Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Hansi Flick ka një “problem të bekuar” në sulm

8 January 2026 at 14:44


Hansi Flick ka një “problem të bekuar” në repartin ofensiv të Barcelonës, i krijuar nga paraqitjet e Roony Bardghjit.

Skuadra katalanase dha një sinjal force në gjysmëfinalen e Superkupës, duke mposhtur bindshëm Athletic Club me rezultatin 5-0.

Dominimi ishte total dhe rezultati pasqyroi qartë superioritetin e Barcelonës në çdo aspekt të lojës.

Nën drejtimin e Flick, Barcelona zhvilloi një pjesë të parë pothuajse perfekte, duke shënuar katër gola brenda 45 minutave të para.

Presioni i lartë, qarkullimi i shpejtë i topit dhe agresiviteti ofensiv treguan qartë identitetin e ekipit.

Ky sukses jo vetëm që siguroi finalen ndaj fituesit të derbit Atletico Madrid–Real Madrid, por edhe forcoi besimin te projekti i trajnerit gjerman.

Një nga pikat kryesore të ndeshjes ishte performanca e Roony Bardghjit.

I hedhur në formacion për shkak të pushimit të Lamine Yamal, sulmuesi suedez tregoi pjekuri, disiplinë taktike dhe inteligjencë në lojë.

Ai bëri zgjedhje të sakta, u përshtat mirë me lojën kolektive dhe konfirmoi se është gati për nivelin më të lartë të konkurrencës.

Tashmë sfida për Flick është menaxhimi i minutave në sulm.

Yamal mbetet një element kyç, por paraqitjet e Bardghjit e bëjnë të domosdoshëm një rishikim të rotacionit.

Barcelona jo vetëm që fitoi një gjysmëfinale, por edhe alternativa të reja.

Menaxhimi i drejtë i këtij talenti mund të jetë vendimtar për ta shndërruar ekipin në një forcë vërtet dominuese në vazhdim të sezonit. /Telegrafi/

Real Madridi tregon interes konkret për mbrojtësin qendror të Borussia Dortmund

8 January 2026 at 14:11


Real Madridi ka shtuar interesimin për mbrojtësin qendror të Borussia Dortmund, Nico Schlotterbeck, duke synuar transferimin e tij në verën e ardhshme, raporton BILD.

Situata e mbrojtësit gjerman ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve elitare evropiane.

Schlotterbeck ka refuzuar ofertën e përmirësuar të Dortmundit, duke preferuar të eksplorojë opsione të reja në fund të sezonit.

Sipas burimeve, Real Madridi po shfaqet si një nga kandidatët kryesorë për sigurimin e shërbimeve të tij.

Borussia Dortmund synon ta shesë lojtarin për një shumë mbi 50 milionë euro, ndonëse kontrata aktuale e Schlotterbeck skadon në qershor të vitit 2027.

“Los Blancos” janë në kërkim të përforcimeve në repartin defensiv, në prag të largimeve të mundshme të David Alaba dhe Antonio Rudiger në fund të sezonit.

Në këtë kontekst, profili i Schlotterbeck shihet si një zgjidhje afatgjatë për mbrojtjen madrilene.

Mësohet se vetë lojtari është i hapur për një transferim te ‘Santiago Bernabeu’, çka e bën Real Madridin një destinacion serioz për të ardhmen e tij. /Telegrafi/

Federico Chiesa tashmë ka një çmim

8 January 2026 at 11:40


Në tregun italian të transferimeve, emri më i përfolur në këto ditë është Federico Chiesa, i cili duket se nuk hyn në planet e trajnerit Arne Slot te Liverpooli.

Sipas mediave, ai është vlerësuar ndërmjet 12 dhe 15 milionë eurosh për të mundur të largohet gjatë këtij afati kalimtar dimëror nëse situata e kërkon.

Liverpooli kishte dukur se po rifitonte ritmin në javët e fundit, por dy barazime të reja ndaj Leeds United dhe Fulham kanë rikthyer dyshimet mbi performancën e skuadrës në Anfield.

Në konferencë për shtyp, Arne Slot shprehu indinjatën e tij ndaj kritikave që e cilësojnë ekipin e tij si “të mërzitshëm”, duke theksuar se gjatë karrierës së tij ka preferuar gjithmonë një futboll sulmues.

Megjithatë, për të menaxhuar valën e humbjeve të fundit, trajneri holandez ka zgjedhur të fusë një mesfushor të katërt, Florian Wirtz, për të marrë më shumë kontroll në mesfushë, në vend që të përdorte një sulmues krahu natyral si Chiesa, i cili duket se nuk hyn plotësisht në planet e tij këtë dimër.

Garë për rikthimin e Chiesas

Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, Milan dhe Napoli janë dy skuadrat me shanse.

Për Napolin, transferimi i Chiesas do të varej nga largimi i Noa Lang drejt Turqisë, ndërsa për Milanin, dëmtimi i fundit i Nkunku ka rritur nevojën për një zëvendësues.

Megjithatë, favoriti kryesor për të siguruar shërbimet e tij duket se është Juventusi.

Nga Torino kanë marrë sinjalin se për ta sjellë Chiesan ne Liverpool ne janar, duhet të paguajnë 12-15 milionë euro, dhe duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike të klubit, duket se do të përpiqen të negociojnë deri në çastin e fundit për një ulje çmimi që të përputhet me buxhetin aktual.

Federico Chiesa, 28 vjeç, luajti 14 ndeshje për Liverpoolin sezonin e kaluar në të gjitha kompeticionet, ku shënoi 2 gola dhe regjistroi 1 asistim. /Telegrafi/

Klubet e Ligës Premier në garë për nënshkrimin e yllit të Real Madridit

8 January 2026 at 08:37


Interesimi i klubeve të Ligës Premier për Andriy Lunin ka vënë në alarm Real Madridin gjatë afatit kalimtar dimëror të vitit 2026.

Portieri ukrainas dëshiron të largohet nga ‘Santiago Bernabeu’ për të pasur më shumë minuta dhe një rol titullari, diçka që nuk e ka arritur për shkak të konkurrencës së fortë me Thibaut Courtois.

Tottenham, Nottingham Forest dhe Brighton janë shfaqur si kandidatët kryesorë për shërbimet e tij.

