Dy persona janë arrestuar pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje që kishin me një person tjetër dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht atë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 18:00 në fshatin Druarë të Vushtrisë.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje që kishin me viktimën mashkull kosovar, të njëjtit dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht atë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka publikuar raportin e monitorimit të mediave audio-vizuale gjatë fushatës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025.
KPM ka identifikuar një sërë shkeljesh gjatë monitorimit të mediave në fushatën zgjedhore, por për shkak të mungesës së kuorumit në Komision, këto gjetje nuk janë shoqëruar me vendime apo sanksione.
Në “Përballje Podcast”, Niman Racaj, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së, ka sqaruar se roli i institucionit gjatë procesit zgjedhor ka qenë monitorimi i mediave dhe zbatimi i Ligjit për Zgjedhjet dhe rregulloret përkatëse.
“KPM-ja ka përcjellë të gjitha mediat që kanë mbuluar fushatën zgjedhore dhe ka monitoruar trajtimin e barabartë dhe të drejtë të subjekteve politike, komunikimet politike dhe komerciale, si dhe respektimin e heshtjes zgjedhore”, ka deklaruar Racaj, shkruan Telegrafi.
Shkelje të përsëritura, mosidentifikim i reklamimit politik
Sipas Racajt, gjetjet e raportit tregojnë se problemet mbeten të njëjta nga zgjedhjet në zgjedhje, veçanërisht në aspektin e transparencës së reklamimit politik. Shkeljet më të zakonshme janë, sipas tij: mosidentifikimi i duhur i reklamimit politik, përdorimi i fëmijëve në spote politike, sponsorizimi i emisioneve politike, reklamimi me ekran të ndarë dhe vendosja e produkteve në emisionet e çështjeve aktuale, si dhe mosrespektimi i periudhës së heshtjes zgjedhore.
“Vazhdojmë të kemi mosidentifikimin e duhur të spoteve politike. Nuk tregohet se kush qëndron prapa spotit politik dhe kush është sponsorizuesi i përmbajtjes, edhe pse këto janë kërkesa minimale ligjore”, ka theksuar ai.
Ai ka shtuar se shumica e shkeljeve kanë qenë të natyrës teknike, por një çështje më problematike mbetet përdorimi i fëmijëve në aktivitetet politike.
“Përdorimi i fëmijëve për përçimin e mesazheve politike është i ndaluar, sepse ata janë nën moshën madhore dhe nuk janë të vetëdijshëm për ekspozimin që kanë ndaj mesazheve politike”, ka deklaruar Racaj.
Niman Racaj nga KPM me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova
Pa ankesa zyrtare gjatë zgjedhjeve
Një element i veçantë i këtyre zgjedhjeve, sipas KPM-së, ka qenë mungesa e ankesave formale.
“Në zgjedhjet e fundit nuk kemi pasur asnjë ankesë. Kjo për ne është tregues se mediat kanë qenë në pajtim me obligimet ligjore”, ka thënë Racaj, duke sqaruar se mungesa e ankesave nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesë absolute të problemeve.
Ai ka theksuar se barazia në mbulim nuk mund të kuptohet në kuptim matematikor, pasi prezenca mediatike varet nga aktiviteti politik i subjekteve.
“Është e pamundshme të krijohet barazi matematikore. Subjektet me më shumë aktivitete politike, logjikisht, kanë edhe më shumë hapësirë mediatike”, ka theksuar ai.
Puna e Zyrës Ekzekutive pa vendime përfundimtare
Racaj ka sqaruar se Zyra Ekzekutive e KPM-së ka funksionuar gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke komunikuar me mediat për përmirësimin e shkeljeve të identifikuara.
“Logjika e punës së KPM-së është që përmes komunikimit t’i sjellë mediat në pajtueshmëri, e jo domosdoshmërisht përmes sanksionimit”, ka thënë ai.
Megjithatë, mungesa e një Komisioni funksional ka pamundësuar nxjerrjen e vendimeve përfundimtare.
