Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjimnazistët përgatiten intensivisht për edicionin e parë të Festivalit të Shkencës

9 February 2026 at 16:46

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Nxënës të shkollave të mesme publike në të gjithë vendin janë të angazhuar intensivisht në përgatitjet për pjesëmarrjen në edicionin e parë të Festivalit të Shkencës për gjimnazistë.

Ky aktivitet do të vendosë në garë potencialin e nxënësve të shkollave të mesme në nivel kombëtar në fushat e teknologjisë, shkencës dhe inovacionit.

“Festivali i Shkencës po merr formë ditë pas dite, duke i kthyer idetë në produkte dhe arritje”, shkruan ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ndërsa ndan foto të nxënësve që po përgatiten për këtë event.

Sipas saj, përmes punës në skuadër, potencialit krijues të nxënësve dhe mbështetjes e angazhimit maksimal të mësuesve, ky edicion i parë i Festivalit të Shkencës, me prezantime që reflektojnë pasionin e të rinjve për lëndët shkencore dhe nivele të larta dijeje, po hedh themelet e një tradite frymëzuese në shkolla dhe komunitete.

Përgatitjet për Festivalin e Shkencës kanë nisur që në muajin nëntor, me qëllim ekspozimin e talenteve të nxënësve të shkollave të mesme publike në vend.

“Faza e parë nis shumë shpejt, ndaj përgatituni të shihni nga afër gjeni të vegjël, eksperimente, ide kreative dhe projekte që tregojnë sa shumë talent ka në bankat e shkollave tona”, u shpreh Kumbaro.

Puna për organizimin e festivalit ka nisur që në muajin nëntor nga Ministria e Arsimit, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia e Kurikulave.

The post Gjimnazistët përgatiten intensivisht për edicionin e parë të Festivalit të Shkencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BE dhe vendet arabe kundër zgjerimit izraelit në Bregun Perëndimor

9 February 2026 at 16:42

TEL AVIV, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Planet e Izraelit për të zgjeruar kontrollin në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë nxitur sot kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe disa vende arabe.

Sipas mediave izraelite, Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka miratuar dje një sërë masash që, sipas kritikëve, do të përshpejtojnë ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

“Bashkimi Evropian dënon vendimet e fundit të Kabinetit të Sigurisë së Izraelit për të zgjeruar kontrollin izraelit në Bregun Perëndimor”, deklaroi sot zëdhënës i përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas.

Ai e përshkroi këtë hap si “një tjetër lëvizje në drejtimin e gabuar”.

Arabia Saudite, Turqia dhe vende të tjera me shumicë myslimane e kritikuan gjithashtu këtë vendim në një deklaratë të përbashkët, duke paralajmëruar se masa të tilla do ta bënin të pamundur zgjidhjen me dy shtete, e cila parashikon krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit.

Qeveria e djathtë izraelite e kundërshton kornizën e dy shteteve, duke argumentuar se një shtet palestinez do të përbënte kërcënim për ekzistencën e Izraelit.

Kritika erdhën edhe nga Autoriteti Palestinez, i cili administron pjesë të Bregut Perëndimor.

Sipas mediave izraelite, masat përfshijnë shfuqizimin e rregulloreve të mëparshme që u ndalonin kolonëve izraelitë të blinin tokë, si dhe hapjen për herë të parë të regjistrave të pronësisë së tokës në Bregun Perëndimor për publikun.

Portali izraelit i lajmeve, ynet, raportoi se kjo do t’u mundësonte blerësve të mundshëm të kontaktojnë drejtpërdrejt pronarët e tokave.

Po ashtu, autorizimet për projekte ndërtimi nga kolonët në Hebron do të miratohen në të ardhmen ekskluzivisht nga autoritetet izraelite.

Deri tani, ato kërkonin edhe miratimin e bashkisë së Hebronit, e cila është nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.

Izraeli po zgjeron në mënyrë të vazhdueshme vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, territore të pushtuara në vitin 1967 dhe që palestinezët i pretendojnë për shtetin e tyre të ardhshëm.

Aktualisht, më shumë se 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë në këto zona, mes rreth tre milionë palestinezëve./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – BE dhe vendet arabe kundër zgjerimit izraelit në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapen aplikimet për kompensimin e shpenzimeve të arsimit të fëmijëve për individët me tatim të mbipaguar

9 February 2026 at 16:41

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Administrata Tatimore ka hapur aplikimet për përfitimin e kompensimit të shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve për të gjithë individët që kanë plotësuar deklaratën DIVA dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, pas zbritjes së shpenzimeve të lejuara me vlerë 48 mijë lekë, apo deri në 100 mijë lekë në vit.

Aplikimi kryhet nëpërmjet sistemit online “e-Filing” dhe, pas dorëzimit të kërkesës, shuma e kompensimit do të transferohet në llogaritë bankare të deklaruara nga përfituesit gjatë procesit të aplikimit.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të gjithë individët që pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, mund të nisin procedurën e aplikimit për rimbursim duke dorëzuar deklaratën DIVA 2025 në llogarinë e tyre personale në “e-Filing”.

Gjatë aplikimit, kërkohet bashkëngjitja e dokumentacionit përkatës, përfshirë të dhënat e llogarisë bankare personale, certifikatën familjare si dhe dokumentet që vërtetojnë shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve. Këto dokumente përfshijnë kontratat me institucionet arsimore dhe faturat e pagesave, si dhe faturat për shpenzime të tjera arsimore, përfshirë edhe pagesat për kurse të gjuhëve të huaja.

Administrata Tatimore sqaron se kërkesa për rimbursim mund të refuzohet në rastet kur deklarata DIVA 2025 nuk rezulton me mbipagesë, kur dokumentacioni i paraqitur është i paplotë ose i pasaktë, si dhe kur shpenzimet nuk janë të ligjshme, ose nuk janë deklaruar në DIVA.

