Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

Mersini: Bashkia e angazhuar për zgjidhjen e problematikave të punonjësve të pastrimit

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, zhvilloi sot një takim me punonjësit e sektorit të pastrimit, pas ankesave dhe protestave të njëpasnjëshme për kushtet e punës, vonesat në paga dhe mosdhënien e antidotës, një ndihmë mujore ekonomike.

Takimi u zhvillua në ambientet e ndërmarrjes së pastrimit, ku punonjësit paraqitën shqetësimet e tyre dhe kërkuan zgjidhje konkrete.

Pas takimit me punonjësit kryebashkiakja Mersini tha për mediet se bashkia është e angazhuar për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë për problematikat e ngritura.

“Punëtorët ditën e djeshme kanë pasur një ankesë në zyrën e pagave, sepse nuk ka kaluar një fond i quajtur “Fondi i kompensimit”, që ata e marrin në vlerë monetare të disa zërave të kompensimit. Ekonomistja e pagave u dha shpjegim ditën e djeshme punonjësve që Thesari ka pasur probleme me sistemin dhe ka qenë pengesë e pagesës drejt bankës. Sot sistemi ka kaluar, sipas informacioneve nga Zyra e Thesarit, dhe punonjësit brenda orës 1 do të jenë në bankë për të tërhequr pagesën”, theksoi Mersini.

Sipas saj, prioritet mbetet respektimi i të drejtave të punonjësve dhe garantimi i një shërbimi dinjitoz për qytetin.

Mersini foli edhe për shqetësimet e lidhura kundër bashkimit të ndërmarrjes së gjelbërimit me atë të pastrimit.

“Në kuadër të shkrirjes së dy ndërmarrjeve, ndërmarrja e Pastrimit dhe gjelbërimit do të jetë një dhe çdo rajon do të ketë një numër të lartë punonjësish, është gati 30-35 punëtorë në një rajon. Pra rajoni do të menaxhohet nga mbikëqyrësit me 35 punëtorë dhe jo siç ka qenë me dy punëtorë. Me përfundimin e afatit për ndërtimin e ujësjellësit, që zyrtarisht kanë njoftuar ta përfundojnë në maj, projekt që menaxhohet nga Ndërmarrja e Ujësjellës -Kanalizimeve do të fillojmë me asfaltimin e rrugëve duke krijuar edhe spotet brenda një infrastrukture. Rrugët duke qenë të dëmtuara tërheqja e kazanëve dhe makinave teknologjike ka vështirësitë e veta”, sqaroi Mersini.

/k.s/a.f/

 

The post Mersini: Bashkia e angazhuar për zgjidhjen e problematikave të punonjësve të pastrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: 600 të rinj përfituan nga Programi i Praktikave të Punës

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se 600 praktikantë përfituan nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës në vitin 2025.

Në takimin përmbyllës të thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, Gonxhja tha se “shpesh dëgjojmë se Evropa është “atje jashtë”, diku ku duhet të ikësh për ta gjetur. Por e vërteta është se Evropa që ne duam nuk është një destinacion gjeografik, është një standard jetese që po e ndërtojmë këtu, bashkë. Për vite me radhë, administrata publike është parë si një “kafaz burokratik”, një mjedis statik, i ngadaltë dhe shpeshherë i shkëputur nga aspiratat e qytetarëve”.

Por sot, vijoi Gonxhja, ky imazh i përket të shkuarës.

“Ju jeni dëshmia e këtij transformimi rrënjësor. Sot shteti nuk flet nga lart, por ecën krah për krah me të rinjtë dhe ju fton të bashkoheni e të kontribuoni për vendin. Prania juaj sot thyen barrierat e kohës, sfidon status quo-në dhe sheh meritokracinë si të vetmen matëse të suksesit. Ju nuk jeni thjesht punonjës të rinj, por arkitektët e një administrate moderne, transparente dhe në shërbim të plotë të realitetit që na rrethon. Jeni ata që do ta bëni shtetin të vrapojë me shpejtësinë e ambicies suaj. Përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, nuk po hyjnë thjesht emra të rinj në listëpagesa, po hyn një mendësi e re: 600 praktikantë përfituan nga ky program në vitin 2025 duke zgjedhur të japin kontributin e tyre real”, nënvizoi Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “për herë të parë në vitin 2025, puna juaj u çmua financiarisht, si certifikata e parë e dinjitetit, një mesazh i qartë se dija juaj ka vlerë dhe shteti e respekton atë që në hapin e parë. Dhe mbi të gjitha, janë 250 kontrata të para pune që vërtetojnë se në këtë program, rruga nga bankat e shkollës te mundësitë e punësimit konkret kalojnë vetëm përmes meritës”.

“Shqipëria e re ka nevojë për mendjen, zemrën dhe energjinë tuaj pa komplekse për ta kthyer Shqipërinë 2030 në stacionin më të rëndësishëm të rajonit në të gjitha dimensionet: ekonomike, turistike, kulturore, sportive”, tha Gonxhja.

Gjatë vitit 2025 u ofruan 1401 praktika, ku 600 të rinj u përfshinë në institucione publike. Ndërkohë 600 praktikantë kanë marrë kompensim financiar prej 10 000 lekë/muaj për 3 muaj, një vlerë prej 2,6 milionë lekë më shumë buxhet për vitin 2025.

Gjithashtu gjatë 2025 janë kryer 6 cikle trajnimesh me ASPA (aftësi digjitale, etikë, financa, administratë). Nga 600 të rinj, rreth 250 prej tyre do të përfitojnë kontratë pune 1-vjeçare në institucionet përkatëse, ndërsa 1600 persona janë punësuar gjatë këtyre 9 viteve.

