Vengu: Ushtria ndërtohet mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale
TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh sot se Forcat e Armatosura që kërkon NATO dhe që meriton Shqipëria ndërtohen mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale.
Ministri Vengu e bëri këtë deklaratë gjatë ceremonisë së betimit të studentëve në Akademinë e Forcave të Armatosura, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti Bajram Begaj.
Duke iu drejtuar ushtarëve të rinj, Vengu tha se “kur u rreshtuat për herë të parë në këtë shesh, përpara se të shpërndaheshit për stërvitjen tuaj bazë, secili prej jush ishte një emër i ri në rreshtimin e parë. Sot, teksa qëndroni këtu për të bërë betimin, jeni pjesë e një trupi të përbashkët”.
“Sot jeni pjesë e forcave të gjalla të këtij kombi, pjesë e një familjeje të madhe qytetarësh që besojnë se siguria, stabiliteti dhe e ardhmja e këtij vendi mbrohen nga përkushtimi juaj. Ju jeni garantët e këtij besimi. Forcat e Armatosura nuk janë thjesht një strukturë. Ato janë një trup besimi, disipline dhe përgjegjësie. Një përkatësi që do t’ju shoqërojë gjatë gjithë jetës në shërbim dhe në karakter”, tha Vengu.
“Është për t’u vlerësuar fakti që i bashkoheni Forcave të Armatosura vullnetarisht, në një kohë kur kontinenti dhe rajoni ynë përballen me sfida të mëdha dhe shumë vende po rikthejnë shërbimin e detyrueshëm. Ju nuk jeni këtu sepse ju është kërkuar, ju jeni këtu sepse keni zgjedhur të jeni. Dhe kjo zgjedhje ka peshë morale, shoqërore dhe strategjike. Por kjo zgjedhje nuk fillon sot. Ajo mbështetet mbi breza ushtarakësh që shërbyen në kushte shumë më të vështira, me më pak mjete, por me të njëjtin përkushtim. Ata janë kujtesa se shërbimi ushtarak është një rrugë nderi, por edhe sakrifice”, vijoi ai.
Vengu u shpreh se “fuqia luftarake nuk matet vetëm me teknologji apo pajisje. Ajo matet mbi të gjitha me kapitalin njerëzor me karakterin, disiplinën, aftësinë për të vepruar nën presion dhe për të marrë vendime të drejta kur kushtet janë të vështira”.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, “Forcat e Armatosura që kërkon NATO dhe që meriton Shqipëria ndërtohen mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale”.
“Programi strategjik “Mbrojtja 2030” mbështetet mbi dy shtylla të qarta kapitalin njerëzor dhe infrastrukturën kritike. Investimet në Akademinë e Forcave të Armatosura, në qendrat stërvitore, laboratorët, poligonet dhe sistemet moderne të trajnimit nuk janë luks. Ato janë domosdoshmëri për një ushtri moderne, të besueshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë”, tha Vengu.
“Sot, Akademia e Forcave të Armatosura është një nga institucionet më serioze të arsimit të lartë në vend. Por asnjë reformë nuk funksionon pa njerëzit që e mbushin me përmbajtje. Çdo kadet dhe student ushtarak që zgjedh këtë rrugë është pjesë e këtij transformimi. Ju jeni prova se ky vizion po funksionon. Karakteri ndërtohet në stërvitje të lodhshme, në disiplinë të përditshme, në net pa gjumë dhe në momente presioni”, cilësoi ai.
Ministri Vengu tha se në radhët e ushtarëve të rinj ka edhe kadetë e studentë nga Kosova, që po formohen me të njëjtat standarde dhe vlera.
“Ky edukim i përbashkët nuk është retorikë. Është ndërtim real besimi, ndërveprueshmërie dhe sigurie rajonale. Nesër, në misione reale, kjo përkthehet në kohezion, efektivitet dhe sukses operacional. Ju po përmbyllni fazën e parë të rrugëtimit tuaj ushtarak. Përpara jush janë mundësi për arsimim të mëtejshëm, trajnime brenda dhe jashtë vendit, zhvillim profesional dhe përgjegjësi drejtuese. Sot, Forcat e Armatosura janë më shumë se ushtri. Ato janë shtyllë e mbrojtjes kombëtare, përfshirë edhe dimensionin kibernetik vendimtar për sigurinë e shekullit XXI”, theksoi Vengu.
Në fund të fjalës së tij, Vengu i falënderoi ushtarët e rinj në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për gatishmërinë e tyre për të shërbyer.
/e.i/j.p/r.e/
The post Vengu: Ushtria ndërtohet mbi njerëz të përgatitur dhe struktura funksionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.