TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës po protestojnë sot para Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kundër ndërtimit të një resorti turistik në Baks-Rrjoll.
Ata pretendojnë se projekti po realizohet në tokën që u përket ligjërisht, ndërkohë që një proces gjyqësor për pronësinë e truallit është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Banorët bënë thirrje për drejtësi, duke theksuar se SPAK është i vetmi institucion në të cilin kanë besim se do ta zgjidhë këtë çështje.
Sipas tyre, institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime të qarta lidhur me statusin e tokave dhe procedurat e miratimit të projektit.
Banorët kundërshtojnë projektin, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
Po ashtu, banorët shprehin shqetësimin se sipërmarrësi ka nisur punimet, edhe pse palët janë në proces gjyqësor.
Pas paraqitjes në SPAK, avokati përfaqësues i banorëve, Ndue Pjetra tha se Prokuroria e Posaçme nuk ka marrë ende përgjegjësinë për çështjen e kallëzuar prej tyre.
“Nëse brenda tri ditësh nuk do të ketë sekuestrim të dosjes dhe pezullim të punimeve, do të jemi sërish këtu”, u shpreh Pjetra.
“Ne kemi akuzë dhe për ndërtim pa leje. Ne jemi në pritje të dy verdikteve që parashikon ligji, pasi ai ka marrë forcërisht pronën dhe ka nisur ndërtimin. Kërkojmë ndërhyrjen për ndalimin e punimeve, por s’ka reagim”, u shpreh avokati.
Në shenjë proteste në ditët e mëparshme banorët kanë bllokuar edhe aksin rrugor Velipojë–Shëngjin.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.
TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Shkodër kanë bllokuar aksin rrugor Velipojë–Shëngjin në shenjë proteste kundër ndërtimit të një resorti turistik në këtë zonë.
Gjatë ndërhyrjes së policisë për lirimin e rrugës, banorët kanë kundërshtuar duke u përplasur me efektivët e Policisë. Sipas medieve, ka dhe disa persona të shoqëruar nga policia.
Banorët pretendojnë se projekti po realizohet në tokën që u përket ligjërisht, ndërkohë që një proces gjyqësor për pronësinë e truallit është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Në protestë ka qenë i pranishëm edhe avokati i banorëve, Ndue Pjetra, i cili kërkoi zbardhjen e lejes.
“Policia ka të drejtë të ndërhyjë në rast se ka konflikt, por në këtë rast nuk kishte konflikt. Pra, nuk kishte arsye për t’i marrë dhe shoqëruar. Ajo duhet të qëndrojë në distancë dhe vetëm nëse ka konflikt duhet të ndërhyjë. Firma e ndërtimit, deri në momentin që ka marrë lejen, është e ligjshme. E vetmja gjë për të cilën nuk mund të fillojnë punimet këtu është fakti që leja ende nuk është zbardhur”, tha Pjetra.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.
Rreth 1 mijë banorë të Tërovës dhe Pendavinjit po përballen prej dy javësh me mungesën e ujit, të cilën nuk e përdorin as për konsum dhe as për plotësimin e nevojave bazike të familjes.
Sipas banorëve të dy fshatarave që I përkasin bashkisë së Maliqit, uji në rubinetat e tyre mban erë të rëndë.
Rrjeti i ujësjellësit që furnizon dy fshatrat është investim I ri, ndaj banorët ngrenë dyshime për ndotjen e burimit prej edhe nga shpërndahet uji.
Ndërmarrja e ujësjellësit të bashkisë maliq thotë se ka kontrolluar të gjitha linjat e furnizimit dhe nuk janë konstatuar ndërhyrje apo dëmtime, ndaj mostrat e ujit do të analizohen në laborator për cilësinë.
“Kemi rreth 3 javë që kemi probleme me ujin e pijshëm. Kam folur me Ujësjellësin e Korçës, kanë ardhur dhe kanë verifikuar të gjitha linjat. Nuk kemi probleme në linja. Është një problem i vështirë dhe s’po e kuptojmë nga na vjen. Mbase shkak kanë qenë rreshjet e shumta. Banorët kanë blerë ujë, sepse uji që kemi është i papërdorshëm dhe ka rrezik helmimi, sidomos për fëmijët.” tha ai.
Ndotja e ujit në dy fshatra të Bashkisë së Maliqit ka vënë nē lëvizje edhe Drejtorinë e Shëndetit Publik, e cila pritet të vlerësojë përmes analizave cilësinë dhe nivelin e ndotjes./abcnews.al
KALTANISETA, 27 janar /ATSH-ANSA/ – Rrëshqitja e dheut që shkatërroi qytetin Niscemi, një qytet me 30 000 banorë i vendosur 22 kilometra nga Gela në province e Caltanissettës dhe 100 kilometra nga Catania, është katër kilometra e gjatë.
Një mijë njerëz u detyruan të braktisin shtëpitë, zyrat dhe bizneset e vendosura pranë zonës së kuqe.
Shumë familje janë zhvendosur tek të afërmit, ndërsa të tjerë aktualisht po qëndrojnë në palestrën sportive të ngritur për evakuimin.
Niscemi është pothuajse i izoluar. Lagje të tëra – Sante Croci, Trappeto dhe Via Popolo – janë evakuuar. Rrugët kryesore janë të mbyllura.
Në bashkinë e qytetit, kryetari i Bashkisë së Niscemi-t, Massimiliano Conti, po koordinon qendrën e operacioneve, në kontakt të ngushtë me agjencitë kombëtare dhe rajonale të Mbrojtjes Civile dhe Prefekturën e Caltanissetta-s.
“Numri i të evakuuarve po rritet sepse rrëshqitja e dheut nuk është ndalur, kështu që, ndërsa vazhdon të rrëshqasë, fronti i rrëshqitjes së dheut po hyn në qytet dhe bëhet gjithnjë e më e rëndësishme të rritet numri i të evakuuarve”, paralajmëron kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile, Fabio Ciciliano.
“Nëse shtëpia e tyre është pranë rrëshqitje të dheut ata nuk do të kthehen kurrë në shtëpitë e tyre. Ne duhet të sigurojmë edhe komunikim të duhur në këtë situatë”, shton ai. /os/
TIRANË, 8 janar /ATSH/ Rreth 800 banorë nga zonat e prekura nga përmbytjet në Durrës, Sukth dhe Katund të Ri janë evakuuar si masë sigurie, ndërsa 300 prej tyre po akomodohen përkohësisht në struktura pritëse shtetërore dhe private, deri në normalizimin e plotë të situatës.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, bëri të ditur se qytetarët e evakuuar janë sistemuar në strukturat e Konveleshencës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe në kapacitete akomoduese private.
Ndërkohë, pjesa tjetër e banorëve të evakuuar është strehuar pranë familjarëve të tyre.
“Strukturat janë në terren prej më shumë se 72 orësh, duke punuar pa ndërprerje për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për menaxhimin e situatës së krijuar nga përmbytjet”, u shpreh Koçiu.
