Në javët e para të këtij viti, të cilat ishin me reshje të vazhdueshme, në Rrapishtë, pjesë e lagjes “5 Maji” të qytetit të Elbasanit, rrugët u mbushën me gropa uji dhe baltë.
Banorët u përpoqën të kalojnë pellgjet me çizme, me fëmijët në krahë ose me biçikleta që mezi lëviznin, të zhgënjyer edhe këtë vit nga premtimet e pambajtura ata theksojnë se kjo situatë përsëritet shpesh.
“Kështu është prej vitesh”, thotë Paqizja, një banore e vjetër e lagjes, duke treguar me dorë rrugën e pashtruar.
“Kemi kërkuar shumë herë, kam folur kudo. Na thonë do ta bëjmë, do ta bëjmë… dhe pastaj heshtje. Vetëm zona jonë është kështu. Pse? Se jemi romë.”
Në këtë zonë të “Rajonit 6,” që prej vitit 2005 banorët dëgjojnë se “rruga do të bëhet”. Kanë bërë kërkesa me shkrim, janë mbledhur gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje (një proces që përfshin qytetarët në përcaktimin e buxhetit) dhe kanë marrë pjesë në takime publike.
“E kemi bërë me qindra herë kërkesën. Duam që këtë rrugën tonë ta bëjnë. Lagjja jonë është katastrofë”, thotë një tjetër banore.
“Kemi 20 vjet që presim të na rregullohen rrugët, të pastrohet Manasderja dhe të kemi më shumë kosha. Që nga 2005 kjo situatë është këtu dhe rrugët shtrohen kudo, vetëm te ne jo”, thotë Kimete Ademi, e cila ka qenë e pranishme në shumë takime me bashkinë për të kërkuar ndërhyrje në sistemimin e rrugëve dhe pastrimit të lagjes.
Në tetor 2025, në shkollën “Qemal Haxhihasani” u zhvillua takimi për buxhetimin me pjesëmarrje për “Rajonin 6.”
Sipas procesverbalit zyrtar, ndër prioritetet e votuara nga banorët e lagjes “5 Maji, Rrapishtë” ishin asfaltimi i rrugëve “Hysen Alikopili” dhe “Kamber Xherija”. Emrat e rrugëve u hodhën në letër dhe kërkesat u renditën si prioritare.
Ndërkohë, Doris Madhi, këshilltare e opozitës në Këshillin Bashkiak, prezantoi peticionin e banorëve me firmat e tyre, i cili iu dërgua me e-mail të gjithë këshilltarëve, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar financimin e rrugëve të kërkuara nga komuniteti rom.
Lagjja Rrapishtë Elbasan/Citizens.al
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, gjatë mbledhjes për miratimin e buxhetit prezantoi listën e investimeve në rrugë dhe infrastrukturë. Ai përmendi edhe rrugët “Xhaferr Belgu” dhe “Hysen Alikopili” si investime të ardhshme.
Megjithatë, sipas një përgjigjeje zyrtare që banorët kanë marrë nga bashkia, disa prej këtyre rrugëve nuk rezultojnë në planin aktual të investimeve.
“Procesi i konsultimit, nëse nuk merren parasysh prioritetet e banorëve, nuk ka vlerë”, thotë Ervis Çota, drejtues i Lëvizjes Rinore Egjiptiane Rome, i cili ka ndjekur të gjitha hapat institucionalë me banorët për të bërë realitet këto investime.
“Kërkesat tona pasqyrohen në listë, por kur vjen puna te fondet, na thuhet se nuk ka plan për investime ose se do të ketë financime nga fonde të tjera dhe jo nga buxheti i bashkisë.”
Ai ka shoqëruar banorët në disa procese vendimmarrjeje, por tashmë bashkë me ta shprehet i zhgënjyer për mungesën e finalizimit të investimit.
Në Rrapishtë, infrastruktura nuk është luks, por nevojë bazike: rrugë të shtruara që të mos përmbyten sa herë bie shi.
“Edhe ne njerëz jemi”, thotë Nazmi Kallku, një burrë i moshuar, duke parë fëmijët që luajnë pranë një pellgu balte. “Nuk duhet të vuajmë kështu.”
Ndërsa kërkojnë rrugë të shtruara dhe kanalizime funksionale, banorët e komunitetit rom në lagjen Rrapishtë ngrenë shqetësime edhe për shkollën e zonës.
Godina arsimore ndodhet në gjendje të degraduar, me infrastrukturë të amortizuar dhe kushte që, sipas tyre, nuk garantojnë një mjedis dinjitoz për fëmijët. Deri më tani nuk ka pasur investim konkret për rikonstruksionin.
Nga ana tjetër, bashkia deklaron se investimet për lagjen Rrapishtë pritet të mbulohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe se së shpejti do të ketë një përgjigje konkrete për ndërhyrjet e planifikuara. Banorët mbeten në pritje, me shpresën se premtimet do të përkthehen në investime reale që do të përmirësojnë jetesën dhe kushtet e arsimimit.
Dhe sa herë bie shi, Rrapishta rikujton se premtimet, pa asfalt dhe pa kanalizime, nuk thahen kurrë.
Ditëve të javës, kodrat e Petrelës vijojnë një përgjumje të gjatë e të heshtur, kryesisht për shkak të mungesës së vizitorëve. Kjo heshtje nis nga ullishtat, vazhdon mbi muret e kalasë dhe humbet në kthesat e rrugicave që lidhin qendrën e fshatit me rrugën kryesore drejt Tiranës.
Në një ditë të kthjellët, kryeqyteti duket pranë. Zhurmat e makinave në rrugën për në Elbasan dëgjohen deri lart. Një horizont vilash, pallatesh dhe kullash gri të kujton se metropoli është vetëm 15 minuta larg. Por në shtigjet e këtyre kodrave, ndjesia e afërsisë humbet shpejt.
Petrela mbetet një vend që duket sikur është gjithmonë pranë diçkaje, një zhvillimi të madh që mbetet në pritje prej kohësh, por që nuk ka ardhur kurrë.
Në hyrje të fshatit, pak pasi kalon restorantet e para, një tabelë e gjelbër e rrëzuar përtokë bën me shenjë për te “Faith Park” (Parku i Besimit). Sipër saj, një tabelë tjetër drejton për te “Kengo Art Park”. Më tutje, dy tabela të tjera të bëjnë konfuz (foto; foto).
Tabelat e rrugës për në Petrelë/Citizens.al
Ato duket se ngatërrojnë edhe vetë banorët, të cilët nuk dinë të thonë me siguri se cila është e saktë, ku është “Parku i Besimit” dhe ku “Kengo Art Park”.
Në fakt, “Parku i Besimit” nuk ekziston, së paku për momentin. Ndërsa “Kengo Art Park” është duke u ndërtuar. Por ka qenë një ditë kur të dy këto emra parqesh ishin i njëjti vend.
Ngjan si lojë fjalësh, por kjo është zanafilla e këtij reportazhi, dy projekte parqesh që ekzistojnë njëkohësisht si ide arkitekturore dhe si paqartësi lokale. Projekte që në prezantime shfaqen futuristike, ndërsa në terren ndeshin rrugë me gropa, mbetje urbane, ndërtime të braktisura dhe një komunitet që nuk ka informacion.
Konkursi ndërkombëtar në një ish-repart ushtarak
Më 11 tetor 2025, një varg makinash me zyrtarë dhe arkitektë të huaj u ngjit në anën perëndimore të Petrelës. Destinacioni nuk ishte kalaja, as restorantet e njohura buzë kodrës.
Ishin kapanonet e një ish-reparti ushtarak, poshtë rrugës “Sheh Mehmet Kuqi”, të cilat prej gushtit 2024 ishin kthyer në kantier ndërtimi për atë që zyrtarisht njihet si “Parku Tematik Kulturor Tirana Art Garden”.
Aty u prezantuan projektet finaliste për thirrjen e Korporatës së Investimeve Shqiptare për “Parkun e Besimit” (Faith Park), një koncept-ide që synon të materializohet në kodrat verilindore mes Petrelës dhe zonës së Përsqopit, një sit arkeologjik ilir.
Pamje nga kodrat e Petrelës/Citizens.al
Sipas konceptit fitues – nga studioja daneze e Bjarke Ingels – “Parku i Besimit” nuk është thjesht park rekreativ. Ai është menduar si hapësirë ndërfetare, një kompleks që përfaqëson bashkëjetesën mes besimeve, një ide që politika shqiptare e përdor shpesh për prezantim ndërkombëtar.
Ingels është një arkitekt i diskutueshëm për impaktin që projektet e tij kanë pasur mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, përfshirë debatin mbi Teatrin Kombëtar dhe kullën “Pixel”.
Ai propozoi zhvillimin e kodrave me një sistem shtigjesh të gjarpëruara bimësie në formën e një “peme të jetës”, që përfshin besimet me vlerat, simbolet dhe konceptet e tyre. Zona, sipas tij, zhvillohet njëkohësisht si park, muze, vend pelegrinazhi, meditimi dhe rekreacioni.
“Një hartë e evolucionit të rrugëtimit shpirtëror të njerëzimit mbi topografinë e këtij shpati mali që përshkohet deri në qiell,” u shpreh Ingels gjatë prezantimit në tetor.
“Kremtojmë harmoninë e besimeve fetare,” vijoi ai teksa në renderë shfaqeshin pemë dhe shkurre tropikale si palma apo frangipani.
Krahas kësaj ideje disi utopike, parashikohen edhe një fshat ekologjik, hotel, bare dhe restorante për akomodim, pra zhvillim imobiliar me një total investimi që kërkon rreth 23.5 milionë euro.
“Kengo Art Park” në fazë ndërtimi, shkurt 2026/Citizens.al
Në renderët e prezantimit, Petrela dukej si një peizazh mesdhetar i kuruar: ndërtesa shumëngjyrëshe të shkrira në relievin e gjelbëruar kodrinor.
Por në terren, në të njëjtën ditë, pranë kapanonit ku zhvillohej konkursi, punëtorët e kompanisë “Salillari” vazhdonin punën për parkun artistik “Tirana Art Garden”, i cili pak javë më vonë kur atë e vizitoi sërish Kryeministri Rama, u prezantua zyrtarisht “Kengo Art Park”, pjesë e një investimi rreth 3.5 milionë euro për transformimin e ish-bazës ushtarake në destinacion kulturor.
Kështu, projekti i së ardhmes “Faith Park” u prezantua mbi një projekt të së tashmes “Kengo Art Park,” që ende nuk ishte realizuar dhe madje ndryshoi emrin pa u hapur – u quajt në nder të arkitektit japonez Kengo Kuma.
“Kengo Art Park” duhej të kishte përfunduar në shkurt, por punimet pritet të zgjasin deri në shtator 2026.
Një projekt që Petrela e mësoi nga televizioni
Në sheshin e vogël pranë kalasë, dy lokalet e vetme kanë punë kryesisht pasditeve, prej muajit të Ramazanit.
Teksa binte muzg, dy burra rreth të pesëdhjetave prisnin që e zonja e një prej lokaleve t’u sillte kafenë. Pasi u prezantuam, i pyeta nëse dinin gjë për “Parkun e Besimit” dhe nëse po, se ku do të zhvillohej.
“E morëm vesh vetëm nga televizori, që erdhi Rama andej poshtë,” tha njëri prej tyre. “Por se ku do bëhet dhe çfarë është fiks, nuk dimë.”
Pak më poshtë, një banor i zonës po krasiste pemët buzë rrugës. Edhe ai nuk e kishte të qartë për çfarë bëhej fjalë për “Parkun e Besimit”.
“Më kanë thënë [se do të bëhet] nga ana tjetër, poshtë, nga ullishtat, afër zip-line,” tregoi ai. “Por s’na ka pyetur njeri, s’dimë gjë.”
Sheshi “Mamica,” Petrelë/Citizens.al
Prej tetorit 2025, askush në qendrën e fshatit nuk kishte informacione të tjera për projektin veç faktit se zonën e kishte vizituar dy herë Rama dhe se vizitat e tij i kishin parë në televizor.
Ky është dhe paradoksi i zakonshëm i zhvillimeve të mëdha në vendin tonë ku komuniteti që preket nga projektet është shpesh i fundit që merr informacion.
Në dokumente, informimi nis pas studimeve të fizibilitetit dhe vijon me konsultimet publike. Në praktikë, ai nis vetëm pasi projekti bëhet lajm në media.
Turizmi që erdhi vetë
Ndryshe nga burrat e fshatit, Xhulio, një i ri në të tridhjetat, e sheh ndryshimin si mundësi. Ai është ndër të kthyerit nga emigracioni dhe prej një viti drejton një biznes turizmi aventuror me ture quadbike në kodrat përreth Petrelës.
“Zona është ideale, me terren të përshtatshëm dhe peizazh fantastik,” thotë ai. “Afër Tiranës, por duket si larg.”
Sipas Xhulios, vizitorët kërkojnë më shumë se një destinacion dhe Petrela mundet t’ua ofrojë atë, pra kalanë, shtigjet, restorantet, natyrën dhe ndjesinë e një përvoje të përzier në një vend të vetëm.
“Sa më shumë aktivitete të ketë, aq më mirë për të gjithë sepse rrit ofertën turistike dhe kohën e qëndrimit të vizitorëve,” thotë ai.
Edhe Xhulio tha se nuk kishte informacion të zgjeruar për projektin, por u shpreh optimist se nëse ndërhyrjet e zotuara bëhen pa dëmtuar mozaikun historik e kulturor të zonës, do të sjellin zhvillim ekonomik.
Sipërmarrja e Xhulios, e cila ndërthur edhe risitë e tekonologjisë me rezervimet online, është në kontrast me hotelet dhe restorantet e kodrave përtej, që kanë mbyllur aktivitetin prej vitesh dhe shfaqen si relike të një turizmi që nuk u konsolidua kurrë.
Rruga ku fillon projekti
Për të parë zonën ku parashikohet ndërtimi i “Parkut të Besimit” duhet të ndjekësh rrugën e Durishtit në verilindje të Petrelës.
Asfalt nuk ka. Segmenti është me çakull dhe në disa pjesë i dëmtuar nga rrëshqitjet e dheut (foto; foto; foto). Anash shfaqen ndërtesa gjysmë të braktisura: dy hotele dhe një tjetër i papërfunduar në majë të kodrës (foto).
Një nga shtigjet e devijuara prej rrëshqitjet e tokës/Citizens.al
Më tej shihen pirgje mbeturinash dhe inerte, ndërsa në thellësi një pjesë e kodrës është zhveshur nga bimësia. Kjo të sjell ndërmend zotimin që Ingels bëri gjatë prezantimit:
“Të gjitha ndërtimet do të bëhen në zona ku ka pasur gërmime. Nuk do të gërmojmë thuajse fare dhe nuk do të heqim asnjë pemë.”
Por të gjitha janë gjurmët e një optimizmi të vjetër, të asaj vale investimesh të viteve 2000-2010 kur Petrela shihej si periferia turistike e ardhshme e Tiranës, por që u tradhtua nga infrastruktura që nuk erdhi kurrë deri këtu.
Sot ato ndërtesa janë monumente të një zhvillimi që nuk u mbështet dhe nuk u materializua.
Dhe pikërisht mbi këtë terren planifikohet një projekt që entuziazmon edhe arkitektë me reputacion ndërkombëtar si Bjarke Ingels, i cili e quan gjendjen aktuale si “një plagë” që duhet shëruar.
Por projekti i parkut përfshin edhe të paktën tetë parcela pronash private, dhe këtu nisin pyetjet kryesore.
Zona e Përsqopit njihet edhe për gjurmë arkeologjike ilire dhe mbetet e paqartë nëse preket zona e mbrojtur apo dhe ajo buferike. Pyetjet për këto shqetësime drejtuar Ministrisë së Kulturës, Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Korporatës së Investimeve nuk morën përgjigje.
Heshtja institucionale shpesh është forma më konkrete e informimit në projekte të tilla.
“Parku i Besimit” është ende një ide. Por në Petrelë ideja duket se ka nisur të ndikojë realitetin përpara se të ekzistojë fizikisht: në biseda, pritshmëri, çmime toke dhe vilash që reklamohen për shitje, si dhe në mënyrën sesi banorët e imagjinojnë të ardhmen.
