Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

GREQI – Mitsotakis: Fermerët humbasin legjitimitetin nëse refuzojnë dialogun

29 December 2025 at 22:59

ATHINË, 29 dhjetor /ATSH-ANA/ – Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, në një intervistë me ”Action 24”, iu referua protestave të fermerëve, duke theksuar se “sa më shumë që qytetarët vuajnë, aq më shumë fermerët humbasin legjitimitetin e kërkesave të tyre, veçanërisht kur refuzojnë të angazhohen në dialog”.

Kryeministri grek theksoi se ditët në vijim janë kritike për aktivitetin ekonomik të Greqisë dhe furnizimin e tregut.

Ai pranoi se qeveria mban përgjegjësi për faktin se reformat e rëndësishme nuk janë zbatuar aq shpejt sa do të donte, duke shtuar se pagesat do të përfundojnë deri në fund të vitit.

Ai gjithashtu nënvizoi se është krijuar një sistem i ri për të siguruar që subvencionet të ofrohen shpejt dhe në mënyrë transparente.

Mitsotakis vuri në dukje se në Greqi ka 400 000 fermerë profesionistë, ndërsa mund të ketë rreth 4 000 traktorë në postblloqe.

“Nuk duam të flasim vetëm me ata që janë në bllokada, por edhe me shumicën dërrmuese të fermerëve dhe blegtorëve që nuk janë aty dhe që përballen me probleme reale”, tha ai duke vlerësuar se shumë nga ata që marrin pjesë në bllokada janë në favor të dialogut.

“Dhe ka disa që në thelb po i ngacmojnë ata, bazuar në logjikën e mosthyerjes së radhëve dhe kundërshtimit sistematik të qeverisë. Por, nëse duam të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje, ajo mund të vijë vetëm përmes dialogut të ndershëm, jo ​​përmes veprimeve që supozohet se synojnë të dëmtojnë qeverinë, por në fund të fundit shkaktojnë vështirësi për shoqërinë në tërësi”, theksoi ai./  a.jor.

The post GREQI – Mitsotakis: Fermerët humbasin legjitimitetin nëse refuzojnë dialogun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump mbështet sulme të tjera izraelite, nëse Irani zgjeron programin e raketave

29 December 2025 at 22:39

UASHINGTON, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi sot se do të mbështeste sulme të tjera izraelite ndaj Iranit, nëse Teherani refuzonte një marrëveshje të re bërthamore dhe vijon avancimin e programeve të raketave dhe armëve bërthamore.

“Tani dëgjoj se Irani po përpiqet të avancojë programet raketore, dhe nëse po, do të na duhet t’i godasim sërish”, tha Trump gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

Trump sugjeroi se ndërhyrja do të ishte edhe më urgjente nëse përpjekjet diplomatike për të ndalur programin bërthamor të Iranit dështojnë.

“Do ta bëjmë menjëherë”, u shpreh ai, duke iu referuar sulmeve të mundshme.

Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi në një postim në platformën X, duke thënë se aftësitë raketore dhe mbrojtëse të Iranit “nuk janë të kufizueshme dhe nuk varen nga lejet”.

“Çdo agresion do të përballet me një përgjigje të menjëhershme dhe të ashpër, përtej imagjinatës së planifikuesve të tij”,  shtoi ai.

Izraeli zhvilloi një lufte 12 ditore kundër Iranit në qershor, duke bombarduar objekte kyçe bërthamore në vend, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht  armëpushimit, një zgjidhje diplomatike e konfliktit mes dy armiqve të betuar nuk duket në horizont, ndërsa në të dy vendet kanë qarkulluar raportime për një rifillim të mundshëm të luftës.

Sipas burimeve izraelite, Irani po punon intensivisht për të rindërtuar arsenalin e tij të raketave, i cili, së bashku me programin bërthamor, shihet nga Izraeli si një kërcënim madhor./   /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump mbështet sulme të tjera izraelite, nëse Irani zgjeron programin e raketave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Roma konfirmon ndihmën ushtarake për Kievin edhe në 2026

29 December 2025 at 22:21

ROMË, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Italia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën edhe vitin e ardhshëm, pasi qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni miratoi sot një dekret që autorizon dorëzimin e vazhdueshëm të armëve dhe pajisjeve ushtarake për Kievin.

