Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

DAVOS – Negociata të menjëhershme, Trump përsërit thirrjen për blerjen e Grenlandës

21 January 2026 at 16:46

DAVOS, 21 janar /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Washingtoni duhet të hapë negociata për ta blerë Grenlandën, duke thënë se vetëm SHBA-ja ka kapacitetin për ta mbrojtur dhe zhvilluar këtë territor arktik me rëndësi strategjike.

“Kam respekt të jashtëzakonshëm si për popullin e Grenlandës, ashtu edhe për popullin e Danimarkës, respekt të madh. Por, çdo aleat i NATO-s ka detyrimin të jetë në gjendje të mbrojë territorin e vet, dhe fakti është se asnjë shtet apo grup shtetesh nuk është në pozitë ta sigurojë Grenlandën, përveç SHBA-së”, tha Trump në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës.

Trump përsëriti se SHBA-ja ka nevojë për Grenlandën për sigurinë strategjike kombëtare.

“Janë vetëm Shtetet e Bashkuara që mund ta mbrojnë këtë masë gjigante toke, këtë copë gjigante akulli, ta zhvillojnë dhe ta përmirësojnë, duke e bërë atë të dobishme për Evropën, të sigurt për Evropën dhe të mirë edhe për ne”, tha ai.

Presidenti amerikan theksoi se këto konsiderata po e shtyjnë atë të kërkojë bisedime për një blerje të mundshme.

“Dhe kjo është arsyeja pse po kërkoj negociata të menjëhershme për të diskutuar edhe një herë blerjen e Grenlandës nga SHBA-ja”, shtoi Trump.

– “Nuk do të përdor forcë”

Trump tha se nuk do të përdorë forcë për të siguruar kontrollin e territorit autonom të Danimarkës. “Njerëzit menduan se do të përdorja forcë, por nuk kam nevojë të përdor forcë”, tha ai. “Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”, theksoi Trump.

Trump tha se SHBA-ja po kërkon titull dhe pronësi sepse “duhet ta kesh pronësinë për ta mbrojtur atë”.

“Nuk mund ta mbrosh me qira, së pari ligjërisht, nuk është e mbrojtshme në atë mënyrë, fare”, tha ai duke shtuar se SHBA-ja nuk dëshiron ta marrë territorin me qira.

Trump tha se territori arktik do të jetë qendror në çdo konflikt të ardhshëm dhe thelbësor për planifikimin e mbrojtjes nga raketat.

“Nëse ka luftë, shumë nga veprimet do të zhvillohen mbi atë copë akulli. Mendoni për këtë: Ato raketa do të fluturonin pikërisht mbi qendrën e asaj cope akulli”, deklaroi presidenti amerikan.

“Gjithçka që duam nga Danimarka për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare dhe për t’i mbajtur larg armiqtë tanë shumë energjikë dhe të rrezikshëm është kjo tokë, mbi të cilën do të ndërtojmë ‘Kupolën e Artë’ më të madhe që është ndërtuar ndonjëherë”, shtoi ai.

Grenlanda ka tërhequr vëmendjen e Trumpit për shkak të pozitës së saj strategjike në Arktik, burimeve të gjera minerare dhe shqetësimeve të pretenduara për një prani në rritje ruse dhe kineze.

Danimarka dhe Grenlanda kanë refuzuar propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

The post DAVOS – Negociata të menjëhershme, Trump përsërit thirrjen për blerjen e Grenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tregjet amerikane rimëkëmben pasi Trump përjashton mundësinë e forcës ushtarake ndaj Groenlandës

21 January 2026 at 16:30

LONDËR, 21 janar /ATSH/- Tregjet amerikane u rimëkëmbën pasi presidenti  i SHBA-së, Donald Trump tha sot në Forumin Ekonomik Botëror, Davos të Zvicrës, se nuk do të përdorte forcë ushtarake për të blerë Groenlandën, sipas BBC.

Menjëherë pas njoftimit, indekset e tregut të aksioneve, “S&P 500” dhe “Dow Jones Industrial Average” u rritën të dy rreth 0,3%, dhe “Nasdaq” gjithashtu shënoi fitime modeste.

Rendimentet e thesarit ranë ndërsa çmimet u rritën, ndërsa dollari pakësoi humbjet.

Investitorët u gëzuan nga deklarata e presidentit Trump.

“Njerëzit menduan se do të përdorja forcë ushtarake. Nuk kam nevojë të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”, tha sot presidenti i SHBA-së Donald Trump në një fjalim në Davos.

Aksionet kishin rënë ndjeshëm dje mes tensioneve të lidhura me Groenlandën dhe kërcënimeve tarifore. //a.i/

The post FOKUS – Tregjet amerikane rimëkëmben pasi Trump përjashton mundësinë e forcës ushtarake ndaj Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Europool shkatërron një nga organizatat më të mëdha të prodhimit të drogës

21 January 2026 at 16:21

HAGË, 21 janar /ATSH-DPA/ – Agjencia evropiane e policisë Europol thotë se hetuesit kanë shkatërruar një nga organizatat më të mëdha të prodhimit të drogës.

Europol tha se ishte operacioni më i madh deri më sot kundër trafikimit të drogës sintetike.
‘’Njëzet e katër laboratorë të përdorur për prodhimin e drogës u mbyllën dhe 85 të dyshuar u arrestuan’’, njoftoi Europol.

Ata përfshinin dy udhëheqës të dyshuar në Poloni. Operacioni përfshinte disa bastisje kundër bandave dhe zgjati më shumë se një vit.

Europol mbështet shtetet anëtare të BE-së në hetimet në fusha të tilla si krimi i organizuar dhe terrorizmi.

Sipas autoriteteve doganore gjermane, gjashtë laboratorë të paligjshëm të drogës janë zbuluar në të gjithë vendin.

