Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës

20 December 2025 at 10:00

U premtua gaz natyror, por Korça vazhdon të ngrohet me dru. Dy vite pas fushatës elektorale dhe “lajmit fantastik” për gazifikimin, Faktoje.al gjeti në terren tym, soba druri dhe qytetarë që nuk dinë asgjë për ecurinë e projektit. Dokumentet tregojnë vonesa, kosto të larta për banorët dhe afate të shtyra deri në 2027.

Esmeralda Topi

Pak ditë para se korçarët t’i drejtoheshin kutive të votimit, kryebashkiaku socialist Sotiraq Filo, në kërkim të mandatit të tretë, premtoi zgjidhjen përfundimtare të problemit të ngrohjes përmes gazifikimit të qytetit. Një “lajm fantastik”, siç e quajti ai vetë, i shoqëruar me garancinë politike të kryeministrit Edi Rama.

“Lajmi fantastik i zgjidhjes përfundimtare të problemit të ngrohjes për Korçën përmes projektit të madh të GAZIFIKIMIT jo rastësisht ishte sot në fjalën e kryeministrit Rama në takimin e tij në Korçë me mijëra vajza e gra!”, premtoi Filo. 

Në fushatë, korçarëve ju premtua gaz natyror në çdo shtëpi, fund i druve të zjarrit, ajër më i pastër dhe kosto më të ulëta. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku prezantuan publikisht projektin, ndërsa Rama shkoi edhe më tej, duke folur për “hapjen e çelësit të gazit” dhe duke hedhur si afat fundin e vitit 2026. 

Por dy vite më vonë premtimet janë larg realitetit. Faktoje udhëtoi drejt juglindjes në muajin tetor.  

Edhe këtë vit, ngrohja në qytet vazhdonte me dru. Banorët e qendrës dhe të lagjeve përreth nuk kishin asnjë dijeni për ecurinë e projektit të gazifikimit, as për afate dhe as për hapa konkretë. Ajo që dinin me siguri ishte i ftohti i mbrëmjeve të tetorit dhe sobat që duhej të ndizeshin herët. 

“Kemi nisur t’i ndezim stofat që para një muaji, se bën ftohtë në darkë”, na tregoi një banor.  

Tymi ndihej kudo. Oxhaqet lëshonin shtellunga të dendura që mbulonin rrugët dhe oborret, duke e kthyer ajrin e Korçës në një përzierje të rëndë druri të djegur, si dëshmi se premtimi i ngrohjes moderne mbetej ende larg realitetit.

Një metër kub dru këtë vit shkonte në 55 mijë lekë të vjetra. 

“Mua më duhen deri në 15 metër”, pohoi një pensioniste, duke bërë llogaritë e dimrit që ende s’kishte hyrë mirë. 

Shkelje afatesh

Në nëntor 2024, qeveria njoftoi nga Azerbajxhani nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi me kompaninë shtetërore SOCAR dhe Albgaz-in, duke e paraqitur gazifikimin e Korçës si gur themeli të zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri. 

Edhe Filo, në intervista publike, fliste për zbatim të shpejtë dhe për rezultate të dukshme “brenda dy viteve”.

Një vit më vonë, një përgjigje zyrtare nga Bashkia Korçë tregon se projekti ndodhet ende në fazën e parafizibilitetit. 

“Studimi nga SOCAR ka përfunduar, por pritet ende marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj azerbajxhanase”, tha për Faktoje.al Bashkia e Korçës.

Pa këtë hap, nuk ka afate konkrete dhe as punime në terren.

Kosto e gazifikimit

Ndërkohë, plani 10-vjeçar i investimeve të Albgaz-it parashikon nisjen e projektit në vitin 2025 dhe dorëzimin në 2027. Pra, më vonë se afatet optimiste të përmendura në fushatë dhe, si zakonisht, me rrezikun e shtyrjeve të mëtejshme.

Sipas skenarit bazë, kostoja totale e gazifikimit të Korçës është rreth 20.8 milionë euro. Prej tyre, 13.3 milionë euro pritet të investohen nga vetë rezidentët, ndërsa bashkia parashikon rreth 7 milionë euro për zëvendësimin e burimeve aktuale të ngrohjes dhe instalacionet përkatëse. Me fjalë të tjera, barra kryesore financiare bie mbi qytetarët që sot mezi përballojnë drutë e dimrit.

Projekti parashikon një rrjet të gjerë tubacionesh dhe stacionesh, si dhe furnizimin me gaz të rreth 6 mijë banesave dhe 30 institucioneve. Por edhe këtu ka një kusht kritik, bashkia duhet të sigurojë buxhet për instalimet e brendshme të gazit në shkolla, kopshte, muze dhe zyra publike. 

“Është kritike për suksesin e projektit që Bashkia të sigurojë buxhet për ndërtimin e instalimeve të brendshme të gazit për institucionet nën drejtimin e tij (shkolla, kopshte, muze, zyra publike), si këto, së bashku me industriale kompanitë, do të përbëjnë konsumatorët ankorues rreth të cilëve do të ndërtohen tubacionet kryesore”, thekson plani. 

Përfundim

Gazifikimi i Korçës është listuar si projekt prioritar në zonën e juglindjes. Në letër, gjithçka duket premtuese. Në terren, oxhaqet vazhdojnë të nxjerrin tym, pensionistët numërojnë metrat e druve dhe dimri vjen çdo vit, pa pritur memorandume.

Deri sa gazi të mbërrijë realisht në shtëpitë e korçarëve, “lajmi fantastik” mbetet një premtim elektoral, ndërsa ngrohja vazhdon të matet me dru, tym dhe fatura që rriten.

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut Sotiraq Filo për zgjidhjen përfundimtare të problemit të ngrohjes përmes gazifikimit të qytetit, e kategorizojmë të pambajtur. 

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës appeared first on Faktoje.al.

11 mijë pensione pas vdekjes? Si u keqinterpretua raporti i KLSH-së

18 December 2025 at 12:45

Nuk ka vjedhje dhe as mashtrim me 11 mijë pensione. Raporti i KLSH-së për Institutin e Sigurimeve Shoqërore flet për pagesa të parapaguara dhe diferenca që rikuperohen ligjërisht. ISSH sqaroi për Faktoje se rastet abuzive në Shqipëri janë vetëm dy, jo mijëra siç u keqinformua në media. 

Esmeralda Topi 

Në fund të muajit nëntor, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) u bë lajm viral. Portale të ndryshme e interpretuan si “11 mijë pensione të marra pas vdekjes”, duke krijuar përshtypjen e një skandali masiv. 

Lajmi u publikua në të njëjtën javë kur Italia u trondit nga një rast mashtrimi me pensionin që buri bujë. Një burrë 56-vjeçar mbante trupin e nënës së tij për tre vite në shtëpi, ndërsa vazhdonte të merrte pensionin e saj, duke përfituar rreth 53 mijë euro në vit. 

Ky rast dramatizoi situatën në Shqipëri, duke keqinterpretuar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por krahasimi nuk qëndron.

Çfarë thotë raporti i KLSH-së?

Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë ISSH-së gjatë vitit 2024 evidentoi 11,030 raste pagesash pas vdekjes, me një dëm financiar prej 114,8 milionë lekësh. Nga këto, mbi 100 milionë lekë janë rikuperuar, ndërsa rreth 14,7 milionë lekë mbeten ende në proces arkëtimi.

Por raporti i KLSH sqaron diçka thelbësore që mediat e kanë anashkaluar. 

përfshihen të gjitha rastet e tërheqjes pas datës së vdekjes, gjithashtu edhe rastet kur përfituesi i pensionit e ka tërhequr vetë pensionin, por ka ndërruar jetë në po atë muaj. Meqënëse pensioni është një pagesë që merret paradhënie, pjesa pas datës së vdekjes duhet mbajtur nga granti”, shkruhet në raport. 

Pra nuk bëhët fjalë për mashtrime nga persona të tjerë apo familjarë, por për pensionistë që kanë marrë pensionin dhe më pas kanë ndërruar jetë. 

ISSH: Nuk ka vjedhje

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, sqaron për Faktoje.al natyrën e këtyre pagesave. Ai theksoi se shifra 11 mijë është keqinterpretuar. 

“Ajo që dua të sqaroj është kjo: ato nuk janë pensione të njerëzve që kanë vdekur dhe kanë marrë pensione pasi kanë vdekur, pra i ka tërhequr dikush tjetër. Përgjithësisht këto janë raste kur qytetarët kanë ndërruar jetë pasi kanë marrë pensionin”

Hado shpjegon më tej se pensionet në Shqipëri parapaguhen në fillim të muajit. Për shembull, nëse një pensionist merr pensionin më 1 dhjetor dhe ndërron jetë më 10 dhjetor, ai ka tërhequr pensionin e plotë, por ligjërisht i takon vetëm pjesa deri në datën e vdekjes. Diferenca duhet rikthyer në fondin e sigurimeve shoqërore. Dhe shifra 11 mijë përfaqëson këtë fenomen.

“Në këtë rast nuk ka vjedhje, nuk ka marrje të pensionit të pamerituar, nuk ka shkelje, nuk ka abuzim. Dëmi ka qenë diku tek 37 milionë lekë, janë rikuperuar 29.5 dhe janë për t’u rikuperuar 6.7. Nuk ka dëm ekonomik”,  thekson Hado.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, keqinformimi mbi raportin e KLSH-së nuk është vetëm çështje financiare. Ata paralajmërojnë se raportimi i pasaktë dëmton reputacionin dhe krijon konfuzion shoqëror.

“Dëmi së pari për vetë gazetarët: humbasin besimin si burim informacioni dhe analizash serioze; dëmtojnë në mënyrë jo të drejtë reputacionin e institucioneve duke i bërë ato më të dobëta para publikut. E gjithë kjo, me kohë, krijon një çoroditje shoqërore dhe zhvlerësim të së vërtetës”, thekson Selami Xhepa. 

2 raste mashtrimi

Instituti i Sigurimeve Shoqërore pranon se ka patur edhe raste abuzive, por ato janë të izoluara dhe nuk bëhët fjalë për mijëra. Përkundrazi, janë vetëm dy raste.

“Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga këto lloj mashtrimesh sepse ka individë që mund të ndërrojnë jetë dhe familjet nuk i ç’regjisrojnë. Dhe këto raste ne sigurisht i kontrollojmë”, thotë drejtori Astrit Hado, duke shtuar se kryesisht janë raste nëpër rrethe apo fshatra.

“Një në fakt ka dalë nga një emision investigativ që kishte 8-9 vjet që kishte ndërruar jetë nuk ishte deklaruar. Dhe rezultoi që as i biri se kishte marr në fakt, e kishin marrë punonjësit e postës me një administrator”, tregon drejtori i ISSH-së.

“Një rast tjetër që kishim, ishte individ që kishte ndërruar jetë para 10 vjetësh në Spanjë dhe ishte marrë pensioni. Jo nga familjarët, nga dikush tjetër. Rast që e investiguam deri në fund dhe morëm edhe masat e nevojshme”, përfundon Hado. 

Por ndonëse të pakta në numër, për ekspertin e ekonomisë Klodian Muço edhe këto raste kërkojnë zgjidhje.

“Duhet gjetur një mekanizëm i kontrollit të vazhdueshëm ndërmjet atyre që përfitojnë pensionin dhe atyre që kontrollojnë. Problematikat ndodhin kur personat që humbasin jetën nuk ç’regjsitrohen dhe familjarët përfitojnë nga kjo situatë, më tepër se koordinim, duhet zgjidhje”, argumenton ai. 

Përfundim

11 mijë pagesa pas vdekjes nuk do të thotë 11 mijë vjedhje pensionesh. Bëhet fjalë kryesisht për një mekanizëm teknik të parapagimit të pensionit dhe për raste që korrigjohen ligjërisht. Mashtrimet ekzistojnë, por janë të rralla dhe jo skandal masiv.

The post 11 mijë pensione pas vdekjes? Si u keqinterpretua raporti i KLSH-së appeared first on Faktoje.al.

Rruga drejt Teqesë së Melçanit, premtim i mbajtur

16 December 2025 at 10:00

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, gjatë fushatës për mandatin e tretë premtoi investime në fshatin Melçan, për të përmirësuar lëvizjen e banorëve dhe aksesin në zonë. Rruga që lidh fshatin me Teqenë “Baba Abdulla” ishte një prej tyre. Verifikimet tregojnë se segmenti me gjatësi 1.2 km, ka përfunduar.

