Nga Gazeta Si- Kërkesa e Fondit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor (FSDKSH) për të zgjidhur kontratën me rreth 360 farmaci ka sjellë përplasje mes Fondit që i akuzon për fatura fiktive dhe Urdhrit të Farmacistëve, të cilët e cilësojnë si një dënim kolektiv.
Pasditen e kësaj të hëne, një përfaqësi e farmacistëve të penalizuar, janë takuar me përfaqësues të FSDKSH, për të kërkuar tërheqjen e masave penalizuese ndaj tyre.
Por pas 2 orësh, takimi u mbyll pa rezultat. Pas mbledhjes, përmes një peticioni, farmacistët paralajmërojnë se në rast se nuk ka pezullim të vendimeve për mbyllje të kontratave mes tyre dhe FDSKSH, si dhe tërheqje e kallëzimeve penale, ata do të hidhen në grevë.
Farmacistët thonë për Gazetasi.al ,se ky procedim është i pabazuar në fakte e prova dhe se dënimi është kolektiv.
“Ne jemi hallka e fundit e zinxhirit të kontrolleve që shteti duhet të kryente duke nisur nga dogana, tatimet e depot farmaceutike. Si janë ekzekutuar faturat tatimore nga Tatimet kur kanë qenë fiktive?, thotë Eva, e cila ka një rrjet farmacish në Tiranë.
Teksa një grup përfaqësuesish kishin takimin në FSDKSH, të tjerë kanë protestuar jashtë godinës. Ata e cilësojnë vendimin jo të drejtë dhe kolektiv.
Fondi i Sgurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kërkon zgjidhjen e kontratës me afro 360 farmaci që japin barna me rimbursim për pacientët si dhe ndjekjen e procedurave penale për disa prej tyre me argumentin e faturave fiktive për gati 10 barna. Në një procesverbal dërguar nga disa prej farmacive, theksohet zgjidhja e kontratës pa afat.
Urdhri i Farmacistëve e konsideron këtë veprim si një dënim masiv kolektiv pa prova dhe që duhet tërhequr menjëherë nga drejtuesit e Fondit.
Në deklaratën zyrtare, Urdhri thotë se ky vendim përfshin pothuajse të gjitha farmacitë që kanë kontratë me këtë institucion.
“Gjithashtu, ky vendim shkakton kolaps në sistemin farmaceutik me pasoja mbi pacientët që përfitojnë barna me rimbursim. Procesverbalet janë hartuar në mënyrë të njëanshme pa u mbështetur në rregulloren e kontrollit dhe për më tepër procesverbali nuk përmban firmën e titullarit”, thuhet më tej në deklaratën për mediat.
Sipas farmacistëve, shkresa që u është dërguar farmacive, procesverbalet janë paragjykuese, pasi arrijnë drejtpërdrejt në konkluzione për fatura fiktive dhe propozojnë masa ekstreme, si zgjidhje kontrate dhe kallëzim penal, pa një proces të rregullt administrativ si dhe krijon precedent të rrezikshëm, për vazhdimin e marrëdhënies kontraktore Fond-Farmaci.
“Pothuajse të gjitha farmacitë që kanë marrë këto shkresa, janë kontrolluar më parë nga Drejtoritë Rajonale dhe nga vetë Fondi, me inventarizim fizik për barnat përkatëse, pa u konstatuar shkeljet e pretenduara”, – thuhet në reagimin e farmacistëve.
Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar edhe disa takime me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit ku është kërkuar që Fondi të tërhiqet nga procedura e pa bazuar në kontratë dhe rregullore e penalizimeve kolektive por nuk ka pasur një vendimmarrje.
Pas dështimit për të gjetur një marrëveshje të përbashkët Fond-Farmaci, këta të fundit, përmes një peticioni paralajmërojnë greva dhe tubime.
Peticioni i plotë
Ne, farmacistët dhe subjektet farmaceutike të kontraktuara me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përmes këtij peticioni shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe kundërshtimin e plotë ndaj praktikës së ndjekur së fundmi nga Fondi, lidhur me pretendimet për “fatura fiktive” për barnat Trimbow dhe Foster, praktikë e cila ka vënë qindra farmaci përpara faktit të kryer dhe nën kërcënimin e masave ekstreme administrative dhe penale.
Ne vlerësojmë se kjo praktikë:
–është në kundërshtim me rregulloren Nr. 3, datë 22.10.2014, “Për procedurën dhe mënyrën e kontrollit të
dhënësve të shërbimit të kontraktuar me Fondin” dhe kontratën Fond – Farmaci 2024;
–shkel parimet themelore të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe individualizimit të përgjegjësisë;
–denigron figurën profesionale të farmacistit, duke e trajtuar apriori si subjekt abuzues;
–e vendos farmacistin nën presion të vazhdueshëm administrativ dhe psikologjik, duke cenuar ushtrimin e
lirë dhe të qetë të profesionit;
–krijon pasiguri juridike dhe rrezikon seriozisht vijueshmërinë e furnizimit të pacientëve me barna të
rimbursueshme;
–vendos një precedent të rrezikshëm për marrëdhënien kontraktuale Fond–Farmaci.
Ne theksojmë se jemi kundër çdo forme abuzimi dhe mbështesim plotësisht kontrollin ligjor dhe transparent, por nuk mund të pranojmë penalizime kolektive, veprime arbitrare dhe kërcënime penale pa prova të verifikueshme dhe pa një proces të rregullt ligjor.
Për këto arsye, përmes këtij peticioni, KËRKOJMË:
1. Ndërprerjen e menjëhershme të çdo procedure administrative apo penale të nisur mbi bazën e këtyre 2. 3. 4. 5. procesverbaleve.
Kryerjen e çdo kontrolli vetëm në përputhje të plotë me rregulloren dhe kontratat në fuqi, me inventarizim fizik dhe verifikim individual për çdo farmaci.
Garantimin se nuk do të ketë zgjidhje kontratash apo referime penale pa ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe pa prova të pakontestueshme.
Ndërprerjen e çdo praktike ndëshkuese me karakter kolektiv dhe paragjykues.
Parandalimin e shtrirjes së kësaj praktike për barna të tjera.
Në rast se këto kërkesa nuk merren në konsideratë dhe situata vijon pa zgjidhje, farmacistët rezervojnë të drejtën për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, si dhe tubime apo grevë, për mbrojtjen e të drejtave të tyre profesionale dhe kontraktuale.
The post Fondi akuzon 360 farmaci për fatura fiktive, ata paralajmërojnë greva për të hequr ‘dënimin’ appeared first on Gazeta Si.