Në fund të vitit 2023, Bashkia e Tiranës dhe kryebashkiaku Erion Veliaj promovuan gjerësisht nismën “Rrugët për Fëmijët” (School Streets) si një hap konkret drejt rritjes së sigurisë së nxënësve në zonat përreth shkollave.
“Jemi shumë krenarë të ndërtojmë këtë trashëgimi për çdo fëmijë të Tiranës për dekada të tëra në vijim”, deklaronte Veliaj në dhjetor 2023, duke njoftuar se deri në fund të vitit 2024 do të ndërtoheshin 20 rrugë të sigurta pranë shkollave.
Sipas premtimit, nisma do të prekte drejtpërdrejt 25,000 nxënës
Buxheti i alokuar sipas Bashkisë Tiranë, për periudhën 2024-2025 arriti në 102,951,351 lekë.
Për vitin 2026 janë planifikuar 55,562,742 lekë shtesë, plus një investim i ri prej 55,099,200 lekësh për “Elemente për rritjen e sigurisë së këmbësorëve në rrugë”
Projekti
Programi “School Streets” u prezantua si vijim i ndërhyrjeve të nisura që në vitin 2020, fillimisht në shkollat pilote “Naim Frashëri” dhe “Gustav Mayer”. Projekti synonte të kthente hapësira që ishin pjesë e rrugës në zona të sigurta këmbësorësh, të pajisura me trafikndarës betoni, sinjalistikë dhe elemente urbane që kufizojnë parkimin dhe qarkullimin e mjeteve.
Modeli u zhvillua në bashkëpunim me organizatën vendase Qendra Marrëdhënie dhe partnerë ndërkombëtarë, duke u bazuar në praktikat e qyteteve evropiane (Barcelona:”Protegim les Escoles”, Milano:”Strade Scolastiche”, Paris:”Rues aux Écoles”).
Terreni
Më 20 janar 2026, Faktoje.al kreu një verifikim në terren pranë 7 shkollave pjesë e këtij programi: “Mihal Grameno”, “Osman Myderizi”, “Naim Frashëri”, “Gustav Mayer”, “Shkolla e Kuqe”, “Fan Noli” dhe “Edith Durham”.
Pamja që ofron terreni ndryshon ndjeshëm nga një shkollë te tjetra.
Pranë “Shkollës së Kuqe”, rrethimi me blloqe betoni që përcakton hapësirën e sigurt ishte kryesisht i ruajtur. Zona ishte e shënuar dhe në pjesën më të madhe nuk përdorej nga automjete, megjithëse herë pas here kalonin ose parkoheshin motorë.
Ndryshe paraqitej situata te “Fan Noli”, ku perimetri i sigurisë ishte minimal. Brenda hapësirës së dedikuar ishin parkuar motorë, ndërsa një biznes përreth kishte shtuar vazo me lule dhe tavolina, duke e kthyer zonën në një hapësirë të përzier, larg idesë së një rruge ekskluzive për fëmijët.
Te “Mihal Grameno”, panorama ishte edhe më problematike. Një perimetër relativisht i madh ishte shndërruar de facto në parkim makinash. Blloqet e betonit ishin shkulur nga vendi, të copëtuara ose të zhvendosura anash, duke krijuar hapësira për parkim. Një tabelë që lajmëronte “Rrugë për Fëmijët” qëndronte mbi një realitet ku prioritet ishin automjetet.
Situatë e ngjashme u konstatuan edhe pranë “Osman Myderizi”, ku trafikndarësit ishin zhvendosur për të lehtësuar hyrjen e makinave nga disa drejtime, ndërsa parkimi nuk funksiononte sipas skemës së parashikuar.
Në rastin e “Edith Durham”, shkollë ende jo funksionale pas rindërtimit, rrethimi dukej më estetik, por edhe aty disa nga blloqet ishin zhvendosur dhe hapësira përdorej edhe për parkim.
Ndërkohë, “Naim Frashëri” dhe “Gustav Mayer”, shkollat e para pilote të projektit, paraqisnin gjendjen më të mirë. Hapësirat ishin më të qarta, të pa zëna nga automjete dhe funksiononin sipas qëllimit fillestar, ndonëse edhe aty vëreheshin blloqe të rrëzuara ose të lëvizura.
Çfarë thotë Bashkia?
Në përgjigjet zyrtare për Faktoje.al, Bashkia Tiranë konfirmon realizimin e 12 projekteve: Gjon Buzuku, Fan Noli, Shkolla e Kuqe, Osman Myderizi, Mihal Grameno, Niket Dardani, Edith Durham, Gustav Mayer, Naim Frashëri, Kopshti 26, Çerdhja 17 dhe shkolla Kosova.
Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit të Investimeve dhe Monitorimit të Punëve Publike pranon se “në një pjesë e këtyre objekteve ku është hasur prishja e objekteve të mobilimit urban që mbrojnë zonën e këmbësorëve është planifikuar rehabilitim në vitin në vijim”.
Bashkia informon se është në proces miratimi për ndërhyrje në 20 objekte të tjera publike, si dhe për transformimin e ndërhyrjeve të përkohshme në zgjidhje më permanente.
Verifikimi
Nga 20 rrugë të premtuara për vitin 2024, janë realizuar 12 deri më sot (janar 2026).
Shumica e rrugëve të sigurta nuk po funksionojnë sipas qëllimit. Blloqet e betonit janë zhvendosur sistematikisht për të krijuar hapësira parkimi. Gjendja në shkollën Mihal Grameno, paraqitet sot në gjendje të degraduar.
Shkollat Gustav Mayer dhe Naim Frashëri, vazhdojnë të funksionojnë siç ishte planifikuar.
Përfundimi
Verifikimi i Faktoje.al tregon se premtimi për 20 rrugë të sigurta pranë shkollave nuk është përmbushur brenda afatit të deklaruar. Edhe aty ku ndërhyrjet janë realizuar, një pjesë e tyre nuk funksionojnë sipas qëllimit fillestar. Hapësirat e dedikuara për fëmijët shpesh janë rikthyer në parkime ose janë zaptuar.
Në këto kushte, nisma “Rrugët për Fëmijët” mbetet pjesërisht e realizuar, si në shtrirje ashtu edhe në funksion, ndërsa siguria e përditshme e nxënësve vijon të varet nga zbatimi real në terren, jo vetëm nga projektet në letër.
Një muaj para zgjedhjeve lokale të majit 2023, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, premtoi se do të rimbursonte gjysmën e biletës së transportit urban për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë.
“Në buxhetin e vitit 2024 do vlerësohet rimbursimi i gjysmës së biletës së transportit urban për moshën e tretë dhe kategoritë e tjera në nevojë,” deklaronte Ndreu gjatë një takimi elektoral.
Në vitin 2024, verifikimet e Faktoje.al treguan se Bashkia Lezhë nuk kishte asnjë fond të planifikuar për premtimin e kryebashkiakut Ndreu. Edhe vitin e kaluar, Bashkia Lezhë konfirmoi se situata nuk kishte ndryshuar. Në buxhetin afatmesëm 2025–2027 nuk figuronte rimbursimi i biletës.
Sipas Bashkisë, e vetmja masë që lidhej me çmimin e biletave ishte një vendim i Këshillit Bashkiak që prekte invalidët e punës, miratuar vite para premtimit elektoral të Ndreut.
“Me Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.36, datë 28.03.2018 është parashikuar që vetëm invalidët e punës të përfitojnë 50 % ulje në çmimin e biletës,” sqaronte Bashkia Lezhë.
Bashkia bënte me dije se ishte partnere në projektin ndërkombëtar SMART LAND, të financuar nga Interreg South Adriatik, nëpërmjet të cilit janë zhvilluar dy trajnime për të analizuar gjendjen e transportit publik dhe për të propozuar zgjidhje afatgjata.
Megjithatë, deri më nëntor të 2025, kur ne verifikuam premtimin, nuk ishte miratuar asnjë plan konkret apo afat për krijimin e një shërbimi urban.
Fakt
Këtë vit, situata ndryshoi. Pas verifikimeve të Faktoje.al, Bashkia Lezhë njoftoi se ka përfunduar një projekt ndërkombëtar (SMARTLAND1) dhe tashmë ka nisur zbatimi i (SMARTLAND 2).
Në kuadër të këtij projekti është parashikuar blerja e një automjeti për transportin publik, i cili do të përdoret posaçërisht për nevojat e moshës së tretë.
Blerja është e miratuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.113, datë 15.12.2025, ndërsa masa për rimbursimin e biletës do të përfshihet në Planin e Transportit që pritet të hartohet gjatë këtij viti.
Përfundim
Premtimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu për rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë, bazuar në informacionet e fundit të Bashkisë Lezhë, kategorizohet si premtim pjesërisht i mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Sebi Alla – Në maj të vitit të shkuar, L.T, 73-vjeçe, mori në duar rekomandimin nga mjeku okulist që në fillim të muajit tetor 2025 do të kryhej ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit, me lente intraokulare.
Tashmë që jemi në janar të një viti më pas, bashkë me shikimin, ka nisur t’i zbehet edhe shpresa se ndërhyrja do të kryhet. “Nuk kemi akoma lente” është përgjigjja më e shpeshtë që ka marrë e moshuara.
Ashtu si 73-vjeçarja ka edhe shumë pacientë të tjerë që janë në listë pritjeje për ndërhyrje.
Megjithatë, rastet urgjente nga Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza”, dhe disa Spitale Rajonale, kryhet që në momentin e paraqitjes së pacientëve. “….të gjitha rastet urgjente janë trajtuar në kohë, po ashtu dhe rastet e planifikuara të cilat janë shpërndarë sipas ngarkesës së shërbimeve”, thotë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një reagim zyrtar për Faktoje.al.
Sipas tyre, në shumicën e spitaleve ku ofrohet ky shërbim është vijuar në mënyrë të pandërprerë kirurgjia për vendosjen e lenteve intraokulare, përveҫ rasteve të veҫanta kur mund të ketë pasur ndonjë problematikë të përkohshme të aparaturës së PHACOS (aparaturë për heqjen e perdeve të syrit).
Përplasja në QSUNT
“Nga të dhënat e vëna në dispozicion numri i pacientëve që kanë kryer ndërhyrjen e vendosjes së lenteve intraokulare për periudhën 1 janar 2025 – 31 tetor 2025 është rreth 3400 pacientë”, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Pavarësisht numrit të lartë të ndërhyrjeve, ka ende shumë pacientë që janë në listë pritjeje, ndonëse fillimisht u është thënë se brenda tre muajsh do të kryhen operacionet e planifikuara.
“Nga informacionet e transmetuara nga Shërbimet e Okulistikës në spitale mund të themi se numri i pacientëve në listë pritjeje për këtë ndërhyrje për pjesën e mbetur të vitit është mbi 320”, pohohet zyrtarisht nga ministria.
Ndonëse 5 nga 12 Spitalet Rajonale duhet të kryenin këto ndërhyrje, në disa prej tyre ku edhe numri i popullsisë është i madh, nuk zhvillohen operacione të tilla.
