Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Disa zona të Malishevës dhe Rahovecit pa rrymë shkaku i vërshimeve

6 January 2026 at 11:59


KEDS ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV.

Sipas KEDS: “Uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.

Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës.

KEDS gjithashtu njofton se, për shkak të vërshimeve, gjendja mbetet jo stabile edhe në komunat e Malishevës dhe Rahovecit.

“Për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës”, bëhet e ditur në njoftim.

Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushtet e sigurta.

“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe do t’ju mbajmë të informuar me njoftime të tjera”, shtohet në komunikatë. /Telegrafi/


Lagje të mëdha të Pejës tash e katër ditë pa energji elektrike, KEDS nuk përgjigjet

4 January 2026 at 23:06


Bashkësi të mëdha territoriale dhe disa lagje të qytetit të Pejës tash e katër ditë po përballen me mungesë të energjisë elektrike.

Në Bashkësinë Territoriale “Karagaçi”, lagje të tëra kanë mbetur pa energji elektrike për katër ditë me radhë, duke e pritur kështu edhe ndërrimin e moteve në errësirë.

Ndërkohë, në lagjen “Tabhane”, në rrugë si “Fatmir Uka”, banorët po furnizohen me energji elektrike vetëm nga një fazë, çka ka nxjerrë jashtë funksionit sistemet e ngrohjes dhe pajisjet shtëpiake.

Banorët dhe komuniteti lokal kanë deklaruar për “RADIO 1” se kompania KEDS nuk po u përgjigjet kërkesave dhe thirrjeve të tyre, as në Pejë e as në qendrën e saj në Prishtinë.

“Thonë kryhet puna, askush s’vjen” – Fshatrat e Podujevës pa rrymë

4 January 2026 at 19:56


Shishen me bezninë e mban afër vetes për t’u siguruar që gjeneratori të mos fiket.

E kur atë e mbush, gjeneratorin shpesh edhe e shkëmbejnë me fqinjët, që të gjithë të mund t’a përdorin energjinë elektrike për pak kohë.

Kështu po ia dalin banorët e fshatit Revuq të Podujevës pas përballjes me reduktimet e ashpra të energjisë elektrike.

‘’Na vjen shumë keq, jemi tubu i gjithë fshati, na duhet një e ardhme më e mirë ja me e lëshu fshatin të gjithë. Për Vit të Ri s’kemi pas, veç një fazë ka pas e edhe ajo s’i ka plotësu. Veç u dufke me dal qytet, as me mërgimtarë s’kemi fol, as programe televizive s’kem mujt me pa’’, ka thënë Idriz Mustafa – Banor i fshatit Revuq.

E kërkesat e tyre, po hasin në vesh të shurdhër.

‘’Ne kemi bë dy herë kërkesë për me rregullu, nënshkrime po kurrfar1% zgjidhje s’ka pas për neve. Kemi mbet në gjendje të rëndë. Kërkesa jonë ka qenë me pas një trafo që ky fshati ynë të ketë rrymë 220 qysh është normal. Qe 10 herë e kemi thirrë. Na thotë kryhet puna, kërkush nuk vjen me ndreq. Kemi mbet pa rrymë, asnjë pajisje s’funksionon’’, ka thënë Idriz Mustafa – Banor i fshatit Revuq.

Me probleme të po të njëjtës natyrë po përballet edhe fshati Balloc i kësaj komune, tash e thuajse dy javë.

‘’Është shumë problem marrë parasysh që tash na kanë ardh edhe mërgimtarët. Në fshatin tone, në këtë lagje nuk ka energji elektrike. Kemi të sëmutë rëndë që janë me oksigjen. Është situate alarmante dhe e papërballueshmne. Me KEDS-in, qe 10 ditë kemi adresu ankesa, asnjë ditë s’na kanë jep përgjigje të detajune, veç s’po e përballojnë kabllot’’, ka thënë Besmir Jaha – Përfaqësues i fshatit Balloc.

Por KEDS e mohon të mos ketë intervenuar e madje, edhe mungesën aktuale të rrymës.

“Ju njoftojmë se nuk ka pasur reduktime. Mirëpo, si pasojë e ngarkesës së lartë në këto fshatra, ka pasur djegie të siguresave të Tensionit te ulet dhe reagim të ndërprerësit ne kete tension. Ekipet tona çdo herë kanë intervenuar duke rregulluar prishjet që janë shkaktuar. Reduktim apo kufizim të furnizimit me energji elektrike nuk ka pasur”, ka thënë Bleona Dallaveraj – Zëdhënëse e KEDS.

Në ndërkohë, me reduktime të ashpra janë përballur edhe Komuna e Malishevës, Mamushës e Prizrenit.

