Abazi: Prokuroritë të cilësohen objekt i rëndësisë së veçantë, të ruhen nga Policia e Shtetit
TIRANË, 4 shkurt /ATSh/ Në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u zhvillua sot seancë dëgjimore në lidhje me sigurinë në gjykata me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme.
Sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë së Përgjithshme, Luan Abazi, theksoi se “kërkohen masa shtesë dhe masat shtesë kanë një faturë financiare. Me fondet që kemi në dispozicion do të përpiqemi t’i plotësojmë këto kërkesa maksimalisht aq sa na lejojnë mundësitë”.
Sipas tij “në disa prokurori, nuk na jepet mundësia për shkak të godinave ekzistuese të vjetra për të garantuar në masën 100% masat e sigurisë. E kemi të pamundur për hyrje të veçantë për punonjësit, për të mbrojtur territorin në mënyrën më të mirë të mundshëm për shkak të kushteve që ndodhen këto godina”.
“Vetëm Shkodra, Korça dhe Elbasani plotësojnë standardet e miratuara, ndërsa në të gjitha prokurorit e tjera e kemi në pamundësi për të plotësuar kërkesat e legjislacionit. Nuk mundemi që tek prokuroria e Tiranës të garantojmë në masën 100% sigurinë. Pozicionet urbanistike të godinës janë të tilla që nuk na japin mundësinë për të çuar masat e sigurisë në atë nivel”, nënvizoi Abazi.
Abazi theksoi se ka godina ekzistuese të vjetra, siç është prokuroria e Lezhës, që këtë vit po ndërhyjnë të vendosim parametrat e kërkuara të sigurisë.
“Jemi në fazën e miratimit të projektit. Po kështu dhe në Berat do të ndërhyjmë ta sjellim sipas parametrave të kërkuara”, tha ai.
Abazi kërkoi që prokuroritë të cilësohen objekte të rëndësie së veçantë dhe të ruhen nga Policia e Shtetit.
“Sa i përket masave të sigurisë bashkë me KLGJ, i qëndrojmë mendimit që prokurorit të cilësohen objekte të rëndësisë së veçantë. Nëse do të konsiderohen objekte të cilësisë së veçantë atëherë ruajta do të behet nga policia e shteti. Ilyrian Guard ka kontratë me ne sot, nuk kemi problem, por punonjësit e saj në këndvështrimin tonë janë vetëm lajmëtar. Ata nuk kanë asnjë mjet për të ndërhyrë në situata që mund të paraqiten situate të rrezikshme për jetën e prokurorë të oficerëve. Janë qytetarë me një telefon celular ose radio që nëse ndodh një situatë e tillë njoftojnë “hajdeni”, por nuk kanë mundësitë për të ndërhyrë në situata të rrezikshme. Ne nuk duam ruajte me polici brenda godinës, por perimetrin e jashtëm të godinës”, tha ai.
Edhe kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj tha se në prokuroritë e vendit është konstatuar nga anëtarët e komisionit “një gjendje jo serioze në raport me misionin, përgjegjësinë dhe specifikat e punës së këtij institucioni, nga pikëpamja e infrastrukturës fizikë, Tirana, Lezha, Fieri aq sa ne kemi mundur të shohim dhe kjo ka qenë një sinjal alarmi dhe për ne e cila na ka vënë para një përgjegjësi për të luajtur rolin që ka Kuvendi në gjithë këtë proces”.
Xhafaj tha se sa i përket ndryshimeve ligjore për të rritur sigurinë, “jemi të angazhuar të shohim mundësinë se ku do të ndërhyhet për t shfrytëzuar një atribut, për të ndërmarrë nisma ligjore përmirësuese”.
/m.q/a.f/
The post Abazi: Prokuroritë të cilësohen objekt i rëndësisë së veçantë, të ruhen nga Policia e Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.