Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

SPAK kërkoi lejimin e arrestimit të Ballukut/ BIRN: Zvarritja pa afat e mbledhjes për zëvendës kryeministren, precedent i rrezikshëm

By: V K
7 January 2026 at 08:53

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, refuzoi për të disatën herë kërkesën e opozitës për mbledhjen e Këshillit të Mandateve për çështjen Balluku, sjellje që sipas ekspertëve të ligjit, bie ndesh me frymën e Rregullores dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit.

Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ngjitën më kot të martën shkallët e Kryesisë së Kuvendit në pritje për të zhvilluar mbledhjen e kërkuar prej tyre për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kërkesa e tyre u refuzua për herë të tretë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Peleshi nuk iu përgjigj të martën pyetjeve të BIRN mbi arsyet e shtyrjes pa afat të thirrjes së Këshillit që prej mbledhjes së vetme të zhvilluar më 19 dhjetor, ndërkohë që një këshilltar i tij referoi një përgjigje zyrtare të dhënë prej tij më datë 24 dhjetor për anëtarët e opozitës.

Në këtë letër, Peleshi e justifikonte refuzimin për thirrjen e mbledhjes me kërkesën e mbrojtjes së Ballukut për 3 javë kohë për t’u njohur me dokumentacionin përkatës në mënyrë që të zhvillohej një proces i rregullt ligjor.

“Për sa kohë ky proces nuk është përmbyllur dhe palët nuk janë pajisur realisht me kohën e nevojshme për ushtrimin e kësaj të drejte, nuk plotësohen kushtet procedurale për caktimin e një date të re mbledhjeje”, shkruan kreu i Kuvendit në përgjigje.

Opozita e hedh poshtë argumentin e Peleshit dhe e akuzon këtë të fundit se me refuzimin për të mbledhur Këshillin po kryen vepër penale.

“Sot përfundoi edhe afati 3 javë që iu dha Ballukut. Duke nisur nga nesër, çdo sekondë vonesë nënkupton shpërdorim detyre nga Peleshi”, deklaroi të martën kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi.

Dhënia e autorizimit për caktimin e një mase sigurie ndaj deputetit parashikohet në nenin 118 të Rregullores së Parlamentit, pa afate të qarta për shyrtimin paraprak.

Sipas këtij neni, kryetari i Kuvendit është i detyruar që t’u kalojë anëtarëve të Këshillit dhe deputetit në fjalë kërkesën e Prokurorisë dhe dokumentet shoqëruese, ndërkohë që i bën të ditur këtij të fundit koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit dhe shqyrtimi i kësaj kërkese vendoset si pikë e parë e rendit të ditës në seancën pasardhëse.

Sipas ekspertëve të ligjit, Kuvendi në rastin e Ballukut, po shtyn pa afat shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, ç`ka sipas tyre bie në kundërshtim me frymën e dispozitave ligjore dhe vendos një precedent të rrezikshëm të qëndrimit të Kuvendit.

Erida Skëndaj, drejtuese e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i tha BIRN se, shtyrja pa afat e mbledhjes së këtij këshilli, “nuk është në frymën e nenit 118 të Rregullores së Kuvendit dhe dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, dhe cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit”.

Skëndaj arsyeton se mospërcaktimi i afateve të qarta në Rregullore ka krijuar një artificë për të vonuar procesin, duke shfrytëzuar një boshllëk ligjor në dëm të administrimit të procesit hetimor në afat të arsyeshëm, sikurse po ndodh aktualisht.

Nga ana tjetër, Skëndaj thekson se konsiderohet “shkelje” mosrespektimi i parashikimit të Rregullores së Kuvendit për mbledhjen e Këshillit kur këtë e kërkon ½ e anëtarëve të saj.

“Kjo sjellje dëmton veprimtarinë e organeve të drejtësisë të ngarkuara me luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të nivelit të lartë”, tha Skëndaj.

Për avokatin Gentjan Serjani, “ky rast krijon një precedent të rrezikshëm institucional, ku qëndrimi politik vendoset mbi detyrimin ligjor”.

“Një qasje e tillë cenon parimin e shtetit të së drejtës dhe nënkupton se, ndonëse Rregullorja është miratuar me konsensus për t’u zbatuar në mënyrë strikte, interesat politike kanë diktuar shmangien nga zbatimi i saj “gërmë për gërmë”. Një praktikë e tillë minon besueshmërinë e institucioneve parlamentare dhe autoritetin e vetë Rregullores së Kuvendit”, tha ai.

