Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar lidhur me vendimin për rritjen e pagës minimale, duke vlerësuar se përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe rritja e pagës minimale janë qëllime të drejta dhe të nevojshme për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
Megjithatë, AKB shpreh shqetësim për mënyrën se si është marrë ky vendim, duke theksuar se ai është miratuar pa dialog me sektorin privat, pa konsultime paraprake dhe pa një analizë të plotë të ndikimit financiar, veçanërisht për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shumicën e ekonomisë së Kosovës.
Sipas AKB-së, mungesa e një analize gjithëpërfshirëse rrit rrezikun që një pjesë e bizneseve, të paafta për të përballuar kostot shtesë, të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar vetë qëllimin e deklaruar të këtij vendimi.
“Ne nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, por kërkojmë që vendime të tilla të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatat, dhe të shoqërohen me masa lehtësuese fiskale apo mbështetëse, sidomos për bizneset e vogla”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Në të njëjtën kohë, Aleanca shpreh indinjatë që edhe në këtë rast veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë apo trajtuar me politika të veçanta mbështetëse, pavarësisht rolit dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit, duke theksuar se çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie.
AKB i bën thirrje Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja negative për ekonominë formale./Telegrafi/.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës përmes një njoftimi për media kanë theksuar se do të këmbëngulin në zbatimin e vendimit për pagën minimale.
FSPTSPK kërkon nga kompanitë private në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse.
Lexoni të plotë njoftimin:
Për herë të dytë, paralajmërojmë kompanitë publiko-private se do të këmbëngulim në mënyrë të vazhdueshme për zbatimin e vendimit për pagën minimale, që nënkupton 425 euro për punëtorët e këtyre kompanive.
Në këtë drejtim, kërkojmë nga kompanitë private, në cilësinë e operatorëve ekonomikë, që të bëjnë llogaritjet e nevojshme financiare për rritjen e pagës minimale dhe të adresojnë me kohë kërkesat e tyre pranë autoriteteve kontraktuese përkatëse.
Ju njoftojmë se nëse pagat e Janarit nuk dalin më rritje, mund të ketë ndërprerje të shërbimeve në të gjitha institucionet përkatëse. Kjo është një situatë që ne nuk e dëshirojmë, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si spitalet, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe institucionet tjera arsimore.
Andaj, ju ftojmë të reagoni me kohë dhe të ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. /Telegrafi/
Ditën e sotme, në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama, foli për një rritje ekonomike pozitive.
Gjithashtu, kreu i shtetit u ndal tek rritja e pagave dhe pensioneve.
Sipas kreut të qeverisë në tremujorin e fundit paga mesatare ka qenë 833 euro, ndërsa duke nisur nga janari 2026 paga minimale do të jetë 500 euro.
Rama tha se rritja e pensioneve që nis në janar është përtej indeksimit.
Sipas tij, pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj nga janari i 2026 dhe keshtu do te vazhdojë te dyfishohet, trefishohet, katërfishohet vit pas viti.
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj, pensioni rural me 1 mijë lekë në muaj, pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj dhe pensioni i invalidit do të rritet me 600 lekë në muaj.
“Ndërkohë që bizneset e reja janë shtuar me 20%, investimet e huaja në 3 mujorin e 3 kanë pasur rritje mbi 10%. Stoku i investimeve të huaja është domethënës dhe më i lartë me mbi 10% krahasimisht me vitin e mëparshëm
Paga mesatare ka rezultuar 833 euro që është një rritje domethënëse. Kemi për pak ditë hyrjen në fuqi të ligjit për pagën 500 euro.
Duke filluar nga tetori i këtij viti është kryer indeksimi i pensioneve. Me hyrjen e vitit të ri nis edhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar, trefishuar, katërfishuar, pesëfishuar vit pas viti.
Duke filluar nga janari pensionet do rriten përtej indeksimit. Rritja që ne do të bëjmë do të jetë domethënëse vit pas viti.
Kështu pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj. Do të dyfishohet në janarin 2027, trefishohet në janarin e 2028, katërfishohet në janarin e 2029 e kështu me radhë.
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj
Pensioni rural me 1 mijë lekë në muaj
Pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj
Pensioni i invalidit do të rritet me 600 lekë në muaj”, tha Rama.
Këshilli i Ministrave në Shqipëri gjatë mbledhjes së kësaj të premte ka miratuar disa vendime.
Mes vendimeve të miratuara është edhe ajo për pagën minimale.