- YouTube www.youtube.com

Reduktime të mundshme në disa komuna për natën e Vitit të Ri

31 December 2025 at 22:09


Në ndërrimin e mot-moteve, fishekzjarret pritet të jenë të vetmet elemente që do ndriçojnë disa nga rajonet.

Kjo pasi vala e reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike pritet të jetë prezente edhe më 31 dhjetor.

E këtë e ka konfirmuar edhe KEDS duke shtuar se ka rritur numrin e njësive intervenuese në terren.

Ju njoftojmë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprake, si nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik në mënyrë që natën e ndërrimit të mot moteve të ketë furnizim stabil me energji elektrike, përkundër rritjes së lartë të konsumit dhe ngarkesës në rrjet në nivele të papara, krahasuar me vitet e kaluara.

Pra, ne kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim veprime në mënyrë që sistemi i shpërndarjes të përballojë këtë konsum të lartë, duke angazhuar, afro 500 punëtorë në terren dhe jo vetëm, në rast të ndonjë avarie të mundshme për intervenim të menjëhershëm.

Parashihet të ketë furnizim te rregullt me energji përkundër gjithë konsumit të lartë.

Vendet më të afektuara mund të jenë: Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Theranda dhe Lipjan, si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve nga ana e transmisionit.

Dje me datën 29 dhjetor, ne ora 23:00 është arritur piku më i lartë në nivelin e shpërndarjes me një vlerë prej 1418më, e cila e tregon një rritje prej 7.5% nëse e krahasojmë me vitin e kaluar.

Për ekspert të energjisë, situata tregon një keqmenaxhim të kapaciteteve.

”Ramja e temperaturave dhe ardhja e diasporës në Kosovë ka bërë që kërkesa për energji elektrike të rritet duke shfaqur kështu anomalitë e rrjetit, mungesën e investimeve, kapaciteteve duke detyruar operatorët e rrjetit, KEDS dhe KOSTT të bëjnë ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Kapaciteti gjenerues i Kosovës maksimal është diku 850 megavat/orë kur janë të gjitha kapacitetet gjeneruese të A dhe B në funksion ndërsa kërkesa maksimale në kohë të pikut arrin diku tek 1500 megavat/orë. Ky dallim duhet mbuluar nga importi që vijnë nga vendet e rajonit ç’ka tregon shkallë të lartë të vartësisë energjetike por edhe një keqmenaxhim enorm që është bërë në këtë sistem”, ka thënë Adhurim Haxhimusa – Ekspert i energjisë.

Mes të tjerash, Haxhimusa vlerëson se situata të kësaj natyre rrisin nevojën për investime urgjente.

”Furnizimi stabil me energji elektrike kërkon kapacitete të reja gjeneruese të transmisionit dhe distribucionit. Ato sigurojnë ramjen e humbjeve qpftë komerciale, qoftë teknike, duke e ditë që 20 përqind e energjisë elektrike e cila prodhohet në Kosovë, humbet. Është e domosdoshme që të bëjmë një modernizim të sistemit elektroenergjetik, trafo dhe kabllo e njesorë të ri”, ka thënë Adhurim Haxhimusa – Ekspert i energjisë.

Sipas KEDS-it, zonat më të prekura javët e fundit nga reduktimet kanë qenë Gjilani, Rahoveci, Vitia, Gjakova, Prizreni, Malisheva, Suhareka dhe Mitrovica.

Komuna e Junikut reagon ndaj reduktimeve të energjisë elektrike

23 December 2025 at 14:15


Komuna e Junikut ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike që, sipas saj, po aplikohen nga KEDS në këtë komunë, duke theksuar se këto ndërprerje po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.

Në reagimin e saj, komuna vlerëson se mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve dhe po pengon zhvillimin ekonomik lokal.

Veçanërisht shqetësuese, sipas komunës, është koha kur po ndodhin reduktimet, përkatësisht gjatë periudhës së festave dhe pushimeve, kur bashkatdhetarë të shumtë po qëndrojnë pranë familjeve të tyre në Junik.

“Në vend që të kalojnë kohë të qetë dhe të sigurt me të afërmit, bashkatdhetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike, gjë që ndikon negativisht në rehatinë dhe cilësinë e jetës”, thuhet në reagim.

Komuna e Junikut thekson gjithashtu se kjo komunë renditet ndër komunat me nivelin më të lartë të parapagimit të faturave të energjisë elektrike, duke dëshmuar përkushtimin e qytetarëve për përmbushjen e obligimeve ndaj furnizuesit. Sipas komunës, aplikimi i reduktimeve në një komunë me këtë nivel kontributi financiar konsiderohet i padrejtë dhe i papranueshëm.