Procedura e aplikimit realizohet pas hyrjes në sistemin “e-Tax”, ku individët duhet të krijojnë një çështje të re si kërkesë për rimbursim, duke zgjedhur modulin “eFiling Im” dhe opsionin “Çështjet e mia”. Më pas përzgjidhet lloji i çështjes “Pyetje të përgjithshme”, ku hapet një format për paraqitjen e kërkesës për rimbursim të tatimit të mbipaguar, sipas vlerës së shfaqur në deklaratën DIVA.

Shuma e kompensimit që përfitohet ndryshon në varësi të të ardhurave vjetore dhe nivelit të shpenzimeve të zbritura, të cilat varen edhe nga numri i fëmijëve në ngarkim. Për individët me të ardhura vjetore deri në 1,2 milionë lekë, shpenzimet fikse për arsim mund të zbriten deri në vlerën maksimale prej 100 mijë lekësh.

Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi “e-Tax” pas deklarimit të të ardhurave, edhe për ata individë që nuk kanë detyrimin ligjor për të bërë deklarimin.

Diferenca e tatimit vjetor të paguar ose tatimi i mbipaguar që rezulton nga rillogaritja, pas zbritjes së bazës së tatueshme prej 48 mijë lekësh në vit, pavarësisht nivelit të të ardhurave, apo 100 mijë lekësh për ata me të ardhura deri në 1,2 milionë lekë në vit, do të jepet si kompensim për shpenzimet e arsimit të fëmijëve, pas paraqitjes së kërkesës për aplikim.

Sistemi për plotësimin e DIVA u hap më 22 janar dhe afati për deklarim është deri më 31 mars. Afati për aplikimin për kompensim është deri në tre muaj pas plotësimit të deklaratës DIVA.

/r.e/a.f/

The post Hapen aplikimet për kompensimin e shpenzimeve të arsimit të fëmijëve për individët me tatim të mbipaguar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike, fokus te shkollat dhe siguria e nxënësve

9 February 2026 at 16:26


TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon puna për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga subjektet private.

Kryeministri Edi Rama publikoi sërish sot pamje nga ndërhyrjet në terren.

“Aksioni për lirimin e hapësirave publike, sot i fokusuar rreth shkollës “Ndre Mjeda” në Shkodër, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt e funksional për nxënësit dhe komunitetin”, deklaroi Rama.

Nisma është pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0” dhe synon rritjen e cilësisë së shërbimeve, funksionalitetit urban dhe respektimin e standardeve të mikpritjes në çdo qytet të Shqipërisë.

E nisur në muajin korrik të vitit që lamë pas, kjo nismë është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje.

Përmes portalit “Hapësira ime publike”, qytetarët kanë raportuar deri tani 18 515 raste shkeljesh. Nga këto, 14 416 janë zgjidhur, ndërsa 4099 raste janë në proces shqyrtimi.

/r.e/a.f/

The post Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike, fokus te shkollat dhe siguria e nxënësve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krijoi skemë mashtruese fiskale, arrestohet një person në Tiranë

9 February 2026 at 15:58

TIRANË, 9 shkurt /ATSh/ Prokuroria e Tiranës arrestoi shtetasin Gj.F., i dyshuar për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”.

Sipas prokurorisë “nga hetimet në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin e Hetimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, rezultoi se subjekti tregtar ‘Dorina Fela’, ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë, duke shkaktuar një dëm të përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 62,670,861 lekë”.

“Këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit”, njoftoi prokuroria e Tiranës.

Në kuadër të këtij procedimi penal, u ndalua shtetasi Gj.F., i dyshuar për përfshirje në kryerjen e veprimeve të paligjshme.

“Nga veprimet e deritanishme, rezultoi se ky shtetas ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari, duke përdorur subjektin në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese. Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj”, njoftoi prokuroria.

/m.q/j.p/

The post Krijoi skemë mashtruese fiskale, arrestohet një person në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Meloni: Protestuesit anti-olimpikë janë “armiq të Italisë”

9 February 2026 at 15:53

ROMË, 9 shkurt /ATSH-AA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, të dielën vonë i quajti protestuesit anti-olimpikë “armiq të Italisë” mes demonstratave gjatë fundjavës, ndërsa vendi filloi të priste Lojërat Olimpike Dimërore Milan-Cortina.

“Mijëra e mijëra italianë po punojnë pikërisht në këto orë për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë gjatë Lojërave Olimpike (…) Pastaj janë ata: armiqtë e Italisë dhe të italianëve, të cilët protestojnë ‘kundër Lojërave Olimpike’, duke siguruar që këto imazhe të përfundojnë në ekranet televizive rreth gjysmës së botës – pasi të tjerët kanë prerë kabllot hekurudhore për të parandaluar trenat të qarkullojnë”, shkroi Meloni në një postim në mediat sociale, duke ndarë mbulimin mediatik amerikan të protestave të dhunshme.

Ajo shprehu solidaritet me forcat e zbatimit të ligjit, me qytetin e Milanos dhe “me të gjithë ata që do ta shohin punën e tyre të minohet nga këto banda kriminelësh”.

Rreth 10.000 njerëz marshuan në një demonstratë kundër Lojërave Olimpike Milan-Cortina gjatë fundjavës për të protestuar kundër asaj që ata e quajtën “Olimpiada e paqëndrueshme” dhe praninë e agjentëve amerikanë të ICE-së në Itali, sipas agjencisë së lajmeve ANSA.

Raportohet se përleshjet shpërthyen gjatë protestave pasi një grup u nda nga marshimi dhe hodhi objekte drejt policisë, e cila u përgjigj me bomba dhe topa uji.

