Normal view

52% e diasporës planifikojnë kthimin, 66% investimet në Kosovë – çfarë thonë ekspertët për të dhënat e pyetësorit të Telegrafit

31 August 2026 at 09:00


Diaspora kosovare vazhdon të mbajë lidhje të forta me vendin e origjinës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e saj shpreh gatishmëri për t’u kthyer në Kosovë. Megjithatë, për shumicën, kthimi i përhershëm duket të jetë më shumë një plan për të ardhmen sesa një vendim që pritet të realizohet së shpejti.

Të dhënat dalin nga një pyetësor i realizuar nga Telegrafi, ku 52.25 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se planifikojnë të kthehen në Kosovë.

Nga kjo përqindje, vetëm 6.73 për qind thonë se synojnë të kthehen brenda vitit të ardhshëm, ndërsa 45.52 për qind e shohin kthimin në një periudhë më të largët.

Në anën tjetër, gatishmëria për të investuar në Kosovë rezulton edhe më e lartë.

65.92 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se planifikojnë të investojnë në Kosovë. Investimet e planifikuara lidhen kryesisht me blerjen apo ndërtimin e shtëpive, banesave dhe tokës, por edhe me hapjen ose zhvillimin e bizneseve dhe investimet në bujqësi.

Gërxhaliu: Institucionet duhet të bëjnë më shumë për diasporën

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, e konsideron të rëndësishme gatishmërinë e diasporës për të investuar në Kosovë, duke thënë se institucionet duhet të krijojnë kushte më të favorshme për tërheqjen e këtyre investimeve.

“Analizat e fundit theksojnë bindshëm që më tepër se 65 për qind të diasporës në një anketë janë të gatshëm të investojnë në Kosovë. Sot diaspora kosovare vetëm në hapësirën gjermanofolëse: Zvicër, Gjermani, Austri - posedon në llogaritë bankare miliarda të shumta dhe është mençuri dhe pjekuri e institucioneve kosovare të bëjnë më tepër për të josh diasporën, për të investuar në metoda dhe teknologji më të avancuara”, tha Gërxhaliu për Telegrafin.

Sipas tij, potenciali financiar i diasporës përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Gollopeni: Nuk ka emigrant kosovar që nuk e ka në ëndërr kthimin

Sociologu, Besim Gollopeni, thotë se dëshira për kthim ekziston te mërgimtarët, por mes dëshirës dhe realizimit të saj ekzistojnë një sërë faktorësh socialë, ekonomikë dhe politikë.

“Është një sinjal pozitiv, mbi të gjitha, por natyrisht që duhet shikuar edhe në një aspekt tjetër si paradoks për faktin se pse, nëse më shumë se gjysma, e planifikojnë kthimin në Kosovë pas një periudhe të caktuar ose dëshirojnë më mirë të themi m'u kthy shtrohet pyetja në anën tjetër se sa vërtet kjo dëshirë mund të bëhet realitet në fakt? Në fakt përkthehet në kthimin real në Kosovë”, tha ai për Telegrafin.

Gollopeni thotë se kushtet në Kosovë, por edhe jeta që emigrantët kanë ndërtuar jashtë vendit, ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin për kthim.

“Gjendja sociale, ekonomike dhe politike në vendin në të cilin e kemi ne natyrisht që kjo pastaj bën të ndikohet negativisht në kthimin e emigrantëve, por në njërën anë, për në anën tjetër i kemi imigrantët, të cilët kanë krijuar rrethin e tyre sociale e familjar, punën janë integruar në shoqëri pritëse dhe natyrisht që kjo e bën akoma më të vështirë kthimin e këtyre emigrantëve në Kosovë”, shton më tej sociologu.

Megjithatë, sipas tij, lidhja emocionale me vendin mbetet e fortë.

“Nuk ka emigrant kosovar që jeton sot jashtë Kosovës, që nuk e ka në mendje dhe nuk e ka në ëndërr të kthehet një ditë në Kosovë”, deklaron Gollopeni.

Por kjo dëshirë, sipas Gollopenit, bëhet më e vështirë për t’u realizuar me kalimin e viteve.

“Mirëpo duhet të jemi real dhe të themi që, sa më shumë që kalojnë vitet, kthimi i emigrantëve do të bëhet më i vështirë për shkak të integrimit të tyre në shoqëritë pritëse”, ka përfunduar sociologu dhe profesori universitar.

Krasniqi: Diaspora nuk duhet trajtuar njësoj si investitorët e huaj

Lirim Krasniqi nga Organizata “Germin” thotë për Telegrafin se ideja e kthimit ka qenë historikisht pjesë e lidhjes së diasporës me Kosovën.

“Një pjesë e madhe e bashkatëdhetarëve të gjeneratës së parë, pra ata të cilët do të kanë emigruar vetë, e kanë pasë edhe idenë e kthimit. Ideja e kthimit është ajo faktikisht që edhe e definon diasporën”, tha Krasniqi.

Sipas tij, nuk është befasuese që një përqindje relativisht e ulët e të anketuarve e shohin kthimin si diçka që mund ta realizojnë në një periudhë të shkurtër.

“Ne nuk duhet të jemi të çuditur me përqindjen e ulët të personave që shprehin se do ta realizojnë kthimin brenda një periudhe shumë të shkurtër, për shkak se ajo nënkupton më një mori faktor”, deklaron njohësi i çështje të diasporës.

Krasniqi ka veçuar funksionimin e institucioneve dhe sigurinë juridike si disa prej faktorëve që ndikojnë në gatishmërinë e diasporës për të investuar.

“Efikasiteti i administratës publike është një prej faktorëve shumë të rëndësishëm. Sundimi i rendit dhe ligjit, gjithashtu është një faktor shumë i rëndësishëm dhe në këtë drejtim çka është me rëndësi me e përmendësh që mbi 60 për qind e bashkatdhetarët kanë thënë që do të ishin gatshëm të investojnë në Kosovë edhe me kushtin që nuk do të fitonin brenda një periudhe të caktuar kohor, por me sigurinë juridike dhe sigurinë e përgjithshme të investimit të tyre”, bën të ditur ai.

Ai ka kritikuar qasjen institucionale ndaj investitorëve nga diaspora, duke thënë se ata nuk duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si investitorët e huaj.

“Ne e dimë që investitorët e diasporës trajtohen sipas ligjit njësoj sikurse investitorët e huaj. Ndërkohë që një investitor ose një biznes nga diaspora, Kosovën e trajton me një qasje preferenciale, ai ose ajo nuk vjen në Kosovë, sepse Kosova është vendi më i mirë për të bërë biznes në gjithë Evropën edhe rajonin, por vjen sepse ka një lloj preference që lidhet me lidhjet familjare, emocionale, shoqërore e kështu me radhë dhe përderisa diaspora ka një qasje preferenciale karshi Kosovës, Kosova nuk ka një qasje preferenciale karshi diasporës i trajton ata njësoj sikurse çdo investitor tjetër i huaj”, shton më tej Krasniqi.

Investimi më i afërt se kthimi

Të dhënat e pyetësorit të Telegrafit tregojnë një dallim të dukshëm mes dëshirës për t’u kthyer dhe gatishmërisë për të investuar.

Ndërsa 52.25 për qind e të anketuarve planifikojnë kthimin në Kosovë, përqindja e atyre që synojnë të investojnë është dukshëm më e lartë, me 65.92 për qind.

Kjo tregon se lidhja me Kosovën vazhdon të jetë e pranishme, por kthimi i përhershëm duket se përballet me më shumë pengesa sesa angazhimi ekonomik në vend.

Për ekspertët, faktorët ekonomikë, institucionalë, socialë dhe integrimi i mërgimtarëve në vendet ku jetojnë janë ndër elementet që mund të përcaktojnë nëse dëshira për kthim do të shndërrohet edhe në një vendim konkret.

Në ndërkohë, gatishmëria e një pjese të madhe të diasporës për të investuar në Kosovë mbetet një potencial i rëndësishëm ekonomik për vendin. /Telegrafi/

Mbyllet për qarkullim një segment i rrugës në Gjilan për dy ditë

28 August 2026 at 15:29


Një segment i rrugës në Gjilan do të mbyllet për qarkullim gjatë fundjavës për shkak të punimeve.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se nga 29 deri më 30 gusht 2026 do të jetë i mbyllur segmenti nga rrethrrotullimi te Hoteli “Kristal” deri te rruga “Ibrahim Rugova”.

Sipas Hysenit, rrethrrotullimi te Hoteli “Kristal” do të mbetet funksional, ndërsa qarkullimi do të mund të bëhet përmes rrugëve alternative të përcaktuara.

“Gjilani po merr një pamje të re!

Për shkak të punimeve, nga data 29.08.2026 deri më 30.08.2026 segmenti i rrugës nga rrethrrotullimi te Hoteli “Kristal” deri te Rr. “Ibrahim Rugova” do të jetë i mbyllur për qarkullim”, ka shkruar Hyseni.

Ai ka bërë të ditur se rrugët alternative janë të shënuara me të gjelbër në hartën e publikuar me njoftimin.

“Rrethrrotullimi te Hoteli “Kristal” mbetet funksional, ndërsa qarkullimi mund të vazhdojë përmes rrugëve alternative të shënuara me të gjelbër në hartë”, ka njoftuar kryetari i Gjilanit.

Hyseni u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë punimeve të respektojnë sinjalizimin dhe udhëzimet për qarkullim.

“Gjatë kohës së punimeve, respektoni sinjalizimin rrugor dhe udhëzimet për qarkullim, në mënyrë që qarkullimi në qytet të zhvillohet sa më lehtë dhe sigurt”, ka thënë ai. /Telegrafi/


Walker paralajmëron thellim të përçarjes nëse partitë nuk bashkohen për presidentin

28 August 2026 at 15:08


Ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, u bën thirrje partive politike në Kosovë që të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin presidentin.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se zgjedhjet e reja eventuale, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, do të ndikonin në përparimin që ka bërë Kosova ndër vite.