Ministrja shprehu mirënjohjen për të gjitha strukturat e angazhuara, si dhe për vullnetarët që kanë kontribuar maksimalisht në ndihmë të banorëve të prekur, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit në përballimin e emergjencave natyrore.
TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes dhe bashkia e Durrësit urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të banorëve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri.
Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësisë administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në njoftim thuhet se prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.
Bashkia Durrës njofton se rransporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) dhe Forcat e Armatosura.
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Njësitë e kujdesit shëndetësor dhe trukturat e shërbimeve sociale, sipas nevojës.
Sipas Bashkisë, në kuadër të këtij procesi do të sigurohet regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm, administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore dhe ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim.
Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Për çdo situatë emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrin e emergjencave.
Lumi Vjosë ka kaluar pikën maksimale, duke dalë nga shtrati dhe ka përmbytur shumë hektarë toka dhe banesa në Vlorë. Për këtë situatë kanë reagur strukturat e Emergjencave Civile duke kërkuar evakuim të menjëhershëm të banorëve në Novoselë. Lajmërim zyrtar për evakuim të menjëhershëm: Si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e…
“Ja shikoje vetë sa keq është gjendja”, “Të lutem bëji fotot, video të gjithave, ekspozoji”, “Do sëmuremi”, “Ishalla dëgjohesh ti te Bashkia”.
Këto janë disa nga fjalët që dëgjova nga banorët në zonën e njësisë administrative numër 6, apo siç njihet në të folurën e përditshme, zona e Kombinatit.
Atje, koshat e plehrave ishin të tejmbushur, të rrethuar nga mbeturinat e lëna rreth e përqark në cepat e tyre si dhuratat poshtë pemës së Krishtlindjeve.
Kombinat, 29 dhjetor 2025Kombinat, 29 dhjetor 2025
Vetëm pak muaj më parë, në gusht 2025, kryeministri Edi Rama njoftonte krijimin e një institucioni të ri për menaxhimin e mbetjeve: Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.
Sipas tij, ky operator “do të jetë në dispozicion të gjithë republikës, patjetër të pushtetit vendor, të qytetarëve dhe misionit për anëtarësimin në BE”, duke përqendruar trajtimin e mbetjeve në një strukturë kombëtare dhe jo më në dorë të bashkive.
Rama e cilësoi këtë si “kapitullin më sfidues të negociatave me BE-në” dhe premtoi “një paketë të re reformash dhe masash” për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë edhe krijimin e “fondit të ekonomisë së mbetjeve”.
Sipas një përgjigjeje zyrtare që Bashkia Tiranë i ka dërguar Faktoje.al në muajin shtator, shërbimi i pastrimit në territorin e bashkisë realizohet nga shoqëria publike “Eco Tirana” sh.a. Vetëm për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane, kostoja vjetore e parashikuar arrin në 1,142,855,362 lekë me TVSH.
Në terren, megjithatë, premtimet për reformë duken shumë larg koshave të tejmbushur që takova në Kombinat.
Banorët dukeshin të qetë, të mësuar fare mirë me këtë gjendje. Gjatë rrugës sime në këmbë i shikoja teksa gjithë delikatesë i vendosnin plehrat mbi kosha në mënyrë të atillë që të mos humbej balanca dhe ato të binin bashkë me qeset e tjera poshtë.
Afër qendrës së Kombinatit, tek tregu, edhe korsia e biçikletave, edhe zona rreth pemëve të mbjella që ndodheshin afër dhe para koshave, ishte e përmbytur nga mbeturinat që në fakt duhet të ishin brenda tyre.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Pasi pyeta banorët për vendndodhjen e pallateve të rindërtuara pas tërmetit të vitit 2019, u drejtova për nga qendra e Kombinatit, aty ku gjendej dhe objekti i njësisë administrative numër 6.
Kjo ndërtesë, përgjegjëse për punët e brendshme vendore të kësaj njësie, e ndante murin me një godinë e cila dukej si një relike e një kohe tjetër. Kjo godinë qëndronte në këmbë por ishte e boshatisur, dukshëm e dëmtuar nga tërmeti, e krisur dhe e shembur vende-vende. Disa prej ngrehinave të saj ishin mbushur edhe me plehra.
Godina kishte 10 harqe dhe disa hyrje nën to; në njërën prej tyre më zunë sytë një zotëri dhe iu afrova ta pyes. Zotëria po tërhiqte një karrocë me plehra dhe atë hyrje ku po qëndronte, e trajtonte si vendqëndrimin e tij pasi ishte i pastrehë.
“Kjo godina është bosh, vetëm unë jam këtu”, më konfirmoi ai dhe më tha se nuk kishte dëgjuar për ndonjë rikonstruksion apo rindërtim të mundshëm të saj.
Pas kësaj pamje groteske mu në qendër të Kombinatit, sipas direktivave të banorëve, kalova përmes një harku betoni për të mbërritur në destinacionin e dëshiruar.
Panorama ishte e nderë që në hapat e para, rruga ku po shkelja nën hark ishte e copëtuar dhe, me të ecur edhe pak, ajo kthehej në një baltovinë, totalisht të pashtruar.
Para meje po kalonte një grua e ngarkuar me nga një qese të rëndë në secilën dorë, varur si gurë peshe. Sikur peshat të mos mjaftonin, e shihja teksa tërë siklet bënte zigzake në shmangie të gropave, pellgjeve dhe llucave të rrugës.
Tani ishte shumë vonë për t’u kthyer pas, isha shumë afër destinacionit, edhe pse dukshëm do të kthehesha në “Tiranën tjetër”, pra në lagjet e qendrës, me këpucë të ndotura sikur të kisha hyrë në ndonjë kënetë.
Por rruga e munguar nuk ishte e keqja e vetme. Gjatë asaj rruge u hasa me pesë kazanë mbeturinash, të vjetëruar dhe qëndrestarë, në mes të asaj rruge pa rrugë.
Në pamje të parë situata nuk dukej keq, kishte mbeturina të vogla rreth e përqark koshave, por ishin thjesht kanaçe apo ambalazhe sporadike. Ama ndonjëherë duhet të shikosh përtej asaj që sheh dhe ajo “përtej” në këtë rast nuk ishte kaq e zakonte.
Pas koshave, përveç një pellgaçeje minimaliste, kishte një grusht shishesh plastike dhe plehrash të tjera shtëpiake bashkë me një dyshek dhe një batanije nga ato me lule kafe që të gjithëve na lipsen në këtë dimër të ftohtë.
Pikërisht për objekte të tilla të mëdha, si dysheku dhe mobiliet e vjetra që kisha përpara syve, bashkia ka premtuar se qytetarët nuk kanë pse t’i hedhin pranë koshave.
Në një nga prezantimet për shërbimin e ri të pastrimit në vitin 2024-tër, një punonjës i “Eco Tirana”-s u bënte thirrje qytetarëve: “Nëse kanë një divan, një lavatriçe ose ndonjë gjë tjetër për të hedhur, ne kemi mjete që e largojnë direkt, pa pagesë. Por që i kemi falas”.
