Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Faktoje

Air Albania me licencë të pezulluar, por shitja e biletave “fantazmë” vazhdon

24 December 2025 at 15:26

“Air Albania realisht sillet sikur nuk ekziston” Kështu e përshkruan përvojën e tij Leonard Kurti, një qytetar që mbeti pa fluturim, pa sqarime dhe pa asnjë kontakt nga kompania ajrore muajin e shkuar, ndonëse kishte blerë biletë dhe ishte paraqitur në kohë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. 

Ai së bashku me një mik kishin bileta për fluturimin Tiranë–Milano Malpensa. Në momentin që mbërritën në aeroport, në tabelën e nisjeve zbuluan se fluturimi ishte anuluar. 

“U detyrova të blej një biletë tjetër me Ryanair për Bergamo, vetëm që të mos humbisja një vizitë mjekësore,” tregon Kurti për Faktoje.al.

Pas anulimit, ai tentoi të kontaktonte kompaninë përmes dhjetra emaileve dhe telefonatave. “Zero komunikim,” thekson ai.

Në udhëtimin e tij të radhës, po në muajin nëntor, ai vuri re se Air Albania kishte anuluar sërish fluturimin e radhës.  “Një situatë e papranueshme”, përfundon Leonardi. 

Por situata e Leonardit nuk ishte një rast i izoluar. Dëshmitë e dhjetëra qytetarëve për Faktoje.al konfirmojnë se Air Albania i ka përsëritur anulimet e fluturimeve në mënyrë sistematike, duke lënë udhëtarët në mes të aeroportit pa asnjë shpjegimdhe as kompensim. 

Edhe rrjetet sociale të kompanisë janë mbushur me ankesa. Dhjetëra qytetarë kërkojnë llogari për fluturime të anuluara në postimet ku komentet lejohen. Në disa raste, si një video e publikuar më 29 nëntor në Instagram, komentet janë bllokuar. 

Ndalim ligjor i panjoftuar

I pyetur nga Faktoje.al Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” pohon se nuk ka njoftim për ndërprerje fluturimesh nga Air Albania. 

“Ne jemi lajmëruar vetëm në rastet e kancelimeve në mënyrë që të bëhet njoftimi i pasagjereve”, sqaron Ornela Bego për Faktoje.al. 

Mirëpo, anulimet e përjetuara nga udhëtarët nuk janë probleme operacionale. Ato janë pasojë e një ndalimi ligjor që nuk është bërë publik. 

Që prej 3 dhjetorit 2025, Air Albania-s nuk lejohet të fluturojë. Megjithatë, ky informacion nuk është bërë publik as nga kompania, as nga Autoriteti i Aviacionit Civil. 

Faktoje.al konfirmoi se licenca e operimit të Air Albania është pezulluar më 3 dhjetor, për shkak të pezullimit të Certifikatës së Operatorit Ajror.  

Në përgjigjen zyrtare, Aviacioni Civil sqaron se pezullimi nuk ka një afat fiks përfundimi, por varet nga përmbushja e detyrimeve të kompanisë, për të cilat është përcaktuar një afat 6-mujor por nuk bëhët e qartë se cilat janë. Kjo nënkupton që Air Albania duhet t’i përmbuyshë detyrimet deri më 3 qershor të 2026. 

“Marrja e vendimit të AAC-së për pezullimin e licencës nënkupton pezullimin e transportit ajror të pasagjerëve, mallrave dhe postës”, sqaron Aviacioni Civil. 

Air Albania nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion deri në publikimin e këtij shkrimi. 

Shitja e biletave vazhdon

Ndërkohë që licenca është e pezulluar, Air Albania vazhdon të shesë bileta online.

Prej nëntorit, kompania ka ndërprerë një numër të madh destinacionesh ku operonte prej vitesh, përfshirë Vienën, Brukselin, Athinën, Bergamon, Bolonjën, Romën, Trevizon, Veronën, Gjenevën, dhe Ankaranë. 

Në faqen zyrtare sot shfaqen vetëm dy linja: Tiranë–Milano dhe Tiranë–Stamboll. Për të dyja destinacionet ofrohen ende bileta në shitje, me data që shkojnë përtej periudhës kur kompania ka ndaluar së fluturuari. 

Faktoje provoi të blinte një biletë vajtje-ardhje nga Tirana në Milano për datat 8–10 janar, por, gjatë testimit, blerja nuk mund të përfundonte.

Të dhënat nga Flightradar tregojnë se fluturimi i fundit drejt Milanos është realizuar më 17 nëntor, ndërsa ai drejt Stambollit më 2 dhjetor.

Por pavarësisht biletave në shitje, të dhënat nga flightradar tregojnë se fluturimi i fundit nga operatori kombëtar i fluturimeve ajrore për Milano është bërë më 17 nëntor.

Ndërsa fluturimi i fundit me Stambollin ka si datë 2 dhjetorin. 

Dështim institucional

Misioni i Autoritetit të Aviacionit Civil është garantimi i një mjedisi aviacioni në përputhje me standardet ndërkombëtare, përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe ndërveprimit me operatorët. 

Por në rastin e Air Albania, institucioni ia lë “topin në derë” kompanisë dhe duke shmangur përgjegjësinë direkte ndaj publikut. 

“Autoriteti i Aviacionit Civil ka marrë vendimet përkatëse për pezullimin e Certifikatës së Operatorit Ajror dhe Licencës së Operimit, për të cilat është vënë në dijeni operatori. Në bazë të këtyre pezullimeve operatori ndërmerr në mënyrë të pavarur masat përkatëse sipas detyrimeve ligjore”, thotë AAC për Faktoje.al

Për ekspertin e ekonomisë Eduard Gjokutaj kjo situatë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët.

“Autoritetet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të mbrojtur konsumatorët dhe kreditorët, ndërsa kompania rrezikon mbyllje definitive. Ky rast ilustron nevojën për mbikëqyrje më të fortë të sektorit ajror shtetëror”, shprehet Gjokutaj. 

Ndërsa Iris Zanaj, me profesion programues, shton se dëmi ekonomik ndaj udhëtarëve mund të ishte shmangur me mbylljen e ëebit të kompanisë.

“Problemi është që ata ende shesin bileta online dhe kush e di se ç’dëm ekonomik po bëhët. Duhet t’i dërgohet një kërkesë AKEP të bllokojë domainin”, sqaron Zanaj.  

Deri në publikimin e këtij artikulli, AKEP nuk i është përgjigjur interesimit tonë mbi Air Albanian.

Përfundim 

E themeluar në shtator të vitit 2018 si kompania kombëtare e fluturimeve, “Air Albania” u prezantua si projekti ku shteti do të ishte garant i interesit publik me 10 për qind të aksioneve përmes Albcontrolit, 41 për qind në duart e “MDN Investment” dhe 49 për qind nga Turkish Airlines, partneri strategjik që sipas qeverisë do t’i jepte siguri juridike, financiare dhe teknike ndërmarrjes. 

Por në fund të nëntorit, bordi i Turkish Airlines njoftoi shkurtimisht se kishte vendosur të shesë të gjitha aksionet e tij në Air Albania, pa dhënë shpjegime për arsyet e largimit. 

Sot, Air Albania është një kompani hije. Aktive në QKB, por pa bilance financiare prej 7 vitesh. Në kërkim të pasagjerëve, por pa avionë në ajër dhe pa partnerin strategjik Turkish Airlines që e braktisi investimin pa shumë bujë. 

“Ëndrra që mori krahë” siç e quajti dikur kryeministri Edi Rama, ka mbetur në pistë, duke lënë pas një faturë financiare dhe morale që, si gjithmonë, po e paguajnë qytetarët.

The post Air Albania me licencë të pezulluar, por shitja e biletave “fantazmë” vazhdon appeared first on Faktoje.al.

Bashkëpunim, por jo një ushtri e përbashkët Izrael-Greqi-Qipro

24 December 2025 at 15:22

Pretendimi: Izraeli, Greqia dhe Qipro formojnë ushtrinë e përbashkët kundër Turqisë

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se Izraeli, Greqia dhe Qipro formuan një ushtri të përbashkët kundër rrezikut turk.

Megjithatë, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë që e mbështet atë.

Në fakt, ky lajm nuk është i saktë, megjithëse duket se është frymëzuar nga zhvillime të vërteta.

Specifikisht, një samit trepalësh u mbajt mes krerëve të Izraelit, Greqisë dhe Qipros në Jeruzalem më 22 dhjetor 2025.

Tre udhëheqësit nënshkruan një deklaratë të përbashkët pas samitit, në të cilën ranë dakord të “forcojnë bashkëpunimin e vazhdueshëm trepalësh mbi çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe ushtrisë.”

Në fjalën e tij, kryeministri izraelit Netanyahu iu referua Turqisë, pa e përmendur në mënyrë direkte, duke thënë se “ata që fantazojnë se mund të rivendosin perandoritë dhe sundimin e tyre mbi tokat tona” duhet ta “harrojnë atë.”

Një ditë më vonë, krerë ushtarakë grekë, qipriotë dhe izraelitë nënshkruan një plan të përbashkët veprimi dhe një program bashkëpunimi ushtarak Greqi-Izrael-Qipro në Nicosia.

Plani, bazuar në marrëveshjet e arritura nga udhëheqësit e tre vendeve, përfshin trajnim të përbashkët të njësive të operacioneve speciale dhe shkëmbim ekspertize mbi kërcënimet moderne, duke përfshirë sistemet pa pilot (UAV) dhe luftën elektronike.

Në raportimet e mediave vendase nuk përmendet formimi i një ushtrie të përbashkët mes tre vendeve.

Sipas të përditshmes greke Ta Nea, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe analistë janë duke diskutuar mundësinë e një brigade reagimi të shpejtë prej rreth 2,500 trupash, me 1,000 ushtarë nga Izraeli dhe Greqia dhe 500 nga Qipro. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim nga burime zyrtare.

The post Bashkëpunim, por jo një ushtri e përbashkët Izrael-Greqi-Qipro appeared first on Faktoje.al.

Asnjë provë për oksidin e grafenit në anestetikët dentarë

24 December 2025 at 10:39

Pretendimi: Të gjitha anestetikët dentarë duket se përmbajnë oksid grafeni

Verdikti: E paprovuar

———————————————————

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se të gjithë anestetikët dentarë përmbajnë oksid grafeni, substanca e vendosur në shënjestër që prej lindjes së vaksinave anti-Covid. 

Grafeni është një shtresë e vetme e atomeve të karbonit të rregulluara në një model hoje bletësh. Është tepër i fortë, përçon energji elektrike dhe ka veti unike që e bëjnë atë me interes kërkimor, nga elektronika te mjekësia. Në vetvete, nuk është magnetik. 

Në stomatologji, grafeni ka tërhequr vëmendjen për potencialin e tij për të përmirësuar materialet ose për të zgjatur efektet.

Anestetikët, apo qetësuesit/mpirësit lokalë standardë mjekësorë dhe dentarë, si lidokaina me epinefrinë ose 4% artikainë, janë formula të studiuara mirë dhe të rregulluara që ekzistojnë prej dekadash dhe përdoren për epidurale, anestezi lokale dhe anestezi dentare. Përbërësit e tyre janë agjenti anestetik, një vazokonstriktor dhe një bazë sterile fiziologjike.

Anestetikët lokalë si artikaina janë krijuar për të parandaluar dhimbjen duke bllokuar sinjalet nervore. Shtimi i oksidit të grafenit nuk do të shërbente për ndonjë qëllim të mirëfilltë.

Pretendimet rreth oksidit të grafenit në anestetikë shpesh burojnë nga keqinterpretime ose burime të paverifikuara. Për shembull, një postim përmend një studim të Universitetit të Kolorados që pretendohet se gjeti oksid grafeni në një anestetik të zakonshëm. Megjithatë, asnjë studim shkencor i rishikuar nga kolegët nuk e konfirmon këtë, dhe testimet e serive nga prodhuesit nuk tregojnë aditivë të tillë.

Disa hetues privatë kanë identifikuar çfarë ata besojnë se është oksid grafeni në disa tretësira anestetike dentare. Megjithatë, laboratorë të tjerë që përdorin teknika të ngjashme analitike nuk kanë mundur të konfirmojnë praninë e tij në asnjë nga mostrat e disponuara. Për më tepër, këta studiues deri më tani nuk kanë qenë të gatshëm të botojnë gjetjet e tyre në një forum publik apo botim shkencor të rishikuar nga kolegët.

Studimet kanë eksploruar mundësinë e përdorimit të oksidit të grafenit (GO) për të përmirësuar performancën e anestetikëve lokalë. Një studim i vitit 2022 shqyrtoi hidrogelët e alginatit të përforcuar me oksid grafeni për çlirimin e kontrolluar të hidroklorurit të lidokainës (LH), një anestetik lokal i zakonshëm. Studimi zbuloi se hidrogelët e përforcuar me GO mund të zgjasin çlirimin e lidokainës me kalimin e kohës krahasuar me hidrogelët pa GO, duke sugjeruar potencial për lehtësim më të gjatë të dhimbjes gjatë procedurave mjekësore.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto zhvillime janë ende në fazën e kërkimit dhe zhvillimit. Grafeni dhe derivatet e tij aktualisht nuk janë miratuar për aplikime anestetike të injektueshme. Asnjë nga anestetikët lokalë të miratuar aktualisht për përdorim në praktikat dentare nuk përmbajnë oksid grafeni ose aditivë të ngjashëm.

Akademia Ndërkombëtare e Stomatologjisë dhe Mjekësisë Biologjike kontraktoi një nanotoksikologe për të testuar një shumëllojshmëri të anestetikëve që përdoren në mënyrë aktive nga dentistët anëtarë të saj. Oksidi i grafenit nuk u identifikua në asnjë mostër të vetme.

Përdorimi i oksidit të grafenit në anestetikët lokalë mbetet hipotetik në këtë pikë.

The post Asnjë provë për oksidin e grafenit në anestetikët dentarë appeared first on Faktoje.al.

Zvicra nuk “ka hapur dyert” për 85 mijë punëtorë të huaj

24 December 2025 at 10:34

Pretendimi: Zvicra kërkon shtetas të huaj për 85 mijë vende pune me paga deri në 6.500 euro

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————-

portalet shqipfolëse po qarkullon lajmi se Zvicra kërkon shtetas të huaj për 85 mijë vende pune me paga deri në 6.500 euro. 

Megjithatë, mos u nxitoni ende të bëni gati valixhet. Lajmet e mësipërme janë të rreme.

Më 21 dhjetor 2025, vetë Ambasada Zvicerane në Shqipëri i përgënjeshtroi lajmet me anë të një postimi në Facebook.

Sipas ambasadës, ndryshe nga ç’pretendohet vetëm një e dhjeta, pra një maksimum prej 8500 punëtorësh dhe specialistësh të kualifikuar nga vendet e treta mund të rekrutohen në Zvicër në 2026.

Ky lajm i rremë rishfaqet shpesh që nga viti 2022. 

Radiotelevizioni Zviceran (RTS) gjurmoi origjinën e mundshme të shifrës prej 85 mijë punëtorësh.

Agjencia zvicerane e punësimit Adecco citohet shpesh në artikuj. Shifra shfaqet në një njoftim për shtyp të kompanisë, por në një kontekst krejtësisht të ndryshëm. Në shkurt 2024, Adecco u zotua të rekrutonte 85 mijë refugjatë dhe të trajnonte 17 mijë njerëz në të gjithë botën deri në fund të vitit 2027. Nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me Zvicrën dhe mungesën e saj të madhe të fuqisë punëtore të përmendur në artikuj.
Një tjetër origjinë mund të jetë nga një raport i agjencisë së rekrutimit Dynajobs, e cila përmendet në një artikull të 2022 në Blick. Kompania me seli në Aargau pretendon të jetë aktive në ndihmën dhe trajnimin e rekrutimit. Ekspertiza e saj mbetet e vështirë për t’u përcaktuar. Për shembull, asnjë klient nuk është i listuar në faqen e internetit të kompanisë. Në janar 2022, drejtori i Dynajobs publikoi një analizë të tregut të punës pas pandemisë, në të cilën ai vlerësoi se Zvicrës i mungonin afërsisht 85 mijë punëtorë të kualifikuar për të arritur nivelet e rritjes para pandemisë. Është e vështirë të kuptohet saktësisht se si autori e nxori këtë llogaritje. Shifra ekziston, por është nxjerrë plotësisht nga konteksti i saj origjinal.