Ndërsa filluan Lojërat Olimpike, një sërë përpjekjesh të dyshuara për sabotim që synonin linjat hekurudhore ndërprenë gjithashtu trafikun hekurudhor ndërqytetas, veçanërisht në veri të vendit.   /os/

The post ROMË – Meloni: Protestuesit anti-olimpikë janë “armiq të Italisë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala në forumin WHX Dubai 2026: Sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve

9 February 2026 at 15:51

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala mori pjesë në WHX Dubai 2026, një nga forumet më të rëndësishme globale për shëndetësinë dhe inovacionin.

Ministrja Sala prezantoi rrugëtimin e Shqipërisë në shëndetësinë digjitale, nga një sistem i bazuar kryesisht në dokumente letre, drejt platformave kombëtare digjitale që sot përdoren çdo ditë nga mjekët dhe institucionet shëndetësore.

Ajo theksoi se, pavarësisht progresit të bërë, sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve, në mënyrë që informacioni shëndetësor të qarkullojë më lehtë, të shmangen përsëritjet e panevojshme dhe të lehtësohet puna e profesionistëve të shëndetit.

Ministrja nënvizoi gjithashtu se teknologjia ka vlerë vetëm kur përmirëson realisht kujdesin për pacientin dhe se hapi i radhës për Shqipërinë është ndërtimi i sistemeve të lidhura, të sigurta dhe të besueshme, në përputhje me standardet europiane.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala në WHX Dubai 2026
1 nga 4

/e.i/j.p/

The post Sala në forumin WHX Dubai 2026: Sfida kryesore mbetet integrimi i sistemeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Londra: Starmer nuk do të japë dorëheqjen

9 February 2026 at 15:48

LONDËR, 9 shkurt /ATSH-DPA/- Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer nuk do të japë dorëheqjen por do të përqendrohet në punën që ka në dorë, tha sot “Downing Street”.

Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit tha se gjendja shpirtërore e Starmer këtë mëngjes ishte “optimiste” dhe “e sigurt”, ndërsa ai mbajti një fjalim para stafit të Zyrës së Kryeministrisë mes pasojave të skandalit të Peter Mandelson.

Shefi i Komunikimit të Downing Street, Tim Allan, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen për të lejuar “ndërtimin e një ekipi të ri të “Downing Street”,  pasi shefi i stafit Morgan McSweeney dha dje dorëheqjen.

I pyetur nëse Starmer do të jepte dorëheqjen sot, zëdhënësi zyrtar i kryeministrit tha: “Jo”.

“Kryeministri po përqendrohet në punën që ka në dorë. Ai po vazhdon me punën për të sjellë ndryshime në të gjithë vendin”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me raportet e fundit se Starmer kishte qenë i penduar dhe i lëkundur për të ardhmen e tij politike, ai tha: “Ky nuk është kryeministri që u shfaq para stafit këtë mëngjes”.

“Është shumë e qartë se ai mbetet i vendosur të përballet me punën që ka në dorë. Kryeministri është i bindur se ka mbështetjen unanime të Kabinetit”, tha zëdhënësi.

“Ne duhet të ecim përpara dhe të provojmë se politika mund të jetë një “forcë për të mirën”, i tha sot Starmer stafit të “Downing Street”.

Kryeministri pritet të mbajë një fjalim më vonë, në një takim të Partisë Parlamentare të Punës (PLP) mes zemërimit për emërimin e Peter Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se e dinte se lidhjet e tij me Jeffrey Epstein kishin vazhduar pas dënimit të financierit për vepra penale seksuale ndaj fëmijëve. //a.i/

The post BM – Londra: Starmer nuk do të japë dorëheqjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK, 51 incidente kibernetike të menaxhuara gjatë vitit të kaluar

9 February 2026 at 15:42

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike bëri me dije se gjatë vitit 2025, ka menaxhuar 51 incidente kibernetike në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, duke garantuar monitorim dhe reagim të vazhdueshëm ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.

Sipas AKSK-së, incidentet e tipit DDoS kanë qenë më të shpeshtat, me 16 raste, ndërsa janë evidentuar edhe 9 raste të kompromentimit të aplikacioneve.

Sipas sektorëve, numri më i lartë i incidenteve është regjistruar në Infrastrukturën Digjitale (24 raste), e ndjekur nga Sektori Energjetik (6 raste) dhe Sektori i Telekomunikimit (5 raste).

Gjatë gjithë vitit, ekipi i Drejtorisë së Analizës së Sigurisë Kibernetike në AKSK kanë ofruar monitorim të vazhdueshëm, analizë teknike, koordinim institucional dhe mbështetje operacionale, duke siguruar izolimin, rikuperimin dhe rikthimin në funksion të shërbimeve.

AKSK thekson se “menaxhimi i incidenteve gjatë vitit 2025 tregon se shumica e rasteve kanë pasur impakt të ulët ose mesatar, falë reagimit të shpejtë dhe mbështetjes së vazhdueshme të ofruar për infrastrukturat digjitale publike”.

/e.i/j.p/

The post AKSK, 51 incidente kibernetike të menaxhuara gjatë vitit të kaluar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015

9 February 2026 at 15:41

PRISHTINË, 9 shkurt/ATSH/ Bashkimi Evropian tha se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është “një shkelje tjetër” e obligimeve të Serbisë të Marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.

“Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjeje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Më 5 shkurt, autoritetet e Serbisë arrestuan Mitehat Llozhanin me të hyrë në terrorin serb nga kufiri me Kroacinë. Ai, sipas autoriteteve, në Beograd dyshohet për krime kundër popullatës civile.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast.

Sipas Serbisë, i arrestuari dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.
Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

 

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe. /rel/

The post BE: Me arrestimin e shtetasve të Kosovës, Serbia po shkel marrëveshjen e vitit 2015 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bilal Golemi, themeluesi i mikrobiologjisë shqiptare

9 February 2026 at 14:57

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Më 9 shkurt 1899, lindi në Gjirokastër themeluesi i mikrobiologjisë shqiptare, Bilal Golemi.

