Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Spiropali pritet nga homologu në Kiev: Shqipëria, mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Kiev ku po zhvillon një vizitë zyrtare, për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën përballë sulmeve masive që kanë targetuar popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike.

Në nisje të vizitës, Spiropali u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha, me një ceremoni nderimi pranë Murit të Kujtesës për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës.

“Kievi vijon të përballet me sulme masive, që targetojnë popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike. Në këtë mot dimri ekstrem, ukrainasit po përjetojnë pasojat e mungesës së energjisë, ngrohjes dhe ujit”, deklaroi Spiropali nga kryeqyteti i Ukrainës.

Spiropali theksoi se “Shqipëria do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, në rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme dhe për të ardhmen e përbashkët europiane.”

Ministri Sybiha falënderoi Spiropalin për qëndrimet e saj dhe të qeverisë shqiptare në krah të sakrificës së Ukrainës, duke theksuar se mbështetja e vendeve mike si Shqipëria për të drejtën e Ukrainës, do të thotë shumë në këto kohë sfiduese.

Më tej, Spiropali dhe homologu ukrainas zhvilluan një takim që, sipas ministres, pasqyron “jo vetëm angazhimet tona të përbashkëta, por edhe vlerat tona, respektin për të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.

Spiropali dhe Sybiha nënshkruan një deklaratë të përbashkët që dënon agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës si një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe normave të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata nënvijëzon rëndësinë e mbajtjes përgjegjëse të Federatës Ruse për krimet kundër Ukrainës.

Dy ministrat diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë mundësitë për të forcuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, promovimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe identifikimin e iniciativave konkrete të bashkëpunimit.

Në vijim të vizitës së saj në Ukrainë, Ministrja Spiropali do të pritet edhe nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali pritet nga homologu në Kiev: Shqipëria, mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, homazhe pranë “Murit të Kujtesës” në Kiev

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kiev, ku u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha.

Gjatë vizitës, ministrja Spiropali dhe ministri Sybiha zhvilluan homazhe pranë “Murit të Kujtesës”, në nderim të të rënëve për pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Spiropali u shpreh se kujtimi i sakrificës së tyre përbën një burim frymëzimi për qëndresën e popullit ukrainas përballë agresionit rus.

Vizita e ministres Spiropali në Kiev synon rikonfirmimin e mbështetjes së palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, në një kohë kur vendi po përballet me sulme të vazhdueshme dhe masive ndaj infrastrukturës kritike dhe popullatës civile, veçanërisht gjatë kushteve të vështira të dimrit.

Vizita konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qëndruar krah Ukrainës, si dhe mbështetjen për sovranitetin, integritetin territorial dhe aspiratat euroatlantike të saj.

/gj.m/

The post Spiropali, homazhe pranë “Murit të Kujtesës” në Kiev appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Piketa të reja bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara

TIRANË, 15 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Presidenti Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, në kuadër të “Javës së Qëndrueshmërisë 2026”.

Në rrjetet sociale, Rama publikoi foto nga kjo vizitë e cila nisi me pritjen në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit ku u nderua me medaljen “Zayed” nga presidenti i Emirateve të Bashkuara.

Ky nderim i jashtëzakonshëm vjen si shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe e vlerësimit për rolin dhe angazhimin e Kryeministrit Rama në promovimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vizionit të përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.

Rama e cilësoi këtë vizitë si “një mikpritje e paharrueshme në Emiratet e Bashkuara” duke theksuar se vendosën piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës.

Në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Qëndrueshmërisë 2026, Kreu i Ekzekutivit ishte pjesë e panelit “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”.