/k.s/r.e/a.f/

The post Gonxhja: 600 të rinj përfituan nga Programi i Praktikave të Punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 1600 të punësuar në administratë nga Programi i Praktikave të Punës

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në takimin përmbyllës të thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës për studentët e ekselencës, i cili prej 10 vitesh po kthen përvojën në punësim.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se “ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare në administratën e shtetit rreth 1600 persona. Po të kesh parasysh që administrata publike në vetvete është një trupë jo shumë e madhe, këto numra nuk janë pak, por ajo që i bën këto numra më të rëndësishëm akoma është se janë 1600 burime njerëzore cilësore që kanë potencialin të zhvillohen vijimësisht dhe që kanë kapacitetin potencial që të jenë nesër drejtuesit e sektorëve, departamenteve, drejtorive dhe kështu me radhë”.

Kjo praktikë, vijoi Rama, ka qenë një urë e ngritur si fillim në universitet për t’iu dhënë mundësinë më të mirëve që të kenë një sallë pritje ku  aktivisht të vetofrohen si punonjës të rinj të shtetit.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nga ana tjetër besoj që tani kemi kapërcyer edhe një ngërç përmes këtij programi, atë të eksperiencës që faktikisht i ka penguar në të shkuarën shumë vajza e djem që të fitojnë konkurset e Shërbimit Civil për shkak të mungesës së eksperiencës”.

“Që të hyje në administratën publike duhet të kishe eksperiencë, po të mos hyje nuk kishe ku e krijoje eksperiencën. Në njëfarë mënyre programi e ka garantuar këtë tranzicion”, tha Rama.

Më tej kryeministri Rama i uroi suksese atyre që kanë fituar mundësinë për të pasur një kontratë njëvjeçare pune dhe për të vazhduar të synojnë të përfshihen përfundimisht në administratën publike.

“Ndërkohë që të tjerëve që nuk e kanë fituar këtë mundësi nuk duhet të ligështohen, të humbasin besimin dhe nuk duhet të dorëzohen. Ministri Gonxhja tha se ky është proces i cili kalon përmes meritës, por pa dashur të them që gjithçka në këtë proces shkon fjollë sepse me siguri si çdo proces tjetër ka edhe ky ato defektet e veta, që ne përpiqemi t’i adresojmë vit pas viti”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “dua t’u them atyre që se kanë fituar këtë mundësi të mos ndihen të përjashtuar dhe absolutisht të mos mendojnë që janë më pak të zotë, thjesht në një moment të caktuar nuk kanë mundur të jenë dukshëm më të mirë sesa të tjerët që ia kanë dalë”.

/k.s/a.f/r.e/

The post Rama: 1600 të punësuar në administratë nga Programi i Praktikave të Punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku në SHBA: Në fokus të takimeve lufta kundër krimit, klima e biznesit dhe siguria e investimeve

TIRANË, 4 shkurt/ATSh/ Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ku po zhvillon një seri takimesh me anëtarë të Kongresit amerikan.

Ata u takuan me kongresmenët Keith Self, Jeff Sessions, John Moolenaar dhe Robert Aderholt, me të cilët u diskutuan çështje kyçe që lidhen me demokracinë, ekonominë dhe sigurinë në Shqipëri dhe rajon.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se në qendër të bisedave kanë qenë tre shqetësime kryesore.

Së pari, ndikimi i grupeve kriminale në politikë dhe në proceset zgjedhore, duke nënvizuar se lufta reale kundër krimit të organizuar është parakusht për funksionimin e shtetit ligjor dhe për zgjedhje të lira e të ndershme.

Së dyti, Tabaku ka ngritur problematikën e klimës së biznesit, duke theksuar se mungesa e institucioneve të forta dhe zbatimi selektiv i ligjit e bëjnë Shqipërinë pak tërheqëse për investitorët europianë dhe amerikanë. Pa sundim të ligjit dhe garanci institucionale, investimet serioze dhe afatgjata shmangin vendin.

Së treti, Tabaku ka vënë theksin tek siguria e investimeve kritike dhe e infrastrukturës strategjike, duke e lidhur analizën dhe kontrollin e investimeve të huaja me forcimin e ekonomisë dhe të sigurisë kombëtare.

Sipas saj, ekonomia nuk është vetëm çështje zhvillimi, por edhe një element thelbësor i sigurisë.

Deputetja e PD-së ka rikujtuar se këto çështje janë reflektuar edhe në nismat e saj parlamentare, përfshirë propozimin për analizën e investimeve të huaja, i cili është refuzuar nga qeveria.

Sipas Tabakut, kjo nismë nuk është politike, por një nevojë e ngutshme për të frenuar investime që mund të dëmtojnë interesin publik, konkurrencën e ndershme dhe sigurinë e vendit.

Vizita në ShBA dhe takimet me kongresmenë amerikanë, sipas saj, synojnë forcimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik dhe ndërkombëtarizimin e shqetësimeve reale mbi demokracinë, ekonominë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

/k.s/a.f/r.e/

The post Tabaku në SHBA: Në fokus të takimeve lufta kundër krimit, klima e biznesit dhe siguria e investimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Gjyqtarët kërkojnë 37 milionë euro plus nga buxheti i shtetit, të cilat duhet të hiqen nga diku tjetër

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se gjyqtarët kërkojnë 37 milionë euro plus nga buxheti i shtetit, para të cilat duhet të hiqen nga diku tjetër.

