Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Medalje Ari për 190 nxënës ekselentë

23 December 2025 at 14:26

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e nderimit me Medalje Ari të 190 nxënësve të shkollave të të gjithë vendit, që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera ciklin e arsimit të mesëm të lartë.

Në ceremoninë e organizuar në Kryeministri, gjatë së cilës u dhanë medaljet nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Në fjalën e saj ministrja Kumbaro tha se “jeni 190 nxënës ekselentë nga i gjithë vendi, që keni shkëlqyer me rezultatet tuaja të gjimnazit e të Maturës Shtetërore. Jeni këtu sepse nuk jeni dorëzuar! Dhe për këtë arsye, sot nuk kam ndërmend t’ju mësoj asgjë. As nuk do të guxoja, sepse më të mirëve nuk mund t’u japim leksione, por vetëm besim”.

“Medalja e Artë që merrni sot është një simbol i karakterit, sepse është dëshmia më e mirë dhe prova e qartë se suksesi nuk të vjen nga rastësia, por nga zgjedhjet e përditshme dhe ju më mirë se kushdo e dini, por nëse ma lejoni, unë do t’ju kërkoja që këtë t’ua tregonit sa më shumë prej bashkëmoshatarëve tuaj apo vëllezërve e motrave më të vegjël”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se “suksesi juaj i vërtetë do të matet me ndikimin që do të keni tek të tjerët, se si do ta përdorni gjeniun brenda jush për të ndërtuar, për të përmirësuar jetën e të tjerëve, për t’i bërë gjërat edhe më mirë. Kjo medalje që ju do të merrni sot është një kujtesë e fortë se sukseset nuk kanë ardhur tek ju, por keni shkuar ju pas çdo suksesi të arritur deri më sot”.

Kumbaro ndau gjithashtu me nxënësit një lexim nga autorja Maya Angelou.

“Je shumatorja e gjithçkaje që ke parë, dëgjuar, ngrënë, nuhatur, të është thënë apo ke harruar – të gjitha janë aty. Çdo gjë ndikon te secili prej nesh, dhe për këtë arsye përpiqem të sigurohem që përvojat e mia të jenë sa më të mira”, citoi Kumbaro autoren Maya Angelou.

/k.s/a.f/

 

The post Medalje Ari për 190 nxënës ekselentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 1.2 milionë persona erdhën në Shqipëri gjatë nëntorit

23 December 2025 at 14:16

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Shqipëria edhe gjatë muajit nëntor ka tërhequr vizitorët e huaj, duke konfirmuar pozicionin e saj si një nga destinacionet më të preferuara turistike në rajonin e Ballkanit edhe gjatë stinës së dimrit.

Gjatë muajit nëntor të këtij viti në territorin e Shqipërisë kanë hyrë 1.282.118 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje me 1,4 %, krahasuar me nëntorin e një viti më parë.

Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT 1.322.499 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 3,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në nëntor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 652.150, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me Nëntor 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 629.968. Ky numër është rritur me 4,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e INSTAT.

INSTAT bën të ditur se “në nëntor 2025, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 86 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5 %, Evropa Qendrore/ Lindore dhe Evropa Veriore secili me 4 %”.

Sipas INSTAT, qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97 % të rasteve është për qëllime personale.

“Në nëntor 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 4,5 % krahasuar me Nëntor 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 3,6 %”, theksohet në njoftimin e INSTAT.

Ndërkohë sa i takon daljeve në muajin nëntor 2025, 677.065 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 7,5%, krahasuar me Nëntor 2024.

“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Nëntor 2025 janë 645.434. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues paraqitet pothuajse i pandryshuar, me një rënie shumë të lehtë prej 0,01%”, vlerëson INSTAT.

/k.s/a.f/

 

 

 

The post Mbi 1.2 milionë persona erdhën në Shqipëri gjatë nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Norma 5% e rivlerësimit vetëm për banesat e ndërtuara rishtazi

23 December 2025 at 12:33

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj tha sot se “norma 5% që u përcaktua në ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme mban pikërisht parasysh faktin dhe të armotizimit të banesave”.