“Është mëkat që nuk kemi pasur një Komision funksional për ta materializuar punën e Zyrës Ekzekutive dhe për të nxjerrë vendime mbi të gjeturat”, ka deklaruar Racaj, duke përmendur se raporti përfundimtar përfshin mbi 100 faqe analizë.
Inteligjenca artificiale dhe përgjegjësia editoriale
Duke folur për inteligjencën artificiale dhe ndikimin e saj në media, Racaj ka theksuar se transparenca duhet të jetë parimi udhëheqës i çdo rregullimi në këtë fushë.
“Çdo përmbajtje e prodhuar me inteligjencë artificiale duhet të jetë transparente dhe të tregohet qartë që është e tillë, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion te publiku”, ka deklaruar ai.
Niman Racaj nga KPMFoto:Ridvan Slivova
Ai ka nënvizuar se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore dhe editoriale.
“Inteligjenca artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë. Përgjegjësia bie mbi atë që e publikon përmbajtjen”, ka shtuar Racaj.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar edhe nevojën urgjente për edukim medial në Kosovë.
“Edukimi medial është bërë shumë më i domosdoshëm, sidomos me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë dhe platformave të reja”, ka përfunduar Racaj. /Telegrafi/
Dy persona janë arrestuar (një grua dhe një burrë), pasi që të njëjtit në cilësinë e dëshmitarëve kanë tentuar t’i mundësojnë personit të tretë pajisjen kundërligjshëm me dokumente identifikuese.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 14:00, në Prizren.
Tutje bëhet e ditur se në cilësinë e provave materiale, janë konfiskuar dy letërnjoftima të RKS-së të dyshuar si të falsifikuar, një letërnjoftim i Kroacisë i dyshuar si i falsifikuar, dhe një telefon.
“Janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër kosovare, pasi që të njëjtit në cilësinë e dëshmitarëve kanë tentuar ti mundësojnë personit të tretë pajisjen kundërligjshëm me dokumente identifikuese. Në cilësinë e provave materiale, janë konfiskuar dy letërnjoftim të RKS-së të dyshuar si të falsifikuar, një letërnjoftim i Kroacisë i dyshuar si i falsifikuar, dhe një telefon. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Manchester United po përgatit një rindërtim të thellë të skuadrës për sezonin e ardhshëm me synimin e qartë për të rikthyer titullin e Ligës Premier në Old Trafford.
Vera pritet të sjellë një revolucion të plotë, i mbështetur nga një plan financiar që arrin deri në 200 milionë euro.
Drejtuesit e klubit kërkojnë të ndërtojnë një ekip konkurrues që mund të sfidojë dominimin e Manchester City dhe Liverpool.
Në këtë kontekst, Michael Carrick shihet si një figurë kyçe pas paraqitjeve pozitive në rolin e trajnerit.
Strategjia e re e klubit bazohet në investimin te talentet e rinj britanikë, me qëllim rikthimin e identitetit tradicional të Manchester United.
Emra si Elliot Anderson, Lewis Hall dhe Alex Scott janë në krye të listës së objektivave për afatin kalimtar veror.
Klubi beson se afrimi i hershëm i këtyre lojtarëve do të shmangë rritjen e çmimeve në vitet në vijim.
Ky orientim shihet si themeli i një projekti afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Mesfusha konsiderohet prioritet absolut, veçanërisht për shkak të largimit të pritshëm të Casemiro në fund të kontratës së tij.
Elliot Anderson shihet si pasardhësi ideal dhe partneri i duhur për Kobbie Mainoo, falë energjisë dhe inteligjencës taktike.
Ndërkohë, Alex Scott ofron fleksibilitet të madh, duke qenë i aftë të luajë në disa role në mesfushë.
United synon ta forcojë këtë repart për të dominuar ndeshjet me intensitet të lartë.
Në mbrojtje, krahu i majtë mbetet një problem i vazhdueshëm për shkak të dëmtimeve të shpeshta, Lewis Hall është identifikuar si zgjidhja ideale, duke sjellë freski fizike dhe stabilitet.