Gjatë diskutimit, Rama vuri theksin tek investimet e mëdha të dekadës së fundit në energjinë diellore dhe të erës, me synimin që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik dhe të mos ketë më nevojë për importe.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, duke e cilësuar këtë partneritet si një model vizionar që synon, jo vetëm sigurinë energjetike të rajonit, por edhe eksportin e energjisë së gjelbër drejt Bashkimit Europian përmes projekteve të mëdha ndërlidhëse. A

i vlerësoi rolin dhe vizionin e lidershipit të Emirateve, si dhe kontributin e Dr. Sultan Al Jaber në nxitjen e projekteve ambicioze të tranzicionit energjetik. “Ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të kemi një bashkëpunim trepalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Doktor Sulltani, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër”  u shpreh Kryeministri Rama.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë foli edhe për përdorimin e teknologjisë digjitale dhe inteligjencës artificiale në Shqipëri, duke theksuar se 95% e shërbimeve publike ofrohen tashmë online.

Kryeministri konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për tranzicionin e gjelbër, inovacionin teknologjik dhe forcimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit europian. /a.g/

The post Rama: Piketa të reja bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama nderohet me titullin “Zayed”. Pamjet nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit

Kryeministri Rama është nderuar me medaljen më të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe nga Presidenti Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan. Rama ka publikuar në rrjetet sociale momente nga pritja në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit dhe shkruan “me videokartolinën e një momenti të paharrueshëm në Pallatin Presidencial të Abu Dhabit, ju uroj një ditë të mbarë”. Kryeministri Rama zhvilloi një…

Source

SHANGAI – Presidenti jugkorean Lee vizitë shtetërore në Kinë

SHANGAI, 4 janar /ATSH/ – Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka nisur një vizitë shtetërore në Kinë për të promovuar paqen në Gadishullin Korean, vetëm pak orë pasi Koreja e Veriut lëshoi raketa balistike, sipas Reuters.

Kjo është vizita e parë e Lee në Kinë që nga marrja e detyrës në qershor.

Gjatë vizitës, Lee do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping për takimin e tyre të dytë brenda vetëm dy muajve, një interval jashtëzakonisht i shkurtër që tregon interesin e Kinës për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe turizmin, veçanërisht ndërkohë që marrëdhëniet e Kinës me Japoninë janë tensionuar.
Lee ka lavdëruar Xi si një udhëheqës të madh dhe vizionar dhe ka theksuar mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe teknologjik, përfshirë zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe industrive të avancuara.

Administrata e Lee synon të forcojë marrëdhëniet me Pekinin, duke njohur rëndësinë e Kinës si partneri më i madh tregtar i Koresë së Jugut.

Kjo lëvizje vjen pas një periudhe tensioni me Kinën gjatë mandatit të presidentit të mëparshëm, për shkak të afërsisë së Koresë së Jugut me SHBA-nē dhe Japoninë.

Vizita vjen gjithashtu në një kontekst sigurie, pasi Koreja e Veriut ka rritur aktivitetin bërthamor dhe Kinës i kërkohet të ndihmojë në rifillimin e dialogut me Phenianin.

Lee pritet të kërkojë që Kina të lehtësojë negociatat për denuklearizimin dhe stabilitetin rajonal.

Agjenda e vizitës përfshin edhe bashkëpunimin teknologjik dhe zinxhirët e furnizimit, duke përqendruar vëmendjen në industrinë dixhitale, turizmin dhe inovacionet teknologjike të avancuara.

Ky takim synon të vendosë një balancë diplomatike në rajon, duke forcuar marrëdhëniet mes Koresë së Jugut dhe Kinës, pa cenuar aleancën strategjike të Seulit me SHBA-në. /Ad.Ab./

The post SHANGAI – Presidenti jugkorean Lee vizitë shtetërore në Kinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi bazën e Grup Batalionit Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo, Bullgari, nga ku vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionet e Aleancës.

Gjatë vizitës në bazë, Komandanti italian i misionit, Mattia Scirocco, informoi ministrin se toga që përfaqëson Forcat e Armatosura të Shqipërisë luan një rol aktiv në detyrat e grupit shumëkombësh, duke kontribuar përtej misionit të saj të paracaktuar.