Në një komunikim për mediat për deklaratën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, lidhur me shqetësimin e ngritur nga kreu i qeverisë për kërkesën për rritjen e pagave të gjyqtarëve, Rama tha se “ju, zotërinj kërkoni 37 milionë euro plus, nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes pagat. Kjo është e vërteta që nuk e luan topi dhe që ta dinë shqiptarët se çfarë kërkoni ju dhe për çfarë jemi ne në gjyq me ju, në Gjykatën Kushtetuese, shqiptarët duhet të dinë që ju kërkoni që për gjyqtarin e Shkallës së Parë, paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro”.

“Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit paga të shkojë nga 3480 europ që është sot aktualisht, 3480 euro, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në Gjykatën e Lartë të shkojë 5800 euro dhe ju kërkoni që pagat e prokurorëve të SPAK-ut të cilët, edhe një herë tjetër për SPAK-un, e veçoj sepse nuk i është bashkuar dhe respekte, nuk i është bashkuar kësaj përpjekjeje absurde, nuk ka firmosur për të qenë palë në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar pagën e vet 9800 euro”, nënvizoi Rama.

Ndërkohë, vijoi Kryeministri, që sot aktualisht pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK janë rreth 6 500 euro.

“Pra 3000 euro doni ju t’i rrisni pagat vetes në muaj me një vendim gjykate. Ku jeni ju këtu? Ça kërkoni ju? Dhe ndërkohë ajo që e bën dhe më serioze këtë situatë, është se pagat tuaja janë paga më të larta, goxha më të larta se në rajon; se në Maqedoninë e Veriut, se në Malin e zi dhe janë paga të barabarta me gjykatësit në një vend të BE siç është Greqia. Sot që flasim aktualisht, ju i keni pagat sa në Greqi dhe ju doni t’i rrisni me nga 2000, me nga 3000 euro në muaj. Në emër të çfarë? Ju thoni në emër të ligjit dhe të kushtetutës?! Kjo është e pavërtetë!”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk ka ligj dhe nuk ka kushtetutë që ju jep juve këtë të drejtë dhe nuk është shkruar as gjëkundi dhe kur ju thoni “ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore”, për çfarë përbaltje e keni ju fjalën? Për cilën përbaltje? Për cilën përbaltje kryeministrore publike dhe mediatike tërësisht histerike, si guxoni ju të vendosni etiketime të tilla duke qenë arbitra, duke qenë përfaqësues të një pushteti i cili duhet të heshtë në publik dhe duhet të japë vendime në sallën e gjyqit midis palësh dhe palë në gjyq jemi të gjithë përveç jush”.

“Ju jeni ata që gjykoni për të gjithë dhe duhet të garantoni barazinë përpara ligjit të të gjithëve. Dhe ndërkohë juve me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese doni të jeni ligji. Kjo është e vërteta dhe nuk synon, siç thoni ju, qëndrimi im të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjyqit, për të cilin dikush prej jush në emër të shoqatës, atje në gjykatë siç e përmenda në prononcimin tim tha “edhe ne të zgjuar jemi, thamë ta kalojmë këtë kur të tjerët se kishin mendjen dhe e kishin mendjen tek fushata, tek zgjedhjet”. Ashtu hë? Çfarë do me thënë kjo? Dhe si arrini ju në pikën që të sulmoni publikisht qeverinë, të sulmoni publikisht kreun e Këshillit të Ministrave, të sulmoni publikisht mediat dhe t’i akuzoni të gjithë për histeri. Kush jeni ju? Për çfarë histerie e keni fjalën? Më shikoni mua të axhituar? Jam shumë i axhituar se 37 milionë euro që kërkoni ju plus nga buxheti i shtetit janë para që duhet të hiqen nga diku tjetër dhe juve merrni përsipër atje në sallën e gjyqit të jepni gjykime politike”, nënvizoi Rama.

Ju , shtoi Rama, merrni përsipër atje në sallën e gjyqit të jepni gjykime për qeverinë a thua se qeveria është një palë tjetër, jo në aspektin kushtetues, por në aspektin politik.

“Ju merrni përsipër të flisni për abuzime etj, ndërkohë që duhet të garantoni në sallat e gjyqit paanësi, pavarësi dhe paanësi, por kjo është një temë tjetër”, tha Rama.

/k.s/a.f/

 

The post Rama: Gjyqtarët kërkojnë 37 milionë euro plus nga buxheti i shtetit, të cilat duhet të hiqen nga diku tjetër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 3 February 2026Main stream

“Youth Frost Fest”, gara dhe argëtim në pistën e skive në Dardhë

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Pista e skive në Dardhë u kthye sot në një arenë energjie dhe pasioni për sportet dimërore, në kuadër të “Youth Frost Fest”.
Rreth 120 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme sollën një atmosferë fantastike, si pjesë e Javës Evropiane të Sportit Dimëror.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo duke iu referuar aktivitetit u shpreh se Korça vazhdon të dëshmojë se sporti është frymë dhe vizion për të rinjtë.
Ky aktivitet, i organizuar në kuadër të mbajtjes nga Korça të titullit “Kryeqyteti Europian i Sportit”  ka në qendër aktivitete që nxisin sportin, përfshirjen e të rinjve dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Nxënësit zhvilluan gara të ndryshme të ndara sipas grupmoshave dhe gjatësisë së pistave, ku për fituesit u ndanë edhe çmime simbolike.
Aktiviteti organizohet nga Qendra Sportive Korçë, në bashkëpunim me bashkinë Korçë, në kuadër të projektit Erasmus Plus – European Week of Winter Sport, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian.
/k.s/j.p/

The post “Youth Frost Fest”, gara dhe argëtim në pistën e skive në Dardhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli në zonën e rrëshqitjes në Dragostunjë: Masa për zgjidhjen përfundimtare të situatës

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Në segmentin rrugor Librazhd–Përrenjas në zonën e rrëshqitjes në Dragostunjë, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli së bashku me drejtues të Policisë së Shtetit si dhe me ekspertë dhe inxhinierë të fushës zhvilloi një inspektim në terren.