Kjo situatë ka bërë që shumë pacientë nga rrethe të ndryshme këtë shërbim nuk e marrin në spitalet rajonale ku banojnë, por detyrohen që të vijnë në Tiranë dhe pas shumë konsultave që janë kohë e humbur dhe shpenzime, marrin një afat i cili zakonisht është brenda tre muajve, por shpesh kjo kohë shtyhet edhe më shumë.
Shkodra as mjekë, as lente
Qarku Shkodër me rreth 150 mijë banorë nuk ofron shërbimin e ndërhyrjeve me lente intraokulare, madje pranohet zyrtarisht se përveç mungesës së lenteve nuk kanë as mjekë okulistë.
“Aktualisht pranë klinikës ORL-OKL në Spitalin Rajonal të Shkodrës nuk realizohet ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit me lente intraokulare, pasi ky shërbim deri më tani është mbuluar vetëm nga një mjek okulist, fakt i cili ka sjellë pamundësi fizike për përmbushjen e të gjitha aktiviteteve që ky shërbim ofron”, thotë për Faktoje, Spitali Rajonal i Shkodrës.
Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2023 e përfshiu Spitalin Rajonal në listën që ofron shërbimin e ndërhyrjes kirurgjikale të kataraktit.
“Sa i takon paketës së kataraktës, ajo ofrohet falas në tetë spitale, konkretisht në QSUT, Spitalin Universitar të Traumës, Spitalet Rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Elbasanit, duke i krijuar mundësi të moshuarve kryerjen e ndërhyrjes dhe lentet falas në sistemin shëndetësor publik”, tha ish-ministrja Ogerta Manastirliu, në janar të tre viteve më parë.
Në përgjigjen për Faktoje, Spitali Rajonal Shkodër thotë se muajt e fundit personeli është shtuar edhe me dy mjekë të tjerë dhe se ky shërbim pritet të vihet në funksion.
Mungesa e lenteve dhe mjekëve i ka detyruar pacientët që të dynden në Tiranë, ndërsa presin për shumë muaj datën e ndërhyrjeve.
Një tjetër pacient në kushtet e anonimatit tha për Faktoje se mjeku që i rekomandoi ndërhyrjen është i njohuri i tij, por në dy raste ia kishte shtyrë operacionin, pasi lentet nuk ishin cilësore.
Ministria ka një tjetër përgjigje, teksa thotë se pjesa më e madhe e lenteve sigurohen nga vende të BE-së.
“Lentet e përdorura në ndërhyrjet për kataraktën furnizohen nga kompani të licencuara sipas legjislacionit shqiptar, me origjinë kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian si p.sh.: Belgjika, si dhe nga vende si SHBA, Indi, Kanada, Japoni etj., në përputhje me kërkesat e sigurisë dhe cilësisë të përcaktuara në dokumentacionin teknik të tenderit”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në ligjin për barnat por edhe pajisjeve mjekësore është e sanksionuar se mund të futen edhe barnat ose pajisjet mjekësore “e prodhuara në vendet e Ballkanit”.
Më jep “borxh” lentet
Pavarësisht planifikimeve dhe tenderave të zhvilluara sipas kërkesave të pavionëve të ORL-OKL, shpesh ndodh që për një kohë të pacaktuar ka mungesë lentesh dhe shtyrje sidomos të operacioneve të planifikuara.
“Në rast të mungesave në mënyrë të vazhdueshme, sipas praktikës së konsoliduar, janë marrë masa bashkëpunimi me spitale rajonale, për përdorim të përkohshëm të rezervave ekzistuese, pra një qarkullim të lenteve në spitale, me qëllim të mospezullimit të trajtimit të pacientëve”, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Sipas tyre, ndërhyrja e kataraktës klasifikohet si ndërhyrje jo urgjente.
“…80% e ndërhyrjeve të kataraktës bëhen me planifikim, pasi nuk janë urgjenca mjekësore, ku listë pritja në spitale nuk është më shumë se 3 muaj, një kohë shumë e shkurtër krahasimisht me vende të tjera, ku planifikimet e kirurgjisë së kataraktës variojnë nga 9 muaj deri 18 muaj në rutinën e tyre”, thotë ministria.
Ndërhyrjet në katarakt jo në të gjithë rastet konsiderohen urgjente, por shtyrja në kohë e operacioneve ka bërë që pacientët kryesisht të moshuar të jetojnë me shikim të kufizuar nga perdet në sy.
E tillë është edhe 73-vjeçarja L.T., e cila që nga maji i vitit të kaluar ende pret telefonatën për t’i caktuar datën e ndërhyrjes, me shpresën se lentja të jetë cilësore e prodhuar në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Përfundimi
Ndërhyrja kirurgjikale e kataraktit me lente intraokulare kryhet falas në Tiranë dhe spitale rajonale, por koha e kryerjes së ndërhyrjeve, sipas dëshmive të pacientëve zgjat mbi tre muaj.
Gjithashtu Spitali i Rajonal i Shkodrës pranon se nuk e kryen këtë shërbim, pavarësisht se më herët referuar ministrisë por edhe disa pacientëve, ky shërbim kryhej.
Aktualisht, nisur nga nga kontaktet me pacientë, por edhe përgjigjet zyrtare këtë premtim e klasifikojmë si pjesërisht të mbajtur.
Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 dhe pas premtimeve të përsëritura për përfundimin e rindërtimit, procesi në zonën e Kombinatit vijon të shoqërohet me vonesa, paqartësi dhe problematika funksionale. Verifikimi më i fundit i “Faktoje” në terren tregon se, ndonëse disa godina të reja janë ndërtuar dhe procesi i shpërndarjes së banesave ka nisur, shumë banorë vijojnë të jetojnë mes pritjes, konfuzionit dhe mungesës së menaxhimit bazë.
Premtimet pas tërmetit
Zona e Kombinatit ishte një nga më të goditurat nga tërmeti i vitit 2019, me rreth 1,500 familje të mbetura pa strehë. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës prezantuan që në vitin 2020 projektin për rindërtimin e Kombinatit si një zonë të re banimi, me pallate të reja, infrastrukturë shoqëruese dhe shërbime publike.
Në vitet në vijim, afatet për përfundimin e rindërtimit u shtynë disa herë. Premtime të përsëritura nga përfaqësues të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës krijuan pritshmëri të reja, por procesi në terren vijoi të ecte më ngadalë se deklaratat publike.
Çfarë ka verifikuar “Faktoje” ndër vite
“Faktoje” e ka ndjekur rindërtimin në Kombinat që prej vitit 2020. Në verifikimet e mëparshme është konstatuar se pallate të shpallura për shembje qëndronin ende në këmbë, se ndërtimi i godinave të reja vonohej dhe se familjet e prekura nga tërmeti vazhdonin të jetonin me qira, shpesh me bonus të pasigurt dhe pa informacion të qartë për shortin.
Në shtator 2020, ish-ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj deklaronte se themelet e pallateve në Kombinat do të hidheshin brenda tetorit të atij viti. Në pranverën e vitit 2022, ai premtoi se “nuk do të kishte më asnjë shenjë nga tërmeti i vitit 2019”, një zotim që rezultoi i pambajtur, pasi shumë godina të dëmtuara vijonin të qëndronin në këmbë. Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë viteve 2022-2024, premtoi disa herë se familjet e para do të futeshin “brenda vitit”, më pas “në fillim të vitit tjetër”, por pa dhënë një afat konkret të respektuar.
Edhe në vitin 2024, “Faktoje” raportoi se disa pallate, ndonëse dukeshin të përfunduara nga jashtë, nuk ishin ende funksionale për banim.
Verifikimi në terren, dhjetor 2025
Më 29 dhjetor 2025, “Faktoje” u rikthye në terren në zonën e Kombinatit, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, ku janë ndërtuar katër godina të reja banimi në formë U-je. Njëra prej tyre ishte ende në proces ndërtimi, ndërsa tre të tjerat ishin pjesërisht të populluara.
Në oborrin mes pallateve, një burrë rreth të pesëdhjetave, që po lëvizte i pasigurt nga një hyrje te tjetra, na ndaloi dhe pyeti:
“Ku është hyrja 7B? Se aty më duket do më dalë shorti… Ende nuk më ka dalë, presim javën e dytë të janarit”
Ai shpjegoi se, ndonëse banorët kanë nisur të hyjnë në këto pallate prej më pak se një viti, shumë familje ende nuk e dinë se kur dhe ku do të sistemohen.
Sipas banorëve, çdo godinë parashikohet të strehojë rreth 150 familje, pra afro 600 familje në total, por një nga pallatet nuk ishte ende i përfunduar, ndërsa tre të tjerët nuk ishin mbushur plotësisht.
Pritja
Një banore rreth të tetëdhjetave, e cila kishte marrë çelësat e apartamentit, u ankua për mungesën e kushteve minimale:
“Na kanë futur në pallat, por ashensori nuk punon. Për ne të moshuarit është shumë e vështirë”
Sipas saj, të gjitha godinat janë të pajisura me ashensorë, por në disa raste ata nuk janë vënë në funksion, për shkak të mungesës së administratorit apo dakordësisë me këtë të fundit.
Zonja gjithashtu shtoi se problem është edhe pastrimi i godinave nga brenda, por edhe rreth e përqark.
Teksa fliste, pranë saj u afrua një mikeshë, gjithashtu e moshuar, të cilës ende nuk i kishte dalë shorti:
“Unë jam akoma jashtë. Pres prej vitesh. Disa nga të shpromësuarit kanë marrë nga 4-5 hyrje njëherësh, ndërsa ne të tjerët presim. Madje muajin e fundit na kanë ulur edhe bonusin e qirasë”
Ajo e përshkroi situatën si të padrejtë dhe të paqartë, duke shtuar se mungesa e informacionit i ka lënë banorët në pasiguri të vazhdueshme.
Infrastruktura
Një tjetër banor i zonës tregoi se në Kombinat pritet të ndërtohen edhe godina të tjera, por aktualisht nuk ka asnjë shenjë konkrete për nisjen e punimeve:
“Na kanë thënë që do bëhen dhe pallate të tjera, por këtu s’po punohet. Ne vetëm presim të mbarojnë trotuaret, të pastrohet zona dhe, me shpresë, të shtrohet rruga”
Ndërkohë, zona përreth pallateve ishte e mbushur me mbetje ndërtimi, copa betoni, kuti kartoni dhe mbeturina të tjera. Banorët thanë se ritmi i shpejtë i popullimit, i kombinuar me mungesën e menaxhimit, ka krijuar kaos në hapësirat e përbashkëta.
Punimet që vazhdojnë
Përpara katër godinave të reja të rindërtuara në zonën e Kombinatit, “Faktoje” konstatoi praninë e tabelave zyrtare informuese të vendosura nga Bashkia e Tiranës. Sipas të dhënave të pasqyruara në to, investitori i projekteve ishte Bashkia Tiranë.
Në njërën nga këto tabela objekti ishte “ndërtimi i infrastrukturës publike brenda unazës së re të zonës”. Afati i ndërtimit të objektit ishte 12 muaj por nuk pasqyrohej data e nisjes apo përfundimit të punimeve. Vlera e objektit shkonte në 285,000,000 lekë pa TVSH.
