OpenAI përballet me një vit vendimtar në 2026. Nga një prej kompanive me rritjen më të shpejtë në histori, OpenAI gjendet sot në një pozicion të rrezikshëm, shkruan The Economist
Sam Altman është si një zhongler mbi një monocikël. Ndërtimi i chatbot-ëve të gjithëditur, të fuqizuar nga modele të avancuara të Inteligjencës Artificiale (IA), është një ambicie tepër modeste për drejtuesin e OpenAI.
Për të mbajtur publikun të magjepsur, ai ka hedhur gjithnjë e më shumë “topa” në ajër. Çipa të personalizuar? Patjetër. E-commerce? Pse jo. Konsulencë biznesi? Shumë e lehtë. Një pajisje për konsumatorët? Pa dyshim.
Në të njëjtën kohë, Altman duhet të mbajë një dorë të lirë për të zgjatur kapelën, për të siguruar fonde, sepse shfaqja bëhet çdo ditë e më e kushtueshme.
Shifrat tregojnë se OpenAI pret të shpenzojë 17 miliardë dollarë para në vitin 2026, nga 9 miliardë dollarë në 2025, dhe se humbjet do të vazhdojnë të grumbullohen edhe gjatë tre viteve pasuese (shih grafikun 1).
Deri tani ka mbledhur mbi 60 miliardë dollarë nga investitorët, më shumë se çdo kompani private ndonjëherë, pothuajse të gjitha që prej fundit të vitit 2022, kur ChatGPT pozicionoi laboratorin e mëparshëm pak të njohur të IA në qendër të vëmendjes (shih grafikun 2).

Oreksi i zotit Altman për para është ende larg ngopjes. Në vitin 2026, OpenAI “pothuajse me siguri” do të mbledhë një tjetër shumë të madhe kapitali, thotë një burim pranë kompanisë.
Thuhet se ajo po kërkon deri në 100 miliardë dollarë, me një vlerësim që mund të shkojë rreth 830 miliardë dollarë, nga 500 miliardë dollarë në raundin e fundit të financimit në tetor.
Amazon është në bisedime për të investuar deri në 10 miliardë dollarë në prodhuesin e modeleve, i cili tashmë është shkëputur nga një marrëdhënie ekskluzive me Microsoft, rivalin kryesor të Amazon në shërbimet cloud.
Nvidia ka deklaruar se edhe ajo mund të investojë deri në 100 miliardë dollarë në OpenAI, në këste nga 10 miliardë dollarë, për ta ndihmuar kompaninë të blejë produktet e prodhuesit të çipave. Edhe pse herë pas here është shprehur skeptik ndaj kësaj ideje, Altman përflitet se po shqyrton gjithashtu një ofertë publike aksionesh.
Financimet e paprecedenta të OpenAI kanë ushqyer një rritje po aq të jashtëzakonshme. Në vitin 2023, të ardhurat e saj kaluan 1 miliard dollarë. Në 2025 ato thuhet se arritën 13 miliardë dollarë, duke u rritur në një normë vjetore prej 20 miliardë dollarësh deri në fund të vitit. Google dhe Facebook iu deshën përkatësisht pesë dhe gjashtë vjet për të arritur të njëjtën gjë.
Problemi është se kërkesa e OpenAI për fuqi kompjuterike, deri tani kostoja e saj më e madhe, ka mbetur e lidhur ngushtë me të ardhurat. Nevojat për llogaritje u rritën nga 200 megavatë në 2023 në 1.9 gigavatë (GW) në 2025.
Kompania ka nënshkruar marrëveshje paraprake për të shtuar edhe 30 GW kapacitet në vitet e ardhshme, me kosto rreth 1.4 trilionë dollarë. Për momentin, investitorët janë të magjepsur nga numri i jashtëzakonshëm i manovrave të Altman. Megjithatë, herët a vonë, ai do të duhet të provojë se mund të nxjerrë fitim.
Altman vazhdon të argumentojë se ekonomia e OpenAI do të përmirësohet teksa kompania rritet dhe kostot fillestare të trajnimit të modeleve bëhen relativisht më të vogla.
Por kostot e trajnimit vazhdojnë të rriten, ndërsa OpenAI përballet me konkurrencë të fortë nga prodhues të tjerë modelesh.
Sipas treguesve të mbledhur nga Instituti Stanford për Inteligjencën Artificiale të Përqendruar te Njeriu, hendeku i performancës mes modeleve më të avancuara është ngushtuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit.
Kohët e fundit, kërcënimi më i madh për OpenAI ka ardhur nga Google, modeli Gemini 3 i të cilit, i publikuar në nëntor, e tejkaloi GPT-5.1 të OpenAI në disa matje.
OpenAI u kundërpërgjigj me GPT-5.2, por kjo nuk ishte aspak një goditje përfundimtare. Ndërkohë, të ashtuquajturat modele të hapura, parametrat numerikë të të cilave (të njohur si “pesha”) janë lirisht të disponueshme, po e ngushtojnë gjithashtu diferencën e performancës me modelet e mbyllura.
OpenAI nuk mund ta përballojë të mbetet pas në ndërtimin e modeleve. Tashmë ka shenja se ChatGPT po humbet vrull. Sipas Sensor Tower, që monitoron trafikun në internet, ai kishte 910 milionë përdorues aktivë mujorë në mesin e dhjetorit, krahasuar me 345 milionë të Gemini. Por Gemini po fiton terren.
