21:59 Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz zgjedhin një datë të re për të festuar dashurinë e tyre
Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz kanë vendosur t’i japin një kuptim të ri përvjetorit të martesës së tyre. Çifti nuk e konsideron më si datë feste ceremoninë madhështore të vitit 2022, por ditën kur rinovuan betimet martesore në një ceremoni intime gjatë gushtit të vitit 2025.
Sipas raportimeve të mediave britanike, mes tyre edhe The Sun, dasma e parë nuk mbart kujtime të bukura për çiftin. Burime pranë tyre tregojnë se ajo periudhë u shoqërua me tensione dhe emocione të forta, aq sa Nicola Peltz thuhet se u përlot gjatë ceremonisë.
Edhe pse martesa e tyre u zhvillua në një event luksoz treditor në rezidencën e familjes Peltz në Palm Beach, me qindra të ftuar dhe praninë e familjes Beckham, atmosfera pas skenave nuk ka qenë aq e qetë sa u duk publikisht.
Për këtë arsye, Brooklyn dhe Nicola vendosën një kapitull të ri në marrëdhënien e tyre kur rinovuan betimet në vitin 2025. Ceremonia u mbajt larg vëmendjes së publikut dhe pa pjesëmarrjen e familjes Beckham, duke u kthyer në momentin që ata e konsiderojnë simbolin e vërtetë të martesës së tyre.
Ndryshe nga prilli, kur nuk ndanë asnjë dedikim publik, në përvjetorin e rinovimit të betimeve të dy publikuan mesazhe romantike në rrjetet sociale. Brooklyn e përshkroi Nicolën si shoqen e tij më të mirë dhe gruan që e bën të ndihet me fat çdo ditë, ndërsa Nicola shkroi se bashkëshorti i saj e bën jetën më të bukur dhe është gjithçka që ajo kishte ëndërruar.
Më herët, Brooklyn kishte lënë të kuptohej se rinovimi i betimeve ishte një mënyrë për të lënë pas kujtimet e pakëndshme dhe për të krijuar të reja, të mbushura me lumturi. Ai kishte folur edhe për tensionet familjare që shoqëruan dasmën e vitit 2022, përfshirë raportet e përfolura me nënën e tij, Victoria Beckham./mxh








