Beteja e Luçiana Kokajt për Rrjollin
Kur ishte 28 vjeç, Luçiana Kokaj së bashku me bashkëshortin, u zhvendosën në Milano të Italisë. Si pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë nga Shqipëria edhe ata “nuk po shihnin më dritë jeshile”.
Por, pas pesë vitesh, ajo është kthyer nga Italia për të mbrojtur tokën e familjes, siç e përshkruan, “për të mos e lënë që ta plaçisin”. Prej 45 ditësh Luçiana është shndërruar në një nga protestueset më mediatike dhe më të zëshme të “Rezistencës së Rrjollit”.
Kjo është një betejë që ajo e shikon si amanet të vjehrrit të saj dhe njëkohësisht si borxh ndaj familjes dhe djalit. Në një intervistë për Citizens.al ajo tregon sesi familja e saj ka luftuar për të nxjerrë dokumentet e pronave në Rrjoll, dhe pikërisht për atë kalvar mundimi ajo thekson se familja e saj nuk ka ndërmend ta braktisë atë, por të vazhdojë deri në fund për të nxjerrë në dritë të drejtën.
Rikthim si aktiviste
Kur e pyes Luçianën se çfarë mban mend nga dita e parë e protestës, ajo shpjegon se ditën e parë që ka protestuar ka qenë jashtë Prokurorisë së Shkodrës dhe më pas i është bashkuar protestave në kantierin e ndërtimit të kompanisë “Gener 2” në Rrjoll.
Luçiana udhëton çdo ditë me makinë rreth 15 minuta nga Velipoja drejt kantierit më të raportuar javëve të fundit.
“Në ’79 ka rënë një tërmet i fuqishëm dhe të gjitha familjet që humbën shtëpinë në Rrjoll, shteti i zhvendosi në Velipojë,” shpjegon Kokaj.
Ndër protestat në të shkuarën ajo ka qenë aktiviste dhe mbështetëse edhe në protestën e armëve kimike, por gjatë emigrimit thotë se u shkëput nga rruga e aktivizmit, duke i dedikuar më shumë kohë dhe energji djalit të saj.
“Në këtë periudhë kohe unë humbas të gjithë ditën nga fëmija im, pasi edhe kur shkoj në shtëpi më duhet të punoj,” tregon programuesja e webeve, që tashmë është aktiviste me kohë të plotë dhe për këtë ndjen faj që nuk ka shumë kohë për familjen.
Momentalisht bashkëshorti, Tur Shullani, për shkak të një urdhri nga Gjykata e Shkodrës nuk mund t’i bashkohet më protestës. Ai rrëfen për Citizens.al se ka Luçianën si “përfaqësi dinjitoze.”
Përveç tij, edhe 14 persona të tjerë kanë urdhër ndalimi për t’iu bashkuar rezistencës në vijim. Por Luçiana thekson se nuk e tremb pjesëmarrja e ulët në protestë, por mosreagimi i institucioneve të drejtësisë.
Ndër momentet e frikës, ajo veçon afrimin disa personave të dyshimtë pranë shtëpisë, që edhe i ka denoncuar, si dhe natën pas përfundimit të emisionit “Opinion” në Tv Klan ku familjet e Rrjollit u përballën me Fatmir Shpellzën, të cilin e akuzojnë se ka tjetërsuar pronat dhe më pas ia ka kaluar kompanisë “Gener 2”.
“Familja e Fatmir Shpellzës na bëri pritë në dalje të Klanit dhe të nesërmen doli dhe tha më sulmuan djalin, ndërkohë ka pamje filmike që djali i tij ka qenë në gjendje shumë të mirë,” tregon ajo versionin e saj për ngjarjen.
Drejtësia, si kauza e duhur
Luçiana më tregon rastin kur një fqinji të saj në një vend evropian iu desh një vit e gjysmë që t’i rishikohej kërkesa për ndërhyrje në çati për shkak se ndalohej ndryshimi i siluetës arkitekturore të fshatit.
“Këtu po bëhet një resort në 1,500 dynym tokë, po kundërshtohet çdo ditë nga banorët dhe institucionet nuk reagojnë,” vijon Luçiana.
Në 45 ditë protesta, ajo është shoqëruar tre herë në komisariat, ku ka qëndruar disa orë. Ndërkohë nga dhuna në protestë është lënduar disa herë, por nuk e ka raportuar.
Kur e pyes Luçianën nëse do rikthehet në Itali pas përfundimit të kësaj çështjeje, apo e gjitha kjo eksperiencë i ka ndryshuar pikëpamjen, ajo thekson se fatkeqësisht ndihet edhe më e zhgënjyer nga vendi i saj dhe të ardhmen e sheh jashtë.
Por ajo përmbledh se kjo eksperiencë ka përforcuar lidhjet e saj me banorët, pasi prej kohësh ata ishin shkëputur nga njëri-tjetri, duke u fokusuar secili te jeta individuale.
“Për të luftuar për drejtësi ia vlen në çdo vend të botës, sidomos në vendin tonë që ka humbur komplet besimi te drejtësia. Duhet të luftojmë shumë fort, sepse në qoftë se sistemohet drejtësia në Shqipëri, do të sistemohen shumë hallka të këtij shteti,” përmbyll Luçiana.
Teksa ikim e pyes nëse pas një viti e sheh resortin “Blu Borgo” drejt përfundimit apo jo, ajo thekson se “duam që prona të zhvillohet, por jo të përjashtohemi ne”.
Lexoni gjithashtu:
- Protesta në Rrjoll zbehet në numër, por jo në qëndresë
- Rrjolli për herë të tretë para SPAK-ut
- 10 pika pa përgjigje për projektin “Blue Borgo”
The post Beteja e Luçiana Kokajt për Rrjollin appeared first on Citizens.al.