Mes këtyre dy kohësh, kohës së projektit dhe kohës fizike, do të vendoset nëse vërtetë “Parku i Besimit” do të bëhet zhvillim, apo thjesht një tjetër premtim në rrethinat e Tiranës.
Deri atëherë, tabela e rrugës në Petrelë do të vazhdojë të tregojë njëkohësisht edhe “Faith Park” edhe “Kengo Art Park”, por askush nuk do ta dijë se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri.
Projekti TID i Durrësit duket se ka hyrë në një fazë “stand by”, pavarësisht deklaratave të kryeministrit Edi Rama se ai do të vijojë. Aktualisht po rishikohen jo vetëm vlerat historike të disa objekteve, por edhe çmimet e kompensimit të propozuara për banorët, sipas vlerave të referencës.
Mirëkuptimin për kërkesat e banorëve e ka shprehur edhe drejtuesi i Albanian-American Development Foundation (AADF), Martin Mata, i cili për Citizens.al ka pranuar se fillimisht duhet të adresohen problemet e ngritura, për të siguruar më pas një vijueshmëri të suksesshme të projektit.
Megjithatë, ai ka theksar qartë se përgjegjësia për zgjidhjen e këtyre çështjeve u takon qeverisë dhe Bashkisë Durrës.
Një “Velierë” e dytë mbi Amfiteatër
Në një tur ecjeje me arkitekten Entela Spahivogli dhe urbanistin Artan Kacani, identifikuam disa objekte të cilat, sipas projektit TID (Transformational Integrated Development; Zhvillim Transformues i Integruar), do të shemben, duke u zhdukur përgjithmonë nga historia kulturore e qytetit, ndërsa disa të tjera do të shemben dhe do të rindërtohen – proces, i cili sipas tyre, nuk e kthen dot kurrë sitin në gjendjen fillestare.
Kështu, një objekt që është në listën e shembjeve është “Muri i Periudhës Turke”, i cili, sipas ekspertëve, që në tabelën hyrëse është përcaktuar gabim, pasi në vitin 1502 Turqia nuk ekzistonte si shtet modern.
“Është rasti tipik kur projekti vë gishtin mbi objekte pa studiuar gjendjen faktike”, thekson arkitektja Spahivogli.
Sipas saj, pasi vlera e murit u soll në debat, është përfolur se do të prishet objekti dhe jo muri, dhe ende sot pronarët dhe grupet e oponencës nuk e dinë se çfarë ka ndërmend projekti të bëjë me këtë aset kulturor.
Urbanisti Kacani sjell ndërmend një nga godinat ku jetonteEsat Pashë Toptani, saraje të vendosura në një formë U-je, ku ka shpëtuar vetëm një pjesë e tyre, kurse pjesa tjetër është bombarduar në 1914 nga një oficer i PrincVidi. Edhe kjo godinë historike është planifikuar për shembje.
“Plani i rindërtimit mbi zonën e Amfiteatrit parashikon një llamarinë të madhe hekuri, pak a shumë si Veliera, në të njëjtat dimensione, duke ngulur kunjat mbi zemrën e kishës së vogël, të shek. V, dhe duke krijuar një pasazh për njerëz që kalojnë mbi arenë,” tregon Kacani.
Pamje nga Muri Otoman/Citizens.al
Kacani vijon se ky projekt krijon një “tabula rasa,” (rrafshim/nisje nga e para), pasi nuk dihet se kush do të jenë njerëzit që do të ndërtojnë, se kush do të jenë ata që do të marrin kafenë apo hotelet që do të ndërtohen në lagjen e Amfiteatrit.
“Banorët humbasin banesën e tyre dhe mundësinë që të tregojnë një vijueshmëri urbane, popullore brenda lagjes së Kalasë,” përmbledh ai.
Si erdhëm deri këtu?
Në janar të 2021, postimi i parë në faqen online të AADF-së pasqyron një vizitë në Durrës të Elva Margariti dhe Ervin Matës, të cilët prezantojnë planet e transformimit dhe rivitalizimit.
Leja e zhvillimit e “Rikualifikimit Urban të Parkut Arkeologjik Durrës”, faza e parë, është miratuar me vendim të KKT-së, me firmën e Margaritit dhe të kryeministrit, më 24 nëntor 2021.
Urbanisti Kacani e paralelizon ndërhyrjen në zonën e Amfiteatrit me lagjen 5 Maji në Tiranë, pasi ky rindërtim i fazës së parë është përcaktuar nëpërmjet Planit të Detyruar Vendor dhe i vendosur menjëherë pas tërmetit.
Artana Kacani/Citizens.al
Në mbledhjen e muajit prill 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi vendimin nr. 07 për “Miratimin e Lejes së Zhvillimit për objektin: Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID, e vendosur në Parkun Arkeologjik të Durrësit”, me zhvillues Bashkia Durrësdhe porositës AADF.
AADF ka dhuruar 6.7 milionë dollarë për projektin, projekt i cili në total mendohet se është rreth 24 milionë dollarë dhe pjesa tjetër do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.
Sipas arkitektes Spahivogli, në fazën e parë të TID janë shpronësuar 12 familje, fazë e cila është përmbyllur në vitin 2023.
Në fazën e dytë bëhet fjalë për 74 familje, ku 34 janë banesa dhe diferenca janë troje. Ndërsa në fazën e tretë dhe finale përfshihen rreth 100 familje.
Altin Xhogu, një prej banorëve që kundërshtojnë projektin, i tha Citizens se të treja alternativat e ofruara nga kryeministri Rama në takimin e 14 shkurtit, pra edhe përshtatja e vlerës së kompensimit me çmimet e referencës, ndërtimi i një pallati apo banesat sociale, në thelb janë opsione të imponuara.
Edhe pse banorëve u është kërkuar të lirojnë shtëpitë e tyre në datat 15-16 shkurt, ata shprehen të bindur për të mos i liruar banesat, ndërkohë që situata edhe nga vetë institucionet dhe financuesit duket të ketë mbetur përkohësisht pezull.
Shpresë apo pengesë për UNESCO
“Objektivi për hyrjen e kësaj zone në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar, e bën një detyrim ndërkombëtar,” u shpreh kryeministri Rama në podkastin e tij “Flasim”.
Nga ana tjetër, urbanisti Artan Kacani shprehet për Citizens se projekti TID nuk do ta ndihmojë përfshirjen e Durrësit në UNESCO, përkundrazi.
Sipas tij, lagjja e Amfiteatrit nuk mund të përfshihet në listën e UNESCO-s për kapriço politike, por vetëm mbi bazën e metodologjive shkencore të sakta, të cilat duhet të kërkojnë dhe të dokumentojnë vijimësinë historike të zonës: nga Amfiteatri antik, te banesat mesjetare, më pas periudha e Revolucionit Industrial dhe deri te lufta për pavarësi e popullit shqiptar.
“Shembja e banesave, shembja e vijimësisë së themeleve të këtyre banesave me nëntokën dhe njëkohësisht ndryshimi i morfologjisë urbane do të bëjnë që qyteti nesër jo vetëm të mos njihet, por njëkohësisht të mos ketë asnjë lloj mundësie për t’u futur në dosjet e UNESCO-s,” përmbyll ai.
Në këtë pikë, projekti TID i Durrësit qëndron mes premtimit për “rivitalizim” dhe frikës reale për humbje të pakthyeshme të trashëgimisë urbane dhe sociale të qytetit.
Çdo ndërhyrje rrezikon të kthehet nga projekt zhvillimi në një akt fshirjeje historike, që jo vetëm cenon identitetin e lagjeve të Durrësit, por e largon edhe më shumë qytetin nga çdo pretendim serioz për përfshirje në listën e UNESCO.
Pasi i ofroi për rreth katër muaj mbrojtje politike ndaj kërkesave të SPAK-ut për ta arrestuar, Kryeministri Edi Rama vendosi të enjten të shkarkojë Belinda Ballukun si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ajo ishte e pezulluar me vendim të Gjykatës së Posaçme, vendim i cili mbeti në fuqi pavarësisht ankimit që qeveria i bëri në Gjykatën Kushtetuese.
A u tërhoq vërtetë Rama nga Balluku?
Largimi i Ballukut nga qeveria nuk erdhi si një lëvizje e zakonshme riorganizimi të kabinetit.
Njoftimi u bë pas një mbledhjeje të gjatë me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, të dominuar nga kritikat ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe sistemit të drejtësisë, çka e zhvendosi menjëherë këtë zhvillim nga një vendim administrativ në një zhvillim institucional.
Në të njëjtën mbrëmje, portofoli i Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu besua një figure të re politike apo teknike nga jashtë, por një vartësi të drejtpërdrejtë të Ballukut: Enea Karakaçi, i cili drejtonte Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHE).
Ky detaj është ndoshta më domethënësi. Rama ndryshoi ministren (dhe ministri të tjera), por jo strukturën që drejton sektorin më të madh financiar të qeverisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përqendron projektet më të mëdha publike: rrugët kombëtare, koncesionet, energjetikën, aeroportet dhe portet. Në praktikë, aty kalon pjesa më e madhe e investimeve kapitale të qeverisë, po ashtu edhe kostot politike.
Për këtë arsye, çdo ndryshim në drejtimin e saj zakonisht shoqërohet me ndryshim kursi, qasje të politikave, investimeve, ose rishikim kontratash. Por në rastin konkret, asnjë nga këto nuk ka ndodhur.
Përkundrazi, Balluku lavdërohet edhe në ikje si ministrja më e suksesshme e qeverisë.
Ndaj, vendimi duket më shumë si distancim nga një figurë sesa si rishikim i politikave që drejtonte Balluku, pavarësisht se Rama nuk e shprehu qartësisht këtë gjë të enjten.
Qeveria ruajti aparatin administrativ dhe vazhdimësinë e projekteve, duke lënë të kuptohet se nuk kemi të bëjmë me një përgjegjësi politike për mënyrën e qeverisjes së sektorit, por me një menaxhim të kostos së saj publike.
Kjo përforcohet nga ngritja në postin e ministrit të Mbrojtjes (në vend të Pirro Vengut) të Ermal Nufit, i cili më herët ka qenë drejtor kabineti për zëvendëskryeministren Balluku.
Konteksti i bën këto zhvillime edhe më të rëndësishme. Largimi i Ballukut bëhet në një moment tensioni të hapur mes ekzekutivit dhe SPAK-ut. Për herë të parë, kritikat ndaj drejtësisë nuk kanë qenë thjesht deklarata të izoluara politike, por pjesë e një komunikimi institucional qeveritar.
Në këtë kuptim, lëvizja duket më pak si një reagim ndaj performancës si ministre – vënë seriozisht në diskutim pas dëmtimeve serioze në disa rrugë kombëtare të vendit – dhe më shumë si një reagim ndaj rrezikut juridik që prodhon hetimi penal ndaj saj në nivele të larta.
Pak ditë më parë, qeveria propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që synojnë të kufizojnë pezullimin e zyrtarëve të lartë nga detyra gjatë hetimeve – një prej mjeteve kryesore që SPAK përdori për të parandaluar mundësinë e prishjes së provave nga Balluku.
Me rastin “Balluku”, reforma në drejtësi ka krijuar për herë të parë një rrezik real penal për qeveritarët, dhe politika duket se po përshtatet me këtë realitet të ri.
Ky “lëshim” i Ballukut nga qeveria nuk e zhvesh atë nga imuniteti si deputete. Pra SPAK nuk mund ta arrestojë gjithsesi.
Me këtë zhvillim, qeveria nënkupton se pezullimi apo largimi i saj nga postet e larta janë të mjaftueshme për të mos-penguar hetimet, megjithëse SPAK ka raportuar në Këshillin e Mandateve se dëshmitarë në çështje janë kërcënuar.
Rreth 39,000 persona me aftësi të kufizuar në dëgjim nuk kanë akses të plotë në informacion, edhe pse ligji ua garanton. Sipas raportit të Institutit për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare, problematikë mbetet zbatimi.
“Është një target grup më i vogël, rreth 5 mijë vetë që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin në mënyrë totale dhe kanë nevojë urgjente për interpretë të gjuhës së shenjave jo vetëm në media, por edhe në shërbimet e tjera publike”, u shpreh Danjela Burnazi, drejtuese e Institutit për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare.
Sipas Burnazit, mungesa e aksesueshmërisë shkon përtej medias, në institucione publike, sistemin shëndetësor, atë gjyqësor dhe në jetën e përditshme.
Raporti është bazuar në të dhëna të gjeneruara nga fokus grupet dhe pyetësorët me personat me aftësi të kufizuar në dëgjim, si dhe të dhënat zyrtare nga institucionet. Aktualisht në Shqipëri janë vetëm tre interpretë të licencuar, duke e bërë të vështirë dhënien e këtij shërbimi në të gjitha shërbimet.
Sipas Ardita Kerajt, ekspertja që është marrë me raportin, sipas ligjit nr. 97/2013 për Mediat Audiovizive, ka një detyrim ligjor për transmetuesit audiovizivë për të rritur aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar në dëgjim, duke përfshirë interpretët, titrat apo forma të tjera.
“Që nga vitit 2013 deri sot ka përmirësime, por ka nevojë për më shumë akses në informacion, edhe përtej edicioneve të lajmeve”, u shpreh Ardita Keraj.
Sipas Kerajt, janë katër televizione sikurse RTSH, TV Klan, Top Channel dhe Vizion Plus që japin edicionin e lajmeve me interpretë në ditë të caktuara, dhe këto mbulohen nga vetëm tre interpretë.
Sipas të dhënave të raportit, burimet kryesore të informacionit për personat me aftësi të kufizuar në dëgjim janë televizioni, YouTube dhe rrjetet sociale.
“Megjithatë një numër i madh pjesëmarrësish deklarojnë se informohen përmes familjarëve ose personave të tjerë të afërt”, u shpreh Ardita Keraj.
Ajo çfarë shihet me shqetësim nga pjesëmarrësit në fokus grupe është fakti se nuk ka një orar të qëndrueshëm të transmetimit të lajmeve me interpretë, gjë e cila redukton ndjekjen e rregullt të lajmeve.
Disa nga pjesëmarrësit në fokus grup dhe pyetësorë u shprehën se edhe në ato raste kur ndjekin lajmet me interpretë, madhësia e interpretit në ekran është shumë e vogël për tu parë, ndriçimi është i dobët dhe ritmi i informacionit është i shpejtë.
Në përditshmëri, ata janë shprehur se informohen nga familjarët, duke ndikuar kësisoj në marrjen e informacionit në mënyrë të pavarur dhe kohë reale, ashtu sikurse edhe shpesh të ndikuar nga interpretimi subjektiv për çështje të caktuara.
Televizionet e kanë nisur transmetimin në gjuhën e shenjave në dhjetor të vitit 2023, 10 vite pasi ishte miratuar ligji. Sipas AMA-s në atë kohë, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së interpretëve të gjuhës së shenjave.
Sipas nenit 67, pika 2/dh të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” përfshirja e interpretit të gjuhës së shenjave në edicionet informative është një detyrim ligjor.
Mungesë informacioni në kohë emergjencash
Sipas të dhënave nga raporti vihet re se në media ka mungesë të të dhënave apo informacioneve sa i takon shëndetësisë, programeve edukative, emisioneve sociale si dhe mungesën e interpretëve edhe në seancat plenare dhe institucionet qeveritare.
“Ata deklaruan se mungesa e informacionit të aksesueshëm bën që të ndihen në rrezik, të pasigurt ose të papërgatitur gjatë situatave urgjente” theksoi Keraj.
Për këtë arsye, një ndër sugjerimet kryesore ishte që autoritetet publike dhe mediat të garantojnë komunikim të aksesueshëm në kohë reale gjatë emergjencave, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.
Personat me aftësi të kufizuar në dëgjim u shprehën në fokus grupe se duan një rritje të pranisë së interpretëve në gjuhën e shenjave, sidomos për edicionet infomative ditore, për njoftimet publike dhe programet me interes të gjerë shoqëror.
Ata theksuan nevojën për titra të sinkronizuara dhe të lexueshme, pasi titrat ekzistuese janë të pjesshme, lëvizin shpejt dhe vështirë të ndiqen.