Në tabelën e dytë në zonë objekti ishte “hartimi i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 7 në zonën zhvillimore ‘Kombinat”. Afati i ndërtimit të objektit ishte 17 muaj por sërish nuk pasqyrohej data e nisjes apo përfundimit të punimeve. Vlera e objektit shkonte në 541,400,000 lekë pa TVSH.
Procesi i rindërtimit në Kombinat, ndonëse i avancuar krahasuar me vitet e mëparshme, vijon të mbetet i papërfunduar në praktikë.
Përfundimi
Verifikimi i fundit i “Faktoje” tregon se rindërtimi në Kombinat ka hyrë në një fazë ku një pjesë e banesave janë ndërtuar dhe procesi i shpërndarjes ka nisur, por problematikat kryesore mbeten të pazgjidhura. Pritja për shortin, funksionimi i pjesshëm i ashensorëve, mungesa e administrimit dhe infrastruktura e papërfunduar dëshmojnë se procesi është ende larg përfundimit të plotë.
Gjashtë vite pas tërmetit, për shumë banorë të Kombinatit, rindërtimi vazhdon të jetë më shumë një histori pritjeje sesa një zgjidhje e mbyllur.
“Ja shikoje vetë sa keq është gjendja”, “Të lutem bëji fotot, video të gjithave, ekspozoji”, “Do sëmuremi”, “Ishalla dëgjohesh ti te Bashkia”.
Këto janë disa nga fjalët që dëgjova nga banorët në zonën e njësisë administrative numër 6, apo siç njihet në të folurën e përditshme, zona e Kombinatit.
Atje, koshat e plehrave ishin të tejmbushur, të rrethuar nga mbeturinat e lëna rreth e përqark në cepat e tyre si dhuratat poshtë pemës së Krishtlindjeve.
Kombinat, 29 dhjetor 2025Kombinat, 29 dhjetor 2025
Vetëm pak muaj më parë, në gusht 2025, kryeministri Edi Rama njoftonte krijimin e një institucioni të ri për menaxhimin e mbetjeve: Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.
Sipas tij, ky operator “do të jetë në dispozicion të gjithë republikës, patjetër të pushtetit vendor, të qytetarëve dhe misionit për anëtarësimin në BE”, duke përqendruar trajtimin e mbetjeve në një strukturë kombëtare dhe jo më në dorë të bashkive.
Rama e cilësoi këtë si “kapitullin më sfidues të negociatave me BE-në” dhe premtoi “një paketë të re reformash dhe masash” për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë edhe krijimin e “fondit të ekonomisë së mbetjeve”.
Sipas një përgjigjeje zyrtare që Bashkia Tiranë i ka dërguar Faktoje.al në muajin shtator, shërbimi i pastrimit në territorin e bashkisë realizohet nga shoqëria publike “Eco Tirana” sh.a. Vetëm për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane, kostoja vjetore e parashikuar arrin në 1,142,855,362 lekë me TVSH.
Në terren, megjithatë, premtimet për reformë duken shumë larg koshave të tejmbushur që takova në Kombinat.
Banorët dukeshin të qetë, të mësuar fare mirë me këtë gjendje. Gjatë rrugës sime në këmbë i shikoja teksa gjithë delikatesë i vendosnin plehrat mbi kosha në mënyrë të atillë që të mos humbej balanca dhe ato të binin bashkë me qeset e tjera poshtë.
Afër qendrës së Kombinatit, tek tregu, edhe korsia e biçikletave, edhe zona rreth pemëve të mbjella që ndodheshin afër dhe para koshave, ishte e përmbytur nga mbeturinat që në fakt duhet të ishin brenda tyre.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Pasi pyeta banorët për vendndodhjen e pallateve të rindërtuara pas tërmetit të vitit 2019, u drejtova për nga qendra e Kombinatit, aty ku gjendej dhe objekti i njësisë administrative numër 6.
Kjo ndërtesë, përgjegjëse për punët e brendshme vendore të kësaj njësie, e ndante murin me një godinë e cila dukej si një relike e një kohe tjetër. Kjo godinë qëndronte në këmbë por ishte e boshatisur, dukshëm e dëmtuar nga tërmeti, e krisur dhe e shembur vende-vende. Disa prej ngrehinave të saj ishin mbushur edhe me plehra.
Godina kishte 10 harqe dhe disa hyrje nën to; në njërën prej tyre më zunë sytë një zotëri dhe iu afrova ta pyes. Zotëria po tërhiqte një karrocë me plehra dhe atë hyrje ku po qëndronte, e trajtonte si vendqëndrimin e tij pasi ishte i pastrehë.
“Kjo godina është bosh, vetëm unë jam këtu”, më konfirmoi ai dhe më tha se nuk kishte dëgjuar për ndonjë rikonstruksion apo rindërtim të mundshëm të saj.
Pas kësaj pamje groteske mu në qendër të Kombinatit, sipas direktivave të banorëve, kalova përmes një harku betoni për të mbërritur në destinacionin e dëshiruar.
Panorama ishte e nderë që në hapat e para, rruga ku po shkelja nën hark ishte e copëtuar dhe, me të ecur edhe pak, ajo kthehej në një baltovinë, totalisht të pashtruar.
Para meje po kalonte një grua e ngarkuar me nga një qese të rëndë në secilën dorë, varur si gurë peshe. Sikur peshat të mos mjaftonin, e shihja teksa tërë siklet bënte zigzake në shmangie të gropave, pellgjeve dhe llucave të rrugës.
Tani ishte shumë vonë për t’u kthyer pas, isha shumë afër destinacionit, edhe pse dukshëm do të kthehesha në “Tiranën tjetër”, pra në lagjet e qendrës, me këpucë të ndotura sikur të kisha hyrë në ndonjë kënetë.
Por rruga e munguar nuk ishte e keqja e vetme. Gjatë asaj rruge u hasa me pesë kazanë mbeturinash, të vjetëruar dhe qëndrestarë, në mes të asaj rruge pa rrugë.
Në pamje të parë situata nuk dukej keq, kishte mbeturina të vogla rreth e përqark koshave, por ishin thjesht kanaçe apo ambalazhe sporadike. Ama ndonjëherë duhet të shikosh përtej asaj që sheh dhe ajo “përtej” në këtë rast nuk ishte kaq e zakonte.
Pas koshave, përveç një pellgaçeje minimaliste, kishte një grusht shishesh plastike dhe plehrash të tjera shtëpiake bashkë me një dyshek dhe një batanije nga ato me lule kafe që të gjithëve na lipsen në këtë dimër të ftohtë.
Pikërisht për objekte të tilla të mëdha, si dysheku dhe mobiliet e vjetra që kisha përpara syve, bashkia ka premtuar se qytetarët nuk kanë pse t’i hedhin pranë koshave.
Në një nga prezantimet për shërbimin e ri të pastrimit në vitin 2024-tër, një punonjës i “Eco Tirana”-s u bënte thirrje qytetarëve: “Nëse kanë një divan, një lavatriçe ose ndonjë gjë tjetër për të hedhur, ne kemi mjete që e largojnë direkt, pa pagesë. Por që i kemi falas”.
Në letër, mjafton një telefonatë që një dyshek si ai i hedhur në baltë të merret nga banesa pa kosto.
Gjendja e plehrave deri tani në këtë ekspeditë të shkurtër në Kombinat dukej aspak e bukur, por vazhdova përpara drejt pallateve të reja.
Tashmë arrija t’i shquaja pallatet, isha as 2 minuta larg tyre. Kisha arritur. Rruga deri aty nuk ishte e gjatë, por ishte padyshim e keqe dhe e padëshirueshme për atletet e mia. Herë tjetër, për kësi misionesh, duhet të marr patjetër çizme të trasha gome.
Sado që kërkoja t’i shmangia plehrat, ato s’po më ndaheshin. Në krahun tim të majtë ishin disa banesa të shkretuara që një Zot e di prej sa vitesh ishin bosh. Bosh nga njerëzit, por jo nga plehrat.
Banorët e zonës kishin mbushur me plehra tre banesa të tilla që gjendeshin në krah të rrugës deri te pallatet e reja.
Në atë rrugicë më pak se 5 metra të gjatë gjendeshin 5 kazane plehrash dhe tre ish-shtëpi tashmë të kthyera në mini-landfille.
Plehra, plehra, plehra…
Në këtë pikë isha gati e dorëzuar, ato ishin kudo dhe çdo hap bëhej gjithnjë e më i pamundur pa u ndeshur me to.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Gjendesha mu përpara katër godinave të rindërtuara, kontrasti mes zonës përreth tyre dhe këtyre godinave të reja ishte shumë i thellë. Në këmbët e mia kisha nja 2-3 pellgje të mëdha me ujë dhe rreth e përqark gjithë dheu ishte kthyer në baltë.
Atletet e mia nuk kishin shpëtim kësaj here, por kjo nuk ishte asgjë krahasuar me panoramën që më priste.
Me një të kthyer të kokës majtas shoh një pallat ngjyra-ngjyra të ri fringo, madje akoma të papërfunduar. Para pallatit ngjyra-ngjyra ngrihej një kodër e vogël me plehra po ngjyra-ngjyra.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Gjithçka kishte aty: materiale ndërtimi, copa betoni, kuti kartoni, ambalazhe, kanaçe, shishe plastike, lodra fëmijësh, pjesë orendish shtëpiake, tuba, veshje, etj, etj, etj.
Një katrahurë e vërtetë.
Nisa të bëja disa foto dhe video. Situata duhej bërë patjetër publike.
Teksa bëja foto, më flet një zotëri, banor i zonës, që ishte duke lëvizur me biçikletë.
“E shikon ç’bëhet këtu”, më thotë ai dhe psherëtin. I prezantohem si gazetare e Faktoje.al dhe e pyes për këtë masiv shokues plehrash.
“Mesa di unë janë bërë ankesa tek Bashkia nga banorët për këto plehrat”, thotë ai, por specifikon se nuk janë organizuar si komunitet për të kërkuar zgjidhje.
Përshëndetem me zotërinë, pasi i lë kontaktin dhe i kërkoj t’më përditësojë për çdo ndryshim, për mirë apo për keq, të situatës.
Ndërsa bashkë me një qen rrugësh i vimë rrotull vendgrumbullimit të plehrave, përballem me një zonjë të moshuar që po tërhiqte një karrocë ushqimesh.
Sapo e përshëndes dhe i prezantohem si gazetare, ajo nis t’më flasë për shqetësimin e saj më të madh… plehrat.
“Do sëmuremi”, tha tetëdhjetëvjeçarja, duke më kërkuar t’i shkoj pas, sepse përveç atij grumbullimit të madh me plehra në zonë ka dhe të tjera dhe në përgjithësi zona rreth kompleksit të pallateve është e papastruar.
Kombinat, 29 dhjetor 2025Kombinat, 29 dhjetor 2025Kombinat, 29 dhjetor 2025
Vijoj rrugën me të, drejt cepit tjetër të kompleksit të 4 “godinave të tërmetit”, siç i quajnë rëndom banorët e këtushëm. Teksa ecim, zonja më tregon se sipas saj mbeturinat kanë nisur të hidhen nga ata që kanë bërë punimet tek godinat. Ata kanë hedhur në këto pika kartonat dhe kutitë e pajisjeve shtëpiake, apo të ndërtimit.