The post Zvicra nuk “ka hapur dyert” për 85 mijë punëtorë të huaj appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar video e maces heroinë që shpëton foshnjën

24 December 2025 at 10:31

Pretendimi: Kjo video tregon një mace duke pritur një fëmijë që bie nga ballkoni

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————————

Një video që ka marrë mbi 7 mijë pëlqime në Facebook pretendohet se tregon aktin heroik të një maceje të zezë, e cila shpëton një foshnje që po bie nga lartësia.

Megjithatë, video prekëse me gjasa është gjeneruar nga programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI), specifikisht modele që gjenerojnë videoklipe të shkurtra bazuar në udhëzimet me tekst të përdoruesit.

Origjina e gjeneruar e videos është e dukshme në detajet jorealiste. 

Në një moment të videos duket sikur krahu i një gruaje kalon tejpërtej trupit të maces për të kapur fëmijën. Më tej, një burrë ngre fëmijën në mënyrë të panatyrshme me dorën e djathtë, duke e ngritur pa e mbajtur. Në një çast, një pllakë e trotuarit ndryshon ngjyrë pa arsye.

http://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/12/Untitled-design.mp4

Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

Megjithëse kjo video është e rreme, ka patur raste të vërteta kur një mace ka shpëtuar fëmijë nga rreziku. Në 2014, një mace në Kaliforni shpëtoi fëmijën e familjes nga sulmi i një qeni. Një video e botuar 10 vite më parë tregon një mace duke ndaluar një fëmijë të prekë sobën e nxehtë. Në një tjetër video autentike, një mace duket se ndalon një fëmijë të vogël që të kacavirret nga ballkoni.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë video të maceve që shpëtojnë fëmijë të gjeneruara me AI.

The post E gjeneruar video e maces heroinë që shpëton foshnjën appeared first on Faktoje.al.

Kjo spërkatje me bajga e policëve francezë nuk është reale

24 December 2025 at 10:25

Pretendimi: Kjo video tregon fermerët protestues në Paris duke spërkatur me pleh organik policët

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon fermerët protestues në Paris duke spërkatur me pleh organik oficerë policie. 

Megjithatë, ky lajm është i pavërtetë, dhe video që përdoret si dëshmi për të është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI).

Origjina e gjeneruar e videos duket në një pjesë të videos ku mbishkrimi i një prej mburojave të policisë, të cilat janë standarte, ndryshon nga gjithë të tjerat. Programet AI shpesh hasin vështirësi në gjenerimin e tekstit brenda imazheve.

Gjithashtu në një moment të videos, kamera afrohet aq pranë njërit prej policëve, i cili dëgjohet të thotë me audio të cilësisë të lartë: “Sa erë të keqe vijnë bajgat”. Një regjistrim kaq i qartë i zhvillimeve do të ishte i vështirë në një skenë kaotike protestash dhe shpërthime bajgash.

Përtej këtyre gabimeve të AI, pretendimi se fermerët protestues në Paris kanë hedhur pleh organik mbi policët është i pavërtetë. 

Eshtë e vërtetë se fermerët francezë kanë bllokuar rrugët, kanë hedhur pleh organik dhe kanë mbajtur demonstrata për më shumë se dy javë për të protestuar kundër therjes masive të bagëtive të sëmura me dermatit nodular dhe kundër një marrëveshjeje tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur në Paris, por kryesisht në jug dhe jugperëndim të Francës.

Në qytetin Millau, fermerët spërkatën pleh të lëngshëm në fasadën e një ndërtese të qeverisjes vendore, por jo mbi oficerët e policisë.

Një traktor spërkat pleh organik të lëngshëm në fasadën e zyrave qeveritare në Millau, Francë qendrore. Foto: AFP

Megjithatë, në Shkurt 2024, fermerët në Bruksel u përleshën me policinë, duke i spërkatur vërtet oficerët me pleh organik të lëngshëm dhe duke hedhur vezë teksa protestonin kundër burokracisë dhe konkurrencës nga importet e lira nga vendet ku standardet relativisht të larta të BE nuk janë të domosdoshme të përmbushen.

Fermerët po protestojnë sërish në Bruksel në Dhjetor 2025 kundër marrëveshjes tregtare midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Amerikës së Jugut, e cila sipas tyre do t’u shkatërrojë jetesën. Megjithatë, deri tani, nuk ka raportime të spërkatjes së policëve me pleh.

The post Kjo spërkatje me bajga e policëve francezë nuk është reale appeared first on Faktoje.al.

Yesterday — 23 December 2025Faktoje

Dosja e AKSHI, 4 kompani në 9 muaj siguruan tendera në vlerën 57 milionë euro

By: FAKTOJE
23 December 2025 at 17:28

Sebi Alla – Në 206 faqe “esencë hetimi”, Prokuroria e Posaçme, SPAK, përshkroi veprimtarinë e AKSHI-t Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke zbuluar një rrjet të mirëorganizuar kriminal në përvetësimin e qindra milionë eurove tendera publike, mes shantazhit, pengmarrjes dhe implikimit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe policor të vendit.

“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha, si dhe persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe implementuar një skemë për paracaktimin e fituesve në proçedurat e prokurimit, të kryera në Agjencinë Kombëtare të Shoqërise së lnformacionit (AKSHl), me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rrjedhin nga pagesat, lidhur me kontratat publike të prokuruara”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale SPAK, të cilën Faktoje.al e disponon.

Për Agasin dhe Beqirin janë lëshuar urdhër-arreste për akuzat: “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, në kuadër të një formacioni të posaçëm, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, por nuk janë ekzekutuar pasi dyshohet se janë larguar jashtë vendit. Në arrest shtëpie janë drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanj dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi, ndërsa ka masë ndalim për dalje jashtë vendit për biznesmenët Papa dhe Hoxha, ndërsa pezullim nga detyra dhe ndalim për dalje jashtë vendit për numrin dy të policisë së Tiranës Erjon Ismaili.

Vetëm fillimi…!

Brurime pranë grupit hetimor, thanë për Faktoje se dosja është ende nën hetim dhe aktualisht janë hapur tre fraksione të tjera, duke nisur nga emrat që dyshohet se janë përfshirë në një skemë të rëndë abuzimi me burim Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. 

Janë dhjetëra orë filmime ku diskutohen afera me përfshirjen e personave të ndryshëm si nëpunës të lartë të shtetit, drejtues policie dhe biznesmenë të lidhur edhe me krimin e organizuar, duke kontrolluar të dhëna të ndjeshme të sigurisë në vend. Në një takim të datës 16 mars 2024 mes Karçanajt, Beqirajt dhe Agasit ky i fundit thotë: “Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.

Bisedat pa limit etike, ku diskutohen shuma të mëdha se kush do i marrë dhe si do të ndahen, janë në një pjesë të madhe të filmuara (dyshohet nga vetë Agasi). “Nga këqyrja e pamjeve filmike, arsyeshëm krijohet bindja mbi lidhjet me interes që kanë këta shtetas me njëri-tjetrin, e cila, nga analizimi i përmbajtjes së bisedave të transkriptuara, krijon dyshimin e arsyeshëm mbi realizimin e një skeme kriminale në funksion të paracaktimit të procedurave të prokurimit, krijimit të avantazheve dhe përfitimit të paligjshëm prej tyre”, thotë prokuroria.

Skema

Fillimisht gjendej “preja”, një shumë e madhe prokurorimi nën logon e AKSHI-t. Më pas, përgatiteshin për të rrëmbyer çdo qindarkë në fondin limit, ndërsa “financuesja” Mirlinda Karçanaj, me paratë e buxhetit të shtetit, qe kthyer në dorë firmëtare për çdo tender në vlera të mëdha të shkonte për kompanitë e biznesmenëve kontroversë, Ermal Beqiraj dhe Ergys Agasi. Diskutimet bëheshin në zyrën e Agasit, ku pasi flitej për shuma të mëdha shoqëroheshin me fjalor fyes, tallës dhe jo etik. Çdo gjë e dokumentuar, ku vetë Agasi kishte vendosur pajisje përgjuese video-audio.

Paradoksalisht, numri një i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, drejtoresha më jetëgjatë e qeverisjes Rama, e cila presupozohet se ruan çdo të dhënë digjitale shtetërore, edhe të sigurisë dhe rëndësisë së veçantë, përfundoi në zyrën e Agasit me zë dhe figurë në kamerat përgjuese.

Foto nga dosja

Një ndër të paktët që u bë pengesë, duke ankimuar procedurat tenderuese, biznesmeni Gerond Meçe drejtues i kompanisë ABS”, u mor peng dhe nën kërcënim, shantazh dhe dhunë, detyrohet që brenda pak orësh të tërhiqej nga 20 ankimimet. Pjesë e kërcënimit, sugjerimit dhe shantazhimit dyshohet sipas Prokurorisë Speciale se është edhe numri dy i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, edhe ai një bujtës i rregullt në zyrën e Agasit.

Pengmarrja

Kushdo operator ekonomik që ankohej për skualifikim të padrejtë nga tenderat e AKSHI-t i “hapej luftë” nga treshja Agasi, Beqiri dhe drejtoreshë Karçanaj. “Ndaj operatorevë ekonomik të skualifikuar, të cilët kanë kërkuar të drejtën e tyre nëpërmjet ankimimit zyrtar pranë Autoritetit Kontraktor, por edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, është përdorur dhuna, heqja e paligjshme e lirisë për t’i detyruar me forcë që të tërhiqen nga ankimimet, por edhe nga çdo procedurë ku kanë marrë pjesë me qëllim që të sigurohej vazhdueshmëria e kësaj skeme”, thotë SPAK. Provat janë tashmë mjaft të forta me pamje filmike, dëshmi të të marrit peng dhe levizjeve të kryera që në fund shkuan në favor të kërcënuesve.

foto nga dosja
foto nga dosja

Denoncimi

Më 12 gusht 2025, Gerond Meçe, aksioner i vetëm në shoqërinë “ABS” (një kompanie të teknologjisë) u mor peng sapo doli nga banesa në drejtim të automjetit të tij. “Jemi SPAK, ejani me ne”, i thotë një i ri, i cili mbante një jelek me mbishkrimin “BKH” dhe më pas tre të tjerë me jelekë me mbishkrimin “policia” (dyshohet të falsifikuara) e fusin në automjet dhe largohen.

Meçe nuk bën asnjë rezistencë por kupton se personat nuk ishin të policisë apo BKH-së pasi devijuan lëvizjen, duke marrë drejtimin nga Elbasani. Në një banesë të braktisur në fshatin Gracen të Elbasanit, Meçe prangoset dhe nis shantazhi, kërcënimet me armë dhe ultimatum për të tërhequr menjëherë ankimet që kishte bërë ndaj 20 procedurave tenderuese të AKSHI-it dhe në KPP (Komisionin e Prokurimit Publik).

Brenda pak orësh, Meçe udhëzon administratorin e kompanisë të tërhiqte ankimimet, ndërsa pasi sigurohen se gjithçka ishte në rregull dhe se kompania e Meçes e lenë të lirë nën kërcënimin fundor: “Nuk duam probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti..,”, citohet në dosjen e SPAK, sipas deklarimeve të Meçes.

Ku të ankohej?

Po ku mund të ankohej “i marri peng”? Biznesmeni Gerond Meçe kishte aplikuar në 20 prokurorime me kompaninë e tij, por në çdo rast ishte skualifikuar dhe tenderat e AKSHI-t ishin fituar në seri nga kompanitë e Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe të tjerëve pranë tyre.

Meçe nuk kryen denoncim në polici, nisur edhe nga fakti sipas tij se vetë nëndrejtori i Policisë së Tiranës i kishte sugjeruar më parë: “Hiq dorë nga AKSHI”. Po ashtu edhe institucioni tjetër i ankimit administrative KPP rezulton sipas SPAK se ka shkelur procedurat në rastin e ankimimeve të Meçajt dhe gjithashtu ka qenë e gatshme që në një kohë të shpejtë të “pranojë” tërheqjen nga ankimimi, që korrespondon me ditën e pengmarrjes së tij.

“Nga kjo veprimtari rezulton bindshëm se dhe KPP ka nxituar të pranojë ankimimet e OE(shënim: operatorëve ekonomikë) “ABS” të cilat i kanë marrë forcërisht në rrethanat e përshkruara në këtë kërkesë çka do të thotë që kjo kjo ka qenë e koordinuar me veprimet e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në dosjen e SPAK.

Foto nga dosja
Foto nga dosja

57 milionë euro në pak muaj

Prokuroria ka krijuar bindje bazuar në prova (filmime, biseda audio të gërshetuera me dokumente), se kompanitë e Ermal Beqirit, Ergys Agasit dhe bisnesmenëve të tjerë Gezim Hoxha dhe Andis Papa, në një hark kohor prej 9 muajsh kanë siguruar tendera në vlerën 57 milionë euro nga AKSHI, për llogari të disa institucioneve.

Në njërën prej tenderave e cila ka përshkrimin: “Përmirësimi i sistemeve për ndihmën ekonomike” është në vlerën 226,460,451 lekë pa tvsh. Paradoksalisht, një familje me ndihmë ekonomike nuk merr më shumë se 8 mijë lekë në muaj, por për “përmirësim sistemi” janë dhënë mbi 226 milionë lekë të reja. Ndër tenderat e tjerë me “flamur të kuq” cilësohen edhe disa të zhvilluara për institucione të tjera shtetërore, përfshi edhe burgjet.

“Nga analiza e këtyre procedurave të prokurimit, në harmoni dhe me shpjegimet e punonjësve të shoqërisë “EA Solution”, krijohet bindja se këto procedura prokurimi, fitohen nga subjektet e kontrolluara nga shtetasi Ermal Beqiri, në bashkëpunim me shtetasin Andis Papa, fitimet e të cileve, i kalohen në mënyrë fiktive subjektit “EA Solution”, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi”, thekson prokuroria.

Po ashtu SPAK në gërshëtim të provave arrin në përfundimin se tenderat manipuloheshin për t’u fituar nga kompania “Soft& Solution” e Beqirajt, kompania “Fastech” e Andis Papës dhe kompania First sh.p.k e Gëzim Hoxhës.

The post Dosja e AKSHI, 4 kompani në 9 muaj siguruan tendera në vlerën 57 milionë euro appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayFaktoje

Bosnja, Shqipëria dhe Kromi: Sa “i Gjelbër” është “Minierimi i Gjelbër” kur bëhet në Ballkan?

By: FAKTOJE
22 December 2025 at 19:34

Nga Jona Cenameri e Dejan Rakita Mbi Vareš, një qytet me traditë të gjatë minerare në Bosnjen dhe Hercegovinën qendrore, po bëhen plane për hapjen e një miniere të re kromi. Projekti ka nxitur kundërshtime të forta tek banorët lokalë dhe organizatat mjedisore, si edhe shqetësim te një pjesë e komunitetit të ekspertëve.

Në zonat e fshatrave Duboštica dhe Tribija, në kodrat pyjore mbi këtë qytet boshnjak, planifikohet nxjerrja e kromit, një metal që Bashkimi Evropian e konsideron strategjikisht të rëndësishëm për tranzicionin e gjelbër. Megjithatë, për një pjesë të komunitetit lokal, projekti mbart rrezikun e ndikimeve të përhershme mbi burimet ujore, ekosistemet pyjore dhe shëndetin publik. 

Punime përgatitore mbi fshatin Duboštica pranë Varešit / FOTO: D. Rakita

Ndërsa autoritetet dhe investitori flasin për vende pune dhe zhvillim, 49 organizata dhe komunitete lokale nga pellgu i lumit Krivaja kanë kërkuar së fundmi ndërprerjen e menjëhershme të koncesionit, duke paralajmëruar se pasojat mund të shtrihen edhe në zonat përreth. Ekspertët thonë se zona e prekur mund të shtrihet në një rreze deri në 120 kilometra, duke përfshirë të gjitha qytetet kryesore në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në këto paralajmërime, shpesh përmendet Bulqiza, një qytet minerar në Shqipërinë lindore, i vendosur pothuajse në të njëjtën distancë nga Tirana sa Vareši nga Sarajeva, rreth 40 kilometra në vijë ajrore.

Bulqiza, Shqipëri dhe Vareš, Bosnje dhe Hercegovinë, të para në hartë përmes Google Earth / Credit: Google Earth

Edhe pse kromi është nxjerrë në Bulqizë për më shumë se shtatë dekada, ky rast nuk shërben si analogji e drejtpërdrejtë apo si parashikim i rezultateve në Vareš. Përkundrazi, Bulqiza përdoret këtu si një rast praktik i dokumentuar, një ilustrim i rreziqeve që shfaqen kur nxjerrja e burimeve natyrore ecën më shpejt sesa mbikëqyrja institucionale dhe mekanizmat e llogaridhënies publike.