“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, thotë Walker.

“Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Walker, përmes një letre, ju propozuat këtë javë emrin e Faton Bislimit për president të Kosovës. Cilat janë arsyet që ju shtynë drejt këtij propozimi?

William Walker: Epo, me pak fjalë, jam lodhur nga konfuzioni dhe ngecja e procesit zgjedhor që po vazhdon tash e tri apo katër palë zgjedhje. Tani po thuhet se, nëse nuk e zgjidhin këtë çështje, do të duhet të shkojnë në zgjedhje të tjera.

Unë, vërtet, nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Ato, me shumë gjasë, do të prodhonin rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara.

Mendoj se Kosova, thjesht, duhet të rikthehet në rrugën e progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë që nga viti 2000, por veçanërisht që nga pavarësia në vitin 2008.

Mendoj se është koha të ecet përsëri përpara.

Radio Evropa e Lirë: Pse propozuat pikërisht zotin Bislimi?

William Walker: Sepse, e dini, i kam parë problemet që kanë pasur presidentët, veçanërisht ajo që sapo u largua [Vjosa Osmani], jo ushtruesja e detyrës.

E kuptoj se Presidenca është vërtet mjaft ndryshe nga ajo që kërkohet nga një kryeministër, apo nga disa poste të tjera. Presidenti përfaqëson Kosovën në tërësi. Nuk mund të bazohet në një parti politike apo në një lider të caktuar politik.

Për Presidencën nevojitet një grup i tërë aftësish dhe mendoj se Vjosa e kishte shumicën e tyre, por, fatkeqësisht, kishte disa probleme.

Toni Bislimin e njoh prej kohësh dhe mendoj se ai i ka pothuajse të gjitha, në mos të gjitha, aftësitë që unë konsideroj se i nevojiten një kandidati presidencial.

Nuk mund të mendoj për dikë tjetër që njoh në Kosovë, dhe njoh shumë njerëz në Kosovë.

Thjesht, mendoj se Toni ka një kombinim të talenteve dhe personalitetit që i përshtatet asaj që i nevojitet një presidenti. Ka një këndvështrim për botën, arsimim të mirë. Të njohurit e gjuhës angleze është me rëndësi, por gjithashtu edhe njohja e Evropës dhe mënyrës se si funksionon ajo.

Ai ka një personalitet që nuk kërkon konflikt, përpiqet t’i bashkojë njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën Kosova ka shumë nevojë, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse çdo vend tjetër në botë.

Kush është Faton Bislimi?

Faton Bislimi ka qenë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës në legjislaturën e shtatë, nga dhjetori i vitit 2019 deri në janar të vitit 2021.

Në maj të vitit 2023, ai dha dorëheqje nga Kryesia e LDK-së, duke akuzuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për “sforcim të pozitës personale e jo të partisë”.

Disa muaj më vonë synoi ta sfidonte Abdixhikun për postin e kryetarit, por Kuvendi Zgjedhor nuk ia pranoi kandidaturën, me arsyetimin se nuk ishte në përputhje me rregulloren e punës.

Bislimi tani vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aktivist i kauzës kombëtare.

Në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, ai tha se e mirëpret propozimin e ish-ambasadorit William Walker dhe se e konsideron nder të veçantë besimin e shprehur ndaj tij nga një njeri që, siç tha, ka luajtur rol të rëndësishëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se vlerësimin e Walkerit e sheh edhe si njohje të angazhimit të tij prej më shumë se dy dekadash për Kosovën dhe shqiptarët në Uashington, ndonëse nuk ka mbajtur ndonjë pozitë zyrtare atje.

“I jam mirënjohës ambasadorit Walker për fjalët e tij dhe, mbi të gjitha, për gjithçka që ka bërë për Kosovën”, tha Bislimi për Radion Evropa e Lirë, por pa specifikuar nëse është kontaktuar prej partive që po negociojnë.

Bisedimet për presidentin e Kosovës po zhvillohen mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit të fundit, më 26 gusht, ata thanë se kanë diskutuar edhe për emra konkretë, por nuk i bënë publikë.

Radio Evropa e Lirë: A e keni diskutuar propozimin me zotin Bislimi?

William Walker: Jo, por disa njerëz ma sugjeruan emrin e tij dhe atëherë kuptova më mirë se çfarë përfaqësonte dhe çfarë aftësish kishte, pasi e njoh prej disa vitesh.

Radio Evropa e Lirë: Para se ta propozonit zotin Bislimi, a keni komunikuar me liderët e partive politike në Kosovë? A i keni informuar ata për hapin që do të ndërmerrnit?

William Walker: Jo, jo. Pikërisht ketë synonte letra. Ua dërgova letrën, besoj, verbërisht. Kështu do ta përshkruaja.

Thjesht, mendova se katër partitë kryesore, në vend që të grinden për përqindjet në zgjedhje, për ulëset në parlament dhe për postet që mund të mbanin nëse do të mund të bashkoheshin... thjesht, nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Pra, letra ishte përpjekja ime e parë për t’u thënë partive se mendoj që Toni do të ishte një kandidat i mirë nëse ato do të mund të bashkoheshin.

Mendoj se ai ka mbështetje... ose, e dini, njerëzit në të katër partitë e njohin. Ai është gjithashtu shumë i njohur këtu në diasporë - gjë që mendoj se është e rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: A keni marrë ndonjë përgjigje nga liderët, të cilëve u keni shkruar lidhur me propozimin tuaj? Dhe a keni ndonjë konfirmim se emri i tij do të merret në konsideratë?

William Walker: Jo, nuk kam marrë asnjë reagim nga asnjë prej katër partive, nga katër liderët. Sigurisht që kam ndjekur lajmet në Kosovë dhe kam parë se është raportuar gjerësisht në media se e kam bërë këtë propozim.

Nga sa dëgjoj, ai është pritur mirë, ka shumë mbështetje.

Radio Evropa e Lirë: Përveç jush, zotin Bislimi e ka propozuar edhe ish-kongresisti Joe Dioguardi. A jeni në dijeni për propozimin e tij?

William Walker: Po, e kam parë edhe atë në media, po.

Radio Evropa e Lirë: A jeni koordinuar me të lidhur me propozimin. A keni diskutuar me të?

William Walker: Jo, jo. Nuk kam folur me Joe Dioguardin prej vitesh. E njoh, sigurisht, sepse është nga Nju Jorku dhe e kam takuar disa herë në Nju Jork, si dhe në Kosovë, por jo, nuk kam folur me të prej shumë kohësh.

“Kosova është një perlë demokratike”

Radio Evropa e Lirë: Kosova është thellësisht e ndarë politikisht. A mendoni se propozimi juaj mund të sigurojë vërtet mbështetje përtej vijave partiake, apo synon kryesisht të nxisë një debat më të gjerë për alternativat?

William Walker: Supozoj se do ta bëjë këtë. Nëse dikush e merr seriozisht propozimin tim, ai do të nxisë një debat, një argument apo një diskutim lidhur me atë nëse ai është kandidati i duhur.

Vazhdimisht them se Kosova është një vend ku deri në vitin 2000 - dhe më e rëndësishmja deri në vitin 2008 - shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të fitonin përvojë në qeverisje.

Ata nuk kanë mundur të punësohen në institucionet shtetërore, nuk kanë mundur të sigurojnë shumë vende pune që do t’u jepnin përvojë për sa i përket zhvillimit të vendit.

Dhe, sipas mendimit tim, ajo që ka ndodhur që nga viti 2008 tregon se Kosova - kur shumicës shqiptare i është dhënë mundësia të tregonte se çfarë mund të bënte - ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Për mua, Kosova nuk është një demokraci perfekte, por është po aq e përsosur sa çdo vend tjetër në Evropë. Të gjitha gjërat që unë gjithmonë i kam konsideruar si gurët themeltarë të demokracisë - liria e fjalës, liria e fesë, liria e tubimit - janë të pranishme në Kosovën e sotme, vetëm 18 vjet pas pavarësisë.

Shumicës së vendeve iu duhen dekada për të arritur aty ku janë. Për mua, Kosova tani, deri në këtë konfuzionin lidhur me zgjedhjen e presidentit, është një perlë, një perlë demokratike në zemër të Ballkanit, të cilin historikisht të gjithë e kanë parë si një qendër problemesh.

Dhe, ja ku jemi në vitin 2026. Kosova është një demokraci funksionale. E dini, të drejtat e minoriteteve, për të cilat të gjithë kanë bërtitur... nuk di ndonjë vend në Evropë ku minoritetet trajtohen aq drejt dhe me aq bujari sa në Kosovë.

Prandaj, sipas mendimit tim, bota duhet të dëgjojë më shumë nga kosovarët, nga ajo që bën Qeveria në Kosovë.

Mendoj që Kosova duhet të bëjë shumë më tepër për të treguar historinë e saj dhe atë që përfaqëson.

Një gjë që ajo nuk përfaqëson, është kërcënimi për ndonjërin nga fqinjët e saj.

Përkundrazi, ajo përfaqëson një shembull të një kombi paqësor dhe demokratik që thjesht po përpiqet të ndërtojë veten, si shtet i ri në zemër të Evropës.

“Një gjeneratë e re duhet të dalë përpara”

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni i shqetësuar për krizën aktuale politike në Kosovë?

William Walker: Padyshim që kjo është një çështje shumë serioze dhe kjo është arsyeja kryesore për propozimin tim. Pjesa më e madhe e problemit, ose shumë aspekte të problemit të procesit zgjedhor bazohen në Kushtetutën, e cila u hartua po nga kosovarët, por edhe nga BE-ja, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga këshilltarë të tjerë që erdhën pas luftës për të thënë: ja çfarë duhet të bëni, duhet t’i mbroni minoritetet, duhet ta bëni këtë, duhet ta bëni atë, e kështu me radhë.