Po ashtu, ata kërkuan përfshirje më të madhe të personave me aftësi të kufizuar në dëgjim në programe televizive, jo vetëm si audiencë përfituese, por edhe si pjesëmarrës aktivë në debate, programe edukative dhe emisione sociale.
Sipas Ardita Kerajt, tanimë hap pozitiv është se një grup studentësh me aftësi të kufizuar në dëgjim po studiojnë gjuhën shqipe të shenjave në Universitetin e Tiranës.
Mirëpo, ka ende një diferencë mes studimit dhe licensimit, pasi duhet shumë punë që të shkosh deri të licensimi.
Citizens.al, ka realizuar një dokumentar dedikuar sfidave të komunitetit të personave që nuk dëgjojnë.
Organizatat “Together for Life”, e cila advokon për mbrojtjen e të drejtave të njeriut i bëri sot thirrje ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale për të reaguar menjëherë dhe me plan konkret për garantimin e shërbimit për pacientët që jetojnë në juglindje, të cilët kanë mbetur të bllokuar për shkak të shembjes së rrugës.
“Bllokimi i këtij aksi ka ndërprerë aksesin e qindra pacientëve drejt shërbimeve të specializuara shëndetësore në Tiranë, duke vënë në rrezik serioz shëndetin dhe jetën e tyre”, thuhet në reagimin e organizatës.
Sipas “Together for Life” më të rrezikuarit nga kjo situatë janë ata që kërkojnë hospitalizim dhe ndjekje të vazhdueshme si për shembull ata që vuajnë nga sëmundje kronike, ata me sëmundje të rënda onkologjikë, dhe ata që kanë nevojë apo kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale.
“Çdo vonesë në trajtim për këto kategori pacientësh përkthehet në përkeqësim të gjendjes shëndetësore, rritje të riskut për ndërlikime serioze dhe, në ndonjë rast, rrezik për jetën”, thuhet në reagimin e “Together for Life”.
Në këtë situatë, organizata i kërkon ministrisë hartimin dhe publikimin urgjent të planit të masave për menaxhimin e situatës.
Në këtë pikë ata kërkojnë mirë-organizim për transport të dedikuar mjekësor për pacientët me trajtime të planifikuar jetike sikurse hemodializa, kimioterapia dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
Po kështu organizata kërkon angazhimin e strukturave të urgjencës kombëtare dhe vendore për garantimin e aksesit të shpejtë në shërbime dhe informim transparent dhe të përditësuar.
Sipas “Together for Life” shëndeti ëshë një e drejtë themelore dhe është detyra e shteitt të garantojë veçanërisht në raste emergjence, askes të plotë në shërbime shëndetësore.
“Në kushtet kur një zonë e tërë e vendit mbetet e izoluar, reagimi institucional nuk mund të jetë i vonuar. Çdo orë dhe ditë që kalon rrit rrezikun real për jetën e pacientëve”, përfundon në reagimin e saj publik “Together for Life”.
Prej fundjavës, rrëshqitja e dherave dhe dëtmimi i një ure në zonën e Dragostunjës ka sjellë bllokimin e rrugës Librazhd-Përrenjas duke ua vështirësuar lëvizjet fshatrave përreth, por dhe qyteteve që përdorin këtë rrugë për të lëvizur drejt Tiranës.
Korça, Pogradeci, Përrenjasi dhe vetë Librazhdi janë vënë përballë zgjidhjeve alternative për të përshkuar rrugë më të gjata dhe të pasigurta, teksa autoritetet nuk kanë mundur të japin ende një bilanc dhe afat konkret se kur mundet që kjo situatë të zgjidhet.
Në segmentin Librazhd-Përrenjas, shtrati i Shkumbinit nuk ngjan më me një ekosistem natyror: makineritë hyjnë vazhdimisht në rrjedhën e tij duke marrë inerte teksa brigjet e lumit janë gërryer.
Mes lejeve, gjobave dhe versioneve kontradiktore të institucioneve, vijon të mbetet e diskutueshme nëse pasojat janë vetëm mjedisore apo mund të ndikojnë edhe në infrastrukturë dhe projekte madhore siç është projekti i zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
Deklaratat kontradiktore të institucioneve
Zyrtarisht, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) i ka thënë Citizens.al se në basenin e Shkumbinit janë të pajisura me leje vetëm tre kompani, Alb-Building, ANK dhe 4A-M, me afat deri në tre vjet dhe se për këto subjekte nuk janë konstatuar shkelje.
Megjithatë raportime nga banorë dhe organizata lokale të mjedisit kanë ngritur disa herë shqetësimin për ndërhyrje abuzive në shtratin e lumit dhe pasojat e mundshme që ky aktivitet mund të shkaktojë.
Por, në një deklaratë për mediat, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, nxitoi të theksonte se dëmet në urën e Dragostunjës nuk lidheshin me këto pretendime.
Ai tha se pas verifikimeve të bëra nga autoriteti i tij, ka rezultuar se kompanitë që kanë marrë përsipër punimet në atë zonë kanë pasur leje shfrytëzimi me dokumentacion të plotë dhe se “ndërhyrjet kanë qenë të rregullta sipas koordinatave të caktuara”.
Kuzeli deklaroi se analizat paraprake të kryera tregonin si shkaqe kryesore të rrëshqitjes reshjet intensive, erozionin dhe saturimin e masivit të tokës.
Megjithatë, në një përgjigje për Citizens.al, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka pranuar se për projektin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë janë konstatuar edhe shfrytëzime inertesh pa leje.
“Nga inspektimi i kryer rezultoi se subjekti Geci sh.p.k. shfrytëzonte inerte nga shtrati i lumit Shkumbin pa lejen përkatëse nga organet e administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore”, tha AKM për Citizens.al, por pa specifikuar datë dhe vendndodhje.
Për këtë shkelje ndaj kompanisë është vendosur gjobë prej 1 milion lekësh dhe pezullim urgjent i veprimtarisë së marrjes së inerteve lumore.
Citizens.al kërkoi të dhëna shtesë. Në pritje të një përgjigje zyrtare, rasti tregon gjithsesi se institucionet kanë qenë në dijeni të ndërhyrjeve abuzive në lum.
“Problemi nis te përzgjedhja e pikës së shfrytëzimit të inerteve”
Për ekspertin e mjedisit dhe drejtuesin e ECO Albania, Olsi Nika, problemi është më i thellë sesa një rast i izoluar shfrytëzimi pa leje.
“E para është mënyra se si përcaktohen pikat [koordinatat] ku merren inertet. Që këtu fillon problemi”, thotë ai, duke theksuar se leja mjedisore jepet nga AKM, ndërsa leja për marrjen e inerteve nga AMBU përmes Këshillave të Basenit Lumor.
Foto nga marrja e inerteve në lumin Shkumbin/Citizens.al
“Të dyja këto institucione nuk janë të specializuara si Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore [AKBN] se kemi të bëjmë me shfrytëzim burimesh dhe normalisht do të duhej të ketë ekipe [ekspertize] të përbëra më së shumti nga gjeologë”, analizoi Nika për Citizens.al.
Sipas tij, në praktikë kompanitë kanë aplikuar për shfrytëzim inertesh pranë kantierit të rrugës ku po punojnë për të minimizuar kostot e transportit nga një vend më i largët.
“Pra, për shembull: do të ndërtojmë rrugën në Pishkash dhe inertet do t’i marrim në Pishkash. Kjo bëhet gjithmonë për të ulur kostot. Që këtu nis problemi i parë”, argumentoi më tej Nika.
Material i gabuar për qëllim të gabuar
Një tjetër kritikë lidhet me përdorimin e zhavorrit të lumit për ndërtimin e trasesë së rrugëve automobilistike.
“Nuk përdoret zalli i lumit për shtresën bazë të rrugëve, sepse nuk krijon stabilitet dhe rruga rrëshqet. Edhe qëllimi përse merren është i gabuar. Edhe po të copëtohet, materiali i lëmuar nuk krijon stabilitet”, shpjegon drejtuesi i ECO Albania.
Sipas Nikës, përzgjedhja e pikave është problematike, pasi marrja e inerteve është bërë në zona delikate të lumit.
“Shpesh nuk zgjidhen zonat ku lumi depoziton më shumë inerte, por në zona të [rrezikuara] të gërryerjes”, tha ai.
Nika shton se sasia e inerteve është po aq e rëndësishme dhe kërkon përfshirjen jo vetëm të gjeologëve, por edhe të hidrologëve.
“Nëse merret më shumë material sesa lumi është në gjendje të rikuperojë, prishet balanca natyrore mes sedimentit që lumi sjell dhe atij që hiqet”, theksoi eksperti i mjedisit.
Sipas tij, në zonat e Librazhdit dhe Përrenjasit lumi i Shkumbinit e ka të vështirë rikuperimin, ndryshe nga Elbasani ku ka më shumë energji transportuese të sedimenteve.
Biodiversitet i dëmtuar
Ndërhyrjet në shtratin e lumit të Shkumbinit kanë shkatërruar habitatet dhe kanë prishur vazhdimësinë ekologjike të lumit.
“Nga Librazhdi në Përrenjas është një korridor natyror migrimi për specie si trofta dhe ngjala, të cilat lëvizin sipas rrjedhës dhe kundër-rrjedhës për ciklin jetësor. Ky korridor është ndërprerë”, shpjegon me shqetësim Nika.
Përveç ndërhyrjes për të marrë inerte, gërryerja e sedimenteve ka sjellë edhe thellimin e shtratit të lumit.
“Lumi thellohet duke humbur lidhjen gjatësore dhe tërthore, që ndikojnë drejtpërdrejt në biodiversitet: te peshqit, bimët, gjitarët dhe fauna që jeton në zall”, përfundoi ai.
Zyrtarisht, 26 organizata i kanë kërkuar qeverisë ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e lumit Shkumbin.
Sipas tyre, ndërhyrjet kanë ndryshuar morfologjinë natyrore të lumit, kanë ulur shtratin dhe kanë rritur shpejtësinë e rrjedhës, duke destabilizuar brigjet dhe tokat përreth.
Më herët, Citizens.al dokumentoi me pamje ndërhyrjet në shtratin e lumit dhe paralajmëroi për pasoja të pakthyeshme në biodiversitet.
Prej më shumë se katër muajsh, mbi dy mijë monopatina janë konfiskuar nga Policia e Shtetit, sipas vendimit të 13 tetorit 2024 të Ministrisë së Brendshme. Të mërkurën, “Qëndresa Qytetare” mbajti protestën e dytë kundër kësaj vendimmarrjeje, e cila vijon të penalizojë qytetarët në transportin e përditshëm.
Edhe pse autoritetet kishin premtuar masa konkrete për rregullimin e këtij sektori, përfshirë hartimin e një kuadri ligjor, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim i dukshëm nga institucionet përgjegjëse.
Kjo mungesë reagimi ka lënë qytetarët në pasiguri dhe konfuzion, ndërsa situata në terren mbetet e pandryshuar, me konfiskime të vazhdueshme dhe pa alternativa reale për transportin e përditshëm.
Një qytetare në protestë i tha Citizens se familja e saj ka pësuar rreth një milion lekë të vjetra dëm, për shkak të “rrëmbimit,” siç e cilësoi ajo, të dy monopatinave nga ana e policisë: një herë nipit dhe së fundmi vajzës së saj.
“Ministria gënjeu”
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” përgënjeshtroi ministren Albana Koçiu, e cila kishte deklaruar se monopatinat do të mbaheshin të konfiskuara vetëm për 30 ditë dhe më pas do të ktheheshin.
“Na tha se do të nxirrte rregulla që të mbani skafandër, që të ulni shpejtësinë. Mashtrim!” pohoi Xhemollari.
Ai shpjegoi gjithashtu se çështja e shumëdebatuar e faturave është e pavërtetë. Sipas ministrisë, qytetari duhet të jetë i pajisur me faturën e mjetit për ta rimarrë, por Xhemollari theksoi se, sipas ligjit, fatura kërkohet vetëm në një distancë prej 30 metrash nga dyqani.
Protesta qytetare u mbështet edhe nga përfaqësues të partive politike. Erald Kapri nga Partia Mundësia pohoi se ai personalisht ka depozituar një projektligj në Parlament, sipas praktikave të vendeve evropiane.
Ndërsa avokati i “Drejtësisë Sociale”, Gentian Sejrani, theksoi se i gjithë procesi është ndërmarrë dhe ka vijuar në paligjshmëri. Sipas tij, bllokimi i patinave ka nisur më datë 9, ndërsa udhëzimi i ministres është publikuar në Fletoren Zyrtare më 13 tetor.
“Të na sqarojë qartë Ministria se cila është arsyeja e bllokimit të monopatinave: është motiv ligjor apo infrastrukturor?” pyeti Sejrani.
Në protestë u ironizua edhe situata e bllokimit të rrugëve dhe lëvizja e kryeministrit me helikopter, ndërsa qytetarëve u kërkohet të ecin në këmbë.
“Përfaqësoj një biznes të vogël për riparimin e skuterave elektrikë dhe, logjikisht, duhet të marrim kredi, sepse një ditë të bukur, pa asnjë lajmërim paraprak, ministria pezulloi aktivitetin tonë,” tha një vajzë gjatë protestës.
Monopatinat problem, vetëm kur përdoren pa rregulla
Sipas të dhënave të një ankete të zhvilluar nga Citizens.al me 40 qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga aksioni policor, 90% e tyre e përdornin monopatinën për lëvizje të përditshme drejt punës, ndërsa 10% për shërbime delivery.
Kjo tregon se këto mjete janë kthyer në një alternativë reale transporti urban.
Shumica e të anketuarve (59%) raportuan se gjatë bllokimit nuk iu dha asnjë dokument zyrtar, ndërsa 65% u ndaluan në orët e mëngjesit, rrugës për në punë, duke e bërë ndërhyrjen një goditje direkte në rutinën e tyre të përditshme.
Pothuajse të gjithë (90%) e konsideruan aksionin të tepruar dhe të padrejtë, ndërsa asnjë nuk e vlerësoi si të drejtë apo të nevojshëm, çka nxjerr në pah hendekun mes perceptimit qytetar dhe justifikimeve institucionale.
Mungesa e monopatinës ka sjellë kosto të shtuara në kohë dhe para për 93% të të anketuarve, të cilët janë detyruar të përdorin transportin urban, ecjen apo taksitë.
Ndërkohë, 62% besojnë se monopatinat bëhen problem vetëm kur përdoren pa rregulla, ndërsa vetëm 20% i shohin si rrezik serioz. Në të njëjtën linjë, shumica mbështesin përdorimin e tyre në korsitë e biçikletave, por me kufizime dhe rregullore të qarta.
Bllokimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë, pranë Dragostunjës në Librazhd, ka nxjerrë në pah varësinë e pothuajse gjithë juglindjes së vendit nga një korridor i vetëm rrugor.
Prej fundjavës, rrëshqitja e dherave dhe dëmtimi i urës në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” ka ndërprerë lidhjen kryesore me Tiranën për Korçën, Pogradecin, Prrenjsin, Librazhdin dhe rrethinat e tij.
E njëjta zonë është edhe pjesë e punimeve të Korridorit VIII. Ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin kanë krijuar tension mjedisor dhe social, të raportuar më herët nga Citizens.al dhe organizatat mjedisore.
Por, si arrihet sot juglindja nga kryeqyteti dhe anasjelltas? Banorët e zonave pranë vendit ku ndodhi shembja, por dhe linjat e udhëtarëve dhe transportit të mallrave po përballen me kosto dhe kohë më të larta udhëtimi.
Më poshtë Citizens.al sjell disa nga alternativat që po përdoren aktualisht për të qasur juglindjen me Tiranën.
Duhet theksuar se shumica e rrugëve alternative janë në gjendje të vështirë, nuk përballojnë fluksin e shtuar dhe ofrojnë pak ose aspak siguri dhe mbështetje për: pika karburanti, vende pushimi apo shërbime bazë përgjatë udhëtimit.