Bulqiza, Shqipëri, e parë nga masivi ku ndodhen galeritë e minierës së kromit (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Është e rëndësishme të theksohet se Vareši sot nuk është Bulqiza. Janë dy vende të ndryshme, me kuadër ligjor të ndryshëm dhe me faza të ndryshme të zhvillimit minerar. Pikërisht për këtë arsye, krahasimi ka kuptim, jo për shkak të vetë qyteteve, por për shkak të mekanizmave institucionalë të përfshirë. Fokusi i këtij investigimi është te transparenca e koncesioneve, ekzistenca e monitorimit mjedisor dhe shëndetësor, veçanërisht për kromin gjashtëvalent Cr(VI), menaxhimi i mbetjeve minerare dhe i ujërave të minierës, si edhe balanca mes përfitimeve dhe dëmeve lokale.

Në letër, projekti duket i thjeshtë: një mineral strategjik që i duhet Evropës dhe një investitor që premton vende të reja pune. Pyetja kyçe, paralajmërojnë ekspertët, është nëse institucionet kanë kapacitetin t’i bëjnë këto projekte të ligjshme, të sigurta dhe të përgjegjshme ndaj publikut.

Nga hekuri te kromi: ndryshim i modelit minerar në Vareš

Në zonën malore Duboštica-Tribija, mbi pellgun e lumit Krivaja, kompanisë “Vareški minerali” d.o.o. Vareš, e regjistruar deri së fundmi si “Seven Plus” d.o.o. Sarajevo, iu dha një koncesion për kërkime gjeologjike dhe nxjerrje të ardhshme të mineralit të kromit. Ndërkohë, projekti është kthyer në një nga çështjet më kontroverse në Kantonin Zenica-Doboj: nga negociata fillestare të fshehta dhe prerje pyjore “në heshtje”, te ndalimet e përsëritura për inspektim dhe, më pas, te thirrja publike për ndërprerjen urgjente të koncesionit.

Për dekada, Vareši ishte i lidhur ngushtë me minierat. Qyteti u zhvillua paralelisht me minierën dhe uzinën e hekurit, ndërsa infrastruktura dhe hapësirat publike u ndërtuan me të ardhurat e gjeneruara nga sektori. Kjo lidhje mbetet ende e pranishme simbolikisht, nga trashëgimia urbane te vitrazhi i Shën Barbarës, shenjtëreshës mbrojtëse të minatorëve, në kishën lokale.

Leon Pendić / Foto: D. Rakita

Prifti Leon Pendić, i cili shërben prej vitesh në atë kishë në Vareš, beson se modelet bashkëkohore të nxjerrjes së burimeve nuk ofrojnë më ndjenjë sigurie afatgjatë për komunitetin lokal.

“Është thellësisht e trishtueshme të shohësh kompani që vijnë në zonën tonë dhe fokusohen vetëm te nxjerrja e sa më shumë burimeve dhe largimi i tyre nga komuniteti. Si është e mundur që natyra jonë, toka, pyjet dhe xeherori të merren, ndërsa asnjë përfitim i qëndrueshëm të mos mbetet në këmbim?” thotë Pendić në një intervistë për një gazetar të portalit Gerila.

Sot, disa banorë të Varešit e perceptojnë minierimin si një proces që kryhet pa përfshirje kuptimplotë të komunitetit lokal. Kjo ndjenjë është përforcuar edhe nga përvoja me minierën ekzistuese Rupice, e vendosur në periferi të qytetit, e cila, pas një sërë ndryshimesh pronësie, iu shit në qershor të këtij viti kompanisë kanadeze Dundee Precious Metals për 1,25 miliardë dollarë amerikanë, pa asnjë përfitim financiar të drejtpërdrejtë për Komunën e Varešit.

Vareš / Foto: D. Rakita

Ishte pronari aktual i “Vareški minerali”, Miloš Bošnjaković, ai që e nisi projektin minerar në Rupice, të cilin më pas e rishiti. Banorët e fshatrave Pržići dhe Daštansko dyshojnë se janë helmuar nga plumbi për shkak të afërsisë së vend-depozitimit të mbetjeve të minierës me shtëpitë e tyre, një shqetësim që mbështetet nga analiza të kryera në fillim të dhjetorit të këtij viti, të cilat treguan praninë e plumbit në gjak te të 44 personat e testuar.

Si pasojë, segmente të komunitetit të ekspertëve dhe mjedisor paralajmërojnë se një model i ngjashëm mund të përsëritet në zonën Duboštica-Tribija, me një rrezik shtesë: xeherori i kromit, i cili mund të ketë ndikime mjedisore dhe shëndetësore më të rënda sesa mineralet e mëparshme.

Për këtë arsye, në bisedat me banorët lokalë, po dëgjohet gjithnjë e më shpesh termi “minierim invaziv”, i përdorur për të përshkruar një model ku përfitimet ekonomike arrihen në një afat të shkurtër, ndërsa pasojat afatgjata i ngarkohen territorit dhe popullsisë lokale.

Çfarë nënkupton realisht nxjerrja e mineralit të kromit?

Në deklarata të dhëna ekskluzivisht për këtë artikull investigativ, ekspertë të njohur ndërkombëtarisht në toksikologji, kimi mjedisore, pylltari dhe hidrologji paralajmërojnë se minierimi i kromit në zonën Duboštica-Tribija mbart rreziqe të konsiderueshme afatgjata për mjedisin dhe shëndetin publik.

Profesori emeritus i Toksikologjisë, në disa universitete ndërkombëtare, Dr. Jasenko Karamehić, paralajmëron se kromi gjashtëvalent Cr(VI) është forma më e rrezikshme e këtij metali dhe një kancerogjen i provuar.

Dr. Jasenko Karamehić / Foto: e vënë në dispozicion

“Format më të zakonshme të kromit janë kromi metalik, trivalent dhe gjashtëvalent, ku kromi gjashtëvalent është shumë toksik dhe i klasifikuar si substancë kancerogjene. Kromi gjashtëvalent dëmton materialin gjenetik dhe nuk ka prag të sigurt ekspozimi,” deklaron Karamehić.

Ai paralajmëron se aktivitetet minerare mund të çojnë në transformimin e kromit trivalent në formën më toksike gjashtëvalente, edhe kur Cr(VI) nuk është i pranishëm fillimisht në xeheror.

“Ekspozimi nuk ndodh vetëm në vendin e punës, por edhe përmes pluhurit, ujit dhe ushqimit,” thekson Karamehić, duke nënvizuar se rreziku nuk mbetet domosdoshmërisht i kufizuar në sitin minerar.

Një vlerësim të ngjashëm jep edhe Dr. Ulla B. Vogel, toksikologe dhe profesore në Qendrën Kombëtare Kërkimore për Mjedisin e Punës (NFA) në Kopenhagen.

Vogel shpjegon se kromi gjashtëvalent konsiderohet veçanërisht toksik dhe i rrezikshëm në biomonitorim pikërisht për shkak të kancerogjenitetit.

Dr. Ulla B. Vogel / Foto: e vënë në dispozicion

Ajo thekson se Cr(VI) është kancerogjen i provuar për njeriun, i rregulluar në mënyrë të rreptë në Bashkimin Evropian dhe i klasifikuar si kancerogjen pa prag (non-threshold).

“Kjo do të thotë se nuk ka nivel të sigurt ekspozimi; përkundrazi, vlerat kufi bazohen në një nivel të pranueshëm rreziku,” shpjegon ajo.

Ajo paralajmëron gjithashtu se rreziku nuk kufizohet vetëm në mjediset profesionale.

“Nëse kromi gjashtëvalent çlirohet në ajër ose në ujë, mund të përbëjë kërcënim për popullsinë e përgjithshme që jeton pranë impianteve industriale ose zonave minerare,” thotë Vogel, duke kujtuar rastin e njohur të ndotjes së ujërave nëntokësore në Hinkley, Kaliforni, i cili u bë i njohur gjerësisht përmes filmit Erin Brockovich.

Sipas Vogel, lidhja shkakësore midis thithjes së kromit gjashtëvalent dhe rrezikut për kancer të mushkërive është e dokumentuar mirë, gjë që lejon vlerësime të rrezikut në nivele të ndryshme ekspozimi. Ajo përfundon se vlerësimi i rrezikut kimik është thelbësor dhe se çdo tregues i mundshëm i çlirimit të Cr(VI) në mjedis duhet të nxisë vlerësim më të detajuar të ekspozimit dhe shqyrtim të masave parandaluese.

Dr. Dragana Đorđević, kërkuese kryesore dhe drejtuese e Qendrës së Ekselencës për Kiminë dhe Inxhinierinë Mjedisore në Universitetin e Beogradit, paralajmëron se kromi gjashtëvalent mund të përhapet përmes ujit, ajrit dhe tokës, duke përfshirë edhe reaksione kimike dytësore që burojnë nga kromi trivalent i pranishëm natyrshëm.

“Reshjet shpëlajnë mbetjet minerare, ndotja hyn në ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, pastaj kalon në zinxhirin ushqimor,” shpjegon Đorđević, duke paralajmëruar se pasojat afatgjata të ekspozimit shpesh janë të pakthyeshme.

Dr. Dragana Đorđević / Foto: e vënë në dispozicion

Ajo thekson se rreziku është i lidhur me vetë natyrën e xeherorit të kromit, edhe në miniera të kufizuara vetëm në nxjerrje dhe thërrmim.

Veçanërisht, ajo paralajmëron se vend-depozitimet e vjetra dhe grumbullimet e braktisura të mbetjeve shpesh janë burim më i madh ndotjeje sesa objektet aktive, sepse kanë qenë të ekspozuara për dekada ndaj shiut, borës, erës dhe kushteve të tjera atmosferike.

Ajo e përshkruan ekspozimin afatgjatë ndaj kromit gjashtëvalent si rrezik shëndetësor me pasoja shpesh të pakthyeshme, nga kanceri i mushkërive, sinuseve dhe traktit gastrointestinal, te dëmtimet e mëlçisë, veshkave dhe ADN-së, si edhe çrregullime të tiroides dhe dëmtime në zhvillimin e fëmijëve.

Lumi Krivaja si ekosistem i ndjeshëm

Dalibor Ballian, profesor në Fakultetin e Pylltarisë të Universitetit të Sarajevës dhe anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjes dhe Hercegovinës, paralajmëron se ndërtimi i një miniere kromi në pellgun e lumit Krivaja do të kishte pasoja serioze për ekosistemet lokale.

Dr. Dalibor Ballian / Foto: D. Rakita

“Me ndërtimin e një miniere të re kromi, do të humbnim florën dhe faunën, si edhe ajrin dhe ujin e pastër. Gjendja e lumit Krivaja do të ishte e tillë që nuk do të kishte as peshq e as karavidhe, madje nuk do të kishte as baktere. Nëse kjo minierë ndërtohet, do të jetë një bombë atomike ekologjike për zonën përreth dhe për lumin Krivaja, sepse çdo gjë brenda një rrezeje prej 120 kilometrash, përfshirë të gjitha qytetet kryesore në Bosnjes dhe Hercegovinë, do të kontaminohej me krom gjashtëvalent, i cili është jashtëzakonisht toksik për shëndetin e njeriut,” thekson Ballian.

Profesori Karamehić pajtohet me të: “Ndotja mund të përhapet në një zonë të gjerë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një territor të madh, nga Vareši brenda një rrezeje 50, e ndoshta deri në 100 kilometra, ku ndotja mund të ketë pasoja serioze dhe afatgjata për shëndetin e njeriut dhe mjedisin”

Lumi Krivaja / Foto: D. Rakita

Paralajmërime të ngjashme vijnë nga Muriz Spahić, një nga hidrologët kryesorë në Bosnjes dhe Hercegovinë dhe ish-profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Sarajevës. Ai shpjegon se kromi gjashtëvalent mund të shfaqet si nënprodukt i aktivitetit minerar dhe të përhapet shpejt nëpër formacionet karbonike shkëmbore, duke arritur burimet e ujit të pijshëm.

“Toksina grumbullohet në sedimente, hyn në zinxhirin ushqimor dhe dëmi mund të jetë afatgjatë dhe i vështirë për t’u kthyer mbrapsht,” paralajmëron Spahić.

Dr. Muriz Spahić / Foto: D. Rakita

Organizatat mjedisore, për rrjedhojë, këmbëngulin që projekti të mos shihet thjesht si investim, por si çështje e shëndetit publik që prek të gjithë pellgun e Krivajës, nga Vareši deri te komunitetet në rrjedhën e poshtme.

Një mineral kritik në një peizazh kritik

Kromi është lëndë e parë kyçe për çelikun inox, infrastrukturën e energjisë së rinovueshme, automjetet elektrike dhe industrinë ushtarake, ndaj është përfshirë në listën e Bashkimit Evropian të lëndëve të para kritike.

Në teori, një minierë kromi në Bosnje dhe Hercegovinë mund të përshtatet me strategjinë zhvillimore të BE-së. Në praktikë, Ballian paralajmëron se projekti i planifikuar ndodhet në një nga zonat pyjore, ekologjikisht më të vlefshme të vendit.

Pyjet mbi Duboštica dhe Tribija / Foto: D. Rakita

“Këto nuk janë toka të degraduara, por pyje shumë produktive. Pasi të hiqet baza minerale, rikuperimi i tyre kërkon breza,” thekson Ballian.

Sipas të dhënave të disponueshme, zona e koncesionit mbulon rreth 3,200 hektarë midis minierës ekzistuese Rupice dhe sitit të planifikuar në Duboštica.

Në praktikën evropiane, projekte të tilla shoqërohen me koncesione të aksesueshme publikisht, monitorim të pavarur mjedisor dhe shëndetësor, përfshirë matjet e kromit gjashtëvalent, si edhe garanci financiare për rehabilitim.

Mungesa e këtyre mekanizmave në fazat e hershme shpesh më vonë rezulton të jetë dobësi strukturore në qeverisjen e burimeve natyrore.

Koncesion pa akses, pyetje pa përgjigje

Ndërsa në terren po hapen rrugë pyjore dhe po kryhen punime kërkimore, kontrata e koncesionit për Duboštica-Tribija pranë qytetit boshnjak të Varešit mbetet e paarritshme për publikun.

Organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët kanë muaj që përpiqen të sigurojnë kontratën e nënshkruar midis Seven Plus (tani Vareški minerali) dhe Qeverisë së Kantonit Zenica-Doboj. Përgjigjet institucionale, që variojnë nga refuzime të drejtpërdrejta deri te referencat për “sekret tregtar”, kanë penguar aksesin në një dokument që, sipas ligjit, duhet të jetë publik.

Si rezultat, 49 organizata dhe komunitete lokale nga pellgu i Krivajës i dorëzuan një letër të hapur qeverisë kantonale, duke kërkuar ndërprerjen e koncesionit. Njëri prej nënshkruesve, Davor Šupuković nga shoqata ekologjike Fojničani, thotë se çështja kyçe është mosrespektimi i afateve kontraktuale.

Davor Šupuković / Foto: D. Rakita

“Punimet nuk nisën brenda afatit të dakordësuar, por më vonë u paraqitën si të nisura. Kjo jep një bazë të qartë për ndërprerjen e koncesionit,” thotë Šupuković.

Sipas tij, publiku di vetëm se tarifa e koncesionit është 0.76 euro për ton xeheror dhe 76.7 euro për hektar tokë, ndërsa përmbajtja e plotë e kontratës mbetet e fshehur.

Sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjes dhe Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë, tjetërsimi i pronës shtetërore, përfshirë pyjet, tokën dhe burimet natyrore, është i kufizuar derisa të miratohet një ligj shtetëror për pronën shtetërore; ky regjim zbatohet në të gjithë vendin. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) ka të drejtë të ndërhyjë pikërisht kur mungon marrëveshja politike, çka e bën pronën shtetërore një nga çështjet më të ndjeshme kushtetuese në Bosnje.

Pavarësisht këtij kuadri, punimet në Vareš, në tokë pyjore në pronësi të shtetit, nisën pa pëlqimin e Zyrës së Avokatit të Shtetit të Bosnjes dhe Hercegovinës. Më 20 gusht 2025, Inspektorati Federal i Pylltarisë kërkoi nga kjo zyrë një opinion ligjor lidhur me ligjshmërinë e lejeve për prerje drurësh dhe për ndryshimin e përdorimit të tokës. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk është dhënë asnjë përgjigje, ndërsa investitori vazhdon aktivitetin.

