Bergner uron Brahon: SPAK ka forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë
TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner mori pjesë sot në ceremoninë e marrjes së detyrës të Klodian Brahos, si drejtues i ri i SPAK-ut.
Bergner përgëzoi Brahon për marrjen e detyrës si drejtues i SPAK.
Ambasadori gjerman falënderoi ish-kreun e SPAK, Altin Dumani për kontributin e tij në forcimin e qëndrueshmërisë së SPAK kundrejt presionit politik si dhe për vendosmërinë dhe integritetin e tij.
Në një reagim për mediet, Bergner theksoi se “nën drejtimin e Dumanit, SPAK ka bërë përparime në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe ka forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Kjo është vlerësuar edhe në raportet e progresit të BE-së”.
Bergner u shpreh se “lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe garantimi i sundimit të ligjit janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve qendrore dhe një element thelbësor në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, një proces që mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë”.
Ambasadori gjerman kërkoi nga të gjitha institucionet që të përmbushin detyrat e tyre, të ushtrojnë përgjegjësinë dhe të bashkëpunojnë plotësisht për të garantuar llogaridhënien në dobi të çdo qytetari.
“Jemi të lumtur për vijimin e bashkëpunimit me SPAK dhe mbështetjen e Shqipërinë në çdo hap të saj në rrugën drejt BE-së”, tha Bergner.
/k.s/a.f/
The post Bergner uron Brahon: SPAK ka forcuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.