Sejko takim me gazetarët, ndahet ”Çmimi i Guvernatorit për diplomën më të mirë për vitin 2025”
TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me publicistë, analistë, gazetarë dhe përfaqësues të shtypit të shkruar e medias elektronike në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e komunikimit të qartë, të saktë dhe profesional në një mjedis ekonomik dhe financiar gjithnjë e më kompleks, duke vënë në dukje se bashkëpunimi me median është thelbësor për transparencën dhe mirëkuptimin publik të politikave të bankës qendrore.
Guvernatori Sejko nënvizoi se media ka një rol të pazëvendësueshëm në shpjegimin e vendimmarrjes monetare dhe financiare.
Ai u ndal gjithashtu në ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025, duke theksuar se ajo ka vijuar të shfaqë rritje të qëndrueshme, një treg pune të fortë dhe inflacion të ulët, në kushtet e një mjedisi të jashtëm të pasigurt.
Në këtë kontekst, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka qenë e kujdesshme dhe e orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit, duke synuar një ekuilibër të qëndrueshëm mes kontrollit të inflacionit dhe mbështetjes së rritjes ekonomike.
“Vendimet tona kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe të bizneseve, ndaj transparenca dhe shpjegimi i tyre mbeten një prioritet i vazhdueshëm për Bankën e Shqipërisë.”, theksoi ai.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të medias në luftën kundër dezinformimit financiar, ku Guvernatori e cilësoi median profesionale si një partnere të rëndësishme në rritjen e kulturës ekonomike dhe financiare në vend.
Ai nënvizoi se dialogu i hapur dhe kritik me gazetarët dhe analistët kontribuon në forcimin e llogaridhënies dhe të besueshmërisë institucionale, elemente thelbësore këto për stabilitetin ekonomik afatgjatë.
Një pjesë e veçantë e aktivitetit iu kushtua ndarjes së Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2025, si dëshmi e angazhimit të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e kërkimit shkencor dhe ekselencës akademike.
Këtë vit, në këtë konkurs aplikuan 38 studentë me punime universitare dhe master, që trajtonin tema me rëndësi për politikëbërjen ekonomike dhe financiare në vend.
Studimi vlerëson ndikimin e politikës monetare mbi të ardhurat nga puna gjatë periudhës 2014–2024 dhe ndihmon në kuptimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare në tregun e punës.
Çmimi i Tretë iu akordua studentes Eris Hoti, nga King’s College London, MSc Financial Policy and Regulation, për temën “Bank Size and Competition in Albania: Evidence from the Panzar and Rosse Model”.
Teza analizon konkurrencën në sektorin bankar shqiptar dhe evidenton dallimet në sjelljen konkurruese sipas madhësisë së bankave.
Në përmbyllje, Guvernatori Sejko përgëzoi fituesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për nivelin e lartë të punimeve, duke i inkurajuar ata të ruajnë një lidhje të vazhdueshme me Bankën e Shqipërisë dhe të kontribuojnë në të ardhmen me dije dhe profesionalizëm në zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit.
/k.s/a.f/
Fituesit e Çmimit të Guvernatorit për vitin 2025 janë:
- Çmimi i Parë iu akordua studentes Guina Shkëmbi, nga Frankfurt School of Finance and Management, për temën e masterit “The Current Road to SEPA: Assessing Compliance Challenges and Economic Impact in Albania”. Studimi analizon përfitimet ekonomike të integrimit në SEPA, sfidat rregullatore dhe operative, si dhe nivelin e përputhshmërisë së sistemeve të pagesave në Shqipëri me standardet evropiane, duke ofruar rekomandime konkrete për përshpejtimin e këtij procesi.
Çmimi i Dytë iu akordua studentes Eva Billa, nga Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës, për temën “Efektet e Politikës Monetare në të Ardhurat nga Puna në Shqipëri”.
The post Sejko takim me gazetarët, ndahet ”Çmimi i Guvernatorit për diplomën më të mirë për vitin 2025” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.