Një studim i fundit mbi vendet e mëdha europiane nga Deutsche Bank zbuloi se abonimet e konsumatorëve për chatbot-in e OpenAI u ngadalësuan dhe pothuajse ndaluan gjatë verës dhe që prej atëherë janë rritur me vështirësi.
Duke e njohur sfidën, Altman shpalli një “code red” të përkohshëm në fillim të dhjetorit, duke u thënë stafit të pezullojë nisma të tjera dhe të përqendrohet në përmirësimin e ChatGPT.
Edhe më shqetësuese janë raportimet se OpenAI po humbet para thjesht duke operuar modelet e saj, të cilat shumë konsumatorë i përdorin përmes versionit falas të ChatGPT.
Në nëntor, Ed Zitron, i njohur për skepticizmin e tij ndaj IA, publikoi shifra nga Microsoft që tregonin se kostot e ashtuquajtura të inferencës së OpenAI tejkalonin të ardhurat e saj në gjysmën e parë të 2025.
Për të ulur humbjet, kompania mund të rrisë çmimet ose të kufizojë aksesin, por kjo do të rrezikonte të ngadalësonte rritjen, veçanërisht në një kohë kur konkurrentët po i qëndrojnë pranë.
Ekuilibër i brishtë
E gjithë kjo ndihmon të shpjegohet fokusi gjithnjë e më i gjerë i OpenAI. Një pjesë e strategjisë është të zhvillojë rrugë të reja për të monetizuar teknologjinë e saj.
Edhe pse Altman thuhet se pezulloi punën për integrimin e reklamave në ChatGPT si pjesë e “code red”, burime të brendshme thonë se kompania ende planifikon ta bëjë këtë në vitin 2026.
Tashmë OpenAI u lejon kompanive si Etsy, një platformë shitje online, dhe Walmart, gjiganti i shitjes me pakicë, të shesin produktet e tyre në SHBA përmes chatbot-it të saj, kundrejt një tarife.
OpenAI shpreson gjithashtu të zgjerojë të ardhurat nga klientët e korporatave, të cilët priren të jenë më besnikë. Aty, konkurrenti kryesor është Anthropic, një prodhues rival modelesh, chatbot-i Claude i të cilit është bërë veçanërisht i popullarizuar mes programuesve.
Për të kapur hapin, OpenAI ka ndërtuar një divizion konsulence që ndihmon kompanitë e mëdha të përdorë teknologjinë e saj dhe ka zhvilluar mjete për ndërmarrjet, si AgentKit, të cilat klientët mund t’i përdorin për të automatizuar punën.
Edhe pse konsumatorët vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave të OpenAI, pesha e biznesit në total është në rritje.
Strategjia e OpenAI duket se përfshin gjithashtu integrim vertikal, duke marrë frymëzim nga Google. Çipat e personalizuar të gjigantit të kërkimit, të cilët ai filloi t’i zhvillonte më shumë se një dekadë më parë, janë bërë një avantazh i madh në garën e IA, duke i kushtuar atij nga gjysma deri në një të dhjetën e çmimit të një çipi ekuivalent të Nvidia.
Katër miliardë përdoruesit e pajisjeve Android në mbarë botën ofrojnë gjithashtu një kanal të jashtëzakonshëm shpërndarjeje për produktet e IA të Google.
Gjatë vitit të kaluar, OpenAI ka nënshkruar një marrëveshje me Broadcom, një projektues çipash, për të zhvilluar elementin e saj të personalizuar, dhe ka punësuar Sir Jony Ive, dizajnerin pas iPhone të Apple, për të imagjinuar një pajisje për konsumatorët.
Ndryshimi është se OpenAI nuk ka grushtet e parave që i siguron motori i kërkimit Google. Tashmë disa investitorë po bëhen të kujdesshëm. Drejtuesi i një firme kapitali sipërmarrës vëren se humbjet e OpenAI janë po aq të mëdha sa deficitet e shumë qeverive kombëtare. Ai ankohet se, në diskutimet për financim, “nuk të lejohet as të pyesësh” për sasinë e parave që po shpenzohen.
Kur u pyet në një intervistë të fundit podcast nga Brad Gerstner, një nga investitorët më besnikë të OpenAI, se si do t’i financojë kompania angazhimet e saj të mëdha të shpenzimeve, të barasvlershme me rreth 100 herë të ardhurat e saj në vitin 2025, Altman u përgjigj shkurt: “Nëse do t’i shesësh aksionet, unë do të gjej një blerës.”
Kritikët e OpenAI e denoncojnë atë që e shohin si mendjemadhësinë e Altman. “Kjo është historia e WeWork, por në një shkallë shumë më të madhe”, thotë një tjetër drejtues i kapitalit sipërmarrës që mbështet një nga rivalët e saj, duke iu referuar biznesit dikur shumë premtues të marrjes së zyrave me qira që u shemb në mënyrë spektakolare nën peshën e borxheve të mëdha dhe projeksioneve jorealiste të rritjes.
Nëse shitjet për ndërmarrjet zhgënjejnë dhe OpenAI nuk arrin ta monetizojë ChatGPT në mënyra të tjera, kompania mund të shpërbëhet shpejt. Për momentin, megjithatë, Altman ka ende shumë besimtarë.
“Po të më thoshe pesë vjet më parë se Sam do t’i realizonte këto marrëveshje, nuk do ta kisha besuar kurrë. Ai është më i zoti sesa e menduam fillimisht”, thotë një nga investitorët e tij. Viti që vjen do të provojë nëse drejtuesi i OpenAI është më shumë sesa thjesht një showman.
The post Shfaqja më e madhe në Tokë appeared first on Revista Monitor.