Gjatë inspektimit, u vlerësua situata dhe u përcaktuan masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se njëkohësisht, u përcaktuan dhe masat për zgjidhjen përfundimtare të situatës, me qëllim parandalimin e përsëritjes së fenomenit dhe rikthimin sa më të shpejtë dhe të sigurt të qarkullimit në këtë aks rrugor.

Për shkak të punimeve që do të kryhen në aksin rrugor Librazhd-Korçë, në fshatin Dragostunjë do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit nga data 3- 5 shkurt gjatë intervaleve kohore 22:00 – 05:00.

Dy ditë më parë për shkak të rënies masive të dherave u bllokua nga të dyja anët aksi rrugor Librazhd-Korçë.

/k.s/j.p/

 

The post Kozeli në zonën e rrëshqitjes në Dragostunjë: Masa për zgjidhjen përfundimtare të situatës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Shtëpinë e Bardhë: Bashkëpunimi strategjik merr tjetër përmasë brenda Bordit të Paqes

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi mëngjesin e sotëm Shtëpinë e Bardhë në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Shtëpinë e Bardhë, Spiropali u prit nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump që njëkohësisht mban detyrën e Drejtorit të Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Takimi u fokusua në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes.

“Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik, SHBA”, shkruan Spiropali në rrjetet sociale.

Ministrja theksoi se “bashkë me drejtorin McLaughlin ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve”.

Spiropali njoftoi gjithashtu se “Shqipëria është e nderuar të jetë në krah të SHBA si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20 pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri”.

Gjatë takimit, Ministrja e Jashtme konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, i cili do të thellojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjetik e zhvillimor.

/k.s/j.p/

The post Spiropali në Shtëpinë e Bardhë: Bashkëpunimi strategjik merr tjetër përmasë brenda Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Projektet e bashkive, mundësi financimi mbi 30 milionë euro nga programi IPA

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo e cilësoi sfidë fleksibilitetin dhe përgatitjen e bashkive për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Demo u shpreh se katër marrëveshjet që po diskutohet janë shumë të rëndësishme për sa i përket pushtetit vendor, duke filluar me Interreg-un, por më pas edhe tre marrëveshje IPA.

Sipas tij, nga tre projektet do të jenë përfituese si bashkitë e mëdha ashtu edhe të vogla, ndërsa përfaqësojnë kapacitet të ri financiar.

“Këto bashki do të kenë mundësi që, në bazë të projekteve konkurruese, do të mund të financohen me mbi tridhjetë milionë euro, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik lokal dhe zhvillimin e rajonit në tërësi”, nënvizoi Demo.

Por, vijoi Demo, ajo çfarë është edhe më e rëndësishme është përgatitja që bashkitë duhet ta bëjnë dita-ditës për proceset në vazhdim, sidomos kur flasim për procesin e integrimit.

“Fondet e kohezionit, në fakt, janë shtylla kryesore e financimit për sa i përket zhvillimit rajonal në një vend të Bashkimit Europian dhe po kështu do të jetë edhe në Shqipëri. Kuptohet që bashkitë duhet të kenë kapacitetet e duhura, që të jenë të gatshme që, që nga dita e parë, kur ne do të kemi mundësi të konkurrojmë për financim nga këto kapituj të Bashkimit Europian, Bashkitë kanë një rol shumë të rëndësishëm”, tha Demo.

Sipas tij, eksperienca e akumuluar nga bashkitë gjatë këtyre viteve, duke marrë në konsideratë edhe këto tre marrëveshje është shumë e rëndësishme për të krijuar një aset të burimeve njerëzore në territor, të gatshme për atë që pritet.

“Strategjia që ne tashmë po ndjekim si qeveri, duke filluar me Akademinë e Pushtetit Vendor, do të vijë në ndihmë të bashkive të vendit për të garantuar rritjen e kapaciteteve në mënyrë të qëndrueshme, që bashkitë dita-ditës jo thjesht të fuqizohen nga pikëpamja administrative, por në të njëjtën kohë të hapin dritare të reja për sa i përket financimeve, dhe ku financimi nga buxheti i qeverisë qendrore të mos jetë burimi kryesor për qëndrueshmërinë financiare në nivel lokal”, tha Demo.

Demo shprehu besimin se deputetët e opozitës do t’i mbështesin, sepse në fund të ditës janë në të mirën e qindra mijëra qytetarëve që përfitojnë nëpërmjet bashkive.

Projektligjet të cilave iu referua ministri Demo kanë të bëjnë me ratifikimin e marrëveshjes së financimit për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027”,  për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri -Kosovë, 2021–2027, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027, si dhe për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021 – 2027. /k.s/j.p/

 

The post Demo: Projektet e bashkive, mundësi financimi mbi 30 milionë euro nga programi IPA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Sheshi “Isa Boletini” i kthehet qytetarëve shkodranë pas lirimit të hapësirave të zaptuara

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Sheshi “Isa Boletini” në Shkodër ka marrë një pamje tërësisht të re pas përfundimit të punimeve rehabilituese, duke u kthyer në një hapësirë të gjelbër, të hapur dhe funksionale për qytetarët.