Ky vlerësim u cilësua si dëshmi e profesionalizmit, përkushtimit dhe besueshmërisë së efektivëve shqiptarë në çdo angazhim ku shërbejnë nën flamurin e NATO-s.

“Shqipëria mbetet e gatshme të rrisë më tej prezencën dhe kontributin e saj në misionet e Aleancës, aty ku nevoja e kërkon, duke dëshmuar përkushtimin ndaj sigurisë kolektive dhe duke forcuar përgatitjen operacionale krah për krah me aleatët”, u shpreh ministri Vengu.

/a.f/

The post Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja uron Krishtlindjen dhe kujton takimin me papa Leone XIV

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë një mesazh urimi në ditën e Krishtlindjes, duke kujtuar takimin me Shenjtërinë e Tij, papa Leone XIV.

Në mesazhin e tij, ministri Gonxhja thekson se në këtë ditë të shenjtë, kur kremtohet Lindja e Krishtit, rikthehet me reflektim te një moment domethënës nga Audienca Jubilare, e zhvilluar disa javë më parë në sheshin “Shën Pjetri”, në Vatikan. Ai e cilëson takimin si një ditë mbresëlënëse, të mbushur me mesazhe paqeje, dialogu dhe solidariteti, vlera universale që, sipas tij, marrin një kuptim edhe më të thellë në këtë festë.

Ministri Gonxhja uron që kjo ditë të jetë burim drite, shprese dhe harmonie për të gjithë.

Gjatë takimit, ministri Gonxhja, i shoqëruar nga bashkëshortja, përveç falenderimit dhe fjalëve të mirënjohjes, i dhuroi papës Leone edhe një disk vinili me këngët shqiptare të lirisë, një libër mbi vëllezërit Marubi dhe një pllaketë nderi në emër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.

Vizita e ministrit Blendi Gonxhja në Vatikan
1 nga 21
Vizita e ministrit Blendi Gonxhja në Vatikan

/a.f/r.e/

The post Gonxhja uron Krishtlindjen dhe kujton takimin me papa Leone XIV appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në QSUNT: Shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe në rrethe

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Në mbyllje të këtij viti dhe në vigjilje të festës së Krishtlindjes, siç është kthyer në traditë tashmë, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet, për t’u përshëndetur me mjekë, dhe infermierë, por jo vetëm.

Pacientët e vegjël që trajtohen në shërbimin e Pediatrisë ishin të parët që u vizituan nga Kryeministri Rama, i cili shpërndau për ta dhurata me rastin e festave të fundvitit, duke iu uruar shërim të shpejtë dhe kthim sa më parë në shtëpi.

“Ne e bëjmë këtë çdo vit, kështu që kemi ardhur të sjellim dhuratat për ju që ta kaloni gëzuar Vitin e Ri bashkë me mamat dhe me babat, edhe që të shëroheni sa më shpejt që të ktheheni në shtëpi dhe në shkollë”, uroi Kryeministri vogëlushët që shoqëroheshin nga prindërit në mjediset spitalore.

Më tej, Kryeministri Rama, vijoi vizitën në Spitalin Onkologjik, i cili në muajt e fundit ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe ka rritur kapacitetet pritëse.

Drejtuesja e QSUNT Anxhela Paparizo, e cila shoqëronte Kryeministrin në këtë vizitë, informoi se është realizuar rikonstruksioni i një sërë ambienteve, mes të cilave sallat e kemioterapisë ditore, që janë pajisur edhe me aparatura të teknologjisë moderne.

Ndërsa Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala shtoi se është realizuar edhe rregullimi i fashave orare, duke i dhënë përparësi pacientëve të ardhur nga rrethet për kemioterapinë ditore, për të cilën është hapur dhe një sallë e dytë me kapacitet më të madh, me poltrone dhe sistem monitorimi bashkëkohor.

