Berisha: Kam kërkuar hetim ndërkombëtar për 21 Janarin, Garda zbatoi ligjin
TIRANË, 21 janar /ASTh/ Sot bëhen 15 vite nga protesta e “21 Janarit” ku u vranë katër protestues në bulevard para Kryeministrisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, asokohe kryeministër, tha se ajo ishte “protesta më e dhunshme në historinë e vendit, e dokumentuar dhe e faktuar”.
Gjatë një konference për median, Berisha tha se protesta ishte “me agjendë politike”, siç thonë dokumentet ndërkombëtare.
“Ishte protesta e thirrur mbi bazën e falsifikimit të tmerrshëm, të një regjistrimi të bërë nga Dritan Prifti, ku flitej për një letër në mos gaboj të një pronari, fitues tenderi për një HEC që e kishte marrë me gjykatë, jo nga ne. Gjykata ia kishte marrë një kompanie italiane dhe dhënë këtij, por vendimi i gjykatës duhej zbatuar, shkruhej në shkresë: “I nderuar ministër, për këtë vonesë që po më bëhet, 3 muaj pa u zbatuar vendimi i gjykatës, sipërmarrja ime ka humbur 700 e ca mijë euro”.
“Dhe fjalën 700 e ca mijë euro, që Ilir Meta i thotë Dritan Priftit, që jepja, zbato vendimin e gjykatës, e transformuan sikur ky i kishte marrë apo po i kërkonte 700 mijë euro kompanisë”, tha Berisha.
Kreu i PD tha se protesta kishte dhe një mesazh politik: “Prano zgjidhjen politike, – më thotë mua, – ose do kalohet mbi kufoma”.
Berisha shton se ka kërkuar hetim të plotë ndërkombëtar për ngjarjet e “21 Janarit”.
“Janë disa deklarata të qeverisë amerikane, por dhe të institucioneve ndërkombëtare ku kërkohet hetimi i plotë i këtij zhvillimi nga polici i thjeshtë dhe deri tek organizatorët kryesorë”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së nënvizoi se Garda ka qëlluar në zbatim të ligjit.
“Ina Rama e hetoi çështjen, por nuk guxoi kurrë të thërrasë Edi Ramën. Nuk gjeti asnjë shkak, se aty kishte qëllime, ku Garda qëlloi në kushtet e ligjit. Garda ka zbatuar ligjin”, tha Berisha.
I pyetur nëse ka ndonjë përgjegjësi morale për “21 Janarin”, Berisha u përgjigj: “Nuk është përgjegjësia ime. Unë trajtova me standardet më demokratike 752 protesta të opozitës në të katra anët e vendit, pa asnjë cenim, por në përputhje me rregullat e një vendi demokratik”.
Berisha tha se ka patur plumba e gurë në dritaret e Kryeministrisë të hedhura nga protestuesit.
“Përgjegjësia ime, se hidhnin gurë dhe plumba? E mohoi sot (kryeministri Rama – shën. i red.), por ato janë në dritare, të dokumentuara, plumbat dhe revolet e tyre janë të dokumentuara, drejt kryeministrit që ishte në detyrë. Nuk blindoja dyer unë. Nuk lëshoja zyrën unë, nuk bëja këtë frikacak që ia mbath”, tha Berisha.
Ish-kryeministri tha se ka realizuar zgjedhjet sipas kërkesave të OSBE-ODIHR, zgjedhjet që plotësuan standardet kryesore ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira.
Berisha shtoi se ishte duke punuar dhe kishte refuzuar dhe kërkesën për t’u evakuuar. “Edi Rama qëndronte në kullën karshi dhe priste çastin që të vinte në zyrën time dhe t’ju mbante fjalim pushtuesve poshtë. Por ai nuk mund të merrte kurrë”.
Berisha shtoi më tej se 21 Janari “është ngjarje fatkeqe shumë dhe kam kërkuar që atë natë hetim ndërkombëtar dhe kam insistuar për hetim ndërkombëtar, se nuk kisha pikën e besimit te kjo, që i kam thënë ato fjalë dhe nuk i heq asnjë, as sot dhe gjersa të jetë gjallë, sepse i meriton ajo, sepse hyri në një lojë shumë të turpshme, të paimagjinueshme. Keqardhje po, ngushëllime po, që atë ditë. Ishte planifikuar si protestë e dhunshme”.
/m.q/r.e/
The post Berisha: Kam kërkuar hetim ndërkombëtar për 21 Janarin, Garda zbatoi ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.