Afrimi i tij do t’i lejonte Patrick Dorgu të avancojë më shumë në fazën ofensive, ndërsa konkurrenca me Luke Shaw do të rrisë nivelin e përgjithshëm.
Me këtë projekt ambicioz dhe investim të madh, Man Utd synon t’i japë fund një dekade pasigurie dhe të rikthehet në majën e futbollit anglez. /Telegrafi/
Trafiku në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë të lagështa. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar, njofton LAMM. Në pikat kufitare në anën e RMV-së, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon shpejtësi të rregulluar, duke respektuar sinjalistikën e vendosur të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë - Veles, Mavrovë - Dibër - Strugë, Vinicë - Berovë dhe Koçan - Dellçevë.
Nga 15.11.2025, filloi detyrimi ligjor për posedim të detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht nga kushtet aktuale të motit. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15.03.2026.
Nëna e këngëtares së njohur shqiptare, Beatrix Ramosaj, është diagnostikuar me kancer dhe ka nisur tashmë trajtimin mjekësor.
Artistja e ka ndarë këtë moment të ndjeshëm me ndjekësit përmes një postimi prekës në InstaStory, ku ka shprehur forcën, dashurinë dhe mirënjohjen e saj.
“Nuk jam aty për të ta mbajtur dorën tani, por po të mbaj me gjithë zemrën time, mami. Çdo frymëmarrje, çdo minutë", shkruan Beatrix.
Foto: Instagram
Ajo bën të ditur se një tjetër hap i rëndësishëm i trajtimit është përfunduar me sukses, duke shprehur krenarinë për forcën e së ëmës.
“Një tjetër hap i madh u përfundua sot. Jam kaq krenare për forcën tënde, mama. Çdo ditë një hap më afër".
Këngëtarja falënderon gjithashtu të gjithë ata që po i qëndrojnë pranë familjes në këtë periudhë të vështirë:“Mirënjohëse për çdo mesazh, çdo lutje, çdo fjalë të mirë. Faleminderit që na rrethoni me kaq shumë dritë".
Në fund, kërkon mirëkuptim për mungesën e përgjigjeve personale, duke theksuar se mbështetja e publikut është shumë e rëndësishme për të.
Tre persona nën kërcënimin e armëve u kanë grabitur para në vlerë prej 40 euro dy viktimave (një mashkull dhe një femër).
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 01:00 në rrugën “Duran Rada”, në Prizren.
Tutje bëhet e ditur se viktima nuk kanë lëndime, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet.
“Është raportuar se tre të dyshuar nën kërcënimin e armëve u kanë grabitur para në vlerë prej 40 euro dy viktimave (një mashkulli dhe një femre kosovare). Viktimat nuk kanë lëndime, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
I frustruar nga këmbëngulja e saj për të bërë pyetje në lidhje me Jeffrey Epstein gjatë një ngjarjeje në Zyrën Ovale, Donald Trump ka pasur një “përplasje” me korrespondenten e CNN-së, Kaitlan Collins.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, shkëmbimi filloi me Collins duke theksuar përpjekjen e Trump për t'i paraqitur zbulimet në grupin e fundit të dosjeve të Epstein si “dënuese vetëm për Demokratët” duke theksuar se ato gjithashtu zbuluan se Epstein kishte lidhje të ngushta me dy nga aleatët e tij, Elon Musk dhe Howard Lutnick, sekretarin e tij të tregtisë.
Presidenti më pas sugjeroi se kishte "një komplot kundër meje".
Dhe kur Trump u përpoq ta përfundonte shkëmbimin duke përsëritur, "Mendoj se është koha, tani, që vendi ndoshta të kalojë në diçka tjetër", Collins pyeti: "Por çfarë do t'u thoshit njerëzve që mendojnë se nuk kanë marrë drejtësi, Z. President?".
"Çfarë thatë?", u kundërpërgjigj Trump i irrituar.
