Bayerni po i blindon me kontrata të reja tre yjet e skuadrës
Bayern Munich nuk pritet të realizojë asnjë nënshkrim të jashtëm gjatë afatit aktual të transferimeve. Megjithatë, klubi bavarez përgatitet për tre njoftime të rëndësishme gjatë muajit janar, që lidhen me zgjatjen e kontratave të lojtarëve kyç.
Sipas deklarimeve publike të drejtorit sportiv Max Eberl, nuk do të ketë ndryshime të mëdha në përbërjen e skuadrës këtë dimër. I vetmi lojtar që po shqyrtohet seriozisht për largim është mbrojtësi i djathtë Sacha Boey (25). Edhe në rast të shitjes së tij, Bayern nuk pritet të sjellë menjëherë një zëvendësues, me një përforcim të mundshëm vetëm pas gjashtë muajsh.
Prioriteti absolut për drejtuesit e klubit është sigurimi i vazhdimësisë së boshtit të skuadrës. Lajmi i mirë për bavarezët është se ata janë shumë pranë finalizimit të marrëveshjeve të reja me tre lojtarë kryesorë, ku nënshkrimi shihet tashmë si formalitet.
Bëhet fjalë për liderin e mbrojtjes Dayot Upamecano (27), mbrojtësin e djathtë Konrad Laimer (28) dhe sulmuesin Serge Gnabry (30). Një ose dy njoftime zyrtare priten që gjatë muajit janar në Säbener Straße.
Gnabry pritet të rinovojë kontratën me një pagë më të ulët, ndërsa Upamecano mund të përfitojë një rritje të ndjeshme të pagës për shkak të rolit të tij kyç në mbrojtje.
Edhe Laimer është në linjë për një kontratë më fitimprurëse, pas paraqitjeve të shkëlqyera këtë sezon, FT e ka vlerësuar atë si mbrojtësin e dytë më të mirë të Bundesligës në gjysmën e parë të kampionatit.
Vitin e kaluar, Bayern siguroi disa marrëveshje strategjike, duke rinovuar kontratat e Jamal Musiala (deri në 2030), Joshua Kimmich (deri në 2029) dhe Alphonso Davies (deri në 2030).
Një rol të rëndësishëm në këtë stabilitet ka pasur edhe trajneri Vincent Kompany, i cili ka ndikuar që Bayern të luajë jo vetëm futboll tërheqës, por edhe të suksesshëm. /Telegrafi/
