Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Main stream

Gonxhja: Instrumente të reja financiare në shërbim të sportit dhe rinisë

30 January 2026 at 21:13

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dorëzoi sot flamurin kombëtar ekipit olimpik Team Albania që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore 2026, të cilat do të zhvillohen në datat 6-22 shkurt në Milano dhe Cortina d’Ampezzo të Italisë.

I pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Brigadave, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se po konsultohet në publik ligji i ri i sponsorizimeve, i cili do t’i japi një energji të munguar sportit.

“Do t’i hapim një dritare krejt tjetër dhe një mundësi krejt të re për të çliruar ato energji që deri më tani kanë qenë të munguara në shërbim të sportit. Do të kemi një instrument tjetër që do të sjell një fond i cili do të jetë një fond special, që do të jetë në shërbim të artit, kulturës, sportit. Ne të gjitha këto ia dedikojmë edhe rinisë në mënyrë direkte, sepse ku ka më shumë rini sesa në këto sfera”, tha Gonxhja.

“Gjithashtu sapo kaluam në qeveri, aktet nënligjore të lojërave të fatit, që do të bëjë të kemi shumë shpejt zbatueshmërinë e një ligji, i cili do të sjellë një divident të sigurt, të menjëhershëm, goxha të lartë për sportin. Kështu që jemi në prag të ditëve shumë të mira”, vijoi ai.

Ministri Gonxhja falënderoi presidentin e Federatës së Skive, duke e etiketuar një biznesmen të shkëlqyer. Gonxhja shprehu mirënjohjen edhe për figura të tjera sportive që lartësojnë emrin e Shqipërisë në këtë disiplinë sportive si Lara Colturi, Denni Xhepa, Semire Dauti dhe Elisa Brunga.

/e.i/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Instrumente të reja financiare në shërbim të sportit dhe rinisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulaj: Asnjë tolerancë për ndotjen e territorit

30 January 2026 at 21:05

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ka konstatuar një rast të depozitimit të paligjshëm të mbetjeve inerte në hapësirë publike.

Në njoftimin e bashkisë, thuhet se gjatë verifikimeve në terren, u identifikuan personat përgjegjës për këtë shkelje, të cilët u ndëshkuan administrativisht, ndërsa materialet procedurale u referuan pranë organeve kompetente për veprime të mëtejshme ligjore.

Në lidhje me këtë aksion, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, i cili ishte në krye të monitorimit të situatës, u shpreh se Policia Bashkiake vijon të kryejë me përkushtim detyrën për kontrollin e territorit.

“Policia Bashkiake Tiranë vazhdon të jetë në lartësinë e detyrës që i është besuar për kontrollin e territorit. Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje për çdo ndërtues apo kompani që të respektojë ligjin dhe të mos e shkelë atë. Bashkia e Tiranës monitoron në mënyrë të vazhdueshme territorin dhe ka nën vëzhgim çdo kantier ndërtimi”, deklaroi Sulaj.

Bashkia e Tiranës njofton se do të vijojë kontrollet intensive në terren dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të ndotjes së mjedisit apo shkeljes së ligjit në hapësirat publike.

/e.i/a.f/

The post Sulaj: Asnjë tolerancë për ndotjen e territorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lettieri: Gjyqtari të bëjë vlerësim autonom për paraburgimin, të arsyetojë pse nuk zbatohen masat alternative

30 January 2026 at 20:53

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot se “dyshimi i arsyeshëm” është një formulë që ka marrë më qafë shumë njerëz, duke mbajtur individë në burg pa gjyq.

Duke sjellë në vëmendje mesazhin e Nicola Lettierit, zëvendësprokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë, dhënë gjatë aktivitetit të djeshëm në Tiranë, Rama tha se kjo formulë ka marrë më qafë shumë njerëz që në fund kanë dalë të pafajshëm, po edhe të dërrmuar psikologjikisht, apo që mban sot nëpër burgje pa gjyq njerëz që nesër mund të dalin të pafajshëm.

Sipas Kreut të Ekzekutivit, çështja e paraburgimit është një ndër disa pikat mbi të cilat duhet reflektuar seriozisht, për ta bërë Shqipërinë një vend ku prezumimi i pafajësisë të mos dhunohet nga prezumimi i fajësisë.

Ndër të tjera, Lettieri u shpreh se ajo çfarë sugjerohet është që të përdoret në një dispozitë specifike, 228 e Kodit Penal, një formulim specifik i “bazës së arsyeshme” për prova apo indicie serioze në vend të formulimit aktual që është “dyshim i arsyeshëm”.