Në moshën 7-vjeçare, Golemi u vendos së bashku me familjen e tij në Stamboll, ku ndoqi një trajektore të plotë edukimi. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Veterinarisë Ushtarake dhe për tre vjet shërbeu në ushtrinë turke, me gradën e kapitenit dhe më pas iu kushtua një tjetër aspirate, duke nisur një specializim në fushën e mikrobiologjisë në Institutin “Pasteur” të Parisit.

Në mesin e mikrobiologëve të këtij Instituti, Bilali Golemi pati një karrierë të lëvdueshme. Për nga aftësitë e tij mësimdhënëse, në vitin 1926 iu besua drejtimi i një kursi specializimi, ku merrnin pjesë 33 mjekë, veterinerë dhe biologë anembanë botës.

Mirëpo, në kulmin e karrierës së tij akademike, dr. Bilali vendos të kthehet për të punuar në Shqipëri, ku qe pionier i laboratorit bakteriologjik veterinar, të pajisur me mjetet e kohës. Me nismën e tij, u ngrit po ashtu edhe Shoqata e Mbrojtjes së Kafshëve me kryetar Mit’hat Frashërin.

Në rrafshin e angazhimit qytetar dhe politik, Bilali mori pjesë në Lëvizjen e Vlorës të vitit 1932 që drejtohej kundër Ahmet Zogut. Si rrjedhojë e përfshirjes në këtë lëvizje, u urdhërua të largohet nga vendi.

Bilali ndërroi jetë në moshën 56-vjeçare. Në vitin 1952, kontributi i tij në mikrobiologjinë veterinare u vlerësua nga qeveria franceze me medaljen “Legion d’honneur –Merite”. Në nderim të veprës së tij, Institutit të Studimeve Veterinare të Shqipërisë iu dha emri “Instituti dr. Bilal Golemi”. /j.p/

The post Bilal Golemi, themeluesi i mikrobiologjisë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi i Praktikave të Punës, Gonxhja: Eksperiencë e vyer për të rinjtë, prurje për shtetin

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës deri tani kanë përfituar 1600 të rinj, nga të cilët 600 vetëm vitin e kaluar.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi dëshmitë e praktikantëve të thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, ku ata ndajnë përvojat dhe arritjet gjatë kësaj periudhe të rëndësishme në rrugëtimin e tyre profesional.

“Këta të rinj kanë pasur mundësinë të fitojnë eksperiencë konkrete në institucionet publike, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të afrohen më pranë tregut të punës, duke ndërtuar besim në potencialin e tyre dhe në shërbimin ndaj vendit”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja tha se “Programi Kombëtar i praktikave të Punës u vërtetua një sukses.

“Këtë herë shoqërohet me një pagesë për çdo të ri praktikant. Mbi 1/3 e atyre që aplikuan dhe zhvilluan praktikën pranë ministrive, enteve të varësisë të administratës shqiptare janë duke lidhur marrëveshjet e tyre të para të punës. Është një eksperiencë e vyer për ta, por edhe një prurje shumë e rëndësishme për vetë shtetin”, u shpreh Gonxhja.

Gonxhja inkurajoi të rinjtë që jo vetëm të besojnë në mundësitë që vijnë për t’u punësuar përmes administratës, por në përgjithësi për programet e praktikave, për stazhet dhe eksperiencën që mund të marrin në punë, në jetën reale që patjetër, sipas tij, do t’u kthehet në një avantazh në ecurinë e tyre në jetë.

Ndërsa ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni tha se 1600 të rinj të talentuar plot ide dhe energji nga auditoret e universiteteve sot në zyrat e institucioneve tona publike janë vlera e vërtetë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

“Çdo i ri dhe e re e shikon këtë nismë si një mundësi karriere, por në të njëjtën kohë e shtyn administratën publike të rritet dhe zhvillohet bashkë me ta”, tha Pirdeni.

Elvana Çela praktikante në drejtorinë e Prokurimeve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, tha se “kam arritur të përvetësoj njohuritë e mia juridike, por edhe të marr edhe njohuri të reja në fushën e prokurimeve publike”.

Çela i bëri apel të rinjve që duan nisin karrierën e tyre profesionale të mos ngurrojnë të marrin pjesë në thirrjen e ardhshme të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.

Joldi Kariqi, praktikant në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore tha se “gjatë praktikave kombëtare të punës kam mundësinë të njoh nga afër funksionimin e institucionit publik IKTK, këtë gjë dhe të përvetësoj në aftësi profesionale dhe praktike. Gjatë kësaj praktike 3-mujore kisha mundësinë të njoh nga afër shpëtimin e objekteve arkeologjike nënujore dhe nëntokësore”.

Hajre Dedej praktikante në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit u shpreh se “po zhvilloj praktikën në studion e  audiovizuales  ku kam mësuar më tepër për procesin e montazhit, skanimit dhe digjitalizimit të filamve, por edhe një proces që është tejet interesant ai i restaurimit”.

Ajo tha se “do t’ia sugjeroja studentëve që të aplikojnë në thirrjet e ardhshme duke qenë se është një mundësi për t’u rritur dhe mësuar profesionalisht”.

Gjatë vitit 2025 u ofruan 1401 praktika, ku 600 të rinj u përfshinë në institucione publike. Ndërkohë 600 praktikantë kanë marrë kompensim financiar prej 10 000 lekë/muaj për 3 muaj, një vlerë prej 2,6 milionë lekë më shumë buxhet për vitin 2025.

Gjithashtu gjatë 2025 janë kryer 6 cikle trajnimesh me ASPA (aftësi digjitale, etikë, financa, administratë). Nga 600 të rinj, rreth 250 prej tyre do të përfitojnë kontratë pune 1-vjeçare në institucionet përkatëse, ndërsa 1600 persona janë punësuar gjatë këtyre 9 viteve.

