Lamallari: 380 të dënuar lirohen menjëherë nga amnistia penale
TIRANË, 1 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari u shpreh sot në një intervistë televizive, se kriteri që udhëheq Amnistinë Penale është rrezikshmëria e ulët shoqërore.
Lamallari tha se përzgjedhja e kategorive që përfitojnë nga kjo amnisti është bërë në mënyrë që të mos cenohet siguria publike dhe të favorizohet një qasje humane dhe e drejtë.
“Kriteri që ka udhëhequr këtë amnisti ka qenë rrezikshmëria e ulët shoqërore. Sa i përket burrave, përfitojnë të gjithë ata që janë të dënuar me vendim të formës së prerë me burgim deri në tre vjet, ose nëse kanë një vendim mbi tre vjet por që u ka mbetur tre vjet e poshtë për të shlyer dënimin, duke përfshirë faktin se nuk janë të dënuar për vepra që përjashtohen nga amnistia, vepra me karakter të theksuar të rrezikshmërisë shoqërore”, tha Lamallari.
Ministri Lamallari tha se “sa i përket grave, janë ato të cilat janë të dënuara me vendim gjykate deri në katër vite burg, dhe të gjitha ato gra që kanë dënim më të madh por që kanë shlyer pjesën e dënimit që kanë pasur dhe periudha e mbetur është më pak se katër vite”.
“Gjithashtu përfituese kemi gratë e dënuara që janë mbi moshën 50 vjeç në momentin e hyrjes në fuqi të amnistisë, si dhe të dënuarit burra që janë mbi moshën 60 vjeç. Po ashtu kemi treguar një akt humanizmi për një kategori shumë vulnerabël, që janë të miturit ku të gjithë personat nën moshën 18 vjeç do të lirohen, sigurisht duke përjashtuar veprat e karakterit të rrezikshmërisë së lartë shoqërore”, tha Lamallari.
Ministri i Drejtësisë njoftoi se me Amnistinë Penale, 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative.
/e.i/j.p/
The post Lamallari: 380 të dënuar lirohen menjëherë nga amnistia penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