Banorët pastaj, nga përtacia apo mosedukata, kanë vijuar t’i hedhin mbeturinat e tyre të përditshme apo kutitë që kanë përdorur për transportin e sendeve shtëpiake në shtëpitë e reja pikërisht në këto grumbuj të krijuar.
“Unë jam shumë e vjetër dhe jetoj vetëm, s’mund të bëj asgjë, të lutem ngrije këtë problem, sepse po bëhet dita-ditës më shqetësues”, më kërkon e moshuara teksa më tregon me gisht grumbujt e tjerë të mbetjeve.
Grumbujt e plehrave shkëlqejnë në diellin e pasdites, por duket sikur askush nuk i sheh, sepse qytetarët, paçka sasisë alarmante të tyre, vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Me premtimin se do e ngre zërin edhe në emër të saj ndahem me zonjën. Veprimi u mbetet organeve kompetente.
Ndërkohë, nga përgjigjja që Bashkia Tiranë i ka kthyer Faktoje.al, rezulton se fondi i kontingjencës, i planifikuar në vlerën 40 milionë lekë për vitin 2025, ka mbetur plotësisht i papërdorur.
Një shumë kjo që mund të ishte përdorur për ndërhyrje në situata si kjo: për pastrimin e mbetjeve, sistemimin e hapësirave përreth godinave të reja apo marrjen e masave për kufizimin e rreziqeve për shëndetin e komunitetit, që në rastin e Kombinatit duket se ka mbetur vetëm në letër, përballë grumbujve të plehrave, baltës dhe erës së rëndë që përcaktojnë përditshmërinë e qindra familjeve.
Prej vitesh kryebashkiaku Erion Veliaj e prezanton Tiranën si histori suksesi në pastrim. Në prill 2023 ai deklaronte se “Tirana është qyteti më i pastër në Europën Juglindore” dhe se pastrimi është “kartëvizita më dinjitoze, më e bukur e përfaqësimit, fytyra jonë më europiane”.
“Tek çështja e pastrimit jemi numri 1 sot në rajonin tonë”, theksonte Veliaj, duke u shprehur se kjo vihet re nga delegacione të huaja, kryeministra dhe turistë që vizitojnë kryeqytetin.
Edhe në nivel operacional, bashkia ka premtuar marrje të plotë të kontrollit mbi pastrimin. Në shtator 2024, Veliaj njoftoi se “shërbimi i pastrimit të Tiranës do të kryhet plotësisht nga bashkia dhe jo më nga kompanitë private”.
Në të njëjtën linjë, ai njoftoi “një aksion të madh pastrimi” dhe vënien në punë të “mjeteve dhe makinerive të reja të shërbimit të pastrimit” që, sipas tij, punojnë “nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes”.
Teksa nis të fotografoj dhe filmoj pamje të plehrave në cepin tjetër, përballë godinave të reja, takoj një zotëri që ka nxjerrë shëtitje qenin.
“Gazetare je moj vajzë?”, më pyet ai dhe, pasi merr përgjigjen, nis t’më thotë se ata presin me shpresë që pastrimi i zonës të përfundojë bashkë me përfundimin e punimeve në godina.
Njëra nga 4 godinat është e papërfunduar. Pritet të ndërtohen edhe disa godina të tjera, por për to punimet ende nuk kanë nisur. Më pas do të vijohet me ndërtimin e trotuareve, pastrimin e zonës dhe mbase edhe shtrimin e rrugës, tregon zotëria.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Aktualisht, përveç godinave të reja, pjesa tjetër duket një katrahurë mbetjesh betoni, plehrash, balte dhe lluce. Për ndërtimin e rrugës pastaj, banori s’di ç’të shpresojë fare, pavarësisht se e identifikon si problem.
Si pa e kuptuar, nga një fotografi, video apo bisedë në tjetrën, kalova disa orë të tëra në kombinat, “duke gjurmuar” plehrat.
Vendosa të kthehem pas nga rruga tjetër që të nxirrte tek rruga kryesore. Nga baltovina prej nga erdha kisha parë mjaftueshëm.
Papritur më ndalon në rrugë një zonjë, e cila më kishte parë teksa flisja për plehrat me banorët.
“Unë i hedh mbeturinat tek koshat, mezi eci por shkoj deri tek ato”, më thotë ajo, pa ditur t’më thotë saktësisht se sa kohë ka që këto mbeturina janë grumbulluar në atë formë.
Sipas saj, e sigurt është që gjendja kishte qenë e tillë prej të paktën një muaji, që kur ishte futur në shtëpi ajo.
Godinat kanë nisur të popullohen prej më pak se një viti dhe në të katërta ato pritet të banojnë 600 familje, 150 në secilën, sipas banorëve.
Në këto kushte, problemi i mbetjeve, nga ana shëndetësore dhe mjedisore, ka të ngjarë vetëm të përkeqësohet nëse nuk ndërmerren masa për zgjidhjen e tij.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Lutjet e banorëve, baltovina ngjitëse dhe aroma e papushimtë e mbeturinave më shoqëronin ngado. Godina të reja, por të gjendura në mes të një kaosi mjedisor dhe shëndetësor për komunitetin. Në rrugicën tjetër, e cila fatmirësisht, ndryshe nga ajo prej së cilës erdha, ishte e shtruar, më priste një tjetër panoramë shokuese.
Një varrezë betoni shtrihej para syve të mi në të dyja anët e rrugës, por sidomos nga ana tjetër e rrugës përtej godinave, ku s’kishte ndërtime të reja, vetëm grumbuj betoni, dhe mbeturina.
Një foto e shkrepur këtu, lehtësisht mund të përdorej për të ilustruar Gazën. Por ky është realiteti i përditshëm i një lagjeje të rindërtuar në Tiranë, më tepër se 6 vite nga tërmeti i 26 nëtorit.
Derisa fondet, institucionet dhe premtimet të reflektohen, banorët e Kombinatit do të vijojnë të jetojnë mes godinave të reja dhe një landfilli që rritet çdo ditë nën dritaret e tyre.
Sebi Alla Një muaj pasi kishte marrë detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj u la afat një javë të gjithë subjekteve që kishin bllokuar hapësirat publike, veçanërisht lokaleve nga tavolinat dhe çadrat në trotuare. “Të gjithë ata që kanë okupuar hapësirat publike kanë një javë afat për t’i liruar këto hapësira. Në fund të javës tjetër do të nxjerrim urdhër ekzekutiv që ata që shesin në rrugë, lokalet që kanë nxjerrë karrige dhe tavolina në mes të rrugës, ata që kanë zënë parkingjet, çdo gjë do të sekuestrohet”, deklaroi Veliaj në gusht të vitit 2015.
Më pas në dy fushatat zgjedhore lokale, 2019 dhe 2023, Veliaj ripremtonte lirimin e hapësirave publike në kryeqytet dhe relativisht ajo ndodhi, plot dhjetë vite më pas.
Në muajin gusht 2025 nisi akioni masiv për lirimin e hapësirave publike, por me urdhër të kryeministrit Rama, ndërsa Veliaj që nga 10 shkurti i këtij viti ndodhet në burg, me 9 akuza në 13 raste të dyshuara.
Aksioni
“Sot është 1 gusht, ka skaduar afati për heqjen e rraqeve buzë rrugëve kombëtare dhe nga sot do fillojë hap pas hapi ndërhyrja e forcave përkatëse të kontrollit me territorin. Ambicia jonë është që të jemi kampionë të Ballkanit në turizëm. Forcat përkatëse do duhet të angazhohen shumë më tepër tash e mbrapa sepse na duhet të jetojmë dhe të bashkëjetojmë më idenë që të gjithë së bashku duhet t’i japim një cilësi të re vendit tonë si një destinacion turistik, por edhe si një shtet i së drejtës për tu bërë anëtarë të BE”, tha Rama.
Duke iu referuar Tiranës ai tha se do të shkonte deri në 20 mijë metra katrorë lirim të hapësirave publike.
Çlirim, por edhe devijim
Në Tiranë aksioni për lirimin e hapësirave publike përfshiu strukturat e Policisë Bashkiake, asaj të rendit dhe Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit, Tiranë.
Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, IMT tha se “ishin liruar në total 1483 hapësira publike nga të cilat 1,214 çmontime vullnetare dhe 269 ekzekutime vendimesh, 56,421 m2 sipërfaqe e liruar në total, ndërkohë 1791 subjekte ishin njoftuar për të kryer lirimin vullnetar”.
Në disa zona të Tiranës lirimi i hapësirave publike, nga vetë subjektet, apo me ndërhyrjen e IMT-së ka ndodhur duke liruar kryesisht trotuaret, por edhe hapësirat e përbashkëta ndërmjet apartamenteve. Pavarësisht aksionit masiv disa subjekte tregtare vijojnë të zhvillojnë aktivitet
Përfundimi
Premtimi për lirimin e hapësirave publike në Tiranë do e konsiderojmë gjysmë të mbajtur, pasi në kryeqytet ka ende hapësira publike të zëna nga subjekte private. Premtimet e njëpasnjëshme u vunë në zbatim në fund të verës së këtij viti.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Jona Cenameri Më 20 nëntor 2025, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiakja Emiriana Sako përmes rrjeteve sociale njoftuan hapjen e parkimit publik me kate në Durrës.
Rama e prezantoi objektin si një strukturë moderne me rreth 400 vende parkimi, energji të vetëprodhuar nga panelet diellore, hapësira për biçikleta, ambiente për zyra dhe hapësira social-kulturore.
Kryebashkiakja Sako e cilësoi objektin si “Qendra Multimodale e Mobilitetit në Durrës”, një investim që, sipas saj, rigjeneron një zonë të tërë dhe shërben si nyje e re mobiliteti, komuniteti dhe sipërmarrjeje.
Premtimi i prezantuar në 2022-2023
Parkimi publik me kate në qendër të Durrësit u prezantua fillimisht në tetor 2022 nga kryebashkiakja Emiriana Sako, e cila konfirmoi se investimi do të financohej nga qeveria përmes FSHZH-së. Projekti u rikthye si premtim elektoral gjatë fushatës së prillit 2023 dhe u paraqit si zgjidhja kryesore për trafikun e rënduar, mungesën e hapësirave të parkimit dhe nevojën për një qendër moderne të mobilitetit urban.
Sipas Bashkisë Durrës, objekti do të shërbente për të lehtësuar qarkullimin në qendër, për të ofruar një infrastrukturë të dedikuar për biçikleta, për të krijuar ambiente të reja publike dhe për të mbështetur transformimin e qytetit drejt një modeli të ri lëvizshmërie.
Në tabelën e kantierit ishte shënuar një afat i ri përfundimi: prill 2024. Banorët e qendrës së Durrësit vijonin të përballeshin me mungesë vendesh parkimi, ndërsa objekti i premtuar mbetej ende larg përfundimit.
Tetor 2024
Në vitin 2024, FSHZH raportoi për “Faktoje” se punimet kishin avancuar deri në rreth 75% dhe njoftoi një afat të tretë për përfundimin e projektit: tetorin 2024. Por verifikimi i dytë tregoi se, pavarësisht progresit në strukturë, godina mbetej e mbyllur, e papërfunduar dhe jo funksionale për publikun.