Rruga juglindore dhe devijimi lokal
Korçë-Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan-Tiranë
Kjo është ndër rrugët më të përdorura aktualisht. Distanca është rreth 170 kilometra dhe mund të përshkohet për 3-5 orë udhëtim në varësi të fluksit të trafikut.
Segmentet malore dhe kthesat e shumta, sidomos në zonën e Moglicës, e bëjnë të lodhshme dhe të rrezikshme, veçanërisht gjatë natës.
Rruga nga Moglica dhe alternativa tjetër me devijimin nga fshatrat e zonës.
Ndërkohë po përdoret edhe një devijim përmes fshatrave lokal dhe vijimit përgjat një segmenti të ish-rrugës “Egnatia”.
Kjo rrugë devijon nga aksi kryesor për të shmangur Dragostunjën dhe urën e dëmtuar. Nis nga Librazhdi, kalon nga fshatrat si Spathari, Dardha dhe del në Hotolisht, me një gjatësi rreth 170 kilometra dhe kërkon rreth 4-6 orë udhëtim.
Pjesa e devijimit ka rrugë të ngushta, të paasfaltuara, me çakull e baltë dhe pjerrësi të forta. Përdoret kryesisht nga automjetet private, por tashmë po krijon radhë të gjata dhe trafik të rënduar.
Konsiderohet alternativa më e sigurt për të shmangur segmentin Qafë Thanë-Elbasan (dhe anasjelltas). Në praktikë është një “devijim kombëtar”: juglindja lidhet me Tiranën përmes jugut të vendit.
Ajo parashikon rreth 370 kilometra rrugë e cila mund të përshkohet për rreth 6-8 orë udhëtim.
Rruga nga jugu dhe me kalimet nga RMV.
Megjithëse relativisht e sigurt, distanca dhe koha është thuajse e dyfishtë duke e bërë pak të konsiderueshme për udhëtarët.
Ajo këshillohet për autobusët interurbanë, mjetet e rënda dhe udhëtimet jo urgjente.
Rruga ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut
Korçë-Pogradec-Qafë Thanë/Tushemisht-Strugë/Ohër-Dibër-Bllatë-Rruga e Arbrit-Tiranë
Kjo rrugë prej rreth 220-240 kilometrash mund të përshkohet për 4-6 orë udhëtim.
Konsiderohet alternativë praktike, por njëkohësisht si një treguese e fortë e situatës: për të shkuar në Tiranë nga Korça duhet të dalësh jashtë Shqipërisë.
Kalimi bëhet nga pikat kufitare të Qafë Thanës ose Tushemishtit drejt Strugës apo Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe rikthimi në Shqipëri nga Bllata, për të vazhduar në Maqellarë dhe më pas në Rrugën e Arbrit.
Ia vlen vetëm nëse rrugët e tjera janë të mbingarkuara dhe udhëtarët kanë dokumentet e nevojshme. Në orët e pikut, pritjet në doganë e bëjnë kohën e mbërritjes të paparashikueshme.
Alternativat e rrugëve më sipër nuk janë thjesht një lajm për trafikun, por panoramë e qartë se planifikimi i zhvillimit të infrastrukturës në vend ka probleme serioze.
Një korridor kombëtar i shoqëruar me projekte strategjike të zgjerimit hasi dëmtime dhe rrëshqitje dherash aq sa të izolojë një rajon të tërë.
Prej më shumë se një dekade në Tiranë ndërtohet me ritëm shumë të lartë. Qyteti është kthyer në një kantier të përhershëm me miliona metra katrorë të rinj çdo vit.
Kullat shumëkatëshe dhe komplekset rezidenciale kanë ndryshuar fizionominë e kryeqytetit, ndërsa ndërtimi është bërë një nga motorët kryesorë të ekonomisë lokale.
Por përtej këtij zhvillimi, të dhënat e censit 2023 tregojnë një realitet më kompleks. Popullsia brenda bashkisë Tiranë ka rënë me rreth 30 mijë persona, duke ngritur pyetjen: për kë dhe për çfarë ndërtohet në këtë zonë?
Vetëm 8% e qarkut jeton në banesa të reja
Sipas Censit 2023, qarku Tiranë, ku përfshihen bashkia Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë, ka 321,821 njësi banimi, nga të cilat 85,475 janë bosh.
Pjesën më të madhe të banesave bosh e ka Tirana me 52,871 të tilla, më pas Kavaja me 21,765, Kamza me 4,151, Rrogozhina me 4,872 dhe Vora me 1,798 banesa bosh.
Nga totali prej 236,364 njësish të banuara në rang qarku, pjesa më e madhe e apartamenteve dhe shtëpive ku jetohet janë ndërtuar në periudhën 1981-2010. Në njësitë e ndërtuara pas vitit 2016 jetojnë vetëm 18,474 banorë, ose rreth 7.8% e totalit.
Për ekspertin e ekonomisë Pano Soko kjo shpjegohet me çmimet e larta të ndërtimit të ri, që e mbajnë të papërballueshëm për pjesën më të madhe të popullsisë.
“Çmimet e larta kanë shërbyer si një seleksionues natyror, ku shumica kanë mbetur jashtë”, thotë Soko.
Censi i vitit 2023 përveç numrit të banesave të banuara dhe bosh jep edhe vjetërsinë e ndërtesave, por Instituti i Statistikave e ka publikuar këtë informacion vetëm në nivel qarku.
Citizens.al i kërkoi INSTAT-it të dhëna në nivel bashkie dhe njësie administrative, por pas komunikimeve me institutin dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit, na u tha se të dhënat janë ende në përpunim dhe se do të na vihen në dispozicion vetëm pasi ky proces do të ketë përfunduar.
Kërkuam gjithashtu informacion mbi vendndodhjen dhe periudhën e ndërtimit të banesave bosh, por edhe ky informacion nuk u vu në dispozicion me të njëjtin argument.
Censi rrëzoi propagandën
Në dekadën e fundit në Tiranë janë miratuar rreth 10 milionë metra katrorë ndërtim, duke e kthyer kryeqytetin në një kantier të madh dhe ekonominë e saj të varur nga industria e ndërtimit.
Në vitin 2015, pak para se të zgjidhej kryetar bashkie, Erion Veliaj deklaronte si ambicie personale:
“Nuk kam ndërmend të hyj në histori si një njeri që dha pallate; dua të mbahem mend si një njeri që punoi për ta kthyer qytetin në normalitet dhe si njeri që ndërtoi më shumë parqe sesa pallate.”
Por sot, shifrat janë kokëforte, kantiere ndërtimi hapen thuajse çdo ditë në çdo njësi administrative të Tiranës, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën reale të këtij ritmi ndërtimi.
Argumenti i kryetarit të Bashkisë – i cili prej shkurtit 2025 ndodhet në paraburgim si i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash – ka qenë se Tirana shtohej me 20-25 mijë banorë çdo vit dhe se ndërtimi ishte i domosdoshëm për të frenuar rritjen e çmimeve.
Në kulmin e këtij debati, në vitin 2023, Veliaj do të shprehej se lejet jepeshin bazuar mbi kërkesat e tregut.
“Numri i metrave katrorë të ndërtuara në Tiranë, përputhet proporcionalisht me numrin e rritjes së banorëve të Tiranës,” theksonte Veliaj, “Ka kërkesë, por ka edhe ofertë, të dyja duhet të ecin paralelisht.”
“Tiranës nuk i vëmë dot traun për këta 20-25 mijë qytetarë që na bashkohen çdo vit, as s’e ndajmë dot në vendas dhe të ardhur, sepse ajo është gjuhë raciste e viteve ’90 që nuk duhet të ekzsitojë më,” shprehej Veliaj për idenë e “një qyteti të mirë për të gjithë.”
Por paradoksalisht çmimet e banesave janë rritur pavarësisht rritjes së sipërfaqes së dhënë për ndërtim.
Sipas Pano Sokos, prirja nuk lidhet më me nevojat e tregut, por me ekonominë informale:
“Pastrimi i parave e la kërkesën natyrore për apartamente të qytetarëve të paplotësuar, jo për shkak të mungesës së ofertës, por për shkak të çmimeve të larta,” thotë ai.
Sa banorë shtohen dhe sa apartamente ndërtohen
Deklaratat e kryebashkiakut Veliaj për flukset e zhvendosjeve rezidenciale në Tiranë me nga 20-25 mijë qytetarë, ndodhnin në një kohë kur nuk kishte të dhëna të pavarura.
INSTAT-i botoi të dhënat e censit vetëm në vitin 2023. Këto të dhëna krahasuar me vitin 2011 tregojnë se popullsia e bashkisë Tiranë është rritur me rreth 40 mijë banorë.
Kjo do të thotë një mesatare prej rreth 3,500 banorë në vit. Me një mesatare familjare, rreth 1,500 apartamente në vit do të mjaftonin për akomodimin e tyre – totali në 10 vite, rreth 15,000 apartamente.
Por për këtë periudhë nga censi rezulton se janë shtuar rreth 51,854 njësi banimi të reja. Prej tyre 38 mijë janë të banuara dhe rreth 13,800 bosh.
Kështu, në praktikë, për çdo banor të ri që i është shtuar Tiranës është ndërtuar diçka më shumë se një apartament.
Ilustrim grafik të kullave rreth qendrës dhe lartësitë e tyre.
Bie popullsia në qendër, rritet në periferi
Presioni më i madh i ndërtimit në kryeqytet është përqendruar në katër zona: Tirana brenda Unazës së Madhe, Kashari, Dajti dhe Farka.
Që nga viti 2011, Dajti është rritur me rreth 15 mijë banorë, Kashari me rreth 46 mijë dhe Farka me rreth 14 mijë banorë.
Kashari dhe Dajti konsiderohen si zonat periferike me çmime më të arsyeshme, ku zhvendosen familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Ndërsa Farka, përkundrazi, është kthyer në zonë elitare rezidenciale me vila dhe rezidenca luksoze.
Sipas Pano Sokos, qytetarët po shkojnë drejt periferisë për shkak të çmimeve dhe përpjekjes për të gjetur një jetë më të qetë në kryeqytet.
Por, ndërkohë, popullsia e Tiranës brenda zonës qendrore të saj – ish-bashkia e vjetër deri në reformën e vitit 2014, e njohur rëndomtë si vija e verdhë, – ka rënë me 29,172 banorë.
Pra, pikërisht në zonën ku po ndërtohen më shumë kulla, numri i banorëve po zvogëlohet.
Kjo ngre pyetjen thelbësore: kush po blen dhe për kë po ndërtohet në qendër kur zona është zbrazur me rreth 30 mijë qytetarë në 12 vitet e fundit?
“Ndërtimi në qendër duket se është vënë në funksion të pastrimit të parasë gri. Nuk ka më kërkesë natyrore për strehim; ka kërkesë për kthimin e parave ‘cash’ në beton sepse besojnë se janë më të sigurta ashtu,” thotë Soko.
Njëzet e gjashtë organizata mjedisore kanë kërkuar, përmes një letre të hapur, marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e mjedisit nga ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin.
Letra është shtyrë nga organizatat “AlbNatyra”, EcoAlbania, Qendra LUMI, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) etj.
Organizatat shprehin shqetësim për ndërhyrjet e kryera në lum në kuadër të punimeve për ndërtimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
“[…] gjatë zbatimit të punimeve janë evidentuar raste ku subjektet kontraktore shfrytëzojnë materiale inerte nga shtrati dhe/ose brigjet e lumit Shkumbin, duke shkaktuar ndryshime të drejtpërdrejta në morfologjinë e tij, si dhe depozitojnë dhera, gurë dhe materiale të përftuara nga gërmimet në shtratin e lumit”, thuhet në letrën drejtuar qeverisë shqiptare, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Autoritetit të Basenit Ujëmbledhës të Shkumbinit.
Organizatat i bazojnë pretendimet në vëzhgime në terren, raportime nga komunitetet lokale dhe dokumentime me foto dhe video.
Sipas tyre, këto ndërhyrje sjellin përkeqësim të cilësisë së ujit, dëmtim të biodiversitetit dhe të habitateve natyrore për shkak të rritjes së turbullirës dhe sedimenteve.
“Duket qartë që lumi ka pësuar një ulje të shtratit më shumë se 1m dhe si rezultat është bërë më i rrëmbyeshëm,” thuhet në letrën e hapur, teksa theksohet se shumë toka kanë pësuar rrëshqitje masive, deri në rrezik potencial për fshatrat përreth.
Grupi i organizatave e konsideron situatën një katastrofë mjedisore me ndikim të drejtpërdrejtë në biodiversitet dhe ekosistemin natyror.
Rrëshqitja e tokës në segmentin e rrugës kombëtare Librazhd-Prrenjas, në zonën e Dragostunjës, sipas tyre, përforcon shqetësimin për ndërhyrjet në brigjet e lumit Shkumbin.
Ndërhyrjet thuhet se kanë ndryshuar morfologjinë natyrore të lumit, kanë ulur shtratin dhe kanë rritur dinamikën e rrjedhës, duke destabilizuar brigjet dhe tokat përreth.
Organizatat rendisin një sërë shkeljesh të mundshme të legjislacionit shqiptar, duke përfshirë Kushtetutën, ligjin për burimet ujore, mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetin, lejet mjedisore, menaxhimin e mbetjeve inerte si dhe parimet e transparencës dhe pjesëmarrjes publike.
Ato kërkojnë që autoritetet të monitorojnë dhe dokumentojnë mospërputhjet e ndërhyrjeve në terren sa i takon vendndodhjes, koordinatave, volumeve dhe periudhës së lejeve, si dhe të verifikojnë moszbatimin e detyrimeve për rehabilitim dhe nënkontraktimet e paautorizuara.
Mes të tjerash, organizatat kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve të paligjshme, monitorim të cilësisë së ujit dhe publikimin e rezultateve, rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara, si dhe transparencë dhe akses në dokumente.
“Mbrojtja e lumit Shkumbin është një përgjegjësi institucionale dhe shoqërore”, përfundon letra publike.
Prej mesditës së të shtunës qarkullimi në rrugën kombëtare Librazhd-Pogradec në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës” është bllokuar, bashkë me të dhe qarkullimi për në juglindje, duke përfshirë Pogradecin dhe Korçën.
Shkak është bërë rrëshqitja e dherave dhe dëmtimi i një prej urave në këtë zonë, duke e bërë të pamundur kalimin e makinave. Kjo situatë shkaktoi kaos, konfuzion të qytetarët dhe pritje të gjata.
Izolimi i juglindjes
Paralajmërimi i parë për situatën në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës” në Drogostunjë të Librazhdit u bë pasditen e së enjtes, më 19 shkurt, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi për thellim të çarjeve të vjetra të rrugës dhe çarje të reja, duke e bërë të pasigurt për t’u kaluar.
“Duke filluar që sot [19 shkurt], në koordinim dhe me policinë, do të ketë kufizim të lëvizjes me një korsi në vendin e rrëshqitjes, duke vendosur semafor për disiplinimin e trafikut”, u shpreh ARRSH.
Por situata u përkeqësua. Më tej, në mëngjesin e së shtunës, më 21 shkurt, u njoftua për një gjendje më të rëndë, e cila solli ndalim të qarkullimit të autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë.
Sidoqoftë, njoftimi nuk mundi të parandalojë radhët e gjata të mjeteve që ktheheshin nga zonat turistike të Librazhdit, Pogradecit dhe Korçës duke shkaktuar shqetësime, kaos dhe nervozizëm ndër udhëtarët.
Në drekën e po të njëjtës ditë, pra të shtunën, ARRSH-ja lajmëroi për ndalim qarkullimi të plotë të të gjitha mjeteve.
Deri në stabilizimin e plotë të situatës, autoriteti udhëzoi përdorimin e rrugës Maliq-Lozhan-Moglic-Gramsh-Elbasan.
Për veturat u ofrua alternativë rruga: Maliq-Lozhan-Strelc-Gramsh-Elbasan si dhe Qafë Thanë-Pogradec-Korçë-Leskovik-Përmet-Tepelenë.
Ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë u dha si zgjidhje kalimi për nga Maqedonia e Veriut (RMV) përmes pikave doganore Qafë Thanë-RMV-Bllatë-Rrugë e Arbrit.
Situata e rrëshqitjes së dherave përshkallëzoi më tej të dielën pasi rruga u bë e rrezikshme edhe për këmbësorët.