Pas një karriere të ndërtuar kryesisht në hije dhe disa huazimeve, Lunin duket se ka arritur një pikë kthese.

Real Madridi vlerëson profesionalizmin e tij dhe nuk e përjashton një largim që në janar, nëse ofertat përmbushin pritshmëritë financiare.

Me kontratë deri në vitin 2030, negociatat nuk pritet të jenë të lehta, por kërkesa nga Anglia po shtohet ndjeshëm.

Tottenham e sheh Lunin si një alternativë afatgjatë dhe konkurruese për Guglielmo Vicario, ndërsa Nottingham Forest kërkon stabilitet dhe përvojë ndërkombëtare për të forcuar projektin e tij në elitë.

Brighton, nga ana tjetër, synon të vazhdojë politikën e transferimeve inteligjente duke afruar një portier me potencial të lartë dhe aftësi të mira me këmbë.

Real Madridi e ka vendosur çmimin rreth 25 milionë euro, më lart se vlerësimet aktuale të tregut.

Për Lunin, një transferim në Angli do të ishte sfida ideale për të provuar veten si titullar në një klub me ambicie evropiane.

Ai ka treguar refleks, personalitet dhe qetësi në momentet kur i është besuar porta madrilene.

Tani mbetet të shihet se cili prej klubeve angleze do të jetë gati të plotësojë kërkesat financiare. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Tronditje te Real Madridi, Vinicius “ngrin” kontratën për shkak të Xabi Alonsos

6 January 2026 at 15:33


Florentino Perez është në alert: Vinicius Junior ka vendosur të pezullojë rinovimin e kontratës për shkak të dyshimeve rreth së ardhmes së Xabi Alonsos në stolin e Real Madridit.

Sulmuesi brazilian po e kushtëzon të ardhmen e tij me projektin sportiv dhe, veçanërisht, me vazhdimësinë e trajnerit në 'Santiago Bernabeu'.

Vinicius është rikthyer në qendër të debatit te Real Madridi pas fishkëllimave të tifozëve në ndeshjen ndaj Real Betis, si dhe zërave për një ofertë të mundshme prej rreth 160 milionë eurosh nga Chelsea.

Edhe pse ka kontratë deri në qershor 2027, vera e ardhshme shihet si moment kyç, nëse nuk ka rinovim klubi e konsideron atë si mundësinë e fundit reale për të arkëtuar një shumë të madhe nga shitja e tij.

Nga rrethi i lojtarit përcillet qetësi, por edhe vendosmëri.

Vinicius nuk dëshiron të nënshkruajë një zgjatje kontrate në këtë moment dhe preferon të presë zhvillime që i konsideron vendimtare për të ardhmen e tij afatshkurtër.

Nëse skuadra nuk jep përgjigjen e pritur dhe e ardhmja e trajnerit vihet në pikëpyetje, skenari mund të ndryshojë rrënjësisht.

Në këtë kontekst, Vinicius beson se marrja e një vendimi tani do të ishte e nxituar.

Në zyrat e Valdebebas mesazhi është i qartë: Real Madridi nuk dëshiron të përjetojë një tjetër largim pa përfitim ekonomik, siç ndodhi me Kylian Mbappe te PSG.

Sa më shumë të zgjasë bllokimi i rinovimit, aq më i madh bëhet presioni rreth brazilianit.

Me rreth 18 muaj kontratë të mbetur, hapësira e manovrimit po ngushtohet ndjeshëm dhe klubi e sheh si gabim strategjik humbjen e Vinicius pa kompensim financiar.

Florentino Perez po e ndjek çështjen me vëmendje maksimale.

Ai e ka mbrojtur publikisht lojtarin edhe në momentet më të vështira, por është i vetëdijshëm se planifikimi në nivel të lartë nuk lejon vendime emocionale.

Nëse Vinicius nuk lëviz, klubi është i gatshëm të veprojë për të.

Plani i Real Madridit është të presë sqarimin e situatës në stol dhe më pas të ulet në tryezë me të gjitha opsionet e hapura: rinovim ose shitje, pa zgjidhje të ndërmjetme. /Telegrafi/

Milani gati të blindojë me kontratë yllin e skuadrës

6 January 2026 at 14:25


I vetëdijshëm për interesimin e madh që Rafael Leao po ngjall te disa prej klubeve më të mëdha të futbollit evropian, AC Milan ka vendosur të veprojë.

Drejtuesit kuqezi kanë nisur lëvizjet konkrete me objektivin e qartë për të rinovuar kontratën e yllit portugez, i cili është shndërruar në një nga figurat kryesore të skuadrës.

Leao iu bashkua Milanit në vitin 2019 për shumën e 50 milionë eurove dhe, që prej asaj kohe, është konsoliduar si një prej liderëve të ekipit.

Në një sezon ku Milani konsiderohet ndër favoritët për titullin në Serie A, 26-vjeçari po dhuron paraqitje të rëndësishme, pavarësisht problemeve fizike që e kanë mbajtur larg fushës në disa ndeshje.

Deri më tani, ai ka regjistruar 7 gola dhe 1 asistim në 13 paraqitje.

Forma e tij e mirë dhe potenciali i madh e kanë bërë Leaon një emër të përhershëm në zërat e afatit kalimtar.

Disa gjigantë evropianë po monitorojnë nga afër situatën e tij, me Bayern Munich që përmendet shpesh si një nga klubet më të interesuara, edhe pse nuk është i vetmi.

Megjithatë, pozicioni i Milanit është i qartë: klubi dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me sulmuesin portugez.

Sipas gazetarit Daniele Longo të CalcioMercato, drejtuesit e klubit kanë nisur bisedimet për të zgjatur kontratën aktuale deri më 30 qershor 2028.

Në ditët dhe javët në vijim pritet zhvillime të rëndësishme rreth së ardhmes së Rafael Leao, një dosje që premton të jetë ndër më të nxehtat e afatit kalimtar. /Telegrafi/

Barcelona po shqyrton mundësinë e transferimit të lirë për mesfushorin e Bayernit

6 January 2026 at 12:36


Mesfushori i Bayern Munich, Leon Goretzka, duket se mund të largohet nga klubi gjatë verës, edhe pse bisedimet për një kontratë të re vazhdojnë në Bavari.