“Nuk ka një prag, një kufi të shprehur të veprës penale për t’u ndaluar. Prokurori mund ta kërkojë këtë gjë, gjyqtari mund ta miratojë masën e sigurimit për çdo vepër penale. Kjo nuk është koherente me të njëjtin Kod në Shqipëri sepse Neni 241, parashikon se masat e ndërmjetme apo ndaluese që janë më pak ndëshkuese se masa e paraburgimit, mund të zbatohen vetëm në procese që përfshijnë vepra penale të ndëshkueshme me ligj me një dënim me më shumë se 1 vit burg”, pohoi ai.

Zëvendësprokurori i përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë tha se njëherësh duhen mbajtur në fokus edhe kriteret e arsyetimit ligjor.

“Ajo çfarë kemi dashur të shmanget është që gjyqtari mund të miratojë një masë duke iu referuar vetëm kërkesës që vjen nga prokurori, pa bërë asnjë përpjekje për të parë dosjen dhe për të krijuar opinionin e tij, të shmangë formulat stereotipe. Ndaj ne sugjerojmë dy ndryshime, ndryshime në nenin 245. I pari është kur kërkohet paraburgim, gjykata duhet të kërkojë arsye specifike pse e konsideron këtë ndalim të përshtatshëm ose jo, duke e përcaktuar atë në nenin 237”, tha Lettieri, ndërsa theksoi se gjykata nuk mund të kufizohet në miratimin e kësaj mase dhe duhet të thotë shprehimisht pse masat alternative nuk mund të zbatohen.

Sipas tij, gjyqtari nuk mund t’i referohet vetëm kërkesës që vjen nga prokurori, por duhet të provojë se kryen një vlerësim/shqyrtim autonom dhe në qoftë se kjo nuk bëhet, atëherë gjykata e një shkalle më të lartë mund ta anulojë këtë masë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Lettieri: Gjyqtari të bëjë vlerësim autonom për paraburgimin, të arsyetojë pse nuk zbatohen masat alternative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Integrimi në BE, Pirdeni merr pjesë në Dialogun Politik në Romë

30 January 2026 at 19:58

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni mori pjesë në Dialogun Politik në Romë, mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Në njoftimin për shtyp thuhet se dialogu shërbeu si një platformë për diskutime të thelluara mbi sfidat e procesit të negociatave, me fokus të veçantë në fushat e shtetit të së drejtës.

Ministrja Pirdeni theksoi angazhimin e pandërprerë të Shqipërisë për të ruajtur ritmin e procesit të negociatave dhe për t’i qëndruar besnikë zotimit për mbylljen e negociatave në nivel teknik brenda vitit 2027.

/e.i/r.e/a.f/

The post Integrimi në BE, Pirdeni merr pjesë në Dialogun Politik në Romë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zvicra dhe Këshilli i Evropës, dy iniciativa të reja kundër korrupsionit në Shqipëri

30 January 2026 at 18:31

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Korrupsioni dhe pastrimi i parave vijojnë të mbeten ndër sfidat kryesore që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Zvicra, në partneritet me Këshillin e Evropës, ka nisur një mbështetje të re për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër këtyre fenomeneve dhe në përmirësimin e sundimit të ligjit.

Ambasada e Zvicrës, bën me dije se kjo mbështetje e re do të forcojë institucionet shqiptare për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit, duke punuar specifikisht me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, Zyrën e Menaxhimit të Pasurive dhe Zyrën e sapokrijuar të Rimëkëmbjes së Pasurive.

Në njoftimin e ambasadës zvicerane, theksohet se këto dy iniciativa të reja të nisura sot do të synojnë përpjekjet kundër korrupsionit në sektorin publik dhe luftën kundër pastrimit të parave të financuara përkatësisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike SECO.

“Luftimi i korrupsionit duhet të jetë një përparësi politike, ekonomike dhe shoqërore, dhe një qëllim i përbashkët dhe me të cilin angazhohemi të gjithë”, tha ambasadorja zvicerane Ruth Huber.

/e.i/r.e/a.f/

The post Zvicra dhe Këshilli i Evropës, dy iniciativa të reja kundër korrupsionit në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ShBA certifikon 11 ekspertë kompjuterikë nga Shqipëria e Kosova

30 January 2026 at 18:20

TIRANË, 30 janar/ATSh/ Përfaqësues të Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe Policisë së Kosovës kanë përfunduar një kurs intensiv pesëditor mbi ekzaminimet kompjuterike të pajisjeve celulare, duke u certifikuar në rikuperimin dhe analizën e avancuar të të dhënave digjitale.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në një njoftim ka uruar pjesëmarrësit nga Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës për përfundimin me sukses të këtij kursi pesëditor.

Sipas ambasadës, “ky program intensiv, i mbajtur në partneritet me Zyrën tonë Rajonale të Sigurisë dhe Zyrën e Ndihmës për Antiterrorin, mblodhi së bashku njëmbëdhjetë ekspertë të ekzaminimeve kompjuterike për të përvetësuar aftësitë e nevojshme për kryerjen e hetimeve në përputhje me ekspertizën ligjore”.