Sipas Serjanit, sjellja e anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit dëshmon qartazi mosfunksionimin e Rregullores së Kuvendit në rastin konkret dhe kjo strukturë që duhej të garantonte respektimin e normave procedurale, është pikërisht ajo që ka kryer një shkelje flagrante të pikës 6 të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit

“Kjo dispozitë përcakton shprehimisht se Këshilli mblidhet me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit ose të gjysmës së anëtarëve të tij, se rendi i ditës caktohet nga Kryetari dhe se mbledhja është e vlefshme vetëm kur janë të pranishëm jo më pak se pesë anëtarë. Mosrespektimi i këtyre kritereve procedurale përbën një shkelje të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikueshme të Rregullores”, arsyeton Serjani.

Kuvendi nuk mund luajë rolin e gjykatës

Edhe pse justifikimi kryesor për shtyrjen pa afat të mbledhjes për imunitetin e Ballukut lidhet me fitimin e kohës së mjaftueshme për t’u njohur me provat e sjella nga SPAK, asnjë prej deputetëve socialistë, anëtarë të këtij Këshilli, nuk e ka tërhequr USB-në me 16 mijë faqe të dorëzuar në Kuvend.

Vetë kryeministri Rama në konferencën vjetore për mediat pranoi këtë fakt, ndërsa ironizoi përmbajtjen e dosjes si e mbushur me dokumente arkivore të ministrisë.

“USB-në e sjellë nga Prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS dhe nuk e ka tërhequr as ministrja, avokati. Që të jemi shumë të qartë. Për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë ‘i kanë nxjerrë këta ato”, tha Rama duke lënë të hapur mundësinë e rrëzimit të kërkesës së SPAK.

“Këshilli i Mandateve nuk është një zyrë noterie, është një kuazi gjykatë, dhe Parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë”, shtoi ai.

Juristët megjithatë argumentojnë se Këshilli i Mandatave, nuk mund të sillet si një gjykatë dhe se detyra e tij është vetëm të shohë nëse kërkesa e prokurorisë, është ligjërisht në rregull dhe jo të marrë përsipër të shyrtojë provat hetimore.

“Sipas standarteve të Komisionit të Venecias, nëse kërkesa për kufizimin e imunitetit shqyrtohet në detaje, përveç se bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë, krijon perceptimin publik se jemi në kushtet e një procesi politik”, tha Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Për rrjedhojë, shton ajo, “argumentat e shtyrjes pa afat të mbledhjes së Këshillit, për të marrë kohë mbi leximin e të gjitha dokumenteve në dosje dëmtojnë efikasitetin e hetimit, pasi Këshilli nuk është organ gjyqësor, duke krijuar kushtet e favorizimit të funksionarit publik, veçanërisht kur ky vazhdon të mbajë poste të larta publike”.

Edhe për anëtarin e PD-së në këtë Këshill, Oerd Bylykbashi, Kuvendi nuk mund të kthehet në gjykatë dhe të shqyrtojë provat hetimore të prokurorisë, por shikon vetëm nëse kërkesa e prokurorisë nuk ka karakter politik.

“Unë e kam marrë, por nuk e kam hapur USB-në e prokurorisë, sepse si deputet më bind relacioni i SPAK, ku referohen të dhëna të mjaftueshme pse kërkohet masa e sigurisë për ministren”, tha Bylykbashi./ BIRN

The post SPAK kërkoi lejimin e arrestimit të Ballukut/ BIRN: Zvarritja pa afat e mbledhjes për zëvendës kryeministren, precedent i rrezikshëm appeared first on Albeu.com.

Moti i keq në Tiranë, fryhet lumi Lana, rrezikon të dalë nga shtrati (VIDEO)

By: V K
7 January 2026 at 08:45

Ditën e sotme, reshjet e dendura të shiut kanë rritur nivelin e lumit Lana. Pamjet tregojnë se për pasojë, lumi është fryrë, me rritje të dukshme të prurjeve të ujit përgjatë gjithë shtratit të tij.

Aktualisht, uji vijon të rrjedhë brenda shtratit të lumit, ndërsa situata po monitorohet.

 

The post Moti i keq në Tiranë, fryhet lumi Lana, rrezikon të dalë nga shtrati (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Nga Greqia në Irlandë, e vendet arabe, shqiptarët që punojnë jashtë fituan 663 mln euro në 2024

By: V K
7 January 2026 at 08:38

Gjetja e një pune jashtë vendit, qoftë edhe përkohësisht është bërë një tendencë e qëndrueshme gjatë viteve të fundit dhe kjo reflektohet dhe në të ardhurat që ata po gjenerojnë nga punësimi sezonal.

Afërsia me vendet si Italia e Greqia, por dhe mundësia për të punuar online kanë zgjeruar gjeografinë e shteteve nga të cilët shqiptarët gjenerojnë të ardhura.