Duke iu përgjigjur interesit të biznesit për këtë ligj në takimin me komunitetin e biznesit mbi Paketën Fiskale dhe politikën e Paqes Fiskale, Malaj tha se “në një përllogaritje që ka bërë Ministria e Financave norma efektive e rivlerësimit që të gjithë individët do të paguajnë për pasuritë e tyre, po marr një banesë 10 vjeçare, norma e rivlerësimit do të jetë tek 2.4%. Nëse do të marrim një banesë, e cila është 5 vjeçare norma reale e rivlerësimit do të jetë diku tek 3.2%”.

“Norma 5% e rivlerësimit të banesave është vetëm për banesa që janë ndërtuar tashmë rishtazi, që nuk ka kuptim të bëhet rivlerësimi sepse presupozohet që objekti ka vlerën reale të tregut”, tha Malaj.

Sa i përket pyetjes nëse mund të konsiderojmë një ulje të normave tatimore sa i përket fitimit që rezulton nga transaksionet me pasuritë e paluajtshme, Malaj tha se “aktualisht MF nuk është duke vlerësuar një gjë të tillë për vetë faktin se ne jemi duke bërë një vlerësim të të gjithë kuadrit tonë fiskal në përputhje me kërkesat dhe direktivat e BE-së”.

Malaj informoi se “jemi duke punuar që i gjithë kuadri jonë fiskal të njesohet dhe të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së”.

“Nëse ky kuadër fiskal i BE-së parashikon që norma tatimore për transaksionet nga pasuritë e paluajtshme duhet të jetë më i ulët patjetër që dhe ne do të shkojmë drejt këtyre normave”, tha Malaj.

/k.s/a.f/

The post Malaj: Norma 5% e rivlerësimit vetëm për banesat e ndërtuara rishtazi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Paqja fiskale mundëson norma tatimore më të favorshme për biznesin

23 December 2025 at 12:14

TIRANË, 23 dhjetor/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në takimin e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj, me komunitetin e biznesit, mbi Paketën Fiskale dhe politikën e Paqes Fiskale.

Ministrja Ibrahimaj sqaroi se Paqja Fiskale mbështetet në dy shtylla kryesore: kontratën fiskale me biznesin, e cila synon planifikim më të mirë të detyrimeve tatimore, nxitje të deklarimit dhe rritje të sigurisë juridike; si dhe mundësinë e rishikimit të bilanceve të së kaluarës, me norma tatimore më të favorshme, për të mbyllur paqartësitë e së shkuarës dhe për të hyrë në vitet e ardhshme me stabilitet dhe besim të ndërsjellë.

“Synimi ynë është të hyjmë në vitin 2026 me biznese të formalizuara, konkurruese dhe me marrëdhënie të besueshme me administratën tatimore e doganore. Vetëm kështu mund të kalojmë nga një ekonomi e mbështetur te konsumi në një ekonomi të mbështetur te prodhimi dhe eksportet”, theksoi ministrja.

Ministrja Ibrahimaj rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për politika fiskale të qëndrueshme dhe afatgjata, pa rritje taksash, që nxisin investimet, formalizimin dhe konkurrencën e ndershme, duke e konsideruar Paqen Fiskale si një instrument kyç për forcimin e ekonomisë dhe për afrimin e saj me standardet europiane.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se duke iu referuar të dhënave ekonomike të viteve të fundit, ministrja nënvizoi se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësime të qëndrueshme falë politikave të ndërmarra dhe bashkëpunimit me sektorin privat.

Ministrja nënvizoi se, numri i bizneseve është rritur me më shumë se 25% në 10-vjeçarin e fundit, ndërsa numri i të punësuarve është rritur me mbi 300 mijë persona. Po ashtu, theksoi ajo, janë shënuar rritje të ndjeshme të eksporteve, ulje të papunësisë, si dhe dyfishim të të ardhurave dhe fitimeve të bizneseve.

“Këto nuk janë shifra për narrativë politike, por tregues konkretë se klima ekonomike është përmirësuar vit pas viti. Qëllimi ynë është që ky trend pozitiv të vijojë përmes një mjedisi ekonomik stabël, të parashikueshëm dhe me rregulla të qarta për biznesin”, u shpreh Ibrahimaj.

/k.s/a.f/

The post Ibrahimaj: Paqja fiskale mundëson norma tatimore më të favorshme për biznesin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 December 2025Main stream

Bergner uron Brahon: SPAK ka forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë

22 December 2025 at 15:56

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner mori pjesë sot në ceremoninë e marrjes së detyrës të Klodian Brahos, si drejtues i ri i SPAK-ut.