Goretzka ka tërhequr interes nga Liga Premier, Napoli, Atletico Madrid dhe më së fundi Barcelona gjatë disa muajve të fundit.

I lirë për të nënshkruar një para-kontratë si lojtar i lirë, Goretzka ndjen se ka mbetur në hije nga hierarkia e Bayern, veçanërisht pas tentativës së klubit për ta shitur verën e kaluar, Napoli thuhet se ka bërë tashmë një ofertë për të.

Interesi i Barcelonës varet nga lëvizjet e tjera

Sipas raportimeve të Sport, Barcelona është e interesuar seriozisht për nënshkrimin e Goretzkas këtë verë.

30-vjeçari duket se do të preferonte një kalim te katalanasit, por prioritetet e klubit për verën janë nënshkrimi i një sulmuesi krahu, një sulmuesi qendre dhe një mbrojtësi qendre.

Nëse ndonjë mesfushor largohet, atëherë Barcelona mund të konsiderojë seriozisht ofertën për Goretzka.

Klubi katalanas është i hapur të pranojë një ofertë të madhe për lojtarët që dëshirojnë të largohen, ndërkohë që Marc Casado shihet si kandidati më i mundshëm për t’u larguar këtë verë.

Goretzka i shpreh interesin Barcelonës

Sipas raportimeve të javës së kaluar, Goretzka ka bërë të ditur interesin e tij për t’iu bashkuar Barcelonës.

Ai ka ruajtur një marrëdhënie të mirë me trajnerin e Barcelonës, Hansi Flick, nga koha e tyre te Bayern dhe i ka komunikuar atij gatishmërinë për një bashkim të mundshëm.

Flick ishte i interesuar për të nënshkruar me Goretzkën që në janar dhe e sheh si një garanci për performancë dhe përvojë, duke sjellë gjithashtu një stil të ndryshëm mesfushor.

Çështja kryesore mund të jetë koha, nëse Barcelona do të përqendrohet fillimisht te tre pozicionet e tjera dhe dëshiron të shesë një mesfushor para se të nënshkruajë me Goretzkën, atëherë oferta e tyre mund të vijë më vonë gjatë afatit kalimtar.

Kjo do të thotë që Goretzka mund të duhet të presë, duke rrezikuar mundësi të tjera. /Telegrafi/

PSG kërcënohet me largimin e dy lojtarëve nëse nuk ndërmerr veprime

6 January 2026 at 12:14


Klubi i Paris Saint-Germain mund të përballet me largimin e dy prej lojtarëve të tij kryesorë, Senny Mayulu dhe Fabian Ruiz, në verën e vitit 2026 nëse nuk arrin të finalizojë rinovimin e kontratave të tyre.

Kjo sipas informacionit të publikuar nga gazeta franceze Ici Paris Ile-de-France.

Të dy lojtarët janë të rëndësishëm për projektin sportiv të klubit, por kontratat e tyre aktuale skadojnë në qershor 2027, duke vendosur presion mbi drejtuesit e PSG-së.

Senny Mayulu

Në rast se rinovimet nuk realizohen, klubi do të humbasë mundësinë për t’i mbajtur lojtarët deri në fund të kontratave, duke rrezikuar largimin e tyre për çmim më të ulët ose me parametra zero në sezonin pasardhës.

PSG ka bërë tashmë një ofertë për rinovimin e kontratës së Senny Mayulu, por palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje, ndërsa negociatat për Fabian Ruiz duket se kërkojnë përpjekje shtesë nga klubi parisien.

Fabian Ruiz

Situata ka ngritur shqetësime te tifozët, të cilët shpresojnë që klubi të mos humbasë dy lojtarë kyç që mund të kenë rol vendimtar në garat evropiane.

Analistët vënë në dukje se klubi duhet të veprojë shpejt për të siguruar rinovimin e kontratave, përndryshe PSG mund të përballet me një afat kalimtar të vështirë, duke humbur stabilitetin në mesfushë dhe mbrojtje. /Telegrafi/

PSG e hapur për të shitur mbrojtësin brazilian

6 January 2026 at 10:50


Sipas raportimeve të fundit, Paris Saint-Germain është i hapur të dëgjojë oferta për mbrojtësin brazilian Lucas Beraldo gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa Fenerbahçe po ndjek nga afër situatën e tij.

Gjigantët turq synojnë të aplikojnë një formulë të ngjashme me atë të transferimit të ish-mbrojtësit të PSG-së, Milan Skriniar, duke propozuar fillimisht një huazim me opsion blerjeje në verën e ardhshme.

Pavarësisht potencialit të tij të madh dhe pritshmërive të larta që shoqëruan ardhjen e tij, Beraldo nuk ka arritur ende të bindë trajnerin Luis Enrique për të fituar një rol të rëndësishëm në formacionin bazë.

Aktivizimet e kufizuara dhe konkurrenca e fortë në repartin e mbrojtjes kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e tij këtë sezon.

Aktualisht, në hierarkinë e mbrojtjes së PSG-së, Beraldo gjendet pas emrave si Illia Zabarnyi, Marquinhos dhe Willian Pacho, çka e bën perspektivën e tij në klubin parisien gjithnjë e më të paqartë.

Në këto rrethana, një largim i mundshëm në janar shihet si një opsion realist, si për lojtarin ashtu edhe për klubin.

Fenerbahçe, nga ana e saj, kërkon të përforcojë mbrojtjen për pjesën e dytë të sezonit dhe e sheh Beraldon si një profil të përshtatshëm për projektin e saj sportiv.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit brazilian, ndërsa mbetet për t’u parë nëse bisedimet mes palëve do të konkretizohen. /Telegrafi/

Ish-ndihmës trajneri i Real Madridit përjashton mundësinë për të zëvendësuar Alonson

6 January 2026 at 10:26


Ish-ndihmës trajneri i Real Madridit, Davide Ancelotti, ka përjashtuar veten nga lista e kandidatëve për të zëvendësuar Xabi Alonson, në rast se klubi vendos të shkarkojë trajnerin bask.

Alonso po përballet me një javë vendimtare që mund të përcaktojë drejtimin e projektit të tij, me një gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit të enjten, si dhe një finale të mundshme ndaj Athletic Club ose Barcelonës.

