Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Probleme serioze ligjore për Joan Laportën, akuzohet për mashtrim me mijëra euro

29 December 2025 at 17:20


Presidenti i FC Barcelona po përballet me telashe të reja ligjore. Një gjykatë në Barcelonë e ka thirrur atë të paraqitet si i pandehur në një rast të dyshuar mashtrimi.

Gjykata Hetimore numër 22 në Barcelonë ka thirrur Joan Laportën në gjykatë më 16 janar. Çështja lidhet me një mashtrim të dyshuar të rënduar, me vlerë afër 100 mijë euro.

Së bashku me Laportën, si të pandehur janë thirrur edhe nënkryetari Rafael Yuste, ekonomisti Xavier Sala i Martin dhe ish-drejtori i TV3, Joan Oliver.

Sipas një urdhri gjykate të siguruar nga El Periodico de Catalunya (përmes SPORT), mashtrimi i dyshuar ka të bëjë me dy kompani të lidhura me personat e akuzuar.

Investimet, sipas raportimeve, ishin ofruar me premtimin për një kthim prej gjashtë për qind. Çështja është rihapur pasi Gjykata Provinciale e Barcelonës urdhëroi që padia të hetohej në detaje.

Viktima në këtë rast ka arritur të rikuperojë vetëm 12,500 euro nga shuma fillestare e investuar. Kjo është tashmë çështja e tretë e hapur në të cilën Laporta po hetohet për mashtrim të dyshuar.

Të gjitha rastet janë të lidhura me kompanitë Core Store dhe CSSB Limited. Disa investitorë raportohet se u kanë dhënë para këtyre kompanive në këmbim të kthimeve të larta vjetore, por nuk kanë marrë as fitimet e premtuara dhe as shumën fillestare të investimit.

Procedurat e fundit burojnë nga një padi e ngritur pasi u transmetua një dokumentar mbi rastin e Reusit. Viktima kontaktoi avokatin Pepe Oriola pasi identifikoi ngjashmëri me përvojën e saj personale.

Dokumentet e gjykatës theksojnë se investimet ishin promovuar duke përdorur reputacionin publik të personave të përfshirë, çka luajti një rol kyç në bindjen e viktimës për të investuar.

Gruaja investoi 50 mijë euro në Core Store dhe më pas 54 mijë dollarë në CSSB Limited. Ajo pretendon se kërkesat e saj të vazhdueshme për informacion dhe përditësime janë përballur me përgjigje shmangëse.

Deri më tani, nuk është kryer asnjë pagesë tjetër dhe hetimet për këtë çështje mbeten ende në vazhdim./Telegrafi

Barcelona kthen sytë nga La Masia, Laporta përjashton afrimet e bujshme

28 December 2025 at 19:03


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është pyetur se kur klubi katalunas do të bëjë transferime të mëdha financiare, gjatë pjesëmarrjes së tij në Globe Soccer Awards.

Laporta praktikisht e ka përjashtuar mundësinë e afrimeve të bujshme, duke vënë theksin te filozofia e klubit dhe zhvillimi i talenteve nga akademia La Masia.

“Ne po punojmë për të prodhuar lojtarë nga La Masia dhe kemi shumë talente që janë të aftë të arrijnë ekipin e parë”.

“Jemi krenarë për filozofinë sipas së cilës punojmë. Në fakt, ka lojtarë nga La Masia që arrijnë ekipin e parë dhe, në të njëjtën kohë, ne duam edhe të transferojmë lojtarë të tjerë dhe t’i integrojmë së bashku”.

Laporta ka theksuar se projekti i Barcelonës nuk kufizohet vetëm te ekipi i meshkujve, duke përmendur edhe suksesin dhe rëndësinë e futbollit të femrave në klub.

“Ne kemi edhe ekipe të tjera, jo vetëm ekipin e futbollit të meshkujve; kemi edhe ekipin e futbollit të femrave. Jam shumë i lumtur për këtë, sepse këtu është një lojtare që përfaqëson futbollin e femrave”.

Me këto deklarata, Laporta ka bërë të qartë se Barcelona do të vazhdojë të mbështetet kryesisht te La Masia dhe zhvillimi i brendshëm, duke lënë në plan të dytë transferimet e mëdha me shifra të larta./Telegrafi

“Ai meriton një statujë”, Laporta për Messin

19 December 2025 at 12:35


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka thënë se është gati të përmirësojë marrëdhëniet me yllin e Inter Miamit, Lionel Messi, duke theksuar se legjenda argjentinase meriton një nderim të madh dhe një statujë në Camp Nou.

Laporta ka rikujtuar lidhjen e veçantë mes Messit dhe Barcelonës, duke theksuar se ai nënshkroi kontratën e parë të argjentinasit kur ishte vetëm 16 vjeç.

Presidenti i Blaugranave vlerësoi Messin si një nga kapitujt më të lavdishëm në historinë e klubit, duke thënë se ai meriton nderim të plotë, madje edhe një statujë.

Laporta shtoi se është i gatshëm të rregullojë çdo gjë nga ana e Barcelonës, duke shprehur shpresën që një ditë rrugët e tyre të kryqëzohen sërish.

“Unë nënshkrova kontratën e parë të Messit kur ai ishte 16 vjeç. Ajo që jetuam me të është një nga momentet më të lavdishme në historinë e Barcelonës, nëse jo më i madhi. Ai meriton një nderim, një statujë, njohje të plotë”, ka thënë fillimisht Laporta.