Italia konsiderohet një nga partneret më të besueshme të Ukrainës brenda NATO-s.

Megjithatë, vendimi për vazhdimin e ndihmës ushtarake në 2026, që ishte parashikuar të miratohej në fillim të dhjetorit, u shty pas kundërshtimeve nga një nga partnerët e koalicionit.

Partia populiste e djathtë “Lega”, e udhëhequr nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini, kërkoi ndryshime në tekst për të theksuar më shumë ndihmën civile dhe që dorëzimi i armëve të shënohej qartë si për qëllime mbrojtjeje.

Më pas qeveria ra dakord për ndryshime të vogla gjuhësore pa ndryshuar në mënyrë të ndjeshme përmbajtjen e dekretit, i cili gjithashtu parashikon zgjatjen e lejeve të qëndrimit për disa ukrainas në Itali.

Salvini është bërë gjithnjë e më kritik ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Në nëntor, ai deklaroi se dërgimi i armëve nuk do ta zgjidhte konfliktin./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ITALI – Roma konfirmon ndihmën ushtarake për Kievin edhe në 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli planifikon vendosjen e sistemeve me lazer në avionë

29 December 2025 at 21:50

TEL AVIV, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Izraeli po planifikon të zhvillojë më tej sistemin e tij të ri të interceptimit me laser me fuqi të lartë, në mënyrë që të mund të instalohet edhe në avionë, përveç përdorimit në tokë, tha sot një nga punonjësit e kërkimeve.

“Jemi tashmë në gjeneratën tjetër”, tha  për transmetuesin “Kan”,  Daniel Gold, kreu i kërkimeve dhe zhvillimit për mbrojtjen.

Forcat izraelite morën dje sistemin e interceptimit me lazer me fuqi të lartë, të njohur si “Iron Beam”, i cili do të integrohet në sistemet ekzistuese të mbrojtjes kundër raketave me shumë shtresa.

Sistemi i lazerit u zhvillua nga kompanitë izraelite të mbrojtjes “Elbit Systems “dhe “Rafael”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

“Iron Beam” është dizajnuar për të punuar paralel me sistemet ”Iron Dome”, ”David’s Sling” dhe ”Arrow”.

”Testet kanë treguar se sistemi mund të ndalojë në mënyrë të besueshme raketat, mortajat, avionët dhe dronët”, tha ministria, duke shtuar se funksionimi i tij është dukshëm më i lirë se sistemet konvencionale me raketa./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post TEL AVIV – Izraeli planifikon vendosjen e sistemeve me lazer në avionë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Shpërthejnë protestat për krizën ekonomike në vend

29 December 2025 at 21:12

TEHERAN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Protestat në disa zona të kryeqytetit iranian vazhduan sot në ditën e dytë rresht, ndërkohë që zemërimi për përkeqësimin e krizës ekonomike të vendit nxiti njerëzit të dilnin në rrugë.

Dëshmitarët thanë se qindra pronarë dyqanesh mbyllën bizneset e tyre dhe i ftuan të tjerët t’iu bashkohen protestave, të cilat nisën pasi valuta kombëtare, monedha vendase, riali, ra në një nivel rekord brenda pak orësh, duke paralizuar tregtinë dhe duke lënë tregjet dhe tregtarët në një gjendje konfuzioni.

Ajo që filloi si një protestë ekonomike shpejt u kthye në një manifestim politik, me thirrje si “Vdekje diktatorit” kundër sistemit islamik.

Sipas dëshmitarëve, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Demonstratat sot  thuhet se u bënë më të mëdha dhe më sfiduese.

Dëshmitarët raportuan se protestuesit brohorisnin sloganet kundër sistemit islamik dhe qeverisë, madje duke kërkuar rikthimin e monarkisë me thirrje “Rroftë mbreti”.

Mediet lokale e pranuan me kujdes ekzistencën e protestave në disa pazare dhe qendra tregtare në Teheran, por shmangën raportimin për sloganet e ashpra politike.

Video të shpërndara në rrjetet sociale treguan turma të mëdha, megjithëse nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Vëzhguesit thonë se përshkallëzimi i papritur mund të jetë nxitur nga deklaratat e ministrit të Jashtëm, Abbas Araghchi, i cili përshkroi sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit si një “problem, por edhe një bekim për popullin”.