Pastaj ai nisi një sulm personal ndaj Collins, një ish-reportere për gazetën konservatore Daily Caller, ndaj së cilës ai ka shprehur vazhdimisht zemërim gjatë të dy mandateve të tij në detyrë, shkruan The Guardian.
"Çfarë do t'u thoshte njerëzve, të mbijetuarve që mendojnë se nuk kanë marrë drejtësi?", pyeti Collins.
"E dini, ju jeni reporterja më e keqe", tha Trump me përbuzje. "E dini, ajo është një grua e re", theksoi Trump para ligjvënësve republikanë të rreshtuar rreth tavolinës së tij. "Nuk mendoj se ju kam parë ndonjëherë të buzëqeshni", tha ai, duke u kthyer përsëri nga Collins.
"Të njoh prej dhjetë vjetësh. Nuk mendoj se kam parë ndonjëherë një buzëqeshje në fytyrën tuaj", shtoi Trump.
"Epo", ndërhyri Collins, "po ju pyes për të mbijetuarit e abuzimit të Jeffrey Epstein, Z. President".
Duke injoruar përgjigjen e saj, Trump vazhdoi të ankohej: "E dini pse nuk po buzëqeshni? Sepse e dini që nuk po thoni të vërtetën...". /Telegrafi/
Tregu evropian i transferimeve po përgatitet për një ndryshim sizmik që përfshin dy nga fuqitë më të mëdha të kontinentit. Paris Saint-Germain i ka vënë syrin Alexis Mac Allisterit për të përforcuar skuadrën verën e ardhshme.
Klubi francez është në kërkim të një zëvendësuesi të besueshëm pas largimit të mundshëm të Fabian Ruiz nga skuadra parisiene. Pasi fitoi gjashtë tituj, Luis Enrique dëshiron të injektojë më shumë kreativitet dhe kontroll të topit në sistemin e tij të mesfushës.
Mac Allister, fitues i Kupës së Botës, duket se është zgjedhja perfekte për formacionin aktual titullar. Drejtuesit nga Katari e shohin argjentinasin si plotësuesin ideal për të mbështetur dyshen Vitinha dhe Joao Neves. Ndërkohë, Liverpool duhet të balancojë bilancet e veta pas një viti shpenzimesh të tepruara në tregun anglez të transferimeve.
Interesi i PSG-së nuk është rastësi, por më tepër një përgjigje taktike ndaj nevojave të një trajneri jashtëzakonisht kërkues. Enrique vlerëson shkathtësinë e mesfushorit argjentinas në zënien e roleve të ndryshme brenda qendrës së fushës.
Edhe pse performancat e tij në Anfield kanë qenë të paqëndrueshme këtë sezon, askush nuk e ka harruar rolin e tij vendimtar në Ligën Premier sezonin e kaluar. Për Liverpoolin, rikthimi i numrit 10 në formën e tij më të mirë është një sfidë emocionuese dhe e nevojshme.
PSG synon të përfitojë nga pasiguria që rrethon pozicionin menaxherial të Reds për të joshur mesfushorin argjentinas. Perspektiva e të luajturit nën drejtimin e trajnerit asturian është një tërheqje e rëndësishme për Mac Allister.
Hapja e Liverpoolit dhe vlera e Alexis Mac Allister
Nga Anfield, qëndrimi është pragmatik: klubi anglez duhet të shesë lojtarë pasi ka investuar shumë në emra si Florian Wirtz. Balancimi i bilanceve financiare pas mbërritjes së Alexander Isak, Hugo Ekitike dhe Jeremie Frimpong e detyrojnë bordin britanik të bëjë shitje të vështira.
Vlerësohet se transferimi i Mac Allister mund të përfundojë për një tarifë afër 80 milionë eurosh. Kjo shumë do të përfaqësonte pothuajse dyfishin e asaj që Liverpooli pagoi për shërbimet e tij në verën e vitit 2023.