Pas prishjes së objekteve që kishin zaptuar hapësirën publike, sheshi tashmë ofron më shumë frymëmarrje urbane dhe një organizim më të rregullt, në shërbim të komunitetit.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci duke sjellë pamje nga sheshi, vlerësoi se pas lirimit të hapësirave publike dhe investimit të realizuar, sheshi ka kaluar nga një zonë e ngarkuar dhe e zaptuar në një hapësirë të rregullt, funksionale dhe estetikisht të balancuar.

“Ndërhyrja në pallatin me hark, me fasada të termoizoluara, dritare të reja dhe trajtim të plotë të komponentëve arkitektonikë, ka sjellë jo vetëm përmirësim të kushteve të jetesës për banorët, por edhe një imazh më të pastër e dinjitoz për të gjithë zonën”, theksoi Beci.

Sot sheshi, shtoi Beci, ka më shumë frymëmarrje urbane, më shumë rregull dhe një prezantim që reflekton respekt për hapësirën publike dhe identitetin e qytetit.

Ndërkohë që shumë shpejt bashkia e Shkodrës do të nisë edhe rehabilitimin e bllokut të pallateve në Rrugën e Tafiliceve, në zonën e Dërgutit. Kjo ndërhyrje synon të ndryshojë realisht përditshmërinë e banorëve, duke i dhënë kësaj zone më shumë rend, funksionalitet dhe estetikë.
Bashkia do të investojë në hapësirat publike, në aksesin, gjelbërimin dhe ambientet e përbashkëta, për ta kthyer këtë bllok pallatesh në një hapësirë më të jetueshme, më dinjitoze dhe më miqësore për komunitetin.

Në të gjithë territorin e vendit gjatë vitit të kaluar u liruan një sërë hapësirash publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i parapriu zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

 

/k.s/j.p/

The post Sheshi “Isa Boletini” i kthehet qytetarëve shkodranë pas lirimit të hapësirave të zaptuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis nënshkrimi i marrëveshjeve trepalëshe me studentët përfitues të mbështetjes financiare

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Përmes Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë ka nisur procesi i nënshkrimit të marrëveshjeve trepalëshe me studentët përfitues të mbështetjes financiare për vitin akademik 2025–2026 duke formalizuar përfitimin e bursës dhe përjashtimin nga tarifa vjetore e shkollimit.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi sot se 131 studentë të shkëlqyer dhe 53 studentë të programeve prioritare përfitues të kësaj marrëveshjeje, do të kontaktohen nga AKFAL për vijimin e procedurave dhe nënshkrimin e marrëveshjes.

“Ministria e Arsimit mbështet studentët dhe programet prioritare të studimit investuar në ekselencën akademike, mundësitë e barabarta dhe cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri”, u shpreh Kumbaro.

Procesi i aplikimit nga studentët u realizua përmes portalit unik qeveritar e-Albania, në shërbimin elektronik “Aplikim për Mbështetje Financiare”, si dhe nëpërmjet dorëzimit fizik të dokumentacionit nga studentët, për periudhën 22 tetor-20 dhjetor 2025.

Pas përfundimit të verifikimeve përkatëse, studentët përfitues janë miratuar në përputhje me kriteret ligjore.

Kategoritë e studentëve përfitues janë studentë të shkëlqyer, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare 10.00; janë vlerësuar në secilin prej provimeve kombëtare të detyruara të maturës shtetërore me notë të shkallëzuar jo më pak se 9.5 deri në 10.00.

Gjithashtu janë përfitues studentë fitues të olimpiadave ndërkombëtare, të renditur në një nga tri çmimet e para në olimpiada me më shumë se 15 vende pjesëmarrëse, të pranuar në programe studimi të lidhura me fushën/disiplinën përkatëse si dhe studentë që ndjekin programe studimi prioritare, të përcaktuara si prioritete kombëtare sipas VKM-së nr. 386/2022, të ndryshuar.

Mbështetja Financiare për studentët përfitues përfshin: bursën në masën e një page minimale mujore; përjashtimin nga pagesa e tarifës vjetore të shkollimit, sipas përcaktimeve të VKM-së në fuqi.

Studentët përfitues do të njoftohen nga Drejtoria e Granteve e AKFAL për vijimin e procedurave dhe nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe.

Institucionet publike të arsimit të lartë do të vijojnë bashkëpunimin për realizimin e hapave përkatës.

1 nga 4

/k.s/j.p/

The post Nis nënshkrimi i marrëveshjeve trepalëshe me studentët përfitues të mbështetjes financiare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Genti Gazheli merr detyrën si zëvendësministër i Mjedisit

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Genti Gazheli mori sot detyrën si zëvendësministër i Mjedisit.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj e prezantoi sot Gazhelin me stafin e ministrisë.

Jaupaj u shpreh se Gazheli me eksperiencën e tij të gjatë në administratën publike do të jetë një vlerë e shtuar në punën e përditshme, si për reformat në fushën e mjedisit ashtu edhe për avancimin e punës drejt integrimit europian.

Genti Gazheli u lirua nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të Doganave më 28 shkurt si dhe u emërua zëvendësministër i Mjedisit.

 

/k.s/j.p/

The post Genti Gazheli merr detyrën si zëvendësministër i Mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Persida Shkrepa, drejtore e re e Institutit të Ndërtimit

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Zëvendësministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi sot drejtoreshën e re të Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa.