Në këtë drejtim, Komuna e Junikut ka adresuar disa kërkesa ndaj KEDS-it, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve të paarsyeshme, sigurimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, veçanërisht gjatë periudhave festive, si dhe rritjen e transparencës dhe respektimin e dinjitetit të qytetarëve në menaxhimin e energjisë elektrike. /Telegrafi/


"Importi i energjisë elektrike" Rizvanolli: Qeveria nuk blen energji, kontratat i kanë vetëm kompanitë private

5 December 2025 at 13:38


Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është palë në proceset e blerjes së energjisë elektrike, duke theksuar se këtë e bëjnë vetëm operatorët privatë të licencuar si KEDS dhe KESCO.

Sipas saj, përgjegjësitë për licencimin dhe mbikëqyrjen e tregut të energjisë i takojnë institucioneve të pavarura dhe jo ekzekutivit. Ajo ka theksuar se qeveria nuk posedon kontrata tregtimi të energjisë dhe se këto dokumente i kanë në posedim vetëm kompanitë private dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përcjell Telegrafi.

“Ne si qeveri nuk jemi përgjegjës për licensimin e kompanive as për mbikëqyrjen e tregut të energjisë elektrike. Dhe nuk posedojmë kontrata të tregtimit të energjisë të kompanive, mirëpo këto i kanë vetëm kompanitë dhe ZRRE”, ka deklaruar ministrja.

Rizvanolli ka bërë të ditur se, për hir të informimit publik, qeveria ka kontaktuar të gjitha palët relevante lidhur me pretendimet për import energjie nga kompania EFT.

Sipas saj, as ndërmarrjet publike, e as ato private, nuk kanë pasur kontrata me këtë kompani gjatë mandatit të qeverisë aktuale.

“KOSTT dhe KEK kanë konfirmuar që gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT-në. Për më tepër edhe kompanitë private KESCO dhe KEDS kanë konfirmuar të njëjtën – që nuk kanë pasur kontratë me EFT gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë”, ka shtuar Rizvanolli.

Për më tepër Rizvanolli tha: “Përkundër kësaj, për të mbështetur gënjeshtrën se kinse po importohet energji nga EFT, në publik janë plasur disa rezultate të ankandeve. Këto janë paraqitur sikur të ishin dëshmi të blerjeve nga operatorët në Kosovë, e që në fakt nuk janë”. /Telegrafi/

Disa zona të Ferizajt dhe Kaçanikut mbesin pa ujë shkaku i energjisë elektrike

5 December 2025 at 10:54


Konsumatorët e disa fshatrave në Ferizaj dhe Kaçanik do të përballen përkohësisht me mungesë ose vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm.

Kjo situatë vjen si pasojë e reduktimeve të energjisë elektrike të ndërmarra nga KEDS.

Pa ujë do të mbesin vendbanimet që furnizohen përmes stacioneve të pompimit, përfshirë pjesë të Elezajt, Gërlicës, Qardakut – Kaçaniku i Vjetër, si dhe Rakajn, Varoshin, Bibajn, Fshatin e Vjetër dhe Komogllavën, si dhe disa segmente të magjistraleve Ferizaj–Kaçanik dhe Prishtinë–Ferizaj.

Nga KRU “Bifurkacioni” u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke sqaruar se ndërprerja është jashtë kontrollit të tyre. Furnizimi me ujë do të rifillojë menjëherë sapo të rikthehet energjia elektrike.

“Kërkojmë falje për shqetësimin dhe falënderojmë qytetarët për mirëkuptim”, thuhet në njoftim./Telegrafi/


Shkyçjet e ndriçimit publik në Vushtrri, Idrizi: Përmbarimi i buxhetit na la pa fonde për energji

25 November 2025 at 08:11


Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar qytetarët se ditëve të fundit disa zona të qytetit janë përballur me shkyçje të ndriçimit publik nga ana e KEDS-it, si pasojë e pamundësisë për të kryer pagesat e faturave të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, situata ka ardhur si rezultat i përmbarimit të mjeteve komunale në kuadër të zbatimit të Kontratës Kolektive, e cila ka rënduar ndjeshëm buxhetin e komunës.

Vetëm gjatë vitit 2025, Komunës së Vushtrrisë i janë përmbaruar mbi 3.5 milionë euro, që përfaqëson më shumë se 50 për qind të buxhetit vjetor të investimeve kapitale, përcjell Telegrafi.

Sipas kryetarit të komunës, Ferit Idrizi, kjo ka pamundësuar kryerjen e pagesave të rregullta ndaj KEDS-it për ndriçimin publik.

Ai ka bërë të ditur se komuna po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për normalizimin e situatës. Në këtë kuadër, është thirrur një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, me qëllim të miratimit të tejkalimit të të hyrave vetanake dhe destinimit të një pjese të tyre për pagesën e faturave të energjisë elektrike.