Ambasada e ShBA-së, cilëson se drejtuesi në detyrë i Zyrës së Sigurisë Rajonale, Jonathan Ellis, ishte i pranishëm për të përgëzuar të diplomuarit dhe për të vlerësuar angazhimin e tyre në fuqizimin e zbatimit të ligjit në hetimet digjitale.

Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve hetimore dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e sigurisë dhe hetimeve digjitale.


/e.i/a.f/r.e/

The post ShBA certifikon 11 ekspertë kompjuterikë nga Shqipëria e Kosova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 29 January 2026Main stream

KQZ diskutime për forcimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore

29 January 2026 at 22:30

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, së bashku me organizatën “Qëndresa Qytetare” zhvilluan një seminar për përmirësimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore dhe të hetimit administrativ.

Celibashi bën me dije se në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të organeve drejtuese të KQZ dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e zgjedhjeve.

Takimi u shfrytëzua si një platformë e strukturuar për diskutim dhe shkëmbim përvojash.

Sipas Celibashit, qëllimi kryesor i takimit ishte identifikimi i vështirësive të zbuluara në zgjedhjet e kaluara dhe prezantimi i propozimeve konkrete për forcimin e monitorimit të fushatave zgjedhore dhe të procesit të hetimit administrativ.

Gjatë punimeve u diskutuan tema të rëndësishme, si rekrutimi, trajnimi dhe certifikimi i monitoruesve të KQZ-së, metodologjia e monitorimit të fushatës zgjedhore, krijimi i një sistemi të aksesueshëm për gjurmueshmërinë e ankesave, rregullat e sjelljes gjatë periudhës zgjedhore dhe masat për parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike.

“Përmirësimi i këtyre mekanizmave synon ta bëjë monitorimin e procesit zgjedhor më efektiv, transparent dhe parandalues, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve. Të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet e paraqitura nga “Qendresa Qytetare” dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile do të merren parasysh nga KQZ gjatë rishikimeve të kuadrit ligjor për zgjedhjet e ardhshme”, tha Celibashi.


/e.i/r.e/a.f/

The post KQZ diskutime për forcimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Substanca toksike tek qumështi për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu

29 January 2026 at 22:12

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Qumështi për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA” është duke u hequr nga tregu, pas vendimit të marrë nga Agjencia e Kontrollit të Ushqimit (AKU).

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik se gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në qumështin formulë për foshnjat. Të dhënat e produktit:

AKU njofton se emri i produktit është APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED dhe data e skadencës është 10/11/2026.

Sipas njoftimit të AKU-së, trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.

AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

/e.i/r.e/a.f/

The post Substanca toksike tek qumështi për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Spaces in Dialogue”, 22 vite projekte arkitekturore në një ekspozitë

29 January 2026 at 20:54

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) është çelur ekspozita “Spaces in Dialogue”, një ekspozitë që sjell në vëmendje hapësirat, arkitekturën, kujtesën dhe përjetimin njerëzor.

Në çeljen e ekspozitës, i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se “Spaces in Dialogue” është një udhëtim në 22 vite projekte (2003–2025), të sjella si një arkiv i përbashkët.

Rama tha se “projektet konkurruese dhe fituese janë të integruara në skulpturën e sallës, ndërsa botimet origjinale mund të shihen në hapësirën tjetër”.

Sipas Ramës, ekspozita frymëzohet nga vepra e artistit konceptual gjerman Thomas Demand, që eksploron kujtesën kolektive përmes hapësirave dhe momenteve të rikrijuara.

Ekspozita “Spaces in Dialogue”, përcjellë te vizitorët një arkiv që nuk qëndron i heshtur, por ndërtohet, diskutohet dhe riformësohet.

Nëpërmjet tullave, mermerëve dhe dokumenteve arkitekturore, COD sjell në këtë ekspozitë 22 vite konkurse arkitekturore që kanë lindur nga dialogu dhe përgjegjësia kolektive.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 shkurt.

/e.i/r.e/a.f/

The post “Spaces in Dialogue”, 22 vite projekte arkitekturore në një ekspozitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e shoferëve të kamionëve, zhbllokohet pika kufitare e Qafë Thanës

29 January 2026 at 20:24

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme nis zhbllokimi i pikës kufitare të Qafë Thanës dhe i të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë bën me dije se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se protesta e nisur që prej datës 26.01.2026, nga shoferët e kamionëve, do të pezullohet sot më datë 29.01.2026 dhe në orën 20:00, në të gjitha pikat kufitare që lidhen me Maqedoninë e Veriut do të fillojë qarkullimi normal i kamionëve.

Bllokada u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve në 10 pika kufitare, në kundërshtim të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen.

