Segmenti B-SUV vazhdon të jetë një nga më të kërkuarit në tregun kosovar, dhe viti 2025 ka një fitues të qartë.
Me 323 njësi të shitura, Renault Captur është shpallur SUV-i më i shitur në segmentin B-SUV në Kosovë.
Captur ka arritur të ndërthurë me sukses dizajnin modern, teknologjinë bashkëkohore dhe efikasitetin në përdorim, duke u shndërruar në zgjedhjen ideale për familjet urbane dhe blerësit që kërkojnë një SUV kompakt pa kompromise.
Popullariteti i këtij modeli dëshmon qartë trendin në rritje drejt SUV-ve kompaktë, të cilët ofrojnë pozitë më të lartë uljeje, fleksibilitet dhe komoditet në përditshmëri.
Renault Captur ka dominuar këtë segment falë balancës mes stilit, funksionalitetit dhe konsumit racional.
Për Auto Mita-n, ky sukses përfaqëson një tjetër dëshmi të fuqisë së portofolit Renault dhe të pozicionimit të saktë në segmentet më dinamike të tregut.
Tregu i veturave të reja në Kosovë gjatë vitit 2025 ka konfirmuar një trend të qartë - blerësit po zgjedhin gjithnjë e më shumë modele që kombinojnë çmim të arsyeshëm, kosto të ulëta mirëmbajtjeje dhe funksionalitet për përdorim të përditshëm.
Të dhënat zyrtare tregojnë se SUV-të kompakte dhe hatchback-ët ekonomikë kanë pasur kërkesën më të madhe.
Sipas të dhënave nga Qendra e Automjeteve të Kosovës, këto janë Top 5 veturat e reja më të shitura në Kosovë për vitin 2025:
1. Dacia Sandero Stepway - 413 vetura Modeli më i shitur i vitit. Sandero Stepway vazhdon të jetë zgjedhja kryesore për shkak të çmimit konkurrues, pozicionit të ngritur të vozitjes dhe prakticitetit për kushtet rrugore në Kosovë.
2. Renault Captur - 323 vetura SUV-i kompakt i Renault tërheq blerësit me dizajn modern, komoditet dhe balancim të mirë mes performancës dhe konsumit. Captur është shndërruar në një nga modelet më të preferuara për familjet urbane.
3. VW Golf - 208 vetura Ikona e segmentit hatchback vazhdon të mbajë pozitën e saj edhe në Kosovë. Golf mbetet sinonim i cilësisë, teknologjisë dhe vozitjes së qëndrueshme, duke ruajtur besnikërinë e klientëve ndër vite.
4. Peugeot 308 - 201 vetura Me dizajn modern dhe teknologji të avancuar, Peugeot 308 ka shënuar rritje të dukshme në shitje. Ky model po tërheq gjithnjë e më shumë blerës që kërkojnë stil dhe efikasitet në një veturë kompakte.
5. Skoda Octavia - 200 vetura Octavia vazhdon të jetë zgjedhje e fortë për ata që kërkojnë hapësirë, rehati dhe raport të mirë çmim-cilësi. E përshtatshme si për përdorim familjar, ashtu edhe për biznese.
Rezultatet e vitit 2025 tregojnë qartë se tregu kosovar po anon drejt veturave ekonomike, të besueshme dhe funksionale.Modelet që ofrojnë kosto të ulëta operimi, hapësirë dhe prakticitet po dominojnë zgjedhjet e blerësve, duke lënë pas veturat luksoze apo me kosto të larta mirëmbajtjeje.
Me këtë performancë, Auto Mita e mbyll vitin 2025 si një nga shtyllat kryesore të tregut të veturave të reja në Kosovë, duke vendosur standarde të larta edhe për vitet që vijnë.
Dy zyrtarë të Ekonomisë Pyjore dyshohet se janë sulmuar me mjete të forta nga katër persona në fshatin Dermjak të Hanit të Elezit, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Dy meshkuj kosovarë, zyrtarë të Ekonomisë Pyjore, kanë raportuar në stacionin policor në Hani të Elezit se ishin sulmuar me mjete të forta nga katër persona të dyshuar”, tha Veseli për Telegrafin, duke shtuar se viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor në emergjencën e Ferizajt.
“Të dy zyrtarët janë trajtuar nga ekipi mjekësor, ndërsa gjendja e tyre po monitorohet”, ka theksuar ai.
Veseli bëri të ditur se një person i mitur është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit për të mitur, është dërguar në mbajtje për 24 orë.
“Lidhur me rastin, është arrestuar një person i mitur dhe me urdhër te prokurorit për të mitur është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa te dyshuarit e tjerë ende janë në arrati dhe janë në kërkim policor”, shtoi ai.
Rasti është iniciuar si “lëndim trupor”, dhe Policia e Kosovës vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të mbetur.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion të dobishëm për ndihmën në zbardhjen e këtij rasti. /Telegrafi/
Lëvizje të lehta që rikthejnë drejtimin, hapin kraharorin dhe sjellin ndjesi sigurie
Ndryshimet në gjoks shpesh lidhen me mënyrën se si trupi mbahet gjatë ditës. Me kalimin e kohës, shpatullat mund të përkulen përpara, kraharori të mbyllet më shumë dhe qëndrimi të mos jetë më aq i drejtë sa dikur. Këto ndryshime nuk ndodhin papritur, por shfaqen në heshtje, përmes zakoneve që përsëriten me vite, ulja e zgjatur, mungesa e lëvizjes dhe frymëmarrja e cekët.
Edhe pse varja e gjoksit shpesh shihet si çështje estetike, në thelb të saj shumë shpesh qëndron humbja e mbështetjes në pjesën e sipërme të trupit. Kur muskujt që mbështesin kraharorin dhe shpatullat bëhen më pak aktivë, trupi përshtatet me një pozicion më të mbyllur dhe gjoksi natyrshëm humbet pamjen e ngritur.