Esmeralda Topi 

Fushatën për mandatin e tretë në krye të bashkisë Korçë kandiati i socialistëve Sotiraq Filo e përqëndroi tek fshati dhe problematikat e zonave rurale të juglindjes. Nga takimet me banorët e Melçanit, Filo premtoi investime edhe për rrugën, që bashkon fshatin me Teqenë “Baba Abdulla”. 

Më pas, angazhimi u reflektua me ndërhyrje konkrete në terren. Në qershor të këtij viti, kryebashkiaku i Korçës premtoi rikonstruksion të plotë të shtresave asfaltike të kësaj rruge.

“Ky investim lidh me rrugë të re gjithë unazën Lumalas–Melçan–Porodinë, duke përmirësuar lëvizjen e banorëve dhe aksesin drejt zonave përreth,” premtonte Filo gjatë një inspektimi në terren.

Rruga me gjatësi 1.2 kilometra dhe gjerësi 4.5 metra, sipas tij, po realizohej në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. 

Verifikim

Faktoje iu drejtua Bashkisë së Korçës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për të kuptuar nëse rruga e Melçanit ishte një tjetër premtim në proces apo një investim i përfunduar. Përgjigjet zyrtare konfirmuan se punimet në këtë segment kishin përfunduar në muajin qershor. 

Investimi me vlerë 12,8 milionë lekë (pa TVSH), është zbatuar nga kompania “Shkëlqimi 07”, si financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. 

Në tetor, Faktoje verifikoi në terren investimin në këtë segment. Rruga ishte e përfunduar, e shtruar dhe funksionale duke lidhur fshatin Melçan me Teqenë “Baba Abdulla”.

Përfundim 

Nisur nga informacioni i mbledhur dhe verifikimi i kryer në terren, premtimin e kryebashkiakut Sotiraq Filo për rrugën që lidh fshatin Melçan me Teqenë “Baba Abdull”, e kategorizojmë të mbajtur. 

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowement for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Rruga drejt Teqesë së Melçanit, premtim i mbajtur appeared first on Faktoje.al.

Një dekadë pritje për pistën e skive në Korçë, premtimi mbeti 3D

14 December 2025 at 10:00

Nga premtimet e përsëritura tek vizualizimet 3D, Bashkia e Korçës ka dhjetë vite që nuk ka bërë asnjë hap konkret për t’i dhënë jetë ndërtimit të pistës së skive dhe resortit dimëror. Faktoje rikthen në vëmendje premtimin e pambajtur të kryebashkiakut Sotiraq Filo. 

Esmeralda Topi 

Prej një dekade, pista e skive bashkë me një resort dimëror në Korçë mbetet një nga premtimet më të ricikluara të kryebashkiakut Sotiraq Filo. 

Që prej vitit 2015, Faktoje e ka ndjekur nga afër këtë angazhim publik, i cili është shfaqur në fushata të njëpasnjëshme, herë me skica projektesh, herë me prezantime 3D, por asnjëherë me punime konkrete në terren.

Ndërsa vitet kanë kaluar, dhe Korça është kthyer një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit, premtimi për zhvillimin e turizmit dimëror përmes një piste skish ka mbetur në vendnumëro. 

Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, Filo e riktheu projektin, duke publikuar një vizualizim virtual të një resorti modern në zonat malore të Korçës. Ai e prezantoi atë si një investim që do të gjallëronte ekonominë, do të zgjaste sezonin turistik gjatë gjithë vitit dhe do të sillte të ardhura të reja për zonën.

Mirëpo pas premtimeve, realiteti ka qenë krejt tjetër.

Bashkia ‘dorëzohet’: S’kemi informacion

Dy vite më parë, Bashkia e Korçës i konfirmoi Faktoje-s se nuk kishte arritur të gjente mënyrën e financimit për projektin e pistës së skive dhe resortit dimëror. I njëjti problem vijoi edhe gjatë vitit të kaluar. Bashkia argumentonte se përmasat e mëdha të investimit kërkonin bashkëpunim shumëpalësh mes qeverisë, bashkive të tjera të rajonit, Federatës Shqiptare të Skive dhe investitorëve privatë.

Në komunikimin zyrtar të një viti më parë, institucioni pohonte se kishte piketuar malin e Gramozit si një nga zonat më të mundshme ku mund të ndërtohet resorti bashkë me pistën e skive. 

Për këtë arsye, në malin e Gramozit po monitoroheshin kushtet klimatike përmes një stacioni meteorologjik, si një hap i domosdoshëm për të identifikuar zonën e përshtatshme për ndërtimin e pistës së skive.

Ky informacion krijoi përshtypjen se projekti mund të ishte në një fazë studimore, megjithëse pa një plan të qartë financimi.

Për të kuptuar nëse projekti kishte pësuar ndonjë zhvillim këtë vit, Faktoje i drejtoi Bashkisë Korçë një kërkesë të re për informacion. Mirëpo, përgjigjja e këtij viti ishte e shkurtër dhe shterpë.

Në lidhje me pistën e skive nuk kemi informacion”, pohon Bashkia e Korçës për Faktoje.al

Asnjë shpjegim për fazën në të cilën ndodhet projekti, asnjë referencë për monitorimin e kushteve klimatike, asgjë për financimin ose për hapat e ndërmarrë. 

Projekt me potencial, por pa drejtim

Ekspertët e turizmit e konsiderojnë prej vitesh këtë projekt si shumë të rëndësishëm për diversifikimin e ofertës turistike të Korçës, sidomos në sezonin dimëror. 

Zak Topuzi nga Shoqata e Hoteleri-Turizmit ka theksuar se mungesa e pistave të skive është një nga boshllëqet më të mëdha që ka Shqipëria për sa i përket sporteve dimërore. 

Sipas tij, investimi në infrastrukturën e pistave është kusht i domosdoshëm për ndërtimin e resorteve dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm për 365 ditë.

Por edhe pse potenciali ekziston, mungesa e një strategjie të qartë, e financimit dhe e prioritetit institucional ka bërë që projekti të mbetet në letër. Edhe më problematike është fakti që këtë vit, Bashkia nuk ka më as informacion bazë për nismën.

Përfundim

Duke nisur nga viti 2015, kur Filo premtoi për herë të parë ndërtimin e një kompleksi turistik dhe një piste skish, e deri te vitet e fundit kur projekti u paketua me imazhe 3D, premtimi ka kaluar nga një fazë në tjetrën pa asnjë hap konkret.

Pas verifikimeve të vazhdueshme, dhe sidomos pas deklaratës së këtij viti ku Bashkia thotë se “nuk ka informacion”, Faktoje e kategorizon sërish këtë premtim si të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Një dekadë pritje për pistën e skive në Korçë, premtimi mbeti 3D appeared first on Faktoje.al.

Aeroporti 1,1 milionë € në Korçë shumë larg vizionit 3D të fushatës

13 December 2025 at 10:00

Esmeralda Topi 

Në fushatën elektorale të vitit 2023, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, prezantoi për qytetarët projektin e aeroportit Turistik dhe Sportiv në Lumalas, përmes një videoje 3D që tregonte pistën, terminalin, godinën e administratës dhe hapësirat për aktivitete ajrore. Premtimi ishte se aeroporti do të bëhej “realitet i prekshëm” dhe do të nxisë turizmin rajonal dhe sportet e aventurës. 

Pas një viti e gjysmë, Bashkia e Korçës e cilëson projektin 1.1 milionë euro të përfunduar fizikisht. Sipas institucionit, aeroporti ndodhet në fazën e çertifikimit, një proces i domosdoshëm për të mundësuar operimin e fluturimeve. 

“Përgjegjës për mirëmbajtjen dhe operimin e tij do të jetë Bashkia Korçë me mbështetjen e Autoritetit të Aviacionit Civil, të cilët bëjnë dhe çertifikimin e fushës”, pohon Bashkia e Korçës për Faktoje.al.

Aeroporti ndodhet në fshatin Lumalas, rreth 7.5 kilometra larg Korçës dhe ndërhyrja u bë në pistën historike ekzistuese të aviacionit të këtij qyteti. Investimi do të shërbejë për sporte ajrore, aktivitete turistike dhe raste emergjencash. Megjithatë, bashkia pranon se ende nuk ka marrëveshje me Shoqatën Shqiptare të Aeronautikës apo operatorë të tjerë. 

Sipas bashkisë, plani për funksionimin e aeroportit dhe për aktivitetet sportive do të bëhet i ditur pasi të përfundojë çertifikimi. 

Verifikim në terren 

Verifikimi i Faktoje këtë vjeshtë tregoi se pamja reale e aeroportit është shumë larg asaj që u prezantua në video 3D të kryebashkiakut Sotiraq Filo.

I vetmi element që përputhet me projektin 3D është godina e administratës dhe kontrollit, e cila është përfunduar fizikisht. Megjithatë, edhe asaj i mungojnë shumë detaje që shfaqen në vizualizimin e fushatës, veçanërisht në ambjentin e jashtëm.

Kur krahasojmë pamjen reale të terrenit me projektin 3D të prezantuar nga Filo në fushatë, bien në sy ndryshimet e mëdha.

Pista, e cila në 3D duket e pasur me çdo element, në terren ka vetëm një gardh rrethues rrjete metalike që mund të ngatërrohet me rrethimet e zakonshme që bëjnë fermerët për të ndarë tokat nga njëri tjetri.

Pista nuk është aspak e dallueshme si në videon 3D, ndërkohë që bie në sy veçanërisht mungesa e vijëzimeve. 

Për më tepër, gjatë shirave të rrembyeshëm të nëntorit, pjesa e pistës u përmbyt nga uji, duke e shndërruar hapësirën e aeroportit pothuajse në një port të vogël. Situatë kjo që nxori në pah mungesën e përgatitjes për kushte të tilla atmosferike. 

Përfundim

Edhe pse Bashkia e Korçës e konsideron projektin fizikisht të përfunduar, krahasimi me video 3D tregon qartë se realiteti është shumë larg vizionit të fushatës. Premtimi i kryebashkiakut për një aeroport “të prekshëm” mbetet pjesërisht i mbajtur, pasi infrastruktura ka progres fizik, por funksionimi praktik dhe aktivitetet ajrore nuk kanë filluar ende.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Aeroporti 1,1 milionë € në Korçë shumë larg vizionit 3D të fushatës appeared first on Faktoje.al.

Qeveria injoron paralajmërimet e BE-së, FMN-së dhe biznesit amerikan, miratohet ‘Paqja Fiskale’ 

12 December 2025 at 14:16

Mazhoranca miratoi me 75 vota marrëveshjen për “Paqen Fiskale”, pavarësisht shqetësimeve serioze të ndërkombëtarëve. Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe biznesi amerikan shprehën shqetësime të forta pasi nisma lë hapësirë për pastrim parash dhe cënon konkurrencën e ndershme. Opozita pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. 

Esmeralda Topi 

Me 75 vota pro, 20 kundër dhe asnjë abstenim socialistët miratuan projektligjin e shumëdebatuar për “Paqen Fiskale”. 

Kundërshtitë e forta pak para votimit të nismës nga Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë ranë në vesh të shurdhër, pasi mazhoranca miratoi “Paqen Fiskale” duke rrëzuar të gjitha amendamentet, përfshi edhe ato të miratuara më herët nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë. 

Propozimi i Erion Braçes që detyronte kompanitë përfituese nga marrëveshja e paqes të deklaronin burimin e parave dhe pronarin përfitues, u hoq me propozim të Taulant Ballës.  

“Do të votojmë amendamentin e paraqitur nga deputeti Taulant Balla, ku propozohet që neni dy paragrafi përfitimi nga marrëveshja, bëhet me verifikimin e burimit të fondeve dhe pronarit përfitues sipas standarteve të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, i shtuar nga Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të hiqet”, tha kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.

Erion Braçe, argumentoi se propozimet e tij thellonin karakterin e ligjit.  

Të gjithë propozimet që kam bërë ndajnë thelbin e ligjit me mundësinë për të pastruar para nga sektorë të ndryshëm qoftë dhe individë”, theksoi Braçe.