PSG është një nga klubet e pakta me burimet financiare për të ndërmarrë një transferim të kësaj madhësie. Për më tepër, largimi i argjentinasit do t'i lejonte klubit anglez të ndjekë më në fund nënshkrimin e lojtarit të ri premtues Adam Wharton. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.
Sipas njoftimit, autorizimi i parë për fillimin e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.
Ndërkohë, veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.
Nga dita e sotme ka nisur procesi i intervistimit të komisionarëve, lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Ky proces, sipas Prokurorisë, ka për qëllim sqarimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.
Prokuroria Themelore në Pejë bën të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Po ashtu, është bërë e ditur se Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik për të gjitha zhvillimet e mëtejshme që lidhen me këtë proces hetimor. /Telegrafi/
N’Golo Kante i është bashkuar Fenerbahces, njoftoi klubi turk të mërkurën, pas polemikave lidhur me përfundimin e marrëveshjes së transferimit, ndërsa sulmuesi maroken Youssef En-Nesyri është transferuar te Al-Ittihad i Arabisë Saudite.
Reprezentuesi i Francës, i cili fitoi dy tituj të Ligës Premier me Leicester Cityn dhe Chelsean, është rikthyer në Evropë pas dy sezonesh e gjysmë te Al-Ittihad.
Transferimi, i konsideruar si një shkëmbim i drejtpërdrejtë mes dy lojtarëve, rrezikoi të dështonte pasi Fenerbahce deklaroi të martën se Al-Ittihad nuk kishte futur informacionet përkatëse në sistemin e përputhjes së transferimeve të FIFA-s (Transfer Matching System – TMS) për të finalizuar marrëveshjen.
Megjithatë, më vonë Al-Ittihad njoftoi shitjen e Kantes, përpara se të zyrtarizonte nënshkrimin e En-Nesyrit si zëvendësues të Karim Benzemas, i cili u largua nga klubi me marrëveshje të ndërsjellë për t’u transferuar te Al-Hilal të hënën.
“Mirë se erdhe në Fenerbahcen tonë, N’Golo Kante”, shkroi klubi turk në platformën X.
Mesfushori 34-vjeçar pati një rol kyç në fushatën e suksesshme të Francës në Rusi, ku fitoi Kupën e Botës 2018, dhe shpreson ta përsërisë këtë sukses në turneun e vitit 2026, i cili do të zhvillohet në Amerikën e Veriut verën e ardhshme.
Nga ana tjetër, En-Nesyri, 28 vjeç, iu bashkua Fenerbahces në vitin 2024 nga Sevilla dhe shënoi 38 gola në 79 ndeshje në të gjitha garat./Telegrafi/
Korporata Energjetike e Kosovës thekson se që nga 19 dhjetori, ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur 3 blloqe të TC Kosova A paralelisht në operim për plot 31 ditë.
KEK njofton se ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend.
Tutje bëhet e ditur se standardi operativ i KEK që nga paslufta ka qenë operimi me 4 njësi gjeneruese 2 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B.
“Një njësi ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë, për siguri të sistemit dhe reagim emergjent”, thuhet në njoftim.
KEK më tej bën të ditur se nga 19 dhjetori ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm, me 5 njësi gjeneruese.
“Për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike, nga 19 dhjetori KEK ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm duke arritur me sukses të operoje me 5 njësi gjeneruese për 30 ditë në punë njëkohësisht, duke përfshirë 3 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B”, thuhet në njoftim.
Sipas KEK-ut, ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve në terren, pas takimit dhe konsultimeve me Komisionin Qeveritar.
Ai ka njoftuar se sot ka mbledhur Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, me qëllim të fillimit zyrtar të punës në terren.
“Pas takimit dhe konsultimit të djeshëm me Komisionin Qeveritar, sot mblodha Komisionin Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, për të filluar në terren”, ka deklaruar Xheladini.
Sipas tij, gjatë mbledhjes janë përcaktuar detyrat konkrete për secilin anëtar të komisionit, si dhe është bërë shpërndarja e dokumentacionit dhe aplikacioneve të nevojshme për procesin e vlerësimit.