Lëvizjet e buta dhe të vetëdijshme, që rikthejnë drejtësinë dhe hapësirën në kraharor, mund ta ndihmojnë trupin të riorganizohet në mënyrë më natyrale. Nuk kërkohet forcë apo intensitet, por vëmendje dhe vazhdimësi në lëvizje të thjeshta që i mundësojnë trupit të mbahet dhe të marrë frymë më lehtë, transmeton Telegrafi.
shutterstock
Si ndikon lëvizja në pamjen e gjoksit dhe ndjesinë në kraharor?
Gjoksi nuk ka muskuj të vetët, por mbështetet mbi muskujt e kraharorit, shpatullave dhe pjesës së sipërme të shpinës. Kur këta muskuj janë aktivë dhe të balancuar, kraharori ka më shumë hapësirë, ndërsa qëndrimi bëhet më i qëndrueshëm dhe i hapur. Në të kundërt, kur shpatullat janë të ulura dhe të përkulura përpara, muskujt e kraharorit mbeten të shkurtuar dhe pjesa e sipërme e shpinës merr ngarkesë më të madhe.
Lëvizjet e rregullta dhe të buta që hapin kraharorin ndihmojnë në uljen e tensionit në shpatulla, përmirësojnë qëndrimin dhe krijojnë një ndjesi lehtësie në pjesën e sipërme të trupit. Trupi nuk përpiqet të “drejtojë” pozicionin me forcë, por gradualisht kthehet në ekuilibër.
Shikoni si të realizoni ushtrimin e lehtë “lavjerrësi” për bark të sheshtë:
1. Hapja e kraharorit me tërheqje të shpatullave
Ky ushtrim ndihmon që shpatullat të kthehen në një pozicion më natyral dhe kraharori të hapet lehtë.
Si kryhet:
Uluni ose qëndroni drejt, me qafën të relaksuar.
Përkulni krahët në bërryla dhe vendosini pranë trupit.
Me frymëmarrje të thellë, tërhiqni lehtë bërrylat prapa, sikur doni të afroni shpatullat. Kraharori hapet pa tendosje.
Me nxjerrjen e frymës, kthehuni në pozicionin fillestar.
Përsëriteni 10–12 herë, ngadalë dhe me vetëdije.
shutterstock
Pse është i dobishëm: Aktivizon muskujt që ofrojnë mbështetje për gjoksin dhe ndihmon trupin të drejtohet pa forcim.
2. Ngritja e krahëve mbi kokë me shtrirje të lehtë
Një lëvizje e thjeshtë që krijon më shumë hapësirë në pjesën e sipërme të trupit.
Si kryhet:
Qëndroni drejt, me shputat të qëndrueshme në tokë.
Me frymëmarrje, ngrini krahët mbi kokë dhe ndërthurini gishtat.
Me nxjerrjen e frymës, shtrihuni lehtë lart, pa u përkulur në pjesën e poshtme të shpinës.
Mbajeni pozicionin për disa çaste, pastaj ulni ngadalë krahët.
Përsëriteni 6–8 herë.
shutterstock
Pse është i dobishëm: Zgjat muskujt e kraharorit dhe kontribuon në ndjesinë e drejtësisë dhe frymëmarrjes më të lehtë.
3. Shtrirja e krahëve pas shpine në pozicion ulur ose në këmbë
Ky ushtrim ndihmon në lirimin e tensionit në pjesën e përparme të trupit dhe rikthen balancën në shpatulla.
Si kryhet:
Shtrini krahët pas shpine dhe bashkoni pëllëmbët ose ndërthurini gishtat.
Pa e tendosur qafën, ngrini lehtë krahët pas dhe poshtë, aq sa ju ndjehet rehat.
Kraharori hapet natyrshëm. Mbajeni pozicionin 15–20 sekonda me frymëmarrje të qetë, pastaj relaksohuni.
shutterstock
Pse është i dobishëm: Hap kraharorin dhe ndihmon shpatullat të marrin një pozicion më të qëndrueshëm dhe të relaksuar.
Kur trupi fillon të mbahet më lehtë
Gjoksi i varur shpesh nuk është shenjë e humbjes së forcës, por pasojë e një qëndrimi të mbyllur që është krijuar me kalimin e kohës. Kur trupit i ofrohen disa lëvizje të vetëdijshme, pa nxitim dhe pa presion, ai fillon të riorganizohet ndryshe.
Kraharori fiton më shumë hapësirë, frymëmarrja bëhet më e thellë dhe qëndrimi më i qëndrueshëm. Këto ndryshime nuk vijnë menjëherë, por ndihen qartë, në mënyrën se si trupi qëndron, merr frymë dhe lëviz në përditshmëri. /Telegrafi/
Një 14-vjeçar shqiptar ka përfunduar në pranga në Selanik. Ai është arrestuar nga policia greke, pasi akuzohet për rrahjen e motrës së tij 16-vjeçare. Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur në orën 17.30 të së enjtes, në zonën e Asvestoçorit. Mediat greke shkruajnë se i mituri ka sulmuar brutalisht motrën e tij dhe i ka shkatuar dëmtime në fytyrë. […]
Reni* e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj në kujdesin shtetëror. Dhe rruga e saj nga një shtëpi fëmijësh në Hungari drejt një shtëpie publike në Austri është, në shumë aspekte, një histori tepër e njohur se si shumë të mitur hungarezë përfundojnë duke kaluar nga kujdesi rezidencial në prostitucion. “Të dy, […]
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, së bashku me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian (EUSR), janë takuar të enjten për herë të parë në një format trepalësh, në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.
