Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Arratisja e Altin Ndocit, Drejtoria e Burgjeve deklaratë zyrtare – pezullohet i gjithë zinxhiri komandues i IEVP në Durrës



Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht për arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, një ditë më parë nga Spitali Rajonal i Durrësit.

Në njoftimin e bërë në Facebook bëhet e ditur se Ndoci ndodhej në paraburgim prej vitit 2020 për vepra të rënda penale, mes tyre vrasje në rrethana cilësuese dhe organizatë kriminale.

Verifikimet paraprake kanë zbuluar shkelje të rënda procedurale, pasi vizita mjekësore nuk ishte raportuar dhe nuk janë respektuar protokollet standarde të shoqërimit.

Lexoni të plotë postimin:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:

Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.

Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.

I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.

Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:

•Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;

•Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;

•Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);

•Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;

• Aulon Quku – Kryeinfermier;

•Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

•Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.

Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:

• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;

• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. /Telegrafi/

Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, spikat derbi Tirana-Dinamo

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Në “Shtëpinë e Futbollit” në FSHF, u hodh shorti i Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan çiftet çerekfinaliste.

Nga hedhja e shortit, spikat derbi Tirana-Dinamo, por edhe Elbasani-Partizani. Dy ndeshjet e tjera janë Teuta-Egnatia dhe Bylis-Vllaznia.

Takimet e para çerekfinale janë planifikuar të zhvillohen më 11 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 4 mars, duke premtuar përballje të forta dhe emocione për tifozët e futbollit shqiptar.

Ky raund parashikon ndeshje me sistem vajtje-ardhje, njëjtë si gjysmëfinalja.

Shorti i Kupës së Shqipërisë:

Teuta-Egnatia

Tirana-Dinamo

Elbasani-Partizani

Bylis-Vllaznia

/gj.m/j.p/

The post Hidhet shorti i Kupës së Shqipërisë, spikat derbi Tirana-Dinamo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, nga sot online për qytetarët



Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ka marrë vendim për hapjen e platformës online të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe.

Sipas vendimit bëhet e ditur nga dita e hapjes, për një periudhë nëntëmujore mblidhen mendime, sugjerime e plotësime për përmirësimin e Fjalorit

“Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka vendosur: Të hapet për publikun faqja e platformës online të ‘Fjalorit të madh të gjuhës shqipe’, me domenin ‘fjalori.online’, duke ofruar qasje të lirë në të. Nga dita e hapjes, për një periudhë nëntëmujore mblidhen mendime, sugjerime e plotësime për përmirësimin e Fjalorit. Pas kësaj periudhe, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik, brenda një afati tremujor, pasqyrojnë gjithë sugjerimet e mbledhura”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Kupa e Shqipërisë, nesër në “Shtëpinë e Futbollit” hidhet shorti për fazën çerekfinale

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Federata e Futbollit do të organizojë nesër hedhjen e shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë 2025/2026.

Ceremonia do të zhvillohet në orën 14:30, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në sallën e konferencave për shtyp.

Shorti do të jetë i hapur për mediat dhe do të ndiqet edhe nga përfaqësuesit e tetë klubeve të kualifikuara në këtë fazë të rëndësishme të kompeticionit.

Skuadrat pjesëmarrëse janë ndarë në dy vazo. Në Vazon 1 janë Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo City, ndërsa në Vazon 2 bëjnë pjesë AF Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana.

Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë mes tetë skuadrave të kualifikuara. Kjo fazë do të zhvillohet me sistem vajtje ardhje, me ndeshjet e para që do të luhen në fushën e ekipeve të Vazos 2.

Takimet e para çerekfinale janë planifikuar të zhvillohen më 11 shkurt, ndërsa ndeshjet e kthimit më 4 mars, duke premtuar përballje të forta dhe emocione për tifozët e futbollit shqiptar.

/gj.m/j.p/

The post Kupa e Shqipërisë, nesër në “Shtëpinë e Futbollit” hidhet shorti për fazën çerekfinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çerekfinalet e Kupës përcaktohen me short

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kanë përfunduar sot ndeshjet e fazës 1/8 të Kupës së Shqipërisë 2025-2026, duke përcaktuar tetë skuadrat që vazhdojnë rrugëtimin drejt trofeut dhe sigurojnë kualifikimin në fazën çerekfinale.

Tirana, Dinamo City, Partizani, Bylis, Teuta, Vllaznia, Egnatia dhe AF Elbasani janë ekipet e kualifikuara për në çerekfinalet e Kupës.

Në bazë të rregullores së aktivitetit, janë ndarë edhe vazot për shortin e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Në Vazon 1 bëjnë pjesë Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo City. Në Vazon 2 janë AF Elbasani, Teuta, Bylis dhe Tirana.

Çiftet çerekfinaliste do të përcaktohen përmes një shorti të lirë mes tetë skuadrave të kualifikuara. Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, me takimet e para që do të luhen në fushën e ekipeve të pozicionuara në Vazon 2.

Në ditët në vijim do të bëhet e ditur data dhe ora e hedhjes së shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

The post Çerekfinalet e Kupës përcaktohen me short appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Shqipërisë, përcaktohen ekipet çerekfinaliste

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Sot u luajtën të gjitha ndeshjet e fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan edhe ekipet çerekfinaliste që do të vazhdojnë garën për këtë trofe të rëndësishëm të futbollit shqiptar.

Katër ndeshjet e para të luajtura në orën 13:00 dhanë këto rezultate:

Dinamo City-Besa 3-0

Partizani-Burreli 3-0

Tirana-Skënderbeu 2-1

Bylis-Laçi 3-2

Ndërsa katër ndeshjet e tjera, të luajtura në orën 16:00, dhanë këto rezultate:

Egnatia-Apolonia 1-0

Vllaznia-Pogradeci 1-0

Teuta-Vora 2-0

AF Elbasani-Flamurtari 2-1

Egnatia është kualifikuar në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kampionët fituan 1 me 0 përballë Apolonisë në stadiumin “Arena Egnatia”. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Buriç pas një gjuajtje me kokë në minutën e 19-të. Për shortin e çerekfinales së Kupës, Egnatia është pjesë e vazos 1.