Në letër, mjafton një telefonatë që një dyshek si ai i hedhur në baltë të merret nga banesa pa kosto.
Gjendja e plehrave deri tani në këtë ekspeditë të shkurtër në Kombinat dukej aspak e bukur, por vazhdova përpara drejt pallateve të reja.
Tashmë arrija t’i shquaja pallatet, isha as 2 minuta larg tyre. Kisha arritur. Rruga deri aty nuk ishte e gjatë, por ishte padyshim e keqe dhe e padëshirueshme për atletet e mia. Herë tjetër, për kësi misionesh, duhet të marr patjetër çizme të trasha gome.
Sado që kërkoja t’i shmangia plehrat, ato s’po më ndaheshin. Në krahun tim të majtë ishin disa banesa të shkretuara që një Zot e di prej sa vitesh ishin bosh. Bosh nga njerëzit, por jo nga plehrat.
Banorët e zonës kishin mbushur me plehra tre banesa të tilla që gjendeshin në krah të rrugës deri te pallatet e reja.
Në atë rrugicë më pak se 5 metra të gjatë gjendeshin 5 kazane plehrash dhe tre ish-shtëpi tashmë të kthyera në mini-landfille.
Plehra, plehra, plehra…
Në këtë pikë isha gati e dorëzuar, ato ishin kudo dhe çdo hap bëhej gjithnjë e më i pamundur pa u ndeshur me to.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Gjendesha mu përpara katër godinave të rindërtuara, kontrasti mes zonës përreth tyre dhe këtyre godinave të reja ishte shumë i thellë. Në këmbët e mia kisha nja 2-3 pellgje të mëdha me ujë dhe rreth e përqark gjithë dheu ishte kthyer në baltë.
Atletet e mia nuk kishin shpëtim kësaj here, por kjo nuk ishte asgjë krahasuar me panoramën që më priste.
Me një të kthyer të kokës majtas shoh një pallat ngjyra-ngjyra të ri fringo, madje akoma të papërfunduar. Para pallatit ngjyra-ngjyra ngrihej një kodër e vogël me plehra po ngjyra-ngjyra.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Gjithçka kishte aty: materiale ndërtimi, copa betoni, kuti kartoni, ambalazhe, kanaçe, shishe plastike, lodra fëmijësh, pjesë orendish shtëpiake, tuba, veshje, etj, etj, etj.
Një katrahurë e vërtetë.
Nisa të bëja disa foto dhe video. Situata duhej bërë patjetër publike.
Teksa bëja foto, më flet një zotëri, banor i zonës, që ishte duke lëvizur me biçikletë.
“E shikon ç’bëhet këtu”, më thotë ai dhe psherëtin. I prezantohem si gazetare e Faktoje.al dhe e pyes për këtë masiv shokues plehrash.
“Mesa di unë janë bërë ankesa tek Bashkia nga banorët për këto plehrat”, thotë ai, por specifikon se nuk janë organizuar si komunitet për të kërkuar zgjidhje.
Përshëndetem me zotërinë, pasi i lë kontaktin dhe i kërkoj t’më përditësojë për çdo ndryshim, për mirë apo për keq, të situatës.
Ndërsa bashkë me një qen rrugësh i vimë rrotull vendgrumbullimit të plehrave, përballem me një zonjë të moshuar që po tërhiqte një karrocë ushqimesh.
Sapo e përshëndes dhe i prezantohem si gazetare, ajo nis t’më flasë për shqetësimin e saj më të madh… plehrat.
“Do sëmuremi”, tha tetëdhjetëvjeçarja, duke më kërkuar t’i shkoj pas, sepse përveç atij grumbullimit të madh me plehra në zonë ka dhe të tjera dhe në përgjithësi zona rreth kompleksit të pallateve është e papastruar.
Kombinat, 29 dhjetor 2025Kombinat, 29 dhjetor 2025Kombinat, 29 dhjetor 2025
Vijoj rrugën me të, drejt cepit tjetër të kompleksit të 4 “godinave të tërmetit”, siç i quajnë rëndom banorët e këtushëm. Teksa ecim, zonja më tregon se sipas saj mbeturinat kanë nisur të hidhen nga ata që kanë bërë punimet tek godinat. Ata kanë hedhur në këto pika kartonat dhe kutitë e pajisjeve shtëpiake, apo të ndërtimit.
Banorët pastaj, nga përtacia apo mosedukata, kanë vijuar t’i hedhin mbeturinat e tyre të përditshme apo kutitë që kanë përdorur për transportin e sendeve shtëpiake në shtëpitë e reja pikërisht në këto grumbuj të krijuar.
“Unë jam shumë e vjetër dhe jetoj vetëm, s’mund të bëj asgjë, të lutem ngrije këtë problem, sepse po bëhet dita-ditës më shqetësues”, më kërkon e moshuara teksa më tregon me gisht grumbujt e tjerë të mbetjeve.
Grumbujt e plehrave shkëlqejnë në diellin e pasdites, por duket sikur askush nuk i sheh, sepse qytetarët, paçka sasisë alarmante të tyre, vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Me premtimin se do e ngre zërin edhe në emër të saj ndahem me zonjën. Veprimi u mbetet organeve kompetente.
Ndërkohë, nga përgjigjja që Bashkia Tiranë i ka kthyer Faktoje.al, rezulton se fondi i kontingjencës, i planifikuar në vlerën 40 milionë lekë për vitin 2025, ka mbetur plotësisht i papërdorur.
Një shumë kjo që mund të ishte përdorur për ndërhyrje në situata si kjo: për pastrimin e mbetjeve, sistemimin e hapësirave përreth godinave të reja apo marrjen e masave për kufizimin e rreziqeve për shëndetin e komunitetit, që në rastin e Kombinatit duket se ka mbetur vetëm në letër, përballë grumbujve të plehrave, baltës dhe erës së rëndë që përcaktojnë përditshmërinë e qindra familjeve.
Prej vitesh kryebashkiaku Erion Veliaj e prezanton Tiranën si histori suksesi në pastrim. Në prill 2023 ai deklaronte se “Tirana është qyteti më i pastër në Europën Juglindore” dhe se pastrimi është “kartëvizita më dinjitoze, më e bukur e përfaqësimit, fytyra jonë më europiane”.
“Tek çështja e pastrimit jemi numri 1 sot në rajonin tonë”, theksonte Veliaj, duke u shprehur se kjo vihet re nga delegacione të huaja, kryeministra dhe turistë që vizitojnë kryeqytetin.
Edhe në nivel operacional, bashkia ka premtuar marrje të plotë të kontrollit mbi pastrimin. Në shtator 2024, Veliaj njoftoi se “shërbimi i pastrimit të Tiranës do të kryhet plotësisht nga bashkia dhe jo më nga kompanitë private”.
