Normal view

Received — 10 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

RENEA, në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026”

10 February 2026 at 10:43

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Forcat RENEA janë duke marrë pjesë në Dubai në “SWAT Challenge Dubai 2026”, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare të forcave special.

Kryeministri Edi Rama ndau momente nga pjesëmarrja e forcave shqiptare, duke u shprehur se RENEA me këtë pjesëmarrje bëhet pjesë e elitës botërore të forcave speciale.

Në garë, për të pestin vit radhazi Policia e Shtetit përfaqësohet nga Njësia Elite RENEA, e cila këtë vit konkurron me dy ekipe, RENEA “A” dhe RENEA “B”

Në ditën e tretë të garave, ekipet e RENEA-s po demonstrojnë profesionalizëm të lartë në një garë ku marrin pjesë rreth 50 shtete me 109 ekipe nga e gjithë bota.

The post RENEA, në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sala në forumin WHX Dubai 2026: Sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve

9 February 2026 at 15:51

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala mori pjesë në WHX Dubai 2026, një nga forumet më të rëndësishme globale për shëndetësinë dhe inovacionin.

Ministrja Sala prezantoi rrugëtimin e Shqipërisë në shëndetësinë digjitale, nga një sistem i bazuar kryesisht në dokumente letre, drejt platformave kombëtare digjitale që sot përdoren çdo ditë nga mjekët dhe institucionet shëndetësore.

Ajo theksoi se, pavarësisht progresit të bërë, sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve, në mënyrë që informacioni shëndetësor të qarkullojë më lehtë, të shmangen përsëritjet e panevojshme dhe të lehtësohet puna e profesionistëve të shëndetit.

Ministrja nënvizoi gjithashtu se teknologjia ka vlerë vetëm kur përmirëson realisht kujdesin për pacientin dhe se hapi i radhës për Shqipërinë është ndërtimi i sistemeve të lidhura, të sigurta dhe të besueshme, në përputhje me standardet europiane.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala në WHX Dubai 2026
1 nga 4

/e.i/j.p/

The post Sala në forumin WHX Dubai 2026: Sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HONG KONG – Manjati i medias, Jimmy Lai dënohet me 20 vjet burg

9 February 2026 at 10:51

HONG KONG, 9 shkurt /ATSH-DPA/- Një gjykatë në Hong Kong dënoi sot manjatin e medias dhe aktivistin pro-demokracisë Jimmy Lai me 20 vjet burg.

Lai, 78 vjeç, u shpall fajtor në dhjetor për komplot për bashkëpunim me forcat e huaja dhe për publikim të botimeve rebele, vepra penale që mund të dënoheshin me burgim të përjetshëm. Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Bashkëshortja e Lai, Teresa Lai, dhe mbështetës të tij, përfshirë kardinalin katolik Joseph Zen, morën pjesë në dhënien e dënimit.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar vazhdimisht gjyqin.

“Dënimi i ashpër me 20 vjet burg kundër 78-vjeçarit Jimmy Lai është në fakt një dënim me vdekje”, tha Elaine Pearson, drejtoreshë e Azisë në “Human Rights Watch”.

“Një dënim i kësaj madhësie është mizor dhe thellësisht i padrejtë”, shtoi ajo.

Reporterët pa Kufij (RSF) thanë se vendimi i gjykatës thekson kolapsin e plotë të lirisë së shtypit në Hong Kong.

Grupi u bëri thirrje demokracive si, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ushtrojnë presion mbi autoritetet e Pekinit dhe Hong Kongut për të siguruar që Lai dhe gazetarët e tjerë të lirohen nga burgu.

Çështja ka tërhequr vazhdimisht kritika ndërkombëtare, veçanërisht nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja, ndërsa presidenti Donald Trump tha gjatë fushatës së tij zgjedhore se donte ta lironte Lai nga burgu.

Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, lëshoi ​​një deklaratë pas dënimit, duke iu referuar “një ndjekjeje penale të motivuar politikisht”.

“Unë mbetem thellësisht e shqetësuar për shëndetin e Lai dhe u bëj thirrje sërish autoriteteve të Hong Kongut që t’i japin fund përvojës së tij të tmerrshme dhe ta lirojnë atë për arsye humanitare”, tha sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper, në ​​një deklaratë pas dënimit.

Robert Pang, avokati i Lai ka kërkuar një dënim të reduktuar në javët e fundit, duke përmendur shëndetin e tij.

Ai përmendi gjendjen e tij shëndetësore duke përfshirë tensionin e lartë të gjakut dhe diabetin, ndërsa prokurorët hodhën poshtë shqetësimet për çdo përkeqësim të gjendjes së Lai në burg, duke e përshkruar shëndetin e tij si “të qëndrueshëm”. //a.i/

The post HONG KONG – Manjati i medias, Jimmy Lai dënohet me 20 vjet burg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

RTSH dhe RAI marrëveshje bashkëpunimi, Vasili: Hap drejt standardeve europiane të medias

TIRANË, 6 shkurt/ATSh/ Drejtoresha e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit mes RTSh-së dhe RAI-t, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e medias publike.