Autoritetet nisën punët për hapjen e një kalimi të përkohshëm dhe lajmëruan se ai do të mund të ishte gati të hënën, por fillimi i kësaj jave ka sjellë përkeqësime të tjera duke e bërë sërish të pakalueshme rrugën.
“Ka një përkeqësim të vazhdueshëm. Në mëngjes [ura] ishte spostuar 27 cm, aktualisht është 29 cm. Poshtë urës po thërrmohet betoni, kështu që jemi të detyruar të bllokojmë totalisht rrugën edhe për mjetet normale”, tha kreu i ARRSH-së Ami Kozeli për mediat.
Për momentin sitauta mbetet pa zgjidhje. Kalimi i përkohshëm që po punohej rishtazi pësoi rrëshqitje për vete dhe u fundos duke e bërë të pamundur për qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve.
Autoritetet kanë theksuar se situata e rrëshqitjeve nuk ka lidhje me pretendimet për abuzime në marrjen e inerteve në shtratin e lumit Shkumbin, megjithëse aktivistë të ndryshëm të mjedisit e kanë konsideruar atë si “shkak-pasojë”.
Sipas Kuzelit, kompanitë kontraktore që kanë marrë përsipër të zgjerojnë rrugën Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Koridorit VIII, janë me dokumentacion të rregullt.
“M’u konfirmua që koordinatat e dhëna në leje janë të sakta, ashtu sikundër edhe leja e shfrytëzimit [të lumit për inertet]e ka të gjithë dokumentacionin e rregullt”, u shpreh Kozeli.
Prokuroria e Elbasanit njoftoi të dielën se po heton mbi dyshime të mundshme veprash penale që kanë sjellë dëmtimin dhe bllokimin e rrugës Librazhd-Pogradec. Prokuroria tha se po heton për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tenderë, shkatërrim rruge dhe toke.
Rama: Fatkeqësi natyrore
Ndërsa juglindja ishte e bllokuar, Kryeministri Edi Rama udhëtoi të hënën drejt Korçës, jo nga toka, por nga ajri: me helikopter. Ai e arsyetoi këtë fluturim me shoqërimin e një grupi investitorësh në fushën e arsimit të lartë për t’i prezantuar sikurse tha kryeministri “hapësirat e Polit të Dijes në Korçë”.
Sipas Ramës duhet “një ligësi e madhe” për t’ia faturuar qeverisë problematikën e “një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror”.
“Ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatës”, theksoi nga ajri Kryeministri në platformën “X”.
Foto e shpërndara nga Kryeministri Rama në platformën X
Sipas tij, udhëtimi me helikopter ishte planifikuar dhe do të kryhej edhe nëse nuk do të ndodhte fatkeqësia natyrore. Si në çdo situatë tjetër të ngjashme, edhe këtë rast nuk mungoi paralelizmi me një ndodhi në një shtet tjetër.
‘Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar,” shkroi Rama, “por nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë”, shtoi ai.
Izolimi prek edhe Librazhdin dhe Prrenjasin
Ndërsa vëmendja është e përqendruar te izolimi i qyteteve kryesore turistike të juglindjes si Pogradeci dhe Korça, të cilat gjatë fundjavave kanë numër të lartë vizitorësh, rruga Librazhd-Prrenjas, është arterie kryesore edhe për rrethinat.
Vetë dy qytetet nuk lidhen dot me njëri-tjetrin si pasojë e ndalimit të qarkullimit, ndërsa fshatra si Dragostunja, Hotolishti, Xhyra, Qukësi, Pishkashi e Skroska janë të izoluar nëse do të duan të lëvizin drejt tyre.
Izolimi ka ndikuar jo vetëm te vizitat familjare dhe rastet e mortit, por edhe për emergjenca mjekësorë.
Në fundjavë, për shkak të situatës kaotike të krijuar, shumë banorë të zonave përreth, të mbetur në rrugë, nuk janë lejuar të lëvizin brenda fshatrave edhe pse nuk kanë pasur si drejtim pjesën e bllokuar të rrugës (drejtimin për në Tiranë apo qytetet e juglindjes).
Një pjesë e tyre kanë lëvizur në këmbë, duke ecur më shumë se dy orë, ndërsa të tjerë kanë gjetur rrugë alternative, sikurse ajo e fshatit Spathar dhe Dardhë, duke përshkruar edhe njëherë rrugën më të vjetër që përshkon këtë zonë, atë të Egnatias, ndërtuar në kohën e romakëve.
Punimet për rreth 50 km rrugë “Elbasan-Qafë Thanë” kanë nisur në janar të vitit 2023 me 11 kompani të përfshira në tetë pjesë të ndryshme të saj. Ky segment është pjesë e Korridorit të VIII që lidh portin e Durrësit me portin e Varnës në Bullgari, duke qenë strategjik për transportin. Sipas ARRSH-së kostoja përllogaritet mbi 183 milionë euro.
Lugina e Shkumbinit, nga një peizazh që të servirte ndërthurje të lumit dhe gjelbërimit të kodrave dhe maleve përreth, me vështrimin përtej në Parkun Kombëtar të Shebenikut, është trazuar prej kohësh nga puna e makinerive për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë.
Si një prej lumenjve kryesorë të Shqipërisë së Mesme, Shkumbini është vendosur nën një presion mjedisor, për shkak të punimeve në këtë segment. Makineritë e rënda turbullojnë rrjedhën dhe shtratin e tij, ndërsa kanë ndërhyrë vazhdimisht për të marrë dhe shkarkuar inerte.
Me një sipërfaqe ujëmbledhëse prej 2,445 km2 dhe një shtrirje prej rreth 181 kilometrash ky lum mban gjallë një biodiversitet të larmishëm, ndërsa përshkon qytete, fshatra dhe toka bujqësore.
Punimet kanë hyrë në një fazë intenisve, ndërsa në disa zona lumi është devijuar. Aktivistët mjedisorë e konsiderojnë gjendjen katastrofike dhe paralajmërojnë se rrjedha mund të mos kthehet më në gjendjen e mëparshme.
“Është një presion i vazhdueshëm që i bëhet lumit nga kjo pjesë, jo domosdoshmërish për mirë, dhe për fat të keq do të ketë pasoja jo të parikuperueshme në vazhdim,” tha për Citizens.al Gëzim Shuli, aktivist mjedisor dhe drejtues i organizatës “AlbNatyra”.
Sipas tij situata në Shkumbin është “një katastrofë mjedisore“.
Prej vitit 2023, punimet kanë sjellë ndërhyrje të vazhdueshme në shtratin e Shkumbinit. Vëzhgimet në terren tregojnë se kompanitë marrin inerte dhe depozitojnë dhera në lumë duke devijuar rrjedhën natyrore.
Besjana Guri, aktiviste mjedisore dhe drejtuese e Qendrës LUMI e cilësoi gjithashtu “një masakër mjedisore” gjendjen që po kalon Shkumbini. Sipas saj kjo situatë ndodh rëndomtë në gjithë vendin.
Makineritë që marrin inerte në lumin Shkumbin/ Citizens.al
“Jo për shkak se nuk kemi ligje të mira,” thotë ajo, “Por, për shkak të një neglizhence shpesh herë nga ndërtuesi dhe shpeshherë nga institucionet që duhet ta kontrollojnë atë”.
Sipas Gurit, ka rregulla të mirë-përcaktuara se si duhen bërë punimet në zonat anë brigjeve lumore, por për arsyet se pse ato nuk zbatohen janë të shumta.
“[…] ndoshta është më shpejt, më kollaj, për më pak kosto, por ajo çfarë nuk llogaritet dhe ajo çfarë nuk merret parasysh është kostoja mjedisore dhe dëmi i pakthyeshëm që i bëhet lumit”, theksoi ajo, për Citizens.al.
Shkumbini ka një rrjedhë mesatare prej rreth 61 m3/s, të dhënat hidrologjike tregojnë se ai është ndër lumenjtë më erozivë dhe transporton sasi të mëdha sedimentesh, mesatarisht 5.8 milionë tonë lëndë të ngurta në vit, një tregues se shtrati i tij është tejet dinamik dhe i ndjeshëm.
Sipas aktivistëve mjedisorë kemi të bëjmë me një presion të vazhdueshëm mbi ekuilibrat natyrorë, pasojat e të cilit do t’i shohim edhe më vonë.
“Të gjithë sendimentet që duhet të jenë aty në lumë kanë funksion natyror,” analizon Guri.
“[…] mbajnë shtratin, ujërat sipërfaqësorë, ndajnë ujërat nëntokësorë dhe nga ana tjetër ndihmojnë edhe pjesën e bregdetit.”
Ilustrim i shtrirjes së lumit Shkumbin/Citizens.al.
Sipas aktivistes mjedisore, nëse vijohet me marrjen e inerteve pa kriter, do të ketë pasoja në ndryshimin e rrjedhës së lumit. Ngjashëm mendon edhe Gëzim Shuli.
Studime të ndryshme raportojnë për biodiversitet domethënës përgjatë rrjedhës së Shkumbinit. Në disa stacione monitorimi janë vërejtur 15-17 lloje peshqish dhe një shumëllojshmëri insektesh, që tregojnë për rëndësinë ekologjike të ujit.
“Gjithë gjallesat që ishin duke krijuar habitatin e tyre aty tashmë ju është prishur dhe duhet ta rindërtojnë nga e para,” komenton Shuli.
Drejtuesi i organizatës “AlbNatyra” thekson se edhe hedhja e inerteve ka pasoja.
“Kemi edhe hedhjen e inerteve që merren nga zona të ndryshme, llumrave, dherave të cilat hidhen në lumë dhe sjellin ndotjen e tij”, vijon Shuli, ndërsa shprehet se “për pasojë kemi një shpërbërje të ulët të oksigjenit në ujë”.
Pasojat e ndërhyrjeve në shtratin e lumit Shkumbin vihen re edhe nga banorët, të cilët kanë tokat bujqësore buzë lumit.
“Ka pasur rrëshqitje nga gërmimet që po bëhen nga rruga dhe marrja e inerteve që po ndodh në të,” tregoi për Citizens.al një banor i Hotolishtit, i cili këmbënguli të mos përmendej me emër.
“Ka ikur toka komplet toka”, vijoi ai teksa tregoi një rrip toke me rrëshqitje të dukshme që ngjallnin pasiguri në zonën ku tha se zotëronte rreth 3 dynymë.
Inertet e depozituara në lumin Shkumbin nga punimet në rrugë/Citizens.al
“E mbjellë ka qenë, njëra pjesë është jonxhë, një pjesë tjetër është pemë”, theksoi më tej banori.
Ai u shpreh se zona përreth nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por ndërhyrjet që po i bëhen lumit janë të rrezikshme, duke ndryshuar rrjedhën.
“Shtrati po merr një vijë të drejtë lumi, nuk është më me dredha siç e ka qenë, me këto rrëshqitje që kanë filluar tani, këto duan vite që të shkojë edhe njëherë aty ku duhet,” u shpreh ai për Citizens.al.
Sipas aktivistëve mjedisorë, për tokat që janë buzë lumit, në sezonin e dimirit kjo situatë do të jetë edhe më problematike.
“Kemi shumë shtëpi apo banorë të komunitetit lokal që tokat e tyre bujqësore i kanë në afërsi të lumit dhe duket qartë që tani që ka filluar lumi duke ua gërryer pak-nga-pak, kemi rrëshqitje të dherave sidomos në segmentin Librazhd-Përrenjas kemi rrëshqitje masive”, tha Gëzim Shuli.
Organizatat mjedisore kanë kërkuar monitorim të situatës dhe evidentim të dëmeve.
Në një përgjigje me shkrim, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU) i tha Citizens.al se në basenin e Shkumbit kanë leje për shfrytëzimin e materialeve inerte tre kompani: Alb-Building, ANK dhe 4-AM.
Totali i inerteve për t’u shfrytëzuar prej tyre eshtë rreth 1,000,000 m³, të cilat mund të mbushin afërsisht 400 pishina olimpike.
Inertet e depozituara në lumin Shkumbin nga punimet në rrugë/ Citizens.al
Disa prej kontratave të këtyre tre kompanive për shfrytëzim të basenit ujor të Shkumbinit për inerte zgjasin deri në gusht 2026, e të tjera deri më dhjetor 2027.
“Nuk janë konstatuar shkelje nga këta subjekte, pra janë respektuar koordinatat e miratuara në leje dhënë nga Këshilli Basenit Lumor Shkumbin”, tha mes të tjerash AMBU për Citizens.al.
Besjana Guri u shpreh se komunitetet që janë afër lumit janë të parët që janë të prekur.
“[…] nuk mund të pretendojmë që komunitetet të kenë edhe njohurinë e duhur. Prandaj ka instanca, ka edhe ekspertë mjedisi që e thonë këtë gjë dhe për sa kohë ngrihet si problematikë për të disatën herë, do të thotë që këtu diçka nuk shkon”, përfundoi Guri.
Punimet për zgjerimin e rrugës “Elbasan-Qafë Thanë” kanë nisur prej janarit të vitit 2023.
Ky segment është pjesë e Korridorit të VIII që lidh vendin tonë me Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë. duke qenë segment strategjik për transportin e mallrave e kryesisht dhe të qytetarëve.
Punimet po kryhen në tetë pjesë, ndërsa sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, në total kostoja llogaritet në mbi 183 milionë euro.
Autorë: Ola Mitre; Aida Ciro; Kristi Bashmili dhe Nemanja Živaljević.
Në korrik të vitit 2025, fadromat hynë në Theth dhe brenda pak ditësh, disa ndërtime u shembën në zemër të Alpeve Shqiptare, në një aksion që autoritetet e cilësuan si “rikthim i ligjshmërisë”.
Vetëm një vit më parë, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama nxiti banorët të ktheheshin në fshatin e tyre turistik, të investonin dhe t’i kthenin tokat e tyre në mundësi zhvillimi. Premtimi ishte se pronat e brezave do të pajiseshin me dokumente pronësie dhe se “Paketa e Maleve” do ishte mjeti i rikthimit dhe i mirëqenies së zonave alpine.
“Gjobat për ndërtim pa leje, në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha. Ju keni ndërtuar pa leje sepse nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që u takon,” iu përgjigj Rama shqetësimit të banorëve të Thethit, duke njoftuar dhe planet për miratimin e ligjit.
“Na thanë të investonim. Kthehuni, ndërtoni! Dhe ne ndërtuam më lehtë se çdo vit tjetër se ishin votimet,” thotë Kristian Gurra, 27 vjeç.
Kristiani ka mbi dhjetë vite që zhvillon një biznes familjar në Theth. Filloi me një lokal të vogël, ndërsa tani ka një restorant dhe 16 dhoma për turistë, që mbajnë familjen e tij dhe disa punëtorë sezonalë. Investimi i fundit, i menduar për turizëm dimëror, u financua me kredi bankare rreth 100 mijë euro, por u shemb gjatë aksionit të korrikut.
“Sot paguaj kredinë çdo muaj dhe kam edhe gjobë. Shtëpinë në Shkodër e kam lënë kolateral, sepse këtu nuk kam tapi”, thotë ai.
Rasti i tij është tipik për zonat veriore në Shqipëri, ku tokat trashëgohen brez pas brezi pa dokumente pronësie, një problem historik që institucionet nuk e kanë zgjidhur kurrë. “Paketa e Maleve”, e miratuar në mars 2025, synon të anashkalojë këtë ngërç, duke u dhënë banorëve mundësinë të ndërtojnë dhe të zhvillojnë pronën edhe në mungesë të titullit të qartë pronësor.
Por aksioni i prishjeve, i ndërmarrë menjëherë pas miratimit të ligjit, goditi pikërisht atë që kjo “paketë” pretendon të mbështesë: investimet e banorëve në pronat e tyre të trashëguara.
Ndërkohë, të dhënat tregojnë se arkitektura ligjore favorizon investime të mëdha turistike dhe energjetike, shumë larg modelit familjar të premtuar, duke mos përjashtuar as Parkun “Alpet e Shqipërisë”, një territor kyç për iniciativat ndërkufitare të mbrojtjes së natyrës, pjesë e Alpeve Dinarike dhe e Brezit të Gjelbër Evropian.