Eurostat, në sistemin e vet të të dhënave, krahas prurjeve nga emigrantët, publikon dhe të ardhurat nga transferta nga puna sezonale për shtetasit shqiptarë për vitin 2024.

Nga rreth 2.1 miliardë euro, janë dërguar në Shqipëri gjatë vitit 2024 nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, transfertat personale përbënin 31.6% të totalit, ose 663 milionë euro.

Kjo është shuma e fituar nga ata që punojnë jashtë shtetit dhe e transferuar në Shqipëri, të paktën zyrtarisht. (Kompensimi i punonjësve përfshin paga dhe të ardhura që rezidentë të një vendi fitojnë duke punuar përkohësisht jashtë shtetit, p.sh. punë sezonale, përpara se të zbriten taksat dhe kontributet).

Emigrantët dhe ata që punojnë përkohësisht jashtë dërguan 2.1 miliardë euro në Shqipëri në 2024-n

Të ardhurat nga puna jashtë vendit janë rritur vazhdimisht vitet e fundit, duke reflektuar rritje e emigrimit, qoftë edhe të përkohshëm.

Në vitin 2022, po sipas Eurostat, transfertat personale ishin 455 milionë euro, në 2023-n arritën në 629 milionë euro, me një rritje prej 38%. Në 2024-n rritja u ngadalësua në 5.1%, duke arritur në 663 milionë euro.

Vendin e parë e mban Greqia. Shteti fqinjë bëhet pritës sidomos në verë e vjeshtë i qindra shqiptarëve që shkojnë të punojnë në bujqësi.

Transfertat personale nga puna sezonale nga Greqia ishin 156 milionë euro në 2024-n.

Në vend të dytë është Italia, gjithashtu një vend i preferuar për emigrantët për shkak të afërsisë gjeografike dhe mundësive që ka për punësim.

Tranfertat nga Italia ishin 126 milionë euro në 2024-n, sipas Eurostat.

Në vend të tretë është Gjermania, që vitet e fundit është bërë një vend i preferuar nga shumë profesionistë. Transfertat nga Gjermania ishin 69 milionë euro në 2024-n.

Mbretëria e Bashkuar është destinacioni tjetër i preferuar i të punësuarve sezonalë, që kanë gjeneruar rreth 65 mln euro në 2024-n.

Pas tij renditen Zvicra me 27 milionë euro, Turqia me 20 milionë euro.

Edhe Irlanda është një vend i preferuar, me 19.7 milionë euro transferta.

Franca, ndonëse është shteti kryesor për kërkesat e azilantëve është i teti për transfertat e të punësuarve sezonalë.
Destinacione të tjera nga ku sigurohen të ardhura nga puna e përkohshme janë Austria (16.9 milionë euro), Shtetet e Bashkuara (14.2 milionë euro), Polonia (13.5 mln euro), Holanda (11.5 mln euro).

Gjeografia e shqiptarëve që punojnë përkohësisht jashtë ka arritur deri në vendet arabe të Gjirit Persik, ku transfertat arritën në 2.3 milionë euro në 2024.

Në punët sezonale dhe të përkohshme jashtë vendit, shtetasit shqiptarë angazhohen tradicionalisht në sektorë që kërkojnë fuqi punëtore intensive dhe fleksibile.

Pjesa më e madhe punon në bujqësi, veçanërisht në mbledhjen e frutave, perimeve dhe ullinjve, në serra dhe në përpunimin fillestar të produkteve bujqësore.

Ky profil mbetet dominues, sidomos në vendet fqinje dhe në disa tregje të Europës Perëndimore.

Një tjetër sektor i rëndësishëm është turizmi dhe shërbimet, ku shqiptarët punësohen sezonalisht në hotele, restorante dhe struktura akomoduese gjatë muajve të verës.

Punët tipike përfshijnë shërbimin në restorante, kuzhinë ndihmëse, pastrim, mirëmbajtje dhe shërbime mbështetëse.

Ndërtimi vijon të jetë një fushë e rëndësishme e punësimit sezonal dhe të përkohshëm, me angazhime në punime fizike, përfundime ndërtimi, rikonstruksione dhe projekte infrastrukturore.

Në disa vende, shqiptarët angazhohen edhe në industri përpunuese dhe logjistikë, kryesisht në linja paketimi, magazina dhe përpunim ushqimor.

Së fundmi, po vihet re edhe një rritje graduale e përfshirjes së shqiptarëve në shërbime të lidhura me teknologjinë e informacionit, kryesisht në forma fleksibile ose kontrata afatshkurtra.

Këto përfshijnë zhvillim softuerësh, testim aplikacionesh, mbështetje teknike, shërbime digjitale dhe punë të tjera IT të ofruara nga distanca për kompani të huaja.