“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe shpresojmë që shumë shpejt situata të kthehet në normalitet”, thuhet në njoftimin e kryetarit Idrizi.

Komuna ka siguruar qytetarët se po punon për zgjidhjen e menjëhershme të problemit dhe parandalimin e shkyçjeve të mëtejshme. /Telegrafi/


Sallahu: KEK fiton arbitrazhin kundër KEDS dhe KESCO në Zvicër

30 October 2025 at 13:23


Korporata Energjetike e Kosovës në bashkëpunim me Avokaturën Shtetërore të Ministrisë së Drejtësisë, si palë paditëse, ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar në Zvicër kundër KEDS dhe KESCO, si palë e paditur për mos pagesë të energjisë së shfrytëzuar nga viti 2020-2024.

Këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ushtruesi i detyrës i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Sipas tij, në këtë rast, KEDS dhe KESCO obligohen që t’ia paguajnë KEK-ut rreth 9 milionë Euro kompensim dhe shpenzime të tjera të procedurës.

“Republika e Kosovës nuk po i ndalë fitoret në arenën ndërkombëtare, dhe ky është tregues që reflekton suksesin e Qeverisjes sonë. Kosova do të aspirojë edhe më fuqishëm në mandatin tjetër, me rezultate të cilat do të ndihen në të gjitha institucionet dhe në jetën e secilit qytetarë”, ka thënë Sallahu. /Telegrafi/


Reshjet e borës, disa rajone në Kosovës mbesin në terr

3 October 2025 at 18:34


Për shkak të reshjeve të borës që përfshinë vendin tonë mbrëmë e sot, janë shkaktuar disa prishje në rrjetin elektrik shpërndarës, duke lënë një numër të caktuar të konsumatorëve pa furnizim me energji elektrike.

Nga KEDS-i bëjnë të ditur se kanë mobilizuar ekipe shtesë edhe nga rajone të tjera, të cilat, pavarësisht rrethanave të vështira në terren, po përkushtohen që të eliminojnë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet, dhe në një afat sa më optimal konsumatorëve t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike.

Sipas zëdhënësit të KEDS-it, Lulëzim Krasniqi, rajonet më të prekura janë Prishtina, Gjilani, Prizreni dhe Mitrovica, ku disa Dalje janë jashtë funksionit.

“KEDS-i ka mobilizuar ekipe shtesë edhe nga rajone të tjera, të cilat, pavarësisht rrethanave të vështira në terren, po përkushtohen që të eliminojnë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet, dhe në një afat sa më optimal konsumatorëve tanë të afektuar t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike, për çka kërkojmë mirëkuptim”, tha ai.

Sot, temperaturat minimale në vendin tonë sillen nga -1 deri 2 gradë celsius, ndërsa ato maksimale nga 2 deri 5 gradë celsius.

Zyrtar i KEDS-it dyshohet për marrje ryshfeti në Gjilan

18 September 2025 at 10:20


Një rast i marrjes së ryshfetit është raportuar në fshatin Cerrnicë të Gjilanit.

Sipas njoftimit të Policisë, një qytetar kosovar ka denoncuar se i kishte dhënë para një zyrtari të dyshuar të KEDS-it, gjithashtu shtetas kosovar, me qëllim që t’i kryhej një shërbim i pagesës.

Të dy palët janë intervistuar nga hetuesit, ndërsa me vendim të prokurorit kompetent, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Mbi 1,400 biznese të shkyçura nga energjia, institucionet qendrore në heshtje

22 August 2025 at 21:54

Po bëhet gati një javë që kur KEDS-i nisi shkyçje masive të energjisë elektrike ndaj bizneset që mbetën pa kontratë për furnizim një furnizues i licencuar në tregun e lirë. Por, asnjë deklaratë nuk u dha institucionet qendrore, ani pse përfaqësuesit e bizneseve ka kohë që kanë parashtruar kërkesat e tyre. Ato thonë se qeveria në detyrë ka dalë në anën e furnizuesve, gjersa theksojnë se e njëjta injoroi kërkesat e tyre për subvencionim.

Kanë kaluar disa ditë qëkur në fuqi hyri vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shkyçjen e bizneseve që nuk arritën të lidhin kontratë me një furnizues të licencuar për tregun e lirë.

Zhurmë nga bizneset u bë, e edhe paralajmërime u dhanë nga përfaqësuesit e odave të bizneseve për pasojat e formës në të cilën hyri në fuqi vendimi.

Por as edhe një deklarim e veprim nuk u ndërmor nga institucionet qendrore, as nga Presidenca e as nga qeveria në detyrë.

Kjo për përfaqësuesit e bizneseve mbetet zhgënjyese.