Tetor 2025
Në tetor 2025, “Faktoje” u rikthye për verifikimin e tretë. Së jashtmi, godina dukej e përfunduar, por mbetej e mbyllur dhe në brendësi kryheshin ende punime teknike, pastrim i ndërtesës dhe testime të rrjeteve të brendshme. FSHZH njoftoi se procesi i kolaudimit ishte në fazën përfundimtare, ndërsa Bashkia Durrës sqaroi se nuk ishte institucioni zbatues i projektit, por vetëm përfitues.
Afatet e zvarritura
Sipas Open Procurement, kontrata për ndërtimin e parkimit publik u lidh më 13 dhjetor 2022, me një kohëzgjatje 12-mujore, duke përcaktuar dhjetorin 2023 si afat të parë përfundimi. Afatet u shtynë disa herë: fillimisht në prill 2024, më pas në tetor 2024, ndërsa objekti u hap realisht vetëm më 20 nëntor 2025.
Kjo vonesë e konsiderueshme u dokumentua gjatë tre verifikimeve të “Faktoje”, që evidentuan jofunksionalitetin e objektit përtej çdo afati të shpallur më herët nga institucionet përgjegjëse.
Përfundimi
Pas tri verifikimeve dhe më shumë se dy vite shtyrjesh të afateve zyrtare, parkimi publik me kate në qendër të Durrësit u hap përfundimisht, duke përmbushur premtimin. “Faktoje” e kategorizon këtë premtim si të mbajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, gjatë fushatës për mandatin e tretë premtoi investime në fshatin Melçan, për të përmirësuar lëvizjen e banorëve dhe aksesin në zonë. Rruga që lidh fshatin me Teqenë “Baba Abdulla” ishte një prej tyre. Verifikimet tregojnë se segmenti me gjatësi 1.2 km, ka përfunduar.
Esmeralda Topi
Fushatën për mandatin e tretë në krye të bashkisë Korçë kandiati i socialistëve Sotiraq Filo e përqëndroi tek fshati dhe problematikat e zonave rurale të juglindjes. Nga takimet me banorët e Melçanit, Filo premtoi investime edhe për rrugën, që bashkon fshatin me Teqenë “Baba Abdulla”.
Më pas, angazhimi u reflektua me ndërhyrje konkrete në terren. Në qershor të këtij viti, kryebashkiaku i Korçës premtoi rikonstruksion të plotë të shtresave asfaltike të kësaj rruge.
“Ky investim lidh me rrugë të re gjithë unazën Lumalas–Melçan–Porodinë, duke përmirësuar lëvizjen e banorëve dhe aksesin drejt zonave përreth,”premtonte Filo gjatë një inspektimi në terren.
Rruga me gjatësi 1.2 kilometra dhe gjerësi 4.5 metra, sipas tij, po realizohej në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Verifikim
Faktoje iu drejtua Bashkisë së Korçës dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit për të kuptuar nëse rruga e Melçanit ishte një tjetër premtim në proces apo një investim i përfunduar. Përgjigjet zyrtare konfirmuan se punimet në këtë segment kishin përfunduar në muajin qershor.
Investimi me vlerë 12,8 milionë lekë (pa TVSH), është zbatuar nga kompania “Shkëlqimi 07”, si financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Në tetor, Faktoje verifikoi në terren investimin në këtë segment. Rruga ishte e përfunduar, e shtruar dhe funksionale duke lidhur fshatin Melçan me Teqenë “Baba Abdulla”.
Përfundim
Nisur nga informacioni i mbledhur dhe verifikimi i kryer në terren, premtimin e kryebashkiakut Sotiraq Filo për rrugën që lidh fshatin Melçan me Teqenë “Baba Abdull”, e kategorizojmë të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowement for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Në fushatën elektorale të vitit 2023, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, prezantoi për qytetarët projektin e aeroportit Turistik dhe Sportiv në Lumalas, përmes një videoje 3D që tregonte pistën, terminalin, godinën e administratës dhe hapësirat për aktivitete ajrore. Premtimi ishte se aeroporti do të bëhej “realitet i prekshëm” dhe do të nxisë turizmin rajonal dhe sportet e aventurës.
Pas një viti e gjysmë, Bashkia e Korçës e cilëson projektin 1.1 milionë euro të përfunduar fizikisht. Sipas institucionit, aeroporti ndodhet në fazën e çertifikimit, një proces i domosdoshëm për të mundësuar operimin e fluturimeve.
“Përgjegjës për mirëmbajtjen dhe operimin e tij do të jetë Bashkia Korçë me mbështetjen e Autoritetit të Aviacionit Civil, të cilët bëjnë dhe çertifikimin e fushës”, pohon Bashkia e Korçës për Faktoje.al.
Aeroporti ndodhet në fshatin Lumalas, rreth 7.5 kilometra larg Korçës dhe ndërhyrja u bë në pistën historike ekzistuese të aviacionit të këtij qyteti. Investimi do të shërbejë për sporte ajrore, aktivitete turistike dhe raste emergjencash. Megjithatë, bashkia pranon se ende nuk ka marrëveshje me Shoqatën Shqiptare të Aeronautikës apo operatorë të tjerë.
Sipas bashkisë, plani për funksionimin e aeroportit dhe për aktivitetet sportive do të bëhet i ditur pasi të përfundojë çertifikimi.
Verifikim në terren
Verifikimi i Faktoje këtë vjeshtë tregoi se pamja reale e aeroportit është shumë larg asaj që u prezantua në video 3D të kryebashkiakut Sotiraq Filo.
I vetmi element që përputhet me projektin 3D është godina e administratës dhe kontrollit, e cila është përfunduar fizikisht. Megjithatë, edhe asaj i mungojnë shumë detaje që shfaqen në vizualizimin e fushatës, veçanërisht në ambjentin e jashtëm.
Kur krahasojmë pamjen reale të terrenit me projektin 3D të prezantuar nga Filo në fushatë, bien në sy ndryshimet e mëdha.
Pista, e cila në 3D duket e pasur me çdo element, në terren ka vetëm një gardh rrethues rrjete metalike që mund të ngatërrohet me rrethimet e zakonshme që bëjnë fermerët për të ndarë tokat nga njëri tjetri.
Pista nuk është aspak e dallueshme si në videon 3D, ndërkohë që bie në sy veçanërisht mungesa e vijëzimeve.
Për më tepër, gjatë shirave të rrembyeshëm të nëntorit, pjesa e pistës u përmbyt nga uji, duke e shndërruar hapësirën e aeroportit pothuajse në një port të vogël. Situatë kjo që nxori në pah mungesën e përgatitjes për kushte të tilla atmosferike.
Përfundim
Edhe pse Bashkia e Korçës e konsideron projektin fizikisht të përfunduar, krahasimi me video 3D tregon qartë se realiteti është shumë larg vizionit të fushatës. Premtimi i kryebashkiakut për një aeroport “të prekshëm” mbetet pjesërisht i mbajtur, pasi infrastruktura ka progres fizik, por funksionimi praktik dhe aktivitetet ajrore nuk kanë filluar ende.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Sebi Alla- Me bindje, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, u tha banorëve të zonës së Astirit se do të ndërtoheshin pesë shkolla, në tre troje të përcaktuara në lagjen Astir.
“Ne do të bëjmë 5 shkolla në Astir që do t’i ketë zili e gjithë dynjaja”, deklaroi Veliaj, në fushatën e zgjedhjeve vendore më 14 maj 2023.
Një premtim i ricikluar disa herë, ku vetë Veliaj në të trija mandatet në bashki e kishte deklaruar se do zgjidhej ky problem.
Ekskavatorë që gërryejnë
Në zonën ndarëse mes dy lagjeve, Yzberisht dhe Astir në rrugën “3 Dëshmorët”, puna ka nisur për ndërtimin e dy shkollave brenda një trualli; shkollë 9-vjeçare dhe shkollë të mesme. Investitori është Bashkia Tiranë dhe vlera e ndërtimit të këtyre dy objekteve kap shifrën 431.540.207 lekë pa TVSH, ndërsa kompania fituese për ndërtimin e kësaj vepre publike është “NG STRUCTURES ‘SH.P.K &EPG Company SHPK”.
Aktualisht puna është në fazën e parë të saj me sistemim dhe rilevim të truallit dhe më pas pritet hapja e themeleve, ndërsa koha e zbatimit të projektit është parashikuar 24 muaj nga nisja e punimeve.
Karabina
Një tjetër shkollë në Astir ka ecur më shumë, ku për herë të parë banorët e zonës po shohin sesi po merr formë godina që kanë kërkuar, u është premtuar dhe nuk është realizuar.
Në fundin e prillit të vitit të kaluar, pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit në atë kohë, Ogerta Manastirliu dhe kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, premtuan ngritjen e shkollave që për këtë zonë ishte nevojë e menjëhershme dhe një nga problemet kryesore që ngrinin.
“Ajo shkollë, që ne shohim sot është sipas moduleve që ne kemi për shkollat e reja, ku e maksimizojmë hapësirën për të pasur sa më shumë klasa dhe kapacitet, planifikohet për 900 nxënës për ciklin 9-vjeçar dhe nga ana tjetër e rrugës do të jetë kopshti dhe çerdhja për më shumë se 250 fëmijë, duke pasur 2 klasa çerdhesh dhe 4 klasa kopshti, ” shpjegoi për kryeministrin, kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, në prill të vitit të kaluar.
Përfundimi
Ndërtimi i tre shkollave në lagjet Yzberisht dhe Astir në Tiranë, nisur edhe nga verifikimi në terren, konsiderohet premtim gjysmë i mbajtur dhe i ricikluar disa herë të paktën për dhjetë vite.
Një nga shkollat që do të shërbejë për ciklin 9-vjeçar është në fazën e ndërtimit të strukturës (karabina), ndonëse afati i përfundimit të të gjithë punimeve është parashikuar prilli i vitit të ardhshëm.
Më 25 nëntor 2024, kryeministri Edi Rama njoftoi publikisht nisjen e punimeve për ndërtimin e Parkut Urban në Spitallë, një projekt që synon ta transformojë zonën në një hapësirë rekreative moderne për qytetarët e Durrësit.
“Ka nisur puna për ndërtimin e Parkut Urban në Spitallë, që do ta kthejë këtë zonë në një hapësirë rekreative në shërbim të qytetarëve, me gjelbërim të shtuar, zonë për këmbësorët, pistë biçikletash, terrene sportive dhe zonë të dedikuar për fëmijë”, shkroi Rama në një postim në Facebook.
Ky projekt parashikon një park linear me gjatësi gati 1,3 kilometra, ndërtuar mbi një kanal të mbyllur të ujërave të larta, i cili ishte aktiv që prej viteve ’90 dhe kishte shkaktuar probleme mjedisore për banorët e zonës. Parku do të përfshijë sipërfaqe të gjelbra, shtigje për biçikleta e këmbësorë, terrene sportive, kënde për fëmijë dhe hapësira për aktivitete komunitare.
Në mars 2025, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, publikoi pamje nga kantieri, duke theksuar se punimet “po vijojnë me ritme të mira dhe do të sjellin një hapësirë të re publike për qytetarët e Durrësit”.