Edhe pse ky segment është ende më i vogël krahasuar me punët tradicionale sezonale, ai po zgjerohet me shpejtësi, i nxitur nga aftësitë e të rinjve shqiptarë, puna në distancë dhe kërkesa në rritje për shërbime digjitale./Monitor

The post Nga Greqia në Irlandë, e vendet arabe, shqiptarët që punojnë jashtë fituan 663 mln euro në 2024 appeared first on Albeu.com.

Reshjet e shiut dëmtojnë rrugën dhe dy banesa në Selenicë, lumi Vjosa del nga shtrati

By: V K
7 January 2026 at 08:13

Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ka rrëshqitur rruga si dhe janë dëmtuar dy banesa.

Rruga është bërë e pakalueshme për automjetet, ndërsa fatmirësisht banorët e dy shtëpive të dëmtuara nuk kanë pësuar lëndime.

Policia ndodhet në terren dhe po monitoron qarkullimin e automjeteve, pasi kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.

Ndërkohë, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati, duke përmbytur pazarin e gjësë së gjallë. Niveli i ujit ka arritur në rreth 7 metra.

Banorët e zonave të rrezikuara janë njoftuar dhe si masë parandaluese janë evakuuar 12 banesa.

Sipas autoriteteve, prurjet në lumin Vjosë, vijojnë të mbeten të larta dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

The post Reshjet e shiut dëmtojnë rrugën dhe dy banesa në Selenicë, lumi Vjosa del nga shtrati appeared first on Albeu.com.

ISHMT ngre alarmin: Ashensorët pa mirëmbajtje dhe inspektim përbëjnë rrezik serioz për qytetarët

By: V K
7 January 2026 at 07:47

Ashensorët, që çdo ditë përdoren nga mijëra qytetarë në pallate banimi dhe ambiente pune, vijojnë të përbëjnë një rrezik serioz kur nuk janë të regjistruar, nuk mirëmbahen dhe nuk inspektohen sipas ligjit.

Për këtë arsye, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), ka dalë me një apel publik, duke kujtuar se siguria e ashensorëve nuk është zgjedhje, por detyrim ligjor.

Sipas ISHMT-së, kuadri ligjor në fuqi për sigurinë e ashensorëve dhe administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa parashikon qartë përgjegjësitë e personave që administrojnë këto pajisje.

Administratorët apo shoqëritë administruese, janë përgjegjës për regjistrimin e çdo ashensori pranë ISHMT-së, për sigurimin e një kontrate të vlefshme mirëmbajtjeje me subjekte të kualifikuara, si dhe për kryerjen e inspektimeve periodike teknike sipas afateve të përcaktuara në aktet nënligjore.

Legjislacioni shqiptar, i harmonizuar me standardet europiane, kërkon që ashensorët të jenë të sigurt gjatë gjithë ciklit të përdorimit të tyre.

Për ashensorët në ndërtesa banimi dhe në bashkëpronësi, inspektimet periodike duhet të kryhen të paktën një herë në vit, ndërsa për ashensorët që përdoren në ambiente pune, kontrollet teknike janë më të shpeshta.

Pa këto inspektime dhe pa dokumentacionin përkatës, përdorimi i ashensorit konsiderohet i paligjshëm dhe potencialisht i rrezikshëm.

ISHMT thekson se mungesa e regjistrimit, e mirëmbajtjes së rregullt apo e inspektimeve periodike rrit ndjeshëm rrezikun e defekteve teknike dhe aksidenteve, duke vënë në rrezik përdoruesit e përditshëm.

Për këtë arsye, inspektorati ushtron kontrolle në terren dhe, në rast shkeljesh, mund të vendosë masa administrative, deri në ndalimin e përdorimit të ashensorit, nëse konstatohet rrezik serioz për sigurinë.

Apeli i ISHMT-së vjen në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e ashensorëve në vend, janë të vjetër ose nuk menaxhohen sipas kërkesave ligjore.

Institucioni u bën thirrje administratorëve dhe bashkëpronarëve që të tregojnë përgjegjësi, duke respektuar detyrimet ligjore, pasi siguria e ashensorëve nuk është vetëm çështje teknike, por një element thelbësor i mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve./ Monitor

The post ISHMT ngre alarmin: Ashensorët pa mirëmbajtje dhe inspektim përbëjnë rrezik serioz për qytetarët appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
7 January 2026 at 07:36

Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 81.7 lekë, në shitje me 83 lekë.

Euro, do të blihet me 95.8 lekë, do të shitet me 97 lekë.

Franga zvicerane, blihet me 102.8 lekë dhe shitet me 104 lekë.

Ndërsa paundi britanik, blihet me 110.2 lekë dhe shitet me 111.3 lekë.