Nga ana e tij, kryeministri Rama u shpreh se synimi është që shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe nëpër rrethe, në mënyrë që të shmanget fluksi i shtuar në QSUNT.

Në vijim, Kryeministri Rama zhvilloi një takim të zgjeruar me personelin mjekësor, mjekë, infermierë, ekipe të urgjencës mjekësore dhe specializantë.

/k.s/j.p/

 

The post Rama në QSUNT: Shërbimi i kemioterapisë të ofrohet edhe në rrethe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla dhe Manastirliu: Bonusi i fundvitit, mbështetje për mbi 700 mijë pensionistë

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me drejtuesen politike të PS për Tiranën, Ogerta Manastirliu, zhvilluan një vizitë në prag të festave në familjen Shkurti, në Njësinë 5 në kryeqytet, duke ndarë urimet për festat e fundvitit.

Gjyshe Naxhije dhe gjysh Hatipi sapo kanë përfituar bonusin e fundvitit për pensionistët, një mbështetje e akorduar nga qeveria për mbi 700 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Bonusi synon të lehtësojë shpenzimet e kësaj kategorie sociale gjatë periudhës së festave dhe të ofrojë një ndihmë konkrete për të moshuarit.

Balla dhe Manastirliu theksuan rëndësinë e rolit të gjyshërve në ruajtjen e vlerave familjare dhe bashkimit shoqëror, duke nënvizuar se pensionistët do të vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes dhe mbështetjes institucionale.

Vizita u shoqërua me mesazhe solidariteti dhe përkushtimi ndaj njerëzve, në frymën e festave të dhjetorit.

1 nga 3

/r.e/

The post Balla dhe Manastirliu: Bonusi i fundvitit, mbështetje për mbi 700 mijë pensionistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Delegacioni i KLP-së, vizitë studimore në Spanjë

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Delegacioni i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zhvilloi një vizitë studimore në Spanjë, ku u prit në Prokurorinë e Përgjithshme të Spanjës nga prokurorja e përgjithshme, Teresa Peramato Martín, dhe Francisco Jiménez-Villarejo Fernández, prokuror i lartë dhe drejtues i njësisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

KLP njofton se në takim mori pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.

Sipas KLP-së, gjatë vizitës u shkëmbyen përvoja mbi organizimin dhe qeverisjen e prokurorisë, menaxhimin e karrierës së prokurorëve, digjitalizimin e proceseve, si dhe rëndësinë e komunikimit institucional dhe marrëdhënieve me median për rritjen e transparencës dhe besimit publik.

Vizita u realizua me mbështetjen e projektit EU4Justice, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përafrimit me standardet evropiane.

Vizita konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Spanjës për proceset e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe sundimin e ligjit.

/e.i/r.e/a f/

The post Delegacioni i KLP-së, vizitë studimore në Spanjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmirësohet shërbimi i Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik të QSUT-së

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Kapacitetet dhe efikasiteti i shërbimit në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po rriten.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, e shoqëruar nga Drejtoresha e QSUT-së, Anxhela Paparizo, dhe shefi i Shërbimit Onkologjik, dr. Helidon Nina, inspektoi ambientet e reja të Shërbimit të Kimioterapisë. Aktualisht funksionojnë tre salla të dedikuara që mund të trajtojnë rreth 100 pacientë në ditë, ndërsa po punohet për hapjen e sallës së katërt.

Bashkëpunimi me donatorët ka mundësuar rritjen e kapaciteteve në 30 poltrona të posaçëm, të cilat pritet të dyfishohen së shpejti, duke përmirësuar menaxhimin dhe duke lehtësuar fluksin e pacientëve. Ministrja vlerësoi kontributin e donatorëve dhe falënderoi stafin mjekësor për vijimin e shërbimit pa ndërprerje edhe gjatë punimeve.

Sala theksoi se investimet do të vijojnë, me fokus në rritjen e kapaciteteve dhe garantimin e barnave onkologjike. “Ky është vetëm hapi i parë. Puna për përmirësimin e shërbimit vijon në mënyrë sistematike,” tha ajo.