Punime përgatitore mbi fshatin Duboštica pranë Varešit / Foto: e vënë në dispozicion

Disa ekspertë juridikë dhe organizata të shoqërisë civile pretendojnë se në këtë situatë ka pasur shkelje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të mandatit të Përfaqësuesit të Lartë.

“Vendimet u morën pa dëgjesa publike dhe pa pjesëmarrjen e komunitetit lokal, duke u bazuar vetëm në një vendim të Këshillit Komunal të Varešit. Kjo ngre pyetje serioze për përputhshmërinë me kuadrin ligjor ekzistues,” thotë Šupuković.

Përgjigjet ndaj pyetjeve të dërguara nga portali Gerila, te Ministria e Ekonomisë e Kantonit Zenica-Doboj ishin të përgjithshme, dhe nuk sqaronin pikat kryesore të kontestuara. Zyra e Kryeministrit Kantonal, si edhe Vareški minerali, nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Një vakum ligjor si model

Për Davor Šupuković, rasti Duboštica-Tribija nuk është incident i izoluar, por pjesë e një modeli më të gjerë ku boshllëqet ligjore dhe mbikëqyrja e dobët institucionale shfrytëzohen si kornizë për nisjen e investimeve në zona mjedisore të ndjeshme.

Sipas tij, plani hapësinor ende në fuqi, që daton nga koha e ish-Jugosllavisë, e kishte përcaktuar këtë zone, përfshirë edhe lumin Krivaja, si zonë të mbrojtur. Ndërkohë, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk ka miratuar ende një plan të ri hapësinor. Ky boshllëk ligjor, argumenton ai, krijon hapësirë për interpretime të ndryshme dhe për zbatim selektiv të rregullave, sidomos kur bëhet fjalë për burimet natyrore më të vlefshme.

Punime përgatitore mbi fshatin Duboštica pranë Varešit / Foto: D. Rakita

Šupuković kujton se përpjekje të ngjashme investimi janë regjistruar edhe në vende të tjera, si Mali Ozren, ku projektet u ndalën pas rezistencës së komuniteteve lokale. Presione ndaj aktivistëve dhe banorëve në disa zona janë dokumentuar tashmë përmes kallëzimeve penale dhe regjistrave zyrtarë, ndaj disa burime kërkuan anonimitet.

“Nuk po vihet në dyshim zhvillimi si i tillë; po kërkohen investime të ligjshme, transparente dhe të kontrolluara institucionalisht,” përfundon Šupuković.

Vlerësimet e ekspertëve dhe kufijtë e “minierimit të gjelbër”

Ndërsa autoritetet kantonale e paraqesin projektin si mundësi zhvillimi, një pjesë e komunitetit të ekspertëve paralajmëron se terma si “modern” dhe “minierim i gjelbër” shpesh përdoren pa mekanizma të qartë dhe të verifikueshëm për mbrojtjen e mjedisit.

Profesori Dalibor Ballian vë në dukje se Bosnja dhe Hercegovina ka tashmë rreth 100 mijë hektarë tokë të shpallur zyrtarisht si e rehabilituar, por që në praktikë ka tiparet e një terreni të degraduar nga aktiviteti industrial. Me zbatimin e koncesionit të ri, këtyre hektarëve do t’u shtohen edhe 3,2 mijë të tjerë, që shtrihen nga Rupice deri në Duboštica.

“Rikthimi i ekosistemeve pyjore dhe ujore pas minierimit kërkon dekada, dhe kthimi i plotë në gjendjen origjinale nuk është realist brenda kornizave ekzistuese institucionale,” paralajmëron Ballian.

Minierimi ka qenë shenjë dalluese e Varešit prej dekadash / Foto: D. Rakita

Rezerva të ngjashme shprehen edhe nga profesionistë të minierave. Azid Kaknjašević, inxhinier minierash nga Olovo, thekson se projekti i planifikuar përfshin disa burime të mundshme ndotjeje, krahas pyetjeve ende të pazgjidhura mbi ligjshmërinë dhe përputhshmërinë me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjes dhe Hercegovinës.

Sipas ekspertëve, pretendimet për minierim “të kontrolluar” ose “të gjelbër” të kromit në ekosisteme të ndjeshme janë thellësisht problematike dhe, në praktikë, pothuajse të paarritshme. Siç shpjegon Dr. Dragana Đorđević, këto pretendime bazohen në përpjekje për të reduktuar teknikisht disa rreziqe, jo për t’i eliminuar ato, sidomos kur bëhet fjalë për kromin gjashtëvalent.

Edhe në rastet kur nxirret vetëm kromiti si mineral kryesor mbartës i kromit, dhe kur mbetjet minerare depozitohen formalisht në mënyrë “të kontrolluar”, vetë ekspozimi i mineralit ndaj ajrit, ujit dhe tokës nxit reaksione kimike natyrore që nuk mund të ndalen. Mbetjet minerare, thekson ajo, mbeten në mjedis për dekada apo edhe shekuj, ndërsa masat e ashtuquajtura të kontrollit zakonisht projektohen vetëm për disa dekada.

“Garantimi i stabilitetit kimik të miliona tonëve mbetje për periudha kaq të gjata, nën ndikimin e reshjeve, ngricave, ndryshimeve të ph-it dhe proceseve biologjike, është jorealist,” nënvizon Đorđević.

Kontrolli i erozionit dhe i rrjedhjeve sipërfaqësore, shton ajo, është i mundur vetëm me mirëmbajtje aktive të vazhdueshme dhe mbikëqyrje edhe pas mbylljes së minierës, ç’ka ngre një pyetje themelore për përgjegjësinë.

Kush do t’i financojë dhe mbikëqyrë këto sisteme për 100 apo 1 mijë vjet? Përvoja ndërkombëtare, vëren ajo, tregon se “mirëmbajtja pasive” pasi investitorët largohen shpesh kthehet në braktisje, veçanërisht përballë motit ekstrem, përmbytjeve të mëdha, tërmeteve, kolapsit institucional ose falimentimit të kompanive.

“Atëherë bëhet e qartë se ‘minierimi i gjelbër’ ekziston kryesisht në letër,” përfundon ajo.

Perspektiva lokale: përvojë dhe mosbesim

Shqetësimet se Bosnja dhe Hercegovina po trajtohet gjithnjë e më shumë si hapësirë për nxjerrje intensive të burimeve ndahen gjerësisht nga banorët e Varešit.

Miroslav Pejčinović, kryetar i komitetit nismëtar të shoqatës Opstanak, e cila u krijua pikërisht nga frika ndaj minierës së kromit, thotë se kundërshtimi ndaj projektit buron nga përvojat me minierën ekzistuese Rupice.

Miroslav Pejčinović / Foto: D. Rakita

Ai i referohet edhe një modeli që, sipas tij, synon pranimin shoqëror të projektit, përmes donacioneve për organizata sportive dhe kulturore lokale, ndërkohë që vlera e burimeve të nxjerra nuk rikthehet te komuniteti përmes tarifave të koncesionit.“Nëse ky model vazhdon, Bosnja dhe Hercegovina rrezikon të bëhet një vend ku i jepet prioritet shfrytëzimit, jo zhvillimit afatgjatë dhe ruajtjes së komuniteteve,” thotë ai.

Kromi dhe industria ushtarake: një pyetje e hapur

Përveç shqetësimeve mjedisore dhe ligjore, disa nënshkrues të nismës ngrenë edhe pyetjen e përdorimit përfundimtar të xeherorit. Sipas informacioneve të disponueshme, kromi nga miniera e planifikuar mund të përdoret në industrinë ushtarake, veçanërisht për prodhimin e çeliqeve të specializuara.

Të dhënat nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) konfirmojnë se kromi dhe ferrokromi konsiderohen materiale strategjike për shkak të përdorimit në mjete të blinduara, struktura ushtarake, motorë reaktivë dhe turbina gazi.

Në këtë kontekst, aktivisti Davor Šupuković shtron një pyetje që shkon përtej konsideratave teknike dhe ekonomike:

“A duhet Bosnja dhe Hercegovina, si një shoqëri pas lufte, të marrë pjesë në zinxhirët e furnizimit të prodhimit ushtarak?”

Reagimi institucional

Nisma për ndërprerjen e marrëveshjes së koncesionit për zonën Duboštica-Tribija, e nisur nga komunitetet lokale dhe organizatat e shoqërisë civile nga pellgu i Krivajës, së fundmi ka marrë edhe vazhdim institucional në Kuvendin e Kantonit Zenica-Doboj.

Vareš / Foto: D. Rakita

Në seancën e 46-të të Kuvendit Kantonal, mbajtur më 27 nëntor, Damir Memić, kryetar i grupit parlamentar të SDP-së, e futi zyrtarisht nismën në procedurë parlamentare, duke iu referuar kërkesave të qytetarëve dhe kundërshtimeve të dokumentuara lidhur me procesin e dhënies dhe zbatimit të koncesionit.

Kjo shënoi herën e parë që miniera e planifikuar e kromit u trajtua formalisht në nivel politik kantonal. Ecuria e mëtejshme do të varet nga qëndrimi i shumicës parlamentare dhe vlerësimi i institucioneve kompetente për ligjshmërinë e kontratës ekzistuese.

Çfarë na tregon Shqipëria: Bulqiza si pasqyrë e së ardhmes

Disa qindra kilometra në jugperëndim, në Bulqizë, minierimi i kromit vazhdon prej dekadash dhe shpesh citohet si shembull i asaj që ndodh kur nxjerrja e mineralit ndodh më shpejt sesa mbikëqyrja institucionale. Bulqiza nuk është një histori e së shkuarës, por e pasojave të akumuluara të shfrytëzimit afatgjatë brenda një sistemi të karakterizuar nga dhjetëra operatorë dhe një mozaik kompleks lejesh.

Tabela që tregon drejtimin për te miniera e kromit, Bulqizë, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Me të mbërritur në qytet, përshtypja më e fortë nuk vjen nga galeritë, por nga fytyrat e njerëzve.

“A i pe fytyrat e njerëzve kur hyre në qytet?” e pyeti reporteren minatori Luli Alla.

“Të rrudhura, të lodhura, të rraskapitura. Të gjithë këtu kanë të paktën një familjar që punon në minierë”

Minatori përshkruan një komunitet ku “pothuajse çdo familje” ka dikë që punon në minierë, duke shtuar se, sipas përvojës së tij, shumë minatorë nuk arrijnë moshë të thyer pas viteve të punës së rëndë.

Në qarkun e Dibrës, nën qytet shtrihet një nga depozitat më të mëdha të kromit në Evropë, ndërsa në sipërfaqe shihet një kontrast i ashpër mes pasurisë minerare dhe kushteve sociale.

Qendra e Bulqizës, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Në të njëjtën kohë, kapaciteti institucional për monitorim sistematik të ndikimeve mjedisore dhe sociale mbetet i kufizuar. Bashkia e Bulqizës konfirmon se nuk mban një regjistër zyrtar të ankesave të qytetarëve lidhur me ndikimin e minierës në jetën e përditshme.

Megjithëse Shqipëria ka hapur negociatat nën Klasterin 4, përfshirë Kapitullin 27 të acquis të BE-së, i cili kërkon transparencë më të madhe, mbikëqyrje më të fortë mjedisore dhe inspektime më efektive, Bulqiza tregon se sa kompleks është ky proces në mjedise ku aktivitetet minerare kanë paraprirë prej kohësh mekanizmat e kontrollit.

Bulqiza: qyteti dhe miniera si një sistem i vetëm

Bulqiza shtrihet në një luginë të ngushtë të vargmaleve të Dibrës, në një terren të përbërë nga shkëmbinj ultrabazikë serpentinitë. Galeritë minerare fillojnë direkt mbi bërthamën urbane, ndërsa shpatet dhe hapësirat mes lagjeve rrethohen nga grumbuj sterilësh dhe mbetjesh të akumuluara ndër dekada. 

Bulqiza, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Minierimi i kromit nisi në vitin 1948. Në 75 vjet, nga masivi i Bulqizës u nxorën më shumë se 15 milionë ton krom, duke e bërë zonën qendrën kryesore minerare të Shqipërisë për më shumë se gjysmë shekulli.

Pas viteve 1990, me kalimin në ekonomi tregu, masivi minerar u fragmentua në dhjetëra parcela dhe u dhanë një numër i madh licencash. Një ekspert minierash dhe banor i Bulqizës, i cili kërkoi anonimitet për shkak të pasojave profesionale dhe institucionale, e përshkruan këtë kthesë kështu:

“Pas viteve 1990, miniera u copëtua dhe zinxhiri teknik u shemb. Galeritë e vjetra përdoren pa kontroll, me hyrje të përbashkëta, dhe shumë kompani nuk zbatojnë protokollet bazë. Kjo ka rritur rreziqet si për punëtorët, ashtu edhe për mjedisin”

Sipas tij, pjesë të galerive të vjetra mbeten të pasigurta.

“E dimë që kromi është shtylla kurrizore e ekonomisë së Bulqizës, por jeta në qytet është bërë gjithnjë e më e vështirë,” shton ai.

116 licenca në një masiv të vetëm

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), u përgjigj për Faktoje.al se aktualisht janë 116 licenca minerare aktive në masivin e Bulqizës. 

Masivi ku ndodhen galeritë e minierës së kromit, Bulqizë, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

“Kur miniera u nda në njësi të vogla, zinxhiri teknik u shemb. Kjo rriti rreziqet si për punëtorët, ashtu edhe për mjedisin,” thotë eksperti nga Bulqiza.

Mbikëqyrja 

Në letër, kuadri rregullator duket i plotë, por sa është efektive në praktikë? 

AKBN mbikëqyr dhënien e licencave, planet teknike dhe ekonomike, si edhe garancitë financiare për rehabilitim. Megjithatë, sipas deklarimeve të institucionit, ajo nuk monitoron ndotjen apo menaxhimin e mbetjeve minerare, duke e kufizuar rolin e saj në verifikimin e përputhjes teknike me licencat.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) kryesisht mbikëqyr operatorët që kanë leje mjedisore të vlefshme.

Nga ana tjetër, Inspektoriati i Punës dhe Mbrojtjes Sociale fokusohet te siguria në punë dhe të drejtat e punës.

Të dhënat e AKM tregojnë se nuk ka stacione monitorimi të cilësisë së ajrit dhe ujit në Bulqizë. 

Bulqizë, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Ndërkohë, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2024, AKM vendosi 26 masa administrative ndaj kompanive në Bulqizë për mosrespektim të rregullave mjedisore. 

Autoritetet vendore

Bashkia e Bulqizës deklaron se nuk ka organizuar dëgjesa publike lokale me qytetarët mbi minierat në zonë. Bashkia pretendon se aktivitetet minerare “kryesisht zhvillohen në zona të largëta malore”, gjë që, sipas tyre, shpjegon mungesën e ankesave të regjistruara në nivel lokal. Bashkia nuk ka kompetencë mbi lejet mjedisore, të cilat janë në juridiksionin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Bulqizë, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Bashkia Bulqizë deklaron gjithashtu se nuk ka të dhëna mbi ndotjen e ujit të pijshëm ose kontaminimin e tokës si rezultat i aktivitetit minerar. 

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) vëren se Drejtoria për Inspektimin e Mjedisit dhe Ujit u krijua vetëm në fund të vitit 2020. 

Që nga krijimi i Drejtorisë, IKMT ka kryer 12 inspektime në zonën minerare të Bulqizës, duke vendosur masa administrative ndaj tetë kompanive, për shkelje si depozitimi i paligjshëm i mbetjeve minerare dhe shkelje të tjera të rregullave mjedisore. Në të njëjtën kohë, Inspektorati konfirmon se asnjë aktivitet minerar nuk është pezulluar ndonjëherë për shkak të ndotjes mjedisore ose rreziqeve të sigurisë.

Xhinset e minatorëve pranë minierës ALBCHROME, Bulqizë, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Siguria 

Pamja më e detajuar institucionale mbi kushtet e sigurisë në sektorin minerar të Bulqizës vjen nga të dhënat e Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Sociale. Sipas statistikave zyrtare, në sektorin e minierave dhe guroreve në qarkun Dibër u kryen 804 inspektime midis janarit 2016 dhe shtatorit 2025.

Shumica e inspektimeve (73%) ishin të planifikuara, 26% u kryen pas aksidenteve në punë dhe vetëm 2% u nisën mbi bazën e raportimeve të vetë punëtorëve. Në të njëjtën periudhë u regjistruan 194 aksidente në punë, 31 prej tyre me pasojë vdekjen.