“Fatkeqësisht institucionet nuk kanë mbështetur fare bizneset ani se rreth 60% e buxhetit të shtetit mbushet po nga këto biznese që dolën dhunshëm në tregun e lirë. Përkundër kërkesave publike, letrave dhe disa takimeve, institucionet në heshtje kanë mbështetur veprimin e ZRRE-së. Për më tepër përkundër që BE shprehu gatishmërinë që të mbështeste Kosovën të kalonte këtë proces hap pas hapi dhe për të cilin ofroi mbi 22 milionë euro, institucionet sërish heshtën. Kjo është një porosi shumë negative si për bizneset vendëse ashtu edhe për ato të jashtme që kanë investuar dhe që në një nga kushtet e favorshme u është thënë se është energjia”, ka thënë  Kushtrim Ahmeti, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.

Njëzëri shprehen edhe nga Oda Ekonomike gjersa thonë se qeveria ka marrë një anë tjetër.

“Tek ne është kriju precepsioni se ma shumë Qeveria ka qenë në anën e furnizuesve sesa bizneseve edhe si nuk e kanë marrë mundim asnjë reagim të ketë. Ju kujtohet në fillim të qershorit se si ministrja ka qenë kategorike që bizneset të lidhin kontratë me furnizuesit dhe aty e kemi kuptuar se s’është në rregull.  Kemi kërku nga kryeministri me subvencionu ashtu siç ka kërkuar ZRrE për një subvencionim 50 milionësh po s’kemi pas përgjigje”, ka thënë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike.

Rafuna thotë se qeveria ka injoruar thirrjet e tyre ndonëse.

Mes të tjerash, kritika i drejtohen edhe Presidentes, Vjosa Osmani.

“Ju kemi drejtu edhe Presidencës, s’kemi pas asgjë zyrtare por do ishte shumë e mirëseardhur dhe jo të qëndrojë në heshtje gjersa shkatërrohet ekonomia. Rrugës do ishte që qeveria të subvenciononte shumën. Tash është edhe më e vogël se po flasim për 7-8 muaj, të ketë një paketë mbështetëse dhe një kërkesë tek ZRRE ta përgatisë terrenin më mirë”, ka thënë Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike.

Televizioni ka pyetur Presidencën që nga java e kaluar për një koment por e njëjta, sikurse edhe qeveria në detyrë, nuk janë deklaruar për Dukagjinin.

Nga vendimi i ZRrE-së preken 1400 biznese, ndërsa shkyçja e tyre ka nisur që nga dita e shtunë dhe po vazhdon ende./Tv Dukagjini

The post Mbi 1,400 biznese të shkyçura nga energjia, institucionet qendrore në heshtje appeared first on Telegrafi.

Qorrlli: Qeveria po përkrah oligarkët e energjisë, po i shkatërrojnë bizneset vendore

18 August 2025 at 18:35

Ekonomisti Adem Qorrolli ka komentuar vendimin e KEDS-it për të nisur shkyçjen nga rrjeti të qindra kompanive që nuk kanë nënshkruar kontrata furnizimi me energji.

Në një paraqitje në FIVE të TV Dukagjinit, Qorrolli ka thënë se ky veprim jo vetëm që cenon bizneset vendore, por rrezikon mijëra vende pune dhe forcon monopolizimin e tregut energjetik në Kosovë.

“Bizneset nuk e kanë refuzuar pjesën e kyçjes në tregun e hapur. E kamë thënë edhe një 100 herë. Por jo të blejnë vetëm në një biznes. Dhe jo të bëjmë vetëm të një oligark. Më të vërtetë, KEDS dhe KESCO është oligark, sepse përderisa shteti ia siguron fitimin, nga KEK-u blen 29 euro dhe më faturon mua si person fizik 80 dhe biznese të mija 200 e më shumë. Më të vërtet shteti po i thotë ia ku e ke shitjen e sigurt, merr sa dush, fito sa dush. Ne kemi të bëjmë me një lider që nuk dëshiron të dëgjoj gjuhën një të varfëri, që është duke mbijetuar në Kosovë. Nuk është duke dëgjuar një biznes familjar, që me mund e shumë sakrificë, me të ardhurat nga remitencat dhe disa kredi të vogla ka arritur t’i ketë 50 ose 100 punëtor. Pa marrë parasysh nivelin ne kemi kontroller, të ndryshëm që mund t’i bëjnë vërejtje bizneset, por jo ta mbyllim kur ai e ka rrymën zero…”, ka thënë

Sipas tij, pas këtij vendimi fshihet nevoja e qeverisë për të rritur të hyrat buxhetore, pasi konsumi ka rënë, migrimi është rritur, inflacioni është i lartë dhe fuqia blerëse pothuajse nuk ekziston.