“Gjatë mbledhjes u caktuan detyrat konkrete për secilin anëtar të Komisionit, si dhe u bë shpërndarja e dokumentacionit përkatës dhe aplikacioneve të nevojshme, me qëllim që procesi i vlerësimit të zhvillohet në mënyrë efikase, transparente dhe në përputhje me procedurat ligjore”, ka theksuar ai.
Nga Komuna e Dragashit bëhet e ditur se procesi i vlerësimit të dëmeve do të realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e përcaktuara nga institucionet përgjegjëse. /Telegrafi/
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbledhjen e së shtunës të 31 janarit nuk i shpallën rezultatet përfundimtare për Listën serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Pas kësaj, kjo parti ka dorëzuar ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Çka ndodhi pastaj?
PZAP kishte konfirmuar për Telegrafin se kishte pranuar gjithsej 7 ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të publikuara ankesat ishin paraqitur nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht për parregullsi në procesin e votimit dhe vendimmarrjen e KQZ-së.
Ankesat janë dorëzuar nga: Lista Serbe – ankesë ndaj vendimit të KQZ-së; Nova Demokratska Stranka (NDS) – dy ankesa për parregullsi gjatë votimit; koalicioni PAI–PDAK–LPB – ankesë për parregullsi me fletëvotime; Bekim Haxhiu – dy ankesa, njëra lidhur me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend dhe tjetra për parregullsi gjatë numërimit të votave me postë dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – ankesë për parregullsi gjatë procesit të votimit.
Lidhur me këto ankesa, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 03.02.2026, ka aprovuar vetëm ankesën e Listës Serbe, kurse i ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.
PZAP ka vendosur që të shpallet rezultati përfundimtar për këtë parti dhe kandidatët e saj.
Sipas vendimit, PZAP bën të ditur se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.
Reagimet ndërkombëtare?
E pas këtij vendimi të PZAP-it, ka reaguar Ambasada Britanike.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar se vendimi i Panelit riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë dhe të gjitha subjekteve politike për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç garantohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.
“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Tutje, ambasada britanike ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë, duke inkurajuar institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore.
“Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve”, përfundon reagimi.
Si shkon procedura tani?
Tash, pas përfundimit të çështjes së ankesave pritet edhe certifikimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Neni 106 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo ankesë ndaj vendimeve të PZAP-ja lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Tutje, në ligj thuhet rezultatet e zgjedhjeve janë përfundimtare dhe detyruese atëherë kur janë certifikuar nga KQZ-ja.
Ndryshe, sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse. /Telegrafi/.
Pep Guardiola mbajti një monolog jashtëzakonisht të fuqishëm dhe emocional mbi çështjet humanitare globale përpara përpjekjes së Manchester City për të arritur në finalen e Carabao Cup.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, trajneri i Cityt sulmoi ashpër administratën Donald Trump pas vrasjeve të Renee Good dhe Alex Pretti në Minneapolis, për të cilat u fajësuan agjentët e ICE-së. Me atë rast, Guardiola iu referua edhe luftërave në Ukrainë, Gaza dhe Sudan, duke theksuar se njerëzimi nuk është përballur kurrë me prova më të qarta të vuajtjeve në të gjithë botën.
“Shikoni çfarë ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Renee Good dhe infermieri i kujdesit intensiv Alex Pretti u vranë. Më tregoni si mund të justifikohet kjo”, tha fillimisht trajneri 55-vjeçar spanjoll.
Guardiola theksoi se informacioni i sotëm është më i disponueshëm se kurrë, por pavarësisht kësaj, dhuna vazhdon.
“Gjenocidi në Palestinë, lufta në Ukrainë, ajo që po ndodh në Rusi, Sudan dhe në mbarë botën, të gjitha janë para syve tanë. Pyetja është, a duam ta shohim? Këto janë problemet tona si qenie njerëzore”, theksoi ai.
"When thousands of innocent people are completely killed it hurts me!"
