Vengu: 500 efektivë të FA të angazhuar në përballimin e problemeve nga reshjet
TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot në një intervistë televizive se, Forcat e Armatosura kanë dislokuar rreth 500 efektivë në terren për të përballuar situatat me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive.
Duke folur për situatën e përmbytjeve në vend, Vengu u shpreh se, është momenti për të garantuar angazhim të plotë në terren, ashtu siç është bërë gjatë gjithë këtyre ditëve, dhe se ky angazhim do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Sipas tij, Forcat e Armatosura kanë dislokuar rreth 500 efektivë në terren, nga Shkodra, Lezha, Kurbini dhe Durrësi, ku është përqendrimi më i madh i forcave.
Rreth gjysma e këtij kontingjenti ndodhet aktualisht në Durrës dhe Shijak, si dhe në Katund të Ri dhe Sukth, ku vijojnë evakuimet dhe tërheqja e ujërave.
Forcat e Armatosura po vijojnë gjithashtu mbështetjen për Fierin dhe Vlorën, veçanërisht në zonën e grykëderdhjes së Vjosës, ku vërshimet masive të ditëve të fundit, përfshirë prurjet e shtuara nga Greqia, kanë krijuar situatë të vështirë. Për pasojë, janë kryer evakuime në fshatrat Ferras, Fitore, Bishan dhe Novoselë.
Aktualisht, sipas ministrit, janë rreth 50 banorë të evakuuar në bashkitë Fier dhe Vlorë.
Në total, numri i personave të evakuuar në rang vendi është rreth 500, të cilët janë akomoduar në shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, në struktura të Ministrisë së Brendshme, si dhe në struktura hoteliere.
Vengu theksoi se strukturat do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, pasi pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, veçanërisht për shkak të erërave të forta në bregdet.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zonat bregdetare nga Durrësi deri në Vlorë të respektojnë kufizimet e lëvizjes, të shmangin qarkullimin me mjete dhe të qëndrojnë pranë banesave, me qëllim shmangien e aksidenteve.
Sa i përket shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ministri u shpreh se, pavarësisht mënyrës se si klasifikohet ajo, në nivel bashkiak, rajonal apo kombëtar, Forcat e Armatosura do të vijojnë të kryejnë detyrën e tyre me gatishmëri maksimale në terren, si dhe në procesin e konstatimit të dëmeve.
Ai shtoi se strukturat bashkiake do të angazhohen në vlerësimin e dëmeve, ndërsa, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, po përgatitet një paketë e konsiderueshme dëmshpërblimesh, si për sektorin bujqësor, ashtu edhe për banesat e dëmtuara.
Ministri bëri me dije se nesër, në orët e para të mëngjesit, do të zhvillohet një mbledhje e Emergjencave Civile Kombëtare, nën drejtimin e Kryeministrit, ku do të vlerësohen parametrat në mbarë vendin dhe përqendrimi i forcave për ditët në vijim, për shkak të situatës dinamike.
Ai theksoi se të shtunën priten reshje në të gjithë basenin e Vjosës, ndërsa menaxhimi i Kaskadës së Drinit do të vijojë të kryhet sipas protokolleve të përcaktuara. /j.p/
The post Vengu: 500 efektivë të FA të angazhuar në përballimin e problemeve nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.