Inspektorati raporton se masa administrative u vendosën në 85% të rasteve pas aksidenteve, duke variuar nga paralajmërime dhe ndalim i përkohshëm pune deri te gjobat. Në total u dhanë 596 sanksione, ku shumica ishin paralajmërime (63%), ndërsa pezullimet për shkelje të sigurisë dhe shkelje serioze të të drejtave të punës përbënin rreth një të tretën e masave. Vlera totale e gjobave arriti 7,73 milionë lekë (rreth 73 mijë euro).

Miniera ALBCHROME, Bulqizë, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Shkeljet më të shpeshta përfshinin mungesën ose vjetërsimin e vlerësimeve të rrezikut, mosfunksionimin e mekanizmave të sigurisë në punë, mungesën e shërbimeve mjekësore dhe përdorimin e pamjaftueshëm të pajisjeve mbrojtëse. 

Mbikëqyrja

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) konfirmon se në Bulqizë nuk janë kryer analiza të ujit të pijshëm për kromin gjashtëvalent për të paktën dhjetë vjet. Në vend të kësaj, analizat janë kufizuar te kromi total. Sipas ISHP, të gjitha mostrat e testuara kanë qenë brenda kufijve të lejuar sipas standardeve kombëtare.

ISHP deklaron gjithashtu se nuk kryen ekzaminime mjekësore sistematike të minatorëve dhe nuk zbaton programe të shëndetit në punë apo rehabilitimi. Monitorimi epidemiologjik kufizohet në regjistrat e përgjithshëm të sëmundjeve jo të transmetueshme. 

Bulqiza, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se nuk ka të dhëna për sëmundjet profesionale te minatorët, duke deklaruar se kjo përgjegjësi i takon Inspektoratit të Punës.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përgjegjëse për licencat, inspektimet teknike, nënkontraktorët, planet e mbylljes së minierës dhe vlerësimet e rezervave të kromit, nuk iu përgjigj kërkesave për informacion të paraqitura nga Faktoje.al më 29 tetor 2025.

Eksperti i mjedisit, Danjel Bica paralajmëron se, edhe pse kompanitë janë të detyruara ligjërisht të paguajnë tarifa mjedisore dhe të sigurojnë garanci financiare, asnjë galeri apo zonë e degraduar në Bulqizë nuk është rehabilituar plotësisht pas dekadash minierimi. Ai identifikon “vetë-raportimin e kompanive, inspektimet e rralla dhe mungesën e verifikimit të pavarur si dobësi kyçe”.

Danjel Bica, ekspert mjedisor nga Bulqiza, Shqipëri / Credit: sherm.org.al

Edhe pse kromi në Bulqizë është kryesisht në formën trivalente, asnjë institucion nuk ka vlerësuar mundësinë e oksidimit të tij në krom gjashtëvalent në ujërat e minierave.

“Pa analizë të synuar për kromin gjashtëvalent, është e pamundur të vlerësohet ndikimi real i minierimit në cilësinë e ujit,” paralajmëron Bica.

Mbetjet 

Një çështje veçanërisht serioze është depozitimi i pakontrolluar i mbetjeve minerare, të cilat janë grumbulluar për dekada, në shpate të pjerrëta dhe pranë zonave të banuara. 

Grumbujt e sterileve nga minierimi i kromit në Bulqizë, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Dokumentimi në terren nga Faktoje.al tregon grumbuj masivë sterilësh.

AKBN konfirmon se kompanitë janë përgjegjëse për monitorimin e vetë mbetjeve të tyre, ndërsa sistemi mbështetet fort te vetë-raportimi.

Gazetari lokal Sami Curri, i cili ka mbuluar Bulqizën për më shumë se një dekadë, e përshkruan qytetin si të formësuar nga varësia ekonomike, frika dhe “padukshmëria” institucionale.

Sami Curri, gazetar nga Bulqiza, Shqipëri / Credit: Sami Curri

Sipas tij, hapësira për kundërshtim publik është shumë e kufizuar dhe aksidentet në punë rrallë hetohen plotësisht. 

Edhe pse institucionet shëndetësore janë të detyruara të raportojnë dëmtimet e rënda, minatorët rrallë flasin publikisht nga frika se do të humbasin punën ose do të stigmatizohen. 

Curri vëren se, ndotja e ajrit dhe degradimi i tokës janë të dukshme, por asnjë institucion nuk ka lëshuar ndonjë paralajmërim formal për metalet e rënda në ujin e pijshëm.

I pyetur nëse Bulqiza përfiton realisht nga minierat, përgjigjja e tij është e shkurtër: “Jo.”

Sipas Currit, një rentë vjetore minerare prej 150-200 mijë euro nuk mjafton as për të shtruar 2 kilometra rrugë.

Pse njerëzit heshtin

Qendra e Bulqizës, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Minatori i hershëm Luli Alla shpjegon se njerëzit rrallë flasin sepse një numër i madh familjesh varen drejtpërdrejt nga miniera.

“Është qytet i vogël. Njerëzit e mbajnë mend kush tha çfarë”

Familjet e minatorëve, viktima të aksidenteve fatale, gjithashtu heshtin. 

E veja e një minatori refuzoi të fliste, duke thënë se vëmendja mediatike e mëparshme nuk i solli ndryshim, por vetëm sa i rihapi traumën personale.

Minatorë pa status ligjor

Lëvizja Bashkë (LB) ka kërkuar miratimin e një statusi të veçantë ligjor për minatorët në Shqipëri, me synim garantimin e mbrojtjes statutore dhe sociale për punëtorët në një nga sektorët më të rrezikshëm të vendit.

“Minator është profesioni më i rrezikshëm në Shqipëri dhe është e papranueshme të funksionojë pa garanci të posaçme ligjore,” thotë aktivisti i LB, Emiljando Kita.

Brenda galerive të minierës së kromit në Bulqizë, Shqipëri / Credit: Minator anonim

Sipas Kitës, arsyeja kryesore e mungesës së reformës janë kostot politike dhe fiskale, pasi një legjislacion i tillë do të rriste detyrimet si për shtetin, ashtu edhe për kompanitë e mëdha private që dominojnë sektorin.

Të ardhura të mëdha, por për kë?

AlbChrome, operatori më i madh në sektorin e kromit në Bulqizë, u ble në janar 2022 nga grupi turk Yıldırım, përmes filialit të tij minerar Yılmaden Holding.

Miniera ALBCHROME, Bulqizë, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Sipas Ministrisë së Financave të Shqipërisë, renta minerare e transferuar në Bashkinë e Bulqizës arriti 213 milionë lekë (2,13 milionë euro) nga viti 2015 deri në shtator 2025. Duke qenë se Ligji nr. 9975 “Për taksat kombëtare” i alokon vetëm 5% të të ardhurave nga renta minerare pushtetit vendor ku kryhet nxjerrja, kjo nënkupton se qeveria ka mbledhur rreth 4,26 miliardë lekë (42,6 milionë euro) në atë periudhë.

Ministria nuk ka të dhëna mbi rehabilitimin mjedisor, përdorimin e garancive financiare apo riinvestimin lokal të të ardhurave. Gazetari Sami Curri vëren se shumat që merr bashkia janë të pamjaftueshme për ndonjë investim domethënës në infrastrukturë.

Bulqiza, Shqipëri (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Shqipëria është e detyruar formalisht të harmonizojë legjislacionin me direktivat mjedisore të BE-së, përfshirë rregullat për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (EIA), Direktivën për Mbetjet Minerare (Mining Waste Directive) dhe Direktivën Kuadër të Ujit (Water Framework Directive). Komisioni Evropian ka bërë thirrje të përsëritura për inspektime dhe mbikëqyrje më të fortë.

Detyrimet 

Përvojat nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria nxjerrin në pah marrëdhënien komplekse midis ambicieve mjedisore të Evropës dhe realiteteve të nxjerrjes minerare. Kromi është lëndë e parë kyçe për teknologjitë moderne, përfshirë sistemet e energjisë së rinovueshme dhe automjetet elektrike, por shembuj si Bulqiza tregojnë se shfrytëzimi i tij mund të ketë pasoja për burimet ujore, ekosistemet pyjore dhe cilësinë e ajrit, sidomos kur mungojnë studime sistematike dhe monitorim i vazhdueshëm.

Në dokumente strategjike, Bashkimi Evropian thekson zinxhirë furnizimi të qëndrueshëm dhe integrimin e rajonit në tranzicionin e gjelbër. Në praktikë, megjithatë, zbatimi i këtyre parimeve në terren mbetet i pasigurt, veçanërisht në mjedise me institucione më të dobëta dhe mekanizma të kufizuar mbikëqyrjeje publike.

Në këtë kontekst, Bosnja dhe Hercegovina ndodhet në një udhëkryq. Ndryshe nga Shqipëria, e cila i ka përjetuar pasojat e minierimit intensiv të kromit për dekada, BiH vetëm tani po hyn në këtë fazë. Kjo krijon një mundësi për të vendosur standarde dhe procedura të qarta, ose, nëse mbikëqyrja dështon, për të përsëritur modele të njohura tashmë.

Tranzicioni i gjelbër, pra, nuk është vetëm çështje teknike, por edhe demokratike: sa përfshihen komunitetet lokale në vendimmarrje, a janë publike kontratat e koncesionit dhe kush e përcakton interesin publik.

Në rastin e Varešit, të dhënat e disponueshme nuk tregojnë një reagim të fortë institucional. Autoritetet lokale e mbështesin projektin, por njëkohësisht mbajnë të fshehta informacione kyçe nga popullsia lokale, të cilës do i duhet të jetojë pranë minierës. Për më tepër, komuniteti lokal ka pasur pothuajse asnjë, ose përfitim shumë të kufizuar financiar nga shitja e minierës Rupice.

Në nivel kantonal, institucionet për një periudhë të gjatë kanë përdorur argumentin e “sekretit tregtar” për t’i mohuar publikut në Bosnje dhe Hercegovinë aksesin në kontratën e koncesionit, ndërsa reagimet e institucioneve shtetërore, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe Gjykatën Kushtetuese, erdhën me vonesë ose, në disa raste, munguan krejtësisht.

Për këto arsye, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetet lokale këmbëngulin se minierimi i kromit duhet trajtuar si çështje sistemike, jo thjesht lokale, me pasoja në nivel kombëtar.

Para se pasojat të bëhen të pakthyeshme…

Për një pjesë të komunitetit lokal dhe organizatave të shoqërisë civile në Vareš, kërkesa është e qartë: ndërprerja e koncesionit, pezullimi i të gjitha aktiviteteve nga kompania “Vareški minerali” dhe rishqyrtimi i modeleve të zhvillimit që sjellin rreziqe afatgjata mjedisore dhe për shëndetin publik.

Vareš / Foto: D. Rakita

Për investitorin, një rezultat i tillë do të nënkuptonte humbje kapitali të investuar dhe dëmtim reputacioni. Për autoritetet kantonale, do të nënkuptonte pranim se procesi i koncesionit është zhvilluar me mangësi serioze procedurale dhe ligjore, përfshirë mosrespektim afatesh dhe shpërfillje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Për banorët e luginës së Krivajës, dilema është shumë më pak abstrakte. Ajo lidhet me cilësinë e ujit, tokës dhe jetës në dekadat që vijnë: a do të mbetet lumi pjesë e përdorimit të përditshëm apo do të kthehet në një enë industriale; a do të mbeten ekosistemet pyjore të paprekura apo do të ndryshohen përgjithmonë.

Në këtë kuptim, nisma e 49 organizatave dhe komuniteteve lokale shkon përtej një projekti të vetëm. Ajo ngre një pyetje më të gjerë mbi llogaridhënien institucionale dhe kapacitetin e shtetit për të menaxhuar burimet natyrore në interes publik.

Përvoja e Bulqizës tregon se çfarë ndodh kur nxjerrja e mineralit ecën më shpejt se mbikëqyrja.

Bulqiza, Shqipëri, e parë nga masivi ku ndodhen galeritë e minierës së kromit (15/11/2025) / Credit: Jona Cenameri

Nëse Vareši do të ndjekë të njëjtën rrugë, apo nëse rezultati do të jetë ndryshe, mbetet një vendim që po merret tani, me pasoja që do të zgjasin shumë më tepër se sa një marrëveshje koncesionare.

Ky investigim ndërkufitar u realizua nga gazetarët Jona Cenameri (Tiranë, Shqipëri) dhe Dejan Rakita (Banja Luka, Bosnje dhe Hercegovinë), si pjesë e një projekti të gazetarisë hulumtuese.

The post Bosnja, Shqipëria dhe Kromi: Sa “i Gjelbër” është “Minierimi i Gjelbër” kur bëhet në Ballkan? appeared first on Faktoje.al.

Kreu i ri i SPAK, në sfidë për tejkalimin e punës së Dumanit

By: FAKTOJE
22 December 2025 at 18:00

Sebi Alla Kalimi i detyrës si kreu i SPAK nuk mund të ishte vetëm një stafetë rutinë, ndonëse drejtuesi i ri Klodian Braho u kujdes që t’i jepte më shumë rëndësi institucionit, sesa pozicionit të lartë që do të mbajë në mandatin 3-vjeçar.

Dy paraardhësit e tij, Arben Kraja dhe Altin Dumani lanë shenja secili në formën e tij, por Braho do të mbajë edhe një peshë më të rëndë pasi koha “Dumani” ka lënë disa shënjime që për këdo që do e pasonte, ka një arsye më shumë për tu matur me një punë të bërë dhe punët që duhen bërë.

“Dua të vlerësoj paraardhësin në detyrë, zotin Kraja, si dhe Dumanin për integritetin e tij”, tha Braho.

Ai u zgjodh kreu i ri i SPAK me shtatë vota pro nga anëtarë të KLP-së, kundrejt tre rivalëve që morrën përkatësisht tre dhe një votë.  

Hetimi financiar

Kryebashkiakë në detyrë, ish-kryebashkiakë, ish-kryeministra e presidentë, ministra në detyrë të prekur majtas dhe djathtas janë një pjesë e punës së kohës Dumani, madje dy ditë para se të linte detyrën la firmën e fundit në kërkesën drejtuar Parlamentit për të marrë autorizim për arrestimin e zëvendëkryeministres Belinda Balluku.

“Jemi përballur me sfida dhe presione, por SPAK është sot më i fortë, konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Dua të falënderoj çdo punonjës për përkushtimin dhe sakrificat”, tha Dumani.

Ndërsa emra të rëndësishëm të politikës së 30 viteve të fundit kanë proceset e hapura me drejtësinë, hetimi finaciar dhe bllokimi i aseteve të ardhura nga korrupsioni mbetet në nivele të ulëta. “Në ushtimin e detyrës fokusi im do të mbetet funksionimi i brendshëm, funksionimi i ligjit. BKH dhe hetimi financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK”, tha Braho.

Në një reagim në rrjetet sociale Misioni i BE-së në Tiranë uroi Brahon, por gjithashtu në të njëtin postim, vlerësoi punën e Dumanit. “Përgëzojmë Klodian Brahon, i cili merr detyrën sot si Kryetar i SPAK-ut dhe i urojmë atij çdo sukses në këtë rol të rëndësishëm. Ne gjithashtu përgëzojmë SPAK-un për qëndrueshmërinë e tij përballë presionit politik dhe vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori në largim Altin Dumani, nën udhëheqjen e të cilit SPAK arriti përparim në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe forcoi besimin e publikut në drejtësi”, thotë misioni i BE-së.

Dosjet

Si prokurorr i SPAK, Klodian Braho ka hetuar disa dosje ndër më kryesoret janë Inceneratori i Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto, gjithashtu si pjesë të kësaj dosje ndau hetimin për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj.

Çështja tjetër që çoi në zbulimin e një skeme korruptive në Bashkinë e Tiranës është e ashtëquajtura dosja 5D, apo edhe “Toyota Auris” ku janë përfshirë disa individë nga sistemi i drejtësisë por njëkohësisht ka të hapura edhe dy fraksione të tjera po për të njëjtën dosje.

The post Kreu i ri i SPAK, në sfidë për tejkalimin e punës së Dumanit appeared first on Faktoje.al.

Ligji për partitë politike, sfidat e reformimit dhe zbatimit

22 December 2025 at 16:08

Sondazhet dëshmojnë se ekziston një mendim i gjerë për rolin aktiv që kanë në procese zgjedhore grupet informale dhe kriminale.

Zgjedhjet nuk shihen më vetëm si garë për vota dhe emra kandidatësh, por edhe garë influencash të jashtme, sponsorizimesh, financimesh dhe ndikimesh informale.