Dueli Teuta-Vora përfundoi me fitoren e bregdetarëve me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Jurguens 16’ dhe Toli 52′. Teuta bën pjesë në vazon 2 të shortit të ¼.

Vllaznia e Edi Martinit mposhti në “Loro Boriçi” Pogradecin me rezultat minimal. Golin e vetëm të fitores e shënoi Gjini në minutën e 84-t. Vllaznia për shortin e ¼ ndodhet në vazon 1.

Ndeshja AF Elbasani-Flamurtari përfundoi me rezultatin 2-1, pas kohës shtesë. Golat u shënuan nga Lajthia (24′) dhe Ibraimi (114′) për AF Elbasanin, ndërsa Oshafi (59′) shënoi golin për vlonjatët. Elbasani e mbylli lojën me 10 futbollistë, ndërkohë që Flamurtari humbi një 11-metërsh me Trashin në minutën e 104-t, e cila u prit nga portieri elbasanas Totoshi. AF Elbasani bën pjesë në vazon 2 të shortit të çerekfinaleve.

The post Kupa e Shqipërisë, përcaktohen ekipet çerekfinaliste appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana, Partizani, Dinamo e Bylisi sigurojnë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Përfunduan katër ndeshjet e luajtura në orën 13:00 të vlefshme për fazën e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë.

Dinamo ka mposhtur Besën me rezultatin 3-0 në stadiumin “Air Albania”. Ekipi i Ilir Dajës siguroi kështu çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Golin e parë e realizoi Bernard Berisha në minutën e 12-të, kur përfitoi nga gabimi i prapavijës së Besës. Bregu dyfishoi shifrat në minutën e 80-të, ndërsa Hekuran Berisha vulosi rezultatin në kohën shtesë. Për çerekfinalet do të ketë short, ndërsa Dinamo është pjesë e vazos së parë.

Të kuqtë e Partizanit mposhtën Burrelin me rezultatin 3-0 në “Arenën e Demave” duke siguruar fazën çerekfinale. Golin e parë e realizoi Rouen Hjumen (19’). Mesfushori goditi një top që përshëndeti rrjetën nga distanca 25 metra. Më pas takimi u vulos nga golat e Kontreras (44’) dhe Skukës (85’). Tashmë për çerekfinalet do të ketë short dhe Partizani është pjesë e vazos së parë.

Tirana ka siguruar biletën për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pasi ka mundur me vuajtje në kohën shtesë Skënderbeun në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë e riformatuar thuajse plotësisht në merkaton e janarit, kanë dominuar pjesën e parë të sfidës dhe gjetën golin me Mysloviç. Por në të dytën, Skënderbeu kishte një ritëm tjetër dhe kërkoi e gjeti golin e barazimit me Janaqin në shtesën e ndeshjes.

Sfida shkoi me kohë shtesë, ku kishte realisht pak emocione të prodhuara nga të dy skuadrat. Por në fund, një shpërthim i Ernest dhe finalizimi i Tares bënë diferencën për golin e rezultatit përfundimtar 2-1 që siguroi biletën e Tiranës për turin tjetër të turneut.

Bylisi skualifikoi 3-2 ekipin e Laçit, me një lojtar më pak dhe me kohë shtesë. Golat u shënuan nga: 15′ Muktar, 61′(p) Mustafa, 107′ Rabiu për Bylisin, ndërsa për Laçin shënuan 45+1′ Umar, 90+4′ Jiakpona.

Dinamo City-Besa 3-0

Partizani-Burreli 3-0

Tirana-Skënderbeu 2-1

Bylis-Laçi 3-2

Po sot, në orën 16:00, luhen katër ndeshjet e tjera:

Egnatia-Apolonia

Vllaznia-Pogradeci

AF Elbasani-Flamurtari

Teuta-Vora

The post Tirana, Partizani, Dinamo e Bylisi sigurojnë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BSH: Pritshmëritë për ekonominë janë pozitive, por duhet ulur varësia nga sektorët e veçantë

Prononcim i Bankës së Shqipërisë për revistën “Monitor”

 

Pavarësisht ecurisë pozitive, ekonomia shqiptare vijon të shfaqë disa probleme strukturore.

Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se baza sektoriale e rritjes ekonomike nuk është e plotë, ndërsa tregu i punës po shfaq mungesa në rritje, si pasojë e tendencave të pafavorshme demografike, emigracionit, si dhe e mospërputhjes së pjesshme midis aftësive të kërkuara dhe atyre të ofruara në tregun e punës.

Banka e Shqipërisë, në përgjithësi, ngelet optimiste për perspektivën e rritjes ekonomike gjatë tre viteve të ardhshme.

Ajo pret një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe pranë potencialit, të udhëhequr në masën më të madhe nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve të sektorit privat, por të mbështetur edhe nga një kontribut margjinal pozitiv – ndonëse në ngadalësim – të sektorit të turizmit.

Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, sfidat mbeten të pranishme. Përveç rreziqeve që mund të vijnë nga jashtë, zhvillimet e pafavorshme demografike, ndryshimet klimatike, si dhe revolucioni teknologjik e digjital, mbeten sfida afatgjata strukturore me të cilat do të përballet zhvillimi i vendit.

Banka Qendrore sugjeron që adresimi i tyre kërkon investime të mëtejshme në arsim e shëndetësi, si instrumente të domosdoshme për rritjen afatgjatë të produktivitetit, si dhe forcimin e rrjeteve të sigurisë, përfshi edhe një rishikim e reformë të sistemit të pensioneve.

 

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2025?

Ekonomia shqiptare ka pasur, në tërësi, një ecuri pozitive gjatë vitit 2025.

Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.6% gjatë gjysmës së parë të vitit; analiza e informacionit të disponuar na shtyn të besojmë se ritmi i rritjes ka qenë i ngjashëm edhe gjatë gjysmës së dytë. Ndonëse në ngadalësim krahasuar me dy vitet paraardhëse, kjo është një rritje solide dhe pranë vlerësimit tonë për potencialin afatmesëm të këtij treguesi.

Në të njëjtën kohë, rritja e kërkesës agregate dhe e prodhimit ekonomik është pasqyruar edhe në tregun e punës.

Punësimi në sektorin privat jobujqësor është rritur me një mesatare prej 4.7% gjatë tre tremujorëve të parë të vitit, ndërkohë që norma e papunësisë qëndron në nivele minimale historike prej 8.1%.

Po ashtu, pagat në sektorin privat janë rritur me një ritëm mesatar prej 9.7% në terma nominale dhe 7.4% në terma reale. Këto zhvillime sugjerojnë se rritja ekonomike po pasqyrohet në rritje të mirëqenies për një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare.

Në të njëjtën kohë, parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit kanë ardhur në përmirësim.

Së pari, inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë i ulët dhe i qëndrueshëm, duke u luhatur rreth një niveli mesatar prej 2.3%. Kjo ecuri është diktuar nga balancimi më i mirë i kërkesës dhe ofertës në tregun e produkteve dhe të shërbimit, nga amortizimi që trendi forcues i kursit të këmbimit ka bërë ndaj presioneve të huaja inflacioniste, si dhe nga pritjet e stabilizuara për të ardhmen.

Së dyti, pozicioni fiskal dhe ai i huaj i vendit janë forcuar më tej. Raporti i borxhit publik dhe borxhit të huaj ndaj PBB-së ka shënuar rënie të mëtejshme, duke qëndruar në minimumet historike të dy dekadave të fundit dhe duke rritur rezistencën e ekonomisë sonë ndaj goditjeve potenciale të brendshme e të huaja.

Së treti, tregjet financiare kanë qenë të qeta dhe shëndeti i bilanceve të ndërmjetësve financiarë – dhe në veçanti ai i bankave – mbetet i kënaqshëm. Tregjet financiare janë karakterizuar nga likuiditeti i bollshëm, volatiliteti i ulët i normave të interesit dhe kursit të këmbimit, prime të ulëta rreziku dhe kosto të ulëta kreditimi.

Po ashtu, sektori bankar ka tregues mjaft të mirë likuiditeti, kapitalizimi dhe përfitueshmërie, ndërkohë që oferta e kredisë është e mjaftueshme për të mbuluar kërkesën dhe gama shërbimeve financiare është në zgjerim.

Të gjithë këta tregues sugjerojnë se rritja ekonomike nuk është e sforcuar. Përkundrazi, ajo ka forcuar më tej stabilitetin makroekonomik dhe ka forcuar më tej perspektivat e zhvillimit afatgjatë.

Paralelisht me treguesit ekonomikë, viti 2025 shënoi dhe hapa konkretë e historikë në procesin e integrimit europian të vendit.

Hapja e të gjithë grup-kapitujve të negociatave për anëtarësim, së bashku me angazhimin e partnerëve europianë, ofrojnë një perspektivë realiste anëtarësimi – gjithmonë të bazuar në merita dhe subjekt i proceseve të brendshme politike të Bashkimit Europian – në një horizont jo shumë të gjatë kohor.

Një produkt konkret dhe inkurajues i këtij procesi është anëtarësimi i Shqipërisë në zonën unike të pagesave në euro (SEPA).

Ky anëtarësim është dëshmi e konvergjencës teknologjike dhe rregullatore të Shqipërisë me standardet e BE-së. Gjithashtu, ai ofron përfitime konkrete në drejtim të reduktimit të kostove të transaksioneve ndërkufitare, me përfitime direkte në formën e kursimeve më të larta për bizneset dhe familjet shqiptare dhe në formën e incentivave për rritjen e tregtisë ndërkufitare.

Ky kontekst zhvillimi ka marrë një përgjigje pozitive edhe nga investitorët vendas e të huaj. Brenda vendit, besimi i biznesit dhe konsumatorit është në nivele konsistente me një ekonomi në rritje e zgjerim.

Jashtë vendit, përmirësimi i mëtejshëm i renditjes së rrezikut sovran të vendit gjatë vitit 2025 është shoqëruar me rritjen e mëtejshme të investimeve të portofolit në tregun tonë financiar dhe të Investimeve të Huaja Direkte në ekonomi, duke treguar besim në rritje në perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit.

Paralelisht me këto zhvillime, viti 2025 vijoi të ilustrojë disa probleme strukturore të ekonomisë shqiptare. Në veçanti, baza sektoriale e rritjes ekonomike nuk është e plotë, ndërsa tregu i punës po shfaq mungesa në rritje, si pasojë e trendeve të pafavorshme demografike, emigracionit, si dhe mospërputhjes së pjesshme midis aftësive të kërkuara nga punëdhënësit dhe atyre të disponuara nga punëmarrësit.

Megjithatë, stabiliteti ekonomik e financiar i vendit, bilancet e shëndosha të sektorit privat dhe atij financiar, si dhe besimi për të ardhmen, ofrojnë premisa inkurajuese se trendet pozitive të viteve të fundit do të vijojnë edhe në të ardhmen.

Nga këndvështrimi institucional, Banka e Shqipërisë do të vijojë të kujdeset që politikat e saj monetare e financiare, si dhe nismat rregullatore e zhvillimore, të japin një kontribut pozitiv në stabilitetin monetar e financiar të vendit, si një parakusht për një zhvillim të shpejtë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në afatin e gjatë.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Të dhënat paraprake kanë treguar se edhe për vitin 2025, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht në sektorët e lidhur me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme. Shihni rreziqe në perspektivë të lidhura me varësinë e lartë të ekonomisë nga këta sektorë dhe me një zbehje të ciklit rritës të tyre? Si mund të ulet kjo varësi dhe çfarë duhet bërë për të ruajtur ritme të shëndetshme të rritjes ekonomike në horizontin afatmesëm dhe afatgjatë?