“Kjo qeveri ka kuadro të dobëta, për ta qeverisur vendin. Tashmë me këtë vendim që hapur janë pro mbylljes së bizneseve në Kosovë. Këta nuk i duan këto biznese, këta duan që automatikisht t’i shkatërrojë ose detyrojnë të ri paguajnë me shumat totale të mëdha. Që në buxhet të dalin mjaftueshëm më rritje, sepse konsumi ka ra, migrimi ka ra, inflacioni i lartë dhe fuqia blerëse nuk ekziston, dhe nuk kemi më mbushës të buxhetit. Dhe ata që po rrinë po paguajnë mbi çmimin e mundshëm”, ka shtuar Qorrolli.

The post Qorrlli: Qeveria po përkrah oligarkët e energjisë, po i shkatërrojnë bizneset vendore appeared first on Telegrafi.

​Vendimi i ZRRE-së, deri më tash janë shkyçur 90 për qind e bizneseve nga rrjeti elektrik

17 August 2025 at 16:32

Nëntëdhjetë për qind e bizneseve janë shkyçur më 16 gusht nga furnizimi me energji elektrike, ndërsa pjesa tjetër e mbetur do të shkyçen gjatë ditëve të ardhshme.

Lulzim Krasniqi nga KEDS ka thënë për KosovaPress se gjatë ditës së sotme nuk ka pasur shkyçje të bizneseve nga rrjeti energjetik pasi është ditë pushimi, por një gjë e tillë do të vazhdojë javën tjetër.

“Shumica e mbi 1400 njehsorëve elektrikë, të identifikuar si prona të kompanive, janë shkyçur gjatë ditës së djeshme, janë diku 90 për qind e atyre janë shkyçur. Pjesa tjetër e mbetur do të shkyçen në ditët në vijim, nëse nuk arrijnë marrëveshje me ndonjë nga furnizuesit e licencuar nga ZREE-ja”, ka thënë ai.

Pas vendimit të Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë dhe njoftimit të pranuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS ka njoftuar bizneset që nuk kanë lidhur kontrata se do të detyrohen të zbatojnë vendimet duke paralajmëruar se mosveprimi do të rezultojë në shkyçje nga rrjeti duke filluar nga data 16 gusht.

KEDS ka theksuar se e ka të ndaluar ligjërisht të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që nuk kanë marrëveshje të vlefshme me një furnizues të licencuar.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një reagimi ka thënë se procesi ka një mori shkeljesh ligjore dhe procedural, derisa ka apeluar Qeverinë e Kosovës dhe ZRRE-në që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent.

“Ne ritheksojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE, e përkrahur në heshtje nga të gjitha institucionet relevante, do të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, përfshirë rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, rritje të çmimit të produkteve, rrezikimin e mijëra vendeve të punës, uljen e prodhimit vendor dhe mbytjen e tij nga importet që po rriten çdo ditë dhe mbylljen e një numri të madh veprimtarish biznesore”, thuhet në reagimin e DhTIK.

Se do ta vazhdojnë betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE), kanë thënë edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës duke paralajmëruar mundësinë e ngritjes së çështjes në Gjykatën Supreme dhe nëse është e nevojshme, edhe në atë Kushtetuese.

Shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike nga KEDS e ka quajtur persekutim Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) teksa kjo parti i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucione siç janë Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe asessi të mos mbetet e pa ndëshkuar.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës shkyçjene bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike e ka cilësuar si një katastrofë kombëtare ekonomike duke theksuar se kjo situatë rrezikon mbi 100 mijë familje në Kosovë, për shkak të mungesës së furnizimit me energji dhe ndërprerjes së aktivitetit ekonomik të bizneseve.

Reagime ka pasur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka theksuar se bizneset e Kosovës kanë mbetur në mëshirë të mafisë energjetike.

The post ​Vendimi i ZRRE-së, deri më tash janë shkyçur 90 për qind e bizneseve nga rrjeti elektrik appeared first on Telegrafi.

Haradinaj akuzon Qeverinë për “dorëzim të bizneseve te mafia energjetike”: Ky veprim nuk do të kalojë pa përgjegjësi

16 August 2025 at 18:24

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar pas shkyçjeve masive të bizneseve nga rrjeti elektrik nga kompania KEDS.

Në një deklaratë në Facebook, Haradinaj e ka quajtur “shkatërrues dhe të qëllimshëm” vendimin, duke akuzuar drejtuesit e Zyrës së Kryeministrit se “i kanë lënë bizneset e Kosovës në mëshirë të mafias energjetike, për të trashur xhepat e të dëgjueshmëve të tyre”.

Ai paralajmëroi se ky veprim nuk do të kalojë pa përgjegjësi.