Dollari kanadez, këmbehet me 59.1 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Reshje shiu dhe dëbore, njihuni me parashikimin e motit 7 Janar 2026

By: V K
7 January 2026 at 07:27

Këtë të mërkurë vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshm. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura.

Reshje shiu të herëpashershme dhe me intensitet të ulët deri mesatar, në pjesën më të madhe të vendit që në orët e para të 24-orëshit.

Në Shkodër, Lezhë, Krujë, Kurbin, Durrës, Tiranë, Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Përmet reshje shiu me intensitet mesatar deritë lartë deri në orët mëngjesit.

Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit, hera-herës shtrëngata shiu shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Në orët e pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes, reshjet e shiut pritet të fitojnë intensitet deri të lartë kryesisht në Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Tropojë, Fushë Arrëz, Durrës, Tiranë, Kavajë, Fier, Berat, Vlorë,Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave dhe stuhive.

Në orët e mbrëmjes në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet mesatar, ndërsa në Verilindje në lartësitë mbi 600-800 metër dhe Juglindje në lartësitë mbi 700-900 metër, kryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.

Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim ireduktuar, për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Jugperëndim me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s.

Deti-Valëzimi forcës 4-5 ballë.

The post Reshje shiu dhe dëbore, njihuni me parashikimin e motit 7 Janar 2026 appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 6 January 2026Main stream

Aksident në aksin Elbasan-Shushicë/ Plagoset drejtuesi i mjetit, bllokohet qarkullimi

By: V K
6 January 2026 at 15:49

Këtë të martë, një aksident rrugor është regjistruar në aksin Elbasan–Shushicë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i një mjeti.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të fundit, në kushte të vështira për qarkullimin e automjeteve.

Sipas informacioneve paraprake, aksidenti dyshohet se është shkaktuar nga lagështira në rrugë, e kombinuar me shpejtësinë e lartë të lëvizjes së mjeteve.

Përplasja ka sjellë bllokimin e plotë të rrugës për gati një orë.

Si pasojë, janë krijuar radhë të gjata automjetesh dhe trafik i rënduar në të dy drejtimet.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca, ndërsa i plagosuri është transportuar për ndihmë mjekësore.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe apelon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushte moti të lagësht.

The post Aksident në aksin Elbasan-Shushicë/ Plagoset drejtuesi i mjetit, bllokohet qarkullimi appeared first on Albeu.com.

Dokumente false e mallra kontrabandë, arrestohen në Rinas 6 kinezë dhe 1 bjelloruse

By: V K
6 January 2026 at 15:31

Kontrollet e Policisë Kufitare në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë, në PKK Rinas, kanë çuar në goditjen e 6 rasteve të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe 1 rasti kontrabande.

Sipas uniformave blu, në pranga u vunë 6 shtetas kinezë, M. B., 29-vjeç, X. Zh., 66-vjeç, Zh. W., 52-vjeç, H. J., 45-vjeç, W. Zh., 38-vjeç dhe G. H., 43-vjeçe, të cilët akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave, kryer në bashkëpunim”.

Gjatë kontrollit, ata paraqitën pasaporta të Hong Kongut, për të cilat shërbimet e Policisë Kufitare dyshuan se ishin të falsifikuara.

Nga ekzaminimi laboratorik u konfirmua se dokumentet ishin false, duke çuar në sekuestrimin e 6 pasaportave.

Ndërkohë, një tjetër rast u evidentua në hyrje të vendit. Shtetasja A. W., 45-vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte në itinerarin Treviso–Tiranë, u ndalua për kontroll të thelluar për shkak të dyshimeve mbi qëllimin e udhëtimit.

Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve iu gjetën dhe sekuestruan mallra për qëllime estetike, si botox dhe fillera, për të cilat kërkohen kushte të posaçme transporti dhe licencë e veçantë posedimi dhe përdorimi, dokumente që ajo nuk i dispononte.

Bjellorusja u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.

The post Dokumente false e mallra kontrabandë, arrestohen në Rinas 6 kinezë dhe 1 bjelloruse appeared first on Albeu.com.

Aksident në Lushnje, të lënduarit dërgohen me urgjencë në spital

By: V K
6 January 2026 at 15:28

Ditën e sotme, një aksident rrugor me pasojë plagosjen e dy personave, është regjistruar në hyrjen jugore të qytetit të Lushnjes.

Në ngjarje janë përfshirë një automjet tip “Benz” dhe një mjet bujqësor.

Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa ambulancat kanë transportuar në spital dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në përplasje.

Burime nga spitali bëjnë me dije se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ndërkohë, policia po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, sqarimin e rrethanave të aksidentit, si dhe për disiplinimin e trafikut në zonë, i cili u rëndua për disa minuta pas përplasjes.