“Në të gjithë vendin, u sekuestruan mbi 800 kilogramë drogë sintetike dhe afërsisht 160 000 litra mbetje kimike shumë toksike”, tha Tino Igelmann, kreu i Byrosë së Hetimit Kriminal të Doganave, në një konferencë për shtyp.

“Si në Gjermani ashtu edhe në Evropë, këto sasi janë të paprecedentë”, shtoi ai.
Europol thotë se u sekuestruan gjithsej afërsisht 1 000 ton kimikate, të cilat mund të jenë përdorur për të prodhuar mbi qindra ton droga të forta si MDMA, amfetamina dhe metamfetamina.

Drogat sintetike të prodhuara nga kimikatet paraqesin një rrezik veçanërisht serioz për shëndetin, tha Igelmann. Ato gjithashtu paraqesin një problem të rëndësishëm mjedisor. /os/

The post FRANCË – Europool shkatërron një nga organizatat më të mëdha të prodhimit të drogës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: 52 milionë euro në mbështetje të fermerëve, skema përshtatet sipas nevojave të tyre

21 January 2026 at 16:18


TIRANË, 21 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, njoftoi se ka nisur një tur dëgjesash me fermerët në të gjithë vendin, me qëllim përshtatjen sa më të mirë të skemës kombëtare të mbështetjes së fermerëve e nevojat që ata kanë.

Gjatë vizitës në Kavajë dhe Rogozhinë, ministri Salla theksoi rëndësinë e dëgjimit të fermerëve dhe përfshirjes së tyre në përshtatjen e skemës, duke u mundësuar të japin sugjerimet dhe të evidentojnë çdo problematikë lidhur me skemën apo përfitimet e tyre.

“Kemi vendosur një buxhet rreth 52 milionë euro për këtë skemë, që fermerët të aplikojnë dhe përfitojnë,” tha ministri, duke shtuar se turi do të vazhdojë në të gjithë bashkitë e Shqipërisë.

Në lidhje me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në disa zona, ministri Salla njoftoi se qeveria ka vendosur një paketë financiare për të gjithë fermerët e dëmtuar. Ai bëri të ditur se po punohet për evidentimin e plotë të dëmeve në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, emergjencën civile dhe bashkitë, për të dalë me vendime konkrete dhe shpërblime të shpejta për fermerët e prekur.

“Siç e keni parë para disa ditësh, ne kemi vendosur një paketë financiare nga qeveria shqiptare në mënyrë që të gjithë të dëmtuarit do të jenë të përfshirë në paketën financiare. Ne jemi duke bërë evidentimin e dëmeve të shkaktuara bashkë me Ministrinë e Bujqësisë, emergjencën civile dhe bashkitë në mënyrë që ne të kemi një evidentim të plotë dhe të dalim me një vendim, i cili do të jetë publik shumë shpejt”, deklaroi ai.

/e.xh/a.f/

 

The post Salla: 52 milionë euro në mbështetje të fermerëve, skema përshtatet sipas nevojave të tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Shqipëria në krah të SHBA-së në luftën globale kundër fentanilit

21 January 2026 at 16:07

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot ndryshimet ligjore të propzouara nga qeveria në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, si dhe ndryshimet ligjore në ligjin për “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”.

Deputetja e Partisë Socialiste, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e saj tha se përparësia e këtij projektligji është krijimi i një mekanizmi më të fortë dhe të efektshëm ligjor për të kontrolluar lëndët narkotike dhe psikotrope, në përputhje me standardet ndërkombëtare e në funksion të rritjes së sigurisë publike.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini, në fjalën e saj, duke prezantuar ndryshimet ligjore në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”,  tha se ky përmirësim, vjen si nevojë për përputhje me legjislacionin ndërkombëtar dhe atë të Bashkimit Evropian, si dhe për forcimin e mekanizmave të parandalimit e të kontrollit, në kuadër të luftës kundër trafikut të paligjshëm të drogës. Objektivi specifik, që synohet të arrihet me këtë projektligj, është përditësimi i listës së lëndëve që përdoren në mënyrë të paligjshme për prodhimin e lëndëve narkotike dhe psikotrope.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë diskutimit për projektligjin që lidhet me barnat narkotike dhe lëndët psikotrope, me fokus të veçantë luftën kundër opioideve sintetike, përfshirë fentanilin deklaroi se Shqipëria është përkrah presidentit të SHBA, Donald Trump në luftën kundër drogave.

Ai theksoi se përveç fentanilit, në listën që po miratohet janë përfshirë edhe katër opioidë të tjerë sintetikë edhe më të fortë se fentanili, duke i cilësuar si jashtëzakonisht të rrezikshëm për jetën e njeriut.

Në fjalën e tij, Balla solli shifra tronditëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur fentanilin një kërcënim global.

“Nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2024, në SHBA kanë humbur jetën 262 mijë persona për shkaqe të lidhura me përdorimin e fentanilit. Më shumë amerikanë kanë vdekur nga fentanili sesa nga Lufta e Dytë Botërore, në vetëm katër vite.”

Sipas tij, edhe për vitin 2025 priten shifra shumë të larta, rreth 76 mijë viktima, çka justifikon qëndrimin e fortë të presidentit Trump ndaj kësaj çështjeje.

Balla rikujtoi se më 14 mars 2024 Shqipëria u anëtarësua në Koalicionin Global Kundër Drogave Sintetike, një iniciativë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Drogat sintetike, dhe në mënyrë të veçantë fentanili, janë armë të shkatërrimit në masë që vrasin dhjetëra-mijëra njerëz çdo vit”, theksoi ai, duke paralajmëruar se Europa ende nuk është plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që ky fenomen përbën.

Sipas Ballës, një sasi më e vogël se një kokërr kripe e fentanilit mund të marrë jetën e një njeriu, duke nënvizuar se kjo është pasojë e rrjeteve kriminale të organizuara, kufijve të dobët dhe zbatimit të pamjaftueshëm të ligjit.