Sipas tij, ndryshimet e propozuara i japin ligjit karakter transparence. “Standard që ligje të kësaj natyre duhet ta kenë me çdo kusht,” përfundoi Braçe. 

Por këto argumente nuk i përqafuan kolegët e tij socialist. 

Paçka se ishin shqetësimet kryesore të Bashkimit Evropian, FMN-së dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë amendamentet që kufizonin mundësitë e pastrimit të parave dhe rrisnin transparencën, u rrëzuan një e nga një.  

Edhe propozimi për të përjashtuar kompanitë që kanë marrë kontrata PPP nga marrëveshja e “Paqes Fiskale” u rrëzua.

“Paqja Fiskale” drejt Kushtetueses 

Edhe amendamentet e opozitës për nismën u rrëzuan me kartonat e shumicës së socialistëve. Në këto kushte, deputetja Jorida Tabaku tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. 

Edhe në qoftë se presidenti e dekreton, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, të gjithë, do ta shohin ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, premtoi Tabaku.

Deputetja demokrate i përmendi socialistëve problemet e rënda që shprehu Brukseli lidhur me pastrimin e parave. Ajo i kujtoi ministrit të financave se “Paqja” nuk ishte e dakordësuar me BE-në sikurse pretendoi Malaj.

“Tre ditë më parë, Komisioni Evropian deklaroi që ligji ka probleme të rënda dhe njëkohësisht është në kundërshtim edhe me mekanizmin e Money Val-it dhe pastrimit të parave. Ndërkohë që sot për median Faktoje bëri një deklaratë duke thënë që ky ligj vjen në parlament pa dakordësinë e BE-së”, u shpreh Tabaku. 

Amendamente paraqiti edhe Partia Mundësia, por patën të njëjtin fat me ato të demokratëve dhe socialistit Braçe. 

“Përjashtoni të gjitha subjektet që janë në hetim apo të dënuar në fushën e krimit dhe narko-trafikut, të përjashtohen edhe kompanitë që janë dënuar ose janë në hetim,”  tha Agron Shehaj. 

Shehaj propozoi edhe përjashtimin e të gjithë individëve që janë subjekt i deklarimit dhe kontrollit të pasurive nga falja. “Të paktën të përjashtojmë veten nga amnistia fiskale”, tha ai. 

Plani për “Paqen Fiskale” u prezantua në mënyrë të beftë në kulmin e fushatës elektorale nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi votat shqiptarëve me premtimin e “pasaportës europiane”. Por pak muaj më vonë, nisma mori dritën jeshile nga socialistët duke rënë ndesh me kërkesat e Brukselit.

The post Qeveria injoron paralajmërimet e BE-së, FMN-së dhe biznesit amerikan, miratohet ‘Paqja Fiskale’  appeared first on Faktoje.al.

BE shpreh shqetësime serioze për ‘Paqen Fiskale’ në prag të votimit në parlament 

11 December 2025 at 11:48

Esmeralda Topi

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë shpreh shqetësime serioze mbi efektet e “Paqes Fiskale”. Në prag të votimit në parlament të nismës që i hap rrugën faljes masive të borxheve dhe rishikimin e detyrimeve tatimore për bizneset, BE paralajmëron qeverinë mbi rreziqet e saj. 

“Komisioni theksoi shqetësime serioze që lidhen me dekurajimin e përmbushjes tatimore dhe përsëriti nevojën për vendosjen e masave të forta kundër pastrimit të parave brenda këtij propozimi, ndërkohë që vazhdon angazhimin për uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore”, tha për Faktoje.al, zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian. 

Për BE-në, këto shqetësime duhet të adresohen përpara se nisma të konsiderohet e qëndrueshme në kontekstin e integrimit evropian. Delegacioni thekson se çdo amnisti apo program vullnetar për përmbushjen tatimore duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke mos cenuar luftën kundër krimit të organizuar.

“Shqipëria të sigurojë që ‘amnistitë e mundshme dhe programet vullnetare për përmbushjen tatimore të jenë në përputhje me planet e vendit, të avancojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe të jenë në përputhje me acquis-në përkatëse të BE-së dhe standardet ndërkombëtare, si ato të përcaktuara nga Moneyval dhe FATF”, përfundon reagimin zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë. 

Nisma pa dakordësinë e BE-së

Qendrimi i Brukselit pak orë para se Parlamenti të votojë “Paqen Fiskale” sfidon edhe qëndrimin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili më herët ka lënë të kuptohet se nisma është dakordësuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian. 

“Në frymën e transparencës ky projekt është konsultuar me FMN, e cila është dakord me këtë projekt, nuk e ka kundërshtuar fshirjen dhe legalizimin. Po ashtu, edhe me Bashkimin Europian jemi konsultuar”, deklaroi Malaj gjatë emisionit E Zone në Vizion Plus. 

Deklarata bie ndesh me informacionin zyrtar të Delegacionit, sipas të cilit, shqetësimet e BE-së mbeten të pazgjidhura. Nisma, sipas tyre, nuk ka përputhshmëri të plotë me standardet europiane për administrimin fiskal dhe luftën kundër pastrimit të parave.

Ndryshe nga sa deklaron ministri, qeveria nuk është konsultuar me Brukselin për “Paqen Fiskale”. Në qershor të këtij viti, në një reagim për Faktoje.al Komisioni Europian paralajmëronte qeverinë se nisma mund të ndikonte në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. 

“Ne nuk jemi konsultuar nga autoritetet shqiptare për këtë propozim”, tha asokohe një zëdhënës i Komisionit Europian për Faktoje.al.

Madje, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër nismës. Në vizitën e fundit zyrtare, në krah të ministrit, shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber tha se “kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.

“Lavatriçe për pastrimin e parave”

Plani për “Paqen Fiskale” është kundërshtuar ashpër edhe nga opozita. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, i ka adresuar rreziqet e nismës pranë Komisionit dhe Parlamentit Europian.

“Kjo amnisti hap dyer për pastrim parash, dobëson sigurinë ekonomike dhe minon besimin që investitorët ndërkombëtarë duhet të kenë tek Shqipëria. Qëndrimi im është i qartë – asnjë lëshim për informalitetin”, argumenton Tabaku. 

Sipas saj, “Paqja Fiskale” është lavatriçe shtetërore për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit, duke shpërblyer mashtruesit dhe evazorët, ndërsa rëndon barrën mbi bizneset e ndershme dhe qytetarët që paguajnë çdo ditë taksat.

Kundërshti ka shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Bizneset amerikane kanë kritikuar qeverinë për mungesën e konsultimeve publike si dhe mungesën e transparencës për dy projektligjet, që pritet t’u falin bizneseve miliarda euro detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa.

Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë dhe financave e kanë cilësuar nismën si një sinjal të gabuar dhe të rrezikshëm. 

Ish-drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, e quan fshirjen masive të borxheve një ndëshkim për bizneset që kanë qenë korrektë ndër vite.

Ndërsa audituesi ligjor Julian Saraçi shkon më tej, duke e përshkruar si një kapitullim të shtetit përballë informalitetit të toleruar. Sipas tij, kjo nuk është një marrëveshje, por një shpëlarje faji për dështimet institucionale në mbledhjen e borxheve. 

Çfarë parashikon “Paqja Fiskale”?

Qeveria thotë se “Paqja Fiskale” është një paketë lehtësuese që përfshin falje masive borxhesh dhe rishikim të detyrimeve tatimore. 

Tre shtyllat kryesore të Paqes Fiskale:

  • Tatim i Dakordësuar mbi Fitimin
  • Rishikim i Pasqyrave Financiare
  • Falje e Detyrimeve dhe Kamatë Vonesave

Nisma parashikon fshirjen e plotë të borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite, nëse janë ende të pashlyera. Për detyrimet nga 5-10 vite parashikohet fshirje 50% e borxhit, nëse biznesi e paguan menjëherë. Ndërsa bizneset që nuk kanë mundësi për shlyerje të menjëhershme, do të ketë një marrëveshje 12 mujore dhe falja do të jetë në masën 25%. Nuk përfshihen këtu detyrimet për sigurimet shoqërore. 

Po ashtu, paketa propozon edhe rishikimin e deklaratave të mëparshme të tatim fitimit.
Bizneseve u jepet e drejta që të rishikojnë deklaratat tatimore për 5 vitet e fundit pa gjoba e kamatvonesa (legjislacioni aktual e lejon për 3 vjet) por duke paguar tatim fitimi prej 5% për çdo diferencë fitimi që krijohet nga rishikimi.

Bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 162.5 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro, borxhe të papaguara në tatime dhe dogana. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimi mbi fitimin janë taksat kryesore që bizneset nuk kanë paguar ndër vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se 84.7% e borxhit është me vjetërsi mbi 2 vite. Ndërsa detyrimet e pashlyera në kohë prej më shumë se 5 vitesh zënë 64.4% të totalit. 

Përfundim

Plani për “Paqen Fiskale” u prezantua në mënyrë të beftë në kulmin e fushatës elektorale nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi votat shqiptarëve me premtimin e “pasaportës europiane”. Por nisma bie ndesh me kërkesat e Brukselit. Pak orë para votimit në Parlament, Bashkimi Evropian ngre shqetësime të forta për nismën, të cilat rrëzojnë edhe deklaratat e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili pretendoi se “Paqja Fiskale” kishte dakordësinë e BE-së.

Komisioni Evropian paralajmëron se nisma rrezikon të dekurajojë përmbushjen tatimore dhe mund të krijojë hapësira për pastrim parash, duke shmangur standardet ndërkombëtare të Moneyval dhe FATF. Delegacioni i BE-së i konfirmoi Faktoje.al se shqetësimet mbeten ende të hapura dhe se nisma duhet përputhur me acquis të BE-së para se të konsiderohet e pranueshme në kuadër të integrimit. 

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër nismës. Në vizitën e fundit zyrtare, në krah të ministrit Malaj, shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber tha se “ disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.

Ndaj nisur nga këto informacione, deklaratën e ministrit të financave Petrit Malaj e kategorizojmë të pavërtetë.

The post BE shpreh shqetësime serioze për ‘Paqen Fiskale’ në prag të votimit në parlament  appeared first on Faktoje.al.

Nga përurimi te rrëshqitja e masivit, shembja që zbuloi problemet e rrugës Qukës- Qafë Plloçë

10 December 2025 at 15:00

Esmeralda Topi 

Mëngjesin e 23 nëntorit, disa familjarë nga Tirana nisën një udhëtim drejt Maliqit për të marrë pjesë në një përkujtimore. Ata vendosën të kalonin nga rruga e re Qukës – Qafë Plloçë, pak javë pas ceremonisë inauguruese, ku daullet, veshjet popullore dhe buka me qiqra tipike e juglindjes ishin pjesë e festës. 

Por të gjitha makinat e nisura herët u detyruan të devijonin rrugën, pasi Qafë- Plloça ishte bllokuar nga një masiv i madh shkëmbor.

“Ishim të pavendosur se nga do të kalonim për shkak të motit të keq, por në fund zgjodhëm rrugën e re,” tregon Geri, një nga udhëtarët, duke shtuar se përvojën e morën si mësim. “Nuk bëhet në mot të keq, e aq më pak në dimër”, përfundon ai.

Problemet nisën që herët

Problemet e para me rrugën që u hap për qarkullim në shtator nisën që në javët e para. Por pamjet e çarjes të skarpatës dhe rënies masive të gurëve në nëntor treguan degradimin e shpejtë të veprës më të shtrenjtë dhe më të stërzgjatur të infrastrukturës në Shqipëri.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 23 nëntor 2025

Shembjen e rrugës Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ia la motit të keq, duke lënë në hije përgjegjësinë e kontraktorit.

“Reshjet e dendura të shiut… kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35,” tha ARRSH në një njoftim në rrjetin social facebook më 23 nëntor.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 23 nëntor 2025

Për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve, Autoriteti Rrugor ndërtoi një kalim të përkohshëm në kilometrin 37, pjesa e fundit e rrugës Qukës – Qafë Plloçë.

Seksioni ku ka ndodhur shembja është më i shtrenjti për kilometër. Një segment prej 9.2 kilometrash që ka kushtuar 70 milionë dollarë. E thënë ndryshe 7.6 milionë dollarë për kilometër. 