Sipas burimeve pranë klubit, e ardhmja e Alonsos mund të varet nga paraqitjet dhe rezultatet në këto ndeshje të nivelit të lartë, pavarësisht faktit se Real Madridi mund të duhet t’i përballojë ato pa Kylian Mbappen.

Drejtuesit e klubit kërkojnë që seria aktuale prej katër fitoresh të shoqërohet me performanca bindëse ndaj rivalëve të fortë.

Davide Ancelotti drejt përfshirjes në stafin e Brazilit

Djali i Carlo Ancelottit, trajnerit të sezonit të kaluar të Real Madridit, u pa në stadiumin Santiago Bernabeu gjatë fitores 5-1 ndaj Real Betisit.

Në një intervistë për Marca, Davide Ancelotti sqaroi se ndodhej aty thjesht si tifoz.

“Jam me pushime dhe kam ardhur për të mbështetur Real Madridin. Hajmalia me fat është këtu dhe duhet të fitoni”, tha ai me humor.

“Do t’i jap një dorë babait tim”, shtoi Ancelotti, duke iu referuar planeve të tij të ardhshme, pasi u largua nga posti i parë si trajner kryesor te Botafogo në Brazil pas gjashtë muajsh.

Ancelotti mohon çdo lidhje me zëvendësimin e Alonsos

Davide Ancelotti ka qenë shumë i vlerësuar gjatë kohës së tij në Valdebebas dhe, pavarësisht përfundimit jo ideal të qëndrimit të tij, ai konsiderohej një nga figurat kyçe në punën e përditshme stërvitore.

Atij i janë atribuar gjithashtu disa risi taktike gjatë mandatit të dytë të Carlo Ancelottit në klub.

Megjithatë, ai shprehu respekt maksimal për trajnerin aktual të Real Madridit.

“Xabi është një trajner fantastik dhe një njeri i mrekullueshëm. Kemi ndarë momente shumë të bukura së bashku dhe i uroj atij dhe Real Madridit gjithë të mirat”.

Megjithëse ishte përfolur si një opsion i mundshëm, qoftë edhe i përkohshëm, në rast të largimit të Alonsos, Davide Ancelotti e mohoi qartë këtë mundësi.

“Asgjë e tillë. Jam në një fazë tjetër të karrierës sime profesionale. Jam thjesht tifoz i Real Madridit dhe mik i Xabi Alonsos”, u shpreh ai.

Nëse Real Madridi vendos të ndërpresë bashkëpunimin me Alonson gjatë sezonit, Santiago Solari, drejtor sportiv i klubit, dhe trajneri i Castillas, Alvaro Arbeloa, konsiderohen si alternativat më të mundshme për stolin madrilen. /Telegrafi/

Milani po bën përpjekje për të siguruar një lojtar të ri nga Man City

6 January 2026 at 08:48


AC Milani ka aktivizuar planet e tij për afatin kalimtar të dimrit dhe ka vendosur Nathan Ake si një nga objektivat kryesorë për të forcuar repartin defensiv.

Klubi italian beson se situata aktuale sportive dhe kontraktuale e mbrojtësit hap një mundësi reale për të realizuar një transferim me ndikim të menjëhershëm, të menduar për të konkurruar që nga dita e parë.

Në planifikimin e Milanit ekziston një parim i qartë: afati kalimtar i janarit nuk është për eksperimente afatgjata.

Për Milanin, përforcimi i mbrojtjes është një prioritet strategjik.

Në këtë kontekst, Nathan Ake shihet si një opsion “plug-and-play”, shumë i vlerësuar në afatin kalimtar të dimrit, sipas asaj që raporton Corriere dello Sport.

Te Manchester City, Nathan Ake mbetet një futbollist i respektuar, por roli i tij nuk ka qenë gjithmonë konstant për shkak të konkurrencës së madhe brenda skuadrës.

Mbrojtësi është i vetëdijshëm se i nevojiten minuta cilësore dhe vazhdimësi konkurruese në funksion të Kupës së ardhshme të Botës.

Kjo nevojë personale e bën Milanin një destinacion tërheqës dhe realist për një transferim në janar.

Nga pikëpamja taktike, Milani vlerëson shumë polivalencën e Nathan Ake.

Ai mund të luajë si qendërmbrojtës i majtë ose si mbrojtës krahu, duke u përshtatur me skema të ndryshme pa humbur besueshmërinë, një element thelbësor për një skuadër që ndryshon sistem sipas kundërshtarit.

Milani nuk e sheh këtë lëvizje si një zgjidhje të përkohshme, por si një përforcim që rrit nivelin e përgjithshëm të skuadrës.

Nëse kushtet sportive dhe kontraktuale e lejojnë, drejtuesit kuqezi besojnë se mund të mbyllin një operacion që forcon mbrojtjen dhe konsolidon ambiciet konkurruese të skuadrës, duke e konsideruar këtë lëvizje si një nga më të rëndësishmet e afatit kalimtar të janarit. /Telegrafi/

Juventusi zyrtarisht kontakton Liverpoolin për një përforcim sulmi

5 January 2026 at 15:42


Juventusi ka kontaktuar zyrtarisht për një rikthim të mundshëm të Federico Chiesas gjatë afatit kalimtar së janarit, sipas raportimeve të fundit.

Gjigantët e Serie A janë të vendosur të përforcojnë repartin ofensiv këtë muaj dhe e shohin Chiesan si një përforcim me vlerë të madhe për skuadrën e tyre, veçanërisht në krahët e sulmit.

Megjithatë, çdo lëvizje e mundshme do të varet nga gatishmëria e Liverpoolit për të negociuar, si dhe nga vetë vendimi i lojtarit.

Burime pranë situatës bëjnë të ditur se bisedimet ndodhen ende në një fazë fillestare dhe aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje konkrete.

Pavarësisht kësaj, Juventusi vazhdon ta mbajë në vëmendje sulmuesin italian, teksa kërkon të forcojë opsionet e tij në krahët e ofensivës. /Telegrafi/

Harry Kane vendos për të ardhmen dhe i jep fund çdo spekulimi

5 January 2026 at 14:49


Pas muajsh të tërë spekulimesh, e ardhmja e Harry Kane duket se do të mbetet e lidhur ngushtë me Bayern Munich.