“Rrethi po ju ngushtohet çdo ditë, dhe ky fund nuk do të jetë i mirë për ta, pashmangshëm do të përballen me ligjin. Kosova ka me u liru nga këta gangsterë me agjenda të dyshimta”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, KEDS njoftoi të shtunën se ka nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti elektrik, pasi ka përfunduar afati i përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues të licencuar të energjisë.

The post Haradinaj akuzon Qeverinë për “dorëzim të bizneseve te mafia energjetike”: Ky veprim nuk do të kalojë pa përgjegjësi appeared first on Telegrafi.

​Erëra të forta, KEDS njofton për vendet që kanë mbetur pa rrymë

17 July 2025 at 16:21

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) njofton se për shkak të erërave të forta, të përcjella me shi, aktualisht në mbarë Kosovën janë mbi 40 Dalje jashtë funksionit.

Sipas KEDS, rajonet më të prekura nga këto kushte atmosferike janë Peja, Mitrovica, Prishtina, Gjilani dhe Ferizaj, ku një numër i konsiderueshëm i konsumatorëve aktualisht janë pa furnizim me energji elektrike.

“Ekipet e KEDS-it ndodhen në terren dhe po punojnë vazhdimisht në eliminimin gradual të dëmeve të shkaktuara në rrjet, për çka kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë të afektuar në këto rajone”, thuhet në njoftim.

The post ​Erëra të forta, KEDS njofton për vendet që kanë mbetur pa rrymë appeared first on Telegrafi.

Erërat e forta dëmtojnë rrjetin elektrik, Vitia me fshatra mbesin pa rrymë

27 June 2025 at 17:45

Si pasojë e erërave të forta që përfshinë disa rajone të Kosovës këtë pasdite, janë shkaktuar disa dëme në rrjetin elektrik shpërndarës.

KEDS njofton se janë dëmtuar disa shtylla elektrike dhe përçues elektrikë.

“Katër shtylla të tjera të konstruksionit të hekurt janë dëmtuar në Viti, duke lënë pa furnizim me energji elektrike një numër të caktuar të konsumatorëve tanë aty dhe në fshatrat përreth”, njofton KEDS.

Riparimi i këtyre shtyllave të konstruksionit të hekurt merr kohë sipas KEDS./Telegrafi/

The post Erërat e forta dëmtojnë rrjetin elektrik, Vitia me fshatra mbesin pa rrymë appeared first on Telegrafi.

Krasniqi kërkon sqarime nga Qeveria: Nuk ka ndodhur që nga paslufta, pse KEK-u nuk po prodhon energji?

20 June 2025 at 16:42

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale në sektorin energjetik të vendit, duke kërkuar shpjegime urgjente nga Qeveria për ndaljen e prodhimit të energjisë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), për herë të parë që nga përfundimi i luftës.

“Paralajmërimi i fundit nga KESCO se konsumi i brendshëm do të mbulohet tërësisht nga importi është tregues alarmues dhe pasojë e qartë e dështimit të Qeverisë Kurti për të garantuar siguri energjetike”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai theksoi se Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, ndërsa qytetarët po përballen me çmime të larta të energjisë dhe kërcënim për reduktime, pa asnjë transparencë nga autoritetet.

“Prej përfundimit të luftës nuk ka ndodhur që mos të ketë fare prodhim të energjisë nga KEK-u!”, ka shkruar ai

Krasniqi ngriti disa pyetje të drejtpërdrejta ndaj Qeverisë në largim:

Pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji?

A është kjo pasojë e degradimit apo sabotimit të ndërmarrjes?

A janë mafia energjetike dhe sekserët e tregtisë me energji të përfshirë në këtë krizë?

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë të rëndë?

Duke e cilësuar energjinë si çështje të sigurisë kombëtare, ai kërkoi veprime të menjëhershme dhe llogaridhënie institucionale për këtë krizë, që sipas tij, ka prekur drejtpërdrejt interesin publik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës./Telegrafi/

The post Krasniqi kërkon sqarime nga Qeveria: Nuk ka ndodhur që nga paslufta, pse KEK-u nuk po prodhon energji? appeared first on Telegrafi.

KEK thotë se Njësia A3 është rikthyer në operim, KEDS apelon për kursim të energjisë elektrike për shkak të mungesës së prodhimit vendor

20 June 2025 at 12:52

Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se sot kanë rikthyer në operim Njësinë A3 e cila të enjten ishte ndalë në mënyrë të paplanifikuar, por pavarësisht rikthimit të kësaj njësie në operim, KEDS përmes një njoftimi për media u ka bërë apel qytetarëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike pasi janë njoftuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë gjatë këtyre ditëve dhe në vijim.