Burimi: ARRSH 

Ndërsa e gjithë rruga Qukës – Qafë Plloçë (43,4 km) ka kushtuar 242.6 milionë dollarë.  

Verifikim

Një javë pas ndërtimit të bypassit si zgjidhje emergjente nga ARRSH, Faktoje udhëtoi drejt juglindjes dhe vizitoi zonën. Pamjet nga segmenti i tretë, ku kishte ndodhur shembja masive, ishin të njëjta me ato të ditës së parë. 

Masivi shkëmbor vijonte mbi asfalt, barrierat të shtrembëruara dhe skarpatat mbrojtëse nuk ishin përfunduar. Mjetet devijonin nga kalimi paralel i përkohshëm. 

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 29 nëntor 2025

Edhe më 6 dhjetor, panorama ishte e njëjtë. 

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, 6 dhjetor 2025

Për t’i dhënë zgjidhje afatgjatë zonës ku ka ndodhur rrëshqitja, Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se do të bëj monitorim dhe studim. 

“Për këtë rrëshkitje do të bëhet monitorim dhe studim gjeologo-inxhinierik për të arritur zgjidhjen më të mirë teknike dhe sigurinë në rrugë”- ARRSH për Faktoje.al.

Por problemet nuk janë të izoluara vetëm në këtë segment. Edhe në pjesë të tjera të rrugës ka problematika me elementët kyë të sigurisë rrugore, skarpatat mbrojtëse mungojnë duke vënë në rrezik kalimtarët. 

Rruga u përurua pa përfunduar

“Ndodhemi në segmentin Qukës- Qafë Plloçë, tashmë totalisht i përfunduar…”, deklaronte zëvendëskryeministrja Belinda Balluku gjatë përurimit. 

Por dy muaj më vonë, masivi shkëmbor bllokoi rrugën, duke vënë në provë sigurinë dhe menaxhimin e këtij projekti që kërkoi gati dy dekada pune dhe qindra milionë dollarë. Dhe ndonëse u festua me daulle dhe valle popullore, rruga u inaugurua e papërfunduar plotësisht.

Segmenti i tretë i rrugës, ai nga km 33 deri në 43, nuk ishte ende dorëzuar kur qeveria e hapi për qarkullim aksin Qukës -Qafë Plloçë.

Faktoje kishte kërkuar informacion nga ARRSH dhe përgjigja erdhi më 28 nëntor, një ditë para shembjes. Sipas Autoritetit Rrugor punimet në rrugë kishin përfunduar, por punohej ende për përforcimin e skarpatave me ankora dhe rrjeta mbrojtëse. 

Përgjigje kjo që faktonte një problem të njohur në Shqipëri, rrugët shpesh inaugurohen pa u përfunduar plotësisht. Si afat, ARRSH dha fundin e muajit nëntor.  

“Kontraktori është në periudhën e defekteve, ka pastruar dherat e rëna në rrugë dhe po punon për stabilizimin e skarpatave”- ARRSH, 28 nëntor 2025.

Por masivi shkëmbor nuk priti dorëzimin. Ai rrëshqiti, duke bllokuar rrugën dhe duke treguar se inaugurimet ceremoniale nuk garantojnë siguri. Autoriteti u detyrua të shtynte afatin e dorëzimit të seksionit në fundvit dhe të ndërtonte një bypass të përkohshëm që devijon trafikun.

Përfundim

Aksi Qukës – Qafë Plloçë i gjatë 43,4 km nisi të ndërtohej 16 vite më parë. Ndonëse u inagurua me daulle dhe bukë me qiqra, të dhënat zyrtare faktojnë se rruga nuk ishte përfunduar. 

Shembja masive në pjesën e fundit të rrugës nxorri në pah mungesën e sigurisë, edhe pse fatura e projektit infrastrukturor ka qenë e majme dhe punimet kanë zgjatur për vite me radhë.

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi i kryer, deklaratën e zëvendëskryeministres së pezulluar nga detyra, Belinda Balluku se ‘segmenti Qukës- Qafë Plloçë është i përfunduar…’ e kategorizojmë të pavërtetë. 

Shënim: Fotografia kryesore është e prodhuar nga Inteligjenca Artificiale.

The post Nga përurimi te rrëshqitja e masivit, shembja që zbuloi problemet e rrugës Qukës- Qafë Plloçë appeared first on Faktoje.al.

Reklamat, IA dhe fenomeni “Zegjine Caushi” në zgjedhjet 2025

5 December 2025 at 16:42

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri, komunikimi politik u mbështet fort në platformat Facebook dhe Instagram, ku drejtuesit politikë dhe kandidatët përdorën gjerësisht imazhe, video dhe reklama të sponsorizuara për të angazhuar votuesit dhe për të sulmuar kundërshtarët e tyre. 

Këto janë gjetjet kryesore të BIRN Albania në raportin e monitorimit të mediave sociale për zgjedhjet e fundit parlamentare. 

Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore… komunikimi politik u mbështet fort në platformat e Meta-s,” citon raporti, duke treguar qartë se beteja politike nuk është më në sheshet e qyteteve, por në feed-in e përdoruesve.

Raporti dokumenton 265,985 dollarë të shpenzuara në reklama politike, shumica prej tyre nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Diferenca mes buxheteve të partive të mëdha dhe subjekteve të vogla ishte aq e thellë, saqë gara digjitale u përcaktua jo nga idetë, por nga kapaciteti për të blerë hapësirë.

Fushata në Facebook 

Facebook ishte terreni kryesor i aktivitetit politik. 136 kandidatë administruan faqe zyrtare, me një dominim të dukshëm të Partisë Socialiste, e cila publikoi 53.6% të përmbajtjes totale. Aleanca për Shqipërinë Madhështore arriti 40%, ndërsa partitë e tjera së bashku prodhuan vetëm pak më shumë se 6% të postimeve.

Kandidatët u mbështetën kryesisht te përmbajtja vizuale. 

59% postime standarde (tekst + imazh) dhe 41% video, formati që garanton shtrirje më të madhe dhe ndërveprime më të larta.

Raporti evidenton se përmbajtja e të gjitha subjekteve gjeneroi 7.5 milionë ndërveprime, ku Partia Socialiste kryesoi me 4.46 milionë (59.3%), e ndjekur nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore me 2.61 milionë (34.6%). Partitë e vogla nuk shfaqen si faktor real, pjesa e tyre totale e ndërveprimeve është më pak se 6%.

Në nivel individual, pesë figurat më aktive dominuan hapësirën digjitale. Edi Rama gjeneroi 1.85 milion ndërveprime (24.5%), Sali Berisha 1.14 milion (15.1%), ndërsa mes tyre spikasin edhe Taulant Balla, Agron Shehaj dhe Belinda Balluku, të cilët kapën rreth 3% të ndërveprimeve secili.

Fushata në Instagram 

Nga ana tjetër edhe Instagram-i luajti një rol të rëndësishëm gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare. Kjo platformë u përdor masivisht për komunikim vizual dhe përmes videove të shkurtra (reels). Kandidatët e monitoruar nga BIRN përfaqësuan 388 llogari biznesi, me 22,723 postime totale. 53% e tyre ishin video, pjesa tjetër postime statike ose karusel. 

Partia Socialiste prodhoi 11,203 postime (49.3%), Aleanca për Shqipërinë Madhështore 8,302 (36.5%), dhe partitë e tjera ishin pothuajse të padukshme. Përmbajtja e publikuar gjeneroi 8.3 milionë ndërveprime, ku PS përbënte 55.6% dhe Aleanca 32.5%. 

Në nivel figurash, Edi Rama mbeti kryesor me mbi 1.5 milion ndërveprime, i ndjekur nga Sali Berisha me 922,539 ndërveprime. Pas tyre, Belinda Balluku, Agron Shehaj dhe Zegjine Caushi, e vetmja grua jo ministre mes pesë më të angazhuarve, siguruan respektivisht 380,086, 343,692 dhe 178,216 ndërveprime. 

Palët e treta, laboratorët e padukshëm të propagandës

Në një pjesë të rëndësishme të raportit, BIRN evidenton një numër të lartë faqesh anonime. “58 faqe të palëve të treta” promovuan ose sulmuan kandidatë pa asnjë shenjë transparence mbi pronësinë apo financimin. 

Për publikun, këto faqe duken si portale të pavarura; në praktikë, ato janë pjesë e rrjetit të koordinuar të fushatave politike.

Në shumë raste, ato përdorin profile false, “bot-e” për të gjeneruar ndërveprime, apo video të prodhuara me IA që shtyjnë narrativën e radhës. Kjo krijon një realitet paralel, ku përmbajtja anonime ka të njëjtën peshë me komunikimin zyrtar.

The post Reklamat, IA dhe fenomeni “Zegjine Caushi” në zgjedhjet 2025 appeared first on Faktoje.al.

Skema e re e TVSH-së, fati i fermerëve në dorë të grumbulluesve

4 December 2025 at 17:25

Qeveria premtoi barazim të TVSH-së për fermerët, por nga viti tjetër do të zbatojë një skemë kompensimi me kushte që rrezikojnë të ‘djegin’ shumicën e fermerëve. Me të dhënat aktuale, mbi 100 mijë fermerë nuk i përmbushin kriteret e kompensimit 10% të TVSH-së.

Esmeralda Topi

Kur prezantoi skemën e rë të kompensimit 10% të tatimit mbi vlerën e shtuar për prodhuesit bujqësor, ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se synimi ishte t’i vinin në ndihmë fermerëve të vegjël. 

“Skema përpiqet të ndihmojë fermerët e vegjël, të cilët, janë fermerë të bazuar në një NIPT, marrin disa subvencione nga shteti dhe pjesë e këtyre subvencioneve është dhe skema e kompensimit të TVSH-së”  tha Malaj më 17 nëntor në komisionin parlamentar të Ekonomisë. 

Mirëpo, skema e re ka disa kufizime të cilat rrezikojnë të nxjerrin jashtë loje fermerët e vegjël. Ndryshimet në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar që po diskutohen në komisionet parlamentare, përcaktojnë si përfitues vetëm fermerët e pajisur me NIPT pranë administratës tatimore.Skema e re përjashtuon ata fermerë që janë të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.  

“Ky fermer i cili është i regjistruar në QKB, është i vetpunësuar, aktiviteti i tij është në sektorin bujqësor apo blegtoral nuk ka se si i kompensohet 10% për arsye sepse ky është njëlloj si çdo i vetpunësuar tjetër”, argumentoi Arjana Dyrmishi, Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Tatimore në Ministrinë e Financave. 

Kufizimet që penalizojnë fermerët 

Të dhënat e Administratës Tatimore tregojnë se në Shqipëri janë të regjistruar 111,600 fermerë me NIPT. Por deri në shtator, më pak se 10% e tyre janë të pajisur me autofatura. Konkretisht vetëm 10,149 fermerë u kanë shitur prodhimet bizneseve realisht. Këta janë të vetmit që përfitojnë 10% kompensim. Mbi 100 mijë fermerë të tjerë rrezikojnë të mos marrin asgjë.

Edhe më problematik është kufizimi tjetër në skemën e re.

Kompensimi jepet vetëm nëse prodhimi shitet te një subjekt i regjistruar për TVSH-në (grumbullues, përpunues apo agroturizëm i certifikuar). Me këtë formulim, fermeri i vogël që shet në treg apo te një pikë të zakonshme shitjeje del automatikisht i përjashtuar. Pra, për të marrë kompensimin, ai nuk është i lirë të shesë ku të dojë por duhet të shesë aty ku e udhëzon skema.

“Trajtimi si sa më sipër, nëpërmjet skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë, synon të kontribuojë në forcimin e ekonomisë dhe formalizimin e sektorit bujqësor, duke nxitur pajtueshmërinë e zbatueshmërinë nga ana e palëve të përfshira në transaksion”, argumentohet në projektligj. 

Për të marrë 10% kompensim, fermeri duhet të dorëzojë kërkesën pranë tatimeve bashkë me autofaturat ku figuron NIPT-i i tij, si dhe numrin e llogarisë bankare. Afatet ndahen në dy periudha gjashtëmujore dhe administrata tatimore ka 30 ditë për të kryer pagesën.