Inflacioni në Iran ka arritur prej muajsh nivele astronomike që e bëjnë të pamundur blerjen e artikujve bazë.

Qiratë e larta gjithashtu kanë detyruar shumë të rinj iranianë të kthehen në shtëpitë e prindërve të tyre./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post IRAN – Shpërthejnë protestat për krizën ekonomike në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla për protestën e opozitës: Krushqit nuk erdhën fare

29 December 2025 at 21:09

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas protestës së radhë të mbajtur nga Partia Demokratike.

Balla duke publikuar foto nga protesta thekson se, “krushqit nuk erdhën fare, vetëm hyzmeqarët ishin”.

“Edhe unë mendova mos ta nxjerr sot e lënë vetëm, por me kërkesë të publikut duhet transparencë”, përfundoi Balla.

Kujtojmë se ciklin e komenteve ironike me “krushq” Balla e nisi në protestën e parë të zhvilluar nga opozita më 17 nëntor para Kryeministrisë, ku kreu i grupit parlamentar të PS iu referua batutës së aktorit Besnik Çinari: “Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasmë!”.

/a.f/r.e/

The post Balla për protestën e opozitës: Krushqit nuk erdhën fare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Diplomohen 27 trajnerë në kursin për licencën UEFA C

29 December 2025 at 21:01
TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Është mbyllur edicioni i radhës i kursit UEFA C për zonën e Tiranës.
Në total u diplomuan 27 kursantë, mes tyre edhe 2 vajza. Ceremonia e diplomimit u mbajt në “Shtëpinë e Futbollit”, ku morën pjesë anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu, si edhe stafi i Drejtorisë së Edukimit, Sulejman Starova, Alban Tafaj dhe Erion Stavri, të cilët përgëzuan të diplomuarit dhe u uruan suksese në rrugën e tyre të mëtejshme profesionale.

Në këtë edicion morën pjesë edhe disa emra të njohur të futbollit shqiptar, si Alban Hoxha, Klajdi Kuka dhe Shkëlzen Ruçi, por edhe raste të veçanta frymëzuese, si ai i Sabail Gjylit nga komuniteti i fëmijëve jetimë.

Në kuadër të përgjegjësisë sociale, Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë mundësinë Sabail Gjylit të ndjekë falas kursin UEFA C, duke mbështetur pasionin dhe dëshirën e tij për t’u formuar si trajner futbolli.

“Jam Sabail Gjyli nga Durrësi, nga komuniteti i fëmijëve jetimë. Kam ardhur në këtë kurs për pasionin dhe dashurinë që kam për futbollin. Falënderoj shumë Departamentin e Edukimit në FSHF që më dha këtë mundësi për certifikimin si trajner. Duke qenë se disponoj edhe statusin e fëmijës pa përkujdes prindëror, ky kurs u sigurua falas nga Federata Shqiptare e Futbollit. Jam shumë i kënaqur nga stafi, trajnerët dhe kolegët e kursit. Synimi im është që të ndjek edhe kursin UEFA B, për të ecur përpara drejt ëndrrës që kam pasur që i vogël për të drejtuar një ekip futbolli”, u shpreh Sabail Gjyli për fshf.org.

Të diplomuarit me licencën UEFA C mund të ushtrojnë profesionin e trajnerit në futbollin amator, si edhe të punojnë si zëvendëstrajnerë në ekipet e moshave që marrin pjesë në garat e organizuara nga FSHF.

/a.f/r.e/

The post Diplomohen 27 trajnerë në kursin për licencën UEFA C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tepelena e veshur me ngjyrat festive

29 December 2025 at 20:36

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Tepelena është veshur me ngjyrat festive këtë dhjetor, me qytetin të zbukuruar me drita dhe instalacione ndriçuese, që sjellin gëzim për banorët dhe turistët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e festave, duke shfaqur qytetin të mbushur me ngjyra, drita dhe dekorime të ndryshme që i japin një pamje unike qytetit gjatë sezonit të fundvitit.

“Dhjetori i festave Tepelenë”, shkruan Rama, teksa në videon e shpërndarë prej tij shfaqet bredhi i rrethuar nga fëmijë të veshur me kapuçët e Babagjyshit, duke i dhënë atmosferës edhe më shumë shkëlqim dhe magji.