Sipas këtij njoftimi, krijimi i Komisionit të Përbashkët ishte dakorduar nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë në Deklaratën për Personat e Zhdukur, më 2 maj 2023, gjatë një takimi të nivelit të lartë të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja e BE-së.
“Objektivi i Komisionit të përbashkët është të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, përfshirë personat e zhdukur me forcë, të sigurojë mbyllje të çështjes për familjet e tyre dhe të nxisë pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në përputhje me Termat e Referencës të dakorduara, Komisioni do të mbështesë përpjekjet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK), duke lehtësuar aktivitetet zbatuese të palëve, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe shqyrtimin e progresit.
Tutje bëhet e ditur se lehtësuesi i BE-së, Kosova, Serbia ose KNKK-ja mund t'i referojnë Komisionit të Përbashkët çdo çështje që lidhet me zbatimin, zbatimin dhe interpretimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, si dhe çdo çështje të diskutueshme që lind brenda Grupit Punues të kryesuar nga KNKK-ja, duke përfshirë çështjen e rishikimit dhe përditësimit të Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme të Grupit Punues të kryesuar nga KNKK-ja për Personat e Zhdukur, nëse ky i fundit nuk arrin të arrijë konsensus për këtë çështje.
“Komisioni i Përbashkët do të diskutojë çështjet brenda mandatit të tij sipas Termave të Referencës të dakorduara. Çdo vendim mbi çështjet e diskutueshme të referuara Komisionit të Përbashkët nga Grupi Punues i kryesuar nga KNKK-ja do t'i referohet Grupit Punues të kryesuar nga KNKK-ja për miratim dhe zbatim. BE-ja pret shumë që Komisioni i Përbashkët të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të të zhdukurve dhe në ndihmën për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat kanë pritur shumë gjatë për përgjigje".
Ndryshe, më 17 dhjetor 2024, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord në Bruksel mbi Termat e Referencës për Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur që do të krijohet sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur të dakordësuar nga Presidenti Aleksandar Vuçiç i Serbisë dhe Kryeministri Albin Kurti i Kosovës më 2 maj 2023. /Telegrafi/
TIRANË, 22 janar/ATSH/ Stenda e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit Fitur në Madrid mirëpriti sot përfaqësues të medieve dhe platformave kryesore spanjolle, si Mallorca Diario, La Razón dhe Forbes Travel Spanjë.
I pranishëm gjatë takimeve me mediet spanjolle ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe Presidenti i Forbes, Clemente Corona.
Gonxhja u shpreh se mediet spanjolle shfaqën interes të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
“Gjatë takimeve u diskutua mbi potencialin e Shqipërisë si destinacion turistik autentik dhe gjithëvjetor, duke vënë në pah diversitetin e ofertës, pasuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, gastronominë, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit”, shtoi ai.
“Interesi i treguar nga këto medie prestigjioze konfirmon vëmendjen në rritje për Shqipërinë dhe krijon një hapësirë të rëndësishme për promovimin e saj në tregjet ndërkombëtare, duke forcuar më tej imazhin e vendit si një nga destinacionet më premtuese në rajon”, tha Gonxhja.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Spanjë është tashmë një traditë e konsoliduar. Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantohet me moton “Albania All Senses”, duke promovuar në stendën shqiptare destinacionet turistike, produktet autentike dhe ofertën e plotë të shërbimeve turistike të vendit.
Ky panair mbledh 161 vende nga e gjithë bota, më shumë se 10,000 kompani dhe mirëpret profesionistë të sektorit të turizmit, autoritete vendimmarrëse, si dhe vizitorë të interesuar për të mësuar më shumë rreth destinacioneve dhe ofertave turistike ndërkombëtare.
Ardhja e Ivanka Trump dhe bashkëshortit Jared Kushner në Vlorë të mërkurën, shoqëruar me pritje protokollare dhe një darkë private me kryeministrin Edi Rama, u paraqit publikisht si një vizitë e jashtëzakonshme.
Por, në thelb, vizita e Trump dhe Kushner – të cilët prej vitit 2023 e kanë vizituar shpesh Shqipërinë – ekspozon një model të konsoliduar të vendimmarrjeve të qeverisë Rama: përqendrim të pasurive publike në pak duar, të lidhura me pushtetin politik dhe financiar, tashmë edhe ndërkombëtar, përmes negociatash direkte, pa transparencë, pa garë dhe pa llogaridhënie.
Ky model nuk është i panjohur as në profilin publik të vetë Jared Kushner. Në SHBA dhe Lindjen e Mesme, ai është përballur me kritika të vazhdueshme për ndërtimin e karrierës së tij si sipërmarrës duke përfituar nga pozicioni politik i vjehrrit, Donald Trump, veçanërisht për marrëveshje të mëdha investimi që u realizuan pas përfundimit të mandatit presidencial.
Kritikët kanë ngritur pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit dhe mungesën e ndarjes mes rolit publik dhe përfitimit privat, një debat që sot gjen jehonë edhe në Shqipëri.
Sazani e Zvërneci si “plaçka për t’u falur”
Projekti i propozuar nga Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan dhe Zvërnecpo përparon përmes një formule që shmang parimet bazë të konkurrencës, aq shumë të kërkuara dhe lavdëruara nga BE për integrimin.
Erdhi si propozim i pakërkuar. Vijoi pa diskutim publik dhe pa tender të hapur ndërkombëtar. Askush nuk di të thotë: A është oferta e Kushnerit më e mira e mundshme dhe a po shihet mundësia që të lejohen investitorë të tjerë në Sazan?
Prej janarit 2025, kur mori statusin e investitorit strategjik, qeveria po negocion drejtpërdrejt me kompaninë “Affinity Partners” (zotëruese e “Atlantic Incubation Partners LLC”) të Kushnerit, e cila pritet të jetë ortake, në kuota shumice, me ndërmarrjen qeveritare “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE), e cila u krijua në qershor.