/k.s/j.p/

The post Programi i Praktikave të Punës, Gonxhja: Eksperiencë e vyer për të rinjtë, prurje për shtetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gerhard Richter: “Arti është forma më e lartë e shpresës” – Mjeshtri gjerman i artit modern feston ditëlindjen

9 February 2026 at 14:47

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ – Gerhard Richter, një prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit bashkëkohor, feston sot ditëlindjen, duke rikujtuar kontributin e tij monumental në pikturë dhe në vetë mënyrën se si e perceptojmë imazhin.

I njohur si artisti që sfidoi kufijtë mes figuratives dhe abstraktes, Richter ka sjellë një gjuhë të re vizuale, ku procesi i krijimit është po aq i rëndësishëm sa vetë vepra. Teknikat e tij me shtresa të shumta boje, tërheqjet e squeegee-t dhe ndërhyrjet spontane krijojnë sipërfaqe që duket sikur lëvizin, marrin frymë dhe transformohen përpara syve të shikuesit.

Vepra si “Cage Paintings” – të realizuara teksa artisti dëgjonte muzikën eksperimentale të John Cage – përshkruhen shpesh nga kritikët si “ditarë të procesit krijues”, ku çdo shtresë e fshirë, çdo ndalesë e squeegee-t dhe çdo gjurmë e ngjyrës mbart një fragment kohe. Këto tablo janë ekspozuar në muzetë më të rëndësishëm të botës dhe konsiderohen kulm i abstraksionit bashkëkohor.

Sot, Richter vazhdon të jetë një pikë referimi për artistët e rinj dhe një figurë qendrore në koleksionet ndërkombëtare. Qasja e tij ndaj artit – e ndërtuar mbi eksperimentim, spontanitet dhe kërkim të vazhdueshëm – e ka konsoliduar si një prej artistëve më me ndikim të shekullit të fundit.

Në fjalinë e tij të famshme, “Art is the highest form of hope”, Richter sintetizon filozofinë e krijimtarisë së vet: artin si një hap drejt imagjinatës, të panjohurës dhe shpirtit njerëzor.

The post Gerhard Richter: “Arti është forma më e lartë e shpresës” – Mjeshtri gjerman i artit modern feston ditëlindjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Ndryshime në Kodin Penal sipas rekomandimeve ndërkombëtare për paraburgimet

9 February 2026 at 14:45

TIRANË, 9 shkurt /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha sot se po punohet për ndryshime në Kodin Penal, pas shqetësimeve të ngritura nga ndërkombëtarët për aplikimin e masës së paraburgimit. Sipas Lamallarit, drafti parashikon klasifikimin e veprave penale në katër grupe, duke nisur nga veprat më të lehta.

Në një intervistë televizive, Lamallari u shpreh se po bëhet një punë kolosale për ndryshimin e Kodit Penal.

“Ndërkombëtarët janë shumë të shqetësuar për pjesën e paraburgimit, si aplikohet masa e paraburgimit. Kemi vepra të ndryshme penale, në kodin aktual, aplikohet i njëjti standard për kriteret që duhet të merren në gjykim. Ajo që ata konstatojnë, është një diferencim mes veprave të ndryshme, nuk mund të trajtohet njësoj një vepër e lehtë dhe një tjetër me rrezikshmëri të theksuar”, vuri në dukje ministri.

“Ata bënë një rekomandim për të pasur një klasifikim në 4 grupe të caktuara veprash. Nga veprat më të lehta që nuk duhet të shkojnë në kufizim të lirisë përmes paraburgimit, vepra të mesme që kërkojnë rast pas rasti të verifikohen nga gjykata dhe nga ana tjetër kemi dhe vepra shumë të rënda”, tha Lamallari.

Ministri njoftoi gjithashtu ndërtimin e një kampusi multifunksional për të miturit, që do të fokusohet në rehabilitimin dhe riedukimin e tyre. Në kuadër të masave alternative, Lamallari tha se do të nisë edhe monitorimi elektronik.

“Drejtori i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në KiE dhe dy gjyqtarët e ftuar si ekspertë, që janë njohur shumë mirë më kuadrin ligjor vendas, sugjerojnë aplikimin e masave alternative. Monitorimi elektronik, është një histori e mbartur, por është e rëndësishme që ministra e Drejtësisë është e angazhuar për të adresuar dhe këtë aspekt. Masat e alternative, sidomos kur bëhet fjalë për të miturit se nuk mund të lejojmë që të miturit në pamundësi të një kampusi të dedikuar, për rehabilitim e riedukim, detyrohet gjykata t’i dërgojë në Kavajë, pasi aty kemi persona që dënohen për vrasje”, informoi ministri i Drejtësisë.

“Po ndërtojmë për herë të parë në Shqipëri në bashkëpunim me ekspertët francezë, një kampus multifunksional, ku në fokus përveç drejtësisë për të miturit, do të jenë dhe psikologët, sociologët. Kemi dhe për të rriturit masa alternative. Është e papranueshme që Shqipëria nuk ka pasur monitorimin elektronik. I është hapur rruga vënies në praktikë të këtij mekanizmi. Janë disa masa që po shqyrtojmë. Kam ngritur një grup të dedikuar në ministri që po punon në këtë drejtim”, tha Lamallari.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Ndryshime në Kodin Penal sipas rekomandimeve ndërkombëtare për paraburgimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pagat e shëndetësisë, nga indeksimi 2.5% tek shtesat për vjetërsi pune dhe kompensimet mujore

9 February 2026 at 14:44

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Prej 1 janarit 2026 ka hyrë në fuqi skema e re e pagave për personelin e sistemit shëndetësor në vend.

Agjencia për Media dhe Informim (MIA) bëri me dije se në këtë skemë përfshihet rritje page bazë, shtesa më të larta për vjetërsi, urgjenca dhe shërbime kritike, si dhe mbështetje për punën në zona të largëta.

