TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Historia e tretë e kopertinës e “World Health Voices” i është kushtuar Profesoreshë Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një eksperte e njohur ndërkombëtarisht në imazherinë onkologjike, karriera e së cilës ka përfshirë Universitetin e Cambridge-it (Mbretëri e Bashkuar), Memorial Sloan Kettering Cancer Center (Nju Jork, SHBA), Policlinico Gemelli (Romë, Itali) dhe tani drejtimin kombëtar për shëndetësinë.
Gjatë kësaj bisede, ministrja Sala reflekton mbi thirrjen e saj të hershme drejt mjekësisë, rrugëtimin shkencor të bazuar në inovacion dhe kërkimin onkologjik, si dhe angazhimin për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të barabartë, modern dhe të përqendruar te pacienti për Shqipërinë.
Si Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala mbulon jo vetëm shëndetësinë, por edhe mirëqenien sociale, një portofol që ajo e përshkruan si “gjigant”.
Në sektorin e shëndetësisë, Sala ka përcaktuar tre fusha të mëdha, Onkologjia dhe Rrjeti Shqiptar i Kancerit, Një sistem i unifikuar diagnostik si dhe Inteligjenca artificiale dhe integrimi digjital.
“Duhet të përmirësojmë shërbimet e kancerit në Shqipëri”, shprehet Sala e cila planifikon krijimin e Rrjetit Shqiptar të Kancerit, me një Institut Onkologjik në Tiranë në qendër.
“Rrjeti është në ndërtim e sipër dhe do të krijohet në gjashtë muajt e ardhshëm, dhe instituti do të vijojë gjatë vitit pasues”, vijon ajo duke shtuar se “ne duam ta çojmë mjekësinë e kancerit te pacienti, jo pacientin te mjekësia”.
Kjo do të shoqërohet me standardizimin e protokolleve onkologjike dhe hedhjen e bazave, brenda rreth dy vitesh, për kapacitetet e provave klinike në Shqipëri.
Ministrja deklaron se: “ne duam që Shqipëria të ketë kapacitet për të zhvilluar prova klinike, për të hapur derën e inovacionit në mënyrë të strukturuar”.
Diagnostika është një tjetër fushë e lidhur ngushtë me formimin e saj profesional dhe Sala synon që të ndërtojë një sistem sistem diagnostik të integruar mirë në të gjithë vendin.
Me një popullsi rreth 2.4 milionë banorë, ajo vëren se “Shqipëria është si një qytet i madh, madje jo shumë i madh, po të mendosh për disa qendra urbane globale”.
Kjo shkallë, sipas saj, është avantazh. “Shqipëria mund dhe do të ketë një sistem diagnostik të unifikuar në afat të mesëm dhe të gjatë”.
Shtylla e tretë është inteligjenca artificiale dhe shëndetësia digjitale, e lidhur ngushtë si me onkologjinë ashtu edhe me diagnostikën.
“Ne duam të krijojmë një sistem bazë të integruar, një ‘backbone’, që lidh sisteme të ndryshme dhe siguron ndërveprueshmëri”, deklaron ministrja Sala.
Ajo sqaron se: “në afat të shkurtër, ne tashmë po përmirësojmë kushtet dhe protokollet në onkologji. Në tre muaj nuk mund të ndryshosh gjithçka, por mund të fillosh”.
Në fillim të vitit të ardhshëm, ajo pret të ketë një hartëzim të plotë të këtyre tre fushave strategjike dhe plane konkrete veprimi. “Do t’i kemi hartëzuar fushat, do të kemi përcaktuar veprimet, do të kemi identifikuar ekipet dhe do të kemi planifikuar financimin, sepse financimi duhet planifikuar paraprakisht”, nënvizon ministrja e Shëndetësisë.
Përtej shëndetësisë, ministrja Sala është shumë e vetëdijshme për sfidat dhe mundësitë në fushën e mirëqenies sociale.
Shqipëria po përgatitet për një hap historik: anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2029. “Këto katër vite janë një moment shumë historik për ne, për t’u përqendruar njëkohësisht si në shëndetësi ashtu edhe në mirëqenie sociale”, deklaron Sala ku një fokus kryesor është përafrimi ligjor, veçanërisht në fushën e mirëqenies sociale.