Alpet Shqiptare përbëjnë një ekosistem të pandashëm me parkun Prokletije në Malin e Zi, por standardet e mbrojtjes janë ndjeshëm të ndryshme sa i përket aktiviteteve të lejuara brenda tyre. Për më tepër, ligji hap rrugë edhe tjetërsimit të pyjeve, kullotave dhe livadheve, duke lejuar ndryshimin e përdorimit të tokës nga natyrore, në urbane apo industriale, çka jo vetëm dobëson mbrojtjen e burimeve natyrore, por cenon vetë funksionin ekologjik të territorit.
Ekspertët paralajmërojnë se qasja e ligjit shqiptar rrezikon pasoja të pakthyeshme për ekosistemin alpin dhe bie ndesh me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa centralizimi i vendimmarrjes në nivel qendror hap shteg që përfitimet të shkojnë te subjekte jorezidente dhe jo te komunitetet vendase.
Paketa e Maleve
Në prezantimin publik, “Paketa e Maleve” u shfaq si një instrument për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave malore, që prej dekadash jetojnë dhe investojnë në toka pa tituj pronësie. Zgjidhja e këtij problemi u lidh me zhvillimin e strukturave agroturistike, që janë miqësore me mjedisin, si dhe mbajtjen e komuniteteve në territor, në një kohë që shumë zona malore në Shqipëri janë zbrazur si pasojë e emigrimit.
Ligji i miratuar parashikon një seri mekanizmash që, në dukje, synojnë t’u japin banorëve të zonave malore siguri juridike dhe mundësi zhvillimi. Ai u lejon individëve të njohur si posedues jopronar që, me përmbushjen e disa kritereve, të blejnë tokën shtetërore me çmimin simbolik prej 1 euro, të përfitojnë përjashtime nga disa taksa për një periudhë 10-vjeçare, si dhe të kenë akses të thjeshtuar në lejet e ndërtimit.
Por ndërkohë ligji ka përfshirë qartazi edhe investitorët, si persona fizikë apo juridikë të regjistruar, të cilëve iu jepet e drejta të realizojnë projekte investimi, në marrëveshje me poseduesin jopronar.
Përveç kësaj, ligji i miratuar ka krijuar çdo hapësirë ligjore për investime të mëdha turistike dhe energjetike, pasi përcakton se autoriteti kompetent për miratimin e lejes së zhvillimit dhe ndërtimit do të jetë vetëm Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU).
Sipas ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, KKTU-ja, një institucion që drejtohet nga kryeministri, është autoritet përgjegjës për vendimmarrjen vetëm për zhvillime komplekse. Ky dikaster, miraton leje zhvillimi për projektet strategjike në territor, nga resorte të mëdha turistike deri te struktura energjetike dhe infrastrukturore. Po ashtu, legjislacioni specifikon se KKTU-ja mund të miratojë leje ndërtimi vetëm për objekte të larta mbi 6 kate.
Këto kompetenca s’kanë asnjë lidhje me natyrën e agroturizmit apo të bujtinave familjare.
“Agroturizmi, sipas përkufizimit, presupozon iniciativa të vogla, që zhvillohen nga familje dhe janë drejtpërdrejt të lidhura me ekonominë rurale. Është një model turizmi rural i lidhur ngushtë me bujqësinë dhe jetën në fshat, ku shërbimet turistike mbështesin dhe plotësojnë aktivitetin bujqësor ekzistues, pa e zëvendësuar ose deformuar funksionin tradicional të territorit”, thotë Doriana Musai, pedagoge e arkitekturës dhe planifikimit urban.
“Ndërkohë, këto investime që cilësohen strategjike, vijnë me investitorë dhe kompani që favorizojnë investime me kosto të lartë. Me pak fjalë agroturizmi përdoret si narrativë legjitimuese e politikës qendrore, ndërsa rezultati real është turizëm intensiv, i shkëputur nga struktura sociale dhe ekonomike e zonës”, shton ajo.
Edhe për ekspertët e turizmit “modeli i resorteve të mëdha nuk është në përputhje me parimet e zhvillimit lokal dhe përfshirjes së komuniteteve”.
“Ai mund të sjellë investime dhe vende pune, por rrezikon që përfitimet të përqendrohen te investitorët dhe jo te banorët vendas”, thotë Ardiola Alikaj, eksperte e lartë e turizmit në Shqipëri.
Paralelisht, ekspertët kritikojnë anashkalimin e bashkive në vendimmarrjen për zhvillimet në territorin e tyre, kompetenca që i gëzojnë në ligjin aktual për struktura nën 6 kate, përfshirë agroturizmet.
“Cenohet autonomia e autoriteteve vendore dhe planet e tyre të territorit”, thotë Erjon Muharremaj, profesor dhe ekspert i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Mjedisore dhe Proceset e Integrimit në BE.
Ndërsa sipas Musait, “kur miratimi i projekteve bëhet nga lart-poshtë, pra nga niveli qendror, në formë ekzekutive drejt atij vendor cenohet parimi i zhvillimit lokal dhe i subsidiaritetit”.
“Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, si organ qeveritar, duhet të garantojë koherencë kombëtare të planifikimit, dhe jo të zëvendësojë autoritetet vendore në vendime që ndikojnë drejtpërdrejt komunitetet dhe peizazhin lokal”, argumenton ajo.
Alpet, zonë zhvillimi
“Paketa e Maleve” nuk zbatohet në gjithë territorin malor, por vetëm në ato zona që shpallen “zona prioritare të zhvillimit”, të cilat përzgjidhen përmes një procedure të veçantë që nis në nivel vendor dhe finalizohet në nivel qendror. Bashkia mbledh aplikimet e banorëve ose identifikon territoret me “potencial ekonomik” dhe i propozon ato si zona që duhen zhvilluar.
Më pas, relacioni i bashkisë i dërgohet ministrit përgjegjës për pushtetin vendor, i cili vendos nëse propozimi plotëson kriteret për t’u çuar më tej. Vendimi final merret nga Këshilli i Ministrave, i cili shpall zonën zyrtarisht, duke i hapur rrugë më pas miratimit të projekteve.
I gjithë procesi tashmë është finalizuar për Bashkinë Shkodër, në territorin e së cilës janë miratuar 5 zona prioritare të zhvillimit, përfshirë edhe fshatin Theth e Ndërlysaj, që ndodhen brenda parkut kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në kufi me Malin e Zi.
Interesi për të ndërtuar në zonat prioritare ka qenë tejet i lartë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Territorial të Bashkisë Shkodër. Pas një kërkese për informacion, kjo drejtori bëri me dije se deri më 9 dhjetor 2025 ishin paraqitur 642 aplikime për 5 tipologjitë që lejonte sistemi i ngritur për këtë qëllim: Agroturizëm, energji e gjelbër, blegtori, projekte sociale dhe tipologjia “tjetër”, që le të hapur çdo lloj kërkese për investime. Pjesa më e madhe lidhej me agroturizimin (434), kategoria “të tjera” kishte 136 aplikime, projektet sociale 35, blegtoria 29 dhe energjia e gjelbër, pra ndërtimi i parqeve diellore dhe eolike, 14 aplikime.
Faximile e përgjigjes së Bashkisë ShkodërFaximile e përgjigjes së Bashkisë Shkodër
Megjithatë, edhe pse interesi fillestar vjen kryesisht nga banorët e zonës për projekte agroturizmi, vetë arkitektura ligjore e orienton procesin drejt zhvillimeve shumë më të mëdha, që kërkojnë kapital dhe miratim qendror. Ky kontrast bëhet edhe më i mprehtë kur këto zhvillime synohen në zona të mbrojtura, brenda një prej ekosistemeve më të ndjeshme të Ballkanit.
Alpet e Shqipërisë dhe Prokletije në Malin e Zi përbëjnë një prej ekosistemeve më të rëndësishme të rajonit, të njohura për larminë e jashtëzakonshme biologjike dhe habitatet e tyre të brishta. Përveç statusit kombëtar të mbrojtjes, territore të veçanta gëzojnë njohje ndërkombëtare. Alpet janë pjesë e rrjetit EMERALD (Zonat me Interes të Veçantë për Mbrojtje për Europën), Thethi njihet si Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin (IBA) dhe Zonë Kryesore për Biodiversitetin (KBA), ndërsa Lumi i Gashit, rezervë strikte natyrore deri në vitin 2022 e sot pjesë e Parkut të Alpeve, është pjesë e Trashëgimisë Botërore të Natyrës të UNESCO-s.
Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura tregojnë një numër të lartë habitatesh sipas listës së Natura 2000, me rëndësi për ruajtje. Vetëm në Theth dhe zonat përreth janë evidentuar rreth 20 tipe habitatesh, prej të cilave 4 prioritare. Po ashtu, në luginën e Vermoshit dhe Lëpushë – Budaçit janë identifikuar rreth 25 tipe habitatesh, prej të cilave 4 janë prioritare, në Luginën e Valbonës rreth 26 tipe, prej të cilave 4 prioritare, ndërsa në luginën e Lumit të Gashit – Dobërdoll, rreth 14 tipe habitatesh, nga të cilat 2 janë prioritare dhe kërkojnë masa specifike për ruajtje. Parku përfshin edhe një florë të pasur me rreth 1,500 lloje bimësh, 40% e të cilave janë endemike të Shqipërisë, duke i bërë ato veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve të mundshme. Ahu, rrobulli, bredhi i bardhë dhe arneni janë disa prej llojeve të florës që takohen në zonë.
Po aq e pasur është fauna. Trupat ujorë dhe zonat përreth strehojnë lloje të rralla e të rrezikuara të peshqve, amfibëve dhe zvarranikëve; rreth 155 lloje shpendësh dhe mbi 60 gjitarë, përfshirë rrëqebullin e Ballkanit, ariun, ujkun, kaprollin, vidrën, shkabën, shqiponjën e maleve dhe gjelin e egër. Një pjesë e madhe e tyre figuron në Shtojcat e Direktivës së Habitateve, Direktivës së Shpendëve, në listat e kuqe të IUCN dhe Shqipërisë, duke e bërë këtë zonë kritike për ruajtjen e biodiversitetit. Edhe në anën malazeze të Prokletijes janë evidentuar mbi 2,000 lloje bimësh, 60 prej të cilave të mbrojtura dhe 161 lloje shpendësh. Ndërkohë që kamerat kurth, vitin e kaluar kanë dokumentuar praninë e rrëqebullit, një prej specieve më të rrezikuara në Ballkan.
Ky masiv malor funksionon si një nyje e vetme ekologjike brenda Alpeve Dinarike dhe Brezit të Gjelbër Evropian, çka e bën mbrojtjen e tij një prioritet rajonal dhe evropian.
“Çdo ndërhyrje në Shqipëri ka ndikim edhe në Mal të Zi dhe anasjelltas”, thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković, duke kujtuar se zona përfshin edhe shtegun e njohur ndërkufitar “Majat e Ballkanit”.
Por, megjithëse rëndësia ekologjike e Alpeve të Ballkanit është e dokumentuar gjerësisht në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, kjo nuk e pengoi Bashkinë Shkodër dhe qeverinë shqiptare t’i përfshinin në zonat prioritare të zhvillimit.
Në të njëjtën kohë, ndryshimet në udhëzimin që përcakton procedurën e shpalljes së këtyre zonave tregojnë një largim të qartë nga standardet e mbrojtjes së mjedisit. Udhëzimi i parë, i qershorit 2025, kërkonte mbledhjen dhe analizimin e të dhënave socio-ekonomike, mjedisore dhe gjeografike. Por vetëm katër muaj më vonë, një udhëzim i ri i shfuqizoi të gjitha këto kritere, duke e reduktuar procesin në një procedurë që bazohet vetëm në “potencialin ekonomik, industrial apo turistik të zonës”.
Sipas profesor Erjon Muharremajt, ky ndryshim kaq i shpejtë dhe kalimi nga një dokument 70-paragrafësh në një udhëzim me vetëm 30 paragrafë, ngre pikëpyetje serioze.
“Për të shfuqizuar një akt kaq të rëndësishëm pas vetëm katër muajsh do duhej të kishte pasur ndryshime rrënjësore të rrethanave. Por, edhe nëse do të kishte arsye, duhej bërë amendimi i udhëzimit, jo shfuqizimi i tij i plotë”, thotë ai.
“Legjislacioni pasues zakonisht bëhet më i hollësishëm. Në fakt, ka ndodhur e kundërta, çka përgjithësisht, nuk është tregues i vullnetit për përmirësimin e legjislacionit, por ka arsye të tjera”, shton më tej eksperti.
Një tjetër element shqetësues i ligjit lidhet me ndryshimin e statusit të pasurive natyrore. Për herë të parë, “Paketa e Maleve” i hap rrugë tjetërsimit të kategorive që deri më sot kanë qenë të paprekshme: pyjeve, kullotave dhe livadheve.
Neni 8 i ligjit përcakton se këto pasuri nuk konsiderohen më pronë publike e patjetërsueshme, duke u lejuar t’u nënshtrohen procedurave të kalimit të pronësisë dhe zhvillimit. Kjo do të thotë se sipërfaqet pyjore, kullosore apo livadhe mund të humbin statusin natyror dhe të shndërrohen me lehtësi në zona urbane, turistike ose industriale, duke shmangur dhe çdo dokument planifikimi territoral, që ka kaluar edhe në filtra mjedisore.
“Kur zona apo projekte shpallen si “strategjike” ato shpesh anashkalojnë Planet e Përgjithshme Vendore dhe Planet e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, pasi qëllimi është të përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, duke thjeshtuar procedurat administrative dhe përqendruar vendimmarrjen”, thotë Musai.
“Kjo krijon një sistem paralel vendimmarrjeje, ku planifikimi afatgjatë humbet peshën e tij dhe reduktohet në formalitet, ku nuk është më plani që drejton zhvillimin, por e kundërta”, shpjegon më tej ajo.
Sipas Muharremajt, këto zhvillime nuk mund të kuptohen pa parë edhe ndryshimet e vitit 2024 në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, të cilat dobësojnë në mënyrë të ndjeshme mbrojtjen e kategorive më të larta natyrore. Ndryshimet lejojnë zhvillime urbane dhe struktura turistike me pesë yje brenda parqeve kombëtare, madje edhe në nënzonën qendrore, që teorikisht duhet të jetë zonë me mbrojtje strikte.
“Këto janë pasojat katastrofike të ndryshimeve të vitit 2024”, thotë ai.
Ai kritikon edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025, e cila rrëzoi kërkesën e organizatave mjedisore për shfuqizim të ndryshimeve.
“Ky vendim regresiv i lejon ekzekutivit dorë të lirë për të miratuar leje zhvillimi apo ndërtimi në zonat e mbrojtura”, shprehet profesori.
Pasoja serioze
Kombinimi i zonave prioritare të zhvillimit me dobësimin e kuadrit të mbrojtjes së mjedisit e vendos në pikëpyetje të ardhmen ekologjike të Alpeve. Zhvillimet e lejuara brenda parkut, pa konsultime publike, pa Vlerësime Strategjike Mjedisore dhe pa verifikim të përputhshmërisë me dokumentet e planifikimit dhe menaxhimit, krijojnë një rrezik real për fragmentimin e habitateve, ndryshimin e përdorimit të tokës dhe humbjen e vlerave natyrore që e bëjnë këtë territor unik në Ballkan.
Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh se rreth 72 % e sipërfaqes së zonës së shpallur për zhvillim mbivendoset me nënzonën Qendrore B të Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, duke rrezikuar drejtpërdrejt tërësinë ekologjike të parkut dhe ruajtjen e specieve të florës dhe faunës.
Ndikimet e mundshme negative nuk kufizohen vetëm brenda kufijve administrativë të parkut, por prekin biodiversitetin, lloje dhe habitate me interes për BE-në, ekosistemet ujore dhe korridoret ekologjike ndërkufitare, si edhe objektivat e iniciativave ndërkombëtare si Alpet Dinarike dhe Brezi i Gjelbër Evropian.
Në këtë kontekst, çdo zhvillim i pakontrolluar brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” mund të komprometojë funksionin e tij ekologjik dhe rolin e tij si nyje kyçe e ruajtjes së biodiversitetit në rajon.