Grupi negociator përbëhet nga përfaqësues të administratës së Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e vetmja ende në detyrë pas ndryshimeve qeveritare të zgjedhjeve të fundit, ministrisë së Financave, Mjedisit dhe Turizmit.
Paralelisht grupi është përbërë edhe nga përfaqësues të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC). Kjo e fundit e ka përfshirë në hartën e projekteve që synon të zhvillojë.
Pikërisht AIC kontraktoi në shkurt 2025 për rreth 300 mijë eurozyrat ligjore “Tonucci & Partners” dhe “Nexia Consulting” për të forcuar “pozitën e shtetit shqiptar në këtë investim” përmes një “ekspertize ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore”.
Nga kjo qasje, kuptohet se qeveria ia dha statusin e investitorit Kushnerit, pa qenë e sigurt për pozitën e saj në propozimin e pakërkuar. Pra, pa e ditur saktë impaktin financiar dhe mjedisor.
Pikërisht për impaktin mjedisor Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe organizata të tjera mjedisore kanë apeluar disa herë shqetësimin se propozimi i Kushnerit prek zona të mbrojtura, veçanërisht Zvërnecin.
Në një reagim të mërkurën PPNEA theksoi se “rreth 14 kilometra vijë të egër bregdetare që është zonë e mbrojtur, […] planifikohet të shndërrohet në rruge asfalti, drita të forta dhe pallate luksoze, të cilat nuk kanë vend për natyrën e egër dhe komunitetet”.
Ky zhvillim po ndodh teksa Komisioni Evropian i ka vënë kusht Shqipërisë për integrimin mbylljen e kapitullit të mjedisit me ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, i cili i pati hapur rrugë investimeve të tilla në parqet natyrore.
Sidoqoftë, vlen të thuhet se për rastin konkret BE ka qendruar e heshtur, pak a shumë si në rastin e Aeroportit të Vlorës, që pritet të ndikojë tejmase në rrjetin e zonave të mbrojtura Vjosë-Nartë.
Citizens.al iu drejtuar të gjitha strukturave të grupi negociator për të marrë informacion për takimet, pozitën aktuale të bisedimeve dhe nëse ka pasur interes nga sipërmarrës të tjerë, veçanërisht kompani shqiptare.
Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, vetëm AIDA dhe AIC dhanë përgjigje duke u kufizuar te theksimi se Affinity Partners mbetet e interesuar ta vijojë projektin dhe se ASDRE nuk po shqyrton asnjë projekt-propozim tjetër në Sazan*.
Nga e gjithë kjo tablo duket qartë se qeveria po e trajton Sazanin dhe Zvërnecin thjeshtë si plaçka për t’u falur, dhe jo si pasuri publike të parikuperueshme që nevojiten të menaxhohen me rregulla.
Zyrtarisht theksi për rastin e Kushnerit vihet te statusi “investitor strategjik”, një etiketë që në praktikë ka shërbyer si çelës për të anashkaluar procedurat standarde, parlamentin, debatin publik mbi kostot, përfitimet dhe rreziqet.
Modeli që përsëritet
Sazani dhe Zvërneci nuk qëndrojnë vetëm. Qeveria Rama ka vepruar ngjashëm duke trajtuar si plaçkë edhe Portin e Durrësit, Portin e Vlorës dhe zonën e mbrojtur përreth Aeroportit të Vlorës.
Porti i Durrësit iu dha sipërmarrësit nga Emiratet, Mohamed Ali Alabbar. Në rastin e tij u bë me ligj të posaçëm, procedurë të përshpejtuar në Kuvend dhe partneritet të paracaktuar në darkën e famshme të qeverisë në restorantin e Nusret Gökçe (njohur si Salt Bae) në Dubai (2021).
Kështu, projekti “Durrës Yachts & Marina” me grupin e Emirateve “Eagle Hills” pati zero debat publik dhe zero konkurrencë. Formula e ktheu Kuvendin në “noter” të një marrëveshjeje të negociuar dhe dakordësuar larg institucioneve dhe vëmendjes publike.
Për Portin e Vlorës, raportimet kanë treguar se qeveria përdori një kombinim të ligjit të investimeve strategjike, formulën “Shqipëria 1 euro” dhe VKM të posaçme, duke lënë pa sqaruar mënyrën sesi u shmang dhe minimizua pjesëmarrja reale e shtetit në projektin e “Marina di Valona”.
Ngjashëm zero debat publik, zero konkurrencë.
Në rastin e Aeroportit të Vlorës, qeveria tregoi se kur do dhe ka vullnet, mund të ndjekë dhe aplikojë procedurat konkurruese të një gare me tender ndërkombëtar pas një ofertë të pakërkuar.
Sigurisht, tjetër gjë se kjo procedurë ishte formale – fillimisht aeroporti iu premtua konsorciumit turk “Cengiz-Kalyon-Kolin Constr.” më pas me procedura të dyshimta iu dha ortakërisë “Mabetex-2A Group” të Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.
Rastet tregojnë qartë sesi qeveria nuk e mat interesin publik me garë dhe kushte të qarta, por me negocime dhe vendime që merren nëpër tavolina jashtë institucioneve. Për më tepër nga investimet në fjalë qeveria merr përsipër detyrimet për të siguruar infrastrukturën mbështetëse.
Në këtë kuptim Sazani e Zvërneci – historikisht të paurbanizuara, pa furnizimin me ujë dhe energji elektrike – janë thjesht plaçkat e radhës, pasi në rastin e tyre nuk po ndiqet as formalisht procedura e një tenderi apo konkursi ndërkombëtar
Nga renderët 3D te “negociimi” me arkitektët e qeverisë
Për Sazanin dhe Zvërnecin jo vetëm që nuk po duket të ketë garë, por tani duket se vetë projekti arkitektonik po riformatohet, me takime të raportuara mes Ivanka Trump, përfaqësuesve të qeverisë dhe “50-60 arkitektë” që nuk dihet se nga dolën dhe u shfaqën në Vlorë.