Bergner përgëzoi Brahon për marrjen e detyrës si drejtues i SPAK.

Ambasadori gjerman falënderoi ish-kreun e SPAK, Altin Dumani për kontributin e tij në forcimin e qëndrueshmërisë së SPAK kundrejt presionit politik si dhe për vendosmërinë dhe integritetin e tij.

Në një reagim për mediet, Bergner theksoi se “nën drejtimin e Dumanit, SPAK ka bërë përparime në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe ka forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Kjo është vlerësuar edhe në raportet e progresit të BE-së”.

Bergner u shpreh se “lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe garantimi i sundimit të ligjit janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve qendrore dhe një element thelbësor në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, një proces që mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë”.

Ambasadori gjerman kërkoi nga të gjitha institucionet që të përmbushin detyrat e tyre, të ushtrojnë përgjegjësinë dhe të bashkëpunojnë plotësisht për të garantuar llogaridhënien në dobi të çdo qytetari.

“Jemi të lumtur për vijimin e bashkëpunimit me SPAK dhe mbështetjen e Shqipërinë në çdo hap të saj në rrugën drejt BE-së”, tha Bergner.

/k.s/a.f/

The post Bergner uron Brahon: SPAK ka forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE uron Brahon: Lufta ndaj korrupsionit, element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt BE

22 December 2025 at 16:39

TIRANË, 22 dhjetor/ Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri uroi Klodian Brahon për marrjen sot të detyrës si kreu i SPAK.

Në një njoftim për shtyp, BE vlerëson SPAK-un për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike, si edhe për vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori i mëparshëm, Altin Dumani.

“Nën drejtimin e tij, SPAK shënoi hapa përpara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kontribuoi në forcimin e besimit të publikut te drejtësia”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Delegacioni i BE-së u shpreh se “lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si edhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kyçe dhe një element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE—rrugë e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë”.

Ky delegacion i bën thirrje të gjitha institucioneve që të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të bashkëpunojnë pa rezervë për të garantuar llogaridhënie, në dobi të të gjithë qytetarëve.

“Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

1 nga 2

/k.s/a.f/

The post BE uron Brahon: Lufta ndaj korrupsionit, element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit për festat e fundvitit

22 December 2025 at 12:03

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Porti i Durrës gjatë fundjavës që lamë pas shënoi një fluks të lartë udhëtarësh me rastin e festive të fundvitit, ku prej 18 dhjetorit kanë nisur edhe lundrimet e dyfishta të trageteve në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur për ATSH-në se “gjatë periudhës 18–22 dhjetor, nëpërmjet Portit të Durrësit kanë hyrë në vendin tonë 17,380 udhëtarë dhe 4,352 automjete”.

Autoriteti Portual Durrës në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në këtë pikë kufitare është në gatishmëri të plotë për përpunimin e udhëtarëve dhe turistëve.

“Aktualisht po funksionojmë me 24 sportele duke garantuar siguri, lehtësi procedurash dhe shërbim të pandërprerë për qytetarët që kanë zgjedhur të kthehen në vendin tonë gjatë kësaj periudhe”, theksoi APD.

Sipas APD-së edhe gjatë fundjavës që vjen pritet të mbërrijnë afërsisht 20 mijë udhëtarë.

Lundrimet e dyfishta do të kryhen deri në fund të vitit nga e enjtja deri të dielën, ndërkohë strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve.

/k.s/a.f/

 

 

The post Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit për festat e fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Ripërdorimi kreativ i materialeve, mundësi për krijimin e brandit

22 December 2025 at 12:01

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Tirana’s Glass Hub po sfidon konceptet e zakonshme mbi artizanatin dhe po krijon një hapësirë ku ndërthuren arti, inovacioni dhe qëndrueshmëria.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj vizitoi nga afër këtë qendër inovacioni, ku riciklimi takon artin dhe inovacionin.

“Me filozofinë Zero Waste (zero mbeturina), shishet dhe kavanozët e vjetër kthehen në krijime artizanale me jetë të re. Nën drejtimin e artistes Joana Dhiamandi, qelqi i ricikluar shndërrohet me dorë në bizhuteri, objekte dekorative dhe produkte funksionale që promovojnë ekonominë qarkulluese dhe kujdesin për mjedisin”, tha Jaupaj.