Tani keni këtë proces... ku udhëheqja që doli nga lufta, ka qenë udhëheqja e partive që nga viti 2000. Një gjeneratë e re e lidershipit duhet të dalë përpara. Ka kaq shumë njerëz të rinj, të arsimuar dhe të talentuar që janë rritur në Kosovë pas luftës dhe është koha që disa prej tyre të kenë më shumë rol.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë besoni se është në rrezik nëse liderët politikë nuk arrijnë të gjejnë një kompromis?

William Walker: Mungesa aktuale e ecjes përpara do të vazhdojë. Ka çështje të rëndësishme. Natyrisht, marrëdhënia me Serbinë, nevoja për dialog që prodhon diçka... Siç e thashë, Kosova nuk është kërcënim për askënd, ndërsa Serbia vazhdon të jetë kërcënim në Ballkan.

Unë vetëm shpresoj që katër partitë të jenë në gjendje të bien dakord për diçka që është e mirë për Kosovën si shtet dhe që komunitetet të bashkohen shpejt.

Mendoj se duhet të marrin një vendim se deri kur duhet të zgjedhin një president të ri ose të shkojnë në zgjedhje të reja. Vendi nuk ka nevojë për edhe disa muaj të tjerë të këtij konfuzioni.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet me sfida të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Sa dëm mund t’u shkaktojë paqëndrueshmëria e zgjatur politike këtyre marrëdhënieve dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës?

William Walker: Po, kam dëgjuar shumë për tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Dhe, padyshim, ka tensione, ka probleme. Përsëri, mendoj se Toni është një person që mund t’i kapërcejë këto barriera. Ai i njeh Shtetet e Bashkuara, e njeh Uashingtonin. Nuk mendoj se do t’i bënte disa nga gabimet që mendoj se janë bërë dhe nuk dua të hyj në to.

E di se ku qëndron kritika dhe mendoj se një pjesë e problemit nuk qëndron te liderët politikë në Kosovë, por te liderët politikë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se Kosova i kushton shumë rëndësi marrëdhënies së saj, kosovarët i kushtojnë jashtëzakonisht shumë rëndësi marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara.

Por, ajo që harrojmë është se njerëzit që kanë qenë në pushtet këtu në Uashington gjatë 20, 25, 26 vjetëve të fundit, veçanërisht gjatë dekadës së fundit apo më shumë, nuk kanë njohuri për atë se si ishte lufta në Kosovë, kush i bënte çfarë kujt...

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë i lidhur ngushtë me Kosovën për dekada. Duke e parë vendin sot, çfarë ju shqetëson më shumë dhe çfarë mesazhi do t’iu dërgonit liderëve politikë të Kosovës?

William Walker: Më lejoni të përgjigjem në pjesën e dytë të pyetjes së pari. Çfarë do t’u thosha liderëve politikë? Do t’u thosha atë që kam thënë në letër: bashkohuni rreth çështjes së Presidencës, sepse kjo është diçka që mund t’i bashkojë të gjithë njerëzit.

Nëse nuk e bëni këtë, do t’i përçajë njerëzit edhe më shumë - gjë që është shumë e gabuar.

Kosova, në kohën e tanishme, mendoj se është në prag të të qenët një perlë absolute në qendër në Ballkanit, në qendër të Evropës.

Mendoj se kundërshtimet e disa vendeve të BE-së, Spanjës dhe të tjerëve, se Kosova nuk i ka përmbushur disa nga kërkesat e demokracisë, janë krejtësisht të gabuara. Ato nuk po e shikojnë mënyrën se si vetë i trajtojnë minoritetet, demokracinë e tyre.

Kosova është një perlë, me të vërtetë është, dhe e gjithë kjo është rezultat i punës së palodhur dhe aftësive të njerëzve të Kosovës.

Unë dua që ajo të rikthehet në rrugën e duhur. Një tjetër palë zgjedhje vetëm se do ta vonojnë këtë.

Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri.

Arrestohet një person në Junik, Policia sekuestron pushkë gjysmëautomatike dhe 40 fishekë

28 August 2026 at 14:49


Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, gjatë një bastisjeje në Junik.

Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë në Pejë, në bashkëpunim me Njësinë për Reagim të Shpejtë në Pejë dhe Stacionin Policor në Junik, ka zbatuar më 28 gusht një urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Pejë për kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në rrugën “Lush Musa”.

Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike dhe 40 fishekë të kalibrit 7.62x39 mm.

Po ashtu, janë sekuestruar edhe:

  • katër mjete të mprehta (thika);
  • një boks metali;
  • një sprej;
  • një set pajisjesh për pastrimin e armës.

“I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të Shtetit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente. /Telegrafi/

Podujeva përfiton 1.8 milion euro për programet e banimit

28 August 2026 at 14:05


Komuna e Podujevës ka siguruar 1 milion e 835 mijë euro për financimin e programeve të banimit, përmes një marrëveshjeje të grantit të nënshkruar me Ministrinë në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe ministrja në detyrë Fitore Pacolli Dalipi.

Përmes këtij financimi do të ndërtohen 18 njësi të reja të banimit social, për të cilat janë ndarë 1.2 milion euro.

Po ashtu, 250 mijë euro do të përdoren për renovimin e 10 shtëpive private, ndërsa 385 mijë euro janë paraparë për rindërtimin e shtatë shtëpive private.

Bulliqi ka bërë të ditur se nga këto programe do të përfitojnë gjithsej 35 familje apo njësi banimi.

“Sot, së bashku me Ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, nënshkruam Marrëveshjen e Grantit për financimin e programeve të banimit në Komunën e Podujevës, në vlerë prej 1 milion e 835 mijë euro”, ka shkruar Bulliqi.

Ai ka theksuar se investimi do të shpërndahet në tri komponentë: ndërtimin e njësive të reja të banimit social, renovimin dhe rindërtimin e shtëpive private.

“Në total, nga këto programe do të përfitojnë 35 familje/njësi banimi, duke krijuar kushte më të mira dhe më të sigurta të banimit për familjet në nevojë”, ka deklaruar Bulliqi. /Telegrafi/


KRU “Hidroregjioni Jugor” vazhdon shkyçjen e konsumatorëve me borxhe në Malishevë

28 August 2026 at 12:58


KRU “Hidroregjioni Jugor” ka vazhduar aksionin për shkyçjen nga rrjeti të konsumatorëve që nuk i kanë përmbushur obligimet financiare për shërbimet e furnizimit me ujë.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, ekipet e Inspektoratit të KRU “Hidroregjioni Jugor”, të asistuara nga Policia e Kosovës, kanë zhvilluar aksion në kuadër të Njësisë Punuese në Malishevë.

Aksioni është zhvilluar në fshatrat Banjë dhe Lladroc, si dhe në qytetin e Malishevës.

Nga KRU “Hidroregjioni Jugor” kanë thënë se aksionet synojnë rritjen e përgjegjësisë së konsumatorëve dhe respektimin e obligimeve kontraktuale për pagesën e faturave të ujit.

“Qëllimi i këtyre aksioneve është rritja e përgjegjësisë së konsumatorëve, respektimi i obligimeve kontraktuale dhe pagesa me kohë e faturave të ujit”, thuhet në njoftim.

Ndërmarrja u ka bërë thirrje konsumatorëve me borxhe të papaguara që t’i shlyejnë obligimet e tyre, në mënyrë që të shmangin shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit.

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, si në qytetin e Malishevës ashtu edhe në fshatrat e tjera që përfshihen në zonën e shërbimit.

Sipas ndërmarrjes, qëllimi është rritja e inkasimit dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së shërbimeve të furnizimit me ujë.

“Uji është shërbim, pagesa është obligim!”, thuhet në apelin e KRU “Hidroregjioni Jugor”. /Telegrafi/


Pacolli kritikon vonesat në projektin e banimit social në Podujevë: Do të jemi të pakompromis

28 August 2026 at 12:53


Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka shprehur shqetësim për vonesat në realizimin e Projektit të Banimit të Përballueshëm dhe Social në Podujevë.

Pacolli ka vizituar punimet në këtë projekt, ku më pas ka zhvilluar takim me përgjegjësin e kompanisë që është duke i kryer punimet.

Sipas ministres në detyrë, projekti duhet të përfundojë brenda afateve të përcaktuara në kontratë, ndërsa kompanitë që nuk i respektojnë obligimet kontraktuale do të përballen me masa ndëshkuese.

“Sot vizituam punimet në Projektin e Banimit të Përballueshëm dhe Social në Podujevë, ku ngrita shqetësimin për vonesat dhe ngecjet në realizimin e projektit, në takim me përgjegjësin e kompanisë punëkryese”, ka thënë Pacolli.

Ajo ka paralajmëruar shqiptimin e gjobave për kompanitë që nuk i përmbushin detyrimet dhe afatet e përcaktuara me kontratë.

“Projektet duhet të realizohen brenda afateve të përcaktuara me kontratë. Për kompanitë që nuk i përmbushin obligimet dhe afatet do të shqiptohen gjoba”, ka deklaruar Pacolli.

“Do të jemi të pakompromis me kompanitë e papërgjegjshme”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/


Qytetarët në Mitrovicë të Veriut dorëzojnë paratë dhe dokumentet e gjetura, Policia i kthen te pronarët

28 August 2026 at 12:37


Dy qytetarë në Mitrovicë të Veriut kanë dorëzuar në polici para dhe dokumente identifikuese që i kishin gjetur në rrugën “Zoran Dzindzic”, duke bërë të mundur kthimin e tyre te pronarët.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, rasti i parë është raportuar më 25 gusht, kur qytetari B.S., 43 vjeç, ka dorëzuar në Stacionin Policor një shumë parash dhe dokument identifikimi që i kishte gjetur në rrugën “Zoran Dzindzic”.

Pas verifikimeve të kryera nga zyrtarët policorë, është identifikuar pronari i tyre, R.P., 75 vjeç.