MIA informon se shtesat për vjetërsi në punë llogariten mbi pagën e pozicionit, ndërsa do të ketë një rritje progresive sipas viteve të shërbimit. Rritja do të jetë 0.6% për çdo vit (10 vitet e para), 0.8% për 20 vite pune dhe 1% për 30 vite shërbimi.

Gjithashtu, do të ketë shtesa për shërbimet kritike, të cilat llogariten, +18,000 lekë / muaj për mjekët në Urgjencë, Reanimacion, Hemodinamikë, Njësi AVC (Njësia e Aksidentit Vaskular Cerebral) dhe Neonatologji.

Sipas MIA-s, do të ketë shtesë +12,000 lekë / muaj për infermierë, teknikë imazherie dhe laboratori, urgjenca paraspitalore, urgjenca. Do të ketë pagesa të rritura dhe të diferencuara 2,700 lekë në ditë normale, 3,200 lekë në ditët e diela dhe festa dhe tarifa të veçanta për shërbime 24 orë, 16 orë dhe 12 orë.

Njëherësh, do të ketë kompensim mujor të rikonfirmuar për bluzat e bardha që ushtrojnë profesionin larg vendbanimit. Në këtë kategori përfshihen, mjekë dhe personel teknik. Kjo politikë e re pagash do të zbatohet në të gjitha institucionet shëndetësore publike, Ministria e Shëndetësisë, Forcat e Armatosura, Burgjet dhe Policia e Shtetit.

Me indeksim +2.5% dhe pagesa të diferencuara për roje e shërbime 24-orëshe, kjo paketë synon motivim, stabilitet dhe forcim të shëndetësisë publike.

/e.i/j.p/

The post Pagat e shëndetësisë, nga indeksimi 2.5% tek shtesat për vjetërsi pune dhe kompensimet mujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Leku fiton pikë ndaj valutave

9 February 2026 at 14:42

TIRANË, 9 shkurt  /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të hënën leku fitoi pikë ndaj valutave, krahasuar me fundjavën.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euroja këmbehet me 96,45 lekë ose 0,09 lekë më pak se ditën e premte. Monedha e gjelbër amerikane u zhvlerësua me 0,53 lekë dhe këmbehet me 81,32 lekë.
Paundi britanik u zhvlerësua në raport me lekun me 0,51 lekë dhe këmbehet me 110,57 lekë. Franga zvicerane fitoi terren lehtë ndaj monedhës vendase me 0,02 lekë duke u kuotuar në nivelin e 105,25 lekëve.
Aktorët e tregut shprehen se, luhatjet në tregun valutor i adreson ecurisë në bursat ndërkombëtare ndërsa faktor i rëndësishëm është edhe kërkesë oferta në tregun e brendshëm. /j.p/
Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 81.32 -0.53
Euro EUR 96.45 -0.09
Poundi Britanik GBP 110.57 -0.51
Franga Zvicerane CHF 105.25 +0.02
Jeni Japonez (100) JPY 51.90 -0.25
Dollari Australian AUD 57.04 -0.03
Dollari Kanadez CAD 59.57 -0.24
Korona Suedeze SEK 9.03 -0.02
Korona Norvegjeze NOK 8.41 -0.01
Korona Daneze DKK 12.91 -0.02
SDR SDR 111.64 -0.71
Ari(OZ 1) XAU 406371.56 +7,983.87
Argjend(OZ 1) XAG 6481.20 +436.00
Juani Kinez (onshore) CNY 11.74 -0.06
Juani Kinez (offshore) CNH 11.75 -0.05
Lira Turke TRY 1.87 -0.01

The post Leku fiton pikë ndaj valutave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali i përgjigjet deputetëve të PD-së: Jo veting në shërbimin e jashtëm, por rivlerësim profesional

9 February 2026 at 14:41

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, iu përgjigj sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike kritikave të opozitës lidhur me projektligjin e ri “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, të depozituar nga qeveria për shqyrtim dhe votim në Parlament.

Deputetët e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Saimir Korreshi, shprehën shqetësime se drafti parashikon një proces të ngjashëm me vetingun për diplomatët, duke hapur sipas tyre rrugën për politizimin e shërbimit diplomatik dhe për emërime jashtë karrierës.

Deputeti Bylykbashi theksoi se rivlerësimi i gjithë trupës diplomatike mund të krijojë boshllëqe në sistem dhe të rrisë nevojën për rekrutim nga jashtë shërbimit të karrierës.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi kuotat për diplomatët që vijnë nga jashtë sistemit dhe mbi rrezikun e kontrollit politik të një sektori që, sipas tij, i ka rezistuar politizimit.

Në përgjigje, ministrja Spiropali sqaroi se projektligji nuk parashikon veting, por një proces rivlerësimi profesional, të ngjashëm me praktikat rutinë që aplikohen për nëpunësit publikë.

“Qëllimi nuk është largimi i diplomatëve nga sistemi, por t’u jepet mundësi, përmes rivlerësimit, të kalojnë në një fazë kualifikimi profesional. Do të ketë dy mundësi rivlerësimi dhe procesi do të zhvillohet brenda kuadrit ligjor”, u shpreh Spiropali.

Ministrja theksoi se projektligji synon modernizimin e shërbimit të jashtëm dhe rritjen e sigurisë juridike, duke shfuqizuar ligjin e vitit 2015 për shërbimin e jashtëm dhe ligjin e vitit 1998 për ushtrimin e funksioneve konsullore, të cilat sipas saj nuk i përgjigjen më realitetit aktual.

Në debat u trajtua edhe çështja e Akademisë Diplomatike.

Deputeti Korreshi vuri në pikëpyetje funksionimin e saj dhe praktikat e ndjekura në vendet europiane.

Ndërsa ministrja Spiropali argumentoi se Akademia Diplomatike aktuale nuk është në nivelin e kërkuar dhe se modeli i propozuar bazohet në praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë vendet baltike.