Ministri Jaupaj vlerësoi si mbresëlënës koleksionin e frymëzuar nga Vjosa, që sipas tij “është një xhevahir i vërtetë që tregon se mbrojtja e natyrës frymëzon edhe industrinë”.

“Tirana’s Glass Hub është një model i ekonomisë qarkulluese që materialet e qelqit nuk përfundojnë në landfill apo në pikat  grumbullimit të mbetjeve dhe riciklohen nëpërmjet këtyre produkteve”, nënvizoi Jaupaj.

Ministri Jaupaj u shpreh se “e ardhmja është e gjitha tek riciklimi dhe ripërdorimi i materialeve. Ripërdorimi në mënyrë kaq kreative jam i bindur që biznesi ka për tu rritur dhe do të bëhet edhe një brand”.

Çdo produkt që prodhohet nga Tirana’s Glass Hub nuk ka asnjë mbetje, asnjë thërrime nuk ikën dëm si pasojë e teknikës që përdoret për prodhimin e tyre.

Koleksionet vijnë nga natyra shqiptare si Alta Blu që ka elementin e ujit të detit Jon, koleksioni Vjosa ka lumin Vjosa, dhe koleksionet e tjera kanë disa forma të cilat mund të jenë më universale. Alta Blu, Vjosa dhe Karamele Zana, që sipas Dhimandit janë më të preferuarat dhe më të kërkuarat.

Përveç krijimit të produkteve të bukura, Tirana Glass Hub promovon ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

/k.s/

The post Jaupaj: Ripërdorimi kreativ i materialeve, mundësi për krijimin e brandit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Spektakël dritash mbi lagjen “Mangalem” në Berat

20 December 2025 at 13:35

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Në qytetin e një mbi një dritareve më 24 dhe 25 dhjetor do të rikthehet “Hijet e Mangalemit” (Mangalem’s Shades), këtë herë nën titullin “Lightwaves” (Dallga e dritave).

Drejtori i Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Marius Çepele tha sot për ATSH-në se “spektakli i dritave dhe muzikës në Berat
është një event vizual dhe muzikor drejt lagjes historike Mangalem në Berat, ku pjesa karakteristike e shtëpive me një mbi një dritare transformohet në një mozaik artistik mbushur me projeksione drite, ngjyra, muzikë dhe atmosferë festive”.

“Më 24 dhjetor, mbrëmjen e Krishtlindjes dhe më 25 do të ketë muzikë dhe performanca të dritave mbi lagjen historike duke krijuar një atmosferë magjike festive për banorët dhe vizitorët që kanë zgjedhur të kalojën festën në qytetin e Beratit, tha Çepele.

Sipas tij, projeksioni mund të shihet nga çdo kënd dhe nga çdo anë ku mund të shihet lagjja historike e Mangalemit.

Berati tashmë është në sezonin festiv të fundvitit me dekorime, drita dhe aktivitete  speciale. Dritat festive dhe dekoret kanë krijuar një atmosferë magjike për vizitorët dhe banorët në qendra dhe sheshe publike.

Qyteti i Beratit ruan thesare të shumta me rëndësi historike dhe kulturore. Me arkitekturën unike të vendit, tolerancën fetare dhe ndërtesat e epokës otomane, ky qytet tërheq mijëra vizitorë në çdo stinë të vitit.

1 nga 4

/k.s/a.f/

The post Spektakël dritash mbi lagjen “Mangalem” në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Universitetet t’i përgjigjen tregut dhe të hapen drejt Europës

20 December 2025 at 11:04

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kumbaro, vuri theksin te roli i universiteteve si motorë zhvillimi dhe domosdoshmëria e profilizimit dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë shqiptar.

“Universitetet nuk janë ishuj. Ato marrin identitet nga territori dhe i japin territorit vizion. Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ është shembull i një rritjeje të përbashkët me qytetin e Durrësit dhe me ekonominë e tij”, u shpreh ministrja.

Kumbaro theksoi se viti 2026 do të jetë viti me buxhetin më të lartë historik për arsimin, ndërsa për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor janë parashikuar 185 milionë euro, duke përfshirë edhe të ardhurat e vetë universiteteve publike.

“UAMD hyn në një fazë të re zhvillimi me buxhetin më të lartë historik për arsimin në 2026, me investime konkrete në Fakultetin e Studimeve Profesionale, me projektimin e kampusit të ri universitar përmes një konkursi ndërkombëtar dhe me një strategji të qartë profilizimi përmes ndërkombëtarizimit 2025–2030”, tha Kumbaro.

Rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, u ndal te rrugëtimi 20-vjeçar i universitetit, zgjerimi i programeve të studimit dhe projektet strategjike në proces, duke theksuar vizionin për një universitet modern, të hapur dhe konkurrues në hapësirën europiane të arsimit të lartë.

Ceremonia shërbeu si moment reflektimi për arritjet, por edhe si pikënisje për fazën e re të zhvillimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në shërbim të studentëve, qytetit të Durrësit dhe vendit.

/k.s/a.f/

The post Kumbaro: Universitetet t’i përgjigjen tregut dhe të hapen drejt Europës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit, rreth 13 mijë priten deri të dielën

20 December 2025 at 10:54

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Në Portin e Durrësit kjo fundjavë ka shënuar nisjen e fluksit të hyrje-daljeve të udhëtarëve me rastin e festave të fundvitit.

Për përballimin e këtij fluksi prej 18 dhjetorit kanë nisur edhe lundrimet e dyfishta të trageteve (vajtje–ardhje brenda ditës) në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.

Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur sot për ATSH-në se “gjatë dy ditëve të fundit, 18 dhe 19 dhjetor në port kanë mbërritur rreth 5600 udhëtarë. Fluksi më i lartë i udhëtarëve pritet të jetë të dielën”.

Sipas APD-së, në këto katër ditë pritet që të mbërrijnë 13 mijë udhëtarë dhe rreth 5 mijë mjete.

“Lundrimet e dyfishta do të kryhen deri në fund të vitit nga e enjtja deri të dielën, ndërkohë strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve”, tha APD duke shtuar se në port po kryhet në kohë dhe pa vonesa përpunimi i pasagjerëve dhe mjeteve.

Si çdo fundviti edhe në ndërrimin e viteve 2025-2026 parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të bashkatdhetarëve që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre.

/k.s/a.f/

 

The post Fluks udhëtarësh në Portin e Durrësit, rreth 13 mijë priten deri të dielën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rreth 1,5 milionë vizitorë në sitet kulturore deri në nëntor

20 December 2025 at 09:00

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e vendit tonë kanë shënuar një rritje prej 53% në janar-nëntor të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se “1,492,656 vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë sitet tona kulturore gjatë periudhës janar–Nëntor 2025”.

“Nga muzetë kombëtarë, që kanë mirëpritur 455,872 vizitorë, te Parqet Arkeologjike me 615,047 vizitorë, e deri te Kalatë dhe Monumentet e Kulturës me 421,737 vizitorë, ky vit ka dëshmuar rritje dhe interes të shtuar për trashëgiminë kulturore të vendit”, theksoi Gonxhja.

Rritja e numrit të vizitorëve në këto site kulturore ka ardhur edhe si pasojë e vizitave falas në fundjavën e fundit të çdo muaji.

“E diela e fundit e çdo muaji mbetet ditë me hyrje falas për vizitorët vendas, një ftesë për t’u rikthyer, për të zbuluar më shumë dhe për t’u frymëzuar nga thesaret që na bashkojnë dhe na përfaqësojnë”, tha Gonxhja.

Vizitorët dhe turistët e huaj kanë vizituar plot monumente kulture dhe site, si atraksione turistike dhe historike që nga parqet arkeologjike të Amantias, Orikut, Finiqit, Apolonisë, parkun arkeologjik të Bylisit, Antigonenë, si dhe Butrintin.

Gjithashtu turistët kanë vizituar edhe disa kala si në Shkodër, Berat, Lezhë, Krujë, kalanë e Kaninës, të Himarës, Porto Palermos etj.

/k.s/a.f/

The post Rreth 1,5 milionë vizitorë në sitet kulturore deri në nëntor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kepi i Rodonit pastrohet nga mbetjet

19 December 2025 at 14:45

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Kepi i Rodonit, i ndodhur përgjatë bregdetit të Adriatikut, ishte ditët e fundit në fokus të një aksioni pastrimi.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Durrës së bashku me vullnetarët, organizatat, studentët, bizneset dhe institucionet vendore, u bashkuan në një aksion masiv pastrimi dhe ndërgjegjësimi në Kepin e Rodonit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga aksioni duke vënë në dukje se ky aksion është mesazh kuptimplotë se kujdesi për zonat e mbrojtura është një mision i përbashkët për të mbrojtur natyrën, biodiversitetin dhe bukuritë e peizazhit.