Paralelisht, Spitali Onkologjik ka nisur edhe zbatimin e shërbimeve digjitale, përfshirë recetat elektronike dhe dosjen elektronike të pacientit (e-file), për të përmirësuar ndjekjen dhe menaxhimin e trajtimit.

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Përmirësohet shërbimi i Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik të QSUT-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ulutash: Komunikimet e rregullta me ushtrinë serbe, jetësore për të parandaluar përshkallëzime

PRISHTINË, 11 dhjetor /ATSH/ Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha se komunikimet e rregullta me ushtrinë serbe janë të rëndësishme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.

Ulutash i bëri këto deklarata pas vizitës në Serbi, ku u takua me kreun e ushtrisë serbe, gjeneralin Millan Mojsilloviq.

“Komunikimet e rregullta dhe të hapura mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë janë vitale për të adresuar zhvillimet e rëndësishme dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të përshkallëzimit me kohë, në mënyrë të duhur, transparente dhe konstruktive. Në javët dhe muajt në vijim, unë do të bëj pjesën time për t’u siguruar që të vazhdojmë t’i shfrytëzojmë sa më mirë këto komunikime të rregullta”, tha Ulutash përmes një deklarate.

Edhe gjatë mandatit të parë të tij në krye të KFOR-it, Ulutash kishte vizituar Beogradin.

Ulutash e falënderoi për mikpritjen Mojsilloviqin me të cilin, tha se “veçse kam zhvilluar një bashkëpunim të hapur dhe frytdhënës gjatë mandatit tim të parë në krye të KFOR-it. Mezi pres të takohem sërish me të, së shpejti”.

Kreu i KFOR-it tha se misioni është i angazhuar për të ofruar siguri që “mundëson krijimin e kushteve të nevojshme për dialog politik”.

“NATO – përfshirë përmes punës së përditshme të KFOR-it – vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, si kornizë për të adresuar çështjet e mbetura me qëllim që të përfitojnë të gjithë njerëzit”, tha Ulutash.

Sipas gjeneralmajorit Ulutash tha se ky mision për çerekshekulli ka luajtur rol kyç në mirëmbajtjen e paqes dhe duke ofruar siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë. Siguria në rajon, sipas gjeneralmajorit turk është e lidhur me sigurinë e Evropës dhe në mbarë zonë euroatlantike.

Gjeneralmajori turk u rikthye në drejtimin e KFOR-it në muajin tetor. Mandati i parë njëvjeçar i Ulutashit në krye të KFOR-it nisi në tetor të vitit 2023 dhe përfundoi në tetor të vitit pasues.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

KFOR-i, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në KFOR aktualisht janë mbi 4 mijë paqeruajtës nga vende të ndryshme të botës. /REL/

The post Ulutash: Komunikimet e rregullta me ushtrinë serbe, jetësore për të parandaluar përshkallëzime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Jordani, pritet me ceremoni të veçantë nga mbreti Abdullah II bin Al-Hussein

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Aman, Jordani, ku është pritur me një ceremoni të veçantë nga mbreti Abdullah II bin Al-Hussein.

Kryeministri Rama e vlerësoi mbretin Abdullah II bin Al-Hussein, si një monark të respektuar ndërkombëtarisht dhe një mik të çmuar të Shqipërisë.

“I nderuar nga mikpritja e veçantë e Mbretit të Jordanisë Abdullah II bin Al-Hussein, një monark i respektuar botërisht dhe një mik i çmuar posaçërisht i Shqipërisë”, u shpreh kryeministri Rama krahas fotove nga pritja zyrtare.

Ky takim konfirmon partneritetin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Jordanisë, bashkëpunimin në nivel rajonal dhe përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike.

