

Prej rreth tre dekadash, vendi ka punuar për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së. Në disa sektorë, ky përafrim arrin në 80% apo më shumë, ndërsa në të tjerë është më i ulët.

“Në një vlerësim të përgjithshëm, sot mund të jemi rreth 60–65% të përafruar me legjislacionin e BE-së. Synimi është që ditën e anëtarësimit të shkojmë në rreth 90%, pasi disa elementë plotësohen vetëm pas anëtarësimit”, shpjegon ai.

Në këtë proces, një rol të rëndësishëm luan edhe CEFTA, të cilën Musabelliu e konsideron si një ushtrim parapërgatitor drejt tregut të përbashkët europian.

Aktet që zbatohen në kuadër të CEFTA-s janë në përputhje me ato të BE-së dhe në sektorë të caktuar, si tregtia e fruta-perimeve, Shqipëria operon lirshëm brenda rajonit me të njëjtat rregulla që zbatohen edhe në BE.

“Një nga çështjet më të rëndësishme që pritet të avancojë në kuadër të integrimit është njohja e konformitetit të produkteve. Kjo nënkupton që një produkt i certifikuar në Shqipëri të mos ketë nevojë për ricertifikim në tregun europian, proces që lidhet drejtpërdrejt me akreditimin, certifikimin dhe standardizimin”, deklaroi Musabelliu.

Sa i përket mbështetjes nga Bashkimi Europian, Musabelliu sqaron se BE ofron një sërë skemash financiare për biznesin, veçanërisht në sektorë që lidhen me digjitalizimin, inovacionin dhe eficiencën energjetike.

Megjithatë, këto fonde nuk jepen përmes shtetit, por aplikohen drejtpërdrejt nga vetë bizneset pranë institucioneve të BE-së. Për këtë arsye, Musabelliu vlerëson se rritja e kapaciteteve të biznesit shqiptar për të aplikuar dhe përthithur këto fonde mbetet një prioritet kyç i qeverisë në procesin e integrimit europian. /j.p/

The post Musabelliu: Mbështetje biznesit për përmbushjen e standardeve për të operuar në tregun unik të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Saranda mirëpret vizitorë edhe jashtë sezonit veror

26 December 2025 at 18:11


TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Saranda vijon të jetë një qytet i gjallëruar edhe përtej muajve të verës, teksa mirëpret vizitorë të shumtë sidomos në ditë me diell si këto të dhjetorit.

Me qetësinë që ofron jashtë sezonit të ngarkuar, qyteti po tërheq turistë vendas dhe të huaj që preferojnë pushime më të qeta dhe më afër natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga bregdeti i qytetit, i mbushur plot.

Një pjesë e strukturave akomoduese dhe bizneseve të shërbimit në Sarandë qëndrojnë të hapura gjatë gjithë vitit, duke u përshtatur me kërkesat e vizitorëve që udhëtojnë jashtë sezonit veror.

Edhe destinacionet turistike përreth Sarandës si Parku Kombëtar i Butrintit, Syri i Kaltër dhe fshatrat turistike të zones vijojnë të frekuentohen. /j.p/

 

The post Saranda mirëpret vizitorë edhe jashtë sezonit veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshojnë çmimet e referencës për zhdoganimin e automjeteve të përdorura

26 December 2025 at 17:00

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Çmimet e referencës që përdoren nga doganat për zhdoganimin e automjeteve të përdorura janë rritur me 25% për autoveturat, kamionçinat, furgonët dhe kamionët, sipas udhëzimit të ri të miratuar nga Ministria e Financave, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Ndryshimet parashikohen në udhëzimin e ndryshuar ”Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”, i cili rregullon mënyrën e vlerësimit të automjeteve të përdorura për qëllime zhdoganimi.

Çmimet e referencës përdoren në rastet kur automjetet kanë vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet zyrtare të çmimeve, si “Quattroroute”, “Tuttotrasporti”, “Schwackeliste” etj., që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet europiane, ose kur nuk pranohet vlera e transaksionit.

Sipas udhëzimit të ri, për autoveturat me cilindratë nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë. Për automjetet me cilindratë nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë, ndërsa për ato nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë.

Për automjetet me cilindratë nga 3000 deri në 4500 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë, ndërsa për automjetet me cilindratë mbi 4500 cc, vlera minimale mbetet e pandryshuar, në nivelin 1 milion lekë.

Rritja me 25% është aplikuar edhe për çmimet e referencës për kamionçinat, furgonët dhe kamionët. Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë. Për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, vlera minimale rritet nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë.

Ndërkohë, për kamionët me kapacitet nga 3.5 deri në 10 tonë, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 850 mijë lekë në 1.062.500 lekë. Për kamionët me kapacitet nga 10 deri në 15 tonë, pragu minimal rritet nga 1 milion lekë në 1.250.000 lekë, ndërsa për kamionët me kapacitet mbi 15 tonë, nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë. /j.p/

 

The post Ndryshojnë çmimet e referencës për zhdoganimin e automjeteve të përdorura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia, pranë familjarëve të dëshmorëve të atdheut gjatë festave

26 December 2025 at 16:26

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Me rastin e festave të fundvitit, në drejtoritë vendore të Policisë në qarqe u zhvilluan aktivitete festive me familjarët e dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut.

Aktivitetet u organizuan nën kujdesin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si shprehje e respektit dhe mirënjohjes institucionale për sakrificën e tyre në shërbim të vendit.