“Kufijtë e fortë shpëtojnë jetë”, deklaroi ai, duke shtuar se Shqipëria duhet të rrisë kontrollet kufitare dhe të forcojë politikat e sigurisë në shkolla për të parandaluar që fëmijët dhe të rinjtë të bien pre e shpërndarësve të drogës.

Në përmbyllje, Taulant Balla vlerësoi qasjen proaktive të qeverisë shqiptare për përditësimin e listës së lëndëve narkotike dhe kërkoi më shumë vëmendje për qendrat e rehabilitimit dhe trajtimit të personave me varësi.

“Detyra e shtetit është jo vetëm të parandalojë përdorimin e drogës, por edhe të kujdeset që viktimat e saj të shpëtojnë nga varësia”, tha Balla, duke bërë thirrje që edhe opozita të mbështesë projektligjin dhe ai të miratohet sa më shpejt në seancë plenare.

Në fund të punimeve, komsioni miratoi në parim, Nen për Nen dhe në tërësi ndryshimet ligjore, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në votim.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Ndryshimet në ligjin për narkotikët, Balla: Shqipëria në krah të SHBA-së në luftën globale kundër fentanilit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STRASBURG – Parlamenti Evropian dërgon në gjykatë marrëveshjen BE-Mercosur

21 January 2026 at 16:06

STRASBURG, 21 janar /ATSH-DPA/ – Parlamenti Evropian ka vendosur që marrëveshja e kontestuar e BE-së për tregti të lirë me katër vende nga blloku amerikano-latin “Mercosur” të shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Në një votim sot, 334 ligjvënës të Bashkimit Evropian votuan pro vlerësimit ligjor, 324 kundër dhe 11 abstenuan.

Pritja për opinionin e gjykatës mund të vonojë ndjeshëm procesin e ratifikimit për marrëveshjen me katër vendet e Mercosur-it, Brazili, Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji.

Nuk dihet sa kohë do t’u duhet gjyqtarëve në Luksemburg për të dhënë vlerësimin, por proceset e mëparshme kanë zgjatur midis 16 dhe 26 muajsh.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua javën e kaluar në Paraguaj, pas më shumë se 25 vitesh negociata, synon të heqë barrierat tregtare dhe tarifat doganore dhe të rrisë shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve.

Rezoluta e sotme kritikoi faktin që marrëveshja u vendos në një mënyrë që kërkon vetëm miratimin e Parlamentit Evropian dhe jo ratifikimin nga parlamentet kombëtare./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post STRASBURG – Parlamenti Evropian dërgon në gjykatë marrëveshjen BE-Mercosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

21 janar 1925, shpallja e republikës së parë shqiptare

21 January 2026 at 15:50

TIRANË, 21 janar/ATSh/ Më 21 janar 1925 Shqipëria u shpall për herë të parë Republikë Parlamentare.

Forma e re e qeverisjes së vendit u përligj përmes miratimit të Statutit të Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese, në mars të vitit 1925. Data hyri në analet e historisë si tregues për vendosjen e republikës së parë shqiptare. Për detyrën e kreut të shtetit u zgjodh Ahmet Zogu, post të cilin e mori më 31 janar. Mandati i presidentit të Republikës ishte 7-vjeçar, por kjo formë republikane e qeverisjes zgjati deri në shtator të vitit 1928, kur Ahmet Zogu u vetëshpall “mbret i shqiptarëve”.

Statuti sanksionoi konsolidimin e pavarësisë dhe jetësimin e parimeve demokratike kushtetuese. Po ashtu, në Statut ligjëroheshin parimet dhe liritë demokratike, sikurse janë ndarja e pushteteve dhe liritë e të drejtat e njeriut. Një arritje e madhe e kohës ishte miratimi i Kodit Penal.

/r.e/a.f/

The post 21 janar 1925, shpallja e republikës së parë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tomini: Kontroll i plotë i zinxhirit të furnizimit me duhan përmes protokollit ndërkombëtar

21 January 2026 at 15:49

TIRANË, 21 janar /ATSH/Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Eugena Tomini, deklaroi se projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit” është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian.

E pranishme në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, gjatë diskutimit të pr/ligjit, Tomini tha se, “protokolli synon të sigurojë kontroll të plotë të zinxhirit të furnizimit me produkte duhani, duke krijuar një regjistër global të gjurmimit dhe ndjekjes, që përfshin sisteme kombëtare dhe rajonale, si dhe një pikë globale shkëmbimi informacioni pranë sekretariatit të Konventës Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kontrollin e Duhanit (WHO FCTC)”.

Sipas saj, projektligji parashikon gjithashtu masa për licencimin, mbajtjen e të dhënave, kontrolle parandaluese dhe të sigurisë, si dhe rregulla për shitjet online, zonat e lira dhe transitin ndërkombëtar.

“Ai përfshin dispozita penale për shkelësit, ndjekje ligjore, sanksione, sekuestrime, asgjësimin e produkteve të paligjshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar në shkëmbimin e informacionit, ndihmë juridike dhe ekstradim”, u shpreh ajo.

Zv/ministrja Tomini theksoi se ky protokoll plotëson Konventën Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit dhe ofron një mjet gjithëpërfshirës për luftën kundër tregtisë së paligjshme, duke forcuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe sigurinë ligjore të tregut të produkteve të duhanit.

e.xh/

The post Tomini: Kontroll i plotë i zinxhirit të furnizimit me duhan përmes protokollit ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria ratifikon rregullat e pronësisë intelektuale në kuadër të CEFTA-s

21 January 2026 at 15:42

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, deklaroi se projektligji për ratifikimin e vendimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s “Për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale” synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe harmonizimin e legjislacionit vendas me standardet e Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, Musabelliu theksoi se vendimi krijon një kuadër të përbashkët rajonal për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, duke u mbështetur në parimet e mosdiskriminimit dhe të palës më të favorizuar ndërmjet palëve të CEFTA-s.