/m.m/r.e/ /a.g/

The post Rama në Jordani, pritet me ceremoni të veçantë nga mbreti Abdullah II bin Al-Hussein appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nxënës të klasës së tretë në “Punishten e Demokracisë” në Kuvend

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ “Punishtja e Demokracisë”, ura që lidh Kuvendin me fëmijët, mirëpriti sot nxënësit e klasës së tretë të shkollës “Osman Myderizi”.

Gjatë vizitës, fëmijët patën mundësinë të shpreheshin me pyetje të sinqerta dhe të mësonin mbi rolin e tyre në shoqëri dhe rëndësinë e qytetarisë aktive.

Në këtë aktivitet u përfshinë edhe deputetët Erion Malaj nga Partia Socialiste dhe Ina Zhupa nga Partia Demokratike, pjesë e grupit “Miqtë e Fëmijëve”.

Ata zhvilluan një bisedë të ngrohtë me nxënësit, duke shpjeguar në mënyrë të thjeshtë rolin e deputetëve dhe disa aspekte të procesit të vendimmarrjes në Kuvend.

Vizita ishte një mundësi e mirë për fëmijët që të njihen me vlerat demokratike, të kuptojnë rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe të frymëzohen për të qenë qytetarë aktivë të së ardhmes.

/gj.m/j.p/

The post Nxënës të klasës së tretë në “Punishten e Demokracisë” në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë

TEL AVIV, 1 dhjetor /ATSH/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për një vizitë në Shtëpinë e Bardhë “në të ardhmen e afërt”, njoftoi sot zyra e kryeministri, izraelit, sipas Reuters.

Ftesa erdhi pak pasi Trump deklaroi se Izraeli duhet të ruajë një dialog të fortë dhe të sinqertë me Sirinë. Një vizitë e tillë do të ishte e pesta për Netanyahun që prej rikthimit të Trump në detyrë në janar.

Dy liderët kanë kultivuar publikisht një marrëdhënie të ngushtë, ndonëse burime amerikane dhe izraelite thonë se Trump herë pas here ka shprehur frustrim ndaj Netanyahut.

Në komunikatën zyrtare u tha se të dy diskutuan për çarmatimin e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës.

Trump në shtator prezantoi një plan për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ndërsa armëpushimi me Hamasin është në fuqi që nga tetori.

Trump  ka deklaruar më herët se është “shumë e rëndësishme” që Izraeli të mbajë një dialog të qëndrueshëm me Sirinë, duke theksuar se asgjë nuk duhet të pengojë “evoluimin e Sirisë drejt një shteti të begatë”.

Administrata e tij po përpiqet të ndërmjetësojë një pakt mosagresioni mes dy vendeve, të cilat nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Siria nuk e njeh zyrtarisht Izraelin, i cili ka zgjeruar kontrollin mbi territore siriane që nga dhjetori 2024.

Izraeli ka pushtuar Lartësitë e Golanit që nga viti 1967 dhe më vonë i ka aneksuar, një hap i njohur nga SHBA-ja , por jo nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.

Presidenti Trump ndërkohë ka mbështetur liderin e ri të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ndërsa Izraeli ka shprehur kundërshtime për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me grupet islamiste. /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Partneriteti me Universitetin e Teknologjisë së Compiègne, hap drejt ndërkombëtarizimit të UPT

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi ditët e fundit një vizitë në kampusin e Universitetit të Teknologjisë së Compiègne (Francë), ku u prit nga presidentja e institucionit, Claire Rossi.

Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro tha se “partneriteti mes Universitetit të Compiègne dhe dhe Universitetit Politeknik të Tiranës po merr formë konkrete dhe afatgjatë jo vetëm në studime, por edhe në krijimin e inkubatorëve të startup-eve”.

Kumbaro u shpreh se “falë marrëveshjes mes dy qeverive dhe punës së përbashkët të ekipeve të Ministrisë së Arsimit, Ambasadës Franceze, UPT dhe UTC, tashmë në Shqipëri është krijuar Kampusi i përbashkët me selinë e Universitetit të Compiègne”.