Sipas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë, paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj do të jetë 50,000 lekë (518 euro).
Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026./Euronews Albania
Vendimi për rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë, hyn në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj.
Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
NJOFTIMI
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datë 19.12.2025 Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 169 850 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit në Bashkinë Durrës.
Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 e që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në Bashkinë Shijak.
Efekti financiar në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, dhe i transferohet Bashkisë Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Klos të disa zonave;
Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Vau i Dejës të disa zonave;
Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
PRISHTINË, 9 dhjetor /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se paga minimale nga muaji i ardhshëm do të bëhet 425 euro bruto, nga 350 euro që është aktualisht.
Kurti përmes një postimi në Facebook tha se nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë, ku paga minimale do të bëhet 500 euro.
Ai tha se nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Kurti thotë se para qeverisjes së tij paga minimale ishte 130/170 euro që ishte e pandryshuar për më shumë se një dekadë.
Postimi i plotë:
Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri.
Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.
Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash.
Këtë e bëri të ditur Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera ka shkruar se nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro.
Kurti tha se rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.
“Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/
Në një nga daljet e tij të fundit në rrjetet sociale mbi buxhetin e vitit të ardhshëm, kryeministri Edi Rama reklamoi rritjen e pagës minimale në 500 euro nga viti 2026 dhe kujtoi edhe një premtim të bërë gjatë fushatës elektorale për bizneset, që preken direkt nga ky vendim.
“Siç e kemi premtuar qeveria do të subvencionojë për një periudhë nëntë mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat”, deklaroi Rama më 5 nëntor.
Në fakt, premtimi fillestar për subvencionimin e bizneseve ishte për një periudhë 18 mujore. Gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Rama u kishte premtuar sipërmarrësve këtë lehtësi për një vit e gjysmë.
“Sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t’u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t’u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh”,premtoi Rama më 29 mars.
Goditje për biznesin
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, paralajmëron rritje të vështirësive për bizneset pas përgjysmimit të periudhës së subvencionit. Ai thekson se periudha 18-mujore ishte e domosdoshme për të amortizuar ndikimin e rritjes së pagës minimale.
“Afati 18 muaj ishte si një amortizator që biznesi të përshtasë kostot e tija dhe çmimet e shitjes me këtë rritje të detyruar. Veçanërisht kjo është shumë e ndjeshme për bizneset prodhuese dhe ato eksportuese,” thotë Zusi.
Sipas tij, përgjysmimi i periudhës e detyron biznesin të përballojë gjithë barrën në kohë më të shkurtër dhe rrit rrezikun për ulje prodhimi dhe presion mbi eksportet.
“Ulja në 9 muaj, shto këtu edhe rënien e pandalshme të euros që e rrit në tërësi koston e pagës së punonjesit duke i shtuar pas 9 muajsh edhe gjithë barrën fiskale që e shoqëron këtë rritje çfarë do prodhojë tjetër veçse rënie të mëtejshme të prodhimit vendas e veçanërisht vazhdimin e trendit rënës të eksporteve të viteve të fundit”, argumenton ai.
Aktualisht të dhënat e Eurostat tregojnë se paga minimale në Shqipëri llogaritet 408 euro (45,540 lekë). Pavarësisht rritjeve graduale të dekadës së fundit, vendi mbetet i fundit në rajon dhe në Evropë, si në vlerë nominale, ashtu edhe në standardin e fuqisë blerëse.
Burimi: Eurostat
Edhe kur merret në konsideratë fuqia blerëse, Shqipëria renditet e fundit në Evropë. Çmimet e ushqimeve, energjisë dhe qirave janë ndër më të lartat në rajon, ndërsa të ardhurat minimale nuk mjaftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës.
Përfundim
Mbështetja për biznesin pas rritjes së pagës minimale pritet të realizohet pjesërisht por jo në përputhje me premtimin fillestar.
Nisur nga këto të dhëna, premtimin e kryeministrit Edi Rama se ‘qeveria do të subvencionojë për një periudhë nëntë mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos të sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat’ e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur, pasi fillimisht qeveria u angazhua për një periudhë 18- mujore.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije në një komunikim ne rrjetet se nga janari 2026 paga minimale do të shkojë 500 euro, ndërsa brenda këtij mandati qeverisës do të bëhet 700 euro. “Përshëndetje, sot me kostum se për pak marrim në dorëzim progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe kemi konferencë. Padyshim që pjesën e luanit të buxhetit 2026 e zënë pensionistët për të cilët e…
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kontestuar dhe kundërshtuar miratimin e vendimeve nga Qeveria në detyrë.