Në prill 2025, Rama dhe Sako rikthyen sërish vëmendjen tek kantieri, duke theksuar progresin dhe duke prezantuar më në detaje elementët e parkut, që do të shtrihen përgjatë gjithë gjatësisë së kanalit të mbyllur.
Verifikimi në terren
Gjatë verifikimit të kryer më 7 tetor 2025, “Faktoje” konstatoi se punimet në terren nuk ishin përfunduar. Punonjësit në kantier thanë se realizimi deri në atë moment ishte “rreth 60-70%”, ndërsa përfundimi parashikohej për në nëntor.
Në rikthimin e dytë në terren në 20 nëntor 2025, situata mbeti e njëjtë: parku ishte ende në ndërtim, pjesë të terrenit ishin të pa përfunduara dhe nuk kishte ende elementë përfundimtarë si gjelbërimi, ndriçimi dhe instalimet dekorative. Punëtorët pohuan se punimet pritet të përfundojnë më 5 dhjetor 2025.
Në tabelën e punimeve, financues figuron Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave, zhvillues Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) dhe përfitues Bashkia Durrës.
Afati i kontratës, sipas Open Procerement dhe tabelës së punimeve, është 12 muaj, me një vlerë totale prej 109,579,163.94 lekësh me TVSH.
Përgjigjet zyrtare
Në përgjigjen për “Faktoje”, Bashkia Durrës konfirmon se punimet “kanë filluar sipas zbatimit të kontratës” dhe janë ende në proces.
Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që luan rolin e agjencisë zbatuese të projektit, deklaron:
“Sa i përket Parkut Urban Spitallë, duke konsideruar sezonin veror dhe temperaturat e larta të periudhës, realizimi fizik i punimeve të zbatimit ishte rreth 45% në muajin korrik dhe pritet të përfundojnë brenda muajit nëntor”
Megjithatë, verifikimi në fund të muajit nëntor tregoi se projekti nuk është ende i dorëzuar, duke tejkaluar afatin e kontraktuar.
Përfundimi
Edhe pse punimet kanë avancuar ndjeshëm dhe projekti pritet të sjellë një hapësirë moderne për komunitetin e Spitallës, Parku Urban ende nuk është përfunduar, megjithëse kanë kaluar 12 muaj nga nisja e zbatimit.
Duke u bazuar në të dhënat zyrtare dhe verifikimin në terren, “Faktoje” e kategorizon premtimin për përfundimin e Parkut Urban në Spitallë si pjesërisht të mbajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Tre vite pas premtimit për “përfundimin e rehabilitimit të rrugëve dhe kanaleve kulluese në njësinë administrative Levan”, situata në terren mbetet larg përmbushjes së plotë të premtimit.
Rrugët dytësore në disa fshatra janë të amortizuara, ndriçimi publik është i pamjaftueshëm, mungon vijëzimi, sinjalistika rrugore dhe trotuaret, ndërsa shumë nga kanalet kulluese janë ende të bllokuara ose të pastruara pjesërisht nga vetë banorët.
Premtimi
Në prill 2023, pak javë para zgjedhjeve vendore, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, premtoi “përfundimin e rehabilitimit të infrastrukturës rrugore dhe pastrimin e kanaleve kulluese” në njësinë administrative Levan, që përfshin fshatrat Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Qarr, Bishan, Shtyllas, Bashkim, Pishë Poro, Boçovë dhe Ferras.
Dy verifikimet e mëparshme të “Faktoje”, në nëntor 2023 dhe tetor 2024, treguan se ky premtim ishte pjesërisht i mbajtur, pasi ndërhyrjet ishin të pjesshme dhe shumë zona vijonin të përmbyteshin sa herë kishte reshje.
Verifikimi në terren (nëntor 2025)
“Faktoje” konstatoi se infrastruktura në pjesën më të madhe të fshatrave të njësisë administrative Levan mbetet e paplotë dhe e amortizuar, me ndryshime të vogla nga një zonë në tjetrën.
Pamja e përgjithshme tregon se ndërhyrjet për përmirësimin e rrugëve dhe pastrimin e kanaleve kulluese kanë qenë të pjesshme, dhe të pamjaftueshme.
Në Peshtan të Madh, ndonëse rruga kryesore është e shtruar, ndriçimi i rrallë, tek tuk jo funksional sipas banorëve, dhe mungesa e trotuareve dhe sinjalistikës rrugore e bën qarkullimin të vështirë. Një mësuese e zonës e përshkruan situatën “veçanërisht problematike pranë shkollës”, ku këto mungesa rrisin rrezikun për aksidente.
Në Peshtan të Vogël, gjendja është më e rënduara nga gjithë njësia: rrugët janë të dëmtuara, pa ndriçim dhe sinjalistikë, ndërsa mungon lidhja me fshatin fqinj. Kanalet janë të mbuluara me bimësi të dendur, dhe për pastrimin e tyre kujdesen vetëm disa banorë të moshuar. “Të rinjtë janë larguar, ne të vjetrit s’kemi më fuqi ta bëjmë vetë,” thotë një çift i moshuar.
Në Shtyllas situata përsëritet: fshati përmbytet pas çdo shiu për shkak të kanaleve të bllokuara. “Kanalet i kemi pastruar vetë, se bashkia nuk ka ardhur,” shprehet një banor. Rrugët janë të shtruara, por pa trotuare, me ndriçim të pakët dhe sinjalistikë minimale.
Në Qarr, kushtet janë disi më të mira, rrugët janë të shtruara dhe kanë trotuare, ndriçim, ndonëse jo të shpeshtë dhe sinjalistikë minimale, ndërsa kanalet kryesore janë nën tokë dhe funksionale sipas banorëve.
Në Martin, ndriçimi ekziston, por është i pakët dhe vijëzimi mungon, ndërsa kanalet duken të pastruara nga vetë banorët.
Në Bishan, kanalet janë të mbushura me mbeturina dhe kallamishte. Edhe pse rruga është e shtruar, banorët ankohen për mungesën e trotuareve, ndriçimit dhe sinjalistikës rrugore.
Fshatrat Poro dhe Pishë Poro kanë rrugë kryesore të shtruara dhe ndriçim funksional, por mungojnë trotuaret, sinjalistika dhe sistemet e kanalizimit. Ndërkohë, në fshatrat Bashkim dhe Boçovë, rrugët janë të shtruara, por pa trotuare e ndriçim të mjaftueshëm.
Kanalet janë të zëna dhe pastrimi bëhet nga banorët. “Vetëm rruga kryesore është bërë, pjesa tjetër është harruar,” tha një banore e Boçovës.
Në Ferras, rrugët janë të shtruara, por pa vijëzim e sinjalistikë, ndriçimi është i rrallë dhe kanalizimet mungojnë. Banorët pohojnë se pastrimi nuk është bërë prej muajsh, ndërsa gjatë reshjeve uji del në sipërfaqe duke rrezikuar banesat pranë rrugës.
Në tërësi, pamja e njësisë Levan tregon për një model të përsëritur: rrugë të shtruara pjesërisht, ndriçim të kufizuar, sinjalistikë të munguar dhe kanale që pastrohen vetëm falë banorëve.
Përgjigjja e Bashkisë Fier
Në përgjigjen zyrtare për “Faktoje”, Bashkia Fier deklaron se: “Aktualisht, të gjitha qendrat e fshatrave të Njësisë Administrative Levan janë të lidhura me rrjet rrugor të shtruar/asfaltuar. Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore ka filluar që në vitin 2015 dhe do të vazhdojë deri në vitin 2030.
Në sistemin vaditës/kullues të kësaj njësie ka filluar ndërhyrja për pastrimin dhe rehabilitimin që prej vitit 2016, duke sjellë ndryshime të konsiderueshme”
Institucioni shton se “kanalet e para dhe të dyta janë pastruar dhe sistemuar, ndërsa për kanalet e treta kërkohet bashkëpunimi me banorët për mirëmbajtjen e tyre”
Megjithatë, verifikimi në terren tregon se shumë nga kanalet janë ende të bllokuara nga bimësia dhe mbeturinat, çka tregon se ndërhyrjet janë të pjesshme, dhe të pamjaftueshme.
Përfundimi
Nga krahasimi i të dhënave zyrtare me gjendjen reale në terren, “Faktoje” konstaton se premtimi për përfundimin e rehabilitimit të rrugëve dhe pastrimin e kanaleve kulluese në njësinë Levan mbetet pjesërisht i mbajtur.
Edhe pse Bashkia Fier raporton për “punë të vazhdueshme deri në vitin 2030”, situata aktuale tregon një proces të ngadalshëm, me ndërhyrje të pjesshme dhe mungesë mirëmbajtjeje.
Problemet e përmbytjeve, mungesa e ndriçimit dhe sinjalistikës, si edhe pastrimi i kufizuar i kanaleve, dëshmojnë se banorët e Levanit vazhdojnë të përballen me të njëjtat sfida.
Njësia Administrative Levan; Fshatrat: Peshtan i Madh, Peshtan i Vogël, Qarr, Bishan, Shtyllas, Bashkim, Pishë Poro, Boçovë dhe Ferras.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, pallati 71 në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’ në lagjen ‘Besëlidhja’ (ish BKT) në Lezhë nuk është rindërtuar. Shtatë familje vijojnë të pa streha pavarësisht se fondet për rindërtimin e objektit kanë thuajse një vit të buxhetuara.
Bashkia e Lezhës miratoi në buxhetin e këtij viti mbi 76 milionë lekë për pallatin. Por, siç pohon ky institucion, procesi i rindërtimit nuk ka nisur sepse nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave që përcakton njësinë zbatuese për projektin. Pa këtë vendim, Bashkia nuk mund të fillojë zbatimin e punimeve.
“Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 133, datë 13.02.2020 ka caktuar vetëm Fondin Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese per procesin e rindertimit në zonë të re për zhvillim, ku në rastin konkret në këtë zonë përfshihet edhe pallati Nr. 71,”- argumenton Bashkia e Lezhës.
Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave konfirmoi për Faktoje se deri më tani nuk ka marrë asnjë vendim për të përcaktuar njësinë zbatuese të pallatit 71. Bashkia Lezhë thekson se është e gatshme të nisë punimet menjëherë sapo të marrë këtë autorizim.
14 tetor, Lezhë
Pesë familje të pallatit vijojnë të marrin bonusin e qirasë, i cili do të vazhdojë deri në përfundimin e objektit.
“Vlera e bonusit të qirasë ndryshon sipas numrit të pjesëtarëve të familjes,”- sqaron Bashkia.
50 familje të pastreha pas tërmetit
Deri tani, në Bashkinë Lezhë janë rindërtuar 5 pallate, ku janë strehuar 180 familje, ndërsa 14 banesa individuale janë rindërtuar nga donatorë dhe 175 banesa individuale janë rindërtuar nga vetë banorët përmes granteve të rindërtimit.
Megjithatë, 50 familje ende nuk janë strehuar përfundimisht dhe vazhdojnë të trajtohen me bonus qiraje.
Bashkia Lezhë thekson se është angazhuar të përfundojë sa më shpejt të gjithë procesin e rindërtimit, duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë përgjegjëse për rindërtimin, megjithëse ende nuk ka një afat të saktë për përmbylljen e punimeve për rastet e mbetura.