Sipas Policisë, këto takime synojnë të forcojnë mbështetjen morale dhe lidhjen e vazhdueshme me familjarët e dëshmorëve, duke qenë pranë tyre edhe përtej ditëve festive. /j.p/

The post Policia, pranë familjarëve të dëshmorëve të atdheut gjatë festave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tre aplikime të reja për centrale diellore me kapacitet 135 MW në Fier, Sarandë dhe Libohovë

26 December 2025 at 20:21

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë paraqitur tre aplikime të reja për ndërtimin e impianteve fotovoltaike, të cilat parashikohen të zhvillohen pa përfituar nga skemat mbështetëse të shtetit dhe jashtë procedurave koncesionare.

Një nga aplikimet është paraqitur nga shoqëria “I&N ENERGY”, e cila planifikon ndërtimin e një impianti diellor me kapacitet të instaluar 25 MW në zonën e Darëzezës, në Fier. Po ashtu, shoqëria “PARK SOL ENERGY” ka aplikuar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet 50 MW në Sarandë.

Aplikimi i tretë është depozituar nga shoqëria “HD SOLAR”, e cila synon realizimin e një centrali diellor me kapacitet të instaluar 60 MW në Njësinë Administrative Qendër Libohovë.

Kapaciteti i ri i instaluar do të arrijë në 135 MW, duke reflektuar interesin në rritje të sektorit privat për zhvillimin e energjisë diellore në Shqipëri, përmes investimeve që mbështeten kryesisht në mekanizmat e tregut.

Edhe pse energjia diellore vijon të zërë një peshë ende modeste në strukturën e përgjithshme të prodhimit të energjisë, kontributi i saj ka ardhur duke u rritur.

Të dhënat zyrtare për tremujorin e tretë të vitit tregojnë se rreth 29% e energjisë së prodhuar në vend, ose 311.397 MWh ka ardhur nga centralet diellore, ku pjesën më të madhe e ka dhënë ai i Karavastasë,  me mbi gjysmën e prodhimit kombëtar të energjisë diellore. /j.p/

The post Tre aplikime të reja për centrale diellore me kapacitet 135 MW në Fier, Sarandë dhe Libohovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hiqen barrierat për shërbimet turistike shqiptare në tregun rajonal

25 December 2025 at 13:23

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë shqiptarë do të mund të ofrojnë shërbimet e tyre më lehtë në vendet e rajonit, pa u përballur me procedura të përsëritura licencimi.

Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë”.

Sipas relacionit shoqërues, vendimi synon që rregullat për ushtrimin e aktivitetit turistik të mos kthehen në barriera për tregtinë e shërbimeve, duke garantuar trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim për operatorët nga vendet e CEFTA-s.

Një element i rëndësishëm i vendimit është mundësia që shërbimet turistike të ofrohen edhe përkohësisht në vendet e tjera të rajonit, pa qenë e nevojshme hapja e një zyre apo marrja e një licence të re, çka pritet të rrisë konkurrencën dhe bashkëpunimin rajonal në turizëm.

Projektligji është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së CEFTA-s dhe zhvillimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, të modeluar sipas parimeve të Bashkimit Evropian. /j.p/

The post Hiqen barrierat për shërbimet turistike shqiptare në tregun rajonal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rreth 766 mijë pasagjerë në aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë nëntorit

25 December 2025 at 11:30

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Muaji nëntor shënoi një tjetër periudhë pozitive për aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke konfirmuar rolin e tij si porta kryesore ajrore e Shqipërisë dhe një nyje e rëndësishme lidhëse në rajon.

Gjatë këtij muaji, aeroporti përpunoi gjithsej 765 890 pasagjerë, ndërsa u realizuan 4 490 fluturime drejt 67 destinacioneve në 21 shtete. Rritja e fluksit lidhet drejtpërdrejt si me vijimin e kërkesës turistike edhe pas sezonit veror, ashtu si edhe me zgjerimin e rrjetit të lidhjeve ajrore.

Sipas të dhënave të TIA-s, destinacionet më të frekuentuara gjatë kësaj periudhe mbetën Milano, Londra, Roma, Bolonja dhe Pisa, duke reflektuar lidhjet e forta me tregjet kryesore europiane.

Kjo performancë e transportit ajror lidhet ngushtë me ecurinë pozitive të sektorit të turizmit, i cili ka shfaqur sezonalitet të theksuar në tremujorin e tretë të vitit 2025.

Për 11-mujorin e këtij viti, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë arritur në rreth 12 milionë, në rritje krahasuar me vitin 2024 dhe me vitet pararendëse. Të dhënat tregojnë një rritje progresive të qëndrueshme që nga viti 2021, tendencë që pritet të vijojë edhe në periudhat në vijim.

Një tjetër tregues domethënës për cilësinë e zhvillimit të turizmit janë netqëndrimet, të cilat janë rritur nga viti në vit. Për vitin 2025, një turist që viziton Shqipërinë qëndron mesatarisht 9 ditë, çka reflekton rritje të ofertës turistike dhe diversifikim të produkteve.

Në aspektin ekonomik, sektori i akomodimit dhe aktivitetet e lidhura me hotelet dhe restorantet kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ky sektor është rritur me 16% në terma nominalë dhe me 3,43% në terma realë gjatë 9-mujorit të 2025.

Ecuria pozitive e turizmit konfirmohet edhe nga të dhënat e bilancit të pagesave. Në nivel nëntëmujor, shërbimet kanë sjellë rreth 6,5 miliardë euro në ekonominë shqiptare, me një rritje prej 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimeve janë rritur po ashtu me 14%, duke gjeneruar 4,4 miliardë euro të ardhura.

Rritja ekonomike e vendit gjatë këtij viti është mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe veçanërisht nga turizmi dhe udhëtimet, ku Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të luajë një rol kyç në lidhjen e Shqipërisë me tregjet ndërkombëtare. /j.p/

The post Rreth 766 mijë pasagjerë në aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës gjatë nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