Stafet e administratave të zonave të mbrojtura po zhvillojnë aksione pastrimi në të gjithë territorin.

Ky aksion ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për ruajtjen e ambientit, të përmirësojë gjendjen e ekosistemeve dhe të nxisë një kulturë të qëndrueshme mjedisore në nivel lokal dhe kombëtar.

Kepi i Rodonit vizitohet çdo vit nga turistë vendas e të huaj. Aty ndodhet Kalaja e Skënderbeut, si dhe rrënojat e kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët.

/k.s/j.p/

The post Kepi i Rodonit pastrohet nga mbetjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Ndërthurja e turizmit, sportit dhe aktiviteteve, faktor kyç për promovimin ndërkombëtar

19 December 2025 at 11:13

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Investimet strategjike në sektorin e mikpritjes, zhvillimi i destinacioneve turistike dhe projektet me karakter unik në Shqipëri ishin në qendër të takimit mes ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Ali Al Gebely, themelues dhe kryetar i ONE Development, si dhe drejtor ekzekutiv i EHC Investment (pjesë e IHC).

Gjatë takimit një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe ndërthurjes së turizmit, sportit dhe aktiviteteve si faktorë kyç për promovimin ndërkombëtar të vendit.

Gonxhja dhe Gebely diskutuan edhe për rritjen e flukseve turistike dhe krijimin e ndikimit ekonomik në nivel lokal, si dhe zhvillimit të infrastrukturës sportive dhe organizimit të aktiviteteve sportive ndërkombëtare.

“Ky takim riafirmoi angazhimin për vijimin e dialogut dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike afatgjata, të bazuara në cilësi, qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomik, me synimin për ta pozicionuar Shqipërinë si një destinacion rajonal referencë për turizmin sportiv dhe investime me vlerë të shtuar”, tha Gonxhja.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Ndërthurja e turizmit, sportit dhe aktiviteteve, faktor kyç për promovimin ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, transformim në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime

19 December 2025 at 10:50

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Nënat dhe bebet e porsalindura së shpejti do të marrin shërbime më të mira në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.

Ky maternitet po transformohet rishtazi në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime, ku rreth  20 mijë paciente në vit do të kenë një maternitet të standardeve europiane, me kushte dhe teknologji të fjalës së fundit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala vizitoi nga afër ambientet e spitalit, si dhe u takua me mjekët që shërbejnë në këtë institucion.

Sala tha se ambientet e reja janë të mrekullueshme, teksa i përgëzoi mjekët që kanë punuar deri tani në një të tretën e hapësirave.

“Të funksionosh me një të tretën e hapësirave, të japësh të njëjtën cilësi dhe volum pune nuk është kollaj”, tha Sala.

Ministrja Sala vuri në dukje se “protokollet dhe procedurat standarde të operimit janë të nevojshme aq më kollaj behet edhe kontrolli edhe ka praktika më të mira. Nuk ecet përpara nëse nuk ka një digjitalizim të plotë të sistemit”.

Projekti për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” përfshiu tre plane: ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; rikonstruksioni i plotë i godinës historike, që ka ruajtur detajet e arkitekturës unike në fasadën e saj, por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine, si dhe zgjerimi i objektit ekzistues të Obstetrikës.

Në këtë spital obstetrik pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

/k.s/j.p/

 

The post Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, transformim në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krasniqi vlerëson figurat e shquara të radios dhe ekranit: Keni qenë shkollë për brezat

18 December 2025 at 15:37

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Në prag të festave të fundvitit, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka përcjellë një urim të veçantë për profesionistët veteranë të medias shqiptare, duke organizuar një pritje në nder të figurave që kanë lënë gjurmë ndër vite në radio dhe ekran.

Takimi mblodhi regjisorë, gazetarë, folës, operatorë, teknikë dhe profesionistë të tjerë, pionierë të Radio-Televizionit Shqiptar, të cilët me përkushtimin dhe përvojën e tyre kanë ndërtuar themelet e medias publike.

Atmosfera u shoqërua me emocione, kujtime dhe nostalgji për vitet e punës së përbashkët.

Duke u drejtuar të pranishmëve, Krasniqi theksoi se ky ishte një privilegj personal dhe profesional.