14 tetor, Lezhë
Përfundim
Fillimisht, rindërtimi i Pallatit 71 në Lezhë u mor përsipër nga Fondacioni Firdeus, përmes një marrëveshje të nënshkruar me Bashkinë e Lezhës.
Palët nuk gjetën dakordësi, dhe Bashkia thotë se Fondacioni u tërhoq nga financimi pa dhënë arsyet. Pas kësaj, Bashkia miratoi fondet për vitin 2025, por punimet nuk kanë nisur ende, pasi pret vendimin e Këshillit të Ministrave që ta caktojë si njësinë zbatuese për rindërtimin. Ndërkohë, pesë familje vijojnë të marrin bonus qiraje, ndërsa gjashtë vite pas tërmetit, 50 familje në Lezhë ende nuk janë strehuar përfundimisht.
Bazuar në informacionet e mbledhura, premtimin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, për rindërtimin e pallatit 71 në lagjen Besëlidhja, do ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Në një nga daljet e tij të fundit në rrjetet sociale mbi buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri Edi Rama reklamoi rritjen e pagës minimale në 500 euro nga viti 2026 dhe kujtoi edhe një premtim të bërë gjatë fushatës elektorale për bizneset, që preken direkt nga ky vendim.
“Siç e kemi premtuar qeveria do të subvencionojë për një periudhë nëntë mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat”, deklaroi Rama më 5 nëntor.
Në fakt, premtimi fillestar për subvencionimin e bizneseve ishte për një periudhë 18 mujore. Gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Rama u kishte premtuar sipërmarrësve këtë lehtësi për një vit e gjysmë.
“Sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t’u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t’u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh”,premtoi Rama më 29 mars.
Goditje për biznesin
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, paralajmëron rritje të vështirësive për bizneset pas përgjysmimit të periudhës së subvencionit. Ai thekson se periudha 18-mujore ishte e domosdoshme për të amortizuar ndikimin e rritjes së pagës minimale.
“Afati 18 muaj ishte si një amortizator që biznesi të përshtasë kostot e tija dhe çmimet e shitjes me këtë rritje të detyruar. Veçanërisht kjo është shumë e ndjeshme për bizneset prodhuese dhe ato eksportuese,” thotë Zusi.
Sipas tij, përgjysmimi i periudhës e detyron biznesin të përballojë gjithë barrën në kohë më të shkurtër dhe rrit rrezikun për ulje prodhimi dhe presion mbi eksportet.
“Ulja në 9 muaj, shto këtu edhe rënien e pandalshme të euros që e rrit në tërësi koston e pagës së punonjesit duke i shtuar pas 9 muajsh edhe gjithë barrën fiskale që e shoqëron këtë rritje çfarë do prodhojë tjetër veçse rënie të mëtejshme të prodhimit vendas e veçanërisht vazhdimin e trendit rënës të eksporteve të viteve të fundit”, argumenton ai.
Aktualisht të dhënat e Eurostat tregojnë se paga minimale në Shqipëri llogaritet 408 euro (45,540 lekë). Pavarësisht rritjeve graduale të dekadës së fundit, vendi mbetet i fundit në rajon dhe në Evropë, si në vlerë nominale, ashtu edhe në standardin e fuqisë blerëse.
Burimi: Eurostat
Edhe kur merret në konsideratë fuqia blerëse, Shqipëria renditet e fundit në Evropë. Çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa të ardhurat minimale nuk mjaftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës.
Përfundim
Mbështetja për biznesin pas rritjes së pagës minimale pritet të realizohet pjesërisht por jo në përputhje me premtimin fillestar.
Nisur nga këto të dhëna, premtimin e kryeministrit Edi Rama se ‘qeveria do të subvencionojë për një periudhë nëntë mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat’ e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur, pasi fillimisht qeveria u angazhua për një periudhë 18- mujore.
Ishull Shëngjini është një fshat i vogël në Njësinë Administrative Shëngjin, Bashkia Lezhë. Fshati turistik ndodhet vetëm 1.2 km larg qytetit të Lezhës. Një vend i qetë, por që gjatë natës mbetet pothuajse i errët për banorët e tij.
Në prill të vitit 2025, kryebashkiaku Pjerin Ndreu premtoi investime në ndriçimin rural.
“Do të shtrihemi në zona të thella rurale me ndriçim ku Ishull Shëngjini do të jetë ndër pikat kryesore të zbatimit të këtij projekti,” premtoi Ndreu, duke theksuar se projekti është pjesë e financimeve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, disa muaj më vonë, banorët e Ishull Shëngjinit thonë se situata mbetet e vështirë. Gjatë verifikimit që Faktoje bëri më 14 tetor, ata shpjeguan se mungesa e ndriçimit e bën natën të rrezikshme.
“Nata është e rrezikshme sepse kalojnë makinat në rrugë dhe nuk dallohet gjë,” shprehet një banor.
“Shumë keq është situata me ndriçimin,” shton një tjetër.
Vëzhgimi i Faktoje në terren tregoi se vetëm rruga kryesore, që shkon drejt hyrjes së fshatit kishte disa shtylla ndriçimi.
Në të gjitha rrugët e tjera të fshatit, shtyllat ishin por mungonin llambat. Në vend të tyre kishte tela si rrjeta merimangash.
Plani i bashkisë
Në përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Bashkia Lezhë njoftoi se aktualisht nuk ka një projekt konkret për ndriçimin publik në Ishull Shëngjin.
Megjithatë, ajo ka aplikuar dhe fituar projektin ProLIGHTmed, pjesë e Programit Interreg Euro-MED 2021-2027. Ky program, nën prioritetin “Më i Gjelbër MED”, synon të rrisë efikasitetin e energjisë dhe të përmirësojë ndriçimin publik në zonat rurale, duke nxitur hapësira më të gjelbra dhe më të sigurta për jetesën.
Plani i Bashkisë parashikon që gjatë viteve 2025 dhe 2026 të bëhen ndërhyrje në sistemin e ndriçimit në zonat me problematika, me fokus të veçantë në fshatrat rurale. Ishull Shëngjini është një nga pikat kyçe ku pritet të bëhen përmirësime konkrete.
Përfundim
Projekti për ndriçimin publik në Ishull Shëngjin është planifikuar dhe financimi është i siguruar, por deri në realizimin e ndërhyrjeve konkrete, banorët vazhdojnë të jetojnë në një fshat ku nata ende mbetet e errët. Premtimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu për investime në ndriçimin e Ishull Shëngjinit konsiderohet pjesërisht i mbajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Një nga projektet më të mëdha të Bashkisë Fier në vitet e fundit ka qenë rehabilitimi i lumit Gjanica dhe ndërtimi i shëtitores krah tij. Sistemi i lumit është ndarë në tre lote, dhe punimet vijojnë prej disa vitesh.
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2023, kryebashkiaku Armando Subashi i premtoi banorëve vijimin e punimeve për këtë projekt madhor, duke e paraqitur si një nga prioritetet e mandatit të tij. Në fakt, projekti është një investim i qeverisë qendrore.
Vijimi i punimeve për lumit Gjanica u rikthye edhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2025, këtë herë me praninë e kryeministrit Edi Rama. Në një inspektim të kantierit së bashku me drejtuesen e qarkut Fier, Belinda Balluku, drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe kryebashkiakun Subashi, Rama theksoi rëndësinë e projektit.
“Në kantierin e punimeve të lotit 3 të projektit të rigjenerimit dhe mobilimit urban të lumit Gjanica, deri dje një gangrenë mjedisore e mbindotur në tërë gjatësinë e lumit, e burim përmbytjesh në zemër të qytetit, ndërsa sot një nga shëtitoret më të bukura në Shqipëri, e cila e plotëson mozaikun e transformimit urbanistik që vazhdon në Fierin e rilindur,” deklaroi Rama.
Drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli, shtoi se loti i tretë, me gjatësi 5 kilometra, plotëson të gjithë gjatësinë e lumit brenda qytetit dhe punimet për betonimin e shtratit priten të përfundojnë deri në gusht. I gjithë projekti synohet të përfundojë brenda vitit, duke u integruar me dy lotet e tjera të realizuara më parë.
Verifikimi në terren
Në shtator 2025, Faktoje kontaktoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit për të pyetur mbi ecurinë e projektit dhe mori përgjigjen se punimet e fazës 3 të lumit Gjanica pritet të përfundojnë brenda muajit qershor 2026, një afat që përputhet me tabelën e punimeve të vendosur në nisje të segmentit.
Faktoje përshkoi segmentin e lumit nga Sheshi Pavarësia deri te Unaza Nuredin Aliu (1.23 km nga totali 5 km të lotit 3). Aty duket se punimet janë ende në vijim dhe pjesa tjetër e lotit ende nuk ka përfunduar.
Rehabilitimi i lumit Gjanica është një nga ato projekte madhore që zgjat në kohë dhe përdoret në mënyrë të njëpasnjëshme në fushata të ndryshme, vendore apo të përgjithshme, nga politikanët.
Duke marrë parasysh që punimet janë ende në zhvillim dhe përfundimi i projektit pritet pas rreth 8 muajsh, premtimi për vijimin e punimeve të lumit Gjanica kategorizohet si pjesërisht i mbajtur.
Vitin e kaluar, pas një serie zvarritjesh proceduriale, nisi ndërtimi i rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi, një nga premtimet kryesore të kryebashkiakut Benet Beci gjatë fushatës së 2023. Punimet duhet të përfundonin këtë vjeshtë, por verifikimet e Faktoje tregojnë se 40% e tyre mbeten ende të pambyllura.
Esmeralda Topi
Ndërtimi i rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi ishte një ndër premtimet kryesore në programin infrastrukturor elektoral të Benet Becit, teksa kandidonte për drejtimin e Bashkisë Shkodër majin e 2023.
Kontrata për fillimin e punimeve në këtë rrugë, e cila përfshin edhe trajtimin e ujërave të zeza për këto zona, u lidh zyrtarisht më 16 tetor 2024 me vlerë 4.7 milionë euro.
Punimet për rrugën e re nisën nëntorin e vitit të shkuar, pas një sërë zvarritjesh burokratike të verifikuara më herët nga Faktoje. Sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë Alb Star duhet të përfundonin më 2 tetor të këtij viti.
Ecuria e punimeve
Në përgjigje zyrtare për Faktoje mbi ecurinë e projektit, Bashkia e Shkodrës na delegoi pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), që është njësia zbatuese e projektit.
FSHZH njofton se projekti, i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në kuadër të Programit për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës, është aktualisht në fazë zbatimi, me rreth 60% të punimeve të realizuara.
Institucioni pranon se një ndërhyrje e papritur ka shkaktuar tejkalim afatesh:
“Bashkia e Shkodrës, nëpërmjet OSHEE, ka kërkuar vendosjen e infrastrukturës për një linjë nëntokësore për furnizim me energji elektrike, një ndërhyrje që mund të shkaktojë vonesa shtesë”
FSHZH shton se punimet kanë ecur sipas grafikut të përcaktuar, por me disa vonesa kryesisht për shkak të sfidave të terrenit, duke përfshirë zonat urbane dhe turistike, ku mobilizimi i kantierit është i kufizuar.