Turistë vendas e të huaj kanë zgjedhur Tepelenën gjithnjë e më shumë si destinacionin e tyre turistik. Atraksionet janë të shumta si, Vjosa, lumi i fundit i egër i Europës; Kalaja e Ali Pashë Tepelenës; Ujësjellësi i Aliut në Bënçë; Uji i Ftohtë; Kanionet dhe Ujëvara e Nivicës si dhe vende të shenjta si xhami, kisha dhe teqe.

1 nga 3

/gj.m/r.e/a.f/

The post Tepelena e veshur me ngjyrat festive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin: Sulmi ukrainas mund të përmbysë negociatat për paqe

29 December 2025 at 20:35

MOSKË/KIEV, 20 dhjetor /ATSH -DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin, i deklaroi presidentit amerikan Donald Trump se synon të rishikojë pozicionin e tij në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, pas një sulmi të pretenduar nga Kievi ndaj një prej rezidencave të tij, sipas Kremlinit.

Yuri Ushakov, këshilltar për politikën e jashtme i Putinit, tha se Trump dhe Putin kanë biseduar përsëri sot, pas takimit dje mes presidentit amerikan dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Florida.

Gjatë bisedës telefonike, lideri rus informoi Trumpin se forcat ukrainase supozohet se kanë tentuar të sulmojnë një prej rezidencave të tij presidenciale në rajonin perëndimor të Novgorodit me dhjetëra dronë, një pretendim që u hodh menjëherë poshtë nga Kievi.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, tha se sulmi dje në mbrëmje nuk shkaktoi dëme apo të lënduar, me mbrojtjen ajrore ruse që shkatërroi të gjithë dronët.

Ai akuzoi udhëheqjen ukrainase për praktikimin e terrorizmit shtetëror dhe tha se objektivat për sulme hakmarrëse në Ukrainë tashmë ishin identifikuar.

Ushakov tha se Trump ishte tronditur nga rrëfimi i Putinit.

“Në pamje të terrorizmit shtetëror të ushtruar nga Kievi, pala ruse nuk mund të veprojë ndryshe”, theksoi këshilltari, duke iu referuar një ndryshimi të mundshëm të pozicionit negociues të Rusisë.

”Putin i theksoi Trumpit se pala ruse dëshiron të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerët amerikanë për të gjetur mënyra për të arritur paqen”, sipas Ushakov.

Ndërkohë, Zelensky hodhi poshtë pretendimet e Moskës si “gënjeshtra tipike ruse” në disa postime në rrjetet sociale.

Ai tha se Kremlini po përdorte sulmin e trilluar si një pretekst për të përgatitur sulme ruse mbi ndërtesat qeveritare në Kiev.

Megjithëse Trump siguroi se një marrëveshje “mund të jetë shumë afër”, takimi i së dielës me Zelenskyn përfundoi pa asnjë rezultat të prekshëm.

Sipas Ushakov, Trump gjithashtu informoi Putinin për bisedimet e djeshme me Zelenskyn./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post RUSI – Putin: Sulmi ukrainas mund të përmbysë negociatat për paqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbërrijnë në Rinas pajisjet për riparimin e defektit në ujësjellësin e Vlorës

29 December 2025 at 20:28

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Pajisjet e nevojshme për riparimin e defektit të ujësjellësit në Vlorë kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit nga Turqia.

Ministria e Mbrojtjes ndau sot pamje nga mbërritja në Rinas e materialeve për sistemin e ujit të pijshëm, teksa bëri të ditur se, materialet janë nisur menjëherë për në Vlorë.

Më herët edhe Kryeministri Edi Rama ka reaguar në një postim në Twitter për situatën e krijuar në Vlorë, ku prej 4 ditësh mungon uji. Kreu i qeverisë njoftoi se pajisjet ishin nisur nga Stambolli për në vendin tonë.

Rama u shpreh se “në vitin 2009-2010 janë instaluar pjesë hidraulike jashtë standardeve, që nuk e kanë mbajtur dot më presionin e ujit dhe për pasojë tubacioni ka shpërthyer”.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Mbërrijnë në Rinas pajisjet për riparimin e defektit në ujësjellësin e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Vitin tjetër e fillojmë me protesta

29 December 2025 at 20:22

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/Opozita iu rikthye sot “Foltoreve” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se opozita nuk do të largohet nga sheshi pa larguar “binomin e korrupsionit” Rama-Balluku.