“Varet edhe nga pala tjetër. Jam i gatshëm të rregulloj çdo gjë. Messi i ka dhënë shumë Barcelonës, dhe Barça i ka dhënë shumë atij. Shpresoj të takohemi përsëri një ditë”.

Laporta në fund ka folur edhe [ër largimin kontrovers të Messit në vitin 2021.

"Tema e Messit më trishton. Unë jam tifoz i Barcelonës, por mbi gjithçka është institucioni. Nëse do të isha anëtar, do ta kuptoja atë që bëri presidenti për të mirën e klubit”, përfundoi presidenti i Barçës. /Telegrafi/

“Nuk do të lejojmë që të tjerët të diskreditojnë stemën tonë”, Laporta i kundërpërgjigjet Real Madridit mes akuzave të ashpra

19 December 2025 at 08:53


Duke folur në darkën e Krishtlindjeve të Barcelonës, presidenti Joan Laporta i ka dhënë një paralajmërim të prerë Real Madridit dhe presidentit të tyre Florentino Perez pas akuzave të tyre të fundit kundër klubit katalanas në lidhje me skandalin Negreira.

Rasti Negreira është duke shkuar drejt fundit tashmë pasi janë duke u mbajtur seancat e fundit gjyqësore para vendimit, por akuzat e Real Madridit drejt Barcelonës nuk janë ndalur, duke bërë drejtuesit katalunas të reagojnë.

“Ne të gjithë e dimë se në çdo veprim sportiv, shoqëror, institucional dhe madje edhe ekonomik, ne lëmë gjurmën tonë, si një klub i respektuar, i njohur, i admiruar dhe i dashur”, ka thënë fillimisht Laporta.

“Gjithashtu duhet të them se kjo staturë që kemi gjeneron një zili që nuk pritet mirë nga ata që, përmes taktikave të fshehta, shpërfillin të gjitha kodet e sjelljes, si etike ashtu edhe morale, dhe jo vetëm në sport, dua të them në përgjithësi”.

“Mendoj se e dini se kujt po i referohem, ata që janë arkitektët e fushatave të vazhdueshme për të diskredituar stemën dhe thelbin tonë, dhe ne nuk do ta lejojmë këtë".

“Këta janë ata që e ngatërrojnë pushtetin me despotizmin, jo me despotizmin e iluminuar, këta janë ata që praktikojnë cinizëm dhe arrogancë të tepruar, këta janë ata që kanë një monstruozitet televiziv që vetëm vjell gënjeshtra dhe helmon vazhdimisht dhe përgjithmonë ajrin”.

“Këtyre njerëzve, u them se Barça është përsëri e fortë, si në fushë ashtu edhe jashtë saj, dhe ndërsa ata shkatërrojnë dhe përpiqen të fshijnë ose shtrembërojnë historinë, nuk do të kenë sukses”.

“Ne po ndërtojmë, dhe po ndërtojmë një skenë të shkëlqyer në historinë e Barcelonës që do të arrijë përsëri lavdinë dhe do të bëjë histori, dhe kjo është falë jush, në thelb", përfundoi presidenti i Barcelonës. /Telegrafi/

Joan Laporta i kundërpërgjigjet ashpër Perezit pas sulmeve mbi rastin ‘Negreira’

16 December 2025 at 19:36


Pasi presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, shfrytëzoi mesazhin e tij të Krishtlindjes për ta rikthyer vëmendjen te çështja Negreira dhe Barcelona, homologu i tij Joan Laporta ka pritur më pak se 24 orë për t’u kundërpërgjigjur.

Vetë Laporta ishte të premten në gjykatë për të dhënë dëshminë e tij, teksa gjigantët katalanas po përballen me akuza për korrupsion.

Dëshmia e Laportës u publikua të martën dhe u zbulua se ai kishte deklaruar se nuk ishte takuar kurrë me Jose Maria Enriquez Negreira, ish-nënkryetarin e CTA-së dhe personin për të cilin Barcelona akuzohet se ka tentuar të ushtrojë ndikim.

Perez e kishte cilësuar këtë si “skandalin më të madh në historinë e futbollit” dhe kishte kërkuar ndëshkim.

Duke folur me rastin e mbërritjes në Guadalajara përpara përballjes së Barcelonës në Kupën e Mbretit, Laporta iu përgjigj Perezit.

“Obsesioni ‘barcelonist’ po përkeqësohet dhe shoh se ka zënë rrënjë në zemrat e tifozëve të Madridit. Asgjë më shumë për të thënë”.

“Ne nuk kemi asgjë më shumë për të shtuar; kemi ardhur këtu për të luajtur futboll dhe për të dhënë një shfaqje të bukur”, ka deklaruar Laporta për Sport.

Kreu i Barcelonës ia atribuoi komentet e Perezit vështirësive aktuale të ‘Los Blancos’.

“Gjërat po na shkojnë mirë sepse ata janë më të shqetësuar për ne sesa duhet. Ata vazhdojnë ta zvarrisin çështjen Negreira për të justifikuar diçka që nuk po u funksionon”.

Laporta vuri gjithashtu në dukje një fakt që është përmendur nga shumëkush në Spanjë: qasja e Real Madridit ndaj çështjes Negreira ka ndryshuar që nga momenti kur Barcelona u tërhoq nga projekti i Superligës, i cili i bashkonte dy gjigantët e El Clasicos.

Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme në vitin 2024, Perez e kaloi lehtë çështjen Negreira, duke theksuar se “klube si Real Madridi dhe Barcelona duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin”./Telegrafi/

Laporta dëshmon në gjykatë për çështjen Negreira

12 December 2025 at 15:30


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, u paraqit sot në gjykatë për të dëshmuar në çështjen e shumëpërfolur Negreira, skandal që ka ngritur akuza ndaj klubit katalanas për korrupsion dhe pagesa të dyshimta ndaj Jose Maria Enriquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve.

Gjatë dëshmisë së tij, Laporta mohoi kategorikisht çdo lidhje me Negreiran apo rrethin e tij të ngushtë.

“Në fakt, unë nuk e njoh as Negreiran dhe as këdo nga rrethi i tij. Nuk kam pasur kurrë asnjë lloj marrëdhënieje me ta. Ne kemi paguar për raporte, në asnjë rast për të favorizuar Barcelonën. Nuk kishim nevojë për favore”, ka thënë Laporta.

🎥 | FC Barcelona president Joan Laporta leaves the Palace of Justice courthouse without speaking to the media, after testifying in the so-called ‘Negreira case’ investigating payments made from the club to a former referee

Read more ➡️ https://t.co/aBht7LEYOj pic.twitter.com/rXjlio1L7a
— Catalan News (@catalannews) December 12, 2025

Ai shtoi se pagesat ishin trashëguar nga administrata e mëparshme dhe se bazoheshin në këshillën e drejtuesve sportivë të klubit.

“I trashëguam ato pagesa. Pyeta drejtuesit sportivë dhe ata na thanë të vazhdonim me raportet. Raportet e fazës së parë nuk i kemi sepse çdo pesë vjet asgjësohen. Kostoja e tyre nuk kishte pse të kalonte në kontrollin e bordit, ishte çështje shume”, deklaroi më tej ai.

Edhe ish-trajnerët e Barcelonës, Luis Enrique dhe Ernesto Valverde, dëshmuan përmes lidhjes me video, duke mohuar se kanë qenë të informuar apo të përfshirë në ndonjë marrëdhënie me Negreiran.

“Nuk kemi qenë të vetëdijshëm për raportet e arbitrimit nga Negreira”, kanë thënë ish-drejtuesit e stolit katalanas.

Dëshmitë pritet të kenë peshë të madhe në vijimin e procesit gjyqësor, i cili ka tronditur futbollin spanjoll dhe po ndiqet nga afër nga opinioni publik. /Telegrafi/

Ronald Araujo mund të mos luajë kurrë më për Barcelonën

8 December 2025 at 17:40


Mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo, mund të mos luajë më kurrë për klubin për shkak të problemeve të tij mendore.

Sipas raportimeve të COPE, Araujo është prekur thellë nga çështja emocionale me të cilën po përballet pas kartonit të kuq në ndeshjen kundër Chelseat.

Thuhet se problemi i tij është më serioz se sa ishte parashikuar fillimisht, dhe ai mund të mos luajë më kurrë për të shmangur një kolaps të plotë emocional.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka kërkuar mbështetje për Araujon, ndërsa futbollisti po përballet me abuzime nga tifozët pas gabimeve që i kushtuan ekipit tre gola dhe humbjen e tre pikëve ndaj Chelseat.

Trajneri Hansi Flick e ka lënë Araujon jashtë listës së ndeshjes për dy takime radhazi që nga ajo ndeshje. /Telegrafi/

Laporta zbulon afatet për rritjen e kapacitetit të Camp Nou

5 December 2025 at 10:28


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë një përditësim të ri mbi fazën e tretë të rikthimit në Spotify Camp Nou, duke konfirmuar se klubi është pranë marrjes së licencës së radhës që do të lejojë rritjen e kapacitetit të stadiumit.

Aktualisht, blaugranat janë në gjendje të hapin vetëm disa sektorë, duke mbajtur kapacitet prej pak më shumë se 45 mijë tifozësh.

Plani i klubit është që gjatë këtij sezoni të hapet seksioni final i dy unazave të poshtme, duke e çuar kapacitetin në 62 mijë vende, shifra maksimale që do të arrihet për këtë sezon.

Ndërkohë, ndërtimi i unazës së tretë pritet të nisë për sezonin e ardhshëm, me objektivin që stadiumi i rinovuar të arrijë kapacitetin përfundimtar prej 105 mijë vendesh.

I ftuar në një event të organizuar nga La Vanguardia, Laporta deklaroi për Mundo Deportivo se brenda një muaji pritet të merret licenca 1C nga Bashkia e Barcelonës, e cila do të lejojë shtimin e edhe 17 mijë tifozëve të tjerë.

“Spotify Camp Nou është një ëndërr kolektive që po bëhet realitet. Punimet po ecin mirë dhe marrëdhënia me Bashkinë është e shkëlqyer. Nëse gjithçka shkon sipas planit, në fund të dhjetorit ose fillim të janarit do të kemi gati tribunun Veriore (1C) dhe sektorin e tifozëve ultras”, ka thënë Laporta.

Nëse afatet përmbushen, ndeshja e parë me kapacitet të rritur pritet të jetë ndaj Real Oviedo më 25 janar.

Për shkak të Kupës së Mbretit dhe Superkupës së Spanjës, Barcelona do të zhvillojë gjashtë ose shtatë ndeshje radhazi në transfertë gjatë dhjetorit dhe janarit.

Laporta njoftoi gjithashtu synimin e klubit për të rritur përqindjen e anëtarëve me abonime sezonale.

“Aktualisht raporti është 60% abonentë dhe 40% bileta të lira. Kur të arrijmë në 62 mijë vende, synojmë ta çojmë raportin në 70-30. Ka pasur herë kur afatet nuk janë përmbushur për shkak të kërkesave teknike dhe të sigurisë”.

