Prani uji rreth 105 cm në rrugën drejt fshatit Obot të Shkodrës
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Bashkia Shkodër në përditësimin e situatës, si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të shiut të ditëve të fundit vuri në dukje se në krahasim me orën 08:00 të mëngjesit, situata paraqitet me ulje të nivelit të ujit në zonat e Obotit dhe Dajçit, ndërsa vijon monitorimi i vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
Sipas raportimeve nga KESH, që prej mbrëmjes së djeshme është shënuar ulje e nivelit të shkarkimeve, çka ka dhënë efekt të drejtpërdrejtë në uljen e nivelit të ujit në zonat me prezencë uji.
Bashkia Shkodër informoi se aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 105 cm, çka e bën të pamundur aksesin me mjete rrugore, përfshirë edhe mjetet e larta të Forcave të Armatosura. Në këto kushte, transporti i banorëve po realizohet me varkat e Forcave të Armatosura.
Në fshatin Obot, 65 banesa paraqesin prani uji në oborre, ndërsa nuk ka raportime për banesa me prezencë uji në brendësi. Gjatë ditës së sotme po vijon furnizimi i banorëve me ujë të pijshëm dhe koncentrat për gjënë e gjallë, në ndihmë të familjeve të prekura.
Më tej, në njoftim thuhet se në zonën Urrelat – Shirq, uji ka dalë në kanalet kulluese të tokave bujqësore. Deri në këto momente, nuk ka raportime për prezencë uji brenda banesave.
Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 hektarë, e shpërndarë sipas njësive administrative është në Dajç rreth 120 hektarë, në Velipojë rreth 195 hektarë, Ana e Malit rreth 600 hektarë dhe Bërdicë rreth 30 hektarë.
Monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse dhe çdo zhvillim i mëtejshëm do të komunikohet në vijim.
/e.i/j.p/
The post Prani uji rreth 105 cm në rrugën drejt fshatit Obot të Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.