Sipas tij, vendimi forcon zbatimin e këtyre të drejtave në përputhje me marrëveshjen TRIPS të Organizatës Botërore të Tregtisë dhe standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në mbrojtjen e sekreteve tregtare. Ai parashikon procedura më efikase dhe në afate të arsyeshme për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, përfshirë përdorimin e aplikimeve elektronike.

Musabelliu nënvizoi se projektligji nxit gjithashtu bashkëpunimin dhe ngritjen e kapaciteteve ndërmjet vendeve të CEFTA-s përmes shkëmbimit të informacionit, trajnimeve dhe asistencës teknike, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të sigurt ligjor dhe ekonomik për investitorët dhe bizneset.

Sipas zëvendësministrit, miratimi i këtij projektligji e afron Shqipërinë me praktikat më të mira evropiane në fushën e pronësisë intelektuale dhe forcon një sistem më transparent dhe të mbrojtur për zhvillimin e tregut dhe inovacionit.

“Vendimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s synon vendosjen e rregullave të përbashkëta për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale ndërmjet vendeve anëtare, duke garantuar standarde minimale të unifikuara, parimet e mosdiskriminimit dhe të palës më të favorizuar”, deklaroi ai.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Shqipëria ratifikon rregullat e pronësisë intelektuale në kuadër të CEFTA-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Taksat vendore 2026, Bashkia Tiranë thirrje bizneseve që të vetëdeklarojnë të dhënat

21 January 2026 at 15:41

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore Tiranë ka ndërmarrë një nismë informuese për të rikujtuar bizneset, por edhe qytetarët që kanë pronë e cila përdoret për qëllim tregtar, mbi rëndësinë e vetëdeklarimit të saktë të të dhënave, si një hap thelbësor për përllogaritjen e drejtë të detyrimeve vendore për vitin 2026.

Në kuadër të kësaj nisme, formulari i vetëdeklarimit u është dërguar tashmë taksapaguesve në profilin e tyre në portalin “e-Albania”, te rubrika “Dokumentet e mia”. Plotësimi i këtij formulari mundëson përditësimin e të dhënave reale dhe shmang pasaktësitë në llogaritjen e detyrimeve vendore.

Procesi i plotësimit është i thjeshtë dhe kryhet përmes disa hapave: hyrja në portalin “e-Albania” me kredencialet përkatëse si qytetar ose biznes, aksesimi i rubrikës “Dokumentet e mia”, plotësimi i formularit dhe dorëzimi i tij.

Formulari i plotësuar mund të dorëzohet pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, me anë të shërbimit postar, ose online në adresën zyrtare të e-mail: taksat@tirana.al.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, thekson se vetëdeklarimi i saktë, para fillimit të procesit të përllogaritjes, garanton një vlerësim korrekt të detyrimeve vendore dhe rrit transparencën në marrëdhënien me taksapaguesit.

Në rastet kur formulari nuk shfaqet në profilin e taksapaguesit në portalin “e-Albania”, qytetarët dhe bizneset ftohen të përditësojnë të dhënat e tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore Tiranë.

/e.i/r.e/a.f/

The post Taksat vendore 2026, Bashkia Tiranë thirrje bizneseve që të vetëdeklarojnë të dhënat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Leku forcon pozitat ndaj euros

21 January 2026 at 14:57

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të mërkurën leku forcoi pozitat ndaj euros dhe humbi lehtë terren me monedhën e gjelbër amerikane, krahasuar me një ditë më parë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u forcua me 0,01 lekë dhe këmbehet me 82,37 lekë, ndërsa euroja zbriti në kuotën e 96,44 lekëve, ose 0,09 lekë më pak se ditën e martë.

Paundi britanik zbriti me 0,55 lekë. Monedha britanike këmbehet me 110,44 lekë, ndërsa franga zvicerane u zhvlerësua me 0,17 lekë dhe këmbehet me 104 lekë.

Sot në këmbim me lekun, edhe valutat e tjera kanë pësuar luhatje të lehta.

Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 82.37 +0.01
Euroja EUR 96.44 -0.09
Paundi britanik GBP 110.44 -0.55
Franga zvicerane CHF 104.00 -0.17
Jeni japonez (100) JPY 52.13 -0.03
Dollari australian AUD 55.54 +0.12
Dollari kanadez CAD 59.53 -0.03
Korona suedeze SEK 9.02 +0.01
Korona norvegjeze NOK 8.26 +0.04
Korona daneze DKK 12.91 -0.01
SDR SDR 112.77 +0.44
Ari (OZ 1) XAU 400663.33 +11,359.14
Argjendi (OZ 1) XAG 7832.46 -5.44
Juani kinez (onshore) CNY 11.83 0.00
Juani kinez (offshore) CNH 11.84 -0.01
Lira turke TRY 1.90 0.00

/r.e/

The post Leku forcon pozitat ndaj euros appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja çel pavijonin e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit “Fitur”

21 January 2026 at 14:54

TIRANË, 21 janar/ATSh/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja nga Madridi, ku gjendet për panairin e turizmit “Fitur”, premtoi që sezoni turistik 2026 do të jetë më i miri që kemi pasur ndonjëherë.

Ministri Gonxhja së bashku me stafin e MTKS dhe agjencitë pjesëmarrëse në “Fitur”, ftoi të vizitohet Shqipëria, një vend ku jetohet bukur dhe punohet bukur.

Gonxhja çeli pavijonin e Shqipërisë në këtë panair ndërkombëtar, të titulluar “Albania All Senses” (21-25 janar). Së bashku me një numër angjencish, partnerësh e shoqatash që vijnë nga operatorët turistikë, në Madrid gjenden edhe përfaqësues të bashkive, ekipe që promovojnë kulturën e traditat e vendit tonë etj.