Marrëveshja u nënshkrua sot në ambientet e RAI në Romë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale mes dy transmetuesve publikë.

Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH, Eni Vasili përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ajo thekson se ky partneritet krijon mundësi konkrete për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit për stafet, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale.

“Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në median publike. Kjo marrëveshje krijon mundësi për shkëmbimin e filmave dhe serialeve më të mira italiane, zhvillimin e programeve të trajnimit, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira profesionale, me synim rritjen e kapaciteteve të stafit dhe përmirësimin e standardeve profesionale”, theksoi Vasili.

Një element i rëndësishëm i marrëveshjes lidhet edhe me procesin e digjitalizimit të arkivës së RTSh-së, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen dhe modernizimin e trashëgimisë audiovizive shqiptare.

“Ky partneritet përfaqëson një angazhim afatgjatë për cilësi, modernizim dhe standarde europiane, në shërbim të publikut shqiptar”, tha Vasili.

/k.s/r.e/a.f/

The post RTSH dhe RAI marrëveshje bashkëpunimi, Vasili: Hap drejt standardeve europiane të medias appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

DUBAI – Nis punimet Samiti Botëror i Qeverive 2026

3 February 2026 at 16:41

DUBAI, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Samiti Botëror i Qeverive 2026 filloi në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) të martën nën temën “Formësimi i Qeverive të së Ardhmes”, duke shënuar pjesëmarrjen më të madhe ndërkombëtare në historinë e këtij eventi.

Samiti tre-ditor, që do të zhvillohet midis 3 dhe 5 shkurtit, bashkon më shumë se 6.250 vendimmarrës dhe ekspertë, duke përfshirë mbi 60 krerë shtetesh dhe qeverish dhe zëvendësit e tyre, më shumë se 500 ministra dhe përfaqësues nga mbi 150 qeveri, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve WAM.

Kjo shënon pjesëmarrjen më të madhe të lidershipit në këtë event deri më sot që nga themelimi i tij në vitin 2013.

Pjesëmarrësit pritet të diskutojnë trendet globale, të adresojnë sfidat globale dhe të eksplorojnë rolin e qeverive në formësimin e zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit.

Edicioni i këtij viti do të përfshijë çmime në katër kategori: Çmimin e Ministrit më të Mirë, Çmimin Global të Qeverisë më të Reformuar, Çmimin Ndërkombëtar të Praktikave më të Mira të Dubait për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Çmimin Global të Mësuesit.   /os/

The post DUBAI – Nis punimet Samiti Botëror i Qeverive 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Medalje ari për prodhuesin shqiptar të vajit të ullirit në panairin Gulfood 2026 në Dubai

29 January 2026 at 09:12

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Produktet “Made in Albania” po vijojnë të shënojnë sukses në skenën ndërkombëtare, duke u prezantuar me dinjitet në një nga panairet më të mëdha globale të ushqimit dhe pijeve, Gulfood 2026, që po zhvillohet në Dubai.

Prej disa ditësh, kompanitë shqiptare janë aktive në panair dhe aktualisht ndodhen në ditën e tretë të ekspozimit, duke tërhequr interes të konsiderueshëm nga blerës, distributorë dhe vizitorë profesionistë nga Lindja e Mesme, Azia, Evropa dhe Amerika e Veriut.

Pjesëmarrja në Gulfood ofron një platformë unike për prezantimin e produkteve shqiptare, veçanërisht në sektorin agroushqimor, duke krijuar mundësi konkrete për bashkëpunime tregtare dhe hyrje në tregje të reja.

Nje prej kompanive shqiptare përfaqësuese në panair, Musai Olive Oil është vlerësuar me medalje ari në Dubai në konkursin “Olive Oil Competition”, një nga konkurset më të rëndësishme ndërkombëtare të vajit të ullirit, ku marrin pjesë prodhues nga e gjitha vendet që ekspozojnë në Gulfood.

Menaxheri i projektit International Trade Centre, UN Agency Genti Beqiri, bëri të ditur se ky vlerësim konfirmon cilësinë e lartë të vajit të ullirit shqiptar dhe rrit më tej profilin e Shqipërisë si vend prodhues i produkteve premium.

Gjatë panairit, stenda e Shqipërisë është vizituar edhe nga përfaqësues të qeverisë së Dubait dhe institucioneve lokale, duke reflektuar interesin në rritje për produkte autentike, të certifikuara dhe me origjinë të qartë nga rajone me potencial bujqësor si vendi ynë.