Në të njëjtën linjë, ai njoftoi “një aksion të madh pastrimi” dhe vënien në punë të “mjeteve dhe makinerive të reja të shërbimit të pastrimit” që, sipas tij, punojnë “nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes”.
Teksa nis të fotografoj dhe filmoj pamje të plehrave në cepin tjetër, përballë godinave të reja, takoj një zotëri që ka nxjerrë shëtitje qenin.
“Gazetare je moj vajzë?”, më pyet ai dhe, pasi merr përgjigjen, nis t’më thotë se ata presin me shpresë që pastrimi i zonës të përfundojë bashkë me përfundimin e punimeve në godina.
Njëra nga 4 godinat është e papërfunduar. Pritet të ndërtohen edhe disa godina të tjera, por për to punimet ende nuk kanë nisur. Më pas do të vijohet me ndërtimin e trotuareve, pastrimin e zonës dhe mbase edhe shtrimin e rrugës, tregon zotëria.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Aktualisht, përveç godinave të reja, pjesa tjetër duket një katrahurë mbetjesh betoni, plehrash, balte dhe lluce. Për ndërtimin e rrugës pastaj, banori s’di ç’të shpresojë fare, pavarësisht se e identifikon si problem.
Si pa e kuptuar, nga një fotografi, video apo bisedë në tjetrën, kalova disa orë të tëra në kombinat, “duke gjurmuar” plehrat.
Vendosa të kthehem pas nga rruga tjetër që të nxirrte tek rruga kryesore. Nga baltovina prej nga erdha kisha parë mjaftueshëm.
Papritur më ndalon në rrugë një zonjë, e cila më kishte parë teksa flisja për plehrat me banorët.
“Unë i hedh mbeturinat tek koshat, mezi eci por shkoj deri tek ato”, më thotë ajo, pa ditur t’më thotë saktësisht se sa kohë ka që këto mbeturina janë grumbulluar në atë formë.
Sipas saj, e sigurt është që gjendja kishte qenë e tillë prej të paktën një muaji, që kur ishte futur në shtëpi ajo.
Godinat kanë nisur të popullohen prej më pak se një viti dhe në të katërta ato pritet të banojnë 600 familje, 150 në secilën, sipas banorëve.
Në këto kushte, problemi i mbetjeve, nga ana shëndetësore dhe mjedisore, ka të ngjarë vetëm të përkeqësohet nëse nuk ndërmerren masa për zgjidhjen e tij.
Kombinat, 29 dhjetor 2025
Lutjet e banorëve, baltovina ngjitëse dhe aroma e papushimtë e mbeturinave më shoqëronin ngado. Godina të reja, por të gjendura në mes të një kaosi mjedisor dhe shëndetësor për komunitetin. Në rrugicën tjetër, e cila fatmirësisht, ndryshe nga ajo prej së cilës erdha, ishte e shtruar, më priste një tjetër panoramë shokuese.
Një varrezë betoni shtrihej para syve të mi në të dyja anët e rrugës, por sidomos nga ana tjetër e rrugës përtej godinave, ku s’kishte ndërtime të reja, vetëm grumbuj betoni, dhe mbeturina.
Një foto e shkrepur këtu, lehtësisht mund të përdorej për të ilustruar Gazën. Por ky është realiteti i përditshëm i një lagjeje të rindërtuar në Tiranë, më tepër se 6 vite nga tërmeti i 26 nëtorit.
Derisa fondet, institucionet dhe premtimet të reflektohen, banorët e Kombinatit do të vijojnë të jetojnë mes godinave të reja dhe një landfilli që rritet çdo ditë nën dritaret e tyre.
Transformimi urban në Shqipëri vijoi të prodhojë konflikte përgjatë vitit 2025. Zakonisht, debati ndahet mes atyre që e shohin këtë zhvillim si modernizim estetik dhe atyre që e kritikojnë atë kryesisht nën dyshimin për interesa të errëta ekonomike.
Por përtej këtij polarizimi, një fakt mbetet i padiskutueshëm, ndikimi i thellë që ky transformim urban ka dhënë dhe po jep te komunitetet lokale. Citizens.al është munduar t’u japë gjithmonë vëmendje zërave qytetarë dhe të përcjellë të parin shqetësimet e tyre.
Projektet e ndërtimeve masive, rikualifikimeve urbane dhe infrastrukturore në Shqipëri zhvillohen shpesh pa konsultime me banorët që preken prej tyre. Objektet nuk vlerësohen si duhet për shpronësim, nuk respektohet trashëgimia, hapësirat, distancat me godinat ekzistuese, shpesh ndërtohet në tejkalim të lejeve etj.
Për rrjedhojë, ky zhvillim ka nxitur pasiguri mbi pronën dhe strehimin duke ngjallur rezistencë qytetare në zona të ndryshme të vendit në rastet kur projektet trokasin dyerve të shtëpive apo institucioneve.
Të tilla ishin rastet e banorëve pranë qendrës kulturore “Ten”, shkollës “Emin Duraku” dhe ata të një pallati te Astiri në Tiranë, banorët e lagjes historike dhe zonës së ish-kabinave të plazhit në Durrës, apo dhe banorët e zonës së Rrjollit në Velipojë.
Mes dëbimit dhe pasigurisë së strehimit
Dy komunitete në Durrës u përballën me largim nga shtëpitë e tyre, për arsye të ndryshme. Në “lagjen 13”, 32 familje u gjetën në rrugë në prag të festave, pasi godinat ku banonin që nga vitet ’90 iu kalua pronarit me një proces të cilin ata e kontestojnë.
Banorët, të cilët u vendosën te ish-kabinat e plazhit rreth 30 vite më parë si përfitues nga statusi pastrehë, thonë se morën vesh vonë vendimin e bashkisë për t’ia kaluar objektin “me banorë brenda”. Vetëm një person, me aftësi të kufizuara, mori mbështetje për qira. Të tjerët mbetën pa ndihmë.
Ndryshe është situata në lagjen e Kalasë. Mbi 70 familje mund të shpërngulen për shkak të projektit të rikualifikimit urban të zonës, njohur ndryshe dhe si “TID Durrës”.
Parashikohet dëmshpërblim, por shumica e banorëve e konsiderojnë si të pamjaftueshëm për një zonë kaq strategjike, për më tepër vlera e përllogaritur i referohet çmimeve të 10-15 viteve më parë.
Projekti zbatohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Durrës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Banorët i kanë paditur në Gjykatën Administrative. Paralelisht, kanë bërë kallëzim edhe në SPAK.
Ndërtimet “fasadë më fasadë”
Rindërtimi i qendrës kulturore “Ten” në rrugën Myslym Shyri në Tiranë, parashikoi rritjen e godinës nga dy në katër kate. Banorët përreth u alarmuan. Ata u ankuan për mungesën e konsultimit dhe rrezikun që ndërtesat e tyre të dëmtoheshin nga ana strukturore ose të mbeteshin pa dritë dhe ajrim.