Sulmuesi anglez, kontrata aktuale e të cilit skadon në qershor të vitit 2027, ka lënë të kuptohet qartë se është i gatshëm ta zgjasë qëndrimin e tij në ‘Allianz Arena’.

Në javët e fundit janë përfolur skenarë të ndryshëm, që nga një rikthim i mundshëm te Tottenham deri te një transferim hipotetik te Barcelona.

Megjithatë, realiteti është ndryshe: Kane nuk ka ndërmend të largohet nga kampionët e Gjermanisë.

I pyetur nga e përditshmja gjermane Bild, kapiteni i kombëtares angleze theksoi se ndihet shumë i lumtur në Munich dhe se rinovimi i kontratës është vetëm çështje kohe.

Vendim i qartë

“Është e qartë që tani do të flitet shumë për kontratën time. Po e shijoj jashtëzakonisht shumë kohën këtu. Nuk e imagjinoj veten në ndonjë vend tjetër për momentin. Ditë si kjo, kur shoh mbështetjen e tifozëve, ma përforcojnë edhe më shumë këtë ndjenjë”.

“Është plotësisht e mundur që të rinovoj. Duhet të flasim për këtë dhe do të realizohet. Përqendrimi im është te ky sezon, por nuk ka asnjë vend tjetër ku do të preferoja të isha tani”, u shpreh Kane.

I transferuar te Bayern Munich në verën e vitit 2023 për shifrën e konsiderueshme prej 95 milionë eurosh, Kane është përshtatur në mënyrë perfekte me skuadrën bavareze.

Deri më tani, ai ka regjistruar 115 gola dhe 29 asistime në 121 ndeshje zyrtare.

Për më tepër, në Gjermani ai ka thyer edhe “mallkimin” e mungesës së trofeve, duke fituar tashmë një titull të Bundesligës dhe një Superkupë të Gjermanisë, duke forcuar edhe më shumë statusin e tij si një nga sulmuesit më të mirë në botë. /Telegrafi/

Man Utd po shqyrton Oliver Glasner për të zëvendësuar Ruben Amorim

5 January 2026 at 14:29


Manchester United e ka përfshirë trajnerin e Crystal Palace, Oliver Glasner, në listën e ngushtë të kandidatëve, teksa klubi ka nisur kërkimin për një trajner të ri pas shkarkimit të Ruben Amorim.

Drejtuesit e klubit thuhet se vlerësojnë lart punën e austriakut në Selhurst Park, veçanërisht qartësinë e tij taktike dhe aftësitë në menaxhimin e grupit, ndërsa kanë parasysh edhe faktin se kontrata e tij skadon në verë.

Preferenca e Glasner për një skemë me tre mbrojtës nuk shihet si pengesë, pasi United është i prirur të bashkëpunojë me trajnerë dhe lojtarë fleksibil e të adaptueshëm.

Edhe pse ende nuk është bërë një qasje formale, diskutimet e brendshme për pasuesin e ardhshëm po intensifikohen. /Telegrafi/

Juventusi është shumë pranë mbylljes së transferimit me ish-yllin e Serie A

5 January 2026 at 14:05


Juventusi është shumë pranë mbylljes së një goditjeje të madhe në afatin kalimtar me Theo Hernandez.

Mbrojtësi i majtë francez, i cili iu bashkua Al Hilalit vetëm disa muaj më parë, është i vendosur të rikthehet në futbollin evropian.

Pavarësisht paraqitjeve të mira dhe aktivizimit të rregullt, lojtari nuk ndihet plotësisht i përmbushur larg elitës kontinentale.

Dëshira e tij ka shtyrë lëvizje konkrete në afatin kalimtar të janarit.

Theo Hernandez nuk e ka fshehur pakënaqësinë e tij për mungesën e ritmit dhe presionit që ofron futbolli evropian.

Edhe pse ka ruajtur nivel të mirë nën drejtimin e Simone Inzaghit, ai kërkon sërish ndeshje të nivelit më të lartë.

Nga rrethi i tij bëhet e ditur se synimi kryesor është rikthimi në një ligë të madhe.

Në këtë kontekst, Juventusi është shfaqur si klubi më i avancuar në negociata.

Në Torino, francezi shihet si një mundësi e artë për të përforcuar menjëherë skuadrën.

Përvoja e tij në Serie A dhe aftësia për të bërë diferencën që në ndeshjet e para janë faktorë vendimtarë.

Një element që e bën këtë transferim edhe më të bujshëm është e kaluara e tij te AC Milan.

Kalimi te një rival historik si Juventusi pritet të shkaktojë reagime të forta mes tifozëve kuqezi.

Juventusi ka përshpejtuar kontaktet për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen.

Klubi dëshiron të përfitojë nga afati kalimtar i dimrit për të paraprirë konkurrencën nga gjigantë të tjerë evropianë.

Al Hilal nuk përjashton një largim, nëse arrihet një marrëveshje e favorshme.

Nëse transferimi realizohet, rikthimi i Theo Hernandez në Serie A do të ishte një nga goditjet më të mëdha të janarit. /Telegrafi/

Ronaldo mund të luajë një ndeshje lamtumire në 'Santiago Bernabeu'

5 January 2026 at 13:45


Sulmuesi i Al-Nassr, Cristiano Ronaldo, mund të zhvillojë një ndeshje lamtumire në stadiumin “Santiago Bernabeu” pas përfundimit të karrierës së tij, raporton Defensa Central.

Sipas burimit, ende nuk ka një vendim përfundimtar, por janë duke u diskutuar disa detaje për të organizuar një ceremoni të denjë për një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e Real Madridit.

Një nga opsionet e shqyrtuara është organizimi i një ndeshjeje miqësore në nder të Ronaldos në Chamartin, ku Real Madridi dhe Al-Nassr do të përballeshin mes tyre.

Në këtë skenar, portugezi do të luante nga një pjesë për secilën skuadër, në një format të ngjashëm me ndeshjen e lamtumirës së Raul Gonzalez.

Gjithashtu, po merret në konsideratë edhe një alternativë tjetër: përfshirja e Sporting Lisbonës.