Në anën malazeze, Parku Kombëtar Prokletije administrohet me kritere të rrepta: ndërtimet janë të kufizuara dhe çdo projekt i nënshtrohet filtrave të fortë mjedisorë dhe ndërkufitarë. Por në Shqipëri, ligji i ri hap rrugë zhvillimeve të mëdha turistike e energjetike, pa asnjë proces të dukshëm koordinimi me autoritetet e Malit të Zi, pavarësisht se bëhet fjalë për të njëjtin ekosistem.
“Nuk kemi absolutisht asnjë informacion”, thotë kryetari i Komunës së Gucisë, Sanel Balić.
“Gjithçka që ndodh përgjatë kufirit duhet ta dijë qeveria malazeze dhe komunat që kufizohen me këtë zonë. Çfarëdo që ndërtohet atje mund të ndikojë edhe tek ne”, theksoi ai.
Edhe Marinela Đuretić, drejtoresha e Ndërmarrjes Publike të Parqeve Kombëtare të Malit të Zi, nuk ishte në dijeni se Prokletije në anën shqiptare mund të jetë nën presion të investitorëve. Ajo beson se kjo është një çështje komplekse që kërkon përfshirje në nivel shtetëror.
Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut nuk u përgjigj nëse është në dijeni të planeve të Shqipërisë apo nëse planifikon të kontaktojë homologët në Tiranë.
Ndryshe nga autoritetet malazeze, Marija Lekić nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve (CZIP) është e informuar për zhvillimet e reja ligjore në vendin fqinj. Edhe pse nuk dihet shkalla e projekteve, Lekić thekson se mund të ketë prerje të pyjeve, ndërtim rrugësh dhe vendosje linjash të transmetimit, aktivitete që bien nën veprimin e Konventës së Espoos.
Ajo thekson se Shqipëria, si palë që nga viti 1991 është e detyruar të njoftojë në kohë shtetet fqinje për projekte që mund të kenë ndikime përtej kufirit.
Në Shqipëri, Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk kthyen përgjigje ndaj një kërkese për koment, duke lënë pa sqarim se si do të mbrohen parqet kombëtare dhe korridoret ekologjike nga zhvillime intensive.
Ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit konfirmoi se nuk është pjesë e procesit të përcaktimit të zonave prioritare të zhvillimit. Në një përgjigje me shkrim AKM tha se roli i saj nis vetëm më pas, në fazën e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektet individuale.
Integrimi dhe projektet ndërkufitare, në pikëpyetje
Standardi i dyfishtë i mbrojtjes për Alpet Dinarike rrezikon jo vetëm natyrën, por edhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe aksesin në fondet evropiane për projekte të përbashkëta. Drejtoresha e Parqeve të Malit të Zi thekson se BE-ja nuk mbështet politika që lejojnë ndërtim në zona të mbrojtura.
Edhe Progres-Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë ngriti shqetësime, duke vlerësuar se ligji “Paketa e Maleve” “mund të ketë ndikime të rëndësishme në përdorimin e tokës në nivel lokal dhe në menaxhimin mjedisor”.
Nisur nga përvoja personale dhe nga ky vlerësim i Komisionit Evropian, sipas profesor Muharremaj, “mungesa e vullnetit për zbatimin e standardeve mjedisore do të jetë pengesë serioze në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Banorët e Thethit, si Kristian Gurra, e shohin këtë realitet me pasiguri.
“Është gjithmonë për t’u pasur frikë… nuk po kuptojmë më se çfarë po ndodh. Banorët janë stepur. Nevojë ka për investime, por jo në një klimë ku çdo gjë është e paparashikueshme”, thotë ai.
Kjo ndjesi pasigurie në terren përkon me paralajmërimet e ekspertëve në të dy anët e kufirit, të cilët frikësohen për ndikime të mundshme negative në mjedisin e Alpeve të Ballkanit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.
“Podgorica zyrtare duhet të reagojë”, thotë biologu dhe aktivisti qytetar Vuk Iković.
Për eksperten e lartë të turizmit Ardiola Alikaj, “për të shmangur skenarin e pasojave të pakthyeshme nevojitet një qasje e kujdesshme, që vendos në qendër kapacitetin mbajtës të zonës së Alpeve, përfshirjen reale të komuniteteve lokale dhe modele turistike më të shpërndara e të qëndrueshme”.
“Me resortet standarde, traditat dhe kulturat vendase shtypen, zhduken ose deformohen, duke u shndërruar në mjete të turizmit dhe jo në gjenerues të një modeli të qëndrueshëm”, përfundon Musai.
*Ky investigim u realizua me mbështetjen e Journalismfund Europe.
Me 74 vota kundër, 17 “pro” dhe 1 abstenim, projektligji “Për statusin e minatorit” u rrëzua në seancën plenare të së enjtes në Kuvend.
Orët e vona të seancës bënë që në sallë të mungonin 48 deputetë, të cilët nuk morën pjesë në votim.
Projektligji u propozua nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila u shpreh në Kuvend se statusi i minatorit është një premtim i përsëritur ndër vite edhe nga qeveria aktuale.
“Janë 13 mijë minatorë që preken nga statusi. Puna në miniera është nga më të vështirat. Sipas statistikave të qeverisë dhe INSTAT, 20% e aksidenteve në punë janë fatale. Shqipëria është kaq e pasur me burime, por edhe kaq e vjedhur,” tha Tabaku.
Ajo solli në vëmendje protestën e minatorëve, të zhvilluar çdo të enjte para Kuvendit prej pesë vitesh, për miratimin e statusit.
Për deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, në një vend mineralmbajtës si Shqipëria, statusi i minatorit nuk duhet të ishte më objekt debati.
“Të ardhurat nga minierat duhet t’u shkonin komuniteteve lokale jo në masën 5% si sot, por në 30%. Do të ishte zhvilluar industria përpunuese e mineraleve dhe do të ishte hapur një fond sovran për menaxhimin e të ardhurave nga nëntoka, edhe për brezat që do të vijnë”, u shpreh Muçi.
Ai theksoi se “në një vend normal statusi i minatorit do të ishte e drejtë themelore e panegociueshme”.
Partia që ai përfaqëson ka kërkuar prej vitesh miratimin e statusit dhe ka mbështetur protestat e minatorëve.
Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe tha se PS mund të mos ketë bërë gjithçka, por “punëtorët e profesioneve të vështira kanë qenë në fokusin e saj.”
“Statusin e ushtarakut e kemi bërë ne. Statusin e pilotit dhe të nënujorëve e kemi bërë ne. Statusin për naftëtarin dhe metalurgun e kemi bërë ne. Kur kemi folur për këto statuse, ju keni votuar kundër,” u shpreh ai në Kuvend.
Sipas Braçes, minatorët nuk kanë një status të veçantë, por përfitojnë mbështetje përmes ligjit nr. 29/2019, i cili, sipas tij, adreson një pjesë të kërkesave që sot kërkohet të zgjidhen me statusin.
Ai shtoi se minatorët marrin pension suplementar, ndërsa pranoi se trajtimi i atyre që kanë punuar para viteve ’90 nuk është i njëjtë me ata pas viteve ’90.
“Për të parët kemi detyrim moral dhe diskutim të hapur, sepse kanë qenë të keqpaguar dhe ndryshimi i sistemeve uli vlerën reale të pensioneve të tyre,” tha Braçe.
Më herët, projektligji ishte rrëzuar në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.
Projektligji parashikonte pension minimal në nivelin 130% të pagës minimale, dalje në pension pas 20-25 vitesh punë nëntokë, trajtim shëndetësor falas për sëmundjet profesionale dhe përfitime për familjarët në rast vdekjeje.
Minatorët dhe ish-minatorët kanë protestuar prej vitesh për njohjen e statusit dhe kanë ndërmarrë edhe nismën e një peticioni me nënshkrime.
Statusi i minatorit: një premtim i përsëritur politik
Në vitin 2009, kur Edi Rama ishte në opozitë, ai u premtoi ish-minatorëve të Gurit të Kuq në Pogradec miratimin e statusit brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Në vitin 2013, Rama erdhi në pushtet, por minatorët ende nuk kanë një status të veçantë ligjor.
Në tetor 2017, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, depozitoi në Kuvend një projektligj për statusin e minatorit, që parashikonte kontribut shtesë 5% të pagës bruto (2% nga punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi), ndërsa diferenca financiare do të mbulohej nga buxheti i shtetit.
Mazhoranca e asaj kohe nuk e mbështeti projektligjin, duke argumentuar se do të sillte kosto të lartë për skemën e pensioneve.
Në prill 2018, gjatë një takimi me minatorët, Rama deklaroi se “këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”.
Në qershor të atij viti, ministrja Olta Xhaçka deklaroi në Klos se drafti po shqyrtohej dhe do t’i nënshtrohej konsultimit publik.
“Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj,” theksoi Xhaçka.
Në të njëjtin vit, minatorët protestuan para Kryeministrisë duke paralajmëruar edhe grevë urie.
Në vitin 2020, ata i dorëzuan Kuvendit një peticion me 10,700 firma, ku kërkonin rritje pagash, pensionesh, kujdes shëndetësor dhe sigurim jete. Kuvendi nuk dha përgjigje.
Më 30 tetor 2024, Kryeministri Rama deklaroi se statusi tashmë ekziston.
“Minatorët dalin në pension 10 vite më herët dhe përfitojnë njësoj si kategoritë e tjera të veçanta. Nga 270 milionë euro trajtime të veçanta përfshihen edhe minatorët,” tha ai.
“Histori Emigrimi” (En. Migrant Stories), është një nismë e Citizens.al që synon të transformojë narrativën mbi migracionin duke vendosur në qendër njerëzit.
Përmes gazetarisë, punës kërkimore dhe rrëfimit multimedial, nisma dokumenton se si migracioni formëson jetën e përditshme në Shqipëri: të rinj që përballen me zgjedhje të vështira për të ardhmen, gra që mbajnë barrën e ndarjes familjare, të moshuar të lënë pas në komunitete që po tkurren, si dhe punëtorë të huaj që kërkojnë një fillim të ri në Shqipëri.
Gjatë zbatimit, janë prodhuar:
25 artikuj të thelluar dhe investigime të thelluara;
8 episode të podcastit “Pezull”;
4 dokumentarë të shkurtër;
Studimi: “Shoqëri në Ikje: Një antropologji e Migrimit”
Mbi 80 publikime, pjesë e fushatës “Migrant Stories” informuese online;
Podcast: “Pezull”
Kliko mbi foto për të dëgjuar podcastet
Podcasti “Pezull” trajton përvojat e migrimit përmes bisedave të thelluara me studiues, ekspertë dhe persona të prekur drejtpërdrejt, duke eksploruar dimensione të ndryshme si pasiguritë, përvojat pozitive, rikthimet dhe zgjedhjet sfiduese që shoqërojnë këto procese.
Dokumentarë – Histori Emigrimi
Seria dokumentare “Migrant Stories” sjell në qendër njerëzit më të prekur nga migrimi, duke treguar përvojat e grave dhe të moshuarve në komunitete të shpopulluara. Ajo nxjerr në pah koston sociale të depopullimit, duke theksuar dinjitetin, qëndrueshmërinë dhe të drejtat e shpesh anashkaluara në debatet publike mbi migracionin.
Studim: “Shoqëri në ikje”
Studimi “Shoqëri në Ikje”, i udhëhequr nga Prof. Dr. Nebi Bardhoshi me metodologji etnografike dhe analiza të Censit 2023, shqyrton se si migrimi po transformon strukturat sociale, ekonomike dhe familjare në Shqipëri, duke dokumentuar shpopullimin rural, plakjen demografike dhe zhdukjen graduale të shërbimeve bazë.
https://online.pubhtml5.com/kkuuz/zlul
“Migrant Stories” mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri në kuadër të programit MATRA. Opinionet, gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në këtë publikim i përket autorit dhe nuk përfaqësojnë detyrimisht qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë
Ky studim eksploron mënyrën se si migrimi riformëson jetën sociale, ekonomike dhe kulturore në Shqipëri. I udhëhequr nga Prof. Dr. Nebi Bardhoshi, asistuar nga Oksana Vata dhe Lorna Capo, studimi është realizuar me metodologji etnografike, një kërkimi kombinon intervista të thelluara, ekspedita në terren në Mat dhe Përmet, si dhe analizë të të dhënave demografike, përfshirë Censin 2023.
Studimi përfshin përvoja të grave migrante, të rikthyerve, azilkërkuesve dhe komuniteteve të prekura nga shpopullimi. “Shoqëri në Ikje” dokumenton rënien drastike të popullsisë në zonat rurale, plakjen e popullsisë, transformimin e strukturave familjare dhe zhdukjen graduale të shërbimeve thelbësore si shkollat, veçanërisht në periferi.
“Shoqëri në Ikje” ofron një analizë të thelluar mbi ndikimin afatgjatë të migrimit, duke lidhur të dhënat demografike me përvojat konkrete të njerëzve dhe duke ofruar një kuptim të plotë antropologjik të ndryshimeve që po kalon shoqëria shqiptare.
* Ky publikim është prodhuar nga Citizens Channel si pjesë e Projektit “Migrant Stories” mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri në kuadër të programit MATRA. Opinionet, gjetjet dhe rekomandimet e shprehura në këtë publikim i përket autorit dhe nuk përfaqësojnë detyrimisht qëndrimet e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë
Sipas qeverisë shqiptare, një seri projektesh të ndërmjetësuara nga Korporata e Investimeve (KISH), me vlerë që i kalon 450 milionë euro, po i afrohen fazës së lejeve të ndërtimit.
Por ndërsa projektet e kullave shtohen, dokumentet që përcaktojnë detajet e marrëvesheve financiare mbi tjetërsimin e pronave publike mbeten të panjohura, duke lënë në hije transparencën dhe përfitimin real të publikut nga ky transformim.
Gati “për leje” nga hiçi
Në fund të janarit, në një nga sallat e ish-Hotel Dajtit, gjatë konkursit për projektin fitues të “Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve”, Drejtuesja e KISH, Elira Kokona dhe Kryeministri Edi Rama njoftuan diçka që kaloi pa debat publik: disa nga projektet e ndërmjetësuara nga Korporata ndodhen tashmë “në fazë të avancuar” dhe një pjesë e tyre “gati për të marrë lejet”.
Në ekranet e prezantimit u shfaqën projektet e ndërtesave të reja, shumica me kulla. Për herë të parë u shfaqën publikisht edhe shifra: një portofol investimesh që i afrohet 1 miliard eurove.
Por sërish u anashkalua një detaj thelbësor, shumica projekteve do të ndërtohen mbi prona publike dhe publiku di pak ose aspak për fatin e tokave aq të lakmuara nga sektori imobiliar.
“Shtatë objekte ndërtimore janë gati për të marrë lejen e ndërtimit,” tha Kokona para konkursit.
Ajo nënkuptoi se në këtë listë përfshinte edhe projektet e dy rezidencave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, që iu dhanë privatëve për t’u kthyer në hotele.
“Punët vijojnë me përfundimin, në ditët në vijim, të negocimit për dy hotelet […] të cilat gjithashtu fillojnë fazën e aplikimit për leje,” vijoi Kokona duke kërkuar mbështetjen nga Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT).
“[…projektet] janë tanimë në një fazë të avancuar dhe madje një pjesë e tyre janë gati për të marrë lejen e zhvillimit dhe për të filluar nga puna,” u shpreh Rama si për të saktësuar faktin se si fillim nevojiten lejet e zhvillimit dhe përpara ka ende procedura për t’u ndjekur.
Leja e zhvillimit është një nga dokumentet bazë për të vijuar implementimin e një projekti. Ajo jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), që drejtohet nga Kryeministri Rama dhe organizohet nga AZHT, që luan rolin e sekretariatit.
Leja e zhvillimit përcakton në parim kushtet se sa dhe si mund të ndërtohet në një truall: intensitetin, volumetrinë, numrin e kateve dhe distancat nga kufijtë. Ajo nuk të mundëson të drejtën për të nisur punimet.