Foto e rrjedhur në media nga resorti ku u prit Ivanka Trump, 21 janar 2026.
Mes tyre, nga disa foto që qarkulluan në rrjet, spikati arkitekti japonez Kengo Kuma, i njohur ndërkombëtarisht për stilin modernist. Kuma ishte i ftuar në Shqipëri për festivalin e arkitekturës “Bread and Heart” dhe është projektues i Parkut të Vizitorëve në Butrint.
Nga fotot, duket të ketë qenë e pranishme edhe Adelajda Roka, drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit te Territorit (AZHT), e cila nuk është pjesë e grupit negociator.
Nga kjo dhe prezenca e Kumës, mund të kuptojmë se grupi i arkitektëve në fjalë mund të jetë organizuar nga AZHT.
Prej tetorit 2025, AZHT dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) kanë riorganizuar festivalin “Bread and Heart” në një fondacion. Citizens.alka kërkuar qartësi për objektivin, arsyet dhe mënyrën e këtij tranzicioni.
Por dukshëm, ky riorganizim që ka bërë bashkë arkitektët e preferuar të qeverisë, po merr rol domethënës. Takimi me arkitektët u raportua se kishte në fokus projektet në Sazan e Zvërnec. Kjo nënkupton se tanimë diskutimet kanë kaluar te “si do të bëhet” projekti, jo më thjesht “a do të bëhet”.
Nëse propozimi fillestar i vitit 2024 ishte një “vizion” (render 3D), takimet me arkitektë nënkuptojnë se tani po negociohet përmbajtja e investimit: volumet, ndërhyrjet, infrastruktura, fazat si edhe lehtësitë fiskale.
Por nëse projekti “po rikonceptohet” gjatë negociimit, atëherë justifikimi për “ofertë të pakërkuar” bie, sepse nuk kemi më një ofertë të përcaktuar që vetëm vlerësohet dhe trajtohet, por realisht kemi një bashkë-projektim pa transparencë.
Qeveria shqiptare, edhe pas kërkesave të përsëritura për transparencë, ende nuk ka zbardhur një sërë detajesh: Çfarë do të ndërtohet realisht në në Sazan dhe Zvërnec? Çfarë po ofron realisht qeveria shqiptare: truallin, infrastrukturën, trajtim preferencial apo ekskluzivitet? Çfarë kanë premtuar investitorët dhe e në fund, çfarë përfitojnë qytetarët Shqiptarë?
*Artikulli u përditësua me përgjigjen nga AIC për Sazanin.
“Zemra blu” e Europës po tkurret shpejt. Shqipëria ka humbur 1,144 kilometra lumenj natyror nga 2018 deri më 2025-ën.
Kjo gjetje vjen si rezultat i një studimi të kryer nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch dhe Euronatur që tregon se në më pak se një dekadë Shqipëria ka humbur 28% të lumenjve natyrorë.
Kjo si pasojë e zhvillimit të hidroenergjisë, ndërhyrjeve të pakontrolluara në lumenj për marrjen e ujit dhe ndryshimin e shtretërve.
“Segmentet e lumenjve në gjendje pothuajse natyrore ranë ndjeshëm nga 68% në vitin 2012 në vetëm 40% në vitin 2025. Gjatësia e lumenjve u tkurr nga 3,812 km linearë në 2,668 km linearë brenda vetëm shtatë vitesh (2018–2025)”, thuhet në raport.
Raporti thekson se Shqipëria ka humbur shumë lumenj të paprekur si pasojë e zhvillimit të hidrocentraleve gjatë 10-15 viteve të fundit.
“Ndërsa disa nga lumenjtë si Vjosa dhe Kanioni i Osumit vijojnë të mbetet të paprekur”, thekson raporti.
Ulrich Eichelmann, drejtues i Riverwatch u shpreh se Shqipëria mbrojti me sukses Vjosën dhe disa degë të saj, por shumë lumenj të tjerë u degraduan gjatë dekadës së fundit.
“Këto gjetje duhet të shërbejnë si një kambanë alarmi për qeverinë shqiptare që të mbrojë lumenjtë në të gjithë vendin, jo vetëm në një pellg të vetëm, veçanërisht duke pasur parasysh aspiratat e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”, deklaroi Ulrich Eichelmann.
Studimi nënvizon edhe shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës në mars të 2023-it, duke parandaluar rreth 40 hidrocentrale të planifikuara.
“Megjithatë, të dhënat tregojnë qartë se ndërsa ne festuam këtë fitore, degradimi u përshpejtua në lumenjtë në të gjithë pjesën tjetër të vendit. Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes të humbasë lumenjtë e tjerë të mbetur të egër, ato janë asete natyrore të pazëvendësueshme dhe thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, u shpreh Dr. Ulrich Schwarz, hartues i studimit.
Besjana Guri, drejtuese e qendrës LUMI dhe fituese e çmimit mjedisor “Goldman” për fushatën e Vjosës, tha për Citizens.al se ky studim evidenton se sa shqetësuese është situata e lumenjve në Shqipëri.
“Është një gjendje aspak e favorshme për natyrën shqiptare, për komunitetet lokale apo edhe bizneset me bazë zhvillimin e turizmit natyror. Nuk mund të sakrifikojmë të gjithë pjesën tjetër të lumenjve edhe pse kemi arritur të mbrojmë pjesën më të madhe të pellgut të Vjosës”, u shpreh Besjana Guri, ndërsa theksoi se Vjosa duhet të shërbejë për institucionet tona si një bazë dhe model për tu ndjekur edhe me lumenjtë e tjerë të paprekur.