Në prani të policisë, atij i janë kthyer dokumenti identifikues dhe paratë, në vlerë prej 210 eurosh dhe 120 dinarësh.

Policia ka njoftuar se një rast i ngjashëm është shënuar edhe më 29 korrik, po në rrugën “Zoran Dzindzic”.

Atë ditë, qytetari N.M., 25 vjeç, kishte gjetur një portofol me 80 euro, 28 mijë dinarë dhe dokumente identifikuese, të cilat i kishte dorëzuar në polici.

Pas veprimeve të zyrtarëve policorë, është identifikuar pronari i portofolit, K.D., 16 vjeç, të cilit në prani të policisë i janë kthyer paratë dhe dokumentet.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut ka vlerësuar veprimet e dy qytetarëve, duke i cilësuar ato si shembull të përgjegjësisë dhe ndershmërisë qytetare.

“Veprime të tilla janë shembull i mirë i qytetarisë së përgjegjshme, ndershmërisë dhe bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/


Keqpërdorim i ujit të pijshëm në Drenas, KRU “Prishtina” zbulon kyçje ilegale

28 August 2026 at 11:30


Inspektorët e KRU “Prishtina” kanë zbuluar një kyçje ilegale të ujit në qendër të Drenasit, e cila, sipas ndërmarrjes, po përdorej për ujitjen e hapësirave të gjelbra, bahçes dhe misrit.

Rasti është evidentuar gjatë kontrolleve të realizuara nga inspektorët e KRU “Prishtina” në këtë zonë.

“Inspektorët e KRU ‘Prishtina’ në Drenas kanë hasur në një kyçje ilegale në qendër të qytetit, e cila përdorej për ujitjen e hapësirave të gjelbra, bahçes dhe misrit”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.

Si masë ndaj konsumatorit, KRU “Prishtina” ka bërë shkyçjen e tij nga shërbimi, ndërsa rasti pritet të procedohet më tej në gjykatë.

“Për këtë abuzim me ujin e pijshëm, konsumatori është shkyçur nga shërbimi dhe do të procedohet në gjykatë”, njofton KRU “Prishtina”.

Ndërmarrja u ka bërë thirrje konsumatorëve që ujin e pijshëm ta përdorin në mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me rregullat e përcaktuara. /Telegrafi/


Dogana e Kosovës zbulon mbi 54 mijë euro të padeklaruara

28 August 2026 at 11:15


Dogana e Kosovës ka zbuluar mbi 54 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në pikën kufitare të Kullës.

Sipas njoftimit të Doganës, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll të detajuar në vijën e dytë, ku zyrtarët doganorë kanë gjetur para të gatshme në euro dhe valuta të huaja.

Pas konvertimit të shumave sipas kursit zyrtar, vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara ka rezultuar mbi 54 mijë euro.

“Gjatë kontrollit të një automjeti të selektuar për ekzaminim në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë gjetur para të gatshme në valutë të huaj dhe euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Në përputhje me procedurat ligjore, është konfiskuar 25 për qind e shumës së padeklaruar, që kap vlerën e mbi 13,500 eurove.

“Është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, në vlerë prej mbi 13,500 euro, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve është proceduar sipas procedurave”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Dogana u ka rikujtuar udhëtarëve se gjatë kalimit të kufirit janë të obliguar t’i deklarojnë mjetet monetare në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, duke siguruar njëkohësisht zbatimin e drejtë dhe të barabartë të procedurave ligjore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Ndryshojnë rregullat e "Prishtina Parking" -  bllokimi i veturave vetëm me urdhër të Inspeksionit - gjoba deri në 100 euro

28 August 2026 at 10:14


Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka hartuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve në Komunën e Prishtinës, duke paraparë ndryshime në mënyrën e bllokimit dhe zhvendosjes së automjeteve, pagesën e parkingut, përgjegjësitë e ndërmarrjes “Prishtina Parking” dhe masat ndaj shkelësve, raporton Telegrafi.

Ndryshimet synojnë harmonizimin e rregullores me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, P.A.nr.02/2025, si dhe me legjislacionin në fuqi.

“Merimanga” dhe bllokimi i veturave vetëm me urdhër të Inspeksionit

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kompetencat për bllokimin dhe zhvendosjen e automjeteve.

Sipas ndryshimit të Nenit 22, stafi i “Prishtina Parking” nuk do të mund të veprojë në mënyrë autonome për bllokimin apo zhvendosjen e automjeteve.

Bllokimi i automjetit nga stafi i “Prishtina Parking” do të mund të bëhet vetëm me urdhër të Inspektorit Komunal përkatës, në rastet kur shfrytëzuesi nuk e ka kryer pagesën brenda 15 minutave dhe pasi në automjet të jetë vendosur një paralajmërim i dukshëm.

Ndërkaq, zhvendosja e automjeteve të parkuara në mënyrë të kundërligjshme, e njohur si “Merimanga”, do të bëhet vetëm me urdhër të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, shkruan Telegrafi.

Në këtë proces, “Prishtina Parking” do të ketë rol në mbështetjen teknike dhe logjistike.




Katër mënyra për pagesën e parkingut

Ndryshimet përcaktojnë edhe mënyra alternative për pagesën e parkingut publik.

Pagesa do të mund të kryhet përmes aplikacioneve mobile të miratuara, me para në dorë te operatorët e kontraktuar përmes biletës fizike, me kartela bankare në pikat e autorizuara, si dhe përmes ueb-platformës zyrtare të ndërmarrjes.

“Prishtina Parking” obligohet që në çdo zonë të parkingut të garantojë funksionalitetin e së paku dy mënyrave të ndryshme të pagesës.

Në rast se pajisjet për pagesë nuk funksionojnë, kjo do të konsiderohet pamundësi objektive për kryerjen e pagesës dhe qytetarëve nuk do të mund t’u shqiptohen tarifa shtesë, përcjell Telegrafi.

Rregullorja parasheh edhe rimbursimin e mjeteve në rast të gabimeve teknike gjatë pagesës, nëse gabimi nuk është shkaktuar qëllimisht nga qytetari. Në këto raste, ndërmarrja duhet ta realizojë rimbursimin brenda 15 ditësh nga paraqitja e kërkesës.

Sa u përket dëmeve në automjete, “Prishtina Parking” do të mbajë përgjegjësi në rastet kur dëmi shkaktohet nga neglizhenca, mungesa e mirëmbajtjes apo mosrespektimi i standardeve të sigurisë nga stafi i saj.

Çfarë ndryshon në zonat rezidenciale?

Në zonat rezidenciale, sipas rregullores së propozuar, vetëm banorët e regjistruar do të mund t’i shfrytëzojnë vendparkimet pa kufizim.

Personat që nuk janë rezidentë do të mund t’i përdorin këto hapësira vetëm deri në orarin e përcaktuar nga “Prishtina Parking”, i cili do të jetë i shënuar në tabelën hyrëse të zonës.

Ndërmarrjes i është lënë afat prej gjashtë muajsh që, përmes akteve publike, të përcaktojë metodën dhe kushtet për shfrytëzimin e parkingjeve gjatë vizitave familjare të banorëve rezidentë.

Ndryshime janë paraparë edhe për parkingjet private. Kërkesa për leje mund të bëhet edhe për parcela që sipas planit rregullues kanë destinim tjetër, nëse leja është e përkohshme dhe nuk pengon realizimin e planit rregullues.

Këto janë gjobat e parapara për parkim të parregullt

Rregullorja e ndryshuar përcakton edhe masat financiare për shkeljet e rregullave të parkimit.

Sipas ndryshimeve:

  • 30 euro – parkim i papaguar;
  • 30 euro – parkim i parregullt;
  • 50 euro – parkim në trotuar;
  • 50 euro – parkim në rrugë të lagjeve, rrugë të parkingjeve publike dhe rrugë të ndërtesave;
  • 50 euro – parkim në hapësira publike të padedikuara, si hyrje ndërtesash, hapësira pranë kontejnerëve, fusha sportive dhe kënde lojërash;
  • 100 euro – parkim në hapësira të gjelbra;
  • 100 euro – parkim në sheshe.

Për personat juridikë që operojnë parkingje pa leje janë paraparë gjoba nga 150 deri në 1,000 euro.

Në rast të përsëritjes së shkeljes, parashihet urdhër për mbylljen e parkingut. Nëse aktiviteti vazhdon edhe pas vendimit për mbyllje, rregullorja parasheh konfiskimin e automjeteve që ndodhen në atë hapësirë. /Telegrafi/

Sveçla kërkon sqarime për transferet e parave të Ramës drejt Anglisë: Po paratë prej nga i more?

28 August 2026 at 09:43


Drejtuesi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka kërkuar sqarime nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me transferet e parave nga Kosova në Angli.

Në një postim në Facebook, Sveçla ka ngritur pikëpyetje rreth burimit të mjeteve të transferuara, duke iu referuar pagës së kryetarit të Prishtinës dhe deklarimeve publike për të ardhurat e tij.

“Paga e Kryetarit të Prishtinës është rreth 1,650 euro në muaj”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka përmendur edhe deklarimin e Ramës se jeton me qira në Fshatin Ndërkombëtar dhe se, sipas deklarimeve publike, nuk ka të hyra të tjera në Kosovë.



Sveçla i është referuar deklarimit të Ramës se paratë e transferuara drejt Anglisë kanë qenë nga llogaritë e tij në Kosovë në llogarinë e tij në Angli.

“Dje deklaroi se paratë janë transferuar nga llogaritë e tij në Kosovë në llogarinë e tij në Angli. Mirë, Përparim. Po paratë prej nga i more?”, ka shkruar ai.

Drejtuesi i asamblistëve të LVV-së ka ngritur më tej pyetje për burimin e këtyre mjeteve, duke marrë parasysh shpenzimet mujore që, sipas tij, i ka një familje pesëanëtarëshe.