E drejta për të ndërtuar mundësohet vetëm nga leja e ndërtimit, e cila jepet po nga KKTU-ja, që miraton edhe projektin teknik, arkitekturor dhe zbatimin konkret brenda kushteve të lejes së zhvillimit. Ajo i jepet ndërtuesve vetëm pas plotësimit të kushteve tekniko-ligjore si dhe pagesës së taksës së ndikimit mbi infrastrukturë.
Sidoqofshin projektet e ndërmjetësuara me KISH – pra, në pritje të lejes së zhvillimit, apo të ndërtimit – deklarata e 29 janarit, nënkupton se ato kanë tashmë një kontratë të nënshkruar dhe pronat publike janë dakordësuar të zhvillohen.
Transparenca, thjesht formalitet
Pas deklaratave të Kryeministrit dhe drejtueses së KISH, Citizens.al kërkoi zyrtarisht nga Korporata listën e projekteve “në fazë të avancuar”, statusin e negociatave me investitorët, përfitimin që do të marrë shteti prej tyre dhe kontratat paraprake mbi të cilat mbështeten këto zhvillime.
Përgjigjja ishte e shkurtër: informacioni gjendet në faqen zyrtare të KISH. Në pamje të parë kjo duket përgjigje administrative. Por verifikimi i publikimeve tregon krejt tjetër gjë.
Kontrolli i të gjitha njoftimeve të publikuara nga Korporata tregon një model të përsëritur. Ajo publikon konkurset arkitekturore, studiot fituese, vizualizimet “3D”, por jo studimet e fizibilitetit, verifikimet e bëra për kapacitetet e investimit, garancitë, apo dhe marrëveshjet financiare me ndërtuesin.
Mungojnë kontratat paraprake të negociuara, kushtet e dakordësuara dhe mbi të gjitha vlerat e përfitimit që do të marrë shteti nga shfrytëzimi i pronave publike për qëllime ndërtimi privat.
Me fjalë të tjera, publiku sheh ndërtesat që do të ndërtohen, por jo pazaret që qeveria finalizon me privatët.
Çfarë fitojmë ne nga këto? Kush janë mekanizmat që mbrojnë nga abuzimet?
KISH nuk është një zhvillues publik klasik dhe as investitor. Korporata funksionon si ndërmjetësuese ekonomike: identifikon prona shtetërore, organizon gara për investitorë dhe negocion zhvillimin e tyre.
Deri më sot të gjitha thirrjet janë çuar para nga arkitektë të huaj, por asnjë prej tyre nuk ka thithur investitorë të huaj. Një e metë që qeveria dhe Korporata përpiqen ta mënjanojnë nga diskursi publik.
Në praktikë, mënyra përmes së cilës pronat publike po shndërrohen në marrëveshje ekonomike me ndërtuesit vendas është përmes përqindjeve të sipërfaqes që merr shteti në raport me vlerën e tokës.
Pikërisht ky element, çmimi real i pasurisë publike, është ai që nuk publikohet, madje në disa thirrje ku përqindja e kërkuar ka zbritur në rreth 40% nuk shoqërohet me shpjegime.
Një rast konkret: në thirrjen për Lift Tower, fillimisht Korporata kërkonte minimalisht 45% të sipërfaqes, por me thirrjen e rihapur, këtë muaj, kërkon 40%.
Projektet “gati për leje”
Në prezantimin e janarit u identifikuan 5 projekte që konsiderohen në prag të lejeve: kulla “Tirana Void Tower” (€79 milionë), Kompleksi Governativ (€37 milionë), stadiumi “Selman Stërmasi” (€172 milionë), Pallati i Sportit “Asllan Rusi” (€109 milionë) dhe Biblioteka Kombëtare (€55 milionë).
Fituesi fillestar i garës për “Void Tower,” ofroi 46.1% (Aiba Company) të sipërfaqes për shtetin, por u tërhoq. Negociatat kaluan te oferta e dytë, 45% (Progeen). Në këtë thirrje, investitori do të ndërtojë për qeverinë Kompleksin Governativ.
Nga shtatori 2025, në faqen e Korporatës nuk ka pasur asnjë njoftim për nënshkrim kontrate. Megjithatë, sipas qeverisë, projekti rezulton sot ndër ata që konsiderohen si “gati për leje”.
Kjo tregon shumë për procedurat: një zhvillim mbi tokë publike i afrohet miratimit të lejeve, por marrëveshja mbi të cilën mbështetet nuk njoftohet publikisht.
Ngjashëm është vepruar edhe për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Asnjë njoftim për lidhje të mundshme kontrate. Investitori (Trema Tech) ofroi për këtë projekt 40.5% të sipërfaqes që do të zhvillohet.
I vetmi projekt që ka pasur njoftim paraprak për kontratë të nënshkruar rezulton të jetë ai për Stadiumin “Selman Stërmasi”. Në këtë investim, privati (Albanian Investment Construction) ofroi 46.5% të sipërfaqes që do të zhvillohet mbi pronat publike të zonës.
Megjithatë nuk ka të dhëna për datën e nënshkrimit të kontratës, kushtet e vendosura në negocim dhe afatet e mundshme se kur mund të nisin dhe mbarojnë punimet.
Por, rasti më i paqartë dhe shqetësues është ai i Bibliotekës Kombëtare, një ndërtesë e rëndësishme publike, të cilën KISH e ofroi ta ndërtojë në partneritet me privatin.
Dy thirrje të hapura, ku jepej si incentivë mundësia për të ndërtuar kulla te ish-Vilat Gjermane, u anuluan për mungesë ofertash.
Por, befas, projekti i Bibliotekës shfaqet në listën e projekteve “në pritje të lejes”. KISH nuk ka njoftuar asnjë procedurë të re konkurruese dhe për rrjedhojë asnjë marrëveshje publike me investitorin (X-One).
Bëhet fjalë për një institucion publik kombëtar, por mënyra se si do të financohet dhe formula se si do ta marrë shteti në dorëzim atë mbetet e panjohur.
Gjashtë thirrje të tjera të KISH me vlerë investimi €538 milionë cilësohen “në proces”: Expo Albania (€50 milionë); Lift Tower (€64 milionë); Godina e Kadastrës (€28 milionë); Stadiumi Skënderbeu (€56 milionë); Stadiumi Flamurtari (€200 milionë), Stadiumi Niko Dovana (€140 milionë).
Paralelisht, “në proces”, cilësohen edhe Durana Tech Park, Parku i Besimit dhe dy rezidencat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, por që nuk shoqërohen me një kosto të përafërt investimi.
Thirrje si “Shtëpia e re e fëmijëve, Korpusi i Inspektorateve, Godina multifunksionale” dhe “Pallati i Kongreseve” janë në proces për përzgjedhjen e partnerëve privatë.
Ndërkohë që për të ardhmen pritet hapja e thirrjeve për zhvillimin e tre korpuseve “Drejtësisë”; “Sigurisë” dhe “Institucioneve të Pavarura” si dhe “Parkimet Publike”. Nga këto thirrje të njoftuara paraprakisht kuptohet se do të ofrohet mundësia e ndërtimit të së paktën një kulle te “Fusha e Aviacionit”.
Mënyra se si qeveria dhe KISH po e trajton këtë proces zhvillimi është më shumë se një çështje transparence.
Në mungesë të kontratave dhe kushteve të negociuara, publiku nuk mund të verifikojë nëse këto projekte përbëjnë investim publik, apo thjesht një “transferim” të pasurive shtetërore te privatët pa procedura të mirëfillta privatizimi dhe konkurrence.Prandaj çështja nuk është thjesht transparenca procedurale, por kontrolli mbi mënyrën se si po vendoset për përdorimin e pronës publike.
Pa llogaridhënie, zhvillimi urban rrezikon të mbetet një vendim i mbyllur që qytetarët e kuptojnë vetëm kur kantieret nisin të hapen, apo ndërtesat janë ngritur tashmë.
Parlamenti Evropian në draft-raportin për Shqipërinë kërkon hapa të mëtejshëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik.
Dokumenti thekson nevojën për më shumë transparencë mbi konfliktet e interesit të pronarëve të medias, garanci ndaj presionit politik dhe ekonomik mbi gazetarët dhe hetim efektiv të kërcënimeve e sulmeve ndaj tyre.
Korrupsioni, “shqetësim serioz”
Në dokumentin prej nëntë faqesh, Parlamenti Evropian analizon zhvillimet në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, administratën publike, ekonominë, mjedisin dhe politikën e jashtme.
Raporti shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin konfrontues, të cilat sipas tij minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
PE shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe për diskursin konfrontues politik.
“…të cilat minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionin efektiv të institucioneve demokrative”, thuhet në draf-raport.
PE-n mes të tjerash thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz.
“Pavarësisht përparimit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta”, thekson draft-raporti.
Ndërsa nënvizon se korrupsioni duhet adresuar në të gjitha nivelet me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore.
Po ashtu, në draft-raport thuhet se duhet një luftë më efektive kundër krimit të organizuar ”përfshirë pastrimin e parave dhe rrjetet e trafikut të drogës”, ndërsa bën thirrje për intensifikim të bashkëpunimit me agjencitë e BE-së si Europol dhe Eurojust.
Të drejtat themelore
Draft-raporti kërkon forcimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e pakicave dhe grupeve vulnerabël: romët dhe egjiptianët, personat me aftësi të kufizuar, punëtorët migrantë dhe komunitetin LGBTQI+.
Ai nënvizon nevojën për zbatim efektiv të legjislacionit kundër diskriminimit dhe shpreh shqetësim për retorikën antigjinore në diskursin politik.
Po ashtu, theksohet rëndësia e përmirësimit të aksesit në drejtësi, veçanërisht për grupet e margjinalizuara.
Mjedisi dhe reformat socio-ekonomike
Sipas draft-raportit, Parlamenti Evropian sheh me shqetësim vlerësimin e Komisionit se nuk ka pasur përparim në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike në vitin e shkuar.
Ndërsa shpreh keqardhje për frekuencën e ulët të mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Punës.
“Bën thirrje për forcimin e procesit të konsultimit trepalësh, përfshirë përfaqësim të duhur të sindikatave; thekson nevojën për të mbështetur më tej ngritjen e kapaciteteve të partnerëve socialë”, thuhet në draft-raport.
Po ashtu, shihen me rëndësi investimet në arsim, në zhvillimin e aftësive dhe inovacion me qëllim rritjen e qëndrueshme.
“Çështja është urgjente, sepse gropat e kullave mund të hapen dita-ditës,” kështu paralajmëron grupimi qytetar “Stop Kullave në Pogradec,” i angazhuar online dhe në terren për të kundërshtuar projektin “Pogradec Marina,” i cili parashikon ngritjen e katër kullave deri në 23 kate pranë vijës liqenore.
Ky projekt u bë me dije fillimisht nga një postim në faqen personale të sipërmarrësit Armand Lilo, më 24 dhjetor 2024. Ai shprehej entuziast për faktin se kompania e tij “Arlis Construction” do të zhvillonte një projekt luksoz në qendër të Pogradecit.
“Një projekt që do t’i sjellë një erë të re qytetit. Vjen së shpejti ‘Pogradec Marina’,” shkruante Lilo në Instagram.
Në përshkrimin zyrtar projekti paraqitet si një kompleks turistik me njësi tregtare, restorante, apartamente dhe hotel me pesë yje, me pamje mbi Liqenin e Ohrit.
Banorët thonë se zhvillimi i zonës ishte i pritshëm, por jo në këto përmasa.
Grupimi “Stop Kullave në Pogradec,” i cili i është drejtuar i shqetësuar redaksisë së Citizens, tregon se ish-godinat e Turizmit të vjetër dhe të ashtuquajturit “Oktapod” mund të transformoheshin vetëm duke respektuar identitetin urban dhe historik të qytetit.
Por, shqetësimi nuk është vetëm urbanistik. Ekspertë mjedisorë paralajmërojnë se ritmi i betonizimit, përfshirë edhe zonën e Drilonit, rrezikon statusin e Liqenit të Ohrit si Trashëgimi Botërore të UNESCO-s.
“Në pritje të firmës së Edi Ramës”
Në të njëjtën ditë kur sipërmarrësi Lilo bënte publik projektin në faqet e tij të rrjeteve sociale, ai u paraqit në (Pika 14) rendin e ditës së një mbledhjeje të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
Sipas postimeve të vetë investitorit, miratimi në KKTU ishte dhënë dhe pritej vetëm leja për nisjen e punimeve. Por Bashkia Pogradec i tha Citizens.al se nuk kishte informacion nëse leja ishte miratuar apo jo.
Ndërsa Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) deklaroi se projekti ka marrë leje ndërtimi me kusht, por vendimi nuk është konfirmuar ende nga Kryetari i KKTU-së, ministri i linjës dhe Sekretari i KKTU-së.
Praktikisht, projekti mbetet në pritje të firmës përfundimtare të Kryeministrit, ministrit të Turizmit dhe Drejtueses së AZHT-së.
Ilustrim grafik/Citizens.al
Citizens.al iu drejtua kompanisë “Arlis Construction” për koment nëse ajo i ka marrë parasysh se projekti zhvillohet në zonën buferike të një zone të mbrojtur, nëse ka zhvilluar takime me banorëve dhe nëse e ka marrë vërtetë lejen e ndërtimit.
Kompania nuk dha koment. Përfaqësuesit e saj këmbëngulën për një takim me gazetarët e Citizens.al, kërkesë e cila nga redaksia u gjykua e paarsyeshme, pasi prej më shumë se një jave është tentuar të merret përgjigje në mënyrë zyrtare.
Ndërkohë, qytetarët pretendojnë mungesë totale konsultimi publik. Ata thonë se projekti cenon aksesin në vijën liqenore dhe hapësirat natyrore.
“Asnjë konsultim zyrtar mbi këtë projekt kolosal që do të transformojë në mënyrë të përbindshme vijën ujore të liqenit, dhe vetë liqenin,” thanë përfaqësues të grupimit “Stop Kullave në Pogradec” për Citizens.al.
“Ky qëndrim është jo vetëm jo-ligjor, por dhe përbuzës për gjithë qytetaret pogradecarë, që po iu vidhet aksesi në liqen dhe natyrë, pa shpjegimin minimal,” vijuan ata.
Ky grupimi qytetar ka hapur edhe një peticion online, të firmosur tashmë nga rreth 1,770 persona.
Më 9 shkurt 2026 u dërgua gjithashtu letër e hapur Bashkisë, Ministrisë së Mjedisit dhe AZHT-së.“Pogradeci nuk është Dubai dhe nuk duhet të bëhet i tillë”, thuhej në dokument.
Liqeni i Ohrit, në rrezik të statusit të mbrojtjes
Prej vitit 2019, pjesa shqiptare e Liqenit të Ohrit është përfshirë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Zona konsiderohet ndër ekosistemet më të vjetra liqenore në Evropë dhe me biodiversitet unik.
Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri (PPNEA) ka dalë publikisht në mbështetje të qytetarëve duke kërkuar ndalimin e ndërtimeve përgjatë vijës liqenore, zbardhjen e dokumentacionit të projekteve, përfshirjen e komunitetit dhe ekspertëve në konsultime dhe respektimin e statusit të mbrojtjes.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në sesionin e 47-të (Paris, korrik 2025), paralajmëroi se rajoni i Liqenit të Ohrit rrezikon humbjen e vlerave të jashtëzakonshme dhe kërkoi masa urgjente nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Sipas inxhinierit dhe ambientalistit Arian Merolli, përfaqësues të UNESCO-s janë informuar nga shoqëria civile dhe pritet të vizitojnë Pogradecin për monitorim në muajin mars.
Projekte të ngjashme kanë ngritur shqetësime edhe më parë. Para “Pogradec Marina”, projekti “Pyjet e Drilonit,” – raportuar nga Citizens.al – nisi reklamimin e shitjes së apartamenteve pa pasur ende leje ndërtimi.
Citizens.al ka botuar më herët edhe një koment të zgjeruar nga Christian Défarge, studiues në Francë për të njëjtën problematik të ndërtimeve që cenojnë peizazhin dhe habitatin natyror të liqenit.
Marina e Pogradecit, vijon linjën e urbanizimit të thellë të parë edhe me projektet bregdetare si “Marina di Valona” apo “Durrës Marina”.