Sipas Gurit, ndër shkaqet kryesore të degradimit të lumenjve janë projektet e hidrocentraleve.
“Në 7-8 vitet e fundit lumenjtë tanë kanë pësuar një sulm të njëpasnjëshëm nga këto projekte duke e bërë shumë të vështirë rolin e aktivistëve dhe komuniteteve”, deklaroi ajo.
Gjatë viteve të fundit, Guri u shpreh se shoqëria civile i ka kërkuar qeverisë të pezullojë apo të ndalojë planet e hidrocentraleve si dhe të ndërmarrë strategji kombëtare gjithëpërfshirëse ku të vlerësohet ndikimi i tyre.
“Duke parë situatën alarmante, hidrocentralet e reja të planifikuara ku kryesisht janë HEC-e të vegjël ne 2 MV duhet të ndalohen sa më parë, pasi dëmi qe shkaktojnë në mjedis është aspak i vogël”, shtoi ajo më tej.
Sipas raportit prej vitit 2012 rajoni ka humbur rreth 2,450 kilometra lumenj të virgjër, ndërsa presioni për ndërhyrje vijon. Shfrytëzimi i burimeve ujore për prodhim energjie elektrike ka qenë një nga të paktat politika të pandryshuara gjatë dekadës së fundit në Shqipëri.
Citizens.al ka raportuar më herët se si gjatë 15 viteve të fundit Shqipëria ka mbi 211 hidrocentrale aktive, ndërsa 24 të tjerë janë në proces ndërtimi.
Vrulli për ndërtimin e hidrocentraleve mbetet i pandryshuar që prej vitit 2010, pavarësisht premtimeve për ndalimin e lejeve të reja, ndërsa roli i bashkive mbetet kryesisht administrativ, pa ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
TIRANË, 21 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, njoftoi se ka nisur një tur dëgjesash me fermerët në të gjithë vendin, me qëllim përshtatjen sa më të mirë të skemës kombëtare të mbështetjes së fermerëve e nevojat që ata kanë.
Gjatë vizitës në Kavajë dhe Rogozhinë, ministri Salla theksoi rëndësinë e dëgjimit të fermerëve dhe përfshirjes së tyre në përshtatjen e skemës, duke u mundësuar të japin sugjerimet dhe të evidentojnë çdo problematikë lidhur me skemën apo përfitimet e tyre.
“Kemi vendosur një buxhet rreth 52 milionë euro për këtë skemë, që fermerët të aplikojnë dhe përfitojnë,” tha ministri, duke shtuar se turi do të vazhdojë në të gjithë bashkitë e Shqipërisë.
Në lidhje me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në disa zona, ministri Salla njoftoi se qeveria ka vendosur një paketë financiare për të gjithë fermerët e dëmtuar. Ai bëri të ditur se po punohet për evidentimin e plotë të dëmeve në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, emergjencën civile dhe bashkitë, për të dalë me vendime konkrete dhe shpërblime të shpejta për fermerët e prekur.
“Siç e keni parë para disa ditësh, ne kemi vendosur një paketë financiare nga qeveria shqiptare në mënyrë që të gjithë të dëmtuarit do të jenë të përfshirë në paketën financiare. Ne jemi duke bërë evidentimin e dëmeve të shkaktuara bashkë me Ministrinë e Bujqësisë, emergjencën civile dhe bashkitë në mënyrë që ne të kemi një evidentim të plotë dhe të dalim me një vendim, i cili do të jetë publik shumë shpejt”, deklaroi ai.
TIRANË, 21 janar/ATSh/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja nga Madridi, ku gjendet për panairin e turizmit “Fitur”, premtoi që sezoni turistik 2026 do të jetë më i miri që kemi pasur ndonjëherë.
Ministri Gonxhja së bashku me stafin e MTKS dhe agjencitë pjesëmarrëse në “Fitur”, ftoi të vizitohet Shqipëria, një vend ku jetohet bukur dhe punohet bukur.
Gonxhja çeli pavijonin e Shqipërisë në këtë panair ndërkombëtar, të titulluar “Albania All Senses” (21-25 janar). Së bashku me një numër angjencish, partnerësh e shoqatash që vijnë nga operatorët turistikë, në Madrid gjenden edhe përfaqësues të bashkive, ekipe që promovojnë kulturën e traditat e vendit tonë etj.
“Turizmi gjithmonë e më shumë nuk është vetëm plazhi, deti, çadra dhe rëra por kemi shumë nevojë për të pasur një turizëm eventesh, destinacionesh, për të pasur një turizëm të aktiviteteve të shumta, të këtyre sektorëve që tashmë i përmbledh ministria jonë e re. Prandaj kam kënaqësinë të kem këtu edhe Agjencinë e Bregdetit, si dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit që do të luajë një rol kryesor në vijim në menaxhimin dhe promovimin e të gjitha formave të Shqipërisë dhe destinacioneve shqiptare”, u shpreh Gonxhja.
Ministri premtoi se do të punohet fort me ekipin, për të pasur promovim digjital, virtual dhe promovim sa më të gjerë sa i takon një turizmi gjithëvjetor, me më shume sesa vetëm sezonin e verës, me më shumë territor dhe gjeografi.
“Raste si ky i panairit “Fitur” na japin mundësinë e takimeve të biznesit, takime në nivel qeveritar, lokal, vendor dhe të organizatave botërore të turizmit, në mënyrë që na ta kemi rrjetin sa më të fortë sa i takon shkëmbimit të informacionit dhe njohjes së Shqipërisë, dhënies së një informacioni sa më atraktiv për botën”, u shpreh kreu i MTKS.
Ministri ftoi për vëmendje ndaj këtij eventi i cili në fundjavë hapet edhe për qytetarët e thjeshtë, të cilët duan të marrin informacion.