"Humanity is better than ever in terms of possibilities. We can do everything. But still, right now, we kill each other. For what?!"
Ai shtoi se është i prekur nga çdo vrasje e njerëzve të pafajshëm, pavarësisht nga partia politike.
“Vrasja e mijëra njerëzve të pafajshëm dhemb. Nuk ka asgjë të komplikuar në lidhje me të, nëse bën diçka të gabuar, shkon në burg. Kur ke një ide dhe duhet ta mbrosh atë, dhe për shkak të kësaj duhet të vrasësh mijëra, mijëra njerëz, më vjen keq, do të ngrihem. Do të jem gjithmonë këtu, gjithmonë".
Le të kujtojmë se Guardiola kohët e fundit mbante veshur një ‘keffiyeh’, një simbol të rezistencës palestineze, gjatë një koncerti humanitar në Barcelonë, ku shprehu publikisht mbështetjen e tij për Palestinën. Më pas, Këshilli i Përfaqësuesve Hebrenj në Britaninë e Madhe e akuzoi atë për "vënien në rrezik të jetës së hebrenjve britanikë" për komentet e tij mbi Gazën dhe iu drejtua kryetarit të Manchester Cityt, Khaldoon Al Mubarak, për një përgjigje.
Ndërkohë, grupet protestuese kanë demonstruar vazhdimisht jashtë stadiumit Etihad, duke i kërkuar pronarit të klubit, Sheikh Mansour, të japë llogari për konfliktin në Sudan. Qeveria sudaneze ka akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe për "bashkëpunim në gjenocid", të cilin Emiratet e Bashkuara Arabe e hedhin poshtë, por këtë javë njoftuan 20 milionë dollarë ndihmë humanitare për rajonin.
Guardiola e përfundoi me një mesazh emocional.
"Njerëzit që ikin nga vendet e tyre dhe përfundojnë në mërgim, mos pyetni nëse kanë të drejtë apo gabim, shpëtojini. Mund të arrijmë në hënë, mund të bëjmë çdo gjë, por prapë vrasim njëri-tjetrin. Pse? Jeta njerëzore është e vetmja gjë që kemi", përfundoi Guardiola. /Telegrafi/
SHBA-të po negociojnë me Iranin "tani", ka thënë presidenti Donald Trump.
"Ata po negociojnë", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Komentet e tij erdhën pasi një aeroplan luftarak amerikan rrëzoi një dron iranian në Detin Arabik të martën, pasi ai iu afrua aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, përcjell Telegrafi.
"Ata patën një shans për të bërë diçka pak kohë më parë, dhe nuk funksionoi, dhe ne e bëmë (Operacionin) Çekani i Mesnatës. Nuk mendoj se ata duan që kjo të ndodhë përsëri, por ata do të donin të negocionin”.
"Ne po negociojmë me ta tani", theksoi ai.
Komentet e Trump vijnë ndërsa i dërguari i tij i posaçëm Steve Witkoff u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalemin Perëndimor për bisedime mbi Iranin, raportuan mediat izraelite të martën.
Takimi u mbajt menjëherë pasi Witkoff mbërriti në Izrael për bisedime me zyrtarë të lartë atje mbi çështjen iraniane dhe zbatimin e fazës së dytë të planit të armëpushimit të presidentit Donald Trump në Gaza.
Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se i kishte kërkuar ministrit të jashtëm të vendit të "ndiqte negociata të drejta dhe të barabarta".
"Unë e kam udhëzuar Ministrin tim të Punëve të Jashtme, me kusht që të ekzistojë një mjedis i përshtatshëm - një mjedis i lirë nga kërcënimet dhe pritjet e paarsyeshme - të ndjekë negociata të drejta dhe të barabarta, të udhëhequra nga parimet e dinjitetit, maturisë dhe përshtatshmërisë", ka thënë ai.
“Këto negociata do të zhvillohen brenda kuadrit të interesave tona kombëtare”, shtoi Pezeshkian.