Zgjidhja erdhi pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili do të lëshojë viza për transportuesit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Protesta e shoferëve të kamionëve, zhbllokohet pika kufitare e Qafë Thanës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manjani: Prodhuesit shqiptarë të rrisin përdorimin e inovacionit

29 January 2026 at 19:03

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) organizoi ditën e sotme një aktivitet në kuadër të prezantimit të platformës ExportON 2026.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, e pranishme në këtë tryezë, theksoi nevojën që prodhuesit shqiptarë të kalojnë në një nivel më të avancuar, përmes zinxhirëve të prodhimit me cikël të mbyllur, rritjes së përdorimit të inovacionit dhe forcimit të infrastrukturës së cilësisë sipas standardeve të BE-së.

Në aktivitetin e organizuar nga AIDA u mblodhën përfaqësues të institucioneve qendrore, autoriteteve rregullatore, sistemit financiar, organizatave të biznesit dhe sipërmarrjeve prodhuese e eksportuese, duke krijuar një platformë gjithëpërfshirëse dialogu mbi sfidat dhe perspektivat e sektorit.

Nga ana e qeverisë dhe institucioneve qendrore morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë, si dhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave dhe Metrologjisë, të cilët adresuan çështje fiskale, doganore, monetare dhe të infrastrukturës së cilësisë, me ndikim të drejtpërdrejtë në prodhim dhe eksport.

Në tryezë kontribuuan gjithashtu Këshilli Ekonomik Kombëtar, Pro Export Albania, përfaqësues të industrisë së çimentos, industrisë së plastikës, si dhe shoqata të tjera të sektorëve të manifakturës, duke sjellë problematika konkrete dhe propozime për politika mbështetëse.

Gjatë diskutimeve u identifikuan sfida kryesore si mungesa e fuqisë punëtore, kostot e certifikimeve dhe teknologjisë, çmimet e energjisë dhe sfidat mjedisore.

/e.i/a.f/

The post Manjani: Prodhuesit shqiptarë të rrisin përdorimin e inovacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marshim ndërfetar në Elbasan për paqen dhe mjedisin

29 January 2026 at 18:01

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Sheshi para stadiumit “Elbasan Arena” u kthye këtë të enjte në një pikëtakim të institucioneve, komuniteteve fetare, arsimit dhe qytetarëve, në kuadër të aktivitetit ndërgjegjësues “Mjedisi – përgjegjësi e përbashkët për paqen dhe jetën”, organizuar nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar (QBNFE).

Marshimi u parapri nga një aktivitet, që u hap nën moderimin e Ilirian Gjonit, anëtar i Bordit të QBNFE, ndërsa fjalën e mbajti dr. Arben Ramkaj, kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar. Në fjalën e tij, dr. Ramkaj theksoi se mjedisi nuk është një çështje e largët, por pjesë e drejtpërdrejtë e jetës së përditshme, duke nënvizuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa një mjedis të shëndetshëm.

“Paqja fillon aty ku njeriu kujdeset për jetën, për shëndetin e tjetrit dhe për të ardhmen e brezave që vijnë,” u shpreh Ramkaj, duke bërë thirrje për bashkëpunim konkret mes institucioneve, komuniteteve fetare dhe qytetarëve.

Në vijim, pjesëmarrësit ndoqën fjalimet e përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe qendror, ku u trajtuan politikat mjedisore, zhvillimi i qëndrueshëm dhe roli i qytetarit në mbrojtjen e natyrës. Mes tyre, drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, vlerësoi Elbasanin si një model të bashkëjetesës, tolerancës dhe ndërveprimit mes njerëzve përtej besimit të tyre, duke theksuar se kjo harmoni sociale është një vlerë e jashtëzakonshme që duhet ruajtur dhe forcuar, veçanërisht në kohët e sotme.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja theksoi angazhimin e vazhdueshëm të bashkisë në mbrojtje të mjedisit, përmes shtimit të sipërfaqeve të gjelbra, investimeve në hapësira publike dhe futjes së modeleve të suksesshme të diferencimit të mbetjeve në shkolla. Ai nënvizoi se këto iniciativa synojnë ta bëjnë Elbasanin një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të jetueshëm për qytetarët dhe veçanërisht për fëmijët.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla e cilësoi mjedisin si një prioritet strategjik kombëtar, duke theksuar se toka është pasuri e përbashkët dhe amanet për brezat që vijnë. Ai bëri thirrje për përgjegjësi të përbashkët në ruajtjen e tokës dhe natyrës, si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies shoqërore.

Ndërkohë, kryetarja e këshillit të qarkut Elbasan, Ermira Urupi e vuri theksin te përgjegjësia morale, personale dhe qytetare për mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se respekti për natyrën është një detyrim që u përket të gjithëve dhe që reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e jetës.