Masat speciale për ndeshjen me Eintracht Frankfurt

Laporta foli edhe për vendimin e klubit që për sfidën e Ligës së Kampionëve ndaj Eintracht Frankfurt të shiten vetëm bileta ekskluzivisht për anëtarët.

“Kemi një histori shumë negative me këtë klub. Në ndeshjen e fundit stadiumi u pushtua nga tifozët e tyre. Kemi marrë masa të forta që një situatë e tillë të mos përsëritet. Me QR-kodet e reja dhe duke kufizuar shitjen vetëm te anëtarët, jemi të sigurt se stadiumi nuk do të mbushet me gjermanë”, përfundoi Laporta. /Telegrafi/

“Barcelona nuk i ka dhënë ryshfet gjyqtarëve”, Laporta flet përsëri për rastin Negreira

5 December 2025 at 08:32


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur për akuzat e vazhdueshme për “rastin Negreira”, ku akuzohen për dhënie të ryshfetit ndaj gjyqtarëve.

Në vitin 2023, Barcelona dhe drejtuesit e saj u akuzuan për korrupsion në lidhje me pagesat ndaj Jose Maria Enriquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA) në Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF).

Gjykata i ka klasifikuar transfertat multi-milionëshe nga Barcelona te Negreira midis viteve 2001 dhe 2018 si vepra penale. Dëshmi kanë dhënë disa figura kyçe, përfshirë Javier Enriquez, djalin e Negreirës, dhe ish-presidentët Sandro Rosell dhe Josep Bartomeu.

“Ky rast do të vazhdojë derisa gjyqtari të vendosë ndryshe. Ne jemi plotësisht të përfshirë dhe të gjitha vendimet deri më sot tregojnë se Barça nuk i ka korruptuar gjyqtarët dhe as nuk ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme”, ka thënë fillimisht Laporta.

“Pretendimet e tjera private nuk ofrojnë prova bindëse. Nëse dalin në dritë fakte të reja, procedurat do të vazhdojnë. Kjo e ka vonuar vendimin përfundimtar të gjyqtarit”.

“Ne u gjykuam fajtorë para se të fillonte gjyqi. Jam i bindur se Barcelona përfundimisht do të lirohet nga akuzat. Disa palë janë të motivuara ta mbajnë çështjen gjallë”.

“Pretendimet se Barça fitoi për shkak të gjyqtarëve janë të pavërteta. Për 72 vjet, komiteti i gjyqtarëve ka përfshirë gjithmonë një anëtar të Real Madridit. Real Madridi ka ndikim të konsiderueshëm dhe fitoret tona në kushte të tilla janë edhe më kuptimplote".

“Javier Tebas ka deklaruar se Real Madridi mund të ndikojë te gjyqtarët nëpërmjet kanalit të tij televiziv. Mund të jetë e vlefshme të shqyrtohen nga afër transmetimet televizive të Real Madridit”, përfundoi presidenti i Barcelonës. /Telegrafi/

“Ai është një njeri i qetë dhe inteligjent”, Joan Laporta qetëson luftën me Florentino Perezin

4 December 2025 at 21:58


Në javët e fundit ka pasur tensione të shtuara në nivel institucional mes Barcelonës dhe Real Madridit, të shkaktuara nga deklaratat e presidentëve të të dy klubeve.

Florentino Perez pretendoi se katalanasit historikisht janë favorizuar nga gjyqtarët, gjë që çoi Joan Laportën të deklaronte se ai dhe klubi madrilen vuajnë nga obsesioni ndaj Barcelonës.

Laporta tani ka tentuar ta lërë këtë çështje pas krahëve. Gjatë një aktiviteti të La Vanguardia të enjten, ai foli për Perez, për të cilin shprehu shumë respekt.

“Ai është një njeri i qetë dhe inteligjent. Tani ai shpreh opinionet e tij; në mandatin tim të parë unë isha më luftarak, megjithëse tani ai ka çështje kundër Tebas, kundër UEFA-s”.

“Kam dëgjuar që nuk do të mund të regjistronim lojtarë, por më pas CSD na dha të drejtë në rastin e regjistrimit të Olmos”.

“Sigurisht që ai është më afër atyre që drejtojnë në Spanjë, ashtu si ne këtu në Kataloni për shkak të afërsisë. Ai mbron interesat e tij, siç bëjmë edhe ne”.

Megjithatë, Laporta deklaroi gjithashtu se Perez dhe Real Madridi janë të fiksuar me presidentin e La Liga-s, Javier Tebas, i cili kohët e fundit ka qenë nën kritika.

“Ai është një njeri i fjalës, ka njohuri të gjera. Unë nuk u besoj atyre që duan ta largojnë. Ne e dimë që marrëdhënia që kemi ndërtuar me të është e mire”.

“Janë nga Real Madridi ata që duan ta shkarkojnë. Shoh që ekziston një obsesion nga ‘Shtëpia e Bardhë’”, ka deklaruar Laporta./Telegrafi/

Real Madridi nuk do t'i përgjigjet sulmit të presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, ndaj klubit dhe presidentit

28 November 2025 at 15:42


Real Madridi as nuk i është përgjigjur presidentit të Barcelonës, Joan Laporta, dhe kritikave të tij ndaj klubit dhe presidentit të tyre, Florentino Perez, dhe as nuk ka ndërmend ta bëjë këtë.

Florentino Perez foli tashmë aty ku duhej të fliste: në Asamble dhe çështja do të mbetet atje.