“Turizmi gjithmonë e më shumë nuk është vetëm plazhi, deti, çadra dhe rëra por kemi shumë nevojë për të pasur një turizëm eventesh, destinacionesh, për të pasur një turizëm të aktiviteteve të shumta, të këtyre sektorëve që tashmë i përmbledh ministria jonë e re. Prandaj kam kënaqësinë të kem këtu edhe Agjencinë e Bregdetit, si dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit që do të luajë një rol kryesor në vijim në menaxhimin dhe promovimin e të gjitha formave të Shqipërisë dhe destinacioneve shqiptare”, u shpreh Gonxhja.

Ministri premtoi se do të punohet fort me ekipin, për të pasur promovim digjital, virtual dhe promovim sa më të gjerë sa i takon një turizmi gjithëvjetor, me më shume sesa vetëm sezonin e verës, me më shumë territor dhe gjeografi.

“Raste si ky i panairit “Fitur” na japin mundësinë e takimeve të biznesit, takime në nivel qeveritar, lokal, vendor dhe të organizatave botërore të turizmit, në mënyrë që na ta kemi rrjetin sa më të fortë sa i takon shkëmbimit të informacionit dhe njohjes së Shqipërisë, dhënies së një informacioni sa më atraktiv për botën”, u shpreh kreu i MTKS.

Ministri ftoi për vëmendje ndaj këtij eventi i cili në fundjavë hapet edhe për qytetarët e thjeshtë, të cilët duan të marrin informacion.

Panairi i Madridit njihet që është nga më të suksesshmit, sepse mbyllet numri më i lartë i kontratave dhe porosive, gjë që sjell një planifikim më të mirë të sezonit dhe të akomodimit në vendin tonë.

“Sot që flasim kemi rreth dhjetë për qind të turizmit të planifikuar, në kuptimin e rezervimeve, gjë që është një shifër që duhet patjetër të rritet, sepse më shumë planifikim do të thotë më shumë investime të qëndrueshme, më shumë programim dhe më shumë optimizim i kapaciteteve, i strukturave tona dhe i gjithë sistemit që lidhet me turizmin dhe me mikpritjen”, tha Gonxhja.

/r.e/

The post Gonxhja çel pavijonin e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit “Fitur” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Musabelliu: Marrëveshja me Italinë, mundësi për investime në arsim, shëndetësi e inovacion

21 January 2026 at 14:48

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Në punimet e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, u shqyrtua sot projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu tha se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje krijon një kornizë të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë bashkëpunimi me Italinë, një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë në BE.

“Objektivat kryesorë janë krijimi i një partneriteti afatgjatë të qëndrueshëm me Italinë. Gjithashtu, shfrytëzimi i përvojës italiane në hartimin e zbatimin e politikave në fushat përkatëse që mbulon kjo marrëveshje duke hapur mundësi konkrete për zhvillimin e projekteve specifike të përbashkëta që mund të lidhen me transferimin e dijeve, infrastrukturën e përbashkët kërkimore, rritje e mobilitetit të profesionistëve, studentëve, si edhe integrimin e diasporës në zhvillimin ekonomik dhe social të dy vendeve”, tha ai.

Musabelliu tha se kjo marrëveshje kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, digjitalizimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira duke reflektuar qasjen gjithëpërfshirëse të Qeverisë ndaj zhvillimit kombëtar dhe rajonal.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovaconit theksoi se duke qenë një marrëveshje kuadër, nuk ka efekte në buxhetin e shtetit, por përbën një kornizë bashkëpunimi mes dy qeverive dhe çdo projekt specifik që do të implementohet në zbatim të kësaj marrëveshjeje do të financohet në përputhje me legjislacionin shqiptar.

“Kjo marrëveshje hap mundësi për investime të ndërsjella duke përfshirë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në zinxhirin e vlerës rajonale dhe evropiane. Ka ndikim në punësim dhe kapital njerëzor, pasi do të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, si dhe në zhvillimin e aftësive profesionale në sektorë si energjia, shëndetësia, inovacioni etj.”, pohoi ai.

Musabelliu cilësoi se për zbatimin e marrëveshjes do të krijohet një komitet ndërqeveritar, i cili do të koordinojë punën për zbatimin e nismave konkrete dhe për implementimin e projekteve konkrete që do të kenë institucionet e përfshira në këtë marrëveshje.

Ndërsa, Alma Mile, drejtore e Drejtorisë së Integrimit, Koordinimit, Marrëveshjeve dhe Asistencës në Ministrinë e Arsimit, tha se kjo marrëveshje është një gurthemeli në çështjen e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si edhe në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë, ku arsimi është një nga pikat kyçe në kapitujt 25 dhe 26.

Relatorja e projektligjit, Lindita Nikolla u shpreh se kjo marrëveshje synon krijimin e një kuadri bashkëpunimi afatgjatë në fusha strategjike si arsimi, shëndetësia dhe sektorë të tjerë.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje krijon bazën ligjore dhe ratifikimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbim përvojash dhe koordinim institucional në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe angazhimet që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE”, pohoi Nikolla.

Brunilda Haxhiu, deputete e PL-së, kërkoi të dijë se si kjo marrëveshje do të ndikojë te emigrantët shqiptarë në Itali në çështjen e njohjes së diplomave, patentave dhe dokumenteve të tjera.

Zv.ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit u përgjigj se kjo është një marrëveshje kuadër, ku përcaktohen fushat e zbatimit, më pas institucionet përgjegjëse lidhin marrëveshje që do të implementohen në institucionet e shtetit italian.

Projektligji u votua në parim dhe në tërësi me shumicë votash pro. Deputetët e Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm në komision.

/e.i/r.e/a.f/

The post Musabelliu: Marrëveshja me Italinë, mundësi për investime në arsim, shëndetësi e inovacion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Trump: E dua Evropën, por ajo nuk po shkon në drejtimin e duhur

21 January 2026 at 14:47

DAVOS, 21 janar /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump pohoi sot gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit se “Evropa nuk po shkon në drejtimin e duhur”, sipas BBC.

Trump theksoi se “nuk e njoh më Evropën”.

“Unë e dua Evropën, dua ta shoh të bëjë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se ”Shtetet e Bashkuara janë motori i ekonomisë globale”, sipas AFP.