KEK thekson se aktualisht njësia A3 është në operim të rregullt dhe gjendja e saj është stabile.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se njësia A3 e Termocentralit ‘Kosova A’ e cila dje ishte ndalur në mënyrë të paplanifikuar, është rikthyer në operim sot, më 19.06.2025, rreth orës 08:00.

Rikthimi i njësisë është mundësuar falë reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit profesional të stafit të Termocentralit ‘Kosova A’, të cilët kanë punuar pandërprerë, përfshirë edhe ndërrimin e tretë. Procesi i startimit ka filluar në orët e para të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar rreth orës 08:00. Aktualisht, njësia A3 është në operim të rregullt dhe gjendja e saj është stabile.

KEK sh.a. do të vazhdojë të informojë me transparencë për çdo zhvillim që ndikon në operimin e njësive dhe furnizimin me energji”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Por, pavarësisht rikthimit në operim të Njësisë A3, KESCO u ka bërë apel qytetarëve për aplikim të menjëhershëm të masave për kursim të energjisë elektrike.

“KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.

Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, thuhet në njoftim.

Sipas KESCO-s, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar.

“Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike.

Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

The post KEK thotë se Njësia A3 është rikthyer në operim, KEDS apelon për kursim të energjisë elektrike për shkak të mungesës së prodhimit vendor appeared first on Telegrafi.

Pse KEK e KESH nuk shkëmbejnë energji edhe pse marrëveshja është në fuqi

1 June 2025 at 21:29

Më 2025 nuk ka pasur shkëmbim të energjisë elektrike ndërmjet KEK-ut dhe KESH-it, respektivisht Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe pse, zyrtarisht, marrëveshja mbetet në fuqi, tash e pesë muaj shkëmbimet janë ndërprerë.

Tash e pesë muaj Korporata Energjetike Kosovës dhe Korporata Elektroenergjitike e Shqipërisë nuk janë duke shkëmbyer energji elektrike.

Kjo përkundër që marrëveshja për këmbimin e tepricave të energjisë ndërmjet KEK-ut dhe KESH-it, varësisht kushteve atmosferike dhe kur njëra ose tjetra ka nevojë, e nënshkruar vite më parë, zyrtarisht, mbetet në fuqi.

Derisa deponimet e fundit u regjistruan në dhjetor 2024, ndërmarrja publike kosovare vitin e kaluar e mbylli me bilanc negativ nga shkëmbimet me homologët në Shqipëri.

“Viti 2024 është përmbyllur me 3,384 megavatë orë obligim i KEK ndaj KESH-it, Gjatë vitit 2025 nuk ka pasur shkëmbim në mes të KEK dhe KESH”, thuhet nga KEK-u.

Para kësaj ndërprerjeje, dimrin e fundit niveli i depozitave nga Shqipëria shënoi ulje krahasuar me atë paraprak, sipas të dhënave që KESH-i i ka dërguar televizionit Dukagjini.

“Në këtë stinë dimri, sasia e energjisë që KESH sh.a. ka depozituar në KEK sh.a. është 4,927 megavatë orë, ndërsa dimrin e kaluar sasia ka qenë 6,320 megavatë orë”, thuhet nga KESH.

Në krijimin e situatës së re kanë ndikuar angazhimet në Bursën Shqiptare e Energjisë – ALPEX, bashkëpronare të së cilës janë Shqipëria dhe Kosova.

“Prioritet i KEK-ut është kthimi i energjisë që është obligim i akumuluar, të gjitha kapacitetet e lira në dispozicion në linjën e transmetimit Kosovë – Shqipëri nga muaji Dhjetor 2024, i alokohen Bursës shqiptare të energjisë ALPEX, prandaj është e pamundur të planifikohet Deponimi i tepricave nga ana e KEK-ut”, thuhet nga KEK-u.

Ndikimi i ALPEX-it u konfirmua edhe nga Korporata Elektroenergjitike e Shqipërisë.

“Implementimi i ALPEX në Shqipëri dhe Kosovë ka rritur mundësitë e shoqërive për akomodim të energjisë elektrike në rast të tepricave ose sigurimin e furnizimit në rast mungese të energjisë elektrike. Gjithashtu, palët kanë shkëmbyer energji elektrike duke shfrytëzuar kapacitetet e interkoneksionit, të cilat lirohen nga Bursa ALPEX pas tregtimit të energjisë elektrike në intraday”, thuhet nga KESH.

Bazuar në marrëveshjen ndërmjet dy ndërmarrjeve publike, shkëmbimi bëhet sipas parimit megavat për megavat – ndërsa me tregtimin në bursë ndryshon varësisht momentit.

The post Pse KEK e KESH nuk shkëmbejnë energji edhe pse marrëveshja është në fuqi appeared first on Telegrafi.

❌
❌