Rritja ekonomike e dy viteve të fundit ka pasqyruar zgjerimin e sektorit të ndërtimit dhe të shërbimeve, ky i fundit me një kontribut pa diskutim primar nga të ardhurat e turizmit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë shënuar rënie të aktivitetit.

Ky zhvillim i diferencuar sektorial meriton padyshim diskutim e vëmendje.

Nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri pasqyron si faktorë tranzitorë, ashtu edhe faktorë më të qëndrueshëm strukturorë.

Faktorët tranzitorë kanë natyrë të dyfishtë. Së pari, kërkesa për turizëm në rajon e në Shqipëri ka pasur një rritje të shpejtë, e cila ka sjellë zgjerimin e sektorit të shërbimit dhe – bashkë me të – atë të ndërtimit, në përgjigje të nevojave për zgjerimin e kapaciteteve akomoduese.

Përkundrejt tyre, kërkesa për artikuj industrialë ka qenë relativisht e dobët dhe çmimet në rënie, sidomos në segmentet tradicionale të eksportit shqiptar.

Së dyti, faza pozitive e pozicionit ciklik të vendit ka bërë që kjo rritje kërkese në dy sektorët e mësipërm t’i vendosë ata në pozita mjaft konkurruese në tregjet e brendshme të punës e të kapitalit, duke vështirësuar më tej pozicionin e sektorit të bujqësisë e të industrisë.

Maturimi i sektorit të turizmit në një horizont afatmesëm dhe balancimi më i mirë i kërkesës dhe i ofertës në ekonomi, do të pasqyrohen në një zbutje të këtyre presioneve gjatë dy viteve në vijim.

Nga ana tjetër, faktorët strukturorë pasqyrojnë një kombinim të problemeve specifike të sektorëve të industrisë dhe të shërbimit, të cilët kanë si emërues të përbashkët shkallën relativisht të ulët të produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë në tregjet botërore.

Adresimi i këtyre problemeve kërkon natyrisht vëmendje, si nga vetë bizneset private që ushtrojnë aktivitetet në këta sektorë, ashtu edhe nga reforma të mëtejshme strukturore, të cilat ndihmojnë në rritjen e produktivitetit të përgjithshëm të ekonomisë shqiptare.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Në pjesën e dytë të vitit 2025, inflacioni bazë dhe në përgjithësi inflacioni i gjeneruar nga ekonomia e brendshme kanë shfaqur një tendencë të qartë në rritje. Cilët kanë qenë faktorët kryesorë dhe a shihni rreziqe për inflacionin të lidhura me rritjen e vazhdueshme të pagave?

Faktori kryesor i rritjes së inflacionit bazë dhe atij të brendshëm ka qenë përshpejtimi i çmimit të qirasë, inflacioni i të cilit u rrit nga 2.1% në muajin mars në 6.7% në muajin tetor, duke mbetur i pandryshuar në muajin nëntor.

Ndërkohë, rritja e disa prej çmimeve të shërbimeve të lidhura me turizmin është balancuar nga rënia e çmimeve të disa mallrave, pjesë e këtyre matjeve të inflacionit bazë e të brendshëm.

Aktualisht, rritja e qirasë përbën burimin kryesor të presioneve të brendshme inflacioniste, por në mungesë të rritjeve të përsëritura në të ardhmen, efekti i saj mbi inflacionin pritet të jetë i përkohshëm. Nga ana tjetër, presionet që lidhen me gjendjen e ekonomisë dhe tregun e punës mbeten të qëndrueshme dhe në linjë me objektivin tonë për inflacionin, duke reflektuar një ekonomi e cila po rritet pranë potencialit. Sikurse rezulton nga analizat tona, nivelet e ulëta të inflacionit të importuar dhe të çmimeve të ushqimeve – subjekt i goditjeve të ofertës – mbajnë inflacionin poshtë objektivit 3%.

Sa u takon pagave, rritja e tyre ka reflektuar rritjen e aktivitetit ekonomik dhe të produktivitetit në disa sektorë, si dhe mungesat në fuqinë punëtore dhe formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.

Deri tani, përcjellja e pagave në çmime ka qenë e kufizuar dhe nuk ka gjeneruar efekte të raundit të dytë, e mbështetur nga rritja e produktivitetit, rënia e marzheve të fitimit të bizneseve, si dhe nga qëndrimi i kujdesshëm i politikës monetare, i reflektuar në pritjet e ankoruara për inflacionin.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë po monitoron nga afër raportin mes rritjes së pagave dhe produktivitet, pasi një divergjencë afatgjatë e tyre do të përbënte një rrezik për inflacionin në të ardhmen. Në këtë kuadër, politika jonë monetare do të mbetet e orientuar nga të dhënat e reja, qasje kjo që na mundëson të jemi fleksibël dhe efikas ndaj zhvillimeve të reja.

 

Gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka kryer ndërhyrje të përmasave të mëdha në tregun e këmbimit valutor. Mendoni se ndërhyrjet e zgjatura në tregun e këmbimit e kanë shmangur Bankën e Shqipërisë nga objektivi i saj primar i shënjestrimit të inflacionit dhe nga përdorimi i instrumentit të saj kryesor të ndërhyrjes në funksion të këtij objektivi, normave të interesit?

Kursi i këmbimit të Lekut ka ardhur në forcim të vazhdueshëm gjatë tre viteve të fundit, i cili ka pasqyruar përmirësimin e vazhduar të bilancit të shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë të vendit, si dhe reduktimin e primeve të rrezikut dhe rritjen e besimit në monedhën kombëtare.