Gulfood mbledh çdo vit mbi 5,000 ekspozues nga më shumë se 120 vende dhe tërheq mbi 150,000 vizitorë profesionistë, duke u konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë ushqimore.

Sipas Beqirit, prania e kompanive shqiptare në këtë panair përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të markës “Made in Albania” dhe rritjes së eksporteve në tregje me vlerë të lartë.

“Suksesi i Musai Olive Oil dhe interesi i tregut për produktet shqiptare në Gulfood dëshmojnë se investimi në cilësi, standarde ndërkombëtare dhe promovim të qëndrueshëm po sjell rezultate konkrete, duke e pozicionuar Shqipërinë gjithnjë e më fuqishëm në hartën globale të produkteve agroushqimore”, u shpreh menaxheri i projektit International Trade Centre, UN Agency Genti Beqiri. /j.p/

1 nga 3

The post Medalje ari për prodhuesin shqiptar të vajit të ullirit në panairin Gulfood 2026 në Dubai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tetë kompani shqiptare agroushqimore prezantojnë “Made in Albania” në Gulfood 2026 në Dubai

26 January 2026 at 12:05

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Tetë kompani shqiptare nga sektori agroushqimor janë pjesë e edicionit 2026 të Gulfood, që zhvillohet nga 26 deri më 30 janar 2026, një ngjarje madhore botërore që shtrihet njëkohësisht në Dubai Exhibition Centre dhe Dubai World Trade Centre.

Menaxheri i projektit ITC (International Trade Centre) UN Agency, Genti Beqiri bëri të ditur se ky panair, i njohur si një nga më të mëdhenjtë dhe më prestigjiozët në industrinë globale të ushqimit dhe pijeve, përfaqëson një vitrinë të jashtëzakonshme për promovimin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

“Pjesëmarrja e kompanive shqiptare bëhet e mundur falë mbështetjes së International Trade Centre (ITC) dhe Swiss State Secretariat for Economic Affairs (SECO), në kuadër të përpjekjeve për të nxitur eksportet, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të mbështetur ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare. Kjo mbështetje synon të krijojë ura konkrete lidhjeje mes prodhuesve shqiptarë dhe tregjeve globale”, tha Beqiri.

Sipas tij, kompanitë pjesëmarrëse përfaqësojnë sektorë me potencial të lartë eksporti, përfshirë vajin e ullirit, bimët mjekësore dhe aromatike, si dhe vajrat esenciale.

Gjatë panairit, ato do të prezantojnë cilësinë, autenticitetin dhe standardet e produkteve shqiptare përballë një audience ndërkombëtare të përbërë nga importues, distributorë, blerës me shumicë dhe profesionistë të industrisë ushqimore nga mbi 190 vende.

“Pjesëmarrja në Gulfood 2026 u hap kompanive shqiptare dyert për takime B2B, krijimin e partneriteteve të reja tregtare dhe eksplorimin e tregjeve me potencial të lartë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë”, shtoi Beqiri.

Njëkohësisht, ajo kontribuon në forcimin e imazhit të markës “Made in Albania”, duke e pozicionuar Shqipërinë si një vend me produkte autentike, cilësore dhe konkurruese në skenën globale.

“E mbështetur nga ITC dhe SECO, kjo pjesëmarrje pritet të shërbejë si një nxitës i rëndësishëm për rritjen e eksporteve shqiptare, zgjerimin e rrjeteve tregtare dhe rritjen e qëndrueshme të pranisë së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi Beqiri. /j.p/

1 nga 4

The post Tetë kompani shqiptare agroushqimore prezantojnë “Made in Albania” në Gulfood 2026 në Dubai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë

21 January 2026 at 12:54

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave të protestës së 21 janarit të vitit 2011 është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas përfundimit të ceremonisë së homazheve për përkujtimin e katër të vrarëve në protestën e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Nika zhvilloi një takim me prokurorin e çështjes, Alfred Shehu.

Në një prononcim për gazetarët, jashtë godinës së SPAK, Nika kërkoi përshpejtimin e hetimeve, duke theksuar se dëshmitarët ndodhen nën presion dhe frikë.

“Kërkojmë që hetimi për “21 Janarin” të përshpejtohet. Dëshmitarët kanë presion dhe frikë”, u shpreh ai.

“Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia e re nga SPAK. Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë”, tha Mark Nika.

Sipas tij, drejtësinë e pret nga SPAK dhe jo nga qeveria. “Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Prokurori i çështjes më tha që janë kryer veprime që të restaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha”, tha Nika.

Nika tha se fajtore “në planin politik dihet është Partia Demokratike, Berisha”.

“Ai (Sali Berisha – shën. i red.) ka qenë kryeministër, ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë “e kemi bërë ne”. Ata e fshehin. Pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ikën dhe fshihesh? Pse bën manipulimin e provave?”, tha Nika.