Ata iu drejtuan Citizens.al. Bashkia Tiranë deklaroi se projekti përputhej me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe nuk dëmtonte ndërtesat afër. Megjithatë, punimet u ndërprenë në mars, për arsye të paqarta. Sot, banorët janë në proces gjyqësor me bashkinë dhe kompaninë zbatuese.
Një tjetër konflikt shpërtheu pranë shkollës “Emin Duraku”, në ish-Bllok. Këtë herë bëhej fjalë për një kullë 16-katëshe, me katër kate nën tokë dhe rreth 10 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi.
Banorët protestuan, duke nxjerrë si shqetësim kryesor jo vetëm humbjen e hapësirave të përbashkëta, por edhe rrezikun e një ndërtimi të tillë pranë një shkolle që frekuentohet nga fëmijë të shumtë. Megjithatë, me kalimin e kohës, rezistenca u zbeh.
“Pjesa më e madhe e banorëve është tërhequr, edhe pse çështja është në Gjykatën e Tiranës”, tha avokati Redon Meksi për Citizens.al.
Ky grup banorësh duket se e ka pasur të vështirë të gjejë një inxhinier të gatshëm të angazhohet si ekspert për të analizuar parregullsitë e projektit e që përmes saj më pas të kërkohej sigurimi i padisë.
Megjithatë ky vit pati edhe raste ku komunitetet arritën fitore, qoftë dhe të pjesshme. I tillë ishte rasti i një grupi prej 24 familjesh, të cilët me mbështetjen e organizatës “Drejtësi Sociale”, siguroi legalizimin e banesave pas protestave para Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Përmes avokatit Gentian Serjani, grupi i zonës së Astirit, ia ka dalë që të ndërhyjë dhe përshpejtojë procedurat duke i dhënë fund një anashkalimi prej rreth 20-vitesh.
Ndërkohë, në Rrjoll të Velipojës, banorët panë pezullimin e projektit të resortit turistik “Blue Borgo”. Ata protestuan, madje dhe u përplasën me policinë duke iu drejtuar më pas dhe SPAK-ut për çështjen e pronësisë.
Prek Molla, banor i zonës, tregoi se prej marsit nuk ka pasur tentativa për rikthim të punimeve.
“Pati një tentativë për marrëveshje, por pas skandalit [të korrupsionit] me [ministren Belinda] Ballukun, investitori u tërhoq”, tha ai.
Këto raste të hasura këtë vit, tregojnë edhe njëherë se konfliktet e përsëritura urbane fshehin pas modelin e projekteve të mëdha që aplikohen me përgjegjësi dhe kosto sociale të paqarta dhe pa konsultim publik.
Rezistenca qytetare mbetet një nga pak mekanizmat që duket se i vë frenë proceseve të tilla.
Gjykata e Lezhës pushoi padinë e kompanisë “Shpërdhaza-Energji” ndaj dy banorëve të zonës së Kaçinarit në Mirditë, të cilët qenë akuzuar për shpifje dhe prishje imazhi. Vendimi mbyll një proces të konsideruar gjerësisht nga grupet kundër hidrocentraleve si përpjekje për të heshtur rezistencën e komuniteteve.
Padia ishte ngritur ndaj Gjergj Dedës, kryeplak i fshatit Simon, dhe Gjon Ndojt, pas deklaratave kundër ngritjes së katër hidrocentraleve nga “Shpërdhaza-Energji” në fshatrat e Mirditës.
Padia qe depozituar më 17 mars dhe lidhej me qëndrimet e shprehura nga dy banorët në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Mirditës, që ishte mbajtur tre javë më përpara, më 24 shkurt.
“Kam thënë s’kanë dokumente, s’kanë leje mjedisore, ujore,” tha Deda për Citizens.al, sipas së cilit kompania ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
Sipas avokatit të banorëve, Marash Logu, kompania i cilësoi deklaratat si të pavërteta dhe cenuese për reputacionin e saj.
Mirëpo, pas rreth nëntë muajsh, gjykata ka vendosur ta pushojë çështjen. Shkak është bërë mosparaqitja e vazhdueshme e përfaqësuesve ligjorë të kompanisë. Si rrjedhojë procesi nuk avancoi kurrë në shqyrtim themelor.
Paditë SLAPP si mënyra për të heshtur banorët
Paditë e tilla, të cilat synojnë kryesisht frikësimin dhe stepjen e zërave kundërshtues, njihen shkurtimisht si “SLAPP”.
Rasti i Kaçinarit nuk është i izoluar. Në tetor 2025, banorët e Zall Gjoçajt që prej vitesh protestojnë kundër hidrocentraleve në atë zonë u gjendën të paditur për shpifje dhe fyerje nga kompania “Seka Hydropower”.
Kompania pretendon se tre banorët e paditur gjatë organizimit të një proteste në Lufaj të Mirditës në korrik 2025, i kanë dëmtuar figurën, përmes komunikimit që kanë pasur për mediat. Çështja vijon të trajtohet nga gjykata e Lezhës.
Organizata dhe juristë vërejnë se paditë SLAPP po përdoren shpesh nga kompani private për të intimiduar komunitetet që kundërshtojnë projekte me ndikim mjedisor.
Këto padi nuk synojnë domosdoshmërisht suksese ligjore, por lodhjen psikologjike dhe financiare të aktivistëve, përmes proceseve të gjata gjyqësore.
Diana Malaj, juriste dhe përfaqësuese e grupit ATA, i cili ka mbështetur vazhdimisht komunitetet në kundërshtimin e projekteve të HEC-eve, theksoi për Citizens.al se pasojat janë të thella dhe afatgjata.
“Mund të shoqërohet më demotivim të aktivistëve, stres e depresion, […] me një presion të jashtëm e periferik, që mund t’u vijë nga persona të tjerë të rrethit të tyre familjar apo miqësor,” analizon Malaj.
“Mundet t’i rëndojë shpirtërisht fakti që bëhen pjesë e një procesi penal, pra ndihen të kriminalizuar”, vijoi ajo.
Në Shqipëri nuk ekziston ende një kuadër i posaçëm ligjor kundër padive SLAPP. Megjithatë, sipas Malajt, janë planifikuar ndryshime deri në verën e vitit 2027, përfshirë transpozimin e Direktivës Anti-SLAPP të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e protestës, të cilat shpesh sprovohen përmes këtyre padive.
Por, sipas Malajt, efektet e padive SLAPP mund të jenë edhe të kundërta.
“Ato mund të riaktivizojnë solidaritetin dhe të forcojnë këmbënguljen për të protestuar e folur publikisht,” tha ajo teksa nënvizoi se këto efekte shpesh anashkalohen nga paditësit.
Banorët e Kaçinarit kundërshtojnë projektin e katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” që prej vitit 2019. Ata pretendojnë mungesë konsultimi publik, shkelje ligjore dhe falsifikim të firmave të banorëve.
Protestat janë zhvilluar në bjeshkë, para Ministrisë së Infrastrukturës, por edhe para Gjykatës së Lezhës.