IKD thekson se këto vendime janë miratuar nga një përbërje e qeverisë që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin.
“Për më tepër, vendimet e nxjerra në pritje të para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe me mundësi të mëdha edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, IKD i konsideron si vendime elektorale.
IKD në asnjë rrethanë nuk është kundër rritjes së pagave, pensioneve apo shtesave për kategori të caktuara. Për më tepër, në kohën kur vendi po përballet me një shkallë të lartë inflacioni, çështja e drejtësisë sociale do duhej të merrte një fokus të shtuar institucional. Megjithatë, këto çështje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin dhe jo këto vendime të merren në kontekst elektoral”, thuhet në reagim.
Sipas Institutit në një situatë të rënduar ekonomike dhe një klimë të përgjithshme zhgënjimi, është e lehtë të arsyetohet çdo veprim që duket se sjell përfitim të menjëhershëm, përkundër mos respektimit të ligjeve dhe procedurave.
“Por, ligjet dhe procedurat ekzistojnë pikërisht për t’i mbrojtur qytetarët nga abuzimi i pushtetit. Kur ato shkelen për qëllime politike, sot mund të duket se fitojmë diçka, por nesër humbim sigurinë, drejtësinë dhe barazinë para ligjit. Prandaj, mbrojtja e procedurës është mbrojtje ligjit, institucioneve dhe vetë interesave të qytetarëve.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, anëtarët e Qeverisë të cilët janë certifikuar si deputetë tanimë kanë humbur mandatin e tyre si anëtarë të Qeverisë, për shkak të papajtueshmërisë në mbajtjen e njëkohësisht të të dy pozitave, asaj të anëtarit të qeverisë dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Thënë më ndryshe, të gjithë anëtarët e qeverisë, të cilët janë certifikuar si deputet, nuk janë më anëtarë të qeverisë dhe nuk kanë asnjë kompetencë për të marrë asnjë vendim. Për këtë arsye, të njëjtit kanë uzurpuar zyrat e Qeverisë dhe rrjedhimisht të gjitha këto vendime, në mungesë të kompetencës, janë të kundërligjshme”, thuhet në reagim.
Sipas IKD-së, në mbledhjen e së premtes, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës fillimisht miratoi Projektligjin për Ndarjet Buxhetore për Vitin 2025 (Buxhetin) dhe se ky vendim bie ndesh me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ligj ky i miratuar nga kjo Qeveri dhe aprovuar nga Kuvendi në kohën kur kjo Qeveri kishte shumicën në Kuvend.
“Kundërligjshmëria nuk përfundon këtu. Në votimin e buxhetit u përfshi edhe ajo që pagesa për përvojën e punës të rritet nga 0.25% në 0.5%. Fillimisht, duhet theksuar se në të kaluarën, pagesa për përvojën e punës ka qenë 0.5%. Ligji për Pagat në Sektorin Publik, miratuar nga kjo Qeveri, e kishte ulur në 0.25%. Për këtë, Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje, duke urdhëruar Kuvendin që, deri më 1 gusht 2024, të bëjë ndryshimet e nevojshme në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Kjo Qeveri dhe Kuvendi i kaluar shkelën afatin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, duke mos respektuar aktgjykimin e saj dhe duke mos bërë ndryshimin e Ligjit. Për shkak të kësaj, tanimë Gjykatat janë vërshuar me lëndë nga qytetarët të cilët kërkojnë realizimin e të drejtës së tyre.
Ndërsa, në takimin e së premtes, Qeveria e Republikës së Kosovës vendosi që këtë ta përfshijë në buxhet, përkundër faktit se kjo duhet të bëhet me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit”, thuhet tutje.
Sipas IKD-së, e tillë është edhe çështja e pagës së trembëdhjetë.