Në mënyrë të përmbledhur:

Deficiti i llogarisë korrente ka regjistruar rënie, nga niveli mesatar prej 7.5% të PBB-së në periudhën 2015 – 2021, në një mesatare prej 3.4% të PBB-së, në periudhën 2022 – 2024 dhe një suficit 0.3% në tre tremujorët e parë të vitit 2025.

Kjo ecuri është diktuar nga rritja e shpejtë e eksporteve, e nxitur nga rritja e eksporteve të turizmit. Për ilustrim, eksportet totale shqiptare janë rritur nga 4.7 në 9.1 miliardë euro në horizontin 2021 – 2024, duke shënuar rritje të mëtejshme prej rreth 10% në tre tremujorët e parë të vitit 2025.

Po ashtu, eksportet e turizmit janë rritur nga 1.9 në 5 miliardë euro në horizontin kohor 2021 – 2024, duke u rritur më tej me 14.5% në tre tremujorët e parë të vitit 2025.

Paralelisht me to, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte ka ardhur në rritje, duke kaluar nga 1 në 1.6 miliardë euro në horizontin kohor 2021 – 2024, për t’u rritur më tej me 4.3% në tre tremujorët e parë të vitit 2025.

Këto zhvillime kanë gjeneruar një tepricë valute në tregun e brendshëm, tepricë e cila – së bashku me rritjen e besimit në monedhën tonë kombëtare – ka sjellë presione për forcimin e Lekut.

Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë ka rritur praninë në tregun valutor gjatë dy viteve të fundit, duke tërhequr një pjesë të konsiderueshme të kësaj oferte të shtuar dhe duke zbutur ritmin e forcimit të kursit të këmbimit.

Në këtë kontekst, gjejmë me vend të bëj tre sqarime.

Së pari, ndërhyrja jonë në tregun e brendshëm valutor ka qenë dhe mbetet një ndërhyrje e përkohshme. Synimi i kësaj ndërhyrjeje nuk ka qenë mbrojtja e ndonjë niveli të caktuar të kursit të këmbimit, por amortizimi i shpejtësisë së ndodhjes së këtij fenomeni.

Përmbushja e këtij objektivi u gjykua e dobishme, sepse cektësia e tregut të brendshëm valutor ishte premisë për një volatilitet të shtuar të kursit dhe – në raste ekstreme – potencialisht edhe për shmangie të tij nga fondamentet.

Si volatiliteti i shtuar, ashtu edhe një shmangie nga fondamentet mund të kishin pasoja potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Sa më sipër, kjo ndërhyrje nuk e cenon regjimin valutor të aplikuar në Shqipëri, i cili ka qenë dhe mbetet një regjim i lirë i kursit të këmbimit.

Niveli i kursit të këmbimit në afatin e gjatë do të diktohet gjithnjë nga raporti i kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun e brendshëm. Banka e Shqipërisë, në përputhje me regjimin valutor, politikën dhe rregulloret përkatëse, do të jetë e pranishme në treg vetëm nëse konstaton një funksionim jo-normal të tregut valutor apo premisa për cenimin e stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Së dyti, ecuria e kursit të këmbimit ka qenë dhe mbetet një faktor me peshë jo të vogël në inflacion dhe për rrjedhojë në qëndrimin e politikës monetare. Kjo do të thotë që politika monetare e Bankës së Shqipërisë i ka kushtuar gjithnjë vëmendje ecurisë së kursit të këmbimit dhe e ka faktorizuar atë në vendimmarrjen e politikës monetare.

Për ilustrim, forcimi i shpejtë i kursit gjatë viteve 2022-2024 ishte faktori primar, i cili i mundësoi ekonomisë shqiptare të kishte një nivel mjaft më të ulët inflacioni në raport me partnerët tanë tregtarë dhe – po ashtu – një normalizim mjaft më të moderuar të politikës monetare dhe nivel më të ulët normash interesi krahasuar me ta.

Po ashtu, politika jonë monetare ka faktorizuar edhe ndikimin e kursit të këmbimit në kushtet monetare dhe inflacion gjatë vitit 2025, duke u kujdesur që qëndrimi i saj të jetë gjithnjë konsistent me përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit.

Së treti, në një perspektivë më afatgjatë, niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe do të jetë konsistent me kriteret e brendshme të mjaftueshmërisë.

Kjo rezervë valutore shërben si garantues i aftësisë paguese të vendit, si parandalues i goditjeve spekulative, si dhe si instrument përballimi i goditjeve ekstreme të paparashikuara ekonomike apo financiare.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2026? Cilat besoni se do të jenë sfidat kryesore për ekonominë shqiptare?

Projeksionet tona për të ardhmen janë pozitive.

Në vija të përgjithshme, në horizontin afatmesëm që mbulon periudhën 2026 – 2028, ne presim një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe pranë potencialit, të udhëhequr në masën më të madhe nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve të sektorit privat, por të mbështetur edhe nga një kontribut margjinal pozitiv – ndonëse në ngadalësim – të sektorit të turizmit.

Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit të ardhshëm, i nxitur nga një ecuri e balancuar e kërkesës dhe ofertës agregate, nga një stabilitet më i madh i kursit të këmbimit dhe nga pritje të ankoruara për të ardhmen.

Këto projeksione faktorizojnë gjykimin tonë se ambienti i huaj do të ketë ecuri relativisht të stabilizuar, të karakterizuar nga një rritje pozitive – ndonëse e ngadaltë – e partnerëve tanë tregtarë të Eurozonës. Po ashtu, ato faktorizojnë pritjet për një ecuri të stabilizuar të politikës fiskale, brenda kontureve aktuale të deficitit dhe duke vijuar të gjenerojë një trajektore rënëse të borxhit publik.

Megjithatë, sfidat natyrisht mbeten të pranishme.

Materializimi i rreziqeve gjeopolitike në ambientin e jashtëm apo intensifikimi i konflikteve tregtare mund të devijojnë trajektoren e zhvillimit të vendit nga parashikimet tona, duke kërkuar monitorim të vazhdueshëm dhe reagim të hershëm.