”Shtetet e Bashkuara janë motori i ekonomisë globale”, deklaroi Trump. (vijon) a.jor.

The post DAVOS – Trump: E dua Evropën, por ajo nuk po shkon në drejtimin e duhur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Kam kërkuar hetim ndërkombëtar për 21 Janarin, Garda zbatoi ligjin

21 January 2026 at 14:30

TIRANË, 21 janar /ASTh/ Sot bëhen 15 vite nga protesta e “21 Janarit” ku u vranë katër protestues në bulevard para Kryeministrisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, asokohe kryeministër, tha se ajo ishte “protesta më e dhunshme në historinë e vendit, e dokumentuar dhe e faktuar”.

Gjatë një konference për median, Berisha tha se protesta ishte “me agjendë politike”, siç thonë dokumentet ndërkombëtare.

“Ishte protesta e thirrur mbi bazën e falsifikimit të tmerrshëm, të një regjistrimi të bërë nga Dritan Prifti, ku flitej për një letër në mos gaboj të një pronari, fitues tenderi për një HEC që e kishte marrë me gjykatë, jo nga ne. Gjykata ia kishte marrë një kompanie italiane dhe dhënë këtij, por vendimi i gjykatës duhej zbatuar, shkruhej në shkresë: “I nderuar ministër, për këtë vonesë që po më bëhet, 3 muaj pa u zbatuar vendimi i gjykatës, sipërmarrja ime ka humbur 700 e ca mijë euro”.

“Dhe fjalën 700 e ca mijë euro, që Ilir Meta i thotë Dritan Priftit, që jepja, zbato vendimin e gjykatës, e transformuan sikur ky i kishte marrë apo po i kërkonte 700 mijë euro kompanisë”, tha Berisha.

Kreu i PD tha se protesta kishte dhe një mesazh politik: “Prano zgjidhjen politike, – më thotë mua, – ose do kalohet mbi kufoma”.

Berisha shton se ka kërkuar hetim të plotë ndërkombëtar për ngjarjet e “21 Janarit”.

“Janë disa deklarata të qeverisë amerikane, por dhe të institucioneve ndërkombëtare ku kërkohet hetimi i plotë i këtij zhvillimi nga polici i thjeshtë dhe deri tek organizatorët kryesorë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së nënvizoi se Garda ka qëlluar në zbatim të ligjit.

“Ina Rama e hetoi çështjen, por nuk guxoi kurrë të thërrasë Edi Ramën. Nuk gjeti asnjë shkak, se aty kishte qëllime, ku Garda qëlloi në kushtet e ligjit. Garda ka zbatuar ligjin”, tha Berisha.

I pyetur nëse ka ndonjë përgjegjësi morale për “21 Janarin”, Berisha u përgjigj: “Nuk është përgjegjësia ime. Unë trajtova me standardet më demokratike 752 protesta të opozitës në të katra anët e vendit, pa asnjë cenim, por në përputhje me rregullat e një vendi demokratik”.

Berisha tha se ka patur plumba e gurë në dritaret e Kryeministrisë të hedhura nga protestuesit.

“Përgjegjësia ime, se hidhnin gurë dhe plumba? E mohoi sot (kryeministri Rama – shën. i red.), por ato janë në dritare, të dokumentuara, plumbat dhe revolet e tyre janë të dokumentuara, drejt kryeministrit që ishte në detyrë. Nuk blindoja dyer unë. Nuk lëshoja zyrën unë, nuk bëja këtë frikacak që ia mbath”, tha Berisha.

Ish-kryeministri tha se ka realizuar zgjedhjet sipas kërkesave të OSBE-ODIHR, zgjedhjet që plotësuan standardet kryesore ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira.

Berisha shtoi se ishte duke punuar dhe kishte refuzuar dhe kërkesën për t’u evakuuar. “Edi Rama qëndronte në kullën karshi dhe priste çastin që të vinte në zyrën time dhe t’ju mbante fjalim pushtuesve poshtë. Por ai nuk mund të merrte kurrë”.

Berisha shtoi më tej se 21 Janari “është ngjarje fatkeqe shumë dhe kam kërkuar që atë natë hetim ndërkombëtar dhe kam insistuar për hetim ndërkombëtar, se nuk kisha pikën e besimit te kjo, që i kam thënë ato fjalë dhe nuk i heq asnjë, as sot dhe gjersa të jetë gjallë, sepse i meriton ajo, sepse hyri në një lojë shumë të turpshme, të paimagjinueshme. Keqardhje po, ngushëllime po, që atë ditë. Ishte planifikuar si protestë e dhunshme”.

/m.q/r.e/

The post Berisha: Kam kërkuar hetim ndërkombëtar për 21 Janarin, Garda zbatoi ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshimet ligjore – Kryegjyqtarët në detyrë deri në 2028-ën, veting anëtarëve jomagjistratë në KLP e KLGJ

21 January 2026 at 14:28

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot në parim dhe nen për nen projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe projektligjin për “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Nisma ligjore për disa ndryshime në ligjin për “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” ka në fokus garantimin e pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve, me qëllim ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, profesional, të besueshëm dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarit.

Projektligji është hartuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë për periudhën 2021-2025 dhe udhërrëfyesin për shtetin e së drejtës, duke synuar përmbushjen e piketave të ndërmjetme të Kapitullit 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.

Ndryshimet e propozuara adresojnë problematika të konstatuara gjatë zbatimit të ligjit aktual, veçanërisht mungesën e drejtuesve të përhershëm në gjykata dhe prokurori, nevojën për rritjen e transparencës së vendimmarrjes së Këshillave, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të integritetit të kandidatëve për magjistratë.

Gjithashtu ndryshimet e propozuara parashikojnë dispozitë tranzitore për drejtuesit aktualë të gjykatave dhe prokurorive, që parashikon qëndrimin e tyre në detyrë deri më 31 dhjetor 2028, me kusht kalimin e vetingut dhe vlerësim pozitiv të performancës.