Në takimin e organizuar me stafin e Institutit të Ndërtimit, Balluku i uroi suksese Shkrepës  në këtë detyrë dhe sfidë të re.

“Me një karrierë të spikatur si arkitekte, profesionalizmi, përkushtimi dhe përvoja e saj janë një garanci e fortë për drejtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, si edhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend”, tha Balluku.

Instituti i Ndërtimit ka për qëllim kryerjen e veprimtarive kërkimore, shkencore, aplikative, zhvillimore, studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimit, si dhe kryerja e veprimtarisë shkencore e teknologjike për të tretë të tilla si oponenca, ekspertiza, kurse kualifikimi, vlerësime konformiteti dhe kontrolle për produktet e ndërtimit, që lidhen me sigurinë e jetës. /j.p/

 

/k.s/

 

The post Persida Shkrepa, drejtore e re e Institutit të Ndërtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Suard: Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt BE-së

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, mori pjesë sot në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së” ku theksoi se Franca e mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fjalën e saj ambasadorja Suard tha se “në rrugëtimin drejt BE askush nuk mund të dyshojë sepse Shqipëria ka kryer hapa gjigantë, nga reforma e drejtësisë tek digjitalizmi i shërbimeve nga forcimi i institucioneve tek modernizimi i ekonomisë, nga mbrojtja e qytetarëve tek mbrojtja e natyrës, nga angazhimi sai përket stabilitetit dhe sigurisë  tek harmonizimi me politikën e jashtme”.

Sipas saj, arritjet e Shqipërisë në konvergimin e saj europian janë të konsiderueshme.

“Janë këto arritje që na japin besim të gjithëve sepse vendet anëtare kanë vendosur të hapin të gjithë kapitujt e negociatave që përshkojnë këtë rrugë. Pikërisht për këtë besim Presidenti i Republikës franceze Emannuel Macron erdhi të dëshmojë gjatë dy vizitave të tij të fundit në Shqipëri. Këto vizita i dhanë marrëdhënies tonë dypalëshe një ritëm të pandërprerë, një ritëm të ngjashëm me atë të Shqipërisë drejt BE-së”, tha Suard duke shtuar se Shqipëria nuk ecën vetëm drejt Europës ajo e përshpejton, apo më saktësisht e shtrin hapin.

Në fakt vijoi Suard, reformat e ndërmarra janë hapa të mëdhenj strategjikë që e transformojnë me thellësi fizionominë e Shqipërisë duke e bërë më afër, më familjare, më të përputhshme, më të lidhur dhe më të integruar me Europën tonë.

“Franca e mbështet këtë dinamikë integrimi gradual dhe meritën e saj transformuese në mënyrë që ky transformim të jetë efketiv duhet të zbatohet në mënyrë të vendosur në çdo etapë. Franca synon ta mbështesë këtë dinamikë sepse duke kontribuar në të ne do të zhvillojmë interesa të përbashkëta. Pikërisht për këtë ne kemi nënshkruar një marrëveshje ndër qeveritare në 2024 zbatimi i të cilës duhet ët vazhdojë sërish”, tha Suard.

Duke folur për hapat e fundit që kanë mbetur për t’u hedhur,  Suard tha se “të gjithë kilometrat e fundit janë më të vështirë dhe më entuziazmuesit. Rrugëtimi i anëtarësimit për integrimin në BE nuk bën përjashtim dhe ne po arrijmë në momentin ku rruga po bëhet më e vështirë, aty ku çdo hap matet nga indikatorët e saktë.

Sipas saj, këto piketa nuk janë vonesa, por janë pika ngulitje të integrimit të ardhshëm të Shqipërisë.

“Është garancia e kësaj pakthyeshmërie që e bën Shqipërinë një partner që Franca dhe Europa mund të mbështeten”, tha Suard.

/k.s/a.f/

The post Suard: Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambiente të reja për 450 nxënësit e shkollës “Skënderbeu” në Krumë të Hasit

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Gjimnazi “Skënderbeu” në Krumë të Hasit pas rikonstruksionit ofron tashmë mjedise të reja për nxënësit dhe mësuesit.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se “pas rikonstruksionit të plotë hapet një faqe e re në historinë e gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë të Hasit”.

“Shkolla ofron kushte bashkëkohore, terrene sportive, bibliotekë, laboratore e klasa të reja janë gati për t’u mbushur me dije, frymëzim e krijimtari nga 450 nxënës dhe mësues si dhe komuniteti pranë kësaj shkolle”, theksoi Kumbaro.

Në nisje të vitit të ri arsimor 2025-2026 hapën dyert 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara në të gjithë vendin, me 340 laboratorë smart.

Ndërkohë që janë 42 kantiere shkollash të hapura njëherësh në të gjithë vendin, të cilat do të përfundojnë me buxhetin e vitit 2026.

/k.s/a.f/

The post Ambiente të reja për 450 nxënësit e shkollës “Skënderbeu” në Krumë të Hasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria e Tiranës i sekuestron rreth 210 mijë euro familjarëve të dënuarit me 22 vite burg në ShBA

TIRANË, 31 janar/ATSh/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A., i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg, për vepra penale në fushën e akteve terroriste.

Sipas njoftimit për shtyp të Prokurorisë, ky shtetas akuzohet se ka siguruar ose ka tentuar të sigurojë mbështetje materiale për individë apo grupe të përfshirë në aktivitet terrorist dhe ka bërë deklarim të rreme për t’u pajisur me pasaportë.

