Mijëra shqiptarë bëhen bashkë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
PRISHTINË, 17 shkurt/ATSH/- Mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë nga nëntori i 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Me pankartat në duar “Liria ka Emër”, “Historia nuk mund të rishkruhet”, “Liri në emër të popullit” shqiptarët kërkuan drejtësi për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në protestën “Drejtësi, jo politik” e organizuar nga “Liria ka Emër” kanë marrë pjesë edhe krerët e shtetit. E pranishme ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kreut të Grupit të PS, Taulant Balla.
Balla vazhdimisht ka bërë thirrje për mbështetje dhe ka ngritur zërin kundër padrejtësisë historike që po bëhet në Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë.
Pak ditë më parë, Balla ishte edhe nismëtari i kërkesës që Kuvendi i Shqipërisë të hartonte dhe votonte një rezolutë zyrtare në mbrojtje të ish-komandantëve të UÇK-së, e cila u miratua të enjten e kaluar nga e majta dhe e djathta së bashku me 92 vota pro.
Ndërsa familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po ndjekin nga Haga marshin “Drejtësi, Jo Politikë”. Vëllezërit dhe nipat e Thaçit, djali i Jakup Krasniqit dhe familjarë të tjerë po e ndjekin drejtpërdrejt nga televizioni bashkë në Hagë këtë protestë në Prishtinë.
Përfaqësuesi i nismës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli tha gjatë fjalës së tij në këtë tubim se “qytetarët duan drejtësi dhe jo politikë dhe sot në këtë ditë ne dërgojmë një mesazh të veçantë për ata që gjenden në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerë… Ju nuk jeni vetëm, pas jush qëndron një komb i tërë. Pas jush qëndron sakrifica, liria jonë”.
Tasholli nënvizoi se nëse drejtësia devijon nga parimet e barazisë, atëherë nuk mund të quhet më e tillë. “Drejtësia nuk mund të jetë selektive apo e dirigjuar, por transparante dhe e drejtë për të gjithë”, u shpreh ai duke shtuar se “ky është fillimi, nuk do të ndalemi kurrë”.
“UÇK nuk lindi për të marr tokën e vet. Lindi për ta mbrojtur shtëpinë e vet. Nuk lindin për dominim, por për liri. Kjo është e vërteta historike që nuk mund të relativizohet kurrë. Thirrjet tona për drejtësi e jo politikë nuk janë kundër askujt. Janë për dinjitetin kolektiv. Ne nuk mund të pranojmë që proceset që zhvillohen në emër të popullit të Kosovës të përdoren për të barazuar agresorin me viktimën apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës sonë. Nëse drejtësia devijon nga parimet e pabarazisë dhe paanshmërisë dhe kur gjyqi në Hagë thirret edhe vepron në emër të popullit të Kosovës ne këtu drejt i themi qartë jo në emrin tonë, jo në emrin tonë”, tha ai.
Në protestë e ka marrë fjalën edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman.
Ajo tha se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duhet të lirohen. Ata e mbrojtën popullin e vet si gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
“Nëse doni me ditë se çfarë i bashkon shqiptarët, është cenimi i lirisë dhe padrejtësia. Faleminderit të gjithë juve që i shërbyet atdheut kur më së shumti kishte nevojë”, u shpreh ajo.
Muhamer Ibrahimi, ish-luftëtari i UÇK-së tha se “kur unë dizajnova flamurin dhe u ngrit më 17 shkurt 2008, nuk pash vetëm një simbol të shtetit, pash fytyrat e atyre që nuk jetuan dhe nuk u kthyen ta shohin atë ditë”.
Ai tha se në atë flamur pa sakrificën, dhimbjen dhe krenarinë kombëtare.
Ibrahimi tha para pjesëmarrësve në këtë tubim se “po kërkojmë që historia jonë që të mos rishkruhet dhe të mos shtrembërohet”.
“UÇK ishte mburojë për fëmijë, gra e pleq. Ishte mburojë për pragun e shtëpisë, ishte përgjigja e fundit e një populli që kanosej me zhdukje. E sot kur e shoh këtë det njerëzish, e di që ata në Hagë nuk janë vetëm. Pas tyre qëndron populli”, u shpreh ish-luftëtari i UÇK-së.
Një ndër luftëtaret e para të UÇK-së, Shqipe Krasniqi, ka theksuar se gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po prek drejtpërdrejt kujtesën dhe sakrificën e luftës për liri.
Ajo deklaroi se në Ditën e Pavarësisë qytetarët nuk janë mbledhur vetëm për festë, por për të kujtuar çmimin e madh të lirisë dhe për të mbështetur bashkëluftëtarët që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare.
“Jam njëra nga mijëra gra që kanë pa luftën me sytë e tyre. Jam rritur në një kohë kur të qenit shqiptare në Kosovë nënkuptonte të jetoje me frikë, kufizime, me padrejtësi të përditshme. Kam parë prindër të larguar nga puna, profesor të përjashtuar, studentë të ndjekur, familje të tëra të poshtëruara vetëm pse ishin shqiptarë. Kam parë baballarë të përulur, nëna që qanin fshehurazi që fëmijët të mos ua shihnin lotët. Kam parë rininë tonë të rritet pa të drejta, por gjithmonë me krenari. Por, mbi të gjitha kam parë gruan shqiptare, nëna që ndanin kafshatën me fëmijët e tyre, duke pa motra që bëheshin edhe nëna, baballarë, kur në shtëpitë e tyre mbeteshin pa burra. Kam parë gra që përcillnin bijtë në luftë me zemër të copëtuar, por me kokën lartë, ato nuk kishin uniformë, por, kishin forcë, ato nuk mbanin armë, por mbanin gjallë shpresën. Ato nuk dolën në histori me tituj, por historia nuk do të ekzistonte pa to. Pikërisht atëherë, edhe unë e kam kuptuar se heshtja është dorëzim dhe ky popull nuk di të dorëzohet”, ka theksuar Krasniqi.
Ajo tha se padrejtësia ndaj ish-udhëheqësve të luftës i dhemb gjithë shoqërisë, pasi sipas saj, cenon sakrificën e bërë për çlirimin e vendit.
Sipas Krasniqit, ballafaqimi me drejtësinë është pjesë e shtetndërtimit, por drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe e bazuar në faktet dhe rrethanat e kohës së luftës.
Çlirim Haziri, djali i Xhavit Hazirit tha se nuk do të lejojnë që sakrifica të barazohet me faj dhe se nuk do t’i lënë vetëm heronjtë në Hagë.
“Ata që luftuan për këtë tokë, nuk kërkuan pushtet, por kërkuan liri dhe liria nuk vjen në bankën e turpit. Lufta e UÇK-së, ishte luftë për mbijetesë dinjitet të kombit”, deklaroi Haziri.
The post Mijëra shqiptarë bëhen bashkë në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.