“Me një rrogë 1,650 euro, pasi ta paguash qiranë në një prej zonave më ekskluzive të Prishtinës, shpenzimet e shtëpisë, ushqimin dhe krejt shpenzimet e një familjeje pesëanëtarëshe, sa të mbesin me i çu në Angli?”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë se Rama i ka konfirmuar transferet, por, sipas tij, nuk ka dhënë sqarim për burimin e parave.

“Përparimi, dje, i konfirmoi transferet. Veç nuk e tregoi burimin e parave”, ka shkruar Sveçla.

Në fund, ai ka kërkuar përgjigje për mënyrën se si janë krijuar dhe transferuar këto mjete.

“Qysh o Përparim? Cila është matematika?”, ka përfunduar Sveçla. /Telegrafi/


Musmurati: Komunat po përballen me centralizim, më 1 shtator protestojmë para Qeverisë

28 August 2026 at 09:36


Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka ftuar përfaqësuesit e komunave, zyrtarët, punëtorët dhe qytetarët që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për 1 shtator, para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Protesta është thirrur për në orën 11:00, ndërsa sipas Musmuratit, qëllimi i saj shkon përtej situatës së krijuar rreth funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka ngritur shqetësime për mënyrën se si, sipas saj, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po i trajton kompetencat e pushtetit lokal, duke pretenduar se ka një tendencë për transferimin e vendimmarrjes nga komunat në nivelin qendror.

Musmurati ka marrë si shembull Rregulloren 07/2025, veçanërisht procesin e vlerësimit të kandidatëve për punësim në administratën komunale.

“Paramendojeni, 60% e vlerësimit për me u punësu në komunë bëhet veç prej Ministrisë së Xhelal Sveçlës. Kjo nuk ka ndodhë kurrë më herët”, ka deklaruar Musmurati.

Ajo ka vënë në pikëpyetje edhe përmbajtjen e testeve që u nënshtrohen kandidatët gjatë këtyre proceseve, duke përmendur pyetjen “Sa këmbë i ka bleta?”.

Sipas nënkryetares së Kryeqytetit, nevojat për staf dhe profilet profesionale duhet të përcaktohen nga vetë komunat, të cilat, siç ka thënë ajo, kanë njohuri më të drejtpërdrejta për nevojat e administratës së tyre.

“Komuna e din çfarë punëtori i duhet, po Ministria e Brendshme vendos se kush duhet të punësohet. Kjo s’është veç burokraci. Kjo është tendencë me centralizu gjithçka”, ka theksuar Musmurati.

Ajo u ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë të gjithë përfaqësuesve dhe punëtorëve të nivelit lokal, pavarësisht funksioneve që mbajnë.

“S’ka lidhje a je kryetar, asambleist, zyrtar, punëtor i komunës apo qytetar. Më 1 shtator, ju ftoj me dalë në protestën e komunave para Qeverisë”, ka thënë ajo.

Protesta pritet të mbahet më 1 shtator, duke nisur nga ora 11:00. Musmurati ka deklaruar se pjesëmarrja synon, sipas saj, mbrojtjen e kompetencave të pushtetit lokal dhe institucioneve komunale.

“Dalim në protestë për komunat tona, për institucionet tona dhe kundër një pushteti që po tenton me i marrë krejt kompetencat në një dorë”, ka përfunduar Musmurati. /Telegrafi/


Policia në Rajonin e Gjilanit shqipton 1,635 gjoba në trafik brenda një jave

28 August 2026 at 08:27


Policia në Rajonin e Gjilanit ka shqiptuar 1,635 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut gjatë periudhës 21–27 gusht 2026.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, gjobat janë shqiptuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik.

Gjatë kësaj periudhe, Policia ka hetuar 27 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 21 aksidente me persona të lënduar.

Po ashtu, janë shqiptuar:

  • 15 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurisë;
  • 27 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit;
  • masë e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike ndaj 37 ngasësve.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje ngasësve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kenë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve.

“Uleni shpejtësinë. Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë. Respektoni rregullat e trafikut, mos përdorni telefonin gjatë vozitjes, vendosni rripin e sigurimit dhe tregoni kujdes ndaj këmbësorëve, respektoni sinjalistikën dhe semaforët”, thuhet në apelin e Policisë.

“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

​Elshani: Mësimi gjithëditor zgjerohet në katër shkolla tjera në Prishtinë

27 August 2026 at 14:57


Mësimi gjithëditor në Prishtinë do të zgjerohet në katër shkolla të tjera të Prishtinës, ndërsa nga 1 shtatori nxënësit do të rikthehen në procesin mësimor në të gjitha shkollat e Kosovës. Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, ka thënë se komuna është e gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai ka bërë të ditur se këtë vit do të zgjerohet edhe mësimi gjithëditor në disa shkolla, ndërsa “Zenel Hajdini” dhe “Asim Vokshi”, të cilat vitin e kaluar kanë funksionuar të bashkuara, do të ndahen sërish dhe nxënësit do të kthehen në shkollat e tyre.

“Sigurisht do të vazhdojmë edhe me implementimin e mësimit gjithëditor, duke u zgjeruar në katër shkolla të reja, të cilat do të jenë Mehmet Gjevori Afrim Gashi, shkolla në Vranidoll, pra do të jenë këto shkolla të cilat do të përfshihen në kuadër të mësimit gjithëditor, edhe njëherësh edhe Asim Vokshi, që janë ndarë tashmë ndryshe prej vitit të kaluar ku këto kanë qenë të fuzionuara, po tentojmë që t'i ndajmë, të implementohet në dy shkolla: edhe në Zenel Hajdini, edhe në shkollën Asim Vokshi. Pra nxënësit të kthehen prapë në vendet e tyre”, ka deklaruar Elshani.

Ai ka thënë se investimet në shkollat ku zbatohet mësimi gjithëditor, do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit për të i furnizuar shkollat që të kenë kushtet për mbajtjen e mësimit tërëditor.

“Investimet në këto shkolla do të jenë pra gjatë gjithë kohës, nuk do të ndalen asnjëherë. Nuk është e thënë që këto punë të mbarojnë vetëm gjatë muajve të të verës. Pra ka edhe çështje të tjera që janë kryesisht investime, furnizime me materiale, që nënkupton me kokëshiltet, me inventarin e ri shkollor dhe me shumëçka tjetër që do të jenë për gjatë gjithë vitit do të investohet në këto shkolla, që nuk ndikojnë asnjëherë në procesin mësimor”, ka thënë ai.

Elshani e ka cilësuar implementimin e mësimit gjithëditor si sfidues, pasi Prishtina është komuna e parë që ka nisur këtë proces dhe nuk ka përvoja të ngjashme nga komunat e tjera.

Ndërkohë, për zgjatjen e orarit të parafillorëve nga dy në katër orë, drejtori i Arsimit ka thënë se ky ndryshim është bërë edhe në bazë të kërkesave të prindërve dhe nevojave të fëmijëve.

“Pra ka qenë një gatishmëri, për të cilën unë i falënderoj të gjithë edukatorët që janë të angazhuar në kuadër të kësaj grupmoshe, pra në parafillorët për 5 dhe 6, për grupmoshat 5 deri në 6. Ka qenë një gatishmëri e tyre për të pranuar një ndryshim të orarit meqenëse ashtu siç kanë punuar gjatë viteve të kaluara ka qenë e vështirë edhe për ata. Mirëpo në anën tjetër ka qenë edhe një kërkesë e prindërve, por edhe e fëmijëve, nxënësve, për të pasur një orar më të gjatë, një orar më të përshtatshëm për prindërit meqë pothuajse secili sot është i angazhuar në punë edhe kanë qenë vështirësi të mëdha që dikush të shkojë në punë në ora 8:00, pastaj të kthehet në shtëpi, ta dërgojë fëmijën në ora 9:00, të qëndrojë fëmija aty deri në ora 11:00, ta marrë prapë edhe ta dërgojë në qendrim ditor. Tash jemi duke mundësuar një orar të plotë 4-orësh ku fëmijët të qëndrojnë në kuadër të mësimit të parafillorëve edhe të nivelit të pasdites”, ka deklaruar Elshani.

Sipas tij, orari katërorësh do t’u mundësojë fëmijëve të kenë më shumë mundësi për aktivitete, socializim dhe përgatitje për klasën e parë.

Viti i ri shkollor në Kosovë nis më 1 shtator. /KP/

LVV dhe AAK përplasen për qeverisjen në Gjakovë, akuza për keqpërdorime dhe kundërpërgjigje "për shpifje"

27 August 2026 at 14:51


Lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë ka akuzuar qeverisjen komunale të drejtuar nga kryetari Ardian Gjini për, siç ka pretenduar, keqpërdorime dhe përfshirje të personave të lidhur me AAK-në në raste të ndryshme që lidhen me pronën komunale, tenderët dhe administratën.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Qendra e LVV-së në Gjakovë e ka cilësuar komunën si institucion ku, sipas saj, "uzurpatorët dhe grupet kriminale kanë hyrë thellë në sistem".

LVV-ja ka përmendur ndër të tjera një rast të raportuar më herët, lidhur me pronë komunale, si dhe raste që i ka cilësuar si manipulime të proceseve të prokurimit.

"Rasti i publikuar ditë më parë në mediumin Kallxo, ku në mënyrë të paprecedentë një ish-drejtor komunal i mundësohet marrja e pronës komunale për ndërtim, me lajthitje institucionale herë si objekt afarist e herë si hotelier, pasuar me manipulime tenderësh për lule e tenderë të manipuluar për rrënime objektesh, bashkë dhe me militantë në zyrat e Komunës të zënë me sasi droge sikur të ishin kartele të botës së tretë, janë vetëm maja e ajsbergut të aferave nën qeverisjen e AAK-së", thuhet në reagimin e LVV-së.

Partia opozitare ka deklaruar se këto raste dhe të tjera i ka ngritur në Kuvendin Komunal dhe përmes konferencave për media, ndërsa ka thënë se disa lëndë i ka dërguar edhe te organet e sigurisë.