Panairi i Madridit njihet që është nga më të suksesshmit, sepse mbyllet numri më i lartë i kontratave dhe porosive, gjë që sjell një planifikim më të mirë të sezonit dhe të akomodimit në vendin tonë.
“Sot që flasim kemi rreth dhjetë për qind të turizmit të planifikuar, në kuptimin e rezervimeve, gjë që është një shifër që duhet patjetër të rritet, sepse më shumë planifikim do të thotë më shumë investime të qëndrueshme, më shumë programim dhe më shumë optimizim i kapaciteteve, i strukturave tona dhe i gjithë sistemit që lidhet me turizmin dhe me mikpritjen”, tha Gonxhja.
Një vlerësim i ri mbi gjendjen e lumenjve në Ballkan gjeti se e ashtuquajtura “zemra blu” e Europës po tkurret me ritme të shpejta. Raporti më i fundit dokumenton se që nga viti 2012, rajoni, i cili ka përqindjen më të lartë të lumenjve të egër në Europë, ka humbur rreth 2,450 kilometra lumenj të […]
Një person (i mitur) është arrestuar pasi që i njëjti e ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 19:00, në Malishevë.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Malishevë 19.01.2026-19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i mitur pasi që i njëjti e ka kanosur dhe ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një i mitur rezulton i humbur prej dy ditësh dhe familjarët e tij nuk kanë arritur dot asnjë kontakt apo lokalizim, që të dinë për fatin e tij, teksa janë në ankth. Të shqetësuar, ata i janë drejtuar Komisariatit Tropojë për denoncim dhe kërkesë për ndihmë, me qëllim gjetjen e 17-vjeçarit. “Më datë 14 janar […]
Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Piskupat të Pogradecit më 30 dhjetor, pasi u zbulua abuzimi me një vajzë 12 vjeçare. Autori i dyshuar i abuzimit seksual është 67-vjeçari Rushan Selko, i cili është pas hekurave. E mitura pas kontrollit në spital, ku prindërit e kishin dërguar pas ndryshimeve fizike të saj, rezultoi se ishte […]
Në ditën e fundit të këtij viti të mbushur plot çudira s’kishte si të mungonte edhe një shfaqje e shëmtuar nga policia e Ilir Prodës. Në disa video të publikuar nga deputeti Flamur Noka, shihen disa policë që tëheqin me dhunë për ta futur në makinë 15-vjeçarin Ajsel Kaçi. Shkak i dhunës së policisë është […]
Personi që shihni në foto është 70-vjeçari Rushan Selko, i akuzuari për përdhunimin e 12-vjeçares në Pogradec.
Dyshohet se e mitura është abuzuar seksualisht me forcë nga një i moshuar me njohje familjare me familjen e të miturës. Rasti është evidentuar pasi vajza kishte ndryshime fizike, çka detyroi prindërit ta çonin në spital për ekzaminim.
Pas vizitës u konfirmua se e mitura ishte shtatzënë. Mësohet se i moshuari, i dyshuar rreth 70 vjeç e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën për të mos treguar ngjarjen ndërsa policia ka bërë arrestimin e këtij të fundit. Aktualisht po kryhen veprimet hetimore dhe po merren në pyetje familjarët, ndërsa vajza ka pranuar ngjarjen në prani të psikologut.
I moshuari dyshohet se ka kryer mardhënie me të miturën në banesën e tij.
TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga Korça se “sirenat e alarmit po bien nga Uashingtoni” për korrupsionin e qeverisë dhe për lidhjet e saj me drogën dhe krimin.
Gjatë turit të “Foltores”, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet forca më e qëndrueshme opozitare në vend, pavarësisht përpjekjeve për izolimin dhe dobësimin e saj ndër vite.
“Ne vijmë në këtë 35-vjetor si e vetmja parti, pa asnjë tjetër, në të gjitha vendet ish-komuniste, që jemi në këmbë, jemi gjallë, jemi të fortë dhe të sigurt në fitore. Por ne në dallim, në dallim nga çdo forcë politike tjetër në historinë politike të Europës pluraliste, jemi një forcë ndaj të cilës në mënyrën më të padrejtë u ndërmorën aktet më brutale, përpjekjet më të turpshme për shkatërrimin e saj, në projektin Shqipëria pa opozitë. Përpjekjet më kriminale për përçarjen e copëtimin e saj në projektet Shqipëria pa opozitë. Izolimin më të thellë, forcën politike më properëndimore në historinë e kombit. Megjithatë ne triumfuam. Se mbronim të vërteta të përjetshme, të njeriut, të qytetëruar, të kombit, të qytetit, të familjes, të vendit”, deklaroi Berisha.
Ai u shpreh se rezoluta të miratuara nga forca politike ndërkombëtare kanë evidentuar problematika serioze në Shqipëri, duke përfshirë përqendrimin e pushteteve, cenimin e pluralizmit dhe rrezikun e shndërrimit të zgjedhjeve në farsë.
Berisha e cilësoi PD-në si një forcë politike që ka mbrojtur vlera themelore demokratike dhe perëndimore, duke shtuar se këto kauza, sipas tij, kanë marrë tashmë mbështetje ndërkombëtare.
“I dëgjoni ju tani sirenat e alarmit që bien nga Uashingtoni për korrupsionin e qeverisë së Edi Ramës dhe lidhjet e saj me drogën dhe krimin. Ne triumfuam!”, u shpreh kreu i PD-së.
Konventa e Bernës është tërhequr këtë radhë nga kërkesa drejtuar Shqipërisë “[për] ndalimin e punimeve për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, deri në kryerjen e vlerësimit të duhur mjedisor”. Në mbledhjen e mbajtur nga 8-12 dhjetor 2025, në Strasburg, Komiteti Drejtues shprehu keqardhjenqë për dy vjet rresht, Shqipëria e shpërfilli çështjen. Duket se kërkesa e ka humbur rëndësinë, per shkak se punimet e aeroportit po shkojnë drejt fundit.