Shqetësimi kryesor mbetet devijimi i burimeve ujore dhe dëmet mjedisore, që sipas banorëve mund të jenë të pakthyeshme nëse punimet vijojnë.
Një grup fëmijësh të moshës 12–14 vjeç kanë kthyer një lagje të Shkodrës në zonë të frikës, duke goditur, kërcënuar dhe grabitur banorët. Ndërkohë, policia thotë se “janë minorenë dhe nuk mund të mbahen”, shkolla deklaron se “nuk ka probleme në ambientet e saj”, ndërsa nëna e njërit prej djemve shpërthen: “Jam dorëzuar, çfarë të […]
Banorët e rrugës “Pasho Hysa-Ali Dem” në Tiranë kanë denoncuar gjendjen tejet problematike të rrugës, e cila prej kohësh është kthyer në një shqetësim serioz për komunitetin. Sipas tyre, uji rrjedh pandërprerë nga fillimi deri në fund të rrugës, duke krijuar gropa të mëdha dhe duke e bërë pothuajse të pamundur qarkullimin normal të automjeteve […]
Konflikti mes banorëve të Kalasë së Durrësit dhe institucioneve shtetërore për projektin “TID Durrës” hyri të martën në një fazë të re gjyqësore.
Katërmbëdhjetë familje dorëzuan padinë e parë kolektive kundër shpronësimeve, lejeve të zhvillimit dhe mënyrës se si është hartuar dhe po zbatohet projekti.
Në një deklaratë për shtyp, ata e konsideruan procesin “të paligjshëm, pa konsultim publik dhe me pasoja të rënda për të drejtat e pronësisë”.
Arkitektja Entela Spahivogli kërkoi pezullimin e vendimit të qeverisë që lidhet me shpronësimin e banesave duke u nisur nga hetimi që po i bëhet zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Ajo theksoi se VKM-ja në fjalë mban firmën e Ballukut dhe se pezullimi i këtij akti deri në shqyrtimin ligjor nga gjykata mund të shmangë çdo pasojë të paparashikueshme te pronat e qytetarëve.
Në fazën e parë të projektit preken 74 familje, ndërsa mbi 100 të tjera rrezikojnë të preken në vijim.
“TID Durrës” është pjesë e planit 2021-2028 të prezantuar gjatë periudhës së rindërtimit pas tërmetit. Ai është hartuar në bashkëpunim mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Durrës.
Megjithëse projekti është paraqitur si ndërhyrje për rigjallërim kulturor dhe urban, procesi i shpronësimeve është zvarritur, ndërsa banorët thonë se dokumentet vendimtare i janë dorëzuar me vonesë dhe pa sqarime.
Në seancën përgatitore të 2 dhjetorit, në Gjykatën Administrative të Tiranës, banorët paraqitën katër kërkesa kryesore:
Pezullimin e VKM-së Nr. 477, dt. 31.07.2025, që miraton shpronësimet.
Pezullimi i Vendimit Nr. 07, dt. 02.04.2024 të KKTU, që jep lejen e zhvillimit për projektin TID.
Marrja e masës së sigurimit të provës, për një ekspertizë të pavarur inxhinierike, arkitektonike dhe arkeologjike.
Detyrimi i institucioneve publike të dorëzojnë për gjykatën të gjitha aktet administrative, procesverbalet, dosjet teknike dhe “pasaportat e objekteve”.
Banorët thonë se leja e zhvillimit është dhënë pa konsultim publik dhe në kundërshtim me detyrimet procedurale.
Ata kërkojnë që gjykata ta shqyrtojë ligjshmërinë e saj dhe paralelisht të kërkojë verifikim të gjendjes reale të objekteve, arsyeve të prishjes së tyre, vlerave konstruktive dhe përputhshmërisë së projektit me interesin publik.
Sipas tyre në këtë çështje janë bërë një sërë shkeljesh ligjore duke përfshirë:
Ligjin për shpronësimet (8561/1999)
VKM nr. 169/2020 për konsultimin publik të pasurive kulturore
Ligjin 107/2014 për planifikimin e territorit
Rregulloren e Planifikimit të Territorit (VKM 686/2017)
Ligjin 10440/2011 për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis
VKM 247/2014 për informimin dhe përfshirjen e publikut
Sipas banorëve, asnjëri nga këto detyrime ligjore nuk është respektuar.
Ata theksojnë se procesi i shpronësimit është kryer me vlerësime që mbështeten në VKM-të e viteve 2000 dhe 2015, të cilat nuk përkojnë me çmimet e tregut në zonën historike të Kalasë. Kjo ka ulur ndjeshëm dëmshpërblimin e propozuar.
Në raportime të mëparshme, Citizens.al ka sjellë rastet e disa banorëve, shtëpitë e të cilëve nga autoritetet publike vlerësoheshin 60-100 mijë euro ndërkohë që nga vlerësues privatë të pasurive vlera e tyre në treg ishte së paku dy herë më e lartë.
Kjo qasje, e kombinuar me mungesën e konsultimit, i jep projektit karakter të një procesi të mbyllur, të ndërtuar për të justifikuar vendime të marra më herët.
Në një koment për Citizens.al AADF ka shpjeguar se kontributi i saj për projektin “përfaqëson një dhurim për qytetin dhe komunitetin lokal”, si pjesë e angazhimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
“AADF nuk ka asnjë rol apo përgjegjësi në lidhje me procedurat e shpronësimeve, përcaktimin e vlerës së kompensimit për pronat, apo çdo proces tjetër që lidhet me çështjen e pronave në zonën e projektit” ka theksuar ajo në një përgjigje të mëparshme për Citizens.al.
Por, banorët theksojnë se nuk janë kundër zhvillimit, por kundër “prishjeve me vendime të marra pa transparencë” të cilat cenojnë të drejtat kushtetuese të pronësisë.
Çështja “TID Durrës” pritet të bëhet një precedent i rëndësishëm për mënyrën se si trajtohen komunitetet brenda zonave historike, sidomos kur projektet zbatohen pa procese transparente dhe me akte të kontestuara.
TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Përmirësimi i infrastrukturës në lagjet e Tiranës mbetet në fokus të buxhetit 2026, duke garantuar investime për më shumë hapësira publike.
Kështu u shpreh sot drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu, në vijim të dëgjesave publike për buxhetin 2026.
Së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe deputetë të PS-së, Manastirliu zhvilloi një takim me banorë të njësisë nr. 1 në kryeqytet, ku u diskutuan prioritetet sociale dhe zhvillimore që do të marrin mbështetje në buxhetin e ri.
Manastirliu theksoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me komunitetin dhe adresimin e shqetësimeve të tyre në buxhetin 2026, i cili si prioritet ka mbështetjen që qeveria shqiptare u jep të moshuarve, familjeve, punonjësve të administratës publike, si edhe profesionistëve të shëndetësisë dhe arsimit.
Ajo u shpreh se një nga prioritetet e qeverisë mbetet infrastruktura e zonave të banimit dhe hapësirat publike, të cilat janë adresuar edhe në buxhetin e ri, përmes investimeve në përmirësimin e infrastrukturës brenda zonave të banuara dhe zgjerimin e hapësirave publike.