Premtimi që u shua

Në korrik, në Dialogun për Bujqësinë në Cërrik, kryeministri Edi Rama e tha qartë se skema e TVSH-së duhej të “njësohej”. Ndryshe nga sa po diskutohet tani në parlament, premtimi i kryeministrit nuk ishte për kompensim, por barazim të TVSH-së në shitje dhe blerje. 

“Një tjetër element shumë i qartë për të kaluar tek një gjë më e madhe është që duhet të njësojmë TVSH”, tha Rama.

Por vetëm pak javë më vonë, në programin “Shqipëria 2030”, qeveria ndryshoi pozicion. 

“Rishikojmë skemën e TVSH-s për fermerët bazuar në praktikat më të mira të BE me një efekt financiar prej rreth 1.5 mld lekë/vit transfertë direkte tek fermerët”, shkruhet në program. 

Opozita dhe deputeti socialist Erion Braçe propozuan barazimin e TVSH-së gjatë diskutimeve në komisionin parlamentar të ekonomisë. Por përfaqësuesit e ministrisë së financave e hodhën poshtë.

“T’i ngelemi propozimit që ka ardhur nga Këshilli i Ministrave”, pohoi zëvendësministri i Financave Endrit Yzeiraj.

Përfundim

Qeveria po rishikon skemën e TVSH-së vitin e ardhshëm, por përmes kompensimit direkt dhe jo barazimit të TVSH-së në shitje dhe blerje. Ndaj, nisur nga informacionet e mbledhura, premtimin e kryeministrit Edi Rama se TVSH-ja për fermerët do të njësohet, e kategorizojmë si të pambajtur.  

The post Skema e re e TVSH-së, fati i fermerëve në dorë të grumbulluesve appeared first on Faktoje.al.

Komisioni Evropian përgënjeshtron Ramën për fondet IPARD

3 December 2025 at 15:21

Esmeralda Topi

Nga foltorja e Kuvendit, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2026, kryeministri Edi Rama iu rikthye çështjes së ndërprerjes së fondeve IPARD, duke e minimizuar vendimin e Brukselit. Me ironi, Rama e cilësoi si “kënga e mjerueshme e fondeve të bujqësisë”. Ai u shpreh se hetimet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për periudhën 2019–2023 kanë zbuluar shkelje të natyrës së ngjashme edhe në vende të BE-së. 

Sipas kryeministrit shumat e identifikuara në këto vende arrijnë mbi 1 miliard euro.

“OLAF, i cili bën hetime për llogari të Komisionit Evropian, për vitin 2019–2023, nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë, (siç ka gjetur në Shqipëri), vetëm në këto vende: Luksemburg, Maltë, Qipro, Irlandë edhe Holandë. Ndërkohë që shuma e vendosur nga OLAF-i përpara vendeve të tjera të Bashkimit Evropian… është mbi 1 miliard euro,” Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Por ky krahasim është i pasaktë. 

Shqipëria, një rast unik 

Në një reagim të posaçëm për Faktoje.al, Komisioni Evropian sqaron se rasti i Shqipërisë është unik. Kjo sepse ndërprerja e pagesave për IPARD II dhe pezullimi i IPARD III u vendos mbi bazën e një hetimi të OLAF, jo thjesht mbi auditime teknike si në vendet anëtare të BE-së.

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, Komisioni Evropian thekson se masa e marrë ndaj Shqipërisë nuk ka precedent. 

“Siç është thënë më parë, nuk ka raste të ngjashme,” deklaron KE për Faktoje.al

Komisioni shpjegon se është e domosdoshme të dallohen korrigjimet financiare për mangësi teknike në vendet anëtare, dhe masat e bazuara në një hetim të OLAF, siç është rasti i Shqipërisë.

“Në rastin e Shqipërisë, Komisioni Evropian ka ndërprerë rimbursimin e shpenzimeve të IPARD dhe, njëkohësisht, ka pezulluar delegimin për të gjitha masat e IPARD III mbi bazën e informacionit të marrë nga OLAF në kontekstin e një hetimi, dhe kjo që prej korrikut 2023.

Është e qartë se, për të korrigjuar mangësi të tilla, përmirësimet në sistemet kombëtare të kontrollit janë të nevojshme në të dyja situatat e përmendura më sipër”, shpjegon Komisioni Evropian. 

Verën e vitit 2023, mbi bazën e informacionit të OLAF, Komisioni Evropian ndërpreu rimbursimet e IPARD II dhe pezulloi të gjitha masat e IPARD III. Për të rikuperuar besueshmërinë, Shqipëria duhet të përmirësojë sistemet e kontrollit dhe të zbatojë masa korrigjuese.

Gënjeshtër e përsëritur

Kjo nuk është hera e parë që qeveria minimizon ndërprerjen e fondeve IPARD II dhe pezullimin e programit IPARD III, për shkak të dyshimeve për korrupsion. 

Korrikun e vitit 2023, kur Komisioni Evropian informoi qeverinë shqiptare se kishte pezulluar grantet për bujqësinë, vendimi ekstrem i Brukselit, u komentua si një procedurë administrative normale. 

Ministrja e Bujqësisë asokohe, Frida Krifca, tha se parregullsi apo shpërdorime të ngjashme me fondet IPARD janë gjetur edhe në vende si Gjermania, Franca apo Holanda. Deklarata e atëhershme e ministres Frida Krifca, u përgënjeshtruan nga Faktoje.al përmes Komisionit Evropian.

Edhe në 2023, KE theksonte se masa ndaj Shqipërisë ishte e paprecedentë.

Përfundim 

Komisioni Evropian argumenton se është e rëndësishme të bëhet dallimi midis korrigjimeve financiare të aplikuara ndaj shteteve anëtare të BE-së nga Drejtoria e Përgjithshme për Agrikulturën dhe Zhvillimin Rural (DG AGRI), kundrejt çështjeve që dalin në dritë mbi bazën e një hetimi nga Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), siç është rasti për Shqipërinë.

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se “OLAF nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë siç ka gjetur në Shqipëri vetëm në Luksemburg, Maltë, Qipro, Irlandë edhe Holandë” e kategorizojmë të pavërtetë. 

Çështja e fondeve IPARD nuk është thjesht një “këngë e mjerueshme”, por test për besueshmërinë e institucioneve shqiptare në rrugën drejt integrimit europian.

The post Komisioni Evropian përgënjeshtron Ramën për fondet IPARD appeared first on Faktoje.al.

Ballkani Perëndimor në spiralen e re të armatimeve

28 November 2025 at 15:00

Ballkani Perëndimor po futet me shpejtësi në një spirale të re armatimesh, me Serbinë që vijon rolin e një fuqie të plotë ushtarake duke e vendosur rajonin nën presionin e një ekuilibri të ri force. 

Të dhënat e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), të përpunuara nga Faktoje.al, tregojnë se të gjitha shtetet e Ballkanit kanë rritur buxhetet e mbrojtjes gjatë pesëvjeçarit të fundit. 

Burimi: SIPRI 

Por kjo rritje nuk ka qënë e barabartë.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, si vende anëtare të NATO-s, kanë investuar kryesisht në modernizimin e strukturave, ndërveprueshmërinë dhe teknologjitë e lehta. Kosova dhe Bosnja kanë qenë të fokusuara te ndërtimi i kapaciteteve bazike dhe profesionalizimi i trupave. 

Serbia superfuqia ushtarake e rajonit

Serbia shpenzon 4 deri në 5 herë më shumë se gjashtë vendet e tjera të rajonit së bashku. Nga 1.5 miliardë dollarë në vitin 2019, buxheti i saj ushtarak ka arritur mbi 2.2 miliardë dollarë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 46 për qind. 

Burimi:SIPRI

Po ashtu, Serbia është i vetmi vend në Evropë që furnizohet njëkohësisht nga Lindja dhe Perëndimi. 

Burimi:SIPRI

Ajo kombinon avionët MIG-29 dhe artilerinë ruse me sistemet HQ-22 dhe dronët luftarakë CH-92A nga Kina, ndërkohë që ka blerë radarë GM200/GM400 dhe ka nënshkruar kontratë për 12 avionë Rafale nga Franca. 

Nga ana tjetër, Serbia ka modernizuar tanket T-72 dhe ka ngritur industri të brendshme për blindat, municionet dhe raketat, duke u shndërruar në një enigmë strategjike për Bashkimin Evropian dhe NATO-n. 

Kolonel Dritan Demiraj e përmbledh këtë situatë duke thënë se Serbia është sot e vetmja fuqi e plotë ushtarake në Ballkan, e furnizuar njëkohësisht nga Moska, Pekini dhe Parisi, gjë që krijon një pabarazi të thellë me fqinjët e saj. 

“Serbia krejt ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, vazhdon të ndjekë një autonomi strategjike dhe vizion të qartë të bashkëpunimit me të gjithë superfuqitë dhe blloqet ushtarake”, pohon kolonel Demiraj për Faktoje.al. 

Kohët e fundit, Serbia ka shtrirë bashkëpunimin e saj edhe me Izraelin.

Sapo ka firmosur një marrëveshje në vlerën e 1.6 miliardë dollarëve me kompaninë ‘Elbit Systems’ e cila konsiston në blerjen e sistemeve me artileri të distancave të gjata, dronë sulmi, sisteme ISTAR për inteligjencës, survejim, dhe targetim me precision, sisteme për luftën elektronike dhe C4I (komandim-kontroll, komunikim, kompjutera dhe Inteligjencë). Ajo që vlen edhe më shumë, është se Izraeli do të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve operacionale kombëtare në drejtim të transferimit të teknologjisë ushtarake dhe në fushën e inteligjencës” shpjegon kolonel Dritan Demiraj.

Kjo nuk është thjesht çështje kapacitetesh, por çështje vullneti politik dhe ambicieje rajonale. Serbia ka trashëguar një industri të fuqishme armatimesh. 

“Në vitet e fundit, Serbia ka qenë eksportuese e madhe dhe e pasur e armatimeve, me vlera që janë rritur në mënyrë të vazhdueshme nga rreth 384 milionë dollarë në 2020 në 1.6 miliardë në 2023, duke reflektuar rolin e saj si një furnizues i rëndësishëm global në tregun ushtarak”, thotë Eno Luarasi, autor i emisionit WAR ZONE në A2CNN. 

Ai shton se vendi po ndërton stoqe për një horizont afatgjatë konfliktual. 

“Heqja e përkohshme e eksporteve në 2025 duket të jetë një veprim strategjik për menaxhimin e sfidave diplomatike dhe për të siguruar fuqinë dhe qëndrueshmërinë e vet ushtarake në një kontekst të globalizuar dhe konfliktual”

Sipas Luarasit, Serbia nuk blen për t’u modernizuar, por prodhon për të rritur ndikimin e saj strategjik, duke e përdorur industrinë si instrument politik po aq sa ushtarak.

Ndërkohë, shtetet e NATO-s në Ballkan, edhe pse kanë rritur shpenzimet, mbeten të varura nga infrastruktura dhe garancitë e Aleancës. Investimet e tyre fokusohen në radarë dhe sisteme vëzhgimi, forca speciale dhe njësi të reja, dronë dhe kundër-dronë, modernizimin e logjistikës, si dhe strukturimin e rezervës dhe mobilizimit. 

Demiraj e cilëson këtë si një ristrukturim të nevojshëm, por të pamjaftueshëm, duke paralajmëruar se NATO garanton ombrellën, por jo kapacitetet vendase, dhe se Ballkani nuk mund të varet vetëm nga importet, por duhet të ndërtojë industri për municione, dronë, sisteme anti-ajrore dhe rezerva strategjike. 

“Në këtë këndvështrim, Ballkani Perëndimor (ka filluar se) në bashkëpunim me NATO-n po përpiqet të rrisë kapacitetet e saj ushtarake dhe të krijojë aleanca të reja rajonale të cilat aktualisht janë në fazën e tyre fillestare”, argumenton Demiraj. 

Ringritja e industrisë ushtarake “Made in Albania”

Shqipëria krahasuar me fqinjët e tjerë, ka shënuar progres vitet e fundit. Shpenzimet e mbrojtjes u rritën nga 248 milionë dollarë në vitin 2019 në 481 milionë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 93 për qind, më e larta në rajon për vendet e NATO-s. 

Burimi: SIPRI

Buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 është dokumenti më ambicioz që Shqipëria ka miratuar ndonjëherë në këtë sektor. Rritja e tij me afro 12% krahasuar me vitin aktual ka dy objektiva. 