Në këtë rast, Cristiano Ronaldo do të kishte mundësinë të luante për të dy klubet, atë ku nisi karrierën e tij profesionale dhe klubin ku shkroi një pjesë të madhe të historisë së tij futbollistike.

Në sezonin aktual, 40-vjeçari portugez ka zhvilluar 14 ndeshje, ka shënuar 13 gola dhe ka regjistruar dy asistime. /Telegrafi/

Real Madridi ka tri arsye pse nuk nënshkruan me asnjë lojtarë në janar

5 January 2026 at 11:25


Drejtuesit e Real Madridit nuk kanë ndërmend të përforcojnë skuadrën gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Pavarësisht se ekipi ndodhet katër pikë larg Barcelonës në renditjen e La Ligës dhe ka shfaqur një formë të paqëndrueshme si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, klubi madrilen nuk planifikon afrime të reja në muajin janar.

Sipas gazetarit Mario Cortegana, vendimi bazohet në tre arsye kryesore.

Së pari, drejtuesit besojnë se skuadra aktuale ka cilësinë dhe potencialin e nevojshëm për të konkurruar për të gjithë trofetë.

Si shembull përmendet reparti i mesfushës, ku pavarësisht zërave për nevojën e një mesfushori kreativ, klubi vlerëson se alternativa si Aurelien Tchouameni, Eduardo Camavinga, Fede Valverde dhe Dani Ceballos janë mëse të mjaftueshme.

Së dyti, në ‘Santiago Bernabeu’ mendojnë se gjatë afatit kalimtar së dimrit, lojtarët realisht të arritshëm janë zakonisht ata që nuk po kalojnë momentin më të mirë sportiv.

Për futbollistë të nivelit të lartë, çmimet në janar do të ishin shumë të larta, ndërkohë që në fund të sezonit ata mund të bëhen më të përballueshëm në aspektin financiar.

Së fundmi, drejtuesit e klubit nuk duan të nxitojnë me vlerësimin e projektit aktual.

Ata besojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime për performancën e ekipit dhe se analiza e vërtetë do të bëhet në fund të sezonit, për të parë nëse investimet e rëndësishme të bëra gjatë verës kanë dhënë rezultatet e pritshme. /Telegrafi/

Një gjigant i Ligës Premier ofron 50 milionë për Brahim Diaz

5 January 2026 at 08:24


Real Madridi po përballet me një vendim të rëndësishëm në këtë afat kalimtar pas ofertës zyrtare prej 50 milionë eurosh që ka mbërritur nga Arsenali për Brahim Diaz.

Klubi londinez e sheh sulmuesin maroken si një pjesë kyçe për projektin e tij afatshkurtër, duke shfrytëzuar faktin që konkurrenca e fortë në repartin ofensiv të madrilenëve ka kufizuar minutat e tij.

Brahim Diaz, 26 vjeç, ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2027 dhe vlerësohet lart në Valdebebas për fleksibilitetin, cilësinë teknike dhe aftësinë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjeve.

Megjithatë, shuma e ofruar konsiderohet shumë e lartë për një lojtar që nuk është titullar i padiskutueshëm, duke hapur debat mes mbajtjes së talentit dhe përfitimit financiar.

Interesi i Arsenalit është forcuar edhe më shumë pas paraqitjeve të shkëlqyera të Brahim Diaz me Marokun në Kupën e Afrikës, ku ai ka treguar lidership dhe formën më të mirë të karrierës së tij.

Këto paraqitje kanë rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg dhe kanë bindur klubin anglez të justifikojë një investim kaq të madh.

Mikel Arteta është një nga nxitësit kryesorë të operacionit, duke e konsideruar Brahim Diaz si lojtar ideal për të sjellë kreativitet dhe lëvizshmëri në fazën sulmuese.

Arsenali i ofron një rol protagonist dhe vazhdimësi, elementë që aktualisht janë të vështirë për t’u garantuar në Real Madrid për shkak të konkurrencës së brendshme.

Real Madridi po e analizon ofertën me qetësi, duke peshuar ndikimin sportiv dhe përfitimin ekonomik.

Pranimi i 50 milionë eurove do të lejonte përforcime në pozicione të tjera, por largimi i një lojtari në kulmin e pjekurisë sportive mbetet një dilemë.

Për momentin, e ardhmja e Diaz mbetet e hapur dhe vendimi përfundimtar pritet të merret në Valdebebas. /Telegrafi/

15 konflikte mes lojtarëve dhe klubeve të tyre që ndodhën në vitin 2025

1 January 2026 at 23:31


Një nga përshtypjet më të forta që la futbolli në vitin 2025 ishte numri i jashtëzakonshëm i konflikteve.

Dhe jo konflikte mes rivalësh, ato janë pjesë e zakonshme e çdo sezoni, por përplasje të hapura brenda vetë skuadrave, mes futbollistëve dhe shokëve të ekipit, trajnerëve apo drejtuesve të klubeve.

Shpresa është që këto histori të mbeten në 2025 dhe që viti 2026 të sjellë tema më të këndshme për debat.

Por, përpara se t’i lëmë pas, ja një përmbledhje e konflikteve më të bujshme të vitit.

Mohamed Salah vs Liverpool

Pa dyshim, skandali i brendshëm më i zhurmshëm i vitit. Pas një barazimi me Leeds, Mohamed Salah shpërtheu publikisht, duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj klubit dhe trajnerit Arne Slot. Egjiptiani u ankua për mungesë besimi, premtime të pambajtura dhe përjashtim nga formacioni.

Reagimi i Slotit ishte i ftohtë, por i prerë, Salah u la jashtë për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Interit. Megjithatë, rikthimi i tij në fushë u shoqërua me një asistim kundër Brightonit.

Duartrokitjet e Salahut për tifozët në “Anfield” pas ndeshjes lanë shumë pikëpyetje. Lamtumirë apo thjesht një pauzë para Kupës së Afrikës? Vijimi i historisë pritet në janar.

Alexander Isak vs Newcastle

Një tjetër sagë ku Liverpooli ishte protagonist indirekt. Alexander Isak e bëri të qartë dëshirën për t’u transferuar në “Anfield”, duke refuzuar të luante për Newcastle dhe duke akuzuar klubin për thyerje marrëveshjesh.