Sot, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të katër viktimave që u vranë në protestën e 21 Janarit 2011. Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, mbajti fjalën e rastit kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt.

Më pas, ceremonia përkujtimore vazhdoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u vendosën karafila në kujtim të katër viktimave të kësaj ngjarjeje.

/e.i/a.f/

The post Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

HONG KONG – Manjati i medias, Jimmy Lai dënohet për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare

15 December 2025 at 09:51

HONG KONG, 15 dhjetor /ATSH-DPA/- Një gjykatë e Hong Kongut ka dënuar manjatin e medias, Jimmy Lai – duke e shpallur themeluesin e gazetës pro-demokracisë “Apple Daily” fajtor për komplot për bashkëpunim me forcat e huaja dhe për botim materialesh që shkaktojnë kryengritje.

Sipas vendimit të sotëm, 78-vjeçari u shpall fajtor për të tre akuzat, dy prej të cilave lidheshin me bashkëpunimin me forcat e huaja.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe tani përballet me një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm. Dënimi do të jepet në një datë të mëvonshme që ende nuk është caktuar.

Prokurorët kanë akuzuar Lai për shkelje të ligjit të diskutueshëm të sigurisë kombëtare, sipas të cilit aktivistë të tjerë “pro-demokraci” janë dënuar tashmë, duke e bërë vendimin e gjyqtarëve gjerësisht të pritshëm.

Lai, i cili gjithashtu mban një pasaportë britanike, themeloi “Apple Daily”, e cila u detyrua të mbyllej në vitin 2021 pasi autoritetet nisën hetime – sipas një ligji gjithëpërfshirës të sigurisë kombëtare të urdhëruaar nga Pekini.

Ligji kriminalizon veprimet e konsideruara nga Pekini si kryengritje, shkëputje dhe përmbysje.

Jimmy Lai, 78 vjeç ka kaluar tashmë më shumë se pesë vjet në burg – pasi është dënuar për çështje të tjera, dhe mbështetësit e tij kanë shprehur së fundmi shqetësim në rritje për shëndetin e tij.

Përpara vendimit, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve përsëriti gjithashtu thirrjen për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Lai. Grupi i lirisë së shtypit tha se Lai vuan nga diabeti dhe është mbajtur në izolim.

Gjyqi filloi në dhjetor të vitit 2023 dhe zgjati përtej 80 ditëve të planifikuara fillimisht, duke përfunduar në fund të gushtit – pas më shumë se 150 ditësh seancash dëgjimore.//a.i/

The post HONG KONG – Manjati i medias, Jimmy Lai dënohet për shkelje të ligjit të sigurisë kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përvoja shqiptare e AI në shërbimet publike, në Samitin e Inteligjencës Artificiale në Bruksel

12 December 2025 at 18:26

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit morën pjesë në Samitin Ndërkombëtar për Inteligjencën Artificiale, duke u bërë pjesë e diskutimeve me përfaqësues të institucioneve evropiane, qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe industrisë globale të teknologjisë.

AKSHI bën me dije në një njoftim, se drejtori për Inteligjencën Artificiale, Enio Kaso, ndau përvojën e Shqipërisë në përdorimin e AI në shërbimet publike.

Sipas njoftimit, fokusi në këtë sesion diskutimesh u mbajt te Diella, asistenti inteligjent i e-Albania-s, që rrit aksesin, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët; roli i AI-së në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në përkthimin ligjor dhe përafrimin me acquis-në dhe rëndësinë e një ekuilibri mes inovacionit, rregullimit, etikës dhe besimit në sektorin publik.

“Diskutimet theksuan se e ardhmja e AI-së në Evropë ndërtohet përmes zbatimit real, zhvillimit të kapaciteteve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Shqipëria po pozicionohet aktivisht në këtë rrugëtim, me zgjidhje konkrete dhe të përgjegjshme për qytetarët dhe administratën publike”, thuhet në njoftim.

/e.i/j.p/

The post Përvoja shqiptare e AI në shërbimet publike, në Samitin e Inteligjencës Artificiale në Bruksel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Programi “Europa Digjitale” afron Shqipërinë me standardet e BE në IA

21 November 2025 at 14:08

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, Autoriteti Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit, në rolin e partnerit dhe bashkëorganizatorit, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe GIZ, zhvilloi te Piramida e Tiranës, një sesion informues mbi Programin Europa Digjitale (DEP), një program financimi i Bashkimit Evropian për të fuqizuar inovacionin dhe transformimin digjital.

AKSHI njofton se qëllimi i sesionit ishte informimi i aktorëve kryesorë si institucionet publike, bizneset, universitetet dhe startup-et mbi mundësitë e financimit që sjell Programi Europa Digjitale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe promovimin e projekteve që nxisin zhvillimin digjital të vendit.

Në këtë sesion u prezantuan pesë thirrje të hapura për financim, në të cilat Shqipëria mund të aplikojë.