Së pari, modernizimi i Forcave të Armatosura në standardet e NATO-s, ku mbështetja e luftimit rritet me 37.8 për qind, forcat e luftimit me 9.35 për qind, ndërkohë që investohet në logjistikë, depot strategjike, sistemet e zbulimit dhe mbrojtjes ajrore, si dhe rritjen e kapaciteteve të ndërhyrjes së shpejtë. 

Së dyti dhe më e rëndësisshmja ngritja e industrisë së mbrojtjes “Made in Albania”, ku qeveria synon prodhimin e municioneve, dronëve taktikë dhe kundër-dronëve, mjeteve të blinduara të lehta, pajisjeve taktike dhe mbrojtëse, si dhe krijimin e qendrave të mirëmbajtjes për aleatët e NATO-s. 

Kolonel Demiraj vlerëson se Shqipëria vitet e fundit ka bërë hapa pozitivë në drejtim të rritjes të kapaciteteve të mbrojtjes, por ai shton se sfidat e sotme kërkojnë kapacitete ushtarake shumë më të larta. 

“Një pikë tjetër e rëndësishme është integrimi i përbashkët i strukturave ushtarake të Shqipërisë, Kosovës dhe të Kroacisë. Investimet e përbashkëta në fushën e industrisë ushtarake, stërvitjeve të përbashkëta, luftën kundër kërcënimeve hibride, luftës kibernetike dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ushtarake janë positive, por duhet të materializohen në praktikë”, shpjegon ai. 

Përfundim

Ballkani Perëndimor ka hyrë në një fazë të re të sigurisë ku Serbia ka përfunduar fazën e parë të militarizimit, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po modernizohen ngadalë, Kosova po ndërton ushtrinë e saj nga themelet, ndërsa Shqipëria pritet të bëjë hapin më të madh të dekadës. 

Ndonëse industria e armatimeve “Made in Albania” është ende në fazë embrionale, premton t’i sjellë vendit prodhim municionesh, dronësh dhe sistemesh anti-dron që mund të sigurojnë pavarësi të pjesshme dhe mundësi eksporti në tregjet e NATO-s.

Loja nuk është më ajo e viteve 2010, por është garë kohe, kapacitetesh dhe industrie. Për herë të parë pas viteve ’90 armatimet janë pjesë e politikës së jashtme, dhe se kush e kupton këtë mbijeton, ndërsa kush jo mbetet pre e ngjarjeve.

The post Ballkani Perëndimor në spiralen e re të armatimeve appeared first on Faktoje.al.

Paratë e rindërtimit mbaruan, por mijëra banorë ende presin çelësat e shtëpisë

26 November 2025 at 17:00

Sot, 6 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, procesi i rindërtimit është afër mbylljes financiare, por jo i përfunduar në terren. Qeveria ka shpenzuar 131 miliardë lekë dhe raporton se 90% e projekteve janë ndërtuar. Megjithatë, zvarritjet dhe mungesa e transparencës vijojnë të mbajnë pezull ende mijëra familje që janë pa çati mbi kokë. 

Esmeralda Topi 

Financimi për rindërtimin, i cili nisi me hov të madh pas tërmetit tragjik të 2019-s, po i afrohet mbylljes. Pas gjashtë vitesh, me një faturë mbi 131 miliardë lekë shpenzimesh, qeveria do të ndalë financimin në fund të 2026. Buxheti i shtetit nuk planifikon më asnjë lek për rindërtimin pas vitit të ardhshëm. 

Pas një sërë afatesh të humbura dhe zvarritjesh të pafundme, qeveria planifikon se fundi i vitit 2026 është “mbyllja” zyrtare e programit të rindërtimit. Sipas Ministrisë së Financave, programi do të mbyllet me 5 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e vitit 2026. 

“Kur sot thuhet se 2026-a do të jetë viti i fundit, kuptohet më shumë si një mbyllje formale sesa si një fund i natyrshëm i punëve.
Sepse edhe tani mbeten zona ku punimet nuk kanë përfunduar, projekte që varen nga leje të tjera, apo shtëpi individuale në fshatra që përfundojnë gjithmonë të fundit në listë. “-
thotë për Faktoje.al Eduard Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Sipas tij, shifrat tregojnë historinë e një procesi që nuk u përshpejtua, por u lodh.

Një histori ku koha u kthye në barrën kryesore, dhe ku mbyllja nuk vjen si sukses, por si fund i natyrshëm i një administrimi të dobët, që u tërhoq zvarrë deri sa nuk mbeti më shumë për të zvarritur.”- përfundon Gjokutaj.

Tre vitet e para ishin “epoka e artë” e fondeve. Në 2020 dhe 2021, qeveria financoi 32 dhe 35 miliardë lekë për rindërtimin. Në 2022, financimi ra në 28.8 miliardë lekë, ndërsa në 2023 u përgjysmua në 16.2 miliardë.

Burimi: Ministria e Financave 

Rënia vazhdoi me të njëjtin ritëm. Vetëm 9 miliardë lekë në 2024 dhe 5 miliardë në 2025 e po aq në 2026. 

90 % e projekte të përfunduara

Teksa buxheti po i vë kapakun programit të rindërtimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se procesi ka avancuar “me ritme të kënaqshme” 

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, institucioni pranon se rindërtimi ka qenë një proces “dinamik dhe i paparashikueshëm”, i shoqëruar me vonesa, por këmbëngul se objektivi i mbylljes brenda vitit 2026 mbetet në fuqi. 

Ministria i justifikon ritmet me përmasat e mëdha të dëmeve dhe shtrirjen e tyre në 11 bashki, duke theksuar se strukturat përgjegjëse “janë maksimalisht të angazhuara” për të përfunduar gjithçka brenda afatit.

Por 6 vite pas tragjedisë nuk jep një numër konkret sa i takon familjeve që ende nuk kanë hyrë në një shtëpi të përfunduar. Në vend të kësaj, ministria thekson se :“Trajtimi i këtyre rasteve përbën edhe fazën përfundimtare dhe përmbyllëse të procesit”.

Nga ana tjetër, sipas ministrisë së infrastrukturës, projekti është drejt fundit edhe në aspektin fizik, jo vetëm atë financiar. 

“Aktualisht, mbi 90% e projekteve në kuadër të procesit të rindërtimit kanë përfunduar”, thotë MIE.

2026-a nuk është e sigurt

Sipas Agron Haxhimalit, drejtues i Institutit të Bashkive, progresi i rindërtimit është i dukshëm, por larg një historie suksesi. 

“Ritmi ka qenë shpesh i ngadaltë midis bashkive,” thotë ai, duke theksuar se zvarritjet në projektet e banesave individuale dhe lagjet e reja, vonesat në prokurime, leje ndërtimi e kolaudime, si dhe mospërputhja mes fondeve dhe punimeve “kanë krijuar bllokime reale në terren”. 

Për këtë arsye, siç shton Haxhimali, rindërtimi “nuk ka qenë linear” dhe ka ecur me ritme të ndryshme sipas zonave.

Sa i takon afatit zyrtar të mbylljes në fund të vitit 2026, Haxhimali e quan atë “ambicioz, por jo të pamundur”. 

Megjithatë, ai paralajmëron se projektet e hapura, nga banesat individuale, tek infrastruktura e lagjeve dhe objektet publike, dhe mungesa e fondeve e vënë objektivin në rrezik.

 “Bashkitë duhet të përshpejtojnë procedurat administrative për të shmangur shtyrje të mëtejshme,” nënvizon ai.

Edhe fondi prej 5 miliardë lekësh që mbyll ciklin financiar nuk shihet si zgjidhje automatike për projektet e mbetura.

“Mjaftueshmëria e tij varet nga numri i kontratave të hapura dhe rritja e kostove të ndërtimit,” thotë Haxhimali, duke kujtuar se çmimet në sektor vazhdojnë të rriten. Ai kërkon më shumë transparencë, përfshirë publikimin e kontratave, raporte tremujore dhe të dhëna të detajuara për bashkitë përfituese. 

“Rindërtimi ka sjellë rezultate konkrete, por procesi nuk është mbyllur ende pas gjashtë vitesh. Afati 2026 mbetet i pasigurt dhe sfida kryesore është transparenca, efikasiteti dhe shpërndarja e drejtë e fondeve,” përfundon ai.

Përfundim

Pak orë pasi mijëra familje shqiptare u gjendën në udhëkryq për shkak të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kryeministri Edi Rama u zotua se të gjithë të pastrehët do të futeshin në banesat e reja brenda një viti.

“Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti. Duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira se ç’ishin para tërmetit.”premtoi Rama asokohe.  

Afati u tejkalua dhe qeveria fajësoi pandeminë COVID-19 për vonesat. Në vitin 2021, Rama ndryshoi tonin, duke justifikuar ritmet: “Kanë kaluar vetëm 15 muaj. Më thoni ku është një ndërtues që e ngre një pallat për 15 muaj. Në rastin më të mirë zgjat 2 vite,” tha ai në atë kohë. 

Pas 6 vitesh, procesi shpallet i përfunduar financiarisht në letra. Por në terren, rindërtimi ende nuk ka përfunduar dhe mijëra banorë presin çelësat e shtëpisë nisur nga verifikimet që Faktoje ka ndjekur vit pas viti.

Bazuar në të dhënat zyrtare dhe analizën e ecurisë së projekteve, premtimi se “brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë” mbetet i papërmbushur.

The post Paratë e rindërtimit mbaruan, por mijëra banorë ende presin çelësat e shtëpisë appeared first on Faktoje.al.

Lezhë, dhjetra familje të pastreha 6 vite pas tërmetit

25 November 2025 at 10:00

Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, pallati 71 në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ në lagjen ‘Besëlidhja’ (ish BKT) në Lezhë nuk është rindërtuar. Shtatë familje vijojnë të pa streha pavarësisht se fondet për rindërtimin e objektit kanë thuajse një vit të buxhetuara.

Bashkia e Lezhës miratoi në buxhetin e këtij viti mbi 76 milionë lekë për pallatin. Por, siç pohon ky institucion, procesi i rindërtimit nuk ka nisur sepse nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave që përcakton njësinë zbatuese për projektin. Pa këtë vendim, Bashkia nuk mund të fillojë zbatimin e punimeve.

“Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 133, datë 13.02.2020 ka caktuar vetëm Fondin Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese per procesin e rindertimit në zonë të re për zhvillim, ku në rastin konkret në këtë zonë përfshihet edhe pallati Nr. 71,”- argumenton Bashkia e Lezhës. 

Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave konfirmoi për Faktoje se deri më tani nuk ka marrë asnjë vendim për të përcaktuar njësinë zbatuese të pallatit 71. Bashkia Lezhë thekson se është e gatshme të nisë punimet menjëherë sapo të marrë këtë autorizim.

14 tetor, Lezhë

Pesë familje të pallatit vijojnë të marrin bonusin e qirasë, i cili do të vazhdojë deri në përfundimin e objektit. 

“Vlera e bonusit të qirasë ndryshon sipas numrit të pjesëtarëve të familjes,”- sqaron Bashkia.

50 familje të pastreha pas tërmetit

Deri tani, në Bashkinë Lezhë janë rindërtuar 5 pallate, ku janë strehuar 180 familje, ndërsa 14 banesa individuale janë rindërtuar nga donatorë dhe 175 banesa individuale janë rindërtuar nga vetë banorët përmes granteve të rindërtimit. 

Megjithatë, 50 familje ende nuk janë strehuar përfundimisht dhe vazhdojnë të trajtohen me bonus qiraje. 

Bashkia Lezhë thekson se është angazhuar të përfundojë sa më shpejt të gjithë procesin e rindërtimit, duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë përgjegjëse për rindërtimin, megjithëse ende nuk ka një afat të saktë për përmbylljen e punimeve për rastet e mbetura.

14 tetor, Lezhë

Përfundim

Fillimisht, rindërtimi i Pallatit 71 në Lezhë u mor përsipër nga Fondacioni Firdeus, përmes një marrëveshje të nënshkruar me Bashkinë e Lezhës. 