The post Aksident në Lushnje, të lënduarit dërgohen me urgjencë në spital appeared first on Albeu.com.

Përmbytjet në Durrës, niveli i ujit arrin pranë aparateve të energjisë elektrike

By: V K
6 January 2026 at 14:35

Durrësi është qyteti më i prekur këtë të martë nga përmbytjet. Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje në disa zona të qytetit.

Në një pallat në zonën e portit të Durrësit, niveli i ujit ka arritur pranë aparatet e energjisë elektrike.

Disa kabuj siç shihet edhe nga pamjet janë në ujë.

Kjo sjell rrezik për banorët në pallat për shkarkim të energjisë elektrike në ujë.

Shumë rrugë janë “pushtuar” nga uji ndërsa makinat e parkuara janë përmbytur gjithashtu.

The post Përmbytjet në Durrës, niveli i ujit arrin pranë aparateve të energjisë elektrike appeared first on Albeu.com.

Goditi kryeinfermieren, arrestohet mjeku në Tiranë

By: V K
6 January 2026 at 14:19

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një spital në Tiranë, ku një mjek ka dhunuar kryeinfermieren.

Ngjarja ndodhi në ambientet e spitalit. Burime zyrtare nga policia, bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet J. H., 53-vjeç.

Njoftimi:

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:

-arrestuan shtetasin J. H., 53-vjeç, me detyrë mjek, pasi dyshohet se ka goditur kryeinfermiren në të njëjtin spital, me pretendimin se e ka kundërshtuar për të zbatuar një protokoll mjekësor”, sqaron policia.

The post Goditi kryeinfermieren, arrestohet mjeku në Tiranë appeared first on Albeu.com.

Ministri i Drejtësisë vesh çizmet dhe viziton burgun e përmbytur të politikanëve “VIP” në Durrës

By: V K
6 January 2026 at 13:57

Ditën e sotme, përmbytjet në Durrës kanë sjellë edhe probleme në burgun e këtij qyteti ku vuajnë dënimin disa politikanë, si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-ministri Ilir Beqaj apo edhe ish deputeti socialist, Jurgys Çyrbja.

Siç shihet edhe nga pamjet, niveli i ujit shkon deri afër gjurit. Ndërkohë shihet edhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili ka veshur çizmet dhe ndodhet në hyrje të burgut.

Mësohet se oborri dhe kati i parë i burgut është përmbysur, ndërsa po punohet për pastrimin e ujit. Sakaq, edhe rruga që të çon drejt burgut është përmbytur, duke u kthyer në ‘lumë’.

The post Ministri i Drejtësisë vesh çizmet dhe viziton burgun e përmbytur të politikanëve “VIP” në Durrës appeared first on Albeu.com.

Bonusi për pensionistët/ Vendimi hyn në fuqi, eksperti shpjegon kush përfiton

By: V K
6 January 2026 at 13:52

Ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për bonusin mujor të pensionistëve. Të moshuarit do të marrin shtesë në pension sipas nivelit të të ardhurave.

Në një intërvistë për Ora News, eksperti Kujtim Hoxha, sqaron se kush përfiton dhe sa para shtesë merr çdo kategori.

Ndërsa sqaron se kete vite gratë dalin ne pension në moshën 62 vjecare.

Viti 2026 nis me hyrjen në fuqi të vendimit të qeverisë për kompensimin mujor të pensionistëve, një masë që synon të lehtësojë barrën ekonomike për të moshuarit në kushtet e rritjes së çmimeve.

Pensionistët që marrin deri në 40 mijë lekë në muaj, ku do përfitojnë deri në 1 800 lekë shtesë çdo muaj.

Ata që kanë pension deri në 22 mijë lekë marrin 800 lekë shtesë, ndërsa pensionistët me të ardhura deri në 18 mijë lekë përfitojnë 1 000 lekë në muaj.

Përfitim do të kenë edhe kategoritë e veçanta:

Pensionistët e invaliditetit marrin 600 lekë, ndërsa pensionet familjare 700 lekë shtesë në muaj.

Hoxha thekson se ndihma është e mirëseardhur, por paralajmëron se ajo nuk zgjidh problemin e madh të pamjaftueshmërisë së pensioneve në raport me koston reale të jetesës.

Eksperti Hoxha, ka shpjeguar ndryshimet e fundit në ligjin e pensioneve, ku është parashikuar një rritje graduale e moshës për daljen në pension për gratë, me dy muaj çdo vit, deri në vitin 2032.

Kështu gratë këtë vitë dalin në pension në moshën 62 vjecare.

The post Bonusi për pensionistët/ Vendimi hyn në fuqi, eksperti shpjegon kush përfiton appeared first on Albeu.com.