“Ju keni qenë shkollë për ne. Jam rritur me shembullin tuaj dhe e kam nisur karrierën time në RTSH, ndaj sot, përveç mirënjohjes, ndjej edhe shumë nostalgji”, u shpreh ajo, duke i uruar veteranët për shëndet dhe festa të gëzuara.

Në këtë pritje ishin të pranishëm edhe emra të njohur të pionierëve të RTSH-së, si Kozeta Mamaqi, Bashkim Zeneli, Pali Kuke, Dhimitër Gjoka, dhe shumë të tjerë, të cilët i kanë kushtuar jetën e tyre medias publike shqiptare.

/k.s/j.p/

The post Krasniqi vlerëson figurat e shquara të radios dhe ekranit: Keni qenë shkollë për brezat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka pret në takim CEO-n e kompanisë Macron, Gianluca Pavanello

18 December 2025 at 11:28

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti në një takim CEO-n e kompanisë Macron, Gianluca Pavanello, sponsor teknik i Kombëtares shqiptare.

Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin mes FSHF-së dhe Macron, si edhe mbi historikun e marrëdhënieve shumë të mira ndër vite mes dy palëve.

Presidenti Duka vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Macron për Kombëtaren shqiptare dhe rolin e rëndësishëm që ky partneritet ka pasur në forcimin e identitetit dhe imazhit të skuadrave tona kombëtare.

Nga ana e tij, Gianluca Pavanello shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me FSHF-në, duke nënvizuar rritjen e vazhdueshme të futbollit shqiptar dhe sukseset e arritura në vitet e fundit, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare.

Pas takimit zyrtar, CEO i Macron zhvilloi edhe një vizitë në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u njoh nga afër me një nga investimet më të mëdha të futbollit shqiptar dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit si edhe vizitoi ambientet e FSHF TV.

Gjatë vizitës, ai u informua mbi funksionimin e këtij kompleksi modern, që shërben si zemra administrative dhe organizative e futbollit shqiptar, si edhe mbi rolin e saj në zhvillimin e projekteve strategjike të FSHF-së.

1 nga 5

/k.s/j.p/

The post Duka pret në takim CEO-n e kompanisë Macron, Gianluca Pavanello appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit, dhurata për 138 fëmijë pa kujdes prindëror

18 December 2025 at 09:33

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ “Një dëshirë, një arsye për të buzëqeshur” është nisma e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për festat e fundvitit për fëmijët pa kujdes prindëror.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se nisma përfshin 138 fëmijë pa kujdes prindëror, që janë të akomoduar në 6 shtëpitë e foshnjës dhe fëmijës në të gjithë Shqipërinë.

Fëmijët kanë shprehur dëshirat e tyre në letra drejtuar Babagjyshit, dhe dhuratat për ta nuk kanë munguar. Çdo kuti me emrin e një prej fëmijëve mban brenda një dëshirë, një përqafim simbolik dhe një arsye më shumë për të buzëqeshur.

Kjo nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u mbështet nga deputetët e Partisë Socialiste në Kuvend për përmbushjen e dëshirës së çdo fëmije.

“Sepse kur bashkohemi, mund të bëjmë ndryshimin – një fëmijë, një dëshirë, një buzëqeshje në një kohë”, vuri në dukje MSHMS.

/k.s/j.p/

The post Festat e fundvitit, dhurata për 138 fëmijë pa kujdes prindëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH

17 December 2025 at 22:48

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH nisi mbrëmjen e sotme në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku gjatë katër netëve interpretojnë 28 artistë.

I cilësuar si festa më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare ky festival prezantohet nga aktori Salsano Rrapi dhe këngëtarja Arilena Ara.

Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani çeli natën e parë duke interpretuar këngën “Pyes lotin” të Elsa Liles, fituese e Festivalit të 35-të të Këngës në RTSH, duke risjellë emocione të forta dhe kujtime të paharrueshme për publikun.

Në skenë performoi edhe Kroni Pula, e cila interpretoi këngën “Fruta Perime”, me të cilën përfaqësoi Shqipërinë në Junior Eurovision.

Në natën e parë të festivalit performuan 14 artistë, që prezantuan krijimet e tyre, duke shfaqur një ndërthurje të larmishme zhanresh nga baladat deri te rrymat më bashkëkohore.