Kërkesa për ndalimin e punimeve ishte më e rëndësishmja, mes dhjetë të tjerave, që Komiteti Drejtues i Konventës i kërkoi Shqipërisë dy vjet më parë, në formën e një rekomandimi të vetëm, i njohur zyrtarisht si Rekomandimi 219 (2023). Vendimi për Shqipërinë ishte marrë në 1 dhjetor 2023, në mbledhjen nr. 43 të Komitetit Drejtues, pas një inspektimi të përbashkët të tre konventave për mbrojtjen e natyrës në vendngjarje (on-site), në vitin 2022.
Rekomandimi kërkonte edhe zbatimin e masave të tjera për të mbrojtur speciet, kafshët, insektet dhe habitatet e egra të Peizazhit të Mbrojtur Ligatinor Pishë-Poro-Nartë, ku po ndërtohet aeroporti. Rekomandimi entuziazmoi veçanërisht aktivistët dhe mbrojtësit e natyrës, të cilët e panë si një mbështetje që do të lehtësonte përpjekjet për ndalimin përfundimtar të tij.
Punimet e aeroportit filluan në vitin 2021, mbi gjurmën e një piste të braktisur, e cila përdorej dikur për ngritjen e avionëve të vegjël mësimorë, por që ndodhej brenda ekosistemit ligatinor “Peizazhi i Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë”, pjesë e Rrjetit Emerald, për të cilin shteti shqiptar, në përputhje me legjislacioni mjedisor të brendshëm, por edhe si një vend anëtar i Konventës së Bernës, kishte detyrimin për ta mbrojtur.
Kryeministri Rama nxitoi të deklaronte publikisht fillimin e punimeve, ende pa mbaruar shqyrtimi i dokumentacionit mjedisor e planifikues. EcoAlbania dhe PPNEA, dy organizata mjedisore nga Shqipëria e denoncuan çeljen e kantierit për ndërtimin e aeroportit në Konventën e Bernës, ndërkohë që PPNEA dhe AOS (Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë) ngritën një padi kundër autoriteteve planifikuese vendase.
Autoritetet nuk iu shmangën Konventës, por nuk i morën seriozisht, asnjëherë, kërkesat e saj. Ndërkohë, aeroporti vijoi të ndërtohej me mbështetjen e plotë të qeverisë, e cila tenderoi dhe financoi disa vepra publike, si pjesë e infrastrukturës në ndihmë të aeroportit. Qeveria e përdori Konventën për të propaganduar shpalljen e Vjosës Park Kombëtar dhe disa punë të tjera, si veprime në favor të mjedisit dhe për të përbaltur aktivistët dhe organizatat e pavarura mjedisore se po përhapnin informacione të rreme për punën e qeverisë.
“Shprehim keqardhjen e thellë për vazhdimin e punimeve”, – përsëriti për të dytin vit rresht Konventa në fillim të dhjetorit. Por kaq! Asgjë më shumë për ndalimin e tyre (ose mosndalimin…)! Sepse Konventa e Bernës nuk ka të tjera mjete, përveç se të monitorojë zbatimin e rekomandimeve. Dhe kur ato nuk zbatohen, rekomandimet shndërrohen në opinione. Edhe opinionet janë të dobishme, pasi sistemet dhe përgjegjësitë e ndryshme penale të vendeve anëtare nuk garantojnë harmoninë dhe fleksibilitetin që siguron Konventa. Por për kundërshtarët e natyrës, për vendimmarrësit dhe për spekulantët pa moral, fryma e bashkëpunimit (emancipimit), kundrejt sanksionimit përbën, gjithmonë, një përparësi praktike, çka për habitatet natyrore mbetet jetike. Është e kuptueshme si sportiviteti i vendimeve rekomanduese krijon lehtësi në komunikimin mes shteteve anëtare, por duke mos qenë detyruese, e kanë të vështirë që t’u kundërvihen vendimeve të gabuara e t’i prapësojnë ato.
Në përfundim, qeveria nuk u tërhoq nga ndërtimi i aeroportit (që ka deklaruar se do të nisë operimin brenda pak muajve të ardhshëm); nuk u tërhoq nga marrja e ujit nga burimi i Lepushës në Shushicë, për ta kaluar matanë malit, për llogari të Bashkisë së Himarës, të ardhurat e së cilës po rriten ndjeshëm prej boom-it turistik. Qeveria dobësoi mbrojtjen e parqeve kombëtare dhe të peizazheve të mbrojtura natyrore, duke lejuar investimet strategjike në turizëm dhe në energji, kjo e fundit e propaganduar si e rinovueshme. Dhe e gjitha, në kohën kur Bashkimi Evropian po nxiton t’ia heqë pengesat e anëtarësimit.
Por në fund të fundit, i tërë ky aksion (ndërveprues) përbën edhe një përvojë në betejën mjedisore; një leksion për të zbërthyer mendimin e çuditshëm të utopisë dhe të butaforisë, se për të qenë i suksesshëm nuk ka rëndësi rezultati, por procesi; për të kuptuar jo vetëm natyrën fizike, por edhe atë njerëzore: botën e iluzionit të propagandës dhe optimizmin e rremë që ajo përcjell.
Për të kuptuar se energjitë dhe veprimet duhen racionalizuar dhe duhen ndarë dhe se qëllimi është rezultati, ndërsa procesi, mjeti dhe se rezultati lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien e Natyrës, me thelbin e saj material. Natyra është e thjeshtë, por pikërisht aty qëndron edhe kompleksiteti i saj.