Pas fjalimit të Perezit, presidenti i Barcelonës, Laporta pati kritika dhe goditi me disa fjalë rivalin e urryer

“Fjalët e Florentino Perezit tregojnë për barcelonistët që vuajnë nga Real Madridi. Një formë e veçantë obsesioni”.

“Duket se duhet të flasin për Barçën për të justifikuar, nuk e di çfarë”, deklaroi Laporta.

💥 Informa @MelchorRuizCope

❌ El Real Madrid ni ha contestado a las palabras de Laporta ni piensa hacerlo

➡️ "El presidente ya habló donde tenía que hablar: en la Asamblea de Socios"

📻 #PartidazoCOPE https://t.co/UXtSINehNs pic.twitter.com/EtZTXP9VVO
— El Partidazo de COPE (@partidazocope) November 28, 2025

Duket sikur lufta e ftohtë midis Barcelonës dhe Real Madridit është rikthyer.

Megjithatë, sipas mediumit Cope, Real Madridi as nuk i është përgjigjur presidentit të Barcelonës dhe kritikave të tij ndaj klubit dhe presidentit të tyre, dhe as nuk ka ndërmend ta bëjë këtë. /Telegrafi/

Barcelona do të bëjë bujë në verë: tri transferimet që Laporta dëshiron në Camp Nou

27 November 2025 at 09:15


Barcelona po përjeton një moment kritik pas performancës së dobët kundër Chelseat, një tjetër simptomë e një skuadre që ka humbur konkurrencën dhe që e detyron Joan Laportën të reagojë me vendosmëri.

Humbja e bëri të qartë se skuadra nuk është gati të garojë në Ligën e Kampionëve me besim, veçanërisht pasi dështoi të mposhtë kundërshtarë të nivelit të lartë si Paris Saint-Germain dhe Real Madrid.

Ndjesia e brendshme është e qartë: pa nënshkrime të rëndësishme, projekti nuk do të ecë përpara.


Barcelona dëshiron ta rindërtojë skuadrën

Prioriteti i Barçës është të përforcojë tre pozicione kyçe. Largimi i Inigo Martinez la një boshllëk të madh në qendër të mbrojtjes, një situatë e përkeqësuar nga performancat e dobëta të kohëve të fundit të lojtarëve që pritet të udhëheqin, si Dani Olmo, Jules Kounde, Pau Cubarsi dhe Lamine Yamal.

Klubi beson se kjo rënie në performancën e përgjithshme kërkon veprime vendimtare në afatin kalimtar të verës së ardhshme.

Në këtë kontekst, Barcelona ka hartuar një plan që përfshin mbërritjen e një qendërmbrojtësi të klasit të lartë që luan me këmbën e majtë, një mbrojtës të djathtë që mund të konkurrojë vërtet me Kounden dhe një qendërsulmues të aftë për të marrë rolin e kërcënimit kryesor sulmues të ekipit në vitet e ardhshme.

Këto tre nënshkrime konsiderohen thelbësore nga drejtori sportiv, Deco, për të rritur nivelin konkurrues të skuadrës.

Barcelona dhe angazhimi i saj për nënshkrimet mbrojtëse

Lëvizja e parë është drejtuar drejtpërdrejt mbrojtjes. Drejtori sportiv beson se performanca e ekipit ka pësuar rënie që kur Inigo Martinez u largua nga klubi, kështu që ata po kërkojnë një profil të ngjashëm: të fortë, me shpërndarje të mirë të topit dhe të mësuar me situata me presion të lartë.

Alessandro Bastoni dhe Nico Schlotterbeck janë dy kandidatët kryesorë. Të dy kanë raporte të shkëlqyera dhe i përshtaten vizionit të Hans-Dieter Flick, i cili e njeh shumë mirë mbrojtësin e Borussia Dortmund, pasi i ka dhënë atij debutimin për ekipin kombëtar gjerman.

Schlotterbeck shihet gjithashtu si opsioni më i qëndrueshëm financiarisht, pasi kontrata e tij përfshin një klauzolë lirimi prej afër 60 milionë eurosh. Nga ana tjetër, Bastoni do të kërkonte negociata komplekse me Interin, të cilat mund ta vononin transferimin.

Kërkimi nuk kufizohet vetëm në pozicionin e qendërmbrojtësit të krahut të majtë. Nevoja e dytë urgjente është mbrojtësi i djathtë. Mospërputhja e Kounde në atë rol e detyron Barcelonën të kërkojë një konkurrent të vërtetë.

Ndër emrat që Deco po shqyrton janë Vanderson dhe Andrei Ratiu, dy profile të ndryshme, por me një emërues të përbashkët: intensitet, qëndrueshmëri dhe soliditet në duelet mbrojtëse.

Një qendërsulmues, nevoja më e madhe e tregut

Transferimi i tretë do të jetë një sulmues. Kontrata e Robert Leëandoëskit skadon në qershor dhe klubi pranon se nuk mund ta mbajë më barrën ofensive si më parë. Ferran Torres, pavarësisht përpjekjeve të tij, nuk frymëzon mjaftueshëm besim për të qenë sulmuesi titullar për një ekip me aspirata evropiane.

Prandaj, Barcelona e konsideron Julian Alvarezin si objektivin e tyre kryesor, një veprim që Laporta do ta ndjekë deri në fund pavarësisht vështirësive financiare dhe rezistencës së Manchester Cityt.