Artistët që u ngjitën në skenë natën e sotme janë: Rigersa Loka me këngën “Albanian Heart”, Lorenc Hasrama – “Lamtumirë”, Sara Kapo – “Të dua shumë”, Sheila – “Zemra e tokës”, Kleansa Susa – “Hije”, Gresa Gjoçera & Bledi Kaso – “Busulla e zemrës”, Rezarta Smaja – “Balukeprera”, Ghiti – “Okej”, Lynx – “Nuk kthehem pas”, Erand Sojli – “Të kam në fron”, Inis Neziri – “Ta kam fal”, Kimi – “Prapë diell del”, Alis – “Nan” dhe Enxhi Nasufi – “Dritë”.

Ndërsa në natën e dytë, më 18 dhjetor, në skenë do të ngjiten Savjana Vjerdha, 2 Farm, Greta Mahmutaj, Sihana Haxhnikaj, Luna Causholli, Erik Lloshi, Frensi, Malvina Likaj, Vedat Ademi, Kamela Islamaj, Threex, Endri Kacaci, Fifi dhe Tiri Gjoci dhe Evi Reci.

Për 4 netë me radhë, 28 artistët pjesëmarrës, emra të njohur të skenës, por edhe artistë të rinj, do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve, ku do të performojnë këngët e tyre para publikut dhe jurisë, si dhe do të garojnë për çmimet e këtij viti.

Nata e tretë, e cila do të quhet Nata e Nostalgjisë, do t’i dedikohet autorëve dhe poetëve të këngëve të Festivalit, të cilët do të sjellin performanca emocionuese për publikun, këngë të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e festivalit të fundvitit.

Në natën finale, më 20 dhjetor, do të shpallet, përveç çmimeve të tjera, edhe fituesi, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.

Festivali i këngës në RTSH, Foto: Florian Abazaj
1 nga 16
Festivali i këngës në RTSH, Foto: Florian Abazaj

 

/k.s/a.f/

The post Nis edicioni i 64-t i Festivalit të Këngës në RTSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Rritja ekonomike ndërtohet përmes bashkëpunimit me biznesin

17 December 2025 at 21:45

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/  Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në mbrëmjen gala të dedikuar sipërmarrjes shqiptare, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), e cila bëri bashkë përfaqësues të biznesit, shoqatave të biznesit, institucioneve shtetërore dhe aktorëve të ekonomisë.

Aktiviteti shërbeu si një moment vlerësimi për kontributin e sipërmarrjes në zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e prodhimit vendas dhe krijimin e vendeve të punës.

Në mbrëmjen gala ishte i pranishëm edhe Presidenti Bajram Begaj, duke nënvizuar rëndësinë që ka sipërmarrja shqiptare si një shtyllë kryesore e stabilitetit ekonomik dhe e perspektivës europiane të vendit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj vlerësoi rolin e biznesit dhe të shoqatave të biznesit si partnerë strategjikë të qeverisë në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike.
“Biznesi shqiptar ka treguar se di të rritet, të përshtatet dhe të konkurrojë.

“Shoqatat e biznesit kanë krijuar ura bashkëpunimi dhe kanë shërbyer si katalizatorë të rritjes së prodhimit, të vlerës së shtuar dhe të ndërkombëtarizimit të sipërmarrjeve shqiptare”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj theksoi se qeveria do të vijojë të ndërtojë politika dhe instrumente mbështetëse për biznesin, duke pasur si objektiv forcimin e produktit “Made in Albania” dhe zgjerimin e pranisë së tij në tregjet ndërkombëtare.

“Ne hartojmë politika dhe krijojmë kushte, por rezultatet konkrete vijnë nga puna juaj e përditshme. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe besimit mund të shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë që ofron tregu i përbashkët europian”, tha ajo.

Ministrja Ibrahimaj uroi sipërmarrësit për sukseset e arritura dhe ritheksoi angazhimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për të qenë një partnere aktive e biznesit në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian.

Mbrëmja gala shërbeu gjithashtu si një moment reflektimi për arritjet e vitit që po mbyllet, por edhe për përgjegjësitë dhe sfidat që sjell viti i ardhshëm për ekonominë shqiptare, në kuadër të përmbushjes së standardeve dhe forcimit të konkurrueshmërisë.

/k.s/a.f/

The post Ibrahimaj: Rritja ekonomike ndërtohet përmes bashkëpunimit me biznesin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