“Kjo çështje nuk mund të rregullohet me një vendim qeveritar, por kërkohen ndryshime sistematike në Ligjet bazike. Adresimi i kësaj çështje përmes një vendimi qeveritar është një vendim juridikisht i pavlerë. Për më tepër, një vendimi të tillë do të duhej t’i paraprinte një analizë e thellë ekonomike, në kuptim të implikimeve që mund të ketë. Kjo duhet të shikohet në prizmin e aspektit të drejtësisë sociale, ku nuk duhet barazuar zyrtarët shtetëror me të hyra me mijëra euro, me zyrtarët me paga të ulëta. Sipas këtij vendimi, të dy kategoritë do të marrin pagën e 13-të. Në anën tjetër, analiza do duhej të përfshinte edhe inkuadrimin e sektorit privat në këtë masë. Për këtë arsye, përpos se i kundërligjshëm, ky vendim është edhe konceptualisht i gabuar dhe rrezikon të prekë edhe shkelje të së drejtës për trajtim të barabartë.
Sa i përket vendimit të për rritjen e pagës minimale, është i pasaktë deklarimi i z. Hekuran Murati në lidhje me atë se vendimi është marrë në mungesë të një propozimi nga Këshilli Ekonomik dhe Social. Aktualisht, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk e ka funksionalizuar këtë Këshill, andaj s’kishte se si të vinte një propozim i tillë”, thekson IKD.
Sipas Institutit vendimet e tjera të Qeverisë, që kanë të bëjnë me rritjen e pensioneve dhe rritjen e shtesave për fëmijë, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe në kohën kur paralajmërohen zgjedhje të reja qendrore, janë vendime haptazi elektorale.
“Vet Kryeministri në detyrë Kurti thoshte se nuk rrit pagat në prag të fushatave, sikurse qeveritë paraprake”, thuhet ndër të tjera. /Telegrafi/
Në mbledhjen e mbajtur të premten, Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pagës minimale, duke e ndarë këtë proces në dy faza gjatë vitit 2026.
Sipas Ministrit në detyrë të Financave, nga 1 janari i vitit të ardhshëm paga minimale do të shkojë në 425 euro, ndërsa nga 1 korriku 2026 do të arrijë në 500 euro, raporton Telegrafi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se kur Qeveria e tij kishte ardhur në pushtet, paga minimale ishte midis 130 dhe 170 euro. “E rritëm më parë në 264 euro, pastaj në 350 euro, dhe tani e rrisim në dy shkallë: 425 euro nga janari dhe 500 euro nga korriku i vitit të ardhshëm”, tha Kurti.
Ky vendim synon përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe rritjen e fuqisë blerëse të punëtorëve në vend, duke u bërë një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit ekonomik dhe mbështetjes sociale. /Telegrafi/
Dhoma e Tregtisë dhe Indutrisë Kosovë ka theksuar sot në takimin e thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk është marrë asnjë vendim rreth nivelit të pagës minimale.
DhTIK thekson se takimi ka qenë konsultues dhe palët pjesëmarrëse kanë dhënë mendimet e tyre dhe propozimet rreth kësaj çështje.
“DhTIK nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por ka kërkuar që një vendim i tillë duhet të merret vetëm atëherë kur Kosova të ketë institucione funksionale dhe fuqiplota, të bëhet një analizë e thelluar e gjendjes ekonomike, dhe propozimi për pagën minimale të vijë përmes Këshillit Ekonomiko-Social, e jo përmes Ministrisë së Financave”, thuhet në njoftim.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tutje thekson se marrja e vendimit ad-hoc vetëm sa do të vështirësoj situatën ekonomike dhe ku më të dëmtuarit do të jenë qytetarët. /Telegrafi/
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se është arritur pajtueshmëri që paga minimale të jetë 500 euro.
Azemi tha se, nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo pagë do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm.
“Në takimin e sotëm është diskutuar lidhur për pagën minimale. Normal që ne si udhëheqës i sindikatës së punëtorëve kemi kërkuar që kjo pagë minimale të jetë 600 euro. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë, qeverisë në detyrë që vlerësimi i tyre të jetë 500 euro. E kam pyetur decidivisht se nëse gjithçka shkon mirë kur mendoni të fillojë së implementuari”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, propozimi për rritjen e shumës në 600 euro nuk është hedhur poshtë plotësisht, pasi është paralajmëruar se për këtë do të ketë diskutime të mëtejshme me palët përkatëse.
Ndërsa Kushtrim Ahmeti nga Dhomat e Tregtisë ka thënë se takimi me Muratin ishte konsultativ e ku thotë të kenë kërkuar që ky proces të shtyhet deri të bëhet një Qeveri të plotë dhe një Kuvend funksional.