"Ndonëse po e përsërisim se këto raste dhe të tjera i kemi denoncuar në vazhdimësi në Kuvendin Komunal, në konferenca për media, madje kemi dërguar edhe lëndë organeve të sigurisë edhe gjatë mandatit të Ardian Gjinit, për çfarë nuk kemi marrë përgjigje adekuate asnjëherë, konsiderojmë se është momenti i fundit që Prokuroria të vihet në alarm dhe t’i hetojë seriozisht këta individë e zyrtarë të një klike të ngushtë klienteliste, të cilët për vite me radhë shkatërruan Gjakovën dhe të ardhmen e saj", thuhet më tej në reagim.



AAK: Pretendimet janë shpifje dhe manipulim

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar dega e AAK-së në Gjakovë, e cila i ka cilësuar pretendimet e LVV-së si "shpifje" dhe "manipulime".

AAK-ja ka thënë se rastet e përmendura nga LVV-ja lidhen me zhvillime të ndodhura vite më parë dhe, sipas saj, jashtë qeverisjes së kryetarit Ardian Gjini.

"Pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje të publikuara sot në një postim të tyre në rrjetet sociale janë të bazuara në zhvillime të ndodhura shumë vite më parë, jashtë qeverisjes së kryetarit Ardian Gjini. Përpjekja e tyre për t’i paraqitur si skandale aktuale është një manipulim i qëllimshëm dhe një tentativë për të ndërtuar narrativa goditëse mbi shpifje dhe sajesa të fabrikuara", thuhet në reagimin e AAK-së.

AAK-ja ka mbrojtur punën e Komunës së Gjakovës, duke deklaruar se institucioni funksionon mbi bazën e transparencës dhe ligjshmërisë.

"Komuna e Gjakovës funksionon mbi bazën e transparencës dhe ligjshmërisë. Kjo është dëshmuar gjatë këtyre viteve, duke u shpallur shumë herë komuna më transparente nga instanca të ndryshme monitoruese", ka deklaruar AAK-ja.

Sipas kësaj partie, proceset tenderuese dhe dhënia e lejeve të ndërtimit kalojnë nëpër kontrolle institucionale, ndërsa çdo keqpërdorim i mundshëm, sipas saj, trajtohet në përputhje me vendimet e institucioneve të drejtësisë.

"Ne e dënojmë fuqishëm çdo veprim joligjor të kujtdo qoftë dhe ndërmarrim masa pas vendimeve të institucioneve të drejtësisë", thuhet në reagim.

AAK-ja ka kritikuar gjithashtu gjuhën e përdorur nga LVV-ja ndaj kryetarit Gjini, duke e cilësuar qasjen e saj si "banditeske dhe obsesive".

"Frika juaj nga Ardian Gjini ju është shndërruar në obsesion dhe e keni të pamundur të mos merreni me të të paktën një herë në ditë", thuhet në reagimin e AAK-së.

Përplasja mes dy subjekteve politike vjen pas akuzave të LVV-së për raste që lidhen me administrimin komunal, ndërsa AAK-ja ka mohuar se këto raste përbëjnë përgjegjësi të qeverisjes aktuale dhe ka thënë se do të vazhdojë punën në bazë të "transparencës, ligjshmërisë dhe përgjegjësisë". /Telegrafi/


​A ka transferuar para në Angli? Deklarohet Përparim Rama

27 August 2026 at 12:45


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar se transferet e parave nga Kosova drejt Mbretërisë së Bashkuar përbëjnë ndonjë parregullsi, duke deklaruar se bëhet fjalë për transaksione ndërmjet llogarive të tij bankare.

Rama është pyetur për këtë çështje një ditë pasi asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë dorëzuar materiale në hetuesi, të cilat, sipas tyre, ua ka përcjellë një sinjalizues anonim.

Sipas pretendimeve të asamblistëve të LVV-së, në materialet e dorëzuara përmenden transfere të shumave të konsiderueshme të parave nga një llogari bankare në Kosovë drejt një llogarie në Britani të Madhe.

Ata kanë pretenduar gjithashtu se lidhur me këto transfere kanë nisur hetime nga autoritetet e Kosovës dhe ato britanike.

I pyetur lidhur me pretendimet, Rama ka thënë se ka llogari bankare në të dyja shtetet dhe se transaksionet janë bërë ndërmjet llogarive të tij.

“Unë kam banka edhe këtu edhe atje, d.m.th. transferet bankare janë totalisht legjitime dhe nuk ka asnjë problem. Janë prej kontos time në konton time”, ka deklaruar Rama.

Pretendimet për transferet janë bërë publike nga drejtuesi i grupit të asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, i cili një ditë më parë tha se në Prokurori kanë dorëzuar materiale të pranuara nga një person që prezantohet si punëtor i Komunës së Prishtinës.

Sveçla tha se materiali lidhet kryesisht me pretendime për legalizime të paligjshme në Komunën e Prishtinës, ndërsa në të, sipas tij, përmenden biznese, zyrtarë dhe shkelje të pretenduara ligjore.

Ai deklaroi se dokumentet përmbajnë edhe pretendime për transfere të shumave të mëdha të parave nga Kosova drejt Anglisë.

Sipas Sveçlës, personi që ka përcjellë materialet ka pretenduar se për këto transfere kanë nisur hetime edhe autoritetet angleze, edhe Prokuroria e Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të materialeve, Sveçla ka pretenduar se disa prej objekteve të legalizuara kanë pasur probleme të ndryshme ligjore, duke përmendur edhe raste kur, sipas tij, objektet janë ndërtuar në pronë publike.

Pretendimet e bëra nga asamblistët e LVV-së janë dorëzuar për hetim, ndërsa Rama i ka cilësuar transferet e përmendura si transaksione të ligjshme ndërmjet llogarive të tij bankare. /Telegrafi/

Ballkani Perëndimor drejt makinave elektrike, hendek në subvencione, infrastrukturë dhe importe

27 August 2026 at 12:02


Makinat elektrike po fitojnë terren në Ballkanin Perëndimor, por ritmi i kalimit drejt tyre ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin, ndërsa qeveritë, importuesit dhe konsumatorët përballen me çmime, politika fiskale dhe infrastrukturë të ndryshme.

Shqipëria po shënon një rritje të fortë të regjistrimeve të automjeteve elektrike. Në Kosovë, importet po shtohen dhe automjetet që vijnë nga Kina dominojnë tregun. Mali i Zi po përdor subvencione për të nxitur blerjet, edhe pse rrjeti i karikimit mbetet i kufizuar.

Në Bosnjë-Hercegovinë, ndërkohë, tregu i makinave plotësisht elektrike mbetet relativisht i vogël, ndërsa kompanitë dhe industria po kërkojnë mundësi që lidhen me elektromobilitetin.

Ndryshimet vijnë ndërsa tregu europian po zhvendoset gradualisht nga motorët tradicionalë. Sipas të dhënave, në tremujorin e parë të vitit 2026 në Bashkimin Europian u regjistruan 546,937 makina të reja plotësisht elektrike, duke arritur një pjesë tregu prej 19.4%. Automjetet hibride kishin 38.6% të tregut, shkruan Monitor.al.

Peshë e ulët e makinave elektrike në Ballkan

Makinat elektrike vijojnë të kenë një peshë shumë të ulët në flotën e automjeteve të pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat më të fundit të Eurostat, për fundin e vitit 2024, tregojnë se në të gjitha vendet e rajonit automjetet elektrike përbëjnë më pak se 1% të totalit të makinave në qarkullim.

Shqipëria ka peshën më të lartë në rajon, me 0.738% të flotës së makinave të pasagjerëve me energji elektrike, por edhe ky nivel mbetet rreth tre herë më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 2.219%.

Pas Shqipërisë renditen Maqedonia e Veriut me 0.260%, Mali i Zi me 0.232% dhe Serbia me vetëm 0.107%. Në Bosnjë-Hercegovinë pesha e makinave elektrike ishte 0.047%, ndërsa për Kosovën e dhëna e fundit e disponueshme është e vitit 2021 dhe rezulton vetëm 0.017%.

Në Europën Qendrore dhe Jugore, hendeku është më i vogël. Gjermania ka një peshë prej 3.35%, Franca 2.85% dhe Portugalia 2.69%. Italia, me 0.676%, mbetet madje pak poshtë Shqipërisë, ndërsa Greqia është në 0.298%. Spanja, me 0.780%, është vetëm pak mbi Shqipërinë.

Diferenca me vendet kryesuese është shumë e madhe: në Norvegji pesha e makinave elektrike është 27% e totalit, ose rreth 37 herë më e lartë se në Shqipëri, ndërsa në Danimarkë (12.1%) dhe Islandë (12%) rreth 16 herë më e lartë. (shiko grafikun në fund).

Shqipëria

Tregu shqiptar po regjistron një rritje të shpejtë të makinave plotësisht elektrike.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, në Shqipëri u regjistruan për herë të parë 5,714 automjete All-Electric, një rritje prej 182% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Rritja po shoqërohet edhe me një ndryshim të përbërjes së tregut të makinave të reja. Sipas DPSHTRR-së, automjetet elektrike, hibride dhe plug-in hibride përbënin 73.1% të autoveturave me zero kilometra të regjistruara gjatë periudhës janar-qershor 2026.

Mjetet elektrike përbënin rreth 11% të regjistrimeve për herë të parë në gjashtë muajt e parë të vitit.

Në fund të qershorit, Regjistri Kombëtar Shqiptar numëronte rreth 1.1 milion mjete aktive në total. DPSHTRR publikon si të dhënat mbi regjistrimet e reja, ashtu edhe të dhënat mbi flotën aktive, të përditësuara më 30 qershor 2026.

Bosnjë-Hercegovina

Në Bosnjë-Hercegovinë, makinat plotësisht elektrike vazhdojnë të zënë një pjesë të kufizuar të tregut. Gjatë vitit 2025, tregu automobilistik u karakterizua nga hyrja dhe zgjerimi i markave të reja, veçanërisht atyre kineze, si dhe nga një ofertë më e madhe e automjeteve hibride dhe plug-in hibride.