Në vijim, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, theksoi se shkollat kanë një rol të rëndësishëm në edukimin e qytetarit të ri. Ajo nënvizoi se të gjithë së bashku duhet të mblidhemi dhe të veprojmë si një trup i vetëm për të edukuar brezin e ri dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të arsimit dhe edukimit mjedisor, me kontribute nga drejtues të institucioneve arsimore dhe prezantimin simbolik të nxënësve të shkollës “Qamil Guranjaku”, të cilët përcollën mesazhe ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit dhe formimin e qytetarit të përgjegjshëm.

Marshimi dhe aktiviteti u përshëndetën gjithashtu edhe nga përfaqësues të komuniteteve fetare në qytet, të cilët përcollën mesazhe të përbashkëta për paqen, bashkëjetesën, tolerancën dhe kujdesin ndaj mjedisit si vlerë e përbashkët shoqërore.

Pas fjalimeve, aktiviteti vijoi me një marshim simbolik përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, me ndalesa pranë busteve të figurave të shquara të qytetit. Në këto ndalesa, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të arsimit reflektuan mbi raportin mes besimit, shkencës dhe ruajtjes së ekuilibrave natyrorë, duke përcjellë mesazhe të përbashkëta për kujdesin ndaj “shtëpisë sonë të përbashkët”.

Aktiviteti u mbyll në sheshin “Aqif Pasha” me thirrje për aktivizëm qytetar dhe veprime konkrete në mbrojtje të mjedisit, si dhe me një moment artistik të interpretuar nga Lukë Mllugja. Në përmbyllje, u përcoll urimi për një vit 2026 më të gjelbër, më të shëndetshëm dhe më të qetë për qytetin e Elbasanit.

Nga marshimi ndër fetar në Elbasan
1 nga 5

/e.i/a.f/r.e/

The post Marshim ndërfetar në Elbasan për paqen dhe mjedisin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: 140 tekste të arsimit parauniversitar në proces përditësimi, 44 në gjuhë të huaj

29 January 2026 at 17:37

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi sot, se 140 tekste të arsimit parauniversitar janë në proces përditësimi, mes tyre 44 janë në gjuhë të huaj.

Në një takim me stafin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), Kumbaro tha se po bëhet një punë voluminoze, me ekspertët më të mirë, për 140 tekste që po përditësohen për vitin e ardhshëm shkollor, duke përfshirë 44 tekste në gjuhë të huaj, por edhe për tekste krejtësisht të reja si Qytetaria dhe Gjuha Shqipe në klasat I, VI dhe X.

“Kjo agjenci ka në dorë dhe në zemër cilësinë e shkollës, përgatitjen e të gjithë kurrikulave, lëndëve, formimin e fëmijëve tanë, por dhe formimin e mësuesve të fëmijëve tanë”, tha Kumbaro.

Ministrja e Arsimit, pohoi se pas një periudhe 10-vjeçare ka ardhur koha për të përditësuar kurrikulat e reja në arsimin parauniversitar.

“Janë 140 tekste që do të përditësohen, është një punë që nuk ka orar. Është një punë që bëhet nga ekspertë më të mirë lëndëve dhe kurrikulave në Shqipëri. Sivjet, për herë të parë ne do të bëjmë lëndë të reja, siç është Edukimi Qytetar për klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë”, vijoi ajo.

Sipas Kumbaros, do të ketë përditësim edhe në lëndën e gjuhës shqipe dhe lëndët e teknologjisë së informacionit që nga klasa e parë fillore, deri në maturë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Kumbaro: 140 tekste të arsimit parauniversitar në proces përditësimi, 44 në gjuhë të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSBE mirëpret ndryshimet në Ligjin për Mediet Audiovizive: Rrisin transparencën mbi pronësinë mediatike

29 January 2026 at 18:04

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Prezenca e OSBE-ODIHR në Shqipëri mirëpret miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Mediet Audiovizive, veçanërisht futjen e nenit 33/1 mbi transparencën e pronësisë së medieve.

Në një njoftim për mediet, OSBE thekson se “këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të transparencës së pronësisë mediatike dhe forcimit të llogaridhënies në sektorin audioviziv”.

“Këto ndryshime reflektojnë rekomandime kyçe të Prezencës së OSBE-së, të zhvilluara në bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të shkëlqyer me Autoritetin e Mediave Audiovizive”, thuhet në njoftim.

Sipas OSBE-së, krijimi i një databaze kombëtare për pronësinë mediatike, rritja e kërkesave për transparencë dhe përputhja me ligjin për pronarët përfitues e afrojnë legjislacionin shqiptar me standardet evropiane.

Prezenca e OSBE-së, nënvizon se nxit përpjekje të vazhdueshme për të siguruar transparencë dhe zbatim efektiv dhe mbetet e gatshme të mbështesë këto nisma.