Aktualisht ky shtetas, i njohur ndryshe edhe si A.Q., në Shqipëri po hetohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ndërsa hetimet mbi procedimin pasuror nr.8 të vitit 2025, nisën nga informacionet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

Ky shtetas, është i biri i shtetasve Z.A. dhe V.A. Nga verifikimi i bërë në lidhje me të dhe familjarët e tij, rezultoi se ka transaksione financiare në banka shqiptare të nivelit të dytë, apo veprime të tjera ekonomike në vlera të larta ekonomike, të cilat nuk mund të justifikohen me të ardhurat e krijuara ndër vite.

Këta shtetas deklaruan se të ardhurat i kanë krijuar nga qiratë e kursimet, por nuk kanë dokumente të provojnë këto deklarata dhe vlerat monetare objekt kërkese për konfiskim nuk kanë prejardhje të ligjshme si dhe faktin që këto pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme dhe dokumentacion.

Përfundimisht bazuar në hetimin e kryer vlerat monetare të mësipërme nuk justifikohen nga subjekti S.A. dhe pjesëtarët e tjerë të familjes së tij.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiran kërkon konfiskimin dhe kalimi në pronësi të shtetit të llogarive si më poshtë: Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje lekë 39.49, Usd 4.74, si dhe depozitat në vlerën USD 50,109.56 dhe Lekë 3,862,244.93; Llogaritë e Shtetases V. A. me gjendje Eur 15,001.09; dhe Llogaritë e shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje Lek 11,734,250.00.

/k.s/a.f/

The post Prokuroria e Tiranës i sekuestron rreth 210 mijë euro familjarëve të dënuarit me 22 vite burg në ShBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kardiologjia në QSUT: 599 implantime dhe mbi 2 900 procedura PCI e koronarografi

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Gjatë vitit të kaluar, Shërbimi i Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” ka shpëtuar mijëra jetë përmes ndërhyrjeve jetike.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se nga janari deri në dhjetor 2025 në Shërbimin e Kardiologjisë janë kryer 599 implantime aparaturash kardiake (pacemaker, CRT-D, CRT-P, defibrilatorë intrakardiakë të implantueshëm) si dhe 143 angioplastika të planifikuara me stent.

Sipas MSHMS janë kryer gjithashtu  2,941 procedura PCI dhe koronarografi, nga të cilat 1,366 urgjenca, ndërhyrje në momentet më kritike për jetën.

MSHMS falënderon Dr. Alban Dibra për drejtimin me profesionalizëm dhe përkushtim të ekipit si dhe shpreh mirënjohje për çdo mjek, infermier dhe profesionist shëndetësor në vijën e parë të kujdesit.

Shërbimi i Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ofron kushte dinjitoze dhe trajtim me teknologji moderne për çdo pacient.

/k.s/a.f/

 

The post Kardiologjia në QSUT: 599 implantime dhe mbi 2 900 procedura PCI e koronarografi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregullat e reja të Maturës Shtetërore, forcohet mbikëqyrja gjatë provimeve

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Matura Shtetërore pritet me padurim nga nxënësit dhe prindërit, pasi përbën një moment kyç në vijimësinë e rrugëtimit në arsimim, e ku përzihen përgatitjet në studime dhe emocionet e përmbylljes së ciklit drejt sfidave të reja universitare.

Ndaj dhe autoritetet arsimore nisin që herët përgatitjet për të garantuar proces të drejtë dhe transparent. Edhe këtë vit, rregullorja e Maturës Shtetërore parashikon ndryshime nga ajo e një viti më parë.

Këto ndryshime prekin veçanërisht aspektet në lidhje me nxënësit mbetës dhe masat disiplinore gjatë provimeve.

Drejtoresha e përgjithshme e Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar, Mirela Cami shpjegoi për ATSH-në ndryshimet e parashikuara në këtë rregullore.

“Nxënësit që rezultojnë mbetës në një apo dy lëndë gjatë gjithë vitit shkollor nuk do të mund të hyjnë në provimet e qershorit. Këta nxënës do të duhet t’i nënshtrohen këtyre provimeve gjatë sezonit të vjeshtës dhe më pas do hyjnë në Maturën Shtetërore në sezonin e dytë. Në rast se rezultojnë jokalues në 3 lëndë, ata e humbin vitin shkollor dhe do t’u duhet ta përsërisin”, theksoi Cami.

Sipas saj, drejtoritë rajonale, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe të gjitha institucionet arsimore do të njoftohen në mbyllje të vitit shkollor për listën emërore të këtyre nxënësve.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e pajisjeve teknologjike gjatë provimeve.

“Maturanti, i cili paraqitet në qendrën e provimit dhe konstatohet gjatë provimit me celular, orë smart dhe pajisje të tjera teknologjike, përjashtohet nga ai provim, por ka të drejtë ta japë atë në sesionin pasardhës”, sqaroi Cami.

Sa i përket administratorëve, Cami vuri në dukje se ata nuk do të kenë vetëm detyra, por edhe përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit.

“Administratorët e provimit janë të trajnuar dhe përcaktohen me short elektronik në praninë e drejtorit të ZVAP-së. Janë të qarta detyrat e tyre lidhur me administrimin e procesit të provimit që nga identifikimi i maturantëve, moslejimi i ndërrimit të vendit gjatë provimit, kontrolli fizik për pajisje teknologjike, raportimi i parregullsive, respektimi i orareve dhe rregullave të tjera në përputhje me rregulloren për Maturën Shtetërore 2026, që e ngarkojnë me përgjegjësi lidhur me mbarëvajtjen e procesit”, nënvizoi Cami.