Palët nuk gjetën dakordësi, dhe Bashkia thotë se Fondacioni u tërhoq nga financimi pa dhënë arsyet. Pas kësaj, Bashkia miratoi fondet për vitin 2025, por punimet nuk kanë nisur ende, pasi pret vendimin e Këshillit të Ministrave që ta caktojë si njësinë zbatuese për rindërtimin. Ndërkohë, pesë familje vijojnë të marrin bonus qiraje, ndërsa gjashtë vite pas tërmetit, 50 familje në Lezhë ende nuk janë strehuar përfundimisht.

Bazuar në informacionet e mbledhura, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, për rindërtimin e pallatit 71 në lagjen Besëlidhja, do ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur. 

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Lezhë, dhjetra familje të pastreha 6 vite pas tërmetit appeared first on Faktoje.al.

Miratohet në parim projektbuxheti i vitit 2026 dhe ligjet shoqëruese

20 November 2025 at 11:57

Esmeralda Topi

Me 83 vota pro, asnjë abstenim dhe 32 vota kundër nga opozita, Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2026 së bashku me paketën shoqëruese fiskale. Seanca maratonë, e planifikuar fillimisht për dy ditë diskutimesh, u mbyll pas rreth 16 orësh, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Debatet mbi dokumentin kryesor të financave publike, projektbuxhetin dhe tetë ligjet që e shoqërojnë, nisën të mërkurën paradite dhe vazhduan pa ndërprerje deri në orën 02:45 të mëngjesit. Opozita votoi kundër si për buxhetin po ashtu edhe për paketën shoqëruese fiskale.

Një element i veçantë i seancës ishte fakti që deputeti socialist Vullnet Sinaj nuk mori pjesë në votimin për dy prej ligjeve, konkretisht paketën e paqes fiskale dhe fshirjen e detyrimeve tatimore. Ai rezultoi i vetmi deputet nga mazhoranca që nuk dha votën në këto çështje.

Ndërsa përfaqësues të tjerë të grupit socialist sqaruan votat e tyre, deputeti Erion Braçe pohoi për Faktoje.al se ai ka votuar pro projektligjit të taksave vendore, por vota nuk është reflektuar në sistem.

Diskutimet në seancë ishin të gjata dhe përfshinë një pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha grupet parlamentare, duke arritur në total 981 minuta diskutime. Sipas përmbledhjes së minutave të foljes, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe ai i Partisë Demokratike kanë dominuar debatin me përkatësisht 418 minuta dhe 417 minuta secili. Ndërkohë, Partia e Lirisë kontribuoi me 81 minuta, “Aleanca për Ndryshim” me 27 minuta, ndërsa deputetët jashtë grupeve parlamentare kanë folur gjithsej për 38 minuta.

Projektbuxheti për vitin 2026 dhe ligjet shoqëruese pritet të kalojnë për diskutim në komisionet parlamentare përpara votimit përfundimtar në seancë plenare. Miratimi në parim shënon hapin e parë të procedurës, ndërsa debati politik mbi përmbajtjen dhe efektet e financimit publik për vitin e ardhshëm pritet të vijojë nen për nen.

The post Miratohet në parim projektbuxheti i vitit 2026 dhe ligjet shoqëruese appeared first on Faktoje.al.

Rama mbron Ballukun, demokratët braktisin sallën

19 November 2025 at 16:03

Esmeralda Topi

Në një seancë që nisi me një simbolikë, në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Kuvendi u përfshi shumë shpejt nga retorika e ashpër politike. 

Para se të niste debati maratonë për projekt-buxhetin 2026, drejtimin e seancës për pak minuta e mori 14-vjeçarja Sofi Xhafo nga shkolla “Naim Frashëri”, e cila u kujtoi deputetëve të mendojnë “për të ardhmen e fëmijëve, për ëndrrat e tyre”. Por vetëm pak minuta më vonë, skena politike shqiptare u kthye në terrenin e zakonshëm të përplasjes. 

Në sallë, me vonesë, hynë fillimisht zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tashmë e pandehur nga SPAK për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe pak minuta më pas Kryeministri Edi Rama. Demokratët, sapo ai mori fjalën, u ngritën në këmbë dhe i kthyen shpinën.

Video nga LSA

“Faleminderit për lehtësimin që i bëni fjalimit tim,” ironizoi Rama. “Më mirë shpina juaj sesa fytyra juaj”

Rama në mbrojtje të Ballukut 

Fjalimi i kryeministrit për projektbuxhetin 2026 nisi me një tjetër mbrojtje të hapur të zëvendëses së tij. Ai akuzoi opozitën se po ushtron “prokurorinë popullore” dhe po përdor çështjen e Ballukut si armë politike.

“Përsa kohë do të vazhdoni të bëni këtu ’prokurorinë popullore’ për aq kohë do vazhdoni të jeni aty ku jeni dhe gjithmonë e më të tkurrur’’, tha Rama.

Opozita, nga ana tjetër, e akuzon zëvendëskryeministren se ka përcaktuar fituesin e tenderit të Tunelit të Llogarasë në shkelje të kritereve standard, një procedurë që, sipas tyre, i kushtoi buxhetit të shtetit të paktën 50 milionë euro.

“Zonja është marrë e pandehur dhe ky është fakt publik, por ty çfarë të detyron të vish në foltore dhe të bësh avokatin e një të pandehure për abuzim me fonde publike në vlerën e 50 mln eurove,” kundërshtoi kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi. 

Por Rama e hodhi poshtë si “aritmetikë të tipit 7×7 = 42”.

“Për sa i përket tunelit të Llogarasë, ai 50 milionë euro është si 450 milionë euro i inceneratorit,” tha ai, duke barazuar shifrat e opozitës me akuza të pambështetura.

Menjëherë pas fjalës së mbajtur, Rama e braktisi seancën.

Balluku: “Jam nën sulm personal”

Kur Balluku mori fjalën për projektbuxhetin, demokratët që kishin disa javë që e kërkonin për llogaridhënie braktisën sallën. E vetme në gjysmërrethin e saj, ajo sulmoi opozitën për standarde të dyfishta ndaj SPAK-ut dhe për “tifozeri sedentare që lutet për rotacion me dosjet e SPAK-ut”.

Ajo deklaroi se nuk do të komentojë çështjen penale që po hetohet, por do të vijojë ta ndjekë “me diskrecion të plotë”.

Nuk do të prononcohem kurrë për çështje në hetim pasi kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë cilado qoftë ajo”,  theksoi Balluku.

“Ju nuk falni suksesin, as brenda radhëve tuaja, as jashtë tyre,” shtoi më tej ajo në një fjalim të shkurtër dhe emocional.

Debati u tensionua kur deputeti Agron Shehaj ndërhyri duke i kujtuar statusin e të pandehurës zonjës Balluku. Pas disa paralajmërimeve, kryetari i Kuvendit e përjashtoi nga seanca zotin Shehaj, ndërsa mazhoranca kërkoi 5 minuta pushim.

Kur seanca rifilloi, vendi i Ballukut ishte bosh. 

Dosja 

Më 31 tetor, SPAK i komunikoi Ballukut akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”. 

Sipas dosjes hetimore, zv.kryeministrja Belinda Balluku akuzohet se kontrolloi në çdo hap procedurën e prokurimit me vlerë 18,9 miliardë lekë për tunelin e Llogarasë dhe paracaktoi fituesin. 

The post Rama mbron Ballukun, demokratët braktisin sallën appeared first on Faktoje.al.

Vetëm 1/3 e pensionistëve përfitojnë rritjen më të madhe të pensioneve

18 November 2025 at 18:00

Esmeralda Topi 

Pas 12 vitesh pushtet, socialistët rikthyen kartën e vjetër elektorale të rritjes së pensioneve.  

“Në Shqipërinë 2030 pensioni mesatar të jetë 400 euro për ata që kanë paguar sigurime të plota, pensioni minimal për të gjithë të jetë 200 euro” . Me këtë premtim në qendër të fushatës për zgjedhjet parlamentare, socialistët siguruan 83 mandate. Angazhimi u përfshi edhe në programin qeverisës “Shqipëria 2030”. 

Pak muaj pas zgjedhjeve, me nisjen e diskutimeve për projekt-buxhetin 2026, kryeministri Edi Rama publikoi një video në rrjetet sociale, ku njoftoi rritjen e pensioneve. Duke nisur nga janari 2026, rritja sipas tij do të ishte e përmuajshme dhe do të ndahej me kategori. 

Dhe, sipas kryeministrit Rama, këto vlera do të dyfishohen në 2027, trefishohen në 2028 dhe katërfishohen në 2029, për të arritur objektivin final të pensionit mesatar 400 euro. 

“Petulla me ujë”

Faik Xhani është ish mësues nga Mati që prej vitesh ka drejtuar Shoqatën e “Pensionistëve të Shqipërisë”. 77 vjeçari i njeh mirë problemet e shtresës që ka përfaqësuar.

“Këto janë parlamentarë xhepash, jo shërbëtorë të popullit”, thotë Xhani, teksa na tregon shpenzimet minimale që i duhen një pensionisti çdo muaj.

“Të moshuarit janë me sëmundje, ju duhen lekë për ilaçe, për ushqim, për drita, ujë, telefon…Mishin e kanë harruar se çfarë është. Po rrofshin emigrantët, shyqyr që janë fëmijët se do hanim njëri- tjetrin”, vijon 77 vjeçari.

Kryeministri, shton ai, i bën “petullat me ujë” teksa i referohet rritjes së lajmëruar të pensioneve.  

“Nëse nuk jep edhe bonusin e fundvitit ai vetëm derdh ujin në lakra dhe asgjë nuk bën. Edhe indeksimin. Po i dha të gjitha këto është mirë, jo se na plotëson nevojat po është diçka”, përfundon pensionisti. 

Faiku numëron 42 vite punë, por shteti e shpërblen çdo muaj me 17,000 lekë pension të pjesshëm. 

Sa pensionistë preken dhe kush përfiton më shumë?

Aktualisht, pensioni mesatar urban është 19,409 lekë, ndërsa pensioni mesatar rural është 11,709 lekë. Sipas angazhimit të qeverisë deri në fund të 2029 pensioni mesatar urban i plotë do të arrijë 40,000 lekë teksa pensioni minimal pritet të jetë 20,000 mijë lekë. 

Në Shqipëri ka 745,137 pensionistë. Nga ky total, vetëm 287,656 prej tyre marrin pensione të plota, ndërsa 343,763 të tjerë janë me pensione të pjesshme. Ndërkohë, rreth 113,718 mijë llogariten si pensione familjare dhe invaliditeti.

Burimi:ISSH

Kategoria e pensionit urban përbën grupin më të madh të pensionistëve në vend me 552,512 mijë të moshuar. Nga ky grup, vetëm një pjesë përfiton rritjen më të lartë, ata që kanë kontribuar me vite të plota pune, pra mbi 38 vite.  

  • 241,431 janë pensione të plota urbane
  • 311,081 janë pensione të pjesshme urbane

Referuar të dhënave të siguruara nga Faktoje.al, aktualisht rezultojnë 241 mijë pensionistë me vite të plota pune në qytet, pra më pak se një e treta e pensionistëve në vend. Kjo është kategoria që do të marrë rritjen prej 1,800 lekësh në muaj apo 21,600 lekë në vit. 

Ndërkohë, shumica e pensionistëve, ata me pensione të pjesshme, do të marrin vetëm 800 lekë shtesë. Një rritje modeste në raport me inflacionin dhe nivelin aktual të pensioneve. 

“Mekanizmi i indeksimit dhe shpërndarjes së shtesave fokusohet tek një grup i vogël përfituesish, duke krijuar efekt iluziv të përparimit, ndërsa shumica e pensionistëve mbeten me rritje që nuk kanë ndikim të matshëm në standardin e jetesës”,  argumenton eksperti për ekonominë dhe financat Eduard Gjokutaj për Faktoje.al.

Në zonat rurale shifrat janë më të ulta. Totali i pensionistëve në fshat rezulton 87,907, nga të cilët 46,225 me pensione të plota dhe 32,682 me pensione të pjesshme. Këta përfitojnë rritje prej 1,000 lekësh.

“Në terma praktikë, plani nuk siguron konvergjencë të qëndrueshme drejt pensionit mesatar të premtuar dhe shpërblen vetëm një minorancë, duke lënë pjesën më të madhe të të moshuarve me përfitime simbolike,” përfundon Gjokutaj. 