Çmimet e larta, fuqia e kufizuar blerëse dhe infrastruktura e pamjaftueshme e karikimit përmenden ndër arsyet kryesore të zhvillimit më të ngadaltë të tregut të makinave elektrike. Në të njëjtën kohë, tregu vazhdon të dominohet nga automjetet e përdorura të importuara, ndërsa hibridet plug-in po shihen gjithnjë e më shumë si një zgjidhje praktike kalimtare për një numër të madh drejtuesish.

Anela Karahasan, eksperte e lartë për industrinë dhe shërbimet në Dhomën e Ekonomisë të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe sekretare e Shoqatës për Elektromobilitetin, thotë se elektromobiliteti tashmë është pjesë e transformimit të sistemit modern të transportit.

“Sot mund të themi me siguri se elektromobiliteti nuk është më e ardhmja apo një eksperiment i entuziastëve – ai është bërë një realitet strukturor i sistemit modern të transportit. Megjithatë, dinamika e zhvillimit ka ndryshuar ndjeshëm. Nuk po flasim më vetëm për një mënyrë alternative transporti, por për transformimin e të gjithë sistemit energjetik dhe të transportit,” tha Karahasan.

Sipas saj, makinat elektrike tashmë janë pjesë e një koncepti më të gjerë që përfshin qytetet inteligjente, tranzicionin e gjelbër dhe pavarësinë energjetike. Zhvillimi i elektromobilitetit, thotë ajo, duhet të shoqërohet me investime më të shpejta në infrastrukturën e karikimit, dixhitalizimin e transportit dhe integrimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Karahasan veçon gjithashtu përparimin në teknologjinë e baterive, ku prodhuesit po punojnë për të rritur autonominë e automjeteve, për të shkurtuar kohën e karikimit dhe për të ulur kostot.

“Sot, makinat elektrike arrijnë një autonomi mesatare prej 450 deri në 600 kilometra, ndërsa falë arkitekturës së baterive 800 volt, ato mund të karikohen nga 10% në 80% për vetëm 15 deri në 20 minuta – praktikisht gjatë një pushimi për kafe,” tha ajo.

Në Europë, sipas Karahasan, fokusi nuk është më vetëm te automjeti, por te krijimi i një ekosistemi të qëndrueshëm, që përfshin prodhimin e baterive, riciklimin e lëndëve të para, zhvillimin e zinxhirëve lokalë të vlerës dhe ekonominë qarkulluese. Synimi është ulja e çmimeve të makinave elektrike dhe rritja e aksesit të tyre për një numër më të madh qytetarësh.

Duke iu referuar të dhënave për tremujorin e parë të vitit 2026, ajo tha se në Bashkimin Europian u regjistruan 546,937 automjete të reja elektrike me bateri, duke arritur një pjesë tregu prej 19.4%. Makinat hibride arritën ndërkohë në 38.6% të tregut.

Regjistrimet e makinave me benzinë ranë me 18.2%, ndërsa pjesa e përbashkët e makinave me benzinë dhe naftë ra në 30.3%, nga 38.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Karahasan e konsideron infrastrukturën një nga elementët kryesorë për zhvillimin e mëtejshëm të tregut.

“Çelësi për zhvillimin e elektromobilitetit mbetet infrastruktura – zhvillimi i rrjeteve të karikimit, menaxhimi inteligjent i karikimit dhe teknologjitë e karikimit pa kabllo,” tha ajo.

Sipas saj, vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe karikimit dydrejtimësh, që lejon makinën të përdoret si burim energjie për një familje, biznes apo pajisje elektrike.

“Sigurisht, sfidat vazhdojnë të ekzistojnë dhe ndryshojnë nga një treg në tjetrin – nga kuadri rregullator dhe infrastruktura te çmimet e automjeteve dhe disponueshmëria e teknologjisë. Megjithatë, drejtimi i zhvillimit është i pandalshëm,” tha Karahasan.

Në vitet e fundit, Bosnjë-Hercegovina ka bërë hapa drejt zhvillimit më sistematik të industrisë automobilistike. Sipas Karahasan, zhvendosja e industrisë globale drejt makinave elektrike mund të krijojë mundësi të reja edhe për ekonominë e vendit.

“Ndryshe nga shumë vende të Bashkimit Europian, Bosnjë-Hercegovina fatkeqësisht ende nuk i ndjek tendencat e zhvillimit të elektromobilitetit me të njëjtin ritëm dhe në të njëjtën shkallë, por nuk mund të themi se ai mungon apo se nuk është bërë përparim,” tha ajo.

Sipas Karahasan, është veçanërisht inkurajuese që kompanitë po i njohin gjithnjë e më shumë përfitimet e makinave elektrike përmes kostove më të ulëta operative, standardeve ESG dhe reduktimit të emetimeve të CO₂.

Tradita industriale e Bosnjë-Hercegovinës, pozicioni gjeografik, fuqia punëtore e kualifikuar dhe kostot konkurruese të prodhimit përbëjnë, sipas saj, potencial për të tërhequr investime në elektromobilitet dhe industri të lidhura me të.

“Në këtë kontekst, elektromobiliteti përfaqëson një mundësi të rëndësishme biznesi për Bosnjë-Hercegovinën, e cila tashmë, edhe pse në mënyrë modeste, po njihet përmes iniciativave dhe projekteve të para vendase,” tha Karahasan.

Ajo përmend zhvillimin dhe prodhimin e automjetit të parë elektrik vendas për transport mallrash dhe biçikletës elektrike, prezantimin e prototipit të skuterit të parë elektrik boshnjak, si dhe prodhimin lokal të karikuesve për automjetet elektrike. Vendi po kërkon gjithashtu mundësi në prodhimin e komponentëve, sistemet e baterive, infrastrukturën energjetike dhe zgjidhjet software që lidhen me mobilitetin.

Përveç prodhimit, sipas saj, po zhvillohen edhe modele të reja biznesi, nga sistemet car-sharing te menaxhimi inteligjent i karikimit dhe infrastruktura për makinat elektrike.

“Elektromobiliteti nuk përfshin vetëm automjetet, por zhvillimin e një ekosistemi të tërë – nga energjia dhe dixhitalizimi te arsimi, kërkimi dhe zhvillimi i teknologjive të reja,” tha Karahasan.

“Pikërisht për këtë arsye, Bosnjë-Hercegovina ka një mundësi të pozicionohet si partnere rajonale në zinxhirët e furnizimit dhe në zhvillimin e mobilitetit të qëndrueshëm,” përfundoi ajo.

Mali i Zi

Numri i automjeteve elektrike dhe hibride po rritet edhe në Malin e Zi. Sipas të dhënave të MONSTAT, vendi kishte 326,711 automjete të regjistruara në vitin 2025, 6.5% më shumë se 306,680 një vit më parë.

Në vitin 2023, në Malin e Zi ishin regjistruar 552 automjete elektrike dhe 1,232 hibride. Numri i makinave elektrike u rrit me afro 30% gjatë vitit 2024.

Qeveria po përdor subvencionet për të nxitur zgjerimin e tregut. Fondi shtetëror Eco Fund rriti mbështetjen për blerjen e makinave elektrike deri në 7,500 euro, ndërsa automjetet hibride dhe plug-in hibride mund të përfitojnë subvencione deri në 4,000 euro.

Gjithsesi infrastruktura mbetet një problem. Përfaqësues të sektorit thonë se Mali i Zi ende nuk ka një rrjet të zhvilluar të karikimit, ndërsa çmimi i makinave të reja elektrike mbetet i lartë për një pjesë të konsumatorëve.

Importuesit kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e shpërndarjes së subvencioneve. Një prej tyre, i cituar në kushte anonimiteti, kërkon që mbështetja të zgjerohet edhe për automjetet e përdorura hibride dhe elektrike deri në një moshë të caktuar.

Kosova

Në Kosovë, importet e makinave elektrike janë rritur ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në vitin 2022 u importuan 150 makina elektrike. Numri u rrit në 350 në vitin 2023, në 550 në 2024 dhe në 590 në vitin 2025. Vetëm gjatë janarit dhe shkurtit 2026 u importuan edhe 109 automjete elektrike.

Në vlerë monetare, importet e dy muajve të parë të vitit arritën në rreth 1.7 milionë euro.

Vlera e importeve të makinave elektrike ishte 5.6 milionë euro në 2022, 11.7 milionë euro në 2023, 10.8 milionë euro në 2024 dhe 11 milionë euro në 2025, sipas të dhënave doganore.

Kina është burimi kryesor i automjeteve elektrike që hyjnë në Kosovë. Në janar dhe shkurt 2026, 75% e tyre u importuan nga Kina, krahasuar me 73% gjatë gjithë vitit 2025.

Përfaqësues të Toyota-s në Kosovë kanë vlerësuar se industria automobilistike e vendit do të përballet me sfida gjatë tranzicionit drejt elektrifikimit. Sipas kompanisë, politikat aktuale fiskale nuk e mbështesin mjaftueshëm procesin krahasuar me praktikat e përdorura në Bashkimin Europian, ku automjetet me emetime më të ulëta përfitojnë shpesh stimuj.

Serbia prodhon, por nuk i përdor

Në Serbi, përdorimi i makinave elektrike mbetet ende shumë i ulët, edhe pse vendi po përpiqet të zhvillojë njëkohësisht prodhimin, infrastrukturën dhe subvencionet për elektromobilitetin. Sipas Eurostat, në fund të vitit 2024 makinat elektrike përbënin vetëm 0.107% të flotës së autoveturave, një nga nivelet më të ulëta në rajon.

Sipas Forbes Serbia, gjatë vitit 2026 në vend numëroheshin rreth 7,200 automjete elektrike, ndërsa rrjeti publik kishte rreth 230 pika karikimi. Autoritetet po përgatisin edhe një kuadër të ri ligjor për zgjerimin e infrastrukturës së karikimit dhe karburanteve alternative.

