Komuna e Mitrovicës hap procesin e aplikimit për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se nga sot, më 12 janar 2026, ka filluar procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, në ekonomitë familjare dhe në biznese.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet ftohen që, brenda afatit të përcaktuar, të paraqesin kërkesën e tyre pranë Zyrës Pritëse – Qendrës për Shërbime të Qytetarëve në Komunën e Mitrovicës.
“Qytetarët e dëmtuar nga vërshimet duhet të dorëzojnë aplikacionin me dokumentacionin përkatës, në mënyrë që të realizohet procesi i vlerësimit të dëmeve në terren”, thuhet në njoftimin e komunës.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim përfshin formularin e aplikimit, të dhënat personale të aplikuesit, kopjen e letërnjoftimit, numrin e anëtarëve të familjes, adresën e objektit të dëmtuar, fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, konfirmimin e llogarisë bankare si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar.
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 26 janari 2026, ndërsa aplikimet pranohen në Zyrën Pritëse të Komunës së Mitrovicës, në katin e parë. /Telegrafi/