Përfundim

Ndërsa premtimi për rritjen graduale deri në katërfishim krijon pritshmërinë e një transformimi të madh, të dhënat faktojnë se rritjen më të lartë e përfiton pjesa më e vogël e pensionistëve, ndërsa për të tjerët shtesa mbetet simbolike. 

Aktualisht, pensioni mesatar urban është 19,409 lekë, ndërsa pensioni mesatar rural është 11,709 lekë. 

400 eurot janë të arritshme vetëm për pensionet e plota, që përbëjnë më pak se një të tretën e pensionistëve në vend. Për shumicën e të moshuarve, vlera prej “400 eurosh” mbetet e paarritshme.

The post Vetëm 1/3 e pensionistëve përfitojnë rritjen më të madhe të pensioneve appeared first on Faktoje.al.

Paga minimale 500 €, qeveria përgjysmon ndihmën e premtuar ndaj biznesit 

14 November 2025 at 15:25
Esmeralda Topi

Në një nga daljet e tij të fundit në rrjetet sociale mbi buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri Edi Rama reklamoi rritjen e pagës minimale në 500 euro nga viti 2026 dhe kujtoi edhe një premtim të bërë gjatë fushatës elektorale për bizneset, që preken direkt nga ky vendim.

“Siç e kemi premtuar qeveria do të subvencionojë për një periudhë nëntë mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat”, deklaroi Rama më 5 nëntor. 

Në fakt, premtimi fillestar për subvencionimin e bizneseve ishte për një periudhë 18 mujore. Gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Rama u kishte premtuar sipërmarrësve këtë lehtësi për një vit e gjysmë.

“Sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t’u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t’u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh”, premtoi Rama më 29 mars. 

Goditje për biznesin

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, paralajmëron rritje të vështirësive për bizneset pas përgjysmimit të periudhës së subvencionit. Ai thekson se periudha 18-mujore ishte e domosdoshme për të amortizuar ndikimin e rritjes së pagës minimale.

“Afati 18 muaj ishte si një amortizator që biznesi të përshtasë kostot e tija dhe çmimet e shitjes me këtë rritje të detyruar. Veçanërisht kjo është shumë e ndjeshme për bizneset prodhuese dhe ato eksportuese,” thotë Zusi. 

Sipas tij, përgjysmimi i periudhës e detyron biznesin të përballojë gjithë barrën në kohë më të shkurtër dhe rrit rrezikun për ulje prodhimi dhe presion mbi eksportet.

“Ulja në 9 muaj, shto këtu edhe rënien e pandalshme të euros që e rrit në tërësi koston e pagës së punonjesit duke i shtuar pas 9 muajsh edhe gjithë barrën fiskale që e shoqëron këtë rritje çfarë do prodhojë tjetër veçse rënie të mëtejshme të prodhimit vendas e veçanërisht vazhdimin e trendit rënës të eksporteve të viteve të fundit”, argumenton ai. 

Aktualisht të dhënat e Eurostat tregojnë se paga minimale në Shqipëri llogaritet 408 euro (45,540 lekë). Pavarësisht rritjeve graduale të dekadës së fundit, vendi mbetet i fundit në rajon dhe në Evropë, si në vlerë nominale, ashtu edhe në standardin e fuqisë blerëse. 

Burimi: Eurostat

Edhe kur merret në konsideratë fuqia blerëse, Shqipëria renditet e fundit në Evropë. Çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa të ardhurat minimale nuk mjaftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës.

Përfundim

Mbështetja për biznesin pas rritjes së pagës minimale pritet të realizohet pjesërisht por jo në përputhje me premtimin fillestar. 

Nisur nga këto të dhëna, premtimin e kryeministrit Edi Rama se ‘qeveria do të subvencionojë për një periudhë nëntë mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat’ e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur, pasi fillimisht qeveria u angazhua për një periudhë 18- mujore

The post Paga minimale 500 €, qeveria përgjysmon ndihmën e premtuar ndaj biznesit  appeared first on Faktoje.al.

Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë në 2026

10 November 2025 at 16:22

Në një video të ditëve të fundit në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama tha se buxheti i shëndetësisë dhe i mirëqenies sociale për vitin e ardhshëm tejkalonte vlerën 1 miliard euro.

“Mu duk e udhës të ndaj me ju projektbuxhetin 2026 me mbi 1 miliardë eurot e tij për shëndetësinë dhe mirëqënien sociale”, deklaroi kryeministri. 

Mirëpo, financimi për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale nuk e tejkalon këtë vlerë. Madje nuk është as 1 miliardë euro.

Sipas projektbuxhetit zyrtar, totali i buxhetit për shëndetësinë dhe përkujdesjen sociale në 2026 është 82,5 miliardë lekë, që konvertohet në rreth 853 milionë euro. Nga përllogaritjet rezultojnë rreth 147 milionë euro më pak se ajo që deklaron kryeministri. 

“E gjithë kjo që ndodh është një propagandë ‘extra’ për veshët e qytetarëve”, shpjegon drejtori i Institutit për Studime Ekonomike, Zef Preçi.  

“Pastaj përse duhet përmendur sikur po jep kursimet e jetës kur buxheti është kontribut fiskal i përbashkët, i të gjithë qytetarëve të vendit,”, shton më tej ai.

Edhe nëse shohim strukturën e buxhetit të shëndetësisë, vihet re një pabarazi e theksuar. Shërbimet e kujdesit dytësor (spitalet) marrin pothuajse gjysmën e totalit, 49.2%, ndërsa planifikimi, menaxhimi dhe administrimi kap vetëm 0,6%. Kujdesi parësor, që do të duhej të ishte baza e çdo sistemi shëndetësor funksional, merr vetëm 8,7%. Ndërkohë, përkujdesja sociale, që shpesh përmendet si shembull i mbështetjes, kap 33,6% të totalit. 

Burimi: Ministria e Financave

Shkurtim fondesh ndër vite

Megjithëse shëndetësia shpallet prioritet, në pesë vitet e fundit, fondet ndonëse të kufizuara janë ulur më tej përmes akteve normative. Nga viti 2021 deri në 2025, buxheti fillestar rritet, por aktet normative që vijnë më pas shpesh reduktojnë shumat reale që shkojnë në shëndetësi. 

“Në shëndetësi fondet janë pakësuar jo aq për shkak të vështirësive buxhetore apo përparësive të tjera zhvillimore, por kryesisht për shkak të kontrollit me dorë të hekurt të prokurimeve. Tenderat anullohen nëse paratë nuk shkojnë ‘aty ku duhet”, argumenton eksperti për ekonominë Zef Preçi. 

Burimi: Ministria e Financave

Rasti më tipik është viti 2023, ku u planifikuan 78 miliardë lekë, por në fakt u dhanë vetëm 74,4 miliardë. Një diferencë që përkthehet në më pak spitale, më pak shërbime dhe më pak mundësi për pacientët. 

Edhe këtë vit, vërehet se në tre akte normative, buxheti për shëndetësinë është reduktuar gradualisht nga 80,7 miliardë lekë në 80,2 miliardë. 

Burimi: Ministria e Financave

Reduktimin më të ndjeshëm e kanë pasur fondet për kujdesin parësor, që janë thelbësore për parandalimin dhe shërbimet bazë. Referuar aktit të fundit normativ, fianancimi është ulur ndjeshëm me gati 1.4 miliardë lekë. Edhe shërbimet e shëndetit publik kanë pësuar ulje me rreth 259 milionë lekë, ndërsa përkujdesja sociale ka mbetur pothuajse e pandryshuar. 

Krahasuar me planin fillestar është rritur vetëm financimi për spitalet me 1.2 miliardë lekë. Pjesa tjetër e sektorit është prekur nga shkurtimet.

Përfundim

Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama përmend shifrën 1 miliard euro teksa i referohet financimit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale. 

Edhe në mars të këtij viti, gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ai në rubrikën Sy m’ Sy ndau të njëjtën shifër për vitin aktual, duke deklaruar: “Shëndetësi dhe mbështetje sociale sot janë 1 miliardë euro, sot.”

Megjithatë, verifikimi i të dhënave buxhetore tregon se fondet reale për sektorin edhe këtë vit janë më të ulëta se 1 miliard euro.

Nëse do të merrnim për të mirëqenë këtë deklaratë të përsëritur, i bie që kemi të paktën dy vite që po qëndrojmë në vend numëro, me “1 miliardëshin” që s’ndryshon asnjëherë.

  • Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se financimi i shëndetësisë në projektbuxhetin e 2026 tejkalonte vlerën 1 miliard euro, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Propagandë me 1 miliardë € për shëndetësinë në 2026 appeared first on Faktoje.al.

Ende pa zgjidhje rimbursimi i biletës së transportit urban në Lezhë

8 November 2025 at 10:00

Një muaj para zgjedhjeve lokale të majit 2023, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, në kërkim të mandatit të dytë, premtoi se do të rimbursonte gjysmën e biletës së transportit urban për të moshuarit dhe njerëzit në nevojë.

“Në buxhetin e vitit 2024 do vlerësohet rimbursimi i gjysmës së biletës së transportit urban për moshën e tretë dhe kategoritë e tjera në nevojë,” shprehej Ndreu gjatë një takimi me dhjetëra të moshuar në fshatin Shënkoll.

Në Lezhë nuk ka shërbim transporti publik brenda zonës urbane, por lëvizjet drejt dhe nga njësitë administrative mbulohen nga operatorë privatë të licensuar nga Bashkia, ndaj premtimi për rimbursimin e gjysmës së biletës i kryebashkiakut Ndreu i referohej pikërisht këtij shërbimi ndërqytetas që përdoret nga të moshuarit dhe kategoritë në nevojë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2023, Pjerin Ndreu u rizgjodh me 18,299 vota, duke marrë drejtimin e Bashkisë Lezhë për herë të dytë. 

Dy vite më vonë

Në vitin 2024, verifikimet e Faktoje.al treguan se Bashkia Lezhë nuk kishte asnjë fond të planifikuar për premtimin e kryebashkiakut Ndreu. Edhe këtë vit, Bashkia Lezhë konfirmoi zyrtarisht se situata nuk ka ndryshuar.

“Aktualisht nuk ka një plan strategjik për transportin publik në territorin e Bashkisë Lezhë për zonën urbane, por qyteti lidhet me njësitë administrative nëpërmjet operatorëve të licensuar nga Bashkia. Ky shërbim nuk është reflektuar në buxhetin afatmesëm 2025–2027 për shkak të prioriteteve,” pohon Bashkia, pas një kërkesë për informacion. 

Sipas Bashkisë, e vetmja masë që lidhet me çmimin e biletave është një vendim i Këshillit Bashkiak që prek invalidët e punës, e miratuar vite para premtimit elektoral të Ndreut.

“Me Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.36, datë 28.03.2018 është parashikuar që vetëm invalidët e punës të përfitojnë 50 % ulje në çmimin e biletës,” sqaron Bashkia Lezhë. 

Nga ana tjetër, Bashkia bën me dije se është partnere në projektin ndërkombëtar SMART LAND, të financuar nga Interreg South Adriatik, nëpërmjet të cilit janë zhvilluar dy trajnime për të analizuar gjendjen e transportit publik dhe për të propozuar zgjidhje afatgjata. Megjithatë, deri më tani, asnjë plan konkret apo afat për krijimin e një shërbimi urban nuk është miratuar.

Banorët e Lezhës ndajnë mendime të ndryshme mbi nevojën për transport publik. Një pensionist nga Ishull-Shëngjini, e sheh transportin urban brenda qytetit si të panevojshëm, por e konsideron të domosdoshëm për fshatrat përreth. 

Ndërsa një banore nga fshati Ungrej, shprehet se mungesa e autobusëve e kufizon lëvizjen e banorëve: “Sikur edhe njëherë në ditë me qenë, mirë do të ishte”

Ekspertët lokalë e cilësojnë sektorin e transportit si “problematik”, pasi aktualisht mbështetet vetëm nga operatorë privatë me fugonë që nuk kanë orare fikse, stacione apo sistem biletash.

Përfundim

Bazuar në të dhënat zyrtare dhe në verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, për rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban për të moshuarit dhe njerëzit në nevojë e kategorizojmë të pambajtur.  

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Ende pa zgjidhje rimbursimi i biletës së transportit urban në Lezhë appeared first on Faktoje.al.

❌
❌