Denoncimi: Kompanitë shqiptare të bulmetit po blejnë qumësht me aflatoksinë për çmim më të lirë
Nga Gazeta ‘SI’- Kryetari i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, ka ngritur alarmin për një praktikë shqetësuese që, sipas tij, po zbatohet nga kompanitë e përpunimit të qumështit në vend. Në një komunikim të drejtpërdrejtë me fermerët, Resuli thotë se ka mësuar se këto kompani kërkojnë të blejnë qumështin që rezulton me prani aflatoksine, por me një çmim më të ulët.
Sipas tij, qumështi i kontaminuar blihet rreth 5 lekë për litër më lirë, ndërsa ajo që mbetet e paqartë dhe thellësisht shqetësuese është destinacioni final i këtij produkti dhe mënyra se si trajtohet më pas.
“Një praktikë e shëmtuar dhe diskriminuese po zhvillohet muajt e fundit nga industria e përpunimit të qumështit, duke shtypur blegtorin shqiptar dhe duke e çuar atë drejt falimentimit. Në rastet kur qumështi rezulton me aflatoksinë, praktika e industrisë është e thjeshtë: ‘ua marrim me 5 lekë më pak’”, shprehet Resuli.
Ai thekson se kjo mënyrë veprimi ngre pikëpyetje serioze për sigurinë ushqimore dhe transparencën e tregut. “Pyetja kryesore është nëse qumështi me aflatoksinë hidhet realisht në qarkullim për qytetarët dhe fëmijët, apo nëse kjo përdoret si një justifikim për të mashtruar blegtorët dhe për t’ua ulur çmimin e blerjes”, shton ai.
Në këtë kuadër, Resuli u bën thirrje publike Autoritetit të Konkurrencës dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) që të ndërhyjnë menjëherë dhe të marrin masa ndaj kësaj praktike, të cilën ai e cilëson si të padrejtë dhe potencialisht të rrezikshme për shëndetin publik.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh duke pasur parasysh faktin se gjatë viteve të fundit AKU ka konstatuar raste kur kompani të përpunimit të qumështit kanë hedhur në treg produkte bulmeti me përmbajtje aflatoksine, një toksinë kancerogjene që dëmton organet jetësore të njeriut.
Po ashtu, raste të përsëritura janë evidentuar edhe në tregtimin e fruta-perimeve, ku janë gjetur mbetje substancash toksike të dëmshme për konsumatorët, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit ushqimor në vend.
The post Denoncimi: Kompanitë shqiptare të bulmetit po blejnë qumësht me aflatoksinë për çmim më të lirë appeared first on Gazeta Si.