TIRANË, 12 korrik/ATSH/ Bruno është i pandalshëm ndërsa flet për procesin e prodhimit të vajit të ullirit ekstra të virgjër në fabrikën e tij “Musai Olive Oil”. E vendosur mes kodrave me ullinj të Panajasë, fabrika prodhon vaj cilësor që ka marrë vlerësime ndërkombëtare edhe pse me kapacitete relativisht jo të mëdha.
Krijuar prej më shumë se 30 vjetësh, fabrika “Musai Olive Oil” është një nga prodhuesit më të njohur dhe më të vlerësuar të vajit të ullirit ekstra të virgjër në Shqipëri. E vendosur në zonën e Skrofotinës në Vlorë, kjo sipërmarrje familjare është shndërruar në një model suksesi të bujqësisë shqiptare.
Bruno i cili vijon plot pasion traditën e të atit dhe drejton ndërmarrjen e krijuar prej tij shpjegon se fabrika përpunon kryesisht ullirin e varietetit “Kalinjot”, i njohur për nivelin e lartë të polifenoleve (antioksidantë natyrorë) dhe aromën e pasur. Vaji i tyre është i certifikuar biologjik nga institucione të njohura ndërkombëtare ndërsa fabrika përdor teknologji moderne suedeze/italiane të linjës Alfa-Laval, duke aplikuar rreptësisht procesin e shtypjes në të ftohtë (cold pressing) për të ruajtur të gjitha vlerat ushqyese.
“Musai Olive Oil” ka fituar mbi 20 medalje ari në panaire ndërkombëtare të vajit të ullirit.
Bruno shpjegon se sekreti i një vaji ulliri cilësor është përpunimi i ullinjve të freskët, të sapombledhur në fazën kur janë ende jeshilë.
Ai thotë se ullinjtë grumbullohen nga rreth 1000 fermerë të zonës, ndërsa po ashtu ka nevojë për krahë pune gjatë sezonit të mbledhjes së ullinjve. Bruno thotë se dita e punës në mbledhjen e ullinjve shkon deri në 40 euro, ndërsa reflekton se fabrikat e tjera të prodhimit të ullirit nuk kanë kuptuar rolin e specialistëve.
Sipas tij, ulliri përpunohet pa teknolog ushqimor, duke i humbur cilësinë produktit. Mes shumë sekretesh të punës së tij, Bruno i përgjigjet edhe kërshërisë se si dallon një vaj ulliri cilësor. Dhe nëse nuk e dini, vaji i ullirit mund të mos ketë datë skadence, por i ruajtur në kushte të mira, vlerat e tij qëndrojnë të atilla vetëm për një vit.
Ndërkaq, mes kaq shumë angazhimesh, pjesë e rëndësishme e biznesit mbeten turet degustues nga turistët e huaj të cilët e vlerësojnë vajin ekstra të virgjër përmes shijes dhe aromës. Bruno thotë se Vlora ka det, por ka edhe kulinari, ka vajin e ullirit, ka verën e shumë gjëra të tjera që janë mbështetëse për një sezon turistik të plotë.
Turet e degustimit nga turistët e huaj bashkojnë fabrikën e vajit me kantinën “Balaj” që ndodhet pak më larg në zonën e Mifolit. Kjo është kantina e parë shqiptare që i është bashkuar “Raisin”, platformës më të madhe globale për verërat natyrale.
Themeluesi dhe verëbërësi, Artan Balaj, u rikthye në vendlindje në vitin 2007 pasi punoi për 10 vite në vreshtarinë e rajoneve të famshme italiane si Toskana dhe Friuli.
Artani ka preferuar që kantinën e tij ta mbajë modeste për nga kapacitetet, duke e fokusuar vëmendjen tek cilësia dhe ruajtja e varieteteve autoktone.
Ai prodhon verë pa kimikate duke u bazuar tërësisht në tetë hektarët e vrashtave që zotëron familja e tij, ndërsa kantinën e ka ndërtuar në një vend interesant, tunel historik brenda një shkëmbi, që daton që prej vitit 1920.
Kantina ndjek një rrugëtim të rreptë ekologjik. Fermentimi i verës bëhet në mënyrë spontane me maja indigjene (të egra), verërat lihen të pafiltruara dhe nuk u shtohen sulfite në asnjë stad të prodhimit.
Vreshtat gjenden në kodrat e Risilit (afër Mifolit), midis lumit Shushicë dhe detit Adriatik, vetëm 10 km larg lagunës së Nartës. Ky pozicion i jep rrushit ndikim të lartë kripësie dhe klime mesdhetare.
Pjesa përpara kantinës është rregulluar si restorant, ku mund të hahet mirë për ata që e dinë si vend dhe të degustohet verë nga dhjetë etiketa që Artani prodhon në kantinë.
Vera prodhohet nga gjashtë varietete rrushi dhe Artani thotë se preferon të mos e përziejë rrushin e vreshtave të tij. Është biznes familjar ku punojnë tre persona dhe në sezon vjeljeje e prodhimi angazhohen banorë të zonës. Artani tregon se në fund të kantinës ka edhe bankën gjenetike që përdoret për të ruajtur varietetet autoktone si dhe për të përshtatur varietetet e tjera me kushtet e zonës së Vlorës.
Edhe në kantinën e tij, guidat turistike sjellin turistë të huaj për degustim vere. Vetë Artani ka shumë gjëra për t’u treguar në lidhje me pasionin për vreshtat, verën dhe traditën vlonjate.
Kështu, bizneset familjare të Brunos dhe Artanit nuk sjellin të ardhura vetëm për ata dhe komunitetin, por edhe shpërndajnë shijet e Shqipërisë nëpër botë përmes turistëve të huaj që rikthehen në Vlorë edhe për vajin e ullirit dhe verën.
Vaji i ullirit dhe vera, shijet autentike të Vlorës në fabrikën Musai Olive Oil dhe Kantinën Ba...
/r.e/
The post Vaji i ullirit dhe vera, shijet autentike që mbështesin turizmin në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.