“Nuk jemi kundër rritjes së pagës por momentumi dhe situata politike me të cilën po përballet vendi nuk është e favorshme. Ne i kërkuam ministrit, Hekuran Murati që ky proces të shtyhet derisa të ketë një Qeveri fuqiplotë dhe një Kuvend funksional. Dhe të kemi një analizë të thuktë të situatës aktuale ekonomike të cilën e ka vendi. D.m.th duke marrë të gjithë faktorët para se të dilet me propozime”, ka thënë ai.
Ahmeti po ashtu tha se një tjetër kërkesë është që të funksionalizohet Këshilli Ekonomiko-Social i cili vazhdon të mos jetë funksional.
“Të shkojë ky proces i vendosjes së pagës minimale përmes Këshillit Ekonomik-Social siç është bërë përherë, përjashto herën e fundit, ku ne nuk jemi pyetur fare. Ne kërkuam që ky proces të ketë një përfaqësim më të gjerë”, tha ndër të tjera Ahmeti. /Telegrafi/
Oda Ekonomike e Kosovës njofton opinionin publik se nuk ka qenë pjesë e takimit të thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për çështjen e rritjes së pagës minimale, takim i planifikuar për të enjten, më 30 tetor, nga ora 10:00.
OEK thekson se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ndonëse një proces i tillë është thelbësor për adresimin e sfidave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
“Gjatë kësaj periudhe, bizneset janë përballur me një sërë vendimesh të njëanshme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tregut dhe klimën e investimeve”, thuhet në reagim.
Kryetari i OEK-ut, z. Lulzim Rafuna, ka theksuar se proceset që prekin bizneset, siç është edhe çështja e pagës minimale, kërkojnë qasje serioze, analiza të mirëfillta dhe konsultim të gjerë me sektorin privat.
“Oda Ekonomike e Kosovës është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social me dy anëtarë dhe gjithmonë ka qenë e gatshme për dialog të hapur e konstruktiv. Megjithatë, një qeverisje legjitime dhe e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi institucionale, duke dëgjuar dhe përfshirë partnerët ekonomikë në proceset e vendimmarrjes”, ka deklaruar Rafuna.
OEK rithekson se nuk e sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e asnjë fushate politike, por do të vazhdojë të angazhohet për takime të nivelit të lartë, me qëllim fuqizimin e bizneseve, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendit. /Telegrafi/
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat, Jusuf Azemi, ka folur para takimit të sotëm që pritet të zhvillohet me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ku do të diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale.
“Ne do të marrim pjesë në këtë takim. Nuk dimë asgjë, dimë vetëm se do të bisedohet për pagën minimale. A do të jenë akterët kryesorë, nuk e di,” ka thënë Azemi.
Ai ka theksuar se qëndrimi i sindikatës, i cili është mbajtur edhe ndaj Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë që nga marsi i këtij viti, është se paga minimale e punëtorëve në sektorin privat duhet të jetë 600 euro.
“Qeveria mund të marrë vendim për 500 euro, ne e vlerësojmë edhe këtë lëvizje, por ne ia lëmë vetit dyert hapur sepse normalisht që të gjitha ato kompani që nuk përkrahin këtë pagë kemi të drejtën e grevave,” ka shtuar Azemi.
Sipas tij, një analizë e bazuar në shportën e një familjeje katër anëtarëshe tregon se një anëtar i familjes ka nevojë për rreth 2.80 euro brenda ditës për ushqim, transport, cigare, shkollim etj.
“Sa mund të kryej punë një person me 2.80 euro brenda ditës, mund ta vlerësojë secili për vete,” ka thënë Azemi.
Ndryshe, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e drejtuar nga Hekuran Murati ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme në një takim të rëndësishëm për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale në vend.
Telegrafi ka siguruar emailin që u është dërguar nga Ministria e Financave, ku thuhet se takimi do të zhvillohet sot në orën 10:00. /Telegrafi/
Sot Ministria e Financave do të zhvillojë një takim për rritjen e pagës minimale.
Ky takim zhvillohet në ora 10:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Ndryshe, kryeministri në detyrë Albin Kurti, të dielën më 26 tetor në seancën ku dështoi formimi i qeverisë, gjatë prezantimit të vendimeve që do të marrin si qeveri në javën e parë përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat.
Në gusht të vitit 2024 Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për rritjen e pagës minimale në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave.
E në realitetin e përditshëm, qytetarët po përballen me një barrë ekonomike gjithnjë e më të rëndë.
Çmimet e produkteve ushqimore janë rritur ndjeshëm, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për familjet shqiptare të mbulojnë nevojat bazë të përditshme.