Megjithatë, klubi po eksploron alternativa më të përballueshme, siç janë Serhou Guirassy, një nga golashënuesit më shpërthyes në futbollin gjerman, ose Etta Eyong, një lojtar i re premtues me kushte shumë tërheqëse.

Vera do të jetë vendimtare për Barcelonën, rindërtimi sportiv i së cilës varet kryesisht nga tre nënshkrime kyçe. Laporta, Deco dhe Flick e dinë se pa këto përforcime, projekti nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë me gjigantët evropianë. Objektivi është i qartë: të rifitohet konkurrueshmëria dhe të kthehet skuadra në elitë. /Telegrafi/

Tradhtia që e tronditi Barcelonën? Laporta zbulon arsyen e vërtetë se pse e shkarkoi Xavi Hernandezin

23 November 2025 at 16:42


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë shpjegimin më të detajuar deri tani për muajt e trazuar që çuan në shkarkimin e Xavi Hernandezit një vit më parë.

Në një intervistë për “Esport3”, ai ka shpalosur kundërthëniet, mesazhet e përziera dhe dilemat që e bindën se ndryshimi në stol ishte i domosdoshëm.

Xavi kishte njoftuar publikisht në janar të vitit 2024 se do të largohej në fund të sezonit, por disa javë më vonë e ndryshoi vendimin. Sipas Laportës, rikthimi i tij erdhi pas një takimi privat në shtëpinë e presidentit.

“Xavi e kishte shpallur vetë se do të largohej në fund të sezonit. Pastaj kërkoi të më takonte në shtëpi për të më thënë se, në të vërtetë, dëshironte të vazhdonte dhe e ndiente të nevojshme këtë”.

Laporta tregon se në atë bisedë i kishte bërë vetëm një pyetje direkte: “E pyeta vetëm një gjë – ‘Xavi, a beson te skuadra?’ Ai u përgjigj: ‘Besoj 100 për qind dhe do t’i bëj këta lojtarë kampionë’”.

Joan Laporta dhe Xavi Hernandez

Megjithatë, sipas presidentit, ajo bindje u zhduk brenda një jave, kur Xavi doli para mediave dhe deklaroi se ekipit do t’i duheshin dy vite për të qenë konkurrues.

“Dy javë më vonë e dëgjova në konferencë duke thënë se ai dhe skuadra do të kishin nevojë për dy vite për të qenë kompetitivë. Mendova: ‘Çfarë po ndodh këtu?’”

Dyshimet u thelluan edhe më shumë kur Xavi bisedoi me drejtorin sportiv Deco për ndryshime të mëdha në skuadër. Laporta pranon se ato biseda e goditën rëndë.

“Ai më pas foli me Decon për mundësinë e ndryshimit të disa lojtarëve të ekipit të parë. Siç e dini, unë kam shumë respekt për Xavin, dhe fjalët e tij më prekën thellë”.

Laporta kujtoi se klubi ka marrë vendime të vështira edhe më herët: “Na është dashur të marrim vendime të rënda me Messin, Alban, Busquetsin, Piquen, madje me Xavin dhe Koeman… por te Barça, institucioni është gjithmonë mbi gjithçka. Është mbi lojtarët, presidentët dhe trajnerët”./Telegrafi

Joan Laporta i ‘obsesionuar’ pas yllit argjentinas, e do me çdo kusht te Barcelona

21 November 2025 at 22:02


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i “dashuruar” me Julian Alvarez dhe e sheh atë si zgjedhjen kryesore për të zëvendësuar Robert Leëandoëskin, sipas ekspertit të transferimeve Matteo Moretto.

Moretto pranon se e ardhmja e Leëandoëskit ende nuk është vendosur as nga Barcelona dhe as nga vetë lojtari, por ekziston një mundësi e madhe që ai të largohet nga klubi në fund të sezonit.

Barcelona tashmë po shikon tregun e sulmuesve për një alternativë, siç ka raportuar Fabrizio Romano.

Julian Alvarez

Një nga opsionet është Alvarez, por ta sigurosh atë do të jetë e vështirë, pasi Atletico Madrid do të provojë gjithçka për ta mbajtur golashënuesin e tyre.

Blaugranasit janë lidhur edhe me sulmues të tjerë, si Harry Kane dhe Victor Osimhen, për të përmendur disa.

Në fund, gjithçka do të varet nga sa shumë është e gatshme të shpenzojë Barcelona në afatin kalimtar./Telegrafi/

Laporta për Messin: Ai duhet të ketë një statujë në Spotify Camp Nou

14 November 2025 at 09:35


Pas vizitës së Lionel Messit në Spotify Camp Nou në fillim të kësaj jave, te Barcelona është intensifikuar diskutimi për nderimin e legjendës së klubit pas përfundimit të karrierës së tij. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, gjatë një eventi publik të enjten, zbuloi se klubi tashmë ka nisur punën për ngritjen e një statuje dedikuar argjentinasit.

Laporta theksoi se Messi, lojtari më i madh në historinë e Barcelonës, meriton të jetë i përfaqësuar mes figurave ikonike të klubit në ambientet e rinovuara të stadiumit.

“Në bordin e drejtorëve, me kolegët e mi, ne gjithmonë mendojmë se duhet bërë diçka më shumë për Messin. Ai duhet të ketë një statujë në Spotify Camp Nou, si Cruyff dhe Kubala. Do të ishte e drejtë nëse edhe Leo do të kishte statujën e tij. Ai është një nga ata lojtarë referimi që na kanë lënë gjurmë të gjithëve”, ka thënë Laporta.