Në emër të AKSHI-t, drejtoresha e Agjendës Digjitale dhe Projekteve me Fonde të Huaja, Romina Kostani, përcolli vizionin e Shqipërisë për të qenë jo vetëm pjesë e transformimit digjital evropian, por edhe kontribuuese aktive në të.

“Shqipëria nuk synon vetëm të ndjekë ritmin, por të kontribuojë me ambicie dhe vendosmëri”, tha Kostani.

Së bashku me zëvendësministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, Jenni Lundmark nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, si dhe Sonja Kurz, drejtuese e GIZ në Shqipëri, u prezantua thirrja e tretë për European Digital Innovation Hubs (EDIH), një mundësi transformuese për ekosistemin shqiptar të inovacionit për t’u lidhur drejtpërdrejt me rrjetin evropian të inovacionit.

DEP hap një kapitull të ri për Shqipërinë, duke e afruar vendin me standardet më të avancuara të BE-së në inteligjencë artificiale, superkompjuterikë dhe teknologjitë e reja.

/e.i/j.p/

/e.i/

The post Programi “Europa Digjitale” afron Shqipërinë me standardet e BE në IA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Produktet natyrale të Shqipërisë në “Organic & Natural Expo Dubai”

18 November 2025 at 11:05

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Shqipëria është pjesëmarrëse në panairin ndërkombëtar “Organic & Natural Expo Dubai”, një nga ekspozitat më të rëndësishme botërore për produktet organike dhe natyrore.

Gjatë ditës së parë të aktivitetit, stenda shqiptare mirëpriti H.E. Eng. Marwan Ahmed Bin Ghalita, drejtor i Përgjithshëm i Bashkisë së Dubait, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Emiratit dhe i Këshillit Suprem të Energjisë.

Vizita e tij vlerësohet nga Agjencia për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) si një sinjal i qartë i interesit të lartë të institucioneve të Emirateve të Bashkuara Arabe për produktet shqiptare dhe për përpjekjet e Shqipërisë në promovimin e tyre.

Sipas AIDA-s, pjesëmarrja në këtë ekspo është rezultat i punës së koordinuar midis Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe vetë Agjencisë, me synim rritjen e mundësive të eksportit dhe hapjen e tregjeve të reja për bizneset shqiptare.

Produktet shqiptare organike përfshirë vajin e ullirit, çajrat, lëngjet, ujin natyral dhe bimët medicinale që po tërheqin vëmendjen e vizitorëve dhe blerësve ndërkombëtarë, duke treguar potencialin e fortë të markës “Made in Albania” në tregjet globale.

Panairi “Organic & Natural Expo Dubai” vijon edhe në ditët në vijim, ndërsa delegacioni shqiptar synon të zhvillojë takime me blerës dhe distributorë të interesuar për produktet bio dhe natyrore të vendit. /j.p/

The post Produktet natyrale të Shqipërisë në “Organic & Natural Expo Dubai” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shtyhet deri në 2029 misioni i FA-së pranë Forcës Shumëkombëshe në Sinai

5 November 2025 at 18:55

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shtyrjen deri në fund të vitit 2029 të misionit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë si pjesë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguese (MFO) në Sinai (Egjipt).

Vendimi parashikon që kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 30 dhjetor 2029, me rotacion deri në 365 ditë, afat i cili fillon të llogaritet nga data e nisjes së personelit për në mision.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend në 23 mars 2020, Këshilli i Ministrave miratoi në maj 2023 vendimin për dërgimin e ushtarakëve të parë të Forcave të Armatosura si pjesë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve (Multinational Force and Observers, MFO), në Sinai, mision që do të kishte një kohëzgjatje 3-vjeçare.

Misioni i ushtarakëve është vëzhgimi i implementimit të masave të sigurisë të Traktatit të Paqes ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit, të datës 26 mars 1979.

/m.m/r.e/a.f/

The post Shtyhet deri në 2029 misioni i FA-së pranë Forcës Shumëkombëshe në Sinai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – ‘’Hyundai’’ dhe ‘’Siemens’’ modernizojnë industrinë navale amerikane

2 November 2025 at 16:46

BERLIN, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Konglomerati i Koresë së Jugut ‘’HD Hyundai’’ është bashkuar me ‘’Siemens’’ të Gjermanisë për të modernizuar sektorin e ndërtimit të anijeve në SHBA, njoftuan sot dy kompanitë.

Bashkëpunimi, i zyrtarizuar përmes një memorandumi mirëkuptimi, synon të rigjallërojë industrinë duke përmirësuar cilësinë e projektimit, duke zvogëluar rreziqet e prodhimit, duke përmirësuar efikasitetin e përgjithshëm dhe duke ulur kostot.