“Do qëndrojmë në këtë shesh, “Sheshin e lirisë”, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim binomin që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun”, u shpreh Berisha.

Ai përshëndeti pjesëmarrësit, të cilët i cilësoi “misionarë të pamposhtur”, duke theksuar se opozita synon të mbajë gjallë frymën e protestës dhe angazhimit qytetar. Sipas tij, sheshi shërben si një formë e drejtpërdrejtë komunikimi me qytetarët, duke i dhënë mundësi secilit të shprehë shqetësimet dhe kërkesat për ndryshim politik.

Në fjalën e tij, Berisha kritikoi qeverisjen aktuale, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për reforma të thella që përfshijnë arsimin, familjet dhe komunitetet. “Ne kemi nevojë për një qeverisje që respekton qytetarët dhe garanton kushte më të mira për të gjithë”, theksoi ai.

/a.f/

The post Berisha: Vitin tjetër e fillojmë me protesta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar drejt BE-së

29 December 2025 at 20:02

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, ku partia e tij doli e para nga ky proces.

Kryeministri në detyrë, Kurti theksoi se ardhmja e Kosovës është e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian (BE), raporton KosovaPress.

Kurti në platformën X, ka falënderuar të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe pa incidente.

“Dje, populli i Kosovës na dha edhe një herë një mandat të fuqishëm. Është gjithmonë një nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht kur kjo vjen pas kryerjes së mandatit të parë të plotë në historinë e vendit. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan për të siguruar që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe i zhvilluar pa incidente. Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, vendet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin progresin demokratik të Kosovës. Një falënderim i veçantë për partitë tona simotra dhe lëvizjen më të gjerë progresive, ndërsa ne angazhohemi për të ndërtuar shoqëri ku dinjiteti dhe mirëqenia e popullit janë në qendër. E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian”, shkruan Kurti.

Pas procesimit të rezulateve paraprake në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave.

/KosovaPress/

The post Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi e vetmja mënyrë që palët të përparojnë në rrugën evropiane

29 December 2025 at 20:00

SHKUP, 29 dhjetor /ATSH-AA/ – Pas zgjedhjeve të djeshme të mbajtura në Kosovë, Bashkimi Evropian ka përshëndetur zhvillimin e tyre dhe ka kërkuar formimin e shpejtë të institucioneve në vend dhe përshpejtimin e reformave evropiane.

Në një deklarate të përbashkët, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas dhe komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, përshëndetën pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje.

Kallas dhe Kos theksuan se procesi zgjedhor tregoi një “angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike”.

“Pas ngërçit politik pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, ne presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që kanë të bëjnë me BE-në”, theksuan përfaqësueset e BE-së.

Ato gjithashtu i bënë thirrje Kuvendit që sapo të formohet të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes, përkatësisht instrumentin e BE-së për Ballkanin Perëndimor me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024-2027, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ky plan, në dobi të popullatës së saj.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, vazhdon të mbetet e vetmja mënyrë që të dyja palët të arrijnë përparim në rrugët e tyre evropiane”, theksuan më tej, duke u shprehur që të gjitha obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme

Po ashtu ato rikujtuan se BE-ja po ecën përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës, duke përmendur se 216 milionë euro ndihmë financiare tashmë janë disbursuar pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale dhe synimin për të disbursuar edhe 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm./  /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – BE: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi e vetmja mënyrë që palët të përparojnë në rrugën evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Kushtetuesja të publikojë argumentet për pezullimin e vendimit ndaj Ballukut

29 December 2025 at 19:21

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi pas deklaratës së Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar sqarime prej saj lidhur me mënyrën se si ky institucion po trajton çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Bardhi theksoi se publikimi i arsyetimeve për vendimet e Gjykatës do të kontribuonte në rritjen e besueshmërisë së saj dhe do të zvogëlonte perceptimin e ndikimit politik.

“I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë”, deklaroi ai.

Bardhi e akuzoi Gjykatën Kushtetuese për “dy standarde” në qëndrimet e saj sa i takon interpretimit për masat ndaj një deputeti dhe ndaj një ministri.