Presidenti konfirmoi se procesi është tashmë në fazë planifikimi dhe se ceremonia e homazhit do të zhvillohet në momentin e duhur, në marrëveshje të plotë me familjen Messi.

“Po punojmë për këtë. Sigurisht, familja duhet të bjerë dakord. Kur të vijë koha e duhur dhe të kemi dizajnin e kësaj statuje, do ta propozojmë. Do të na pëlqente shumë, si tifozë të Barcelonës. Mendoj se të gjithë tifozët e Barcelonës do të donin të kishin një statujë të Leo Messit aty ku ndodhen figurat e mëdha në historinë e Barcelonës”.

Ngritja e statujës së Lionel Messit pritet të jetë një nga projektet më domethënëse simbolike të Barcelonës, duke vulosur përfundimisht trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme në klub. /Telegrafi/

"Gënjejnë dhe mashtrojnë, kanë borxhin më të madh në historinë e sportit" - akuza të rënda kundër Laportës

12 November 2025 at 20:03


Kandidati presidencial i Barcelonës, Xavier Vilajoana, ka akuzuar bordin e drejtorëve të Joan Laportës për manipulim dhe mungesë transparence lidhur me situatën financiare të klubit, duke kërkuar qartësi edhe mbi largimin e Lionel Messit në vitin 2021.

Sipas një raporti të pavarur të porositur nga vetë Vilajoana, borxhi i Barcelonës ka arritur një rekord prej 4.12 miliardë eurosh, duke hedhur dyshime mbi pretendimet për rimëkëmbje ekonomike dhe motivet financiare të largimit të Messit, raporton Goal.com.

Borxhi rekord prej 4.12 miliardë eurosh

Raporti, titulluar “Rreze X ekonomike e FC Barcelona (2005-2025)”, analizoi të dhënat financiare të klubit për dy dekada dhe zbuloi se borxhi total ka arritur në 4.12 miliardë euro, një rritje prej 293% që nga viti 2021. Kjo shifër tejkalon borxhin e trashëguar nga administrata e Josep Maria Bartomeu dhe sfidon pretendimet e Laportës se klubi ka qenë në rrugë të shpëtimit financiar.

Edhe pas përjashtimit të projektit Espai Barca prej 2.82 miliardë eurosh, borxhet operative dhe financiare të klubit tejkalojnë 1.3 miliardë euro. Raporti thekson gjithashtu se 929 milionë euro nga shitja e aseteve (të drejtat televizive, Barca Studios, vendet VIP) janë përdorur për të mbuluar shpenzimet operative, në vend të një strategjie afatgjatë rikuperimi, të cilën Vilajoana e cilëson si “të mashtruese dhe të paqëndrueshme”.

Joan Laporta

Vilajoana: Nuk është shpëtim, është mashtrim

Në prezantimin e raportit, Vilajoana kritikoi menaxhimin e Laportës dhe mungesën e transparencës, duke theksuar se shitja e aseteve të trashëguara ka fshehur humbjet reale të klubit.

“Pa këto asete, humbjet e akumuluara do të kishin kaluar një miliard euro – pothuajse e barabartë me vlerën e ekipit të parë aktual”, tha ai.

Vilajoana shtoi se raporti zbulon praktika të manipulimit të kontabilitetit, që krijojnë një imazh të rremë të rimëkëmbjes financiare. Ai theksoi se më shumë se 380 milionë euro janë përfshirë në fatura pa bazë reale, duke ndryshuar perceptimin e borxhit dhe duke fshehur gjendjen e vërtetë të klubit.


“Të pretendosh se shifrat janë të balancuara nuk po e shpëton klubin; po e mashtron atë,” përfundoi Vilajoana, duke kërkuar transparencë të plotë mbi situatën ekonomike dhe vendimet historike, përfshirë largimin e Messit. /Telegrafi/

Laporta komenton marrëdhënien me Real Madridin: Asnjëherë nuk ishim të martuar, divorci është i pamundur

12 November 2025 at 13:04


Barcelona dhe Real Madridi vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara, sipas presidentit të blaugranave, Joan Laporta.

Në një intervistë për Catalunya Radio, Laporta foli hapur për raportet me klubin rival dhe situatën e fundit ligjore që përfshin klubin e tij.

“Ne nuk kemi qenë kurrë të martuar, kështu që divorci është i pamundur. Marrëdhëniet nuk janë shumë të mira për shkak të përfshirjes së tyre në çështjen Negreira; ata po paraqesin fakte të parëndësishme dhe të pabindshme. Hapja e çështjes ka zgjuar interesin e tyre. Nuk na pëlqen kjo dhe situata është e tensionuar. Jemi rivalë të përjetshëm dhe gjithmonë i trajtojmë njëri-tjetrin me respekt”, ka thënë Laporta.

Ai gjithashtu iu referua ndeshjes së planifikuar në Miami kundër Villarrealit.

“Nuk do të doja të hapja temën e ndeshjes në Miami. Që në fillim kemi hasur kundërshtim nga Shoqata e Futbollistëve Spanjollë dhe nga klube të tjera. Nuk mendoj se kjo ndeshje do të kishte ndikim në rezultatin e La Ligës”.

Kujtojmë se në vitin 2023, Barcelona dhe drejtuesit e saj u akuzuan për pagesa të dyshuara ndaj ish-zëvendës presidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave (CTA), Jose Maria Enriquez Negreira, që punonte për Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF).

Gjykata vlerësoi si të paligjshme pagesat prej disa milion eurosh nga Barcelona drejt Negreiras midis viteve 2001 dhe 2018.