Raporti i fundit i OSBE/ODIHR ishte i qartë në kritikat, adresimet dhe rekomandimet e tij. Shqipëria synon të bëhet anëtare e BE dhe për këtë do të duhet të kalojë paraprakisht pengesën kryesore, realizimin e zgjedhjeve të lira, përmes fushatave transparente dhe politikave konkurruese të bazuar në integritet, alternativë dhe llogaridhënie.

Rasti i Jurgis Çyrbja, ish-deputet i PS-së në zgjedhjet e 2021 i cili ndodhet në burg për korrupsion në zgjedhje dhe përkrahje të krimit, tregoi se fenomeni i lidhjes së politikës me krimin nuk ishte i izoluar.  Në zgjedhjet e fundit parlamentare u evidentuan raste të ngjashme në disa zona si Vora, Durrësi apo Elbasani ku elementë kriminalë ndikuan në procesin e votimit. “Duke mos i besuar anëtarësisë, projektit dhe programit të vet, partitë politike bëjnë lidhje të shkurtra me elementë të krimit me idenë se këta njerëz sigurojnë vota”, thotë eksperti Lutfi Dervishi në një dalje për A2CNN.

Krimi

Financimi nga grupet kriminale mbetet një nga problemet kyçe në çdo palë zgjedhje në vend  Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, thotë në podkast për Faktoje se është e papranueshme që në vitin 2025 krimi i organizuar të ketë ndikim në përzgjedhjen e deputetëve. “Ky është dështimi më i madh i demokracisë shqiptare”, thotë ai  Fenomeni, sipas tij, kërkon forcimin e mekanizmave të sigurisë si dhe, hetim të lidhjeve të kandidatëve me krimin

Ligji për financimin e partive

Procesi i reformimit të ligjit për partitë politike, i rekomanduar prej kohësh nga OSBE/ODIHR, është futur si pjesë e punës së komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, por ende mbetet e paqartë se deri ku do të shkojë ndërhyrja.

Instituti për Studime Politike ka organizuar disa tryeza konsultative në Tiranë (dhe jashtë saj) me partitë politike, ekspertë dhe shoqërinë civile, me fokus identifikimin dhe adresimin e çështjeve prioritare për ndërhyrje dhe ofrimin e rekomandimeve konkrete për hartimin e Ligjit për Partitë Politike/Kodit Zgjedhor.

Problematika

Problematikat janë të njohura dhe mbeten të njëjta. Shumë prej partive nuk kanë anëtarësi të deklaruar (dhe as detyrim ligjor për dorëzimin në gjykatë), regjistra të rregullt apo struktura funksionale.

Eksperienca ndër vite ka treguar gjithashtu se partitë në përgjithësi nuk zhvillojnë zgjedhje të brendshme. Në praktikë, sipas ekspertit Lutfi Dervishi, gjenden gjithnjë mënyra për të anashkaluar ligjin, duke e bërë transparencën një fasadë formale.

Financimet në fushatë

Kur bëhet fjalë për financat, KQZ verifikon vetëm dokumentet e dorëzuara. Audituesit e pavarur kanë për detyrë të verifikojnë saktësinë formale të deklarimeve, pa mundësi hetimi në terren apo në kohë reale.  “Në takime informale na është thënë jo zyrtarisht nga kandidatët që shuma që ne kemi deklaruar nuk përputhet me shumën e shpenzuar, pra ka një lloj hipokrizie që partitë bëjnë sikur po raportojnë dhe institucionet bëjnë sikur po auditojnë dhe ky është një moment krejt i qartë dhe që duhet ndërhyrë”, thotë Dervishi

Roli i KLSH

Në tryezat e organizuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) është propozuar që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) të ketë rol në mbikëqyrjen e partive politike.  Qysh prej vitit 2000, si pasojë e një vendimi të Kushtetueses, partitë mbeten të vetmet institucione, që nuk i nënshtrohen kontrollit të KLSH.

Sipas ekspertit, Erion Tase, KLSH ka kompetencë ligjore vetëm mbi fondet publike dhe jo mbi financimet private, ç’ka e lë propozimin për kontrollin e partive në një boshllëk ligjor.  Për këtë arsye, ekspertë nga shoqëria civile po shqyrtojnë mundësinë e propozimit të zgjerimit të kompetencave të KLSH ose krijimin e një organi të ri auditimi, që të mbikëqyrë financimet private të partive politike.

Ndarja parti-shtet

Raporti financiar i OSBE/ODIHR theksoi se zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin të barabarta. Partia në pushtet përdori burimet shtetërore për avantazh elektoral. Problematike e përsëritur ishte edhe patronazhimi dhe presioni mbi administratën. Eksperienca e zgjedhjeve të fundit parlamentare tregoi gjithashtu se vendimet me efekt financiar u morën para periudhës së ndalimit ligjor, duke prodhuar pasoja gjatë fushatës. Kjo, sipas ekspertit Dervishi, tregon se ligji aktual nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar deformimin e garës zgjedhore

Faqet anonime

Një tjetër problem i evidentuar në zgjedhjet e fundit ishte  përdorimi i faqeve anonime në rrjetet sociale për sulme direkte ndaj kandidatëve kundërshtarë. Kufizimi i fushatave negative dhe raportimi i detajuar i shpenzimeve online po shihet nga ekspertë të shoqërisë civile si domosdoshmëri.

Reklamat

Ligji ndalon gjithashtu reklamat në media, por raportet e KQZ tregojnë miliona euro borxhe të partive ndaj televizioneve për reklama të papaguara, një problematikë që duhet riparë, referuar diskutimeve në këtë drejtim  

“Një votë, një euro”

Aktualisht, financimi i partive politike në Shqipëri lidhet kryesisht me numrin e mandateve parlamentare dhe jo me votat e fituara. Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, ka propozuar modelin gjerman “një votë, një euro”, ku çdo votë përkthehet në mbështetje financiare të barabartë nga buxheti i shtetit, duke shmangur, sipas tij, deformimet që sjell sistemi i mandateve. “Kjo ka prodhuar situata absurde ku një parti me vetëm 8 mijë vota në një qark merr financim të rregullt parlamentar dhe zyra falas, ndërsa një parti lokale që fiton në dhjetëra bashki nuk merr asnjë mbështetje financiare. Ky model është projektuar për të ruajtur monopolin e PS dhe PD, duke shtypur prirjet e reja politike dhe duke i mbajtur partitë e vogla jashtë loje”, thotë Krasniqi.

Juristi Altin Gjeta e ka zgjeruar këtë ide, duke theksuar se ligji gjerman jo vetëm favorizon financimin publik mbi bazën e votave dhe kontributeve të anëtarësisë, por vendos edhe një tavan buxhetor dhe mekanizma penalizues efektivë për rastet e shkeljeve.

Partitë dhe “oligarkët”

Ligji ndalon financimet e partive nga kompani me kontrata publike, por deri më sot asnjë biznesmen i madh që ka fituar tendera nuk figuron në listën zyrtare të donatorëve të partive. Sipas të dhënave të Faktoje, në periudhën janar–prill 2025 është vërejtur një rritje e përqendrimit të parave publike në pak duar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur nuk kishte zgjedhje. Afrim Krasniqi  thotë se financimet e partive nga grupe te caktuara të interesit realizohen në mënyra të tjera, shpesh të kamufluara përmes emrave fiktivë.

Propozimet

Legjislacioni mbi dekriminalizimin dhe integritetin (përfshirë AIDSSH) përcakton kritere të qarta për kandidatët në poste publike.  ISP propozon që këto kritere të përfshihen edhe në ligjin për partitë politike dhe në statutet partiake, duke përfshirë pra edhe strukturat drejtuese. Sipas ISP, partitë duhet të publikojnë CV-të e stafeve drejtuese (kryesia, sekretariati ekzekutiv, kryetarët e degëve).

ISP propozon gjithashtu që ligji për partitë të ndalojë sponsorizimin financiar nga individë me të shkuar kriminale ose me aktivitet kriminal ekonomik. Në rast shkelje, ISP propozon vendosjen e sanksioneve.

Propozohet gjithashtu që individët me rekorde kriminale të përjashtohen nga e drejta për të marrë me qira ose blerë media vizive, audio ose të shkruara për përdorim electoral. Por sipas propozimeve të ISP,  një subjekt politik duhet të humbasë mandatin nëse kandidati i zgjedhur rezulton i inkriminuar. Volitet  gjithashtu dispozitë ligjore për të parandaluar presionin ndaj grave kandidate për dorëheqje paszgjedhore në listat shumëemërore.

ISP kërkon përmes një pakete propozimesh që kufizimet e votës sipas ligjit të dekriminalizimit, të aplikohen edhe tek partitë politike dhe listat e votuesve të diasporës. Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike” dhe vendimi i Kuvendit në funksion të tij, sipas ISP, duhet të zgjerohet për tu aplikuar përtej BE-së, duke përfshirë vende të tjera evropiane dhe rajonale ku ka komunitete të mëdha shqiptare, si Zvicra apo Turqia.

Ky artikull bëhet në kuadër të projektit “Përmirësimi i kuadrit ligjor për partitë politike përmes Ligjit për Partitë Politike dhe/ose Kodit Zgjedhor”, i cili realizohet nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me Fondacionin Westminster për Demokraci (WFD) me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Tiranë.

The post Ligji për partitë politike, sfidat e reformimit dhe zbatimit appeared first on Faktoje.al.

Si u shtrembërua deklarata se “NATO do të godasë e para Rusinë”

By: FAKTOJE
22 December 2025 at 12:00

Jona Cenameri Gjatë ditëve të fundit, disa media shqiptare dhe platformarrjete sociale publikuan lajme me tituj alarmues si “NATO po konsideron të godasë e para Rusinë” apo “Gjeneralët e NATO-s përgatiten për sulm” 

Raportimet u paraqitën si zhvillime të reja strategjike, duke krijuar përshtypjen se Aleanca e Atlantikut të Veriut po shqyrton seriozisht një sulm të parë ushtarak ndaj Rusisë, në përgjigje të asaj që përshkruhet si “sulme hibride” nga Moska. 

Burimi i këtyre lajmeve ishte një intervistë e admiralit Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, dhënë për gazetën britanike Financial Times

Çfarë tha admiral Giuseppe Cavo Dragone

Në intervistën për Financial Times, Dragone foli për rritjen e shqetësimeve brenda NATO-s lidhur me sulmet hibride ruse, përfshirë sabotimet, sulmet kibernetike dhe kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike në vendet anëtare. Në këtë kontekst, ai theksoi se Aleanca po diskuton se si duhet të reagojë ndaj një forme agresioni që nuk përbën domosdoshmërisht sulm të drejtpërdrejtë ushtarak.

Dragone pranoi se, në nivel teorik, disa vende aleate po ngrenë pyetjen nëse veprime më të vendosura, përfshirë masa që shkojnë përtej reagimit tradicional, mund të konsiderohen vetëmbrojtje në rrethana të caktuara. Megjithatë, ai e bëri të qartë se një qasje e tillë “shkon përtej mendimit tradicional” dhe se mbeten ende pyetje thelbësore ligjore dhe institucionale, përfshirë atë se kush do të kishte kompetencën për një veprim të tillë.

“Ndoshta duhet të veprojmë më agresivisht se kundërshtari,” tha Dragone, duke shtuar menjëherë se dilemat kryesore lidhen me kornizën ligjore dhe zinxhirin e vendimmarrjes.

Në asnjë moment ai nuk deklaroi se NATO ka marrë një vendim për sulm të parë, apo se po përgatitet për një goditje parandaluese ndaj Rusisë.

Si u shtrembërua deklarata në raportime

Në raportimet e publikuara në disa media shqiptare, ky debat konceptual u paraqit si një ndryshim konkret i doktrinës së NATO-s. Diskutimi teorik mbi reagimin ndaj sulmeve hibride u shndërrua në tituj që sugjeronin përgatitje për luftë ose planifikim operacional për sulm.

NATO

Dokumentet bazë të NATO-s, përfshirë Konceptin Strategjik të miratuar në vitin 2022, e përkufizojnë qartë Aleancën si një strukturë mbrojtëse, të ndërtuar mbi parimin e parandalimit dhe mbrojtjes kolektive. NATO thekson se nuk kërkon përshkallëzim të konfliktit dhe se veprimet e saj synojnë të parandalojnë agresionin, jo ta nisin atë.

Edhe në raport me Rusinë, NATO ka deklaruar vazhdimisht se qëndrimi i saj është reagues dhe mbrojtës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 

Asnjë dokument apo deklaratë zyrtare nuk flet për një strategji të “goditjes së parë”.

Kufijtë e vetëmbrojtjes

Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, përdorimi i forcës lejohet vetëm në rast vetëmbrojtjeje ndaj një sulmi të armatosur. Koncepti i vetëmbrojtjes parandaluese mbetet shumë i debatueshëm në të drejtën ndërkombëtare dhe zbatohet vetëm në rrethana jashtëzakonisht të kufizuara, kur një kërcënim është i menjëhershëm dhe i pashmangshëm.

Vetë Dragone e pranon këtë paqartësi ligjore, duke theksuar se pikërisht këto dilema e bëjnë një qasje të tillë objekt diskutimi teorik dhe jo politikë të miratuar.

Përfundimi

Pretendimi se NATO po planifikon të godasë e para Rusinë nuk qëndron. Deklarata e admiralit Giuseppe Cavo Dragone është nxjerrë nga konteksti dhe është interpretuar gabimisht si paralajmërim për sulm, kur në fakt ajo lidhej me një diskutim strategjik mbi reagimin ndaj sulmeve hibride dhe me dilema të hapura ligjore e politike.

NATO mbetet, sipas dokumenteve dhe praktikës zyrtare, një aleancë mbrojtëse. 

The post Si u shtrembërua deklarata se “NATO do të godasë e para Rusinë” appeared first on Faktoje.al.

Hapësirat publike në Tiranë, zaptim dhe gjysmë lirim

By: FAKTOJE
22 December 2025 at 10:00

Sebi Alla Një muaj pasi kishte marrë detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj u la afat një javë të gjithë subjekteve që kishin bllokuar hapësirat publike, veçanërisht lokaleve nga tavolinat dhe çadrat në trotuare. “Të gjithë ata që kanë okupuar hapësirat publike kanë një javë afat për t’i liruar këto hapësira. Në fund të javës tjetër do të nxjerrim urdhër ekzekutiv që ata që shesin në rrugë, lokalet që kanë nxjerrë karrige dhe tavolina në mes të rrugës, ata që kanë zënë parkingjet, çdo gjë do të sekuestrohet”, deklaroi Veliaj në gusht të vitit 2015.

Më pas në dy fushatat zgjedhore lokale, 2019 dhe 2023, Veliaj ripremtonte lirimin e hapësirave publike në kryeqytet dhe relativisht ajo ndodhi, plot dhjetë vite më pas.

Në muajin gusht 2025 nisi akioni masiv për lirimin e hapësirave publike, por me urdhër të kryeministrit Rama, ndërsa Veliaj që nga 10 shkurti i këtij viti ndodhet në burg, me 9 akuza në 13 raste të dyshuara.

Aksioni

“Sot është 1 gusht, ka skaduar afati për heqjen e rraqeve buzë rrugëve kombëtare dhe nga sot do fillojë hap pas hapi ndërhyrja e forcave përkatëse të kontrollit me territorin. Ambicia jonë është që të jemi kampionë të Ballkanit në turizëm. Forcat përkatëse do duhet të angazhohen shumë më tepër tash e mbrapa sepse na duhet të jetojmë dhe të bashkëjetojmë më idenë që të gjithë së bashku duhet t’i japim një cilësi të re vendit tonë si një destinacion turistik, por edhe si një shtet i së drejtës për tu bërë anëtarë të BE”, tha Rama.

Duke iu referuar Tiranës ai tha se do të shkonte deri në 20 mijë metra katrorë lirim të hapësirave publike.

Çlirim, por edhe devijim

Në Tiranë aksioni për lirimin e hapësirave publike përfshiu strukturat e Policisë Bashkiake, asaj të rendit dhe Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit, Tiranë.

Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, IMT tha se “ishin liruar në total 1483 hapësira publike nga të cilat 1,214 çmontime vullnetare dhe 269 ekzekutime vendimesh, 56,421 m2 sipërfaqe e liruar në total, ndërkohë 1791 subjekte ishin njoftuar për të kryer lirimin vullnetar”.