Po ashtu në ndryshime parashikohet rritje të transparencës në lëvizjet paralele dhe ngritjet në detyrë, përmes detyrimit për publikimin e vendimeve të KLGj-së dhe KLP-së, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Përfshirje të opinionit të Prokurorit të Përgjithshëm në procesin e përzgjedhjes dhe rizgjedhjes së kryetarëve të prokurorive, si dhe përjashtimin nga kandidimi të magjistratëve me masa disiplinore në fuqi.

Gjithashtu ndryshime parashikohen edhe në rregullat e komandimit të magjistratëve pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, duke zgjatur afatin maksimal të komandimit deri në 15 vjet dhe duke krijuar stimuj për rritjen e aplikimeve, përfshirë njohjen e përvojës si vlerë e shtuar në karrierë.

Nga ana tjetër projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, synon korrigjimin e paqartësive ligjore dhe plotësimin e boshllëqeve normative të evidentuara gjatë zbatimit të reformës në drejtësi, duke rritur efektivitetin, transparencën dhe integritetin në qeverisjen e sistemit të drejtësisë.

Projektligji, i cili përbëhet nga 38 nene, parashikon që edhe anëtarët jomagjistratë, qoftë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, po ashtu edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të kalojnë nëpër filtra të thelluar verifikimi, të ngjashëm me procesin e vetingut të magjistratëve.

Ky mekanizëm synon krijimin e një barazie mes anëtarëve magjistratë dhe atyre jomagjistratë dhe garantimin e integritetit institucional.

Sipas projektligjit procedura për përzgjedhjen e kandidatëve nga fusha e avokatisë, fillon nga Avokati i Popullit, vijon me një verifikim të detajuar nga Komisioni i Pavarur Ad hoc, i cili ka kompetenca të zgjeruara për akses në të gjitha institucionet shtetërore dhe subjekte private, për të kontrolluar kriteret e pasurisë dhe figurës. Bazë e këtij verifikimi janë raportet e ILDKPKI-së dhe AKSIK-së.

Pas përfundimit të këtij procesi, kandidatët e kalifikuar ose të skualifikuar shqyrtohen në një filtër të dytë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, i cili kontrollon përputhshmërinë e raportit me dokumentacionin e dosjes.

E njëjta procedurë zbatohet për kandidatët që vijnë nga fusha e pedagogëve, ku kompetenca të zgjeruara marrin Dekani dhe Këshilli i Shkollës së Magjistraturës, si dhe Komisioni Ad hoc, i cili kryen verifikime të detajuara dhe administron raportet përfundimtare të ILDKPKI-së dhe AKSIK-së.

Në rastin e kandidatëve nga shoqëria civile, dokumentacioni grumbullohet nga Avokati i Popullit, ndërsa Komisioni i Shoqërisë Civile ka kompetenca për verifikim dhe ka akses në institucione shtetërore dhe subjekte private, duke përfunduar me një raport përfundimtar.

Ndryshimet ligjore synojnë të rrisin besueshmërinë, transparencën dhe standardet e integritetit për të gjithë anëtarët jomagjistratë të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

/m.q/r.e/a.f/

The post Ndryshimet ligjore – Kryegjyqtarët në detyrë deri në 2028-ën, veting anëtarëve jomagjistratë në KLP e KLGJ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari prezanton Kodin e ri Penal: Nga dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, te parkimi në rresht të dytë

21 January 2026 at 14:26

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve në Kuvend një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilën e cilësoi si një reformë strategjike për forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e sigurisë publike dhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se projektligji nuk është një ndërhyrje thjesht teknike, por rezultat i një analize të thelluar të problematikave reale në terren dhe i harmonizimit të plotë me standardet e Bashkimit Evropian, në kuadër të Kapitullit 24 të negociatave “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Sipas ministrit, ndryshimet përafrojnë legjislacionin penal shqiptar me shtatë instrumente kyçe të BE-së, duke forcuar luftën kundër pastrimit të parave, trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore, terrorizmit, shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si dhe mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian. Paketa zgjeron juridiksionin penal të Shqipërisë edhe për vepra të kryera jashtë territorit të vendit dhe rrit efektivitetin e ndjekjes penale për krime të rënda dhe ndërkufitare.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, përmes ashpërsimit të veprave penale me natyrë seksuale, rritjes së dënimeve, zgjatjes së afateve të parashkrimit dhe ndalimit të ushtrimit të profesioneve që përfshijnë kontakt me fëmijë. Po ashtu, garantohet trajtimi i viktimave të mitura sipas standardeve më të larta të mbrojtjes.

Në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, projektligji parashikon zero tolerancë ndaj shfrytëzimit, duke përjashtuar pëlqimin e viktimës si element justifikues dhe duke kriminalizuar përdorimin e shërbimeve të ofruara nga viktimat e trafikimit.

Ndryshimet prekin edhe mbrojtjen e territorit dhe interesit publik, duke ashpërsuar ndëshkimet për zënien e paligjshme të tokës, ndërtimet pa leje dhe shfrytëzimin e paligjshëm, veçanërisht në zona të mbrojtura, pasuri kulturore dhe infrastrukturë kritike, sidomos kur këto vepra kryhen nga funksionarë publikë. Forcohet gjithashtu kuadri penal për zjarrvënien në pyje dhe mjedise natyrore.

Një risi tjetër lidhet me sigurinë publike, ku parkimi në rresht të dytë trajtohet si vepër penale në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe mjetet e emergjencës. Paralelisht, projektligji forcon mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.

Në përfundim, ministri e cilësoi paketën si një reformë të guximshme dhe të domosdoshme, që synon jo vetëm ndëshkimin e krimit, por edhe parandalimin dhe garantimin e sigurisë për qytetarët, duke ndërtuar një sistem penal modern dhe plotësisht të përputhshëm me standardet evropiane.