/e.i/a.f/r.e/

The post OSBE mirëpret ndryshimet në Ligjin për Mediet Audiovizive: Rrisin transparencën mbi pronësinë mediatike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama: Instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, të adresojmë përthithjen e fondeve

28 January 2026 at 15:30

TIRANË, 28 janar/ATSh/ Kryeministri Edi Rama, deklaroi se çështja e procedurave eksportuese dhe lehtësimi i korridoreve logjistike për të ulur koston dhe kohën e transportit, mbetet një prej çështjeve më të rëndësishme.

Në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro për herë të parë ditën e sotme u prezantua platforma ExportOn.

Rama tha janë vendosur instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, duke ulur riskun e tyre përballë bankave tregtare.

“Thithja e këtyre fondeve është shumë e ulët krahasimisht me çfarë do donim të ishte. Qoftë për linjën e kreditimit të Bankës së Shqipërisë, qoftë për çfarë do të fillojë të bëjë Banka e re e Zhvillimit duhet të kuptojmë ekzaktësisht prej jush ku është pika e dobët dhe si ta adresojmë në mënyrë që këto instrumente të jenë sa më të arritshëm nga ju dhe që ne të mund të fusim në dizpozicionin tuaj sa më shumë fonde”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “linja e kreditimit e Bankës së Shqipërisë është “pa limit”, po të kemi parasysh sa larg jemi nga thithja e pjesës së parë të fondeve që është vënë në dispozicion”.

Kryeministri e mbylli fjalën duke iu kujtuar kompanive rëndësinë e investimit në burime njerëzore.

“Kompanitë shqiptare po e kuptojnë vetë, por përsëri mund ta adresojnë shumë më shpejt dhe më mirë dhe me më shumë përfitim. Përpara disa vitesh, u publikua një listë e kompanive më të mëdha globale dhe ecja e tyre në 10 vite. Dhe ishte diçka e jashtëzakonshme ajo pasqyrë për të parë lidhjen e drejtpërdrejtë mes investimit në burimet njerëzore, trajnimeve, kualifikime të mbështetura financiarisht. Të gjitha ato kompani që në fillim të 10 viteve kishin investuar më pak në burimet njerëzore, kishin ardhur me rënie në raport me kompanitë që kishin investuar në burime njerëzore”, tha Rama, duke theksuar se kjo është e rëndësishme edhe në kuadër të sfidës së integrimit evropian.

/e.i/j.p/

The post Rama: Instrumente të rinj financiarë posaçërisht për ndërmarrjet eksportuese, të adresojmë përthithjen e fondeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Forcim i kuadrit rregullator në industrinë ushtarake, përmbyllim kapitullin 30 të negociatave me BE

28 January 2026 at 11:25

TIRANË, 28 janar/ATSh/ Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike u shqyrtuan ditën e sotme, dy projektligje të cilat u bashkuan në një të vetëm, projektligji, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, si nismë e Këshillit të Ministrave dhe si nismë e deputetit të PS, Ilirian Pendavinji.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, tha se ky projektligj është pjesë e paketës që synon të forcojë kuadrin rregullator të Shqipërisë në fushën e industrisë ushtarake, zinxhirëve të furnizimit dhe kontrollin e transferimeve të mallrave ushtarake me përdorim të dyfishtë.

“Ligji aktual ka funksionuar për shtatë vite e gjysmë, por mjedisi ndërkombëtar ka ndryshuar ndjeshëm. Rritja e teknologjive kibernetike, përdorimet jo fizike të teknologjisë, përdorimi i mallrave të dyfishtë për qëllime jo të ligjshme, të gjitha këto krijojnë sfida të reja që kërkojnë kuadër rregullator më të avancuar ndaj rrezikut dhe mënyrës si kontrollohen eksportet”, tha Vengu.

“Projektligji harmonizon plotësisht kuadrin rregullator vendas me atë të BE-së, sjell forcimin e mekanizmave të kontrollit, forcim të riskut, parandalim të devijimit të mallrave me përdorim të dyfishtë dhe rritjen e sigurisë juridike për autoritetet  rregullatore”, pohoi Vengu.

Ministri Vengu u ndal edhe te risitë e këtij projektligji, duke renditur disa të tilla si kontrolli i teknologjive të reja dhe transferimet jo fizike, përfshirjen për herë të parë të software-ve, teknologji kibernetike, transmetime elektronike dhe aksese në distancë duke mbushur boshllëqe në ligjin ekzistues.

“Përfshihen në këtë projektligj edhe elemente të të drejtave të njeriut në procesin e licencimit. Vlerësimi i rrezikut përfshin përdorimin e mundshëm për survejim, shkelje të ligjeve themelore, dhe në këtë mënyrë forcojmë kuadrin rregullator për sa i përket licencimit. Kemi edhe një linjëzim me rregullatorin e BE-së për sa i përket mekanizmit “catch all”, ku autoriteti licencues mund të ndërhyjë në treg edhe për mallra jo të listuar, ku ekziston një rrezik real devijimi dhe entet ligjzbatuese mund të kryejnë bllokime përkatëse”, tha Vengu.