“Një prej prioriteteve tona mbetet sigurisht infrastruktura brenda zonave të banimit, që vjen edhe me operacionin e çlirimit të hapësirave publike. Një fond i posaçëm do të vendoset nga Bashkia për këto projekte, që nuk prekin vetëm njësinë 1, por të gjithë Tiranën”, tha Manastirliu.
Sipas saj, buxheti i ri do të krijojë modele të reja projektesh në të gjithë kryeqytetin, duke synuar hapësira më cilësore për qytetarët, si në lagjet autoktone, ato ekzistuese, por edhe në zonat e reja.
“Falë ndryshimeve ligjore që kemi bërë për kontrollin e territorit dhe hapësirat, do të kemi më shumë mundësi që të gjitha rezidencat e reja të ofrojnë hapësira dhe mjedise të dedikuara për fëmijët dhe të moshuarit. Rregullorja e re për hapësirat e çliruara do të shoqërohet me një instrument tjetër të vlefshëm për qytetin dhe komunitetin, që lidhet me gjelbërimin e zonave, përmes fondeve të dedikuara nga bizneset që marrin hapësira për shfrytëzim”, tha Manastirliu, duke nënvizuar se zbatimi i kësaj rregulloreje do të jetë përgjegjësi e bashkisë së Tiranës.
TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu, ka vijuar sot takimet publike me banorë të njësive 8 dhe 9, në kuadër të turit të dëgjesave me qytetarët e kryeqytetit për prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2026.
Në fjalën e saj Manastirliu tha se “jemi këtu për të biseduar për Buxhetin 2026, por mbi të gjitha për të adresuar shqetësimet tuaja që jo vetëm i kemi në vëmendje por i kemi adresuar dhe i adresojnë vit pas viti në buxhetet tona dhe të flasim konkretisht se si u kemi gjetur zgjidhje dhe cilat janë projektet dhe prioritetet për buxhetin 2026”.
Manastirliu u ndal te projektet që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës në lagje dhe rikthimin e hapësirave publike te komuniteti.
“Për ne çdo ditë e vitit është një fushatë komunikimi me banorët, me komunitetet, me të gjithë ata qytetarë që duan ta shohin qytetin edhe më të zhvilluar dhe duan të prekin këto investime në lagjen, në rrugën, në vendin ku banojnë. Kemi nisur një operacion për çlirimin e hapësirave publike, i cili po vijon me intensitet në të gjithë Tiranën, duke krijuar mundësi që tashmë të kemi në dispozicion të projekteve rreth 100 mijë metra katrorë hapësirë publike. Janë më shumë se 1000 hapësira, janë 1000 mundësi për t’u shfrytëzuar në funksion të komunitetit, për më shumë kënde lojërash për fëmijët, për më shumë hapësira çlodhëse për të moshuarit, për më shumë hapësira dhe kënde sportive në lagje”, theksoi Manastirliu.
Në takim, Drejtuesja Politike e PS për Tiranën ndau gjithashtu projektin e “superblloqeve”, që synon transformimin urban të lagjeve, rritjen e sigurisë dhe zgjerimin e hapësirave publike të aksesueshme për të gjithë banorët.
Ajo theksoi edhe rëndësinë e përmirësimit të transportit publik.
Dëgjesat për projektbuxhetin do të vijojnë edhe në njësitë e tjera të kryeqytetit, me në fokus prioritetet që lidhen drejtpërdrejt me komunitetin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Ervin Ceca, kandidati për kryetar të bashkisë Berat, i propozuar nga radhët e Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, zhvilloi sot një takim me banorë të fshatit Starovë.
Gjatë takimit, Ceca bisedoi me banorët për shqetësimet dhe idetë e tyre për zhvillimin e zonës.
“Zëri i banorëve të Starovës, nevojat e përditshme dhe dashuria për vendin janë udhërrëfyesi më i mirë për çdo vendim që synon të përmirësojë jetën në komunitet”, tha Ceca.
Të dielën, më 9 nëntor do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale në bashkinë e Beratit, ku kandidati i PS-së, Ervin Ceca do të garojë për postin e kryebashkiakut me Pavlo Shkarpa, kandidati i pavarur (mbështetur nga PD).
TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 9 nëntorit, kandidati i mbështetur nga opozita për bashkinë Tepelenë, Gabriel Guma zhvilloi një takim me banorë të Progonatit.
Guma dëgjoi nga banorët, shqetësimet e tyre për rrugët e dëmtuara, mungesën e investimeve dhe vështirësitë e jetës në një zonë që, sipas tij, “meriton shumë më tepër”.
“Në çdo shtëpi që hyra, ndjeva forcën e njerëzve që nuk dorëzohen, por edhe zhgënjimin nga premtimet e pambajtura. Progonati ka histori, shpirt dhe potencial ajo që mungon është vëmendja dhe vullneti për të ndryshuar realisht. Unë jam këtu për ta dëgjuar çdo zë dhe për ta kthyer në veprim”, tha Guma në një postim në rrjetet sociale.
Rreth 350 familje që jetojnë në një kompleks pallatesh në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë po përballen me mungesën e ujit të pijshëm prej më shumë se tre muajsh. Banorët raportojnë se uji vjen vetëm një herë në 24 orë dhe qëndron për një kohë shumë të shkurtër, duke mos përmbushur as nevojat […]
Banorët e lagjes së vjetër të Kalasë në Durrës e zhvendosën sot protestën kundër projektit të rijetëzimit urban të zonës së tyre nga autoritetet lokale te zyrat e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në Tiranë, e cila është palë zhvilluese e projektit.
Mbi 70 familjeve u është kërkuar të shpronësohen për t’i hapur rrugë modelit të investimeve të integruara transformuese, njohur me akronimin TID. Por ata nuk janë dakord me vlerësimin që u është bërë pronave dhe pretendojnë se projekti e shkatërron zonën historike.
Grupit të banorëve që kanë shtëpi mbi 100-vjeçare u takon të kompensohen me çmime të papërditësuara të referencës. Sipas një vendimi të qeverisë, botuar në Fletoren Zyrtare, çmimi i referencës së pronave të tyre është i vitit 2015.
Projekti “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID”, financuar nga qeveria, Bashkia e Durrësit dhe AADF, parashikon shembjen e një pjese të lagjes së vjetër për t’i hapur rrugë “rijetëzimit turistik”.
Banorët kanë paditur në Gjykatën Administrative Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Durrësit, duke kërkuar pezullimin e projektit. Paralelisht, ata thanë se kanë dorëzuar një kallëzim në SPAK, që përfshin tre studio projektimi, bashkinë dhe AADF-në.
“E kemi kërkuar përgjegjësinë në çdo institucion, por AADF është bërë pjesë e këtij projekti korruptiv duke e financuar pa kontrolluar çfarë ndodh në terren,” pretendoi Entela Spahivogli, banore e zonës.