Pas një vere të gjatë dhe tensionuese, marrëveshja u mbyll: Liverpooli pagoi 145 milionë euro, ndërsa Newcastle investoi paratë për dy sulmues të rinj. Të gjitha palët fituan, të paktën në letër.

Marc-Andre ter Stegen vs Barcelona

Kush do ta mendonte që kapiteni i Barcelonës do të përplasej me drejtuesit? Pas një operacioni në shpinë, ter Stegen deklaroi se do të mungonte tre muaj, një periudhë që nuk i lejonte klubit të lironte hapësirë për regjistrime të reja.

Situata përshkallëzoi: kapiteni u ndëshkua brenda klubit, refuzoi vizita mjekësore dhe u përfol për largim. Edhe pse u rikthye gradualisht, Flick e bëri të qartë se Joan Garcia ishte portieri numër një. E ardhmja e gjermanit në “Camp Nou” mbetet e pasigurt.

Robert Lewandowski vs përzgjedhësi i Polonisë

Një konflikt që tronditi futbollin polak. Robert Lewandowski pezulloi karrierën në kombëtare pasi iu hoq shiriti i kapitenit nga trajneri Michal Probierz.

Vendimi u mirëprit nga një pjesë e dhomës së zhveshjes, por Polonia pa pasoja të menjëhershme: humbje ndaj Finlandës dhe dorëheqje e tij. Lewandowski u rikthye më vonë dhe tregoi edhe një herë rëndësinë e tij.

Alejandro Garnacho vs Ruben Amorim (Manchester United)

Pas finales së humbur të Ligës së Evropës, Garnacho reagoi hapur ndaj vendimit të trajnerit për ta lënë në stol. Postime provokuese dhe deklarata publike vulosën fatin e tij. Amorim ishte i prerë: argjentinasi nuk ishte më pjesë e planeve.

Pas një vere të vështirë, Garnacho u transferua te Chelsea. Ai atje po luan rregullisht.

Viktor Gyokeres vs Sporting Lisbona

Një tjetër rast presioni për transferim. Sulmuesi suedez pretendoi një “marrëveshje xhentëlmenësh” për largim, por Sporting kërkonte më shumë se sa Arsenali ishte gati të paguante.

Pas tensioneve dhe bojkotit, marrëveshja u arrit. Gyokeres u transferua në Londër, edhe pse forma e tij mbetet larg asaj që tregoi në Portugali.

Yoane Wissa vs Brentford

Një tjetër bojkot veror. Wissa refuzoi të luante për Brentford për të detyruar transferimin te Newcastle.

Pas ofertave të refuzuara dhe presionit publik, marrëveshja u mbyll për 55 milionë euro vetëm pak para mbylljes së afatit kalimtar.

Adrien Rabiot vs Jonathan Rowe (Marseille)

Pas humbjes ndaj Rennes, një debat në dhomën e zhveshjes u shndërrua në përplasje fizike. Rabiot dhe Rowe u përfshinë në një sherr serioz, aq sa stafi i sigurisë ndërhyri.

Të dy lojtarët u larguan nga klubi deri në fund të afatit kalimtar, duke mbyllur një episod të turpshëm për Marseille. Rabiot shkoi te Milani, Eowe te Bologna.

Dominik Livakovic vs Girona

Një nga transferimet më të çuditshme të vitit. Portieri kroat u huazua te Girona, por refuzoi të luante në Kupë e Mbretit, sepse dëshironte të largohej në janar për të siguruar minuta para Kampionatit Botërorit 2026.

Trajneri Michel e konfirmoi publikisht refuzimin e lojtarit për të aktivizuar veten.

Dani Rodriguez vs Mallorca

Një legjendë e klubit u përjashtua pas një postimi kritik ndaj trajnerit Jagoba Arrasate. Rodriguez u ndëshkua, iu hoq shiriti i kapitenit dhe nuk u përfshi më në skuadër.

Mallorca dhe lojtari u ndanë në janar, në një mënyrë të hidhur për një figurë historike të klubit.

Davide Calabria vs Sergio Conceiçao (AC Milan)

Një përplasje e hapur pas ndeshjes me Parmën. Conceiçao i bërtiti Calabrias në fushë, pas pakënaqësive për disiplinën e lojtarëve.

Calabria u largua nga Milani, fitoi Kupën e Italisë me Bolognan dhe më pas u transferua te Panathinaikos.

Idrissa Gueye vs Michael Keane (Everton)

Një moment shokues: Gueye goditi shokun e skuadrës gjatë ndeshjes dhe u përjashtua me karton të kuq, një rast i rrallë në Ligën Premier.

Mesfushori kërkoi falje publike dhe konflikti u mbyll shpejt. Pas dy ditësh publikuan foto së bashku.

Hakan Çalhanoglu vs Lautaro Martinez (Inter)

Deklaratat e Lautaros pas eliminimit nga Botërori i Klubeve ndezën tensione. Çalhanoglu reagoi publikisht, duke kritikuar stilin e udhëheqjes.

Një mbledhje emergjente e skuadrës i shoi tensionet dhe të dy mbetën pjesë kyçe e Interit.

Luis Perez vs Juanmi Latasa (Valladolid)

Gjatë një sezoni katastrofik, një incident në stol tronditi publikun: Perez tentoi të godiste Latasan pas një zënke.

Klubi i ndëshkoi të dy dhe më pas rrugët e tyre u ndanë.

Lorenzo Lucca vs shokët e ekipit (Udinese)

Një episod sa komik aq edhe simbolik. Lucca refuzoi t’ua dorëzonte penalltinë shokëve, shënoi, por u zëvendësua menjëherë.

Asnjë nga protagonistët nuk është më te Udinese.

Përmbledhja

Në përmbledhje, viti 2025 u shënua nga një numër i jashtëzakonshëm konfliktesh të brendshme në futboll, duke nxjerrë në pah brishtësinë e ekuilibrave brenda klubeve moderne.

Përplasjet mes lojtarëve, trajnerëve dhe drejtuesve shpesh morën përmasa publike dhe dolën mbi interesin sportiv të skuadrave.

Mungesa e komunikimit, menaxhimi i dobët i situatave delikate dhe presioni i vazhdueshëm i rezultateve përshkallëzuan tensionet.