Sipas saj, projektligji i ri rregullon më qartë procesin e emërimit dhe përfundimit të mandatit të drejtuesve të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore, forcon kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës dhe përcakton më qartë përfshirjen e personave jashtë karrierës diplomatike në shërbimin e jashtëm.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali i përgjigjet deputetëve të PD-së: Jo veting në shërbimin e jashtëm, por rivlerësim profesional appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hetues e prokurorë shqiptarë, trajnim nga FBI për krimin kibernetik

9 February 2026 at 14:39

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Teknologjia dhe interneti janë bërë pjesë e jetës së përditshme, por mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet online mbetet një ndër përgjegjësitë më të mëdha të shoqërisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë shprehet se “ekspozimi i të miturve ndaj shfrytëzimit dhe kërcënimeve kibernetike po rritet me ritme shqetësuese, duke kërkuar reagim të koordinuar dhe rritje të kapaciteteve profesionale të institucioneve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”.

Nisur nga kjo qasje, ambasada e SHBA-ve pohon në një njoftim se ka mbështetur pjesëmarrjen e gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve dhe policisë gjyqësore të Shqipërisë në një trajnim të udhëhequr nga FBI-ja mbi Krimin Kibernetik dhe Hetimet e Shfrytëzimit të Fëmijëve në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara në Budapest.

Sipas ambasadës së SHBA-ve, këta zyrtarë iu bashkuan ekspertëve të tjerë nga e gjithë Europa për të diskutuar përhapjen e materialeve të shfrytëzimit të fëmijëve në internet, për të mësuar se si shpërndahet materiali i dëmshëm dhe si të identifikohen zhvillimet në internet në ndjekjen kibernetike, identifikimin e viktimave, shfrytëzimin kibernetik dhe shkelje të tjera.

Ambasada amerikane bën me dije se “këto aftësi do të ndihmojnë në përgatitjen e ekspertëve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit në Shqipëri për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht ata që do të përdorin internetin për të dëmtuar fëmijët tanë”.

Ky angazhim dëshmon rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik dhe thekson se mbrojtja e fëmijëve mbetet një prioritet i përbashkët që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm dhe veprim të koordinuar.

Grupi i hetuesve dhe prokurorëve shqiptarë gjatë trajnimit nga FBI
1 nga 3

/e.i/j.p/

The post Hetues e prokurorë shqiptarë, trajnim nga FBI për krimin kibernetik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Akcizë të diferencuar për birrën, Malaj: Projektligji, i pakonsultuar

9 February 2026 at 14:38

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku paraqiti sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme rikthimin e skemës së akcizës së diferencuar për prodhuesit e vegjël të birrës, një masë që synon të mbështesë prodhuesit vendas, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të nxisë investimet në industrinë artizanale të birrës në Shqipëri.

Sipas saj, në projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, parashikohet ndryshimi i një tatimi për të përcaktuar disa kritere të reja sa i takon birrave artizanale, me qëllim mbrojtjen e prodhimeve “Made in Albania”, nga rënia e euros apo dhe ekonomia informale.

Sipas saj, propozimi ligjor ka një bazë të krahasuar me praktikat e BE-së.

“Ky projektligj propozon rikthimin e një skeme të diferencuar të tatimit, që mbështet prodhuesit e vegjël vendas dhe harmonizohet me praktikat e mira të Bashkimit Europian,” tha Tabaku, duke vënë në dukje se kjo masë është në përputhje me Direktivën 92/83/KE dhe 92/84/KE.

Sipas Tabakut, ndryshimet e fundvitit 2022 që unifikuan tarifën në 710 lekë/HL për shkallë alkoolometrike dhe hoqën trajtimin e veçantë për prodhuesit nën 200,000 HL/vit, sollën pasoja të padëshiruara: rritje të kostove për prodhuesit vendas, ulje të konkurrueshmërisë dhe dobësim të trendit të investimeve në industrinë artizanale të birrës, një sektor me potencial zhvillimi, punësimi dhe turizëm kulinar.

Ajo tha se taksat e larta e kanë ulur me 11% prodhimin vendas ashtu siç e ka ulur prodhimin bujqësor TVSH-ja , apo rënia e eksporteve të fasonerisë nga politikat e larta fiskale.

Projektligji parashikon dy nivele të akcizës: Për prodhuesit deri në 200,000 HL/vit, tarifa reduktohet në 372,2 lekë/HL për shkallë alkoolometrike. Për prodhuesit mbi 200,000 HL/vit, vazhdon të zbatohet tarifa 744,4 lekë/HL për shkallë alkoolometrike.

“Kthimi i skemës së diferencuar nuk dëmton administrimin fiskal, lejon monitorim efektiv dhe redukton hapësirat për shmangie. Projektligji synon të vendosë një balancë të arsyeshme ndërmjet objektivave fiskale dhe nevojave të zhvillimit ekonomik të sektorit të birrës” tha Tabaku.

Sipas deputetes, rikthimi i akcizës së diferencuar do të rrisë konkurrueshmërinë, punësimin dhe formalizimin e industrisë së birrës, duke mbështetur prodhuesit vendas dhe zhvillimin e sektorit artizanal.

Relatori i projektligjit për rikthimin e skemës së akcizës së diferencuar për birrën, deputeti Erion Malaj, deklaroi se iniciativa e propozuar nga deputetja Jorida Tabaku nuk është parashikuar në Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2024–2026 dhe se nuk është konsultuar me qeverinë dhe grupet e interesit.

“Projektligji nuk është pjesë e planit kombëtar dhe synon diferencimin e akcizës për birrën. Rikthimi diferencial nuk cenon administrimin fiskal deri në 200,000 HL/vit, por çdo ndryshim ka impakt financiar” tha Malaj.