Reshje të dendura shiu dhe dëborë, rrëshqitje dherash, përmbytje dhe rrezik për daljen e lumenjve nga shtrati/ Ja çfarë pritet të ndodhë me motin nesër, qarqet më të rrezikuara

By: V K
6 January 2026 at 13:36

Në një postim në rrjetet sociale, Instituti i Gjeoshkencave, ka bërë një parashikim në lidhje me motin dhe rrezikun për reshje dhe përmbytje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.

Instituti parashikon se sot pasdite (e martë, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07), priten reshje intensive kryesisht në Veri dhe Jug të vendit.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte dt.08 Janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës, do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.

MOTI:

Sot pasdite (e marte, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07) në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Lezhë priten reshje intensive.

Në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).

Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 1000 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.

TEMPERATURA:

Nesër (e mërkurë, dt. 07) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 9/16 °C

në vendet e ulëta: 9/16 °C

në vendet malore: 3 / 12 °C

ERA
Sot pasdite (e martë, dt. 06) dhe nesër (e mërkurë, dt. 07) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet.

 

The post Reshje të dendura shiu dhe dëborë, rrëshqitje dherash, përmbytje dhe rrezik për daljen e lumenjve nga shtrati/ Ja çfarë pritet të ndodhë me motin nesër, qarqet më të rrezikuara appeared first on Albeu.com.

Berisha: Të gjitha partitë opozitare do ftohen në tryezë, duhet një front të gjerë kundër narko-regjimit

By: V K
6 January 2026 at 13:23

Ditën e sotme, në një deklaratë për shtyp, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se të gjitha partitë opozitare, pa asnjë përjashtim, do të ftohen në një tryezë të përbashkët me qëllim krijimin e një fronti të gjerë opozitar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Gjithashtu, lideri demokrat Berisha thekson se, situata politike kërkon një nivel të lartë përgjegjësie nga të gjitha forcat opozitare, në mënyrë që të bashkërendojnë përpjekjet për, siç u shpreh ai, t’i dhënë “goditjen përfundimtare narko-regjimit”.

“Ne mendojmë se është koha për të krijuar një front të gjerë opozitar, në mënyrë që me shkallën më të lartë të përgjegjësisë, forcat politike opozitare të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe dhe të bashkërendojnë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare narko-regjimit të Edi Ramës”, shprehet Berisha.

Sipas Berishës, ftesa do t’u drejtohet të gjitha partive opozitare pa përjashtim, duke nënvizuar nevojën për unitet përballë situatës politike në vend.

The post Berisha: Të gjitha partitë opozitare do ftohen në tryezë, duhet një front të gjerë kundër narko-regjimit appeared first on Albeu.com.

Makinat nën ujë, qytetari gjen zgjidhje, “bën Sërf” në rrugët e Durrësit

By: V K
6 January 2026 at 13:04

Ditën e sotme, qyteti i Durrësit, është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat kanë sjellë probleme të shumta në disa zona të territorit të bashkisë.

Si pasojë e përmbytjeve, qarkullimi është vështirësuar për banorët të cilët kanë gjetur një zgjidhje alternative, përmes lundrimit në ujë.

Dhjetëra makina janë përmbytur në rrugë, ndërsa lëvizja në këmbë është e pamundur. Një qytetar a përdorur një dërrasë sërfi.

Gjithashtu, në pamundësi të lëvizjes së prindërve, fëmijëve dhe nxënësve, mësimi është pezulluar në disa çerdhe e kopshte përkatësisht në kopshtet “Sotir Noka”, “Met Hasa”, “Neim Babameto”, “Durrësi i Ri”, “Fidanishtja”, çerdhja nr.1 dhe konvikti “Beqir Çela”.

Po kështu, procesi mësimor është pezulluar në të gjitha shkollat. Në kodrën e Currilave, janë evidentuar rrëshqitje dheu, ndërsa disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme për shkak të reshjeve të dendura.

Rrugët problematike janë: “Mujo Ulqinaku”, “Hysen Myshketa”, “Marta Buda”, “Jahja Ballhysa”, “Kristo Sotiri”, “Glaukia”, “Vaso Pasha”,“Jeta Re”, “Vllazërimi”, “Jezerca”, “Azem Hajdari”, “Mbreti Pirro” dhe rruga “Enkelejve”

Këto rrugë ndodhen në lagjet nr. 12, 13, 14, 17 dhe 18.

Gjithashtu, ka bllokime të qarkullimit nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri.

Situatë problematike paraqitet në njësinë administrative Rrashbull si dhe në Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.

The post Makinat nën ujë, qytetari gjen zgjidhje, “bën Sërf” në rrugët e Durrësit appeared first on Albeu.com.

