Tragjedi në Durrës, mjeti përplas për vdekje 2 të miturit dhe plagos rëndë një tjetër, arrestohet shoferi
Një aksident tragjik është regjistruar në Durrës, ku 2 të mitur kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen 15 të qytetit, ku një automjet ka përplasur 2 fëmijët. Si pasojë e përplasjes, të miturit ka ndërruar jetë, ndërsa një person tjetër ka mbetur i lënduar. Fëmija i plagosur po transportohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore.
Drejtuesi 57-vjeçar i mjetit, banor i zonës, është arrestuar nga policia, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Dëshmitarët kanë treguar momentet e tmerrit në vendngjarje.
“Shteti është për të vënë gjobat. Patrullat vënë gjoba në autostrada, nuk vijnë këtu të kontrollojnë lagjet. Kush i kthen më këta? Shteti gjobit kur nuk është për të gjobitur, jo ata që janë në faj. Duke luajtur letra në trotuar ishin”.
Njoftimi i plotë i policisë:
Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
The post Tragjedi në Durrës, mjeti përplas për vdekje 2 të miturit dhe plagos rëndë një tjetër, arrestohet shoferi appeared first on iconstyle.al.