/m.q/r.e/a.f/

The post Lamallari prezanton Kodin e ri Penal: Nga dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, te parkimi në rresht të dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Rutte: Pa presidentin Trump nuk do të kishim rritur shpenzimet për mbrojtjen

21 January 2026 at 14:25

DAVOS, 21 janar /ATSH-DPA/- Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, lavdëroi sot presidentin amerikan Donald Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

”Besoj me të vërtetë se mund të jemi të lumtur që ai është aty, sepse na ka detyruar ne në Evropë të ngrihemi, të përballemi me pasojat dhe të kujdesemi më shumë për mbrojtjen tonë”, tha Rutte gjatë një paneli diskutimi.

Ai theksoi se vendimi i marrë në qershor për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, plus 1,5% për fusha të tjera të mbrojtjes dhe sigurisë, ishte vendimtar në këtë drejtim.

”Jam plotësisht i bindur se pa Donald Trump, ne nuk do të kishim marrë këto vendime”, shtoi ai.

Pritet që Trump të mbajë një fjalim në Davos sot pasdite./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post DAVOS – Rutte: Pa presidentin Trump nuk do të kishim rritur shpenzimet për mbrojtjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Irena Gjoka duhet të ishte në burg, nuk raportoi dënimet në KLGj

21 January 2026 at 14:22

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, nuk ka raportuar dënimin në Greqi, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj).

Duke iu referuar verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme, Berisha shtoi se dje u konfirmua ajo që ai ka shprehur që në mars të vitit 2024, se “Irena Gjoka ka vendim penal në Greqi si falsifikatore, si dhe dy dëbime nga shteti fqinj dhe zona Shengen”.

“Ajo është një falsifikatore e certifikuar me vendim gjyqësor, vepër për të cilën është dënuar me burg si falsifikatore, më pas të konvertuar në gjobë. Ky vendim penal ka marrë formë të prerë. Po kështu, ajo është dëbuar dy herë nga shteti grek. Përkatësisht më datë 24.12.2002 dhe dy muaj më pas, më 13.02.2003. Ajo nuk ka raportuar dënimet e veta pranë KLGj-së, siç kërkohet në ligjin 96/2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, nenit 28 D dhe 66/3”, tha Berisha.

Sipas Berishës, sipas Ligjit të Dekriminalizimit “fshehja, refuzimi për të deklaruar gjykime, dënime, qoftë dhe jo të formës së prerë, nga autoritetet e huaja për çfarëdo lloj vepre penale apo masë dëbimi, shkakton ndërprerjen e menjëhershme të funksionit të gjyqtarit, si dhe përbën vepër penale që përfshin dënimin me burg”.

Berisha tha se refuzimi për të deklaruar përbën shkak për shkarkimin e saj të menjëhershëm.

“Irena Gjoka me 5 mbiemra nuk duhet të ishte gjyqtare në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, pasi neni 6/1, parashikon që një person, integriteti publik i të cilit është cenuar, nuk mund të vijojë funksionet në organet kushtetuese”, u shpreh Berisha. Berisha shtoi se faktet për Irena Gjokën ishin plotësisht të njohura për autoritetet e drejtësisë.

Berisha theksoi se Irena Gjoka, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve u përdor nga qeveria si “mashë për proceset politike ndaj opozitës”. Berisha shtoi gjithashtu se Prokuroria e Përgjithshme e zvarriti për 21 muaj apo 20 muaj, kinse se po e hetonte çështjen.

Sipas kreut të PD-së, Irena Gjoka duhej të ishte prej kohësh në burg te 313-a.

“Ka zero moral ligjor, ka zero integritet profesional, e cila duhet të ishte prej kohësh në burg tek “313”-a ose në ndonjë burg tjetër për të marrë ndëshkimin e merituar. Por ajo mbrohet nga Altin Dumani, mbrohet edhe nga këta që konstatuan, se nuk di nëse Prokurori i Përgjithshëm është shprehur për dëbimet apo i ka injoruar dëbimet”, tha Berisha.

Berisha tha se KLGj-ja ka qenë e detyruar për tri javë të kthejë përgjigje, por asnjë përgjigje nuk ka kthyer.

Irena Gjoka është gjyqtarja e dosjes “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri është marrë i pandehur.

/m.q/r.e/a.f/

The post Berisha: Irena Gjoka duhet të ishte në burg, nuk raportoi dënimet në KLGj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë

21 January 2026 at 12:54

TIRANË, 21 janar /ATSh/ Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave të protestës së 21 janarit të vitit 2011 është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas përfundimit të ceremonisë së homazheve për përkujtimin e katër të vrarëve në protestën e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Nika zhvilloi një takim me prokurorin e çështjes, Alfred Shehu.

Në një prononcim për gazetarët, jashtë godinës së SPAK, Nika kërkoi përshpejtimin e hetimeve, duke theksuar se dëshmitarët ndodhen nën presion dhe frikë.

“Kërkojmë që hetimi për “21 Janarin” të përshpejtohet. Dëshmitarët kanë presion dhe frikë”, u shpreh ai.

“Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia e re nga SPAK. Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë”, tha Mark Nika.

Sipas tij, drejtësinë e pret nga SPAK dhe jo nga qeveria. “Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Prokurori i çështjes më tha që janë kryer veprime që të restaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha”, tha Nika.

Nika tha se fajtore “në planin politik dihet është Partia Demokratike, Berisha”.

“Ai (Sali Berisha – shën. i red.) ka qenë kryeministër, ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë “e kemi bërë ne”. Ata e fshehin. Pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ikën dhe fshihesh? Pse bën manipulimin e provave?”, tha Nika.

Sot, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të katër viktimave që u vranë në protestën e 21 Janarit 2011. Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, mbajti fjalën e rastit kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt.

Më pas, ceremonia përkujtimore vazhdoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u vendosën karafila në kujtim të katër viktimave të kësaj ngjarjeje.

/e.i/a.f/

The post Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