Po ashtu, zhvillimet e pafavorshme demografike, ndryshimet klimatike, si dhe revolucioni teknologjik e digjital, mbeten sfida afatgjata strukturore me të cilat do të përballet zhvillimi i vendit.

Adresimi i tyre kërkon investime të mëtejshme në arsim e shëndetësi, si instrumente të domosdoshme për rritjen afatgjatë të produktivitetit, si dhe forcimin e rrjeteve të sigurisë, përfshi edhe rishikimin e reformës të sistemit të pensioneve.

Në gjykimin tonë, momenti pozitiv i zhvillimeve ekonomike në vend, si dhe përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian ofrojnë një oportunitet që nuk duhet humbur për implementimin e agjendës së reformave strukturore.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe financiar gjatë vitit 2025 dhe cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për ecurinë e sektorit në vitin 2026?

Viti 2025 ishte një tjetër vit pozitiv për sektorin tonë bankar. Veprimtaria e tij u zgjerua me ritme të kënaqshme, e mbështetur nga rritja e depozitave të publikut dhe e orientuar drejt kreditimit dhe investimeve në tituj.

Veprimtaria bankare mbeti fitimprurëse, në nivele të afërta me vitin e kaluar. Treguesit e kapitalizimit të sektorit bankar dhe ata të likuiditetit, rezultuan në nivele shumë të mira. Kreditimi ruajti ritmet e larta të rritjes, ku kontributi pozitiv i kreditimit në Lek ishte më i lartë se ai i valutës.

Kredia për individët shkoi kryesisht drejt kredisë për konsum dhe asaj për blerje të pasurive të paluajtshme. Kredia për biznese u përdor kryesisht për kapital qarkullues dhe për investime.

Për vitin 2026, ne presim që ecuria pozitive e veprimtarisë së sektorit bankar të vazhdojë. Ritmet e kreditimit do të vijojnë të mbeten të mira, në kushtet kur kërkesa mbetet e qëndrueshme, e mbështetur mbi ecurinë pozitive të të ardhurave.

Nga ana e ofertës, rritja e depozitave do të mbështesë rritjen e kredisë, ndonëse në këtë drejtim, bankat duhet të konsiderojnë edhe kërkesat për kapital që kërkohen nga kuadri rregullator. Veprimtaria do të vijojë të gjenerojë nivele të mira të fitimit, e mbështetur nga ecuria pozitive e të ardhurave neto nga interesi, dhe të ardhurave të tjera.

Gjatë vitit të ardhshëm, performanca e sistemit financiar dhe e sektorit bankar, si dhe rregullimit dhe mbikëqyrjes së tij, do t’i nënshtrohet vlerësimit profesional të ekipit të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, si pjesë e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP).

Ne presim që ky vlerësim të konfirmojë gjendjen e qëndrueshme të sektorit bankar, dhe të ofrojë drejtimet për përmirësime të mëtejshme. Gjatë vitit 2026, ne presim që të nisin veprimtarinë e tyre të plotë dy banka të cilat në 2025-n morën licencën paraprake.

Në këtë mënyrë, struktura e sektorit tonë bankar do të bëhet më e larmishme, konkurrenca do të rritet dhe mundësitë e zgjedhjes së publikut shqiptar për shërbime bankare do të zgjerohen.

 

Raporti i kredive me probleme ka qenë në stanjacion gjatë vitit 2025, pas një tendence disavjeçare në rënie. Cilat kanë qenë arsyet dhe a shihni rreziqe për rikthim të rritjes së këtij treguesi gjatë 2026?

Është e vërtetë që raporti i kredive me probleme, pas një rënieje të qëndrueshme në vitet e kaluara, është luhatur gjatë pjesës më të madhe të këtij viti pranë nivelit 4% dhe pritet ta mbyllë këtë vit në një nivel lehtësisht më të lartë.

Moderimi i rënies së treguesit të kredive me probleme ishte i pritshëm, në kushtet e rritjes së shpejtë të kredisë në vitet e fundit, por ecuria e tyre gjatë këtij viti është përcaktuar nga raste të veçanta.

Sidoqoftë, është e nevojshme që bankat të ruajnë vëmendjen në procesin e analizës së aplikimeve për kredi, si dhe gjatë monitorimit të saj.

Në një qasje më të përgjithshme, duhet bërë kujdes që të kontrollohet dhe të moderohet efekti i mundshëm i zgjerimit të shpejtë të kredisë dhe i rritjes së konkurrencës në treg në relaksimin e standardeve të kreditimit.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Gjatë vitit 2025, Banka e Shqipërisë aplikoi disa masa kufizuese për kredinë për blerjen e banesave nga individët. Si i vlerësoni rezultatet e deritanishme të këtyre masave dhe çfarë ndikimesh prisni të japin në ecurinë e kredisë për shtëpi në vitin 2026?

Masat që mori Banka e Shqipërisë në maj të 2025-s filluan të zbatohen nga sektori bankar në tremujorin e tretë të vitit. Këto masa synojnë ruajtjen e cilësisë së mirë të ekspozimeve të sektorit bankar në tregun e pasurive të paluajtshme rezidenciale, në kushtet e rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme dhe të çmimeve të banesave në vitet e fundit.

Masat konsistonin në vendosjen e kufijve të sipërm mbi dy treguesit e standardeve të kredisë së re për blerjen e pasurive të paluajtshme rezidenciale, konkretisht mbi raportin e vlerës së kredisë ndaj vlerës së kolateralit dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave të kredimarrësit.

Këto masa, të cilat u kalibruan duke u nisur nga struktura ekzistuese e kredisë për blerje të pasurive të paluajtshme rezidenciale në sektorin bankar, u zbatuan duke konsideruar llojin e monedhës dhe qëllimin e përdorimit të pronës së blerë.