“Njësoj e domosdoshme për besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese mbetet sqarimi për dy standardet e ndjekura: se pse 1/5 e deputetëve nuk legjitimohen për të kërkuar interpretim për masat ndaj një deputeti, ndërsa Kryeministri legjitimohet për të kërkuar interpretim për masat ndaj një ministri”, u shpreh Bardhi.

Më herët sot, përmes një deklarate të shpërndarë në medie, Gjykata Kushtetuese njoftoi se çështja do të shqyrtohet në seancë plenare më 22 janar 2026, me pjesëmarrjen e Kryeministrit, Presidentit, Kuvendit, Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, ndërsa ftoi të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.

/r.e/

The post Bardhi: Kushtetuesja të publikojë argumentet për pezullimin e vendimit ndaj Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Fermerët bllokojnë sërish rrugët, pas përshkallëzimit të protestave

29 December 2025 at 19:21

ATHINË, 29 dhjetor /ATSH-ANA/ –  Protestat e fermerëve në bllokadën e Bralos u  përshkallëzuan sot, pas një vendimi unanim të mbledhjes së përgjithshme që u zhvillua mbrëmë.

Fermerët vendosën të vazhdojnë me një bllokim dyorësh të rrugëve dytësore dhe hyrjeve në rrjetin kombëtar dhe provincial.

Vendimi u mor në një atmosferë të tensionuar, pasi ishin bërë njoftime në orët e mëparshme sipas të cilave përfaqësuesit e tyre kishin marrë pjesë në takimin e Epanomit dhe kishin nënshkruar tekstin përkatës.

Mbledhja e përgjithshme e mohoi kategorikisht këtë, duke sqaruar se “prania e tyre në Epanomi ishte vetëm si vëzhgues dhe pa asnjë autorizim apo vendim për bllokadën”.

Njëkohësisht, ata deklaruan se mbështesin plotësisht Komitetin Panhelenik të Bllokadave, në të cilin marrin pjesë, dhe identifikohen plotësisht me vendimet dhe kuadrin që është rënë dakord, duke refuzuar çdo interpretim tjetër.

Në vendimin e tyre, ata përsëritën se, pavarësisht përshkallëzimit të protestave, do të vazhdojnë të tregojnë përgjegjësi shoqërore, duke lehtësuar trafikun në pamje të largimit dhe kthimit të udhëtarëve gjatë festave./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post GREQI – Fermerët bllokojnë sërish rrugët, pas përshkallëzimit të protestave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori gjerman: Presim me padurim të bashkëpunojmë me institucionet e reja

29 December 2025 at 18:58

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph ka reaguar pas zgjedhjeve të zhvilluara të dielën në Kosovë.

Ambasadori Rudoplh e ka uruar Kosovën për zgjedhjet e qeta dhe demokratike.

“Urime Kosovë për zgjedhjet e qeta dhe demokratike. Presim me padurim të punojmë me institucionet e sapoformuara”, ka shkruar Rudolph në Facebook.

Pas procesimit të rezulateve paraprake në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave, e pasuar nga PDK me 21,01% dhe LDK me 13,59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marrë 5,68% të elektoratit.

/KosovaPress/

The post Ambasadori gjerman: Presim me padurim të bashkëpunojmë me institucionet e reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani synon mandat të dytë presidencial

29 December 2025 at 18:55

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për këtë post.

Vjosa Osmani e ka konfirmuar këtë në një intervistë për REL-in, duke theksuar se pret fillimisht formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Osmani ka paralajmëruar se në periudhën në vijim do të zhvillojë bisedime me akterë të ndryshëm politikë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.

Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik edhe në rast se nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe interesave të shtetit.

Në intervistë, presidentja ka komentuar edhe raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentit Donald Trump, si dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Osmani ka folur gjithashtu për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për stabilitetin rajonal dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Kosova, dje ka zhvilluar zgjedhjet e parakohshme dhe nga ky process, LVV ka dalë e para, PDK e dyta, LDK e treta dhe AAK e katërta.

Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave, e pasuar nga PDK me 21,01% dhe LDK me 13,59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marr 5,68% të elektoratit. Në bazë të këtyre rezultateve fuqia e partive në Kuvendin e Kosovës do të jetë kështu:

LVV siguron 56 mandate, PDK me 23 mandate, LDK merr 15 mandate, AAK 6 mandate, Lista Serbe 10 mandate, komunitetet e tjera 10 mandate. /REL/

The post Osmani synon mandat të dytë presidencial appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit

29 December 2025 at 18:38

BERLIN, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – FIFA ka marrë mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit të vitit të ardhshëm, në gjysmën e fazës së fundit të shitjes së tyre.