Sipas Biznis.rs, qeveria serbe ka vijuar subvencionet për blerjen e automjeteve elektrike, me një fond prej 170 milionë dinarësh për vitin 2026 dhe mbështetje deri në 5,000 euro për automjet.

Ndërkohë, sipas eKapija, Serbia po forcon rolin si bazë prodhuese për automjetet elektrike. Fabrika e Stellantis në Kragujevac prodhon Fiat Grande Panda elektrike, krahas versioneve hibride dhe modeleve të tjera elektrike. Kjo krijon një kontrast të fortë: Serbia po prodhon automjete elektrike për tregun europian, ndërsa përdorimi i tyre në tregun vendas mbetet ende minimal. /Monitor.al/

Rama pas takimit me Lladrovcin e Ahmetin: Komunat duhet ta menaxhojnë vetë pastrimin e zonave të tyre

27 August 2026 at 11:57


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka propozuar që menaxhimi i pastrimit të qyteteve dhe mbeturinave të organizohet në bazë të komunave dhe regjioneve.

Rama e ka bërë këtë propozim pas takimit me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti, takim i cili ishte thirrur për të diskutuar situatën me pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave.

Sipas Ramës, modeli ku secila komunë do të kishte ekipin e saj dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pastrimin e territorit do të ishte zgjidhja më e përshtatshme për menaxhimin e këtij shërbimi.

“Mënyra më e mirë për secilin qytet është që pastrimi të krijohet në bazë të regjioneve, në bazë të komunave, secila komunë ta ketë ekipin e vet, të jetë përgjegjëse 100% për ekipin e vet dhe të jetë përgjegjëse për pastrimin e zonave të veta. Këto janë ato për të cilat diskutuam dhe për të cilat jemi në një vijë, pra 100%”, ka thënë Rama.

Takimi kishte në fokus sfidat aktuale në menaxhimin e mbeturinave, koordinimin ndërmjet komunave dhe mundësitë për bashkëpunim për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit.

Rama nuk ka dhënë më shumë detaje rreth mënyrës se si do të funksiononte konkretisht ky model dhe nëse do të nënkuptonte ndryshime në organizimin aktual të kompanive rajonale të pastrimit.

Në këtë takim morën pjesë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

Ndërkaq, kryetari i Podujevës, kryetari i Fushë Kosovës dhe kryetari i Obiliqit munguan në takim, pasi nuk iu përgjigjën ftesës së Ramës. /Telegrafi/

Pyetësori i Telegrafit: Diaspora mes dëshirës për kthim dhe investimit - mbi gjysma planifikojnë të kthehen në Kosovë

27 August 2026 at 09:26


Diaspora e Kosovës vazhdon të ruajë interesim të madh për zhvillimet në vend, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e saj shpreh gatishmëri për t’u kthyer dhe investuar.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore të një pyetësori të realizuar nga Telegrafi, përmes të cilit janë analizuar planet e tyre për kthim, interesimi për investime, punësimi, përmbajtjet që duan të shohin në mediat kosovare dhe ndryshimet që i konsiderojnë të nevojshme në Kosovë.

Planifikimi për t’u kthyer

Rezultatet tregojnë se 52.25 për qind e pjesëmarrësve planifikojnë të kthehen në Kosovë, megjithëse për shumicën kthimi mbetet një synim afatgjatë.

Nga 446 të anketuar, 203 persona apo 45.52 për qind kanë deklaruar se planifikojnë të kthehen, por në një të ardhme më të largët. Vetëm 30 persona, përkatësisht 6.73 për qind, synojnë të kthehen brenda vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, 111 persona apo 24.89 për qind ende nuk kanë vendosur, kurse 102 të anketuar, ose 22.87 për qind, kanë thënë se nuk planifikojnë të kthehen.

Nëse përfshihen edhe personat që nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar, 77.13 për qind e pjesëmarrësve nuk e përjashtojnë mundësinë e kthimit në Kosovë.

Rreth 66 për qind planifikojnë të investojnë në Kosovë

Gatishmëria për investime rezulton më e lartë se gatishmëria për kthim.

Gjithsej 294 persona, ose 65.92 për qind e të anketuarve, kanë deklaruar se planifikojnë të investojnë në Kosovë në forma të ndryshme. Megjithatë, pjesa më e madhe e interesimit është e orientuar drejt patundshmërive.

Në këtë kategori, 156 persona apo 34.98 për qind kanë zgjedhur investimet në shtëpi, banesa ose tokë për përdorim personal dhe familjar.

Hapjen ose zgjerimin e një biznesi privat e kanë përzgjedhur 92 persona, përkatësisht 20.63 për qind e pjesëmarrësve. Për investime në bujqësi janë deklaruar 24 persona apo 5.38 për qind, ndërsa 22 persona, ose 4.93 për qind, janë të interesuar për letra me vlerë, depozita dhe fonde investimi.

Në anën tjetër, 152 persona apo 34.08 për qind kanë deklaruar se nuk planifikojnë të investojnë në Kosovë.

Të dhënat tregojnë se ekziston një potencial i konsiderueshëm financiar në diasporë, por investimet vazhdojnë të orientohen më shumë drejt sigurimit të pronës sesa drejt veprimtarive prodhuese ose instrumenteve financiare.

Këtë potencial e përforcon edhe niveli i lartë i punësimit: 401 nga 446 pjesëmarrësit, apo 89.91 për qind, kanë deklaruar se janë të punësuar.

telegrafi.com


Diaspora kërkon më shumë kulturë, tradita dhe lajme ekonomike

Pyetësori ka analizuar edhe llojin e përmbajtjeve që diaspora dëshiron të shohë më shumë në mediat e Kosovës.

Përmbajtjet kulturore dhe traditat janë përzgjedhur nga 248 persona, ose 55.61 për qind e pjesëmarrësve. Menjëherë pas tyre renditen lajmet për ekonominë, biznesin dhe investimet, të zgjedhura nga 237 persona apo 53.14 për qind.

Për historitë e suksesit të diasporës janë shprehur të interesuar 138 persona, ose 30.94 për qind, ndërsa 136 persona apo 30.49 për qind duan më shumë përmbajtje sportive.

Informacionet praktike për dokumente, konsullata dhe procedura administrative janë përzgjedhur nga 111 persona, ose 24.89 për qind. Analizat politike dhe shoqërore janë kërkuar nga 98 persona apo 21.97 për qind, ndërsa videot dhe podkastet nga 49 persona, përkatësisht 10.99 për qind.

Në këtë pyetje, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të zgjedhin më shumë se një kategori, prandaj përqindjet nuk përbëjnë një total prej 100 për qind.

Rezultatet sugjerojnë se diaspora dëshiron përmbajtje që e mban të lidhur me identitetin, kulturën dhe traditat e Kosovës, por njëkohësisht kërkon informacion konkret për mundësitë ekonomike dhe investuese.

Politika, drejtësia dhe ekonomia – fushat ku kërkohen ndryshime

Në pyetjen e hapur se çfarë do të ndryshonin në Kosovë, janë përgjigjur 343 persona, ose 76.91 për qind e pjesëmarrësve.

Për shkak se secili ka pasur mundësi të përgjigjet me fjalët e veta, janë regjistruar mbi 300 formulime të ndryshme. Megjithatë, disa tema janë përsëritur më shpesh.

Pjesëmarrësit kanë përmendur politikën dhe klasën politike, funksionimin e institucioneve, drejtësinë, prokurorinë, korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Kritika dhe kërkesa për ndryshime janë shprehur edhe për shëndetësinë, arsimin, ekonominë, pagat dhe krijimin e vendeve të punës.

Në përgjigje janë përmendur gjithashtu mentaliteti shoqëror, raportet ndërmjet qytetarëve, pastërtia, infrastruktura, planifikimi urban, mbështetja për prodhimin vendor dhe trajtimi i diasporës nga institucionet dhe shoqëria në Kosovë.

Shumica e pjesëmarrësve jetojnë në Gjermani dhe Zvicër

Nga 446 pjesëmarrësit, 172 apo 38.57 për qind jetojnë në Gjermani, ndërsa 101 persona ose 22.65 për qind në Zvicër. Së bashku, këto dy vende përfaqësojnë 61.21 për qind të të gjithë të anketuarve.

Pas tyre renditen Suedia me 33 pjesëmarrës, Austria me 25, Finlanda me 17, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 15 dhe Norvegjia me 14.

Sa i përket moshës, grupi më i madh përbëhet nga personat mbi 46 vjeç, me 181 pjesëmarrës apo 40.58 për qind. Grupmosha 26–36 vjeç përfaqësohet me 132 persona, ndërsa ajo 37–45 vjeç me 115 persona.

Vetëm 18 pjesëmarrës, ose 4.04 për qind, i përkasin grupmoshës 18–25 vjeç.

Në aspektin gjinor, 414 pjesëmarrës apo 92.83 për qind janë burra, 26 apo 5.83 për qind janë gra, ndërsa gjashtë persona nuk kanë dashur të deklarohen.

Për shkak të këtij përfaqësimi të pabarabartë gjinor dhe dominimit të pjesëmarrësve nga Gjermania dhe Zvicra, rezultatet duhet të lexohen si qëndrime të personave që kanë marrë pjesë në pyetësor dhe jo si përfaqësim statistikor i të gjithë diasporës së Kosovës.

Në përgjithësi, të gjeturat tregojnë se diaspora mbetet e lidhur me Kosovën dhe shfaq interesim të madh për të kontribuar financiarisht.

Por kthimi i përhershëm shihet kryesisht si një mundësi afatgjatë, ndërsa pakënaqësitë me politikën, institucionet dhe kushtet ekonomike vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si pjesëtarët e diasporës e shohin të ardhmen e tyre në vend. /Telegrafi/

❌