Nga buka dhe qumështi, te frutat dhe perimet, çdo artikull në shportën e përditshme ka shënuar rritje.
Kjo situatë po thellon pasigurinë ekonomike dhe po prek veçanërisht shtresat e mesme dhe të ulëta të shoqërisë.
Në fillim të muajit edhe Agjencia e Statistikave njoftoi se në gusht çmimet ishin për 4.5 për qind më të larta krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu kishte deklaruar për Telegrafin se inflacioni po e bën çdo ditë e më shumë të vështirë jetën në Kosovë.
"Është vërtetë që agjenda politike në Kosovë është duke e ngulfatur sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Vetë fakti që kemi masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe nuk ka projekte të cilat mund të jenë infuzion për mbështetje për zhvillim ekonomik, për mbështetje të sektorit privat është një situatë e vërtetë shqetësuese”, ishte shprehur ai.
Gërxhaliu po ashtu theksoi se edhe mungesa e institucioneve e ka bërë që të rëndohet edhe më shumë situate ekonomike. /Telegrafi/
Qeveria kroate ka miratuar një rregullore të re që përcakton pagën minimale të vendit për vitin 2026 në 1,050 € bruto në muaj. Ky vendim përfaqëson një rritje prej 80 € krahasuar me pagën minimale të vitit 2025. Sipas qeverisë, ky ndryshim reflekton rritjen e vazhdueshme ekonomike, zgjerimin e punësimit dhe ngritjen e qëndrueshme të […]
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e drejtuar nga Hekuran Murati ka ftuar përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme në një takim të rëndësishëm për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale në vend.
Telegrafi ka siguruar emailin që u është dërguar nga Ministria e Financave, ku thuhet se takimi do të zhvillohet nesë më 30 tetor në orën 10:00.
Kujtojmë se edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, të dielën më 26 tetor në seancën ku dështoi formimi i qeverisë, gjatë prezantimit të vendimeve që do të marrin si qeveri në javën e parë përmendi edhe rritjen e pagës minimale në 500 euro që prek një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat.
Në gusht të vitit 2024 Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për rritjen e pagës minimale në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave.
Ndërkohë, situata politike e Kosovës mbetet e paqartë, pasi vendi aktualisht është me qeveri në detyrë.
Kjo ka ngritur shqetësime lidhur me ndikimin që mund të ketë mungesa e një ekzekutivi në proceset e vendimmarrjes dhe miratimin e masave të tjera ekonomike. /Telegrafi/
Rreth 70 punonjës të minierës së bakrit në Spaç të Mirditës janë ngritur në protestë prej tre ditësh, duke bojkotuar punën në shenjë pakënaqësie për kushtet e punës dhe pagat minimale. Minatorët i kanë paraqitur një sërë kërkesash kompanisë koncesionare turke “Tete Albania”, por negociatat mes palëve kanë dështuar, duke thelluar tensionet në vendin e […]
Paga minimale në vend duhet të rritet menjëherë, tha sot kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov.
Ai thotë se një punëtor punon për vete, për punëdhënësin, për ekipin drejtues, e megjithatë merr një pagë prej gati 400 eurosh, që nuk është e mjaftueshme për të kaluar muajin.
"Paga minimale, por edhe të gjitha pagat e tjera, duhet të rriten menjëherë. Sipas të dhënave të fundit nga Banka Popullore, një punëtor fiton midis 300 dhe 600 mijë denarë për punëdhënësin e tij. Ai vjen në punë, punon për vete, fiton pagën e drejtorit, ekipit drejtues, fiton për investime, makina, shtëpi verore për punëdhënësin", tha Trendafilov.
Ai shton se dy paga minimale nuk mund të mbulojnë shportën minimale sindikale, gjë që ndez alarmin për një rritje të pagës minimale.
Ai tha se 500 euro është paga minimale në rajon, që do të thotë se të rinjtë nuk duhet të shkojnë në Gjermani për të punuar, por mund të fitojnë më shumë në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, madje edhe në Shqipëri.
"Vlera e shportës minimale sindikale, e cila është llogaritur që nga viti 2011, ishte baza për miratimin e Ligjit për Pagën Minimale. Deri më sot, janë organizuar 22 protesta dhe dy greva me qëllim që t'u tregojnë punëdhënësve se paga minimale duhet të rritet në të paktën 500 euro në mënyrë që të mbijetohet në mënyrë adekuate muaji", deklaroi Trendafilov.