Organizata më e lartë e futbollit bëri të ditur sot se aplikimet kanë ardhur nga mbi 200 vende dhe territore.

FIFA njoftoi se turneu në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada është mbi kapacitet me 30 herë më shumë kërkesa sesa vendet e disponueshme dhe se numri i aplikimeve është 3,4 herë më i madh se pjesëmarrja totale në të gjitha botëroret e mëparshme që nga edicioni i parë në 1930-n.

“Kjo përgjigje e jashtëzakonshme nga tifozët pasionantë është një tregues i vërtetë i dashurisë globale për futbollin tonë”, tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Faza e fundit e shitjes filloi më 11 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 13 janar, pas së cilës biletat do të vendosen me short.

Kjo është hera e parë që shumica e ndeshjeve të grupeve janë të njohura që nga shorti i 5 dhjetorit.

Ka më shumë bileta në dispozicion se në edicionet e mëparshme, pasi Botërori është zgjeruar nga 32 në 48 ekipe dhe nga 64 në 104 ndeshje.

Procesi i shitjes nuk ka kaluar pa polemika, pasi grupet e tifozëve kritikuan çmimet e larta të biletave.

FIFA më pas prezantoi disa bileta me çmim 60 dollarë për tifozët që aplikojnë për biletat nga kontingjenti i ekipeve pjesëmarrëse./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – FIFA: Mbi 150 milionë aplikime për biletat e Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Clooney merr nënshtetësinë franceze

29 December 2025 at 18:30

PARIS, 29 dhjetor /ATSH-AFP/ – Ylli i Hollivudit, amerikani George Clooney, gruaja e tij Amal Alamdin Clooney dhe dy fëmijët e tyre morën nënshtetësinë franceze, sipas një dekreti të botuar në ”Gazetën Zyrtare”.

I zbuluar nga ”Paris Match”, ky dekret ka të bëjë me çiftin e famshëm dhe binjakët e tyre tetëvjeçarë.

Larg Hollivudit, aktori, i njohur për rolet e tij ikonike në serialin “ER” dhe filmat “Ocean’s”, dhe gruaja e tij libanezo-britanike, avokate me profesion, kalojnë një pjesë të jetës së tyre në Francë.

“E dua kulturën franceze, gjuhën, edhe nëse jam ende po aq keq pas 400 ditë mësimesh”, i rrëfeu aktori dhe regjisori 64-vjeçar RTL në fillim të dhjetorit.

Çifti bleu një shtëpi fshati dhe një vresht në Brignoles, në vitin 2021.

“Këtu, askush nuk u bën fotografi fëmijëve tuaj. Nuk ka paparacë që fshihen jashtë portave të shkollës. Kjo është thelbësore për ne”, shtoi ai në të njëjtin stacion radiofonik.

Edhe pse familja Clooney nuk e kalon gjithë kohën në jug të Francës, kjo pronë është “vendi më i lumtur për ne”, kishte deklaruar aktori, i cili fitoi një Oscar për ”Syriana” (2005).

Ndërkohë, bashkëkombësi i tij amerikan, regjisori Jim Jarmusch, njoftoi në radion France Inter të premten qëllimin e tij për të aplikuar për shtetësi franceze.

“Do të doja të kisha një vend tjetër ku mund të largohem nga Shtetet e Bashkuara”, deklaroi ai, duke shpjeguar tërheqjen e tij ndaj “kulturës franceze”./  a.jor.

The post KINEMA – Clooney merr nënshtetësinë franceze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese përgënjeshtron deklaratat mbi pezullimin e vendimeve ndaj zv.kryeministres Balluku

29 December 2025 at 20:15

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese përgënjeshtroi sot deklaratat publike lidhur me procedurën dhe rezultatin e votimit për pezullimin e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Posaçme, që lidhen me masën “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj zëvendëskryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta”, thuhet në një deklaratë për mediet.

Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026 do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

“Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi”, citohet deklarata.

Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.

/r.e/

The post Gjykata Kushtetuese përgënjeshtron deklaratat mbi pezullimin e vendimeve ndaj zv.kryeministres Balluku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