Në mënyrë që këto masa të mos paraqisnin një kufizim të tepruar për aplikime specifike që bankat do t’i vlerësonin me interes, atyre iu lejua të kapërcenin kufijtë e përcaktuar në treguesit e përzgjedhur, brenda një kuote të caktuar.

Aktualisht, jemi duke analizuar të dhënat që kanë sjellë bankat për tremujorin e tretë të vitit dhe rezultatet konkrete nuk i kemi ende.

Megjithatë, do të nevojitet më shumë se një tremujor me të dhëna, për të kuptuar drejt ecurinë e ekspozimeve të targetuara dhe efektin e masave. Më tej, rezultatet do të vendosen në kontekstin e përgjithshëm të ecurisë së kredisë dhe të ecurisë së çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme.

Në këtë mënyrë do të gjykohet lidhur me nevojën për ndryshimin e këtyre masave, në formën e plotësimit të tyre me masa të tjera ose me rikalibrim të vlerave të kufijve të caktuar. Me kalimin e kohës, ne presim që këto masa të ulin ndjeshëm ekspozimet e bankave që i kanë treguesit e përmendur më sipër mbi vlerat kufi.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

 

Lexoni edhe:

Dilemat e ekonomisë, nga pesimismi i bizneseve te rreziku i flluskës në ndërtim

The post BSH: Pritshmëritë për ekonominë janë pozitive, por duhet ulur varësia nga sektorët e veçantë appeared first on Revista Monitor.

Pas Novoselës, evakuime edhe në Fier, Sukth e Katund të Ri



Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë ka bërë të ditur se pas Novoselës, për shkak të situatës së rënduar nga të reshurat janë lëshuar urdhra evakuimi edhe për banorët e bashkësisë Fier, saktësisht Njësisë Administrative Ferras, si dhe për Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri në Durrës

Në njoftim thuhet se evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut përkatës, Strukturat e Emergjencave Civile në bashki.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara si dhe familjet në zona të izoluara. /Telegrafi/

Rreziku nga përmbytjet, urdhër evakuim i menjëhershëm në Novoselë të Shqipërisë



Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë njoftuar lidhur me urdhrin për evakuimin e menjëhershëm në Novoselë të Shqipërisë, pas situatës së krijuar për shkak të reshurave.

Në njoftim bëhet e ditur se urdhri hyn në fuqi menjëherë.

“... Si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të Bashkisë Vlorë, Njësisë administrative Novoselë.

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut përkatës si dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.

Prioritet në procesin e evakuimit kanë: Fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, familjet në zona të izoluara. /Telegrafi/


Zyrtare: Shqipëria vazhdon bashkëpunimin me Sylvinhon



Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka konfirmuar zyrtarisht vazhdimësinë e projektit teknik të Kombëtares, duke rinovuar kontratat me përzgjedhësin Sylvinho dhe ndihmësit e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Junior.

Marrëveshjet e reja do të jenë në fuqi deri në korrik të vitit 2026, me objektivin madhor kualifikimin historik të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës.

Ky vendim vjen si pasojë e rezultateve pozitive dhe progresit të dukshëm të skuadrës kombëtare nën drejtimin e stafit aktual, i cili ka ndërtuar ndër vite një filozofi pune të qartë, moderne dhe konkurruese.

Performancat e fundit kanë rritur besimin dhe optimizmin për të ardhmen, duke e pozicionuar Shqipërinë si një ekip gjithnjë e më ambicioz në arenën ndërkombëtare.

Rinovimi i kontratave reflekton besimin e plotë të FSHF-së te stafi teknik, si dhe angazhimin institucional për stabilitet dhe vazhdimësi në drejtimin e Kombëtares.

Njoftimi i plotë i FSHF-së:

/Telegrafi/

Top 10 portierët me më së shumti porta të paprekura në vitin 2025, Strakosha lë pas emra të mëdhenj



Statistikat e publikuara nga Transfermarkt zbulojnë portierët më të qëndrueshëm të vitit 2025. Në garë përfshihen 15 ligat kryesore, të gjitha garave dhe ndeshjet me kombëtare. Gara është e fortë, me emra të mëdhenj të futbollit evropian, ndërsa në mesin e tyre gjendet edhe portieri shqiptar, Thomas Strakosha.

Anatoliy Trubin ka qenë portieri më i besueshëm i vitit 2025 deri më tani, duke kryesuar listën me 26 porta të paprekura në 61 paraqitje, sipas të dhënave të Transfermarkt.

Pas tij renditet Gianluigi Donnarumma, i cili ka regjistruar 24 ndeshje pa pësuar gol në 60 takime, duke konfirmuar edhe një herë rolin kyç te klubet dhe kombëtarja.

Në vendin e tretë është Gregor Kobel, portieri zviceran me 23 porta të paprekura në 65 ndeshje, një tregues i vazhdimësisë dhe stabilitetit të tij gjatë gjithë sezonit.

Një paraqitje shumë solide ka bërë edhe shqiptari Thomas Strakosha, i cili me 22 porta të paprekura në vetëm 44 ndeshje, renditet i katërti në listë, duke lënë pas disa emra të mëdhenj të futbollit evropian.

Me këtë performancë, Strakosha ka lënë pas emra të mëdhenj si Thibaut Courtois, David Raya dhe Unai Simon, duke konfirmuar rëndësinë e tij në ekip dhe nivelin e lartë të formës gjatë gjithë vitit.

Me nga 22 porta të paprekura janë gjithashtu Konstantinos Tzolakis, Matej Hornicek dhe Diogo Costa duke e bërë top 10-shen shumë të ngjeshur dhe konkurruese.