Partneriteti do të përqendrohet në automatizimin e proceseve të montimit dhe instalimit të blloqeve, duke shfrytëzuar zgjidhje të bazuara në të dhëna për të optimizuar prodhimin, kontrollin e cilësisë dhe menaxhimin e proceseve.

Këto përpjekje pritet të nxisin inovacionin teknologjik gradual, por me ndikim, në të gjithë zinxhirin e vlerës së ndërtimit të anijeve.

‘’HD Hyundai’’ dhe ‘’Siemens’’ do të zhvillojnë së bashku programe trajnimi profesional për të kultivuar një fuqi punëtore të kualifikuar.

‘’HD Hyundai’’ planifikon të dërgojë instruktorë në mbi 30 qendra trajnimi të Siemens në të gjithë Shtetet e Bashkuara për të ofruar arsim praktik dhe të orientuar në terren.

Në bashkëpunim me institucione të larta akademike si Universiteti i Miçiganit dhe MIT, kompania synon gjithashtu të krijojë kurrikula të specializuara në inxhinieri, dizajn digjital dhe automatizim të proceseve./ /os/

The post FOKUS – ‘’Hyundai’’ dhe ‘’Siemens’’ modernizojnë industrinë navale amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kafja më e shtrenjtë në botë, në Dubai për 1 000 dollarë filxhani

1 November 2025 at 07:51

DUBAI, 1 nëntor /ATSH-DPA/ – Një kafene në Dubai po ofron kafenë më të shtrenjtë në botë, me çmim pothuajse 1 000 dollarë për filxhan, e përgatitur nga kokrra panameze të shitura me çmim rekord.

Dubai njihet për sipërmarrjert luksoze, si qendra tregtare gjigante me pistë skijimi brenda saj, ndërtesa më e lartë në botë dhe një ishull artificial i mbushur me hotele pesëyjëshe.

“E ndjemë se Dubai ishte vendi i përkryer për këtë investim” , tha Serkan Sagsoz, bashkëthemelues i kafenesë “Julith”, që ofron këtë kafe të rrallë.

E vendosur në një zonë industriale që është shndërruar në qendër për adhuruesit e kafesë, “Julith” planifikon të shërbejë rreth 400 filxhanë” të kësaj pijeje të çmuar duke filluar nga sot, tha Sagsoz.

Për një çmim prej 3 600 dirhamësh (rreth 980 dollarë), kjo kafe ofron një përvojë me aroma florale e frutash, të ngjashme me çajin.

“Ka nota të bardha lulesh si jasemini, shije agrumesh si portokalli dhe bergamot, si dhe nuanca kajsie e pjeshke”, shpjegoi Sagsoz, i cili më parë drejtonte një kafene në Turqi. “Është si mjaltë ,delikate dhe e ëmbël”, shtoi ai.

Muajin e kaluar, Dubai kishte hyrë në “Librin Guinness” për kafenë më të shtrenjtë në botë, kur kafeneja “Roasters” ofroi një filxhan për 2 500 dirhamë.

Rekordi i ri ka habitur disa njerëz, megjithatë për banorët e qytetit të luksit kjo nuk është befasi.

“Është tronditëse, por nga ana tjetër, është Dubai”, tha një banore, Ines. “Për njerëzit e pasur, është thjesht një tjetër përvojë për t’u mburrur”, shtoi një tjetër, Maeva.

Kafeneja “Julith” bleu kokrrat e saj të rralla në një ankand në Panama pas një gare të ashpër që zgjati me orë dhe mblodhi qindra oferta.

Sipas saj, 20 kilogramë kokrra u shitën për rreth 2.2 milionë dirhamë (rreth 600 000 dollarë) çmimi më i lartë i paguar ndonjëherë për kafe.

Blerës aziatikë, entuziastë arabë të kafesë dhe koleksionistë kokrrash kanë kërkuar të blejnë disa nga kokrrat “Nido 7 Geisha”, të cilat rriten në një plantacion pranë vullkanit “Baru “ në Panama.

Por kafeneja ka deklaruar se nuk planifikon t’i ndajë këto kokrra të rralla, përveç një sasie të vogël të rezervuar për familjen në pushtet tê Dubait. /Ad.Ab./

The post Kafja më e shtrenjtë në botë, në Dubai për 1 000 dollarë filxhani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Osmani takohet me Presidentin e Bullgarisë në Riad, e cilëson si mik të Kosovës

29 October 2025 at 10:21

PRISHTINË, 29 tetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Riad me homologun e saj bullgar, Rumen Radev.

Osmani përmes një postimi në Facebook tha se me homologun e saj bisedoi për largimin e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe për avancimin për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, transmeton KosovaPress.

“Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është një mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave tona euroatlantike. Në takimin tonë në Riad, në qendër të bisedës ishin largimi i masave të padrejta ndaj Kosovës dhe avancimi i aplikacionit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona në kuadër të partneritetit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar Osmani në Facebook.