Në seancat e fundit të gjykimit kanë dëshmuar figura të njohura, përfshirë djalin e Negreiras, Javier Enriquez, dhe ish-presidentët e Barcelonës, Sandro Rosell dhe Josep Bartomeu. /Telegrafi/

Laporta flet për vizitën e Messit në Camp Nou, largimin e tij dhe rikthimin e mundshëm

12 November 2025 at 11:31


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka folur për vizitën befasuese të Lionel Messit në Camp Nou të dielën, teksa foli edhe për largimin e tij dhe rikthimin e mundshëm.

Duke folur për Catalunya Radio, presidenti pranoi se nuk ishte në dijeni të qëllimeve të yllit argjentinas dhe pohoi se nuk pendohet për largimin e Messit, pasi prania e tij e vazhdueshme në klub nuk ishte e mundur.

Ai gjithashtu përsëriti se Barça është më e madhe se çdo individ.

"E prita ngrohtësisht. Ishte një shpërthim spontan i krenarisë së tij për Barcelonën. Nuk e dija, por kjo është shtëpia e tij. Ishte me miqtë, për një shëtitje, sapo kishte mbaruar darkën dhe ndaloi spontanisht”, ka thënë fillimisht Laporta.

“Nuk i dërgova asnjë mesazh. Kemi një marrëdhënie të mirë. Ai luan për Inter Miamin. Ai e di që është i dashur dhe i vlerësuar për atë që është dhe se do të jetë gjithmonë i mirëpritur”.

“Është e drejtë që ai të marrë nderimet më të mira në botë. Do të ishte e mrekullueshme që nderimet e tij të ishin këtu, para 105,000 tifozëve", shtoi ai.

Tutje, Laporta ka folur edhe për largimin e tetë herë fituesit të Topit të Artë si dhe mundësinë e kthimit të tij te Barcelona.

“Pavarësisht se si ndodhi gjithçka me largimin e Leo Messit, nuk kam asnjë keqardhje. Barça është mbi këdo tjetër. Nuk është ajo që të gjithë donim, por nuk ishte e mundur në atë moment”.

“Nga respekti për Messin, lojtarët tanë dhe anëtarët tanë, nuk është koha për të spekuluar me skenarë jorealistë”, përfundoi presidenti i Barçës. /Telegrafi/

Laporta: Lamine Yamal është lojtari më i mirë në botë në pozicionin e tij

12 November 2025 at 10:30


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur besim të plotë tek ylli i klubit, Lamine Yamal, duke theksuar se nuk është aspak i shqetësuar për stilin e jetës së tij jashtë fushës.

Laporta e ka përgëzuar 18-vjeçarin për maturinë dhe përkushtimin që tregon, pavarësisht moshës së re dhe sfidave fizike me të cilat po përballet.

“Nuk jam aspak i shqetësuar. Ai është një lojtar që duhet të mbrohet dhe të mbështetet, por është shumë më i pjekur se çdo fëmijë tjetër i moshës së tij”, ka thënë Laporta.

Presidenti i katalanasve zbuloi gjithashtu se Yamal po luan me shqetësime pubalgjike, por vlerësoi vendosmërinë e tij për të vazhduar të ndihmojë skuadrën.

“Ai aktualisht po përballet me probleme pubalgjike dhe është shumë e lavdërueshme që ai ende po luan. Kjo tregon përkushtimin e tij”.

Laporta shprehu admirimin e tij të plotë për talentin spanjoll, duke e cilësuar si një nga futbollistët më të veçantë të momentit.

“Si futbollist, ai është një gjeni. Duhet ta mbrojmë dhe ta ndihmojmë të përmirësohet çdo ditë, sepse ende nuk e ka arritur kulmin e tij. Ai është më i miri në botë në pozicionin e tij”, përfundoi Laporta.

Me këto deklarata, kreu i Barcelonës dërgon një mesazh të qartë për mbështetjen e klubit ndaj talentit që po konsiderohet si e ardhmja e skuadrës blaugrana. /Telegrafi/

Messi mund të rikthehet në “Camp Nou”, Laporta zbulon planin emocionues

7 November 2025 at 15:20


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur dëshirën e tij që të organizojë një ndeshje homazhi për Lionel Messin gjatë inaugurimit të stadiumit të rinovuar “Spotify Camp Nou”.

Argjentinasi po vazhdon me ritëm të lartë te Inter Miami, me të cilët edhe e rinovoi kontratën deri më 2028.

Megjithatë, Laporta ka shprehur gatishmëri për ta organizuar një ndeshje homazhi për Messin në Camp Noun e rinovuar.

“Do të ishte një mënyrë e bukur për të inauguruar Camp Nou-n, me një nderim për Messin dhe stadiumin plot. Do të isha i lumtur të organizonim një ndeshje homazhi për Lionel Messin”.

Klubi katalanas është shumë afër rikthimit në shtëpinë e vet legjendare, me ndeshjen ndaj Alaves në fund të këtij muaji që pritet të jetë e para në stadiumin e rinovuar. Sot u zhvillua një seancë stërvitore e hapur për rreth 23 mijë tifozë, si provë për rikthimin zyrtar.

Marrëdhënia mes Messit dhe Laportës ka qenë e tensionuar që prej largimit të papritur të argjentinasit në vitin 2021, kur presidenti vendosi të mos rinovonte kontratën e tij për arsye financiare. Megjithatë, së fundmi Laporta ka deklaruar se raportet me yllin e Inter Miami janë përmirësuar ndjeshëm./Telegrafi

❌
❌