Krahas vlerësimeve të ulëta banorët kundërshtojnë edhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.
“Turistët vijnë për shtëpitë e vjetra, jo për sheshe. Gjelbërimet i pati Durrësi, por i betonizuan. Tani duhet të prishen shtëpi, duhet t’i heqësh njerëzit, t’i nxjerrësh në rrugë,” vijoi Rita Kazazi, një banore tjetër.
Sipas Fatmir Zotajt, tjetër banor, shifrat e projektit janë disproporcionale duke ngritur dyshimin për abuzime me fondet.
“Për kompensimin e 74 familjeve janë parashikuar 3.1 milionë dollarë, ndërsa vetëm për lyerjen e fasadave 6.7 milionë. Kjo është një padrejtësi e hapur,” tha ai për Citizens.al.
Në një koment për Citizens.al fondacioni shpjegoi se kontributi i AADF-së për projektin e Amfiteatrit të Durrësit “përfaqëson një dhurim për qytetin dhe komunitetin lokal”, si pjesë e angazhimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
“AADF nuk ka asnjë rol apo përgjegjësi në lidhje me procedurat e shpronësimeve, përcaktimin e vlerës së kompensimit për pronat, apo çdo proces tjetër që lidhet me çështjen e pronave në zonën e projektit” citohet në përgjigjen për Citizens.al.
AADF përmbylli se këto çështje janë kompetencë ekskluzive e institucioneve qëndrore dhe lokale të shtetit shqiptar.
Ndërkohë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimet (ASHSH) sqaroi gjithashtu për Citizens.al se roli i saj është vetëm si zbatuese e procedurave ligjore, ndërsa përgjegjësia për projektin dhe zonën i takon bashkisë dhe qeverisë.
Çfarë dihet deri më tani?
Vendimi për shpronësimet u publikua në Fletoren Zyrtare më 26 gusht 2025, me një fond total prej rreth 315.5 milionë lekësh (3.2 milionë euro) – shumë më e ulët se ajo që kërkonte fillimisht Bashkia (4.8 milionë euro).
Projekti është pjesë e planit TID, miratuar në vitin 2021, i lidhur me nismën pas tërmetit të vitit 2019 për rindërtim dhe zhvillim urban.
AADF dhe Ministria e Kulturës kishin parashikuar shpronësimet që në planin 2021-2028, por procesi është zvarritur dhe po zbatohet pa qartësi publike.
Vlerësimi i pronave mbështetet në VKM-të e viteve 2000 dhe 2015, që nuk pasqyrojnë realitetin aktual të tregut, duke ulur ndjeshëm dëmshpërblimin për banorët e Kalasë.
Në raportime të mëparshme, Citizens.al solli rastet e disa banorëve, shtëpitë e të cilëve nga autoritetet publike vlerësoheshin 60-100 mijë euro ndërkohë që nga vlerësues privatë të pasurive vlera e tyre në treg është së paku dy herë më e lartë.
Gjykata Administrative e Apelit shtyu për më 22 tetor vendimin mbi padinë e banorëve të Zall-Gjoçajt ndaj projekteve të dy hidrocentraleve (HEC) në lumin Flim dhe Urakë. Prej pesë vitesh banorët kërkojnë rrëzimin e lejeve për HEC-et “Sekë” dhe “Zajs”, të cilat shtrihen në zonë të mbrojtur.
Për seancën e sotme ishin të pranishëm banorët, avokati i tyre Franc Terihati, dhe përfaqësues të kompanisë “Seka Hydropower”. Por ajo u shty për arsye procedurale, pasi përfaqësuesja e ministrisë së Mjedisit nuk ishte pajisur me autorizimin e nevojshëm pas ndarjes së ministrisë nga ministria e Turizmit në strukturën e re qeverisëse.
“Në kushtet kur përfaqësuesja nuk ishte pajisur me autorizim, seanca u shty që vendimi i kalimit procedural t’i njoftohet Ministrisë së Mjedisit, e cila konsiderohet që ishte në mungesë”, shpjegoi për Citizens.al avokati i banorëve, Terihati.
Padia në Apel kundërshton një vendim të vitit 2020, në të cilin Gjykata e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesat e banorëve për të ndalur ndërtimet në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.
Ndërkohë që komuniteti lokal i pati kundërshtuar projektet me protesta që prej vitit 2018.
Çështja aktuale kërkon pavlefshmërinë e deklaratës mjedisore, lejes së ndërtimit, lejes së përdorimit të ujërave si dhe shfuqizimin e urdhrit të ish-Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që zvogëloi fondin pyjor të zonës me rreth 6180 m2 si dhe shkresat e AKZM-së që i dhanë dritën jeshile zhvillimit të projekteve.
Argumenti qendror i banorëve të Zall-Gjoçajt është se sipas ligjit nr.81/2017 për Zonat e Mbrojtura nuk lejohet ndërtimi i impianteve të tilla në zona të kategorisë “II” të nivelit të mbrojtjes.
Prandaj, si palë të paditura, përveç kompanisë “Seka Hydropower”, janë dhe institucionet sikurse: Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli i Basenit Ujor Mat, Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkia Mat.
Në vitin 2018, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën për të formuar një nga parqet Kombëtare më të mëdha në Shqipëri. Por në janar 2022, qeveria rishikoi kufijtë dhe e hoqi nga ky park zonën ku tashmë është ngritur diga e HEC-it “Zajs”.
Ky ndryshim ligjor, i bërë në mes të konfliktit gjyqësor, u cilësua nga banorët si tentativë për të legjitimuar shkeljen. Më herët, në shkurt 2020 banorët e Matit kishin kërkuar zhvendosjen e hidrocentraleve jashtë zonës së mbrojtur dhe për këtë ngritën një padi të dytë.
Kronologjia e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore:
Nëntor 2019 – Gjykata Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesën për ndalimin e punimeve.
Qershor 2020 – Gjykata Administrative rrëzoi padinë për ndalimin e HEC-eve.
Janar 2021 – Gjykata anuloi licencën e dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për HEC-in “Zajs” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
Janar 2021 – Gjykata rrëzoi padinë kundër institucioneve që dhanë lejet.
Qershor 2021 – Banorët protestuan përpara Gjykatës Administrative të Apelit duke kërkuar që ajo ta marrë në shqyrtim apelin e tyre.
Nëntor 2021 – Apeli lë në fuqi vendimin për anulimin e licencës së ERE-s ndaj HEC-it “Zajs”.
Shkurt 2022 – ERE zbaton vendimin dhe i heq licencën HEC-it “Zajs”.
Nëntor 2022 – Gjykata e Lartë konfirmon përfundimisht heqjen e licencës kompanisë “Seka Hydropower” për një nga HEC-et.
Në pritje të një vendimi përfundimtar, për të cilin banorët e zonës së Zall-Gjoçajt shpresojnë datën 22 tetor, rasti i tyre shihet si një test i radhës për drejtësinë shqiptare sa i përket çështjeve mjedisore.