Ndërsa kryebashkiaku Benet Beci, këtë fillim shtatori e përshkroi kantierin e rrugës Shirokë-Zogaj si një investim strategjik që do të sjellë zhvillim për zonën, duke përmirësuar jo vetëm turizmin, por edhe lidhjen rajonale të Shkodrës, pa përmendur një afat të saktë për përfundimin e punimeve.
Më 12 shtator një ekip i Faktoje pa nga afër ecurinë e punimeve. Makineri të rënda po vijonin punën në segmentin afër kufirit.
Segmenti i bypass-it që kalon në fshatin Zogaj kishte përfunduar hapjen e trasesë, ndërsa po vijonte puna për mbushjen dhe shtresat përfundimtare të rrugës.
Rruga e re nga Shiroka në Zogaj do të zgjerohet mbi atë ekzistuesen. Ajo është 6.5 km e gjatë dhe parashikon korsi biçikletash dhe trotuar për këmbësorët.
Përfundim
Duke u bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimin në terren, premtimi i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për projektin e rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi vlerësohet pjesërisht i mbajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar nëse premtimet e kryebashkiakëve po mbahen apo jo.
“Fillimi i vitit tjetër na gjen në punë për këtë projekt të rëndësishëm për qytetin dhe gjithë rajonin,” kështu u shpreh në rrjete sociale kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, vjeshtën e kaluar.
Bëhet fjalë për një investim prej 10 milionë eurosh të qeverisë qendrore, që përfshin dublimin e Urës së Bahçallëkut dhe zgjerimin e rrugës nga kjo urë deri tek Harku i Bërdicës.
Autoritetet theksojnë se projekti është pjesë e rikonceptimit të plotë të hyrjes së Shkodrës, me synimin për të lehtësuar trafikun në hyrje-daljet e qytetit gjatë sezonit veror dhe për të siguruar lidhje më të shpejtë me Tiranën, Velipojën, Shirokën, Muriqanin dhe Ulqinin.
Në tetor 2024 Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) hapi garën për ndërtimin e urës dhe segmentit rrugor, ndërsa një muaj më vonë procedura u përmbyll, duke i hapur rrugë kontratës së punimeve.
Fitues doli bashkimi i operatorëve ekonomikë: “KUPA” sh.p.k., “AL ASFALT” sh.p.k. dhe “SIRETA 2F” sh.p.k.. Punimet nisën në dhjetor 2024 dhe sipas kontratës parashikohet të përmbyllen në mesin e vitit 2026.
Ecuria e punimeve
Që prej nisjes së tyre, kryebashkiaku Beci ka publikuar herë pas here ecurinë e projektit në rrjetet sociale, përfshirë edhe gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
“Ky investim i shumëpritur për qytetin, ashtu si edhe ndërhyrjet e tjera në infrastrukturë që po realizohen, do t’i japë Shkodrës një akses më të lehtësuar si për banorët, ashtu edhe për vizitorët e shumtë që presim,”shkruante ai në një prej postimeve të tij.
Megjithatë, për detaje më të plota rreth projektit, bashkia na delegoi tek Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ky institucion sqaron se investimi përfshin: ndërtimin e një segmenti rrugor sipas kategorisë D-urbane, që lidh nyjen e qytetit me Tiranën dhe Velipojën, ndërtimin e urës së re të Bahçallëkut mbi lumin Drin, ndërtimin e një nyjeje në nivel për shpërndarjen e trafikut në mënyrë të sigurtë, mbikalime të këmbësorëve nëse gjykohet e nevojshme si dhe ndriçim urban për të rritur sigurinë rrugore.
Sipas ARRSH, aktualisht është realizuar 33% e punimeve, ndërsa afati i përfundimit është qershori 2026.
Më 12 shtator 2025, një ekip i Faktoje udhëtoi drejt Shkodrës për të parë nga afër ecurinë e projektit. Vërejtjet në terren treguan se puna po vijon në tre segmente paralelisht, ndërsa kishte nisur edhe ndërtimi i urës së re mbi lumin Drin.
Deri më tani janë përfunduar 4 nga 5 pilotat e planifikuara, të futura në thellësi 34 metra në shtratin e Drinit, ndërsa rruga nga Harku i Bërdicës parashikohet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.
Përfundim
Nisur nga verifikimi në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimi i kryebashkiakut Benet Beci për investimin 10 milionë euro nga Harku i Bërdicës deri tek Ura e Bahçallëkut, deri më tani mbetet pjesërisht i mbajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar mbajtjen ose jo të premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.
Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore në maj të vitit 2023, Benet Beci kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, spikati për fushatën e tij teknike, duke i paraqitur elektoratit program të detajuar për qytetin veriperëndimor.
Pjesë e këtij programi, ishte dhe ndërtimi i muzeut të lundrimit në hyrje të qytetit, bashkë me disa projekte të tjera të grupuara si ‘Poli i hyrjes së qytetit’.
Pas një vit e gjysmë në krye të drejtimit të Shkodrës, kryebashkiaku Beci lajmëroi nisjen e punimeve për muzeun e lundrimit në hyrje të qytetit.
“Edhe një lajm tjetër i mirë: merr rrugën e tij tashmë ndërtimi i Muzeut të Lundrimit në hyrje të Shkodrës”,pohonte Beci nëntorin e kaluar.
Projekti me vlerë 2,4 milionë euro është financim i Bashkimit Evropian përmes Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Përmes këtij investimi, bashkia e Shkodrës synon t’i japë hov turizmit kulturor.
“Puna po vijon me ritme të shpejta për t’i dhënë qytetit një hapësirë unike kushtuar trashëgimisë dhe historisë së tij, e lidhur ngushtë me lundrimin në liqen dhe lumenjtë që e rrethojnë”,shkruante Beci në maj të këtij viti.
Ecuria e punimeve
Përmes një kërkese për informacion, Faktoje pyeti Bashkinë e Shkodrës mbi ecurinë e punimeve në “Muzeun e Lundrimit”. Bashkia na delegoi tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si njësi zbatuese e këtij projekti.
Sipas FSHZH-së, projekti për rikualifikimin e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, pritet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.
“Pas përfundimit të punimeve, Bashkia Shkodër do të marrë në dorëzim objektin e ri dhe do të ndjekë funksionalitetin dhe mirëmbajtjen e tij”, pohon Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Më 12 shtator, një ekip i Faktoje udhëtoi drejt qytetit veriperëndimor për të parë nga afër ecurinë e punimeve.
Atë të premte, në kantierin pranë Urës së Bunës punohej me mjete të tonazhit të rëndë. Dhjetëra punonjës po i jepnin formën e parë ‘Muzeut të Lundrimit’.
Çfarë parashikon projekti?
Muzeu i lundrimit në Shkodër, sipas pamjeve 3D të publikuara nga kryebashkiaku Beci, formohet nga dy pjesë të vendosura njëra mbi tjetrën; një formë kodre në pjesën e poshtme dhe “varka pluskuese” në pjesën e sipërme.
Identiteti pamor i muzeut bazohet në siluetën e ndërtesës që në të njëjtën kohë mund të interpretohet si një varkë tradicionale që po lundron në ujërat rreth Shkodrës.
Muzeu do të ketë një ekspozitë të përhershme, një kënd për fëmijë, një laborator për rikrijimin e varkave dhe një dhomë edukative.
Ekspozitat bazohen në paraqitjen e artifakteve, fotografive, modeleve, replikave dhe dokumenteve që mund të komunikojnë me vizitorin pa pasur nevojë për shumë shpjegime.
Mënyra klasike e komunikimit plotësohet me teknologjinë moderne për të krijuar një lidhje me sistemet e komunikimit të shek. XXI si interneti, mediat sociale dhe realiteti virtual.
Përfundim
Nisur nga verifikimi në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimi i kryebashkiakut Benet Beci për ndërtimin e një muzeu lundrues në Shkodër, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, mbetet pjesërisht i mbajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Më 7 mars të vitit të kaluar, në ditën e mësuesve, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, premtoi rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda”.
“Shkolla 9-vjeçare ‘Ndre Mjeda’ do të rikonstruktohet tërësisht. Ajo është përzgjedhur si një nga projektet fituese të dorëzuara nga Bashkia Shkodër në Ministrinë e Arsimit. Puna do të nisë shumë shpejt”,premtoi Beci në atë kohë.
Premtimi mori formë konkrete në fillim të këtij viti, kur nisi puna për rikonstruksionin e shkollës. Sipas njoftimit të Bashkisë Shkodër, ky ishte një investim i përfituar nga aplikimet e saj pranë Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë Shqiptare. Fondi i vënë në dispozicion ishte mbi 129 milionë lekë me TVSH, ndërsa afati i përfundimit të punimeve, sipas tabelës, parashikohej 12 muaj.
Inspektim në fushatë
Projekti për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda” nuk i shpëtoi përdorimit elektoral. Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kantieri i punimeve u shfrytëzua si skenë politike. Në prani të kryeministrit Edi Rama, kryebashkiaku Benet Beci deklaroi: “Këtu, zoti kryeministër, kanë qenë 800 nxënës me dy turne, pa palestër, pa ngrohje, shkolla ka qenë e amortizuar. Ndërhyrja këtu është pothuajse e bërë nga e para”
Në muajt pasues, kryebashkiaku përsëriti disa herë në rrjetet sociale se rikonstruksioni i shkollës do të përfundonte përpara nisjes së vitit të ri shkollor. Në maj, korrik dhe gusht, ai premtoi se shtatori do t’i gjente nxënësit e “Ndre Mjedës” në ambiente të reja.
“Firma kontraktuese po punon me kapacitet të plotë, me synimin që në shtator nxënësit ta nisin vitin e ri shkollor në një mjedis tërësisht të rikonstruktuar”,premtoi Beci pak javë para nisjes së vitit të ri shkollor.
Edhe në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Bashkia e Shkodrës bënte të ditur se projekti nuk kishte hasur vonesa dhe kishte mbetur vetëm 5% e punimeve për tu mbyllur.
“Deri në këtë fazë punimet janë të përfunduara në nivelin 95%. Ju njoftojmë se nuk ka vonesa”, njoftonte Bashkia më 25 gusht.
Verifikim
Në javën e nisjes së vitit shkollor, Faktoje udhëtoi në Shkodër për të verifikuar premtimin e kryebashkiakut. Vëzhgimi në terren tregoi se nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda” e nisën vitin shkollor në një godinë të rikonstruktuar tërësisht.
Shkolla 9 vjeçare “Ndre Mjeda”, Shkodër
Sipas Bashkisë së Shkodrës, ky institucion arsimor tashmë ofron klasa moderne, laboratorë smart dhe të shkencave, bibliotekë, terrene sportive, palestër dhe hapësira rekreative për rreth 800 nxënës dhe mësues.
Shkolla 9 vjeçare “Ndre Mjeda”, Shkodër
Përfundim
Nga verfikimet e kryera në terren si dhe informacionet e marra në rrugë zyrtare, premtimin e kryebashkiakut Benet Beci se shkolla “Ndre Mjeda” do të ishte gati për nisjen e vitit të ri shkollor e kategorizojmë të mbajtur.
Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.