Vengu shtoi se “përgjegjësia e rregullatorëve ekonomikë, forcohet me programet e përputhshmërisë së brendshme dhe me kontrollet afatgjatë”.

Sipas tij, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe afatgjatë, synon që të përmirësojë shkëmbimin e informacionit nëpërmjet autoriteteve ligjzbatuese.

“Një risi ka të bëjë me regjimin e licencave. Projektligji krijon një bazë ligjore për licencat e përsëritura, një kërkesë e hershme kjo e tregut. Identifikohen edhe kategoritë e operatorëve me rrezik të ulët, edhe licencim për programe afatmesme në aktivitetin prodhues të industrisë ushtarake”, vijoi Vengu.

Ministri i Mbrojtjes shtoi se ky është projektligji i parë që sillet në Kuvend dhe që përmbush piketat përfundimtare të kapitullit 30 për Politikën e Jashtme, i cili, si u shpreh ai “synohet të jetë kapitulli i parë që përmbyllim si Qeveri në kuadër të negociatave me BE-në”.

Nga ana e tij, relatori Ermal Pacaj në emër të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, u shpreh se projektligj është në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe atë të BE-së.

Projektligjet u miratuan me shumicë votash pro.

/e.i/j.p/

The post Vengu: Forcim i kuadrit rregullator në industrinë ushtarake, përmbyllim kapitullin 30 të negociatave me BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala me homologen austriake: Marrëveshje e re bashkëpunimi në shëndetësi deri në 2030

28 January 2026 at 09:33

TIRANË, 28 janar/ATSh/ Në vijim të vizitës zyrtare në Vjenë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi një takim me homologen austriake, ministren Federale për Punën, Çështjet Sociale, Shëndetësinë, Kujdesin dhe Mbrojtjen e Konsumatorit të Austrisë, Korinna Schumann.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi fusha të mundshme për bashkëpunim, përfshirë hartimin e një marrëveshjeje të re bashkëpunimi në shëndetësi për periudhën 2026–2030, si dhe modernizimin e infrastrukturës shëndetësore, me investime strategjike në shërbimet e urgjencës mjekësore, teknologji të avancuar mjekësore dhe reformën e sistemit spitalor.

Në një njoftim për mediet, MShMS bëri të ditur se mbetet e angazhuar për të thelluar më tej partneritetin me Austrinë, me synim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët.

Ndërkohë, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, ministrja Sala zhvilloi ditën e djeshme një takim në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Sipas MShMS, në partneritet me Agjencinë, po investohet te njerëzit dhe te inovacioni i sigurt, duke udhëhequr me përgjegjësi dhe duke vendosur standarde për përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore.

/e.i/j.p/

The post Sala me homologen austriake: Marrëveshje e re bashkëpunimi në shëndetësi deri në 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lakrori në saç në Korçë, përvojë unike që tërheq çdo ditë vizitorë e turistë

28 January 2026 at 09:00

TIRANË, 28 janar/ATSh/ Lakrori me dy peta i pjekur në saç, i konsideruar si një prej gatimeve tradicionale korçare, tashmë vjen edhe si pjesë e turizmit kulinar, ku vendasit dhe të huajt mund të shohin nga afër mënyrën e përgatitjes.

Ky gatim tradicional ka qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës sociale në Korçë, në festa familjare, pritje miqsh dhe aktivitete komunitare. Sot, lakrori në saç është shndërruar edhe në një atraksion gastronomik për turistët, të cilët e kërkojnë gjithnjë e më shumë si pjesë të përvojës autentike korçare.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga përgatitja e lakrorit në sipërmarrjen “Shija e saçit”, që ndodhet në zemër të Pazarit të Vjetër të Korçës, gatuar me dashuri nga Edlira dhe Gramoz Shelanji.

Rama tha se çifti Shelanji mbajnë gjallë një nga traditat më të bukura korçare, një përvojë unike që tërheq çdo ditë vizitorë e turistë.

Ndërkohë, Edlira shprehet se kjo traditë është trashëguar nga gjyshet e saj.

“Ato e bënin lakrorin në saç dhe unë kam vendosur ta vazhdoj këtë traditë. Puna ime është e bazuar në prodhime me dorë. Okllaija është i trashëguar prej 200 vjetësh. E kanë trashëguar gjyshet e mia dhe gjyshet e tyre dhe ajo okllai ka ecur brez pas brezi”, tha ajo.