Përmbytet autostrada Tiranë-Durrës, qytetarët të bllokuar për orë të tëra në trafik

By: V K
6 January 2026 at 12:37

Ditën e sotme, në autostradën Tiranë-Durrës, qarkullimi është vështirësuar prej disa orësh, për shkak të reshjeve intensive të shiut.

Duhet minimalisht 1 orë për të lëvizur nga kryeqyteti drejt zonës së Durrësit.

Mëngjesin e sotëm, Policia e Shtetit, paralajmëroi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm nëse do të lëvizin në këtë aks rrugor, i cili është mbuluar i gjithi nga uji.

 

 

Një furgon ka mbetur i bllokuar në anë të rrugës, në pamundësi të lëvizë dhe në pritje të karrotrecit, ndërkohë që edhe disa autoambulanca kanë mbetur në trafik.

Për shkak të rrezikut të lartë, ka një devijim të lëvizjes. Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë.

Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë.

The post Përmbytet autostrada Tiranë-Durrës, qytetarët të bllokuar për orë të tëra në trafik appeared first on Albeu.com.

PS bojkoton mbledhjen e Këshillit, Bardhi: Ballukut i dhanë 3 javë kohë, por afati skadoi

By: V K
6 January 2026 at 12:29

Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit i thirrur nga anëtarët e Partia Demokratike, është bojkotuar nga Partia Socialiste.

Në një komunikim për gazetarët, kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u shpreh se afati 3 javë për ti dhënë kohë Ballukut ka skaduar.

Sipas tij kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, duhet të sqarojë se përse nuk po e mbledh Këshillin me qëllim shqyrtimin e kërkesës së SPAK që kërkon arrestimin e Belinda Ballukut.

“Me përgjegjshmëri të plotë që na dikton situatë dhe si anëtarë të këshillit të mandateve, 5 anëtarët të këtij këshilli kërkuan mbledhjen e këshillit për të vijuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Kërkesa jonë është e bazuar në rregulloren e Kuvendit që do të duhet të jetë i vetmi dokument ligjor.

Kryetari ka për detyrë të njoftojë mbledhjen e Këshillit dhe rendin e ditës. Sot mbushen tre javë kur SPAK ka kërkuar lejimin e arrestimit të Ballukut dhe po sot mbushen 3 javë kur anëtaret e PS fshihen si ata që kanë shkelur ligjin.

Ky është një akt i paprecedent, ku këshilli merr 3 javë kohë për të shqyrtuar një kërkesë.

E pandehura Balluku ka kërkuar 3 javë kohë për të shqyrtuar provat. Ndërkohë vetë Rama tha që avokati dhe Balluku nuk i kanë marrë materialet.

Nga njëra anë thoshte një pjesë se cfarë kishte USB-ja, nga ana tjetër thoshte se asnjë prej nesh nuk i ka tërhequr materialet. E pandehura kërkoi 3 javë kohë

Afati 3 javë që donin ti jepnin Ballukut kohë që të hante vitin e ri në shtëpi dhe jo në Burgun e Pojskës skadoi. Kryetari i Kuvendit duhet të shpjegojë pse nuk thërret këshillin e mandateve”, tha nder te tjera Gazment Bardhi.

The post PS bojkoton mbledhjen e Këshillit, Bardhi: Ballukut i dhanë 3 javë kohë, por afati skadoi appeared first on Albeu.com.

Situatë kritike nga moti i keq/ Përmbytet burgu i Durrësit, uji hyn në 8 qeli

By: V K
6 January 2026 at 11:56

Ditën e sotme, qyteti i Durrësit është pushtuar nga uji, për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar problematika në disa zona në qytetin bregdetar, i cili sot duket si Venecia.

Rrugë dhe lagje të tëra janë nën pushtetin e ujit, ndërkohë që duket se përmbytjet nuk i ka shpëtuar as burgu.

Prefekti Emiljan Jani, në një reagim për News24 ka deklaruar se janë përmbytur 8 qeli, ndërkohë që po dërgohen pompa për të larguar ujin.

Ndërkohë, 2 zjarrfikëse po mbërrijnë nga Tirana për të ndihmuar në vënien e situatës nën kontroll.

“Situata është shumë e rëndë. Tetë familje janë evakuuar dhe janë strehuar në Kavalishencë. Ndërkohë janë përmbytur 8 qeli dhe po dërgohen pompat për largimine ujit pasi është përmbytur burgu”, shprehet ai.

Mësohet se niveli i ujit ka arritur në 10-15 centimetra në katin e parë, ndërsa të gjithë të dënuarit janë zhvendosur në katin e dytë.

 

The post Situatë kritike nga moti i keq/ Përmbytet burgu i Durrësit, uji hyn në 8 qeli appeared first on Albeu.com.

❌
❌