Gjithashtu të martën, Irani tha se po bëhen përgatitje për të zhvilluar bisedime me SHBA-në në ditët në vijim, me konsultime që vazhdojnë për të finalizuar vendin.
Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve të Iranit, IRNA, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, tha se bisedimet po planifikohen bazuar në direktivën e presidentit Pezeshkian.
“Është bërë planifikimi për të zhvilluar bisedimet në ditët në vijim dhe po zhvillohen konsultime për të përcaktuar vendndodhjen e bisedimeve, të cilat do të shpallen sapo të finalizohen”, tha Baghaei.
Ai shprehu mirënjohje për vendet mike që kanë punuar me “shqetësim dhe vullnet të mirë” për të ndihmuar në hapjen e rrugës për një proces diplomatik.
Baghaei tha se koha dhe vendi i bisedimeve nuk duhet të bëhen objekt spekulimesh mediatike, duke theksuar se disa vende rajonale janë ofruar të presin negociatat. /Telegrafi/
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë pjesërisht me vranësira me erë mesatare deri të fortë juglindore. Pasdite dhe gjatë natës do të ketë reshje lokale shiu, të cilat do të jenë më të bollshme në pjesët juglindore. Në malet më të larta reshjet do të jenë të dëborës.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin 2 deri në 7 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 7 deri në 11 gradë.
Në Shkup, moti do të jetë pjesërisht me vranësira me erë të moderuar, herë pas here të fortë juglindore. Drejt fundit të ditës, dhe veçanërisht gjatë natës, do të ketë reshje të herëpashershme shiu. Temperatura minimale do të bjerë në 4, ndërsa maksimale do të arrijë 10 gradë.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se po vazhdojnë aksionet për ruajtjen e mjedisit, në kuadër të objektivit për një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të përshtatshëm për jetë. Njoftimi është bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Në kuadër të përmbushjes së objektivit për Mitrovicën e pastër, të gjelbër dhe të përshtatshme për jetë, po vazhdojnë aksionet për ruajtjen e mjedisit”, ka shkruar Peci.
Ai ka bërë të ditur se sot është realizuar pastrimi i kanalit të ujërave në fshatin Zhabar, si dhe largimi i një deponie ilegale të mbeturinave në afërsi të Zonës së Lirë Ekonomike.
“Sot u bë pastrimi i kanalit të ujërave në Zhabar dhe largimi i deponisë ilegale të mbeturinave në afërsi të Zonës së Lirë Ekonomike”, ka deklaruar kryetari i Mitrovicës.
Në përmbyllje të postimit, Peci ka theksuar synimin për një qytet më funksional dhe të pastër.
“Për një Mitrovicë qytet të gjelbërt, të pastër e funksional”, ka theksuar ai. /Telegrafi/
Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës 1 janar 2025 deri më 31 dhjetor 2025, Salla e Lindjes dhe Reparti i Gjinekologjisë kanë funksionuar normalisht, duke përballuar një ngarkesë të lartë pune dhe fluks të vazhdueshëm të pacienteve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kësaj periudhe në sallën e lindjes janë realizuar gjithsej 1 539 lindje, nga të cilat kanë ardhur në jetë 1 550 foshnje.
Prej tyre, 1 027 lindje kanë qenë normale, ndërsa 512 janë kryer me prerje cezariane. Po ashtu, gjatë vitit raportues janë realizuar 121 operacione të ndryshme gjinekologjike.
Në Repartin e Gjinekologjisë janë regjistruar 3 742 pranime dhe 5 674 vizita, çka dëshmon për një qarkullim të vazhdueshëm të pacienteve. Gjatë kësaj periudhe, 59 raste janë referuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Nga spitali bëhet e ditur se gjatë vitit janë kryer edhe 218 transfuzione gjaku, duke reflektuar menaxhimin e rasteve klinikisht të komplikuara.
Po ashtu, në repart janë realizuar gjithsej 612 procedura dhe trajtime për patologji të ndryshme gjinekologjike, të cilat kanë përfshirë ndërhyrje diagnostike dhe terapeutike. /Telegrafi/