/KosovaPress/

The post Osmani takohet me Presidentin e Bullgarisë në Riad, e cilëson si mik të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja: Po ndërtojmë një arkitekturë të fortë investimi për turizmin shqiptar

28 October 2025 at 14:05

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Pjesëmarrës në Samitin e Mikpritjes së Ardhshme në Dubai, ministri Blendi Gonxhja, u shpreh se është i nderuar që përfaqëson Shqipërinë në një moment transformimi të thellë për sektorin tonë të turizmit.

Pasi bëri një përshkrim të gjallë të bukurive tona natyrore, veçanëriasht përgjatë vijës bregdetare, ministri Gonxhja theksoi se, detyra jonë nuk është vetëm të ndërtojmë në këtë bregdet, por të formojmë përvoja që e nderojnë dhe ia përforcojnë identitetin.

“Përgjatë vijës sonë bregdetare prej 476 kilometrash, nga Adriatiku në Jon, Riviera nuk duket vetëm e bukur; ajo ka një ritëm, është si një melodi e gjallë – valë nën shkëmbinj, këmbana mbi portë, zëra në tregje dhe qetësia e manastireve mbi det. Këto nuk janë dekorime; ato janë identitet”, u shpreh ministri Gonxhja.

Kreu i MTKS u shpreh se tashmë transformimi është i qartë, sepse po kalojmë nga një sezon 3-mujor në një destinacion 12-mujor. Përveç korrikut e gushtit, po punohet për të krijuar vlera edhe në dhjetë muajt e tjerë dhe që ky ndryshim të jetë i qëndrueshëm,

Gonxhja tha se po ndërtohet një arkitekturë e fortë investimi.

Ai përmendi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, që pritet të hapet në vitin 2026 dhe do ta konsolidojë më tej këtë transformim duke përmirësuar lidhjen gjatë gjithë vitit me bregdetin.

Kreu i MTKS-së përmendi TVSH-në prej 6% mbi akomodimin, që mbetet aktive, duke mbështetur investimet afatgjata në mikpritje. Gjithashtu ai renditi grupet e mëdha ndërkombëtare si “Hilton”, “Marriott”, “Meliá”, “Hyatt” të pranishme në vend.

Ministri Gonxhja shtoi se Riviera jonë po pozicionohet si pjesë e Korridorit Blu, por do të këmbëngulet për ekuilibër: mbrojtja e trashëgimisë me mikpritje moderne; interesat e komunitetit me interesat e investitorëve dhe qasja me ruajtjen.

“Një arsye përse duhet investuar tani në Shqipëri dhe jo më vonë është se, Shqipëria ofron diçka të rrallë në Mesdheun e sotëm, një destinacion tashmë të pajisur me instrumentet që u nevojiten investitorëve: rritje e fortë, stabilitet politik, një pozicion strategjik midis Ballkanit dhe Mesdheut, një TVSH prej 6% për akomodimin, stimuj të synuar për investime me 4 dhe 5 yje”, tha Gonxhja.

Duke kujtuar sezonin turistik 12-mujor, kreu i MTKS ftoi jo vetëm ata që dëshirojnë ta dëshmojnë atë kur të përfundojë, por edhe ata që duan ta formësojnë atë ndërsa është ende duke u shkruar.

“Riviera Shqiptare nuk është fundi i Evropës; është fillimi i një tingulli të ri mesdhetar”, përfundoi Gonxhja.

/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Po ndërtojmë një arkitekturë të fortë investimi për turizmin shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shqipëria në “Future Hospitality Summit 2025” në Dubai, Gonxhja: Ftesë për ta eksploruar

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Shqipëria po merr pjesë në panairin Future Hospitality Summit 2025, që u hap sot në Dubai me pavijonin “Albanian Soundscapes”.

Ky pavijon i kuruar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit është cilësuar si një nga më të bukurit dhe më të mëdhenjtë mes mbi 50 vendeve pjesëmarrëse.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale tha se “koncepti i këtij pavijoni tregon Shqipërinë nga ana më e bukur e historisë dhe kulturës sonë, përmes destinacioneve, projekteve arkitekturore dhe muzikës së gdhendur në vinil, që bashkon traditën, shpirtin e vendit dhe vizionin tonë për zhvillimin e turizmit dhe mikpritjes”.

Në Future Hospitality Summit, Shqipëria prezantohet si një histori suksesi dhe një ftesë për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e së ardhmes së saj turistike.

Gonxhja u shpreh se “Shqipëria është një vend shumë tolerant, shumë i sigurt, multikulturor dhe madje edhe shumë fetar. Ka kaq shumë për të përjetuar, kaq shumë për t’u eksploruar dhe kaq shumë për t’u zbuluar në aventurën me këtë vend”.