Në shumë raste, këto kriza u mbyllën me transferime të detyruara ose ndarje të hidhura, duke lënë pasoja të dukshme.

Efektet u reflektuan drejtpërdrejt në stabilitetin, imazhin dhe performancën sportive të klubeve.

Këto episode shërbejnë si një paralajmërim i qartë se harmonia, udhëheqja dhe dialogu janë elementë thelbësorë për suksesin afatgjatë në futbollin modern. /Telegrafi/

LeBron James feston 41-vjetorin: 23 fakte që shpjegojnë karrierën më të gjatë në historinë e NBA-së

1 January 2026 at 21:11


LeBron James festoi të martën (30 dhjetor) 41-vjetorin e lindjes dhe kjo mund të ishte dita e fundit që e kalon si lojtar aktiv i NBA-së.

Ylli i Los Angeles Lakers është shembulli më i jashtëzakonshëm i qëndrueshmërisë dhe vazhdimësisë në historinë e ligës, duke luajtur sezonin e 23-të të tij në elitën e basketbollit amerikan.

Këto janë 23 faktet që e përshkruajnë këtë karrierë epike:

1. Lojtari i parë që luan 23 sezone në NBA, debutoi në 2003 me Cleveland Cavaliers (11 vjet në dy periudha) dhe ka luajtur gjithashtu për Miami Heat (4 vjet) dhe Los Angeles Lakers (8 vjet).

2. Debutimi i tij në NBA ishte 8,099 ditë më parë, më 29 tetor 2003.

3. Më 21 dhjetor 2006, ditën kur lindi Cooper Flagg, lojtari më i ri aktual në NBA, LeBron kishte luajtur tashmë ndeshjen e tij të 263-të.

4. Ai është i vetmi lojtar aktiv nga klasa e draftit 2003, nga klasat e mëvonshme, vetëm Chris Paul (2005) dhe Kyle Lowry (2006) janë ende aktivë.

5. Në moshën 41-vjeçare, ai është lojtar i 12-të më i vjetër në historinë e NBA-së, larg rekordeve të Nat Hickey, që luajti deri në moshën 46-vjeçare në 1948.

6. LeBron është më i vjetër se pesë trajnerë aktual të NBA-së: Joe Mazzulla (37), Will Hardy (37), Mitch Johnson (39), Mark Daigneault (40) dhe Jordan Ott (40), trajneri i tij, JJ Redick, është vetëm gjashtë muaj më i madh dhe debutoi në NBA pas LeBronit, por u tërhoq para tij.

7. Ai ka bashkëpunuar me 82 lojtarë që nuk ishin lindur kur ai debutoi në NBA.

8. Ka luajtur me babë-djalë: Glenn Robinson I dhe II, Ricky dhe Jalen Brunson, Gary Trent dhe Gary Trent Jr, Kenyon dhe KJ Martin, Gary Payton dhe Gary Payton II, Adrian dhe AJ Griffin, Jabari Smith dhe Jabari Smith Jr, Samaki dhe Jabari Walker, Juwan dhe Jett Howard, Dale dhe Trayce Jackson-Davis.

9. Ka përballuar 1,799 kundërshtarë, që përbëjnë 36.43% të të gjithë lojtarëve në histori të NBA-së.

10. Lojtari i parë që luan në NBA me të birin, në tetor 2024, LeBron dhe Bronny James u bënë çifti i parë baba-djalë që luan në të njëjtën skuadër.

11. Lojtari më i ri dhe më i vjetër që shënon 40 pikë në një ndeshje. Rekordi i moshës së re iu mor nga Cooper Flagg. LeBron e arriti këtë në 19 vjet e 88 ditë dhe rekordi si veteran në 40 vjet e 52 ditë. Ai është gjithashtu lojtari i vetëm me dy ndeshje 40-pikëshe pas moshës 40-vjeçare.

12. Lojtari me më shumë ndeshje të rregullta, me 1,576 ndeshje, dhe pritet të kalojë rekordmenin Robert Parish me 1,611 ndeshje.

13. Ka luajtur 59,502 minuta, më shumë se çdo lojtar tjetër, ekuivalent me 991.7 orë ose 41.3 ditë në fushë.

14. Në të gjitha 22 sezonet e tij, ka arritur mesatarisht mbi 20 pikë për ndeshje; aktualisht, me mesataren më të ulët të karrierës, është në 20.5 pikë.

15. Lojtari më i mirë në histori mbi 40 vjeç, me mesatare 23.9 pikë, 7.0 kërcime dhe 7.5 asistime që nga mosha 40.

16. 21 herë All-Star, rekord i jashtëzakonshëm. Nuk u zgjodh për All-Star-in e parë në 2004.

17. Golin më të lartë në histori të NBA-së. LeBron është i vetmi lojtar që ka kaluar shifrën e 40,000 pikëve në sezonin e rregullt, aktualisht me 42,471 pikë, duke kaluar rekordmenin Kareem Abdul-Jabbar (38,387) në shkurt 2023.

18. Anëtar i NBA First Team në 13 raste, duke përfshirë tre dekada të ndryshme (debutimi 2006, hera e fundit 2020).

19. Lojtari i dytë më i vjetër që regjistron ‘triple-double’. Karl Malone e arriti këtë në 40 vjet e 127 ditë, ndërsa LeBron në 40 vjet e 23 ditë me 21+10+13.

20. 1,297 ndeshje radhazi me të paktën 10 pikë, një rekord që sapo u mbyll.

21. Ka luajtur 292 ndeshje play-off, më shumë se çdo lojtar tjetër në histori.

22. Lojtari me më shumë pikë në seritë finale për titull, me 8,289 pikë, 2,302 më shumë se Michael Jordan.

23. Ka luajtur 55 ndeshje në Finalet e NBA-së, duke u renditur i katërti në histori pas Bill Russell (70), Sam Jones dhe Kareem Abdul-Jabbar.

LeBron James nuk është vetëm një ikonë e basketbollit, ai është një shembull i jashtëzakonshëm i qëndrueshmërisë, disiplinës dhe pasionit, duke lënë gjurmë që do të mbeten për breza të tërë në historinë e NBA-së. /Telegrafi/

❌
❌