“Ushqimi ynë është shumë i pëlqyer nga turistët e huaj, që duan të hanë diçka tradicionale. Shumë prej tyre na filmojnë dhe gjatë procesit. Ndërkohë, që unë përgatis lakrorin, Gramozi merret me pjekjen. Të huajt i impresionon mënyra si piqet. Marrim falënderime nga klientët tanë dhe unë ndihem shumë e kënaqur”, tha Shelanji.

Në një kohë kur kuzhina moderne po merr gjithnjë e më shumë terren, lakrori në saç mbetet një dëshmi e gjallë e ruajtjes së identitetit kulturor dhe kulinar të Korçës, duke dëshmuar se shijet tradicionale vazhdojnë të kenë vend të veçantë në kulturën shqiptare.

/e.i/j.p/

The post Lakrori në saç në Korçë, përvojë unike që tërheq çdo ditë vizitorë e turistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e ShBA-ve citon Rubio-n: Shqipëria, ndër të paktat vende ku hebrenjtë gjetën strehim

27 January 2026 at 14:45

TIRANË, 27 janar/ATSh/ Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vuri në dukje se ShBA-të mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizimin dhe shtrembërimin e Holokaustit.

Në këtë ditë të përkujtimit të viktimave të Holokaustit, ambasada e ShBA-ve nderon gjashtë milionë viktimat hebreje të Holokaustit dhe rithekson përgjegjësinë e përbashkët për të kujtuar të kaluarën dhe për të punuar drejt një të ardhmeje pa dhunë dhe urrejtje.

Në njoftim, ambasada nënvizon një thënie të Sekretari Rubio, i cili është shprehur se “antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë”.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizmin dhe shtrembërimin e Holokaustit. Ne e njohim historinë e veçantë të Shqipërisë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim, falë guximit të shqiptarëve të zakonshëm”, citohet sekretari Rubio.

Ambasada e ShBA-ve, thekson se mirëpret partneritetin e vazhdueshëm të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi nga ana e vendit tonë vitin e kaluar i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, të cilat çojnë përpara drejtësinë dhe kompensimin për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005 caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.

Kjo ditë ndërkombëtare është një kujtesë globale për rreziqet e urrejtjes, fanatizmit dhe antisemitizmit. Dita është një thirrje për të kujtuar, reflektuar dhe ndërmarrë veprime për të siguruar që mizori të tilla të mos ndodhin më kurrë. Kjo ditë kremtohet me ngjarje dhe aktivitete përkujtimore në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork dhe zyrat e Kombeve të Bashkuara në të gjithë botën.

/e.i/j.p/

The post Ambasada e ShBA-ve citon Rubio-n: Shqipëria, ndër të paktat vende ku hebrenjtë gjetën strehim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Digjitalizimi ka reduktuar kontaktin mes biznesit dhe administratës tatimore

27 January 2026 at 12:58

TIRANË, 27 janar/ATSh/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot, se shërbimet digjitale që ka Shqipëria janë vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare.

Në një replikë në Kuvend, me deputeten e PD-së, Jorida Tabaku, ministrja Ibrahimaj tha se të flasësh pa baza është kollaj.

“Ne jemi të tetët në Evropë për sa i përket ofrimit të shërbimeve digjitale. Ne jemi të 17-ët në botë për sa i përket ofrimit të shërbimeve digjitale. Veprat janë vepra, faktet janë fakte. Sistemet e ndërtuara kanë ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, sistemet e ngritura për ofrimin e shërbimeve të bizneseve kanë reduktuar kohë dhe para”, tha Ibrahimaj.

“Dhe të gjithë bizneset e kanë mbështetur digjitalizimin pasi në çdo rast ka reduktuar kohë, para, ka rritur eficiencën dhe ka reduktuar kontaktin mes biznesit dhe administratës”, vijoi ajo.

Ministrja Ibrahimaj konfirmoi faktin që përpara disa ditësh ka pasur një problematikë në ofrimin e shërbimeve për sa i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Sipas Ibrahimajt, ky disfunksionalitet ka ardhur si pasojë e disa ndërhyrjeve në rrjetin e energjisë elektrike pa asnjë lidhje me sistemin e tatimeve.

“Ndërkohë që për disa biznese që mbeten pa shërbim, për ta është portali selfcare, i cili i ofron shërbim bizneseve të cilët deklarojnë 1 ose 2 fatura në muaj dhe koha për ta deklaruar është deri në 10 shkurt”, informoi ministrja.

“Pra, asnjë disfunksionalitet në ofrimin e shërbimeve, nuk ka ardhur. Të vërtetat janë aty, sistemet e ndërtuara janë aty dhe eficienca e ofrimit të shërbimeve është rritur me shumëfish herë”, përfundoi Ibrahimaj.

/e.i/j.p/

The post Ibrahimaj: Digjitalizimi ka reduktuar kontaktin mes biznesit dhe administratës tatimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