Në disa zona të Tiranës lirimi i hapësirave publike, nga vetë subjektet, apo me ndërhyrjen e IMT-së ka ndodhur duke liruar kryesisht trotuaret, por edhe hapësirat e përbashkëta ndërmjet apartamenteve. Pavarësisht aksionit masiv disa subjekte tregtare vijojnë të zhvillojnë aktivitet

Përfundimi

Premtimi për lirimin e hapësirave publike në Tiranë do e konsiderojmë gjysmë të mbajtur, pasi në kryeqytet ka ende hapësira publike të zëna nga subjekte private. Premtimet e njëpasnjëshme u vunë në zbatim në fund të verës së këtij viti. 

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Hapësirat publike në Tiranë, zaptim dhe gjysmë lirim appeared first on Faktoje.al.

Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës

20 December 2025 at 10:00

U premtua gaz natyror, por Korça vazhdon të ngrohet me dru. Dy vite pas fushatës elektorale dhe “lajmit fantastik” për gazifikimin, Faktoje.al gjeti në terren tym, soba druri dhe qytetarë që nuk dinë asgjë për ecurinë e projektit. Dokumentet tregojnë vonesa, kosto të larta për banorët dhe afate të shtyra deri në 2027.

Esmeralda Topi

Pak ditë para se korçarët t’i drejtoheshin kutive të votimit, kryebashkiaku socialist Sotiraq Filo, në kërkim të mandatit të tretë, premtoi zgjidhjen përfundimtare të problemit të ngrohjes përmes gazifikimit të qytetit. Një “lajm fantastik”, siç e quajti ai vetë, i shoqëruar me garancinë politike të kryeministrit Edi Rama.

“Lajmi fantastik i zgjidhjes përfundimtare të problemit të ngrohjes për Korçën përmes projektit të madh të GAZIFIKIMIT jo rastësisht ishte sot në fjalën e kryeministrit Rama në takimin e tij në Korçë me mijëra vajza e gra!”, premtoi Filo. 

Në fushatë, korçarëve ju premtua gaz natyror në çdo shtëpi, fund i druve të zjarrit, ajër më i pastër dhe kosto më të ulëta. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku prezantuan publikisht projektin, ndërsa Rama shkoi edhe më tej, duke folur për “hapjen e çelësit të gazit” dhe duke hedhur si afat fundin e vitit 2026. 

Por dy vite më vonë premtimet janë larg realitetit. Faktoje udhëtoi drejt juglindjes në muajin tetor.  

Edhe këtë vit, ngrohja në qytet vazhdonte me dru. Banorët e qendrës dhe të lagjeve përreth nuk kishin asnjë dijeni për ecurinë e projektit të gazifikimit, as për afate dhe as për hapa konkretë. Ajo që dinin me siguri ishte i ftohti i mbrëmjeve të tetorit dhe sobat që duhej të ndizeshin herët. 

“Kemi nisur t’i ndezim stofat që para një muaji, se bën ftohtë në darkë”, na tregoi një banor.  

Tymi ndihej kudo. Oxhaqet lëshonin shtellunga të dendura që mbulonin rrugët dhe oborret, duke e kthyer ajrin e Korçës në një përzierje të rëndë druri të djegur, si dëshmi se premtimi i ngrohjes moderne mbetej ende larg realitetit.

Një metër kub dru këtë vit shkonte në 55 mijë lekë të vjetra. 

“Mua më duhen deri në 15 metër”, pohoi një pensioniste, duke bërë llogaritë e dimrit që ende s’kishte hyrë mirë. 

Shkelje afatesh

Në nëntor 2024, qeveria njoftoi nga Azerbajxhani nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi me kompaninë shtetërore SOCAR dhe Albgaz-in, duke e paraqitur gazifikimin e Korçës si gur themeli të zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri. 

Edhe Filo, në intervista publike, fliste për zbatim të shpejtë dhe për rezultate të dukshme “brenda dy viteve”.

Një vit më vonë, një përgjigje zyrtare nga Bashkia Korçë tregon se projekti ndodhet ende në fazën e parafizibilitetit. 

“Studimi nga SOCAR ka përfunduar, por pritet ende marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj azerbajxhanase”, tha për Faktoje.al Bashkia e Korçës.

Pa këtë hap, nuk ka afate konkrete dhe as punime në terren.

Kosto e gazifikimit

Ndërkohë, plani 10-vjeçar i investimeve të Albgaz-it parashikon nisjen e projektit në vitin 2025 dhe dorëzimin në 2027. Pra, më vonë se afatet optimiste të përmendura në fushatë dhe, si zakonisht, me rrezikun e shtyrjeve të mëtejshme.

Sipas skenarit bazë, kostoja totale e gazifikimit të Korçës është rreth 20.8 milionë euro. Prej tyre, 13.3 milionë euro pritet të investohen nga vetë rezidentët, ndërsa bashkia parashikon rreth 7 milionë euro për zëvendësimin e burimeve aktuale të ngrohjes dhe instalacionet përkatëse. Me fjalë të tjera, barra kryesore financiare bie mbi qytetarët që sot mezi përballojnë drutë e dimrit.

Projekti parashikon një rrjet të gjerë tubacionesh dhe stacionesh, si dhe furnizimin me gaz të rreth 6 mijë banesave dhe 30 institucioneve. Por edhe këtu ka një kusht kritik, bashkia duhet të sigurojë buxhet për instalimet e brendshme të gazit në shkolla, kopshte, muze dhe zyra publike. 

“Është kritike për suksesin e projektit që Bashkia të sigurojë buxhet për ndërtimin e instalimeve të brendshme të gazit për institucionet nën drejtimin e tij (shkolla, kopshte, muze, zyra publike), si këto, së bashku me industriale kompanitë, do të përbëjnë konsumatorët ankorues rreth të cilëve do të ndërtohen tubacionet kryesore”, thekson plani. 

Përfundim

Gazifikimi i Korçës është listuar si projekt prioritar në zonën e juglindjes. Në letër, gjithçka duket premtuese. Në terren, oxhaqet vazhdojnë të nxjerrin tym, pensionistët numërojnë metrat e druve dhe dimri vjen çdo vit, pa pritur memorandume.

Deri sa gazi të mbërrijë realisht në shtëpitë e korçarëve, “lajmi fantastik” mbetet një premtim elektoral, ndërsa ngrohja vazhdon të matet me dru, tym dhe fatura që rriten.

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut Sotiraq Filo për zgjidhjen përfundimtare të problemit të ngrohjes përmes gazifikimit të qytetit, e kategorizojmë të pambajtur. 

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Ngrohja që u premtua me gazifikimin e Korçës appeared first on Faktoje.al.

I rremë arrestimi i prokurorit të sulmit të Kapitolit

19 December 2025 at 18:07

Pretendimi: Prokurori amerikan Matt Beckwith është arrestuar për tradhëti

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se një prokuror amerikan, Matt Beckwith, i quajtur “Prokurori i Gjuetisë së Shtrigave J6 i Shtetit të Thellë” dhe “Tradhtari që Burgosi ​​60 Patriotë të Pafajshëm” është arrestuar dhe do dërgohet në burgun famëkeq në Guantanamo Bay.

Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur atë. 

Matthew Beckwith është një prokuror amerikan që punoi mbi çështjen e kryengritjeve të Kapitolit më 6 janar 2021. Ai tha për Reuters në dhjetor 2025 se ishte pushuar nga puna në janar. Pesë ditë më vonë, protestuesit postuan një listë në rrjete sociale duke emëruar Beckwith dhe të paktën 88 prokurorë të tjerë të 6 janarit, së bashku me thirrje që ata të shkarkoheshin ose të burgoseshin. Një përdorues u përgjigj me një foto të një litari, duke sugjeruar që prokurorët duhet të vareshin. Këto sulme e shqetësuan gruan e Beckwith, e cila ishte pesë muajshe shtatzënë me fëmijën e tyre të parë në atë kohë, tha ai.

Matthew Beckwith

Pretendimi shoqërohet me një imazh i cili pretendohet se tregon prokurorin Beckwith. Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se burri në foto është Mike Gordon, një tjetër prokuror i kryengritësve të 6 janarit i cili u pushua nga puna pa sqarim. Gordon dhe ish-punonjës të Departamentit të Drejtësisë kanë paditur administratën Trump për shkarkimet nga puna.

Deri më tani, nuk ka asnjë raportim apo provë se Beckwith, Gordon apo ndonjë prokuror tjetër i 6 janarit është arrestuar.

The post I rremë arrestimi i prokurorit të sulmit të Kapitolit appeared first on Faktoje.al.

Këshilli i Mandateve, pa datë dosja 10 mijë faqe e Ballukut

By: FAKTOJE
19 December 2025 at 17:38

Sebi Alla Në një ditë të ngjeshur diskutimesh, debatesh, mbledhjesh dhe takimesh, PS dhe qeveria me forcën e kartonit siguroi kohë të gjatë për të diskutuar fatin e mandatit të Belinda Ballukut, duke rrëzuar kërkesat e opozitës dhe SPAK-ut për një vendimarrje sa më të shpejtë për shkak të dosjes dhe rrezikut të dëmtimit të hetimeve.

Ende nuk ka një datë të saktë se kur do thirret sërish mbledhja, por përfaqësuesit e PS-së kërkojnë një kohë të gjatë për tu njohur me provat e paraqitura nga prokuroria.

Ndërsa diskutimi juridik mbetet i hapur, ai politik ka qenë mjaft i ngjeshur ku e pandehura Balluku është filmuar në momentin e futjes në kryeministri, ku i pranishëm ishte edhe kreu i qeverisë Edi Rama. Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku akuzohet nga SPAK për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike” në tetë raste. Në kërkesën e datës 16 për autorizim për arrestim, (heqje lirie), SPAK thotë se: “…në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit, ministrit, zëvendëskryeministrit”

Provat në rrezik?

Për çështjen Balluku në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, anëtarët e opozitës dhe tre prokurorët e SPAK kanë qenë thuajse në një linjë dhe kjo lidhej me rrezikun e prishjes së provave nga zëvendëskryeministrja Balluaku, apo edhe kërcënimi i dëshmitarëve në procesin e saj. “SPAK këmbëngul se kjo kërkesë është e ngushtme, SPAK thotë se po intimdon vartësit. Tani ajo do marrë dëshmitë e çdo personi dhe ne do i japim 1 muaj derisa t’i intimidojë të gjithë?”, tha Bardhi.

USB-ja me vete

Pesë orët e mbledhjes u mbyllën pa një datë të përcaktuar se kur do të mbidhet sërish Këshilli i Mandateve, ndërsa diskutimet kanë qenë të shumta që në nisje të mbledhjes. Sipas anëtarit të opozitës në këtë komision, Gazmend Bardhi, tre orët e para të diskutimeve ishin debate mbi mënyrën sesi anëtarët e komisionit dhe avokati mbrojtës do të njiheshin me provat. PS fillimisht ka kërkuar që provat të shiheshin aty në sallë, duke refuzuar që tu japeshin palëve me vete.  Pas një diskutimi fillestar mbi mënyrën e marrjes së provave të paraqitura nga SPAK, u vendos që USB-ja tu vihej në dispozicion të gjithë anëtarëve të komisionit dhe avokatit mbrojtës të Ballukut.

Koha

Çështja ku palët u ndanë ishte pikërisht koha që do të merrej vendimi nga Këshilli i Mandateve dhe Rregullores. Përfaqësues të opozitës kërkuan që pavarësisht dosjes voluminoze (10 mijë faqe), anëtarët mund ta shqyrtonin brenda tre ose katër ditësh. Nga ana tjetër Ardian Kalia, avokat i të pandehurës Belinda Balluku, kërkoi tre javë kohë për tu njohur me materialet dhe përgatitej për mbrojtjen e klientes së saj. Kjo kërkesë u kundërshtua nga dy prokurorët që po hetojnë numrin 2 të qeverisë për shkelje të barazisë në 11 tenderë, Dritan Prençi Dorina Bejko, por edhe kreu i ri i saj Klodian Braho.

Nga ana tjetër, PS tejkaloi edhe kërkesën e avokatit mbrojtës të Ballukut, duke kërkuar që mbledhja të mbahej më 20 janar të vitit të ardhshëm.

Opozita

Në shfrytëzim të hapësirave ligjore dhe rregullores së Kuvendit, pesë anëtarët e opozitës pritet që të kërkojnë mbledhjen në fillim të javës së ardhshme. “Sipas rregullores ka 2 forma se si mblidhet këshilli. Një, e thërret kryetar i Kuvendit. E dyta, 1/2 e anëtarëve të këshillit. 5 anëtarët e opozitës në këshill do thërrasin mbledhjen e këshillit të hënën, maksimumi të martën e fillim javës që vjen, për të mos krijuar asnjë vonesë”, tha Bardhi.

Në referim të rasteve të mëparshme, anëtari i Këshillit të Mandateve, njëherësh edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se: “…Ahmetaj (shënim: I referohet Arben Ahmetajt), ka pasur 15 mijë faqe dhe i është lënë vetëm 48 orë kohë”.

The post Këshilli i Mandateve, pa datë dosja 10 mijë faqe e Ballukut appeared first on Faktoje.al.

Izraeli rregullon, por nuk ndalon testet e ADN

19 December 2025 at 17:01

Pretendimi: Izraeli i ka të ndaluara testet e ADN

Verdikti: E pavërtetë

————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se në Izrael ndalohen testet e ADN.

Pretendohet se kjo ndodh sepse testet do të zbulonin se shumë izraelitë nuk ishin etnikisht hebrenj ose nuk kishin paraardhës nga Lindja e Mesme.

Megjithëse Izraeli vendos kufizime domethënëse rregullatore mbi testet e ADN, veçanërisht ato që lidhen me lidhjet familjare, pretendimi se testet e ADN janë tërësisht të paligjshme në Izrael është i rremë.

Ligji i Informacionit Gjenetik i Izraelit (2000) rregullon testimin gjenetik për të mbrojtur privatësinë dhe për të parandaluar keqpërdorimin e të dhënave gjenetike. Ligji nuk i ndalon drejtpërdrejt testet e ADN, por vendos rregulla të rrepta, veçanërisht për testet që përcaktojnë marrëdhëniet familjare. Për shembull, testet e atësisë në Izrael mund të kryhen vetëm me urdhër gjykate. “Një test gjenetik për lidhjet familjare […] nuk do të kryhet përveçse me urdhër të një gjykate familjare”, thotë ligji. Kjo është pjesë e një kuadri më të gjerë të hartuar për të mbrojtur individët nga përdorimi i informacionit të tyre gjenetik pa mbikëqyrje të duhur.

Konfirmim i mëtejshëm se testimi gjenetik nuk është plotësisht i paligjshëm në Izrael, por i rregulluar për qëllime specifike mjekësore dhe parandaluese, mund të gjendet në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë të Izraelit. Një seksion i titulluar “Rekomandime për Testimin Gjenetik” përshkruan udhëzimet për testet që synojnë identifikimin e çifteve në rrezik për t’u kaluar fëmijëve të tyre gjendje të rënda gjenetike.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha për Snopes se “sipas dispozitave të Ligjit për Informacionin Gjenetik, testet gjenetike mund të kryhen në Izrael vetëm në laboratorët mjekësorë-gjenetikë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë sipas kushteve të specifikuara në ligj. Qëllimi i ligjit është të ruajë cilësinë e testeve, privatësinë dhe konfidencialitetin mjekësor të subjekteve, si dhe mbrojtjen e të drejtave të të miturve dhe popullatave të tjera të veçanta në kontekstin e gjenetikës.”

The post Izraeli rregullon, por nuk ndalon testet e ADN appeared first on Faktoje.al.

Të rreme lajmet në rrjet për gjetjen e Bleonës së zhdukur

19 December 2025 at 16:57

Pretendimi: Bleona Mata, 6-vjeçarja e zhdukur në 2010, është gjendur nga Altin Dumani/një emision gjerman

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Dy postime të faqes Albania News 247 pretendojnë se e mitura Bleona Mata, e zhdukur në 22 maj 2010 në Kukës, është gjendur, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë. Megjithëse janë postuar brenda dy ditësh nga njëri-tjetri, postimet identifikojnë shpetimtarë të ndryshëm. Në postimin e 17 dhjetorit, pretendohet se Bleona Mata është gjetur nga një emision gjerman, ndërsa në atë të 18 dhjetorit, meritat i jepen kreut të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.

Gjithsesi, të dy pretendimet janë të rreme.

Artikujt e referuar në komente nuk përmbajnë ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur këto pretendime.