Këto statistika dëshmojnë se viti 2025 ka sjellë një garë të fortë mes portierëve, ku përveç emrave të njohur, spikasin edhe talente që po ndërtojnë reputacion në nivelet më të larta të futbollit evropian. /Telegrafi/

“Misioni ka emër”, Vengu vlerëson pjesëtarët e Forcave të Armatosura



Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka vlerësuar rolin dhe përkushtimin e efektivëve të Forcave të Armatosura, duke theksuar se zhvillimi dhe aftësimi i personelit mbetet prioritet kyç i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Vengu ka theksuar se misioni i Forcave të Armatosura avancon çdo ditë falë punës dhe përkushtimit të ushtarakëve, si nëntoger Ersi Mollaj dhe ushtare IV Erato Buzalli.

“Misioni ka emër. Forca avancon çdo ditë përmes zhvillimit dhe aftësimit të çdo efektivi të përkushtuar”, ka shkruar Vengu.

Sipas tij, efektivët e Forcave të Armatosura shërbejnë në zona të ndryshme të vendit, nga Burrel në Poshnje, e nga Vau i Dejës në Bunavi, duke u angazhuar në përballimin e emergjencave civile, stërvitje ushtarake, detyra operacionale, si dhe në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në misione ndërkombëtare.

Ministri ka theksuar se kapitali njerëzor i Mbrojtjes mbetet aseti më i rëndësishëm dhe baza për ringritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. /Telegrafi/

Pozitiv apo negativ, si ishte 2025 për Shqipërinë? Ja si e mendojnë shqiptarët

Ndërsa pjesa dërrmuese e shqiptarëve të anketuar në sondazhin ‘Zëri i Shqiptarëve’, e konsiderojnë një vit pozitiv 2025 për familjet e tyre, ndryshe e mendojnë për Shqipërinë.

Pyetjes Si ishte viti 2025 për Shqipërinë? 43.2% apo 821,000 shqiptarë e konsiderojnë atë pozitiv, ndërsa 39.6% apo 752,000 shqiptarë thonë se 2025, ishte një vit negativ për Shqipërinë. Të dyzuarit, përbëjnë rreth 17.2% e të anketuarëve ose, në një ekstrapolim të shifrave 327,000 shqiptarë.

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Kampioni i përpunuar është, 1234 banorë të rritur të vendit. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë anonime nga të anketuarit, ndërsa marzhi i gabimit statistikor përllogaritet +/- 2.8%./abcnews.al

Tragjike në Orikum – burri i merr jetën gruas pastaj vetes



Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të premte në Orikum të Vlorës, ku një çift bashkëshortësh është gjetur pa shenja jete në banesën e tyre.

Viktima, Sose Xhebro, rreth 40 vjeçe, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbytjes. Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, dyshimet e para janë se ajo është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebro, shkruan Euronews.al.

Po ashtu, dyshohet se pas vrasjes së bashkëshortes, Llogora Xhebro ka vrarë edhe veten. Rrethanat dhe dinamika e plotë e ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i hetimeve në vijim.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë familjare.

Aksident i rëndë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, dy të vdekur



Një aksident i rende ka ndodhur para pak min me pare ne aksin Lezhe- Shkodër.

Nga përplasja e forte e dy automjeteve ne afërsi të fshatit Gocaj, dyshohet se dy persona kane ndërruar jete.

Për nxjerrjen e trupave kane ndërhyre forcat zjarrfikëse të cilët me pas u morën me ato ambulance.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen ne vendgjarje për zbardhjen e shkaqeve te ketij aksidenti. /tch/

Vullneti politik i mazhorancës diktoi jetën parlamentare në vitin 2025

Në fund të sesionit parlamentar, me orientimin politik të kryeministrit, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi refuzoi të mblidhte Këshillin e Mandateve për të vendosur mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetit zv.kryeministes Belinda Balluku, pavarësisht se kjo bie ndesh me Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën parlamentare. Ky ishte akti i […]

The post Vullneti politik i mazhorancës diktoi jetën parlamentare në vitin 2025 appeared first on Reporter.al.

Jo më ‘të paprekshëm’

Data 10 shkurt e këtij viti nisi si një ditë e zakonshme, me socialistët që përgatiteshin për fushatën zgjedhore të 11 majit dhe opozitën që prezantonte zbulimin e saj të ri, Chris LaCivita, këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, si kartë suksesi për zgjedhjet. Politikani Erion Veliaj, i cili gjerësisht konceptohej si një trashëgimtar potencial […]

The post Jo më ‘të paprekshëm’ appeared first on Reporter.al.

Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë

Dinamo i dha leksion Egnatias duke fituar Superkupën e Shqipërisë me rezultatin 1-3. Sfida në “Air Albania” u fitua me përmbysje nga ekipi i Ilir Dajës, që e mbylli në disavantazh pjesën e parë. Fillimisht për Egnatian shënoi Ruçi. Dinamo humbi disa raste të pastra, derisa realizoi dy gola në pjesën e dytë me Bregun […]

The post Dinamo fiton Superkupën e Shqipërisë appeared first on BoldNews.al.

Tjetër trofe për Ilir Dajën te Dinamo, mposhtin Egnatian në Superkupën e Shqipërisë



Dinamo është fituesja e Superkupës së Shqipërisë, pasi ka mposhtur Egnatian me rezultat 3-1.

Sfida nisi më mirë për rrogozhinasit, të cilët kaluan në epërsi që në minutën e 9-të me golin e Ruçit. Sulmuesi përfitoi nga një gabim i prapavijës së Dinamos dhe u tregua i saktë përballë portierit Teqja, duke dërguar topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi fuqishëm dhe përmbysi gjithçka brenda pak minutash. Në intervalin 54’–59’, fillimisht Bregu dhe më pas Nani realizuan dy gola të shpejtë, duke e kthyer rezultatin në favor të skuadrës blu.

Fitorja u vulos nga Qefalija, i cili shënoi golin e tretë dhe të qetësisë, duke i dhënë fund çdo shprese për rikthim Egnatias.

Të besuarit e Ilir Dajës arrijnë kështu të fitojnë trofeun e parë të sezonit, duke e mbyllur vitin 2025 në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke nisur me ambicie të larta pjesën tjetër të garave./Telegrafi

❌