Ai shtoi se, sipas Kushtetutës, çdo projektligj joqeveritar që kërkon ndryshime në shpenzimet e buxhetit duhet të marrë miratimin e Këshillit të Ministrave brenda 30 ditëve nga paraqitja, si dhe të shqyrtohet me grupet e interesit.

“Projektligji nuk është i shoqëruar me tabelë përputhshmërie me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndaj nuk e mbështesim miratimin e tij”, tha Malaj.

Në fund të diskutimeve, propozimi i Tabakut nuk u miratua.

e.xh/j.p/

 

 

The post Tabaku: Akcizë të diferencuar për birrën, Malaj: Projektligji, i pakonsultuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Raporti i Sigurisë së Mynihut 2026: Bota ka hyrë në një epokë të rrezikshme të “politikës së shkatërrimit”

9 February 2026 at 14:38

MYNIH, 9 shkurt /ATSH-DPA/- Bota ka hyrë në një epokë të rrezikshme të “politikës së shkatërrimit” që i jep përparësi shkatërrimit të institucioneve në vend të përpjekjeve sociale dhe politike që synojnë nxitjen e ndryshimit përmes përshtatjeve graduale, sipas një raporti të kryer nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut, para takimit të saj vjetor këtë javë.

Konferenca e MSC-së do të mbledhë rreth 65 liderë botërorë, së bashku me gati 100 ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe politikëbërës të nivelit të lartë për tre ditë diskutimesh që fillojnë të premten.

Ndër të ftuarit më të shquar që priten në Mynih është sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz.

I mbajtur për herë të parë në vitin 1963, eventi është rritur nga një takim relativisht i panjohur i strategëve të Luftës së Ftohtë në një forum kryesor për mbështetësit e NATO-s, lidhjeve transatlantike dhe rendit global të udhëhequr nga Perëndimi.

Megjithatë, konferenca e këtij viti do të përqendrohet në shkatërrimin e këtyre marrëdhënieve dhe normave diplomatike.

Raporti i Sigurisë i Mynihut 2026, i publikuar sot, i cili përcakton temat e konferencës, ia hedh pjesën më të madhe të fajit, ndryshimit radikal të presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili përshkruhet si një person që po “shmang rregullat ekzistuese” dhe po angazhohet në “politikë buldozeri”.

Por, Trump është vetëm manifestimi më i fuqishëm i një trendi më të gjerë që po zhvillohet në shumë vende.

“Në shumë shoqëri perëndimore, forcat politike që favorizojnë shkatërrimin kundrejt reformës po fitojnë vrull”, tha ekipi i ekspertëve në raportin e titulluar “Nën Shkatërrim”.

Vendimmarrësit e establishmentit shihen gjithnjë e më shumë jo si udhëheqës, por si “rojtarë të status quo-së” dhe administratorë të një sistemi politik të paralizuar që nuk i përgjigjet më nevojave të shumicës.

Perspektivë e zymtë për të ardhmen

Si pjesë e raportit, konferenca publikoi rezultatet e një ankete të kryer në disa vende. Pjesëmarrësit u pyetën nëse politikat aktuale qeveritare po përmirësonin perspektivat për brezat e ardhshëm.

Në Kinë, 80% e të anketuarve thanë se prisnin përmirësime, dhe 61% në Indi shprehën të njejtat pritshmëri.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm 31% ndanin këtë pikëpamje. Pritshmëritë ishin edhe më të ulëta midis të anketuarve në Evropë, me 22% në Itali, 20% në Britani të Madhe, 13% në Gjermani dhe vetëm 12% në Francë prisnin rezultate më të mira.

“Një pasiguri e thellë po trondit globin, Evropën në veçanti”, shkruan kryetari i MSC, Wolfgang Ischinger në një parathënie të raportit.

“Rrallë në historinë e kohëve të fundit të konferencës ka pasur kaq shumë pyetje themelore në tryezë në të njëjtën kohë: në lidhje me sigurinë e Evropës, qëndrueshmërinë e partneritetit transatlantik dhe aftësinë e unionit ndërkombëtar për të menaxhuar një botë gjithnjë e më komplekse dhe të kontestuar”, sipas Ischinger.

Vlerësimet për politikat e Trump ishin të dobëta në shumë vende

Edhe në SHBA, vetëm 39% mendojnë se politikat e tij janë të mira për vendin dhe 37% mendojnë se ato i sjellin dobi botës, ndërsa afërsisht gjysma e të anketuarve thonë se ato janë të dëmshme.

Skepticizmi është më i fortë në Kanada dhe Gjermani. Rreth 77% e kanadezëve presin pasoja negative për vendin e tyre dhe 71% për botën. Në Gjermani, shifrat janë përkatësisht 72% dhe 69%.

Jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikëpamjet më të favorshme për politikat e Trump gjenden në Brazil, Indi dhe Kinë.

Rezultatet bazohen në anketa të rreth 1000 personave nga secili vend i G7, përfshirë Brazilin, Kinën, Indinë dhe Afrikën e Jugut, në nëntor.

Thirrje për pavarësi më të madhe nga Uashingtoni

Raporti thotë se vendet që janë ende të përkushtuara ndaj një rendi të bazuar në rregulla duhet të organizohen dhe të ndjekin qasje që shkëput varësinë nga Uashingtoni.

Ai paralajmëron se ata që mbeten vëzhgues rrezikojnë të përfundojnë “në mëshirën e politikës së fuqive të mëdha”.

Për të shmangur këtë, qeveritë do të duhet të “përparojnë” duke investuar më shumë në mbrojtjen e tyre dhe duke bashkëpunuar më ngushtë, ndërsa u tregojnë gjithashtu votuesve se reformat kuptimplote mund të japin rezultate më të mira sesa “një politikë shkatërrimi të përhapur”. //a.i/

The post FOKUS – Raporti i Sigurisë së Mynihut 2026: Bota ka hyrë në një epokë të rrezikshme të “politikës së shkatërrimit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