“Jam vërtet i lumtur që ekipet realizuan një pavijon kaq të thjeshtë, të ngrohtë dhe përfaqësues, që flet për dashurinë me të cilën ne e mirëpresim çdo vizitor dhe partner”, tha Gonxhja.

/k.s/j.p/

The post Shqipëria në “Future Hospitality Summit 2025” në Dubai, Gonxhja: Ftesë për ta eksploruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“No Art Zone” e artistit Vladimir Myrtezai në COD, Rama: Për të mos u humbur

15 October 2025 at 22:05

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri, u çel sot ekspozita “NO ART ZONE”, nga artisti Vladimir Myrtezai.

Ekspozita shfaqet si një vazhdimësi e historisë së artistit, që fillimisht sfidoi paradigmën e artit të “Realizmit socialist” si instrument ideologjik.

Më tej, me ndryshimin e sistemeve, Vladimir Myrtezai nuk ia lejoi vetes të bëhej pre e narrativave shpesh herë të ngurta të artit bashkëkohor, që kthehen në një “liri” të institucionalizuar.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë artistë, kuratorë, intelektualë dhe dashamirës të artit, të cilët patën mundësinë të eksplorojnë veprat dhe të dialogojnë me autorin mbi procesin e krijimit dhe mesazhin e ekspozitës.

I pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ftoi qytetarët që ta vizitojnë, ndërsa ndau edhe pamje nga ekspozita.

“Vladimir Myrtezai dhe e bija Noel kanë sjellë në COD një ekspozitë për të mos u humbur”, shkruan Rama.

Ekspozita “NO ART ZONE” fton vizitorët të reflektojnë mbi kufijtë e artit dhe lirinë e krijimit.

Ekspozita “NO ART ZONE”, fotot: Andrin Hoxha nga artisti Vladimir Myrtezai. foto:
1 nga 18

/m.q/j.p/

The post “No Art Zone” e artistit Vladimir Myrtezai në COD, Rama: Për të mos u humbur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Pllakata për Kadarenë në Paris, Spiropali: Kujtesë e lartësisë ku e ngriti Shqipërinë

11 October 2025 at 18:48

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali përshëndeti sot vendosjen e pllakatës kushtuar shkrimtarit tonë të mirënjohur në Paris, në adresën 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku Ismail Kadare shkroi perla të përbotshme dhe të tejkohshme.

Kryediplomatja shqiptare u shpreh se me këtë veprim Parisi i tha “Faleminderit” luftëtarit të paepur të Shqipërisë Europiane. Ajo përcolli në rrjetet sociale pjesë nga mbledhja e këshillit bashkiak të Parisit, ku këshilltarja Maud Gatel kërkon vendosjen e pllakatës dhe vlerëson Kadarenë si shkrimtar shumë të njohur shqiptar dhe sjell në kujtesë veprat e tij më të shquara. Gatel ndalet tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që Kadare e shkroi kur ishte 27 vjeç dhe që i përkthyer në disa gjuhë i dha autorit famë ndërkombëtare.

Po ashtu, këshilltarja përmend veprat e ndaluara të autorit në Shqipërinë komuniste sikundër dhe ngjarjet e viteve ’90 kur Kadare kërkoi azil politik në Francë.

Gatel si kryetare e grupit Modem dhe ish-deputete e Parisit paraqiti dhe mbrojti propozimin pranë Këshillit Bashkiak.

Duke iu referuar pllakatës përkujtimore, Spiropali shprehu krenarinë për shkrimtarin.

“Në ato pak shkronja, do të kujtohet se Kadare e ngriti Shqipen dhe Shqipërinë në lartësi dhe largësi të panjohura më parë. Do të mbushemi me krenari se edhe pse ai i përket letërsisë botërore, ushqeu shpirtërisht e lartësoi moralisht popullin e tij”, u shpreh Spiropali.

Ministrja theksoi se me pllakatën do të përjetësohet nderi që Shqipëria dhe shqiptaria tek Kadare dhe vepra e tij gjetën formën më të lartë të vetvetes.

“Do të na kujtohet se Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, e qëndroi në atë piedestal edhe kur qemë të përbuzur e të keqkuptuar, luftoi për ne, edhe kur ne luftonim kundër tij”, vuri në dukje ajo.

Spiropali vlerësoi se në atë pllakë do të gdhendet emri i kolosit kulturor, humanist, patriotik, që na dha gjithçka e nuk mori kurrë asgjë.

“Merci Paris! Merci à la France!”, falënderoi ajo autoritetet franceze.

Këshilli Bashkiak i Parisit votoi disa ditë më parë në unanimitet për vendosjen e pllakatës me emrin dhe në nderim të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare.

Pllaka do të vendoset në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij.

The post Pllakata për Kadarenë në Paris, Spiropali: Kujtesë e lartësisë ku e ngriti Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