Kur pyetet posaçërisht për onkologjinë pediatrike, Sala shprehet se “kur them onkologji, kjo përfshin onkologjinë pediatrike dhe sëmundjet hematologjike malinje. Gjithçka.”
Brenda Rrjetit të ardhshëm Kombëtar të Kancerit, tre qendra kryesore do të funksionojnë nën ombrellën e Institutit Onkologjik në Tiranë, Hemato-onkologjia, Onkologjia pediatrike dhe Onkologjia e përgjithshme.
Integrimi i kërkimit shkencor në zemër të sistemit shëndetësor është një prej sfidave shprehet Sala dhe shtyllë kyçe e kësaj strategjie është AI dhe inovacioni i drejtuar nga të dhënat.
“Ne do të inkurajojmë shumë ‘spin-off’ të AI-së të vijnë në Shqipëri dhe të punojnë me ne, sepse do të krijojmë një dataset kombëtar që është mjaft specifik mesdhetar, për sa i përket stilit të jetesës dhe modeleve të sëmundjeve”, deklaron ministrja.
Si një lidere globale në imazherinë onkologjike, Evis Sala pyetet shpesh për një shqetësim që shumë në këtë fushë e kanë në heshtje: A do t’i zëvendësojë AI radiologët?
Ajo përgjigjet pa hezitim: “Nëse do ta rimendoja veten sot, me AI-në që po merr përsipër disa detyra, mendoj se radiologu do të jetë më shumë si një dirigjent orkestre, që orkestron mjete të ndryshme të AI-së”.
Ajo e hedh poshtë kategorikisht idenë se radiologjia si specialitet do të zhduket.
“Geoffrey Hinton e kishte gabim, dhe kjo është provuar, pavarësisht ndikimit të tij në nivel Nobeli dhe mendjes së tij brilante. AI nuk do ta zëvendësojë radiologun. Por me siguri do ta zëvendësojë radiologun që nuk përdor AI”, shprehet Sala.
Mesazhi i saj për brezin e ri është i qartë dhe shkon përtej imazherisë: “Nëse nuk di të përdorësh AI-në, nëse nuk e përdor AI-në, je i vjetëruar. Kjo vlen për onkologjinë dhe për çdo fushë tjetër”.
Sala e sheh AI-në si një forcë çliruese, jo si kërcënim. “Shumë detyra janë të mërzitshme dhe përsëritëse. Kush dëshiron të numërojë më nyjet pulmonare? Të gjitha këto do t’i bëjë AI, e integruar në sistemet tona”, vijon ajo.
Motivimi i saj në krye të Ministrisë së Shëndetësië është të përdorë gjithë përvojën e saj, gati 30 vjet në vende, sisteme shëndetësore dhe rrethana të ndryshme, për të bërë ndryshim në atdhe.
Nëse do të mbahet mend për diçka si ministre, ajo shpreson të jetë për tre fushat që ka zgjedhur si shtylla. “Nëse arrij të bëj ndryshim, bashkë me ekipin, në onkologji, AI digjitale dhe diagnostikë, atëherë do ta kem bërë mirë punën”, shprehet Sala.
Kur pyetet se çfarë do t’u thoshte të rinjve në fillim të karrierës, Sala rikthehet te temat që kanë formësuar jetën e saj: mentorët, lëvizshmëria, rezistenca dhe karakteri. “Duhet ta shihni botën. Ishte një hap i madh kur shkova për felloëship në Sloan Kettering, djali im ishte 11 vjeç. Kur bëra specializimin, ai ishte katër. Është e vështirë, sidomos me familje. Por shihni botën. Mos qëndroni në të njëjtin vend”, apelon ministrja Sala.
Këshilla e saj është praktike dhe filozofike njëkohësisht: ndërto rezistencë; shko dhe shih si bëhen gjërat diku tjetër, si mirë ashtu edhe keq; dhe mëso nga ajo që nuk bëhet mirë, për të mos e përsëritur.
https://oncodaily.com/magazine/evis-sala-albania-minister-of-health-2025
The post Sala për “World Health Voices”: Tre shtylla reforme për të transformuar kujdesin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.