Provimet e maturës do të përmbajnë 30-35 pyetje, duke përfshirë pyetje me alternativa dhe shtjellim. Ndërkohë që për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.

Për të marrë notën 10 absolute, maturanti duhet të grumbullojë 60 pikët e mundshme.

/k.s/j.p/r.e/

The post Rregullat e reja të Maturës Shtetërore, forcohet mbikëqyrja gjatë provimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qato: 100 pacientë në ditë gjatë janarit në Infektivin e QSUT

TIRANË, 30 janar/ATSH/  Në Shërbimin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë gjatë muajit janar është shënuar një rritje e ndjeshme e fluksit të pacientëve, kryesisht me simptoma të gjendjes gripale.

Mjekja infeksioniste, dr. Migena Qato, këshillon për rritje të kujdesit personal dhe vaksinimit si masa thelbësore për parandalimin e komplikacioneve.

Në lidhje me virusin e ri që po qarkullon në Indi, dr. Qato bën me dije se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar në vendin tonë, duke theksuar se Shërbimi Infektiv ndodhet në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme.

“Virozat edhe gripi janë kryefjala e diagnozave infektive që pranohen në Shërbimin Infektiv aktualisht. Janë rreth 100 raste të paraqitura në ditë gjatë janarit me simptoma të ndryshme. Grupmoshat e prekura janë të ndryshme nga mbi 14 vjeç deri në moshat e treta, të cilat përbëjnë një shqetësim të veçantë sa i përket sëmundjeve bashkëshoqëruese dhe komplikacioneve tek këto mosha që shpesh herë mund të rezultojnë të jenë edhe fatale”, theksoi Qato.

Sipas saj, të sëmurët paraqiten me simptoma nga më të lehtat si temperaturë, dhimbje të lehta muskulare, të cilat mund të trajtohen edhe në kushte shtëpie.

“Pastaj vijnë raste më të rënda që shoqërohen me komplikacione siç janë bronkopneumonitë që në këto momente janë shqetësimi ynë kryesor. Shpesh kërkojnë kujdes të veçantë dhe shtrim në spital pavarësisht grupmoshave të tyre”, tha Qato duke shtuar se rreth 30-40% e rasteve që paraqiten në urgjencë janë kandidatë për shtrim në spital.

Qato vuri në dukje se është për t’u përshëndetur fakti që numri i njerëzve që mjekohen vetë në shtëpi sa vjen e po zvogëlohet.

Sa i përket virusit që po qarkullon në Indi, Qato tha se “nuk duhet krijuar panik, të paktën deri sa pa e provuar këtë gjë në rajon. Pra, ne nuk kemi konstatuar raste të tilla”.

Mjekja Qato i bëri apel qytetarëve të vaksinohen, pasi tha ajo “vaksinimi është një indikacion i yni që nuk do resht asnjëherë”.

/k.s/j.p/

The post Qato: 100 pacientë në ditë gjatë janarit në Infektivin e QSUT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: 140 tekste shkollore do të përditësohen

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me stafin drejtues dhe gjithë ekipin e ekspertëve dhe specialistëve të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar me fokus tekstet mësimore, përditësimin e tyre dhe kurrikulat e reja, si dhe trajnimet për formimin profesional të mësuesve.

Në fjalën e saj Kumbaro tha se “stafi i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar po punon për përgatitjen e të gjithë kurrikulave, e të gjitha lëndëve, formimin e fëmijëve tanë, por edhe formimin e mësuesve të fëmijëve tanë”.

“Ne jemi në një vit shumë të rëndësishëm, ku pas një periudhe dhjetëvjeçare ka ardhur koha për të përditësuar kurrikulat në arsimin parauniversitar. Janë 140 tekste që do të përditësohen, është një punë që nuk ka orar, që bëhet nga ekspertët më të mirë të lëndëve dhe të kurrikulave, që qëndrojnë para cilësisë së arsimit. Në këto 140 tekste që do të përditësohen, 44 janë në gjuhë të huaj. Gjithashtu do të kemi tekste të reja për klasën e parë, të gjashtë e të dhjetë të lëndës së qytetarisë e gjuhës shqipe dhe do të vazhdojmë edhe me lëndën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, që nga klasa e parë deri në maturë. Do të vazhdojmë më pas në vitet e tjera me klasën e dytë e të shtatë, për të ndjekur gjithë rinovimin e këtyre lëndëve”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se janë rreth 120 kolegë, specialistë nga ministria, nga agjencia, nga universitetet që janë partnerët më të rëndësishëm.

“Është gjithashtu kjo agjenci që është përgjegjëse edhe për kualifikimin e mësuesve. Programi i zhvillimit profesional është një program i jashtëzakonshëm që ne e bëjmë në bashkëpunim me universitetet publike për të formuar, trajnuar, përditësuar dijet e mësuesve”, nënvizoi ajo.

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar lidhur me përditësimin e teksteve dhe kurrikulave të reja, ka si objektiv të jenë të përafruara me standardet e Bashkimit Europian, të zgjerojnë kompetencat e nxënësve, t’i aftësojnë në përdorimin e teknologjisë në shërbim të dijeve si dhe të reflektojnë elemente të identitetit kulturor kombëtar.

Ministrja Mirela Kumbaro po zhvillon një cikël takimesh pune me të gjitha agjencitë e Ministrisë së Arsimit, me fokus prioritetet për vitin 2026 si në arsimin e lartë, ashtu edhe në atë parauniversitar.

/k.s/

The post Kumbaro: 140 tekste shkollore do të përditësohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