Madje, në brendinë e artikullit, shkruhet se një emision gjerman “ka gjetur gjurmë të reja që lidhen që lidhen me zhdukjen misterioze të Bleona Matës,” përkundër pretendimit të titullit që Bleona Mata ishte gjetur. Megjithatë, edhe pretendimi i artikullit është i dyshimtë, duke qenë se nuk jepet emri i emisionit gjerman, apo ndonjë informacion tjetër identifikues. Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve.

Artikulli që pretendon se kreu i SPAK, Altin Dumani, ka zbuluar vendndodhjen e Bleona Matës është edhe më qartësisht i rremë. Ai është i mbushur me pasaktësi faktike dhe logjike.

Që në fjalinë e parë, Altin Dumani quhet “një nga figurat më të njohura të showbiz-it.” Ndërkohë, Bleona 6-vjeçare përshkruhet si “e njohur për talentin e saj dhe karrierën e suksesshme si këngëtare.” Sipas artikullit, Bleona “kishte zhdukur nga sytë e publikut, duke lënë fansat dhe ndjekësit e saj me shumë pyetje.” Qartazi, artikulli ngatërron 6-vjeçaren Bleona Mata me këngëtaren shqiptare Bleona Qereti. Artikulli, ndërkaq, përdor vazhdimisht foton e Bleonës së mitur.

Ka gjasa që të dy këto artikuj, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Ngatërrimi qesharak me këngëtaren Bleona Qereti duket si një ‘delirim’ karakteristik i këtyre programeve gjenerative.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi vdekjen e Shpat Kasapit dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari.

Duhet nënvizuar se këto postime tejkalojnë një kufi moral kur zgjedhin të përdorin si karrem për  klikime imazhin e një fëmije që është zhdukur mbi 10 vite më parë. Mediat raportojnë se e ëma e Bleona Matës vazhdon ende ta kërkojë.

The post Të rreme lajmet në rrjet për gjetjen e Bleonës së zhdukur appeared first on Faktoje.al.

Valët e teknologjisë 5G nuk ndërhyjnë në strukturën qelizore 

19 December 2025 at 10:13

Pretendimi: Antenat 5G shkaktojnë ndryshim humori, arrest kardiak dhe ngritjen apo uljen e tensionit

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, vijon të qarkullojë pretendimi se antenat 5G dëmtojnë shëndetin e njeriut. Specifikisht, një postim në Facebook pretendon se këto antena shkaktojnë ndryshim humori, arrest kardiak dhe ngritjen apo uljen e tensionit.

Si zakonisht, këto pretendime të jashtëzakonshme nuk shoqërohen me ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur ato.

5G është një brez i ri i shërbimit të telefonisë celulare. Antenat dërgojnë dhe marrin fusha elektromagnetike me radiofrekuencë (RF EMF). 5G përdor “teknologjinë e formimit të rrezeve”, e cila lejon që fushat elektromagnetike me radiofrekuencë të shkojnë direkt aty ku duhet.

Fusha elektromagnetike (EMF) e gjeneruar nga antenat e telekomunikacionit nuk është jonizuese. Kjo do të thotë se nuk ka ndikim negativ në trupin e njeriut, nuk ndërhyn në strukturën qelizore, nuk e modifikon atë dhe nuk ndikon në funksionet e saj.

Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-Jonizues (ICNIRP), pas 7 vitesh kërkimesh, publikoi udhëzimet e vitit 2020 mbi kufizimin e ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike. Ato përfshijnë informacion rreth 5G.

Komisioni thotë se efekti kryesor që fushat elektromagnetike me radiofrekuencë kanë në trupin e njeriut është rritja e temperaturës së indeve të ekspozuara. Trupi mund të përballojë rritje të vogla të temperaturës së trupit, si përmes ushtrimeve fizike, por ekspozimi ndaj radiofrekuencës dhe rritja e temperaturës mund të jenë të rrezikshme mbi një prag të caktuar.

Sipas ICNIRP, “një tjetër karakteristikë e përgjithshme e RF EMF është se sa më e lartë të jetë frekuenca, aq më e ulët është thellësia e depërtimit të EMF në trup. Meqenëse teknologjitë 5G mund të përdorin frekuenca më të larta të EMF (>24 GHz) përveç atyre që përdoren aktualisht (<4 GHz), fuqia nga ato frekuenca më të larta do të përthithet kryesisht më sipërfaqësisht sesa ajo nga teknologjitë e mëparshme të telekomunikacionit celular […] Prandaj, ekspozimet 5G nuk do të shkaktojnë asnjë dëm me kusht që ato t’i përmbahen udhëzimeve të ICNIRP (2020).” 

Eric van Rongen, kryetar i ICNIRP, tha se nuk ka prova që fushat elektromagnetike shkaktojnë efekte shëndetësore si kanceri, elektro-mbindjeshmëria, infertiliteti ose ndonjë gjë tjetër. Dy efektet e vetme shëndetësore të njohura janë stimulimi nervor deri në 10 MHz dhe ngrohja nga 100 kHz.

Marvin C. Ziskin, Profesor Emeritus i Radiologjisë dhe Fizikës Mjekësore, tha se nuk ka bazë për të pritur që 5G do të shkaktojë probleme negative shëndetësore, me kusht që të respektohen kufijtë e ekspozimit.

Ziskin i tha Reuters se “pesha e provave shkencore tregon se emetimet e 5G nuk janë kumulative. Kjo do të thotë, ekspozimet e shumëfishta të ekspozimeve të padëmshme nuk i shtohen njëra-tjetrës për të prodhuar ndonjë efekt të pafavorshëm biologjik. Do të shtoja se nuk ka pasur paralajmërime nga agjencitë shëndetësore në lidhje me rreziqet e mundshme shëndetësore të energjisë RF, duke përfshirë valët milimetrike në nivele ekspozimi që një konsumator mesatar do të përjetonte nga teknologjia e komunikimit. Kjo është në përputhje me vlerësimet e çështjes nga grupet që përcaktojnë standardet, të tilla si IEEE dhe ICNIRP.”

Disa individë raportojnë “mbindjeshmëri” ndaj fushave elektrike ose magnetike. Ata pyesin nëse dhimbjet, dhimbjet e kokës, depresioni, letargjia, çrregullimet e gjumit, madje edhe konvulsionet dhe krizat epileptike mund të kenë lidhje me ekspozimin ndaj fushave elektromagnetike.

Nuk ka prova që mbindjeshmëria nga e cila disa njerëz pretendojnë se vuajnë, madje edhe me simptoma në dukje objektive, lidhet me këto lloje rrezatimi. Në fakt, kjo mund të shpjegohet me efektin nocebo, ku njerëzit vuajnë nga simptomat vetëm sepse presin të sëmuren. 

Studimet e fundit skandinave zbuluan se individët nuk tregojnë reagime të qëndrueshme në kushte të kontrolluara siç duhet të ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike. As nuk ka ndonjë mekanizëm biologjik të pranuar për të shpjeguar mbindjeshmërinë. Hulumtimi mbi këtë temë është i vështirë sepse këto janë simptoma shumë subjektive që mund të vijnë si pasojë e faktorëve të ndryshëm që ndërthuren me njëri-tjetrin, përfshi vetë shqetësimin për efektet e rrezatimit.

The post Valët e teknologjisë 5G nuk ndërhyjnë në strukturën qelizore  appeared first on Faktoje.al.

I rremë rekomandimi nga Johns Hopkins për shmangien e kimioterapisë

19 December 2025 at 10:10

Pretendimi: Spitali Johns Hopkins ka botuar ​​një përditësim mbi kancerin ku detajohet se si përhapet kanceri dhe rekomandohen metoda për trajtimin e sëmundjes.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se, pas shumë vitesh që rekomandonte kimioterapinë për trajtimin e kancerit, spitali Johns Hopkins ka vendosur t’u tregojë njerëzve se ka alternativa, duke detajuar se si përhapet kanceri dhe duke rekomanduar metoda për trajtimin e sëmundjes.

Postimi pretendon se Johns Hopkins tha se qelizat kancerogjene nuk shfaqen në testet standarde derisa të shumohen në disa miliarda; qelizat kancerogjene ndodhin midis 6 nga 10 herë gjatë jetës së një personi; një sistem imunitar i fortë shkatërron dhe parandalon qelizat kancerogjene; ​​kanceri tregon mangësi ushqyese; dhe ndryshimet në dietë dhe suplementet do të forcojnë sistemin imunitar.

Teksti vazhdon duke pretenduar se kimioterapia përfshin helmimin e qelizave kancerogjene që rriten me shpejtësi, ndërsa shkakton dëmtime të organeve dhe se rrezatimi dëmton qelizat, indet dhe organet e shëndetshme.

Rekomandimet e pretenduara nga Johns Hopkins përfshijnë ndërprerjen e sheqerit dhe qumështit, ngrënien e peshkut, perimeve të freskëta, lëngjeve, farave dhe arrave dhe shmangien e kafeinës, ndër të tjera.

Në përgjigje ndaj pretendimeve, Johns Hopkins Medicine ka lëshuar ​​një deklaratë duke thënë se nuk e kishte lëshuar këtë informacion dhe se pretendime të ngjashme të rreme qarkullojnë që nga viti 2004.

“Johns Hopkins nuk e publikoi informacionin, i cili shpesh është një bashkëngjitje në email, dhe as nuk e miratojmë përmbajtjen e tij”, thuhet në deklaratë, duke i inkurajuar njerëzit të lexojnë informacionin në faqen e saj të internetit ose në faqen e Institutit Kombëtar të Kancerit. “Emaili gjithashtu përmban një drejtshkrim të gabuar të institucionit tonë si ‘John’ Hopkins; ndërsa drejtshkrimi i saktë është ‘Johns’ Hopkins”.

Deklarata vërren se autorë anonimë zakonisht ua atribuojnë punën e tyre institucioneve të respektuara kërkimore në një përpjekje për të fituar besueshmëri.

“Thelbi i këtij email-i viral është se terapitë e kancerit si kirurgjia, kimioterapia dhe radioterapia nuk funksionojnë kundër sëmundjes dhe njerëzit duhet të zgjedhin një sërë strategjish dietike”, shkroi Johns Hopkins Medicine, duke shtuar se terapitë tradicionale si rrezatimi dhe kimioterapia janë efektive.

Pretendimet e postimit, si ai se të gjithë kanë qeliza kancerogjene, një sistem imunitar i fortë që shkatërron kancerin dhe marrja e suplementeve për të parandaluar kancerin, janë konfirmuar të gjitha si mashtrime nga Johns Hopkins në deklaratën e tyre autentike.

Elizabeth Jaffee, bashkëdrejtoreshë e imunologjisë së kancerit dhe eksperte kryesore për kancerin dhe sistemin imunitar në Johns Hopkins, tha: “Kur bëhet fjalë për kancerin dhe sistemin imunitar, nuk është çështje e fortë apo e dobët siç pretendon raporti fiktiv, por më tepër një çështje njohjeje.”

Ajo shtoi se qeliza kancerogjene maskohet si një qelizë normale dhe e shëndetshme.

Drejtori i Qendrës së Kancerit Kimmel në Johns Hopkins, William Nelson, thotë se ndërsa suplementet ndihmojnë në përmbushjen e mangësive të vitaminave, marrja e dozave shtesë nuk ofron përfitime shtesë.

Nelson tha gjithashtu se kimioterapia dhe radioterapia vrasin qelizat kancerogjene “me selektivitet të jashtëzakonshëm” dhe kufizimi i efekteve anësore të zakonshme të rënies së flokëve dhe parametra të ulëta të gjakut janë pjesë e trajtimit.

Në deklaratë, ekspertët shtojnë se, ndërsa një dietë e dobët dhe mbipesha e shoqëruar me një dietë të dobët është një faktor rreziku për zhvillimin e kancerit, nuk ka prova se ushqime të caktuara mund të shkaktojnë vdekjen ose rritjen e kancerit.

Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë pretendime mbi kimioterapinë dhe kancerin.

The post I rremë rekomandimi nga Johns Hopkins për shmangien e kimioterapisë appeared first on Faktoje.al.

Çështja “Balluku” mes flakadanëve, GJKKO dhe dosjes sekrete  

By: FAKTOJE
18 December 2025 at 15:20

Sebi Alla Mes tensionit, ku shumë nga 35 deputetët e opozitës që e mbështetën, protestonin edhe kundër tij, Endri Shabani u betua në Parlament si Avokat i Popullit dhe në ikje dha një puthje jo pa ironi deputetëve të opozitës.

Në këtë mënyrë nisi zyrtarisht puna e Avokatit të Popullit me mandat 5-vjeçar.

Opozita protestoi sot mes kaosit kundër zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar leje për arrestim (heqje imuniteti), e akuzuar për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në tetë raste.

Në shenjë revolte karrigia e zëvendëskryeministres u përmbys në sallë dhe pavarësisht tensionit të krijuar seanca zgjati pak, duke vijuar me rendin e ditës.

Gjykata

Ndërsa në Parlament përplasja mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës vijoi gjatë, në të njëjtën orë, në Gjykatën e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi seanca gjyqësore për vlerësimin e masës së sigurisë të vendosur më parë nga GJKKO e shkallës së parë “pezullim nga detyra dhe ndalim për daljen jashtë vendit të ministres Balluku”. 

Masa “pezullim nga detyra” tashmë konsiderohet nul, pasi një vendim i ndërmjetëm i Gjykatës Kushtetuese caktoi datën 22 janar për shqyrtim në themel dhe deri në shprehjen përfundimtare pezullimi rrëzohej, duke rikthyer në detyrë Ballukun.

Vendimi i Kushtetueses u dha më datë 12, por vetëm katër ditë më pas, Prokuroria Speciale, SPAK, nisi në Kuvend kërkesën për “dhënien leje” për arrestimin e Ballukut, tashmë me disa element të tjerë të veprës penale, e dyshuar për ndikim në “shkeljen e barazisë së pjesëmarrsve në tendera”, në tetë raste. Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit për të dalë jashtë vendit për zv/kryeministren Belinda Balluku, ndërsa në lidhje me “pezullimin ndga detyra” kjo gjykatë vendosi pezullimim të shqyrtimit të kërkesës për aq kohë sa Gjykata Kushtetuese e ka rikthyer në detyrë.

Debati në Këshill

Çështja sa juridike është edhe politike. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, informoi zyrtarisht anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për zhvillimin e mbledhjes më datë 19 dhjetor.

Gazment Bardhi tha se vota e tyre do të jetë pro heqjes së imunitetit të Ballukut, për të cilën SPAK kërkon të caktojë masë sigurisë arrest me burg ose arrest shtëpie.

“Shqiptarët nuk mund të jenë peng i një qeverisje të korruptuar dhe që bashkëpunon me krimin e organizuar. Prandaj unë dua t’i shpreh mirënjohjen secilit deputet të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që sot u ngrit në lartësinë e detyrës së tij për t’i shërbyer interesit publik. Së dyti, po, ne do të marrim nesër pjesë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve, ku vota jonë dhe qëndrimi jonë është i qartë, pro drejtësisë dhe pro përgjegjësisë të një zyrtari të korruptuar, zyrtari më të korruptuar pas Edi Ramës, që është Belinda Balluku. E kam thënë edhe dje, nuk do të ketë asnjë mundësi askush në atë Kuvend që ta mbyllë korrupsionin e Belinda Ballukut në kasafortë”, tha Bardhi.

Ai përmendi edhe përplasjen me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, të cilin e akuzon se po fsheh provat kundër Belinda Ballukut.

USB-ja për Ballukun “mollë sherri”

Kjo akuzë e Bardhit vjen pasi provat e SPAK për Ballukun, një USB që është depozituar në Kuvend, ende nuk iu janë vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit. Materialet që përmban USB-ja janë konsideruar sekret hetimor nga Peleshi dhe janë kyçur në kasafortën e protokollit. Peleshi thotë se mbledhjen që do të mbahet nesër do të diskutohet në prani të prokurorëve të SPAK nëse materiali sekret do t’iu vendoset në dispozicion deputetëve.

Aty pritet të shihet edhe nga do të anojë vota e mazhorancës nëse do të japë ose jo leje për arrestimin “heqjen e imunitetit” për numrin dy të qeverisë. Një tjetër mundësi është që Parlamenti të mos e kalojë çështjen për votim për tre muaj, çka automatikisht rrëzon kërkesën e SPAK.

Në një qëndrim në rrjetin social X, kryeministri Edi Rama tha se: “… do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”.

The post Çështja “Balluku” mes flakadanëve, GJKKO dhe dosjes sekrete   appeared first on Faktoje.al.

❌
❌