“Ky kampus i jep mundësi studentëve shqiptarë të ndjekin programe bachelor, master dhe doktoratë, në Inxhinieri Informatike dhe në Inteligjencë Artificiale, me leksione të përbashkëta nga profesorë francezë dhe shqiptarë, të përfitojnë mobilitete akademike në të dy universitetet dhe të diplomohen me dy diploma të vlefshme të njohura nga të dy vendet në Shqipëri dhe në Francë”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ndërkombëtarizimi i Arsimit të Lartë është një nga prioritetet e këtij mandati në arsim, që synojmë ta zgjerojmë në fushat prioritare të zhvillimit”.

Hapja e Kampusit të Universitetit të Teknologjisë së Compiègne të Francës në UPT është një nga arritjet më të mëdha në arsimin e lartë shqiptar. Një program është hapur në UPT është Bachelor në Inxhinieri Kompjuterike dhe një në Sisteme Elektronike. Mësimi  zhvillohet në UPT me profesorë shqiptarë dhe francezë. Në fund studentët do të marrin dy diploma, një të UPT dhe një diplomë franceze të UTC. Ndërsa në vitin e tretë është hapur një program i ri Bachelor në Inxhinieri Mekatronike. E reja e këtyre diplomave të dyfishta është që mësimi bëhet në Shqipëri.

/k.s/r.e/

The post Kumbaro: Partneriteti me Universitetin e Teknologjisë së Compiègne, hap drejt ndërkombëtarizimit të UPT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ATHINË – Takim i rëndësishëm Greqi – Shqipëri më 16 dhjetor, në fokus disa çështje

ATHINË, 24 nëntor /ATSH-ANA/ – Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të zhvillojë vizitën e saj të parë zyrtare në Athinë më 16 dhjetor, ku do të takohet me homologun grek, Georgios Gerapetritis.

Mediet greke raportojnë se my takim synon të vendosë një hartë të re bashkëpunimi në çështje kyçe si delimitimi i Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE), bashkëpunimi energjetik dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Që nga viti 2020, Greqia dhe Shqipëria kanë rënë dakord që çdo mosmarrëveshje mbi ZEE-në të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke treguar angazhimin për zgjidhje përmes dialogut dhe procedurave ligjore. Takimet e mëparshme, sidomos në qershor me ish-ministrin Igli Hasani, kanë vendosur bazat për një bashkëpunim më të ngushtë.

Vizita e Spiropalit pritet të japë një impuls të ri në bisedime, duke shfrytëzuar momentum-in pozitiv nga rizgjedhja e kryeministrit Edi Rama për një mandat të katërt. Tema të tjera që pritet të diskutohen përfshijnë gazsjellësit, lidhjet elektrike dhe infrastrukturën që lidh Greqinë dhe Shqipërinë.

Bashkëpunimi në këto fusha mund të rrisë sigurinë energjetike, të ulë kostot për qytetarët dhe të krijojë mundësi të reja për investime. Një tjetër pikë kyçe është procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, ku Shqipëria synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027.

Greqia, që do të ketë presidencën e Këshillit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2027, mund të mbështesë aktivisht procesin e integrimit dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ky takim ka rëndësi strategjike për të dyja vendet dhe për stabilitetin rajonal. /Ad.Ab./

https://epolitical.gr/krisimi-synantisi-elladas-alvanias-gia-chartografisi-aoz/#

The post ATHINË – Takim i rëndësishëm Greqi – Shqipëri më 16 dhjetor, në fokus disa çështje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Kroaci, në fokus bashkëpunimi ekonomik dhe projektet rajonale

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Zagreb, ku do të pritet nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović.

Gjithashtu, Spiropali do të zhvillojë një takim bilateral dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman.

Më pas, ajo do të zhvillojë një takim me Komitetin për Çështjet e Jashtme të Parlamentit kroat.

Gjatë takimeve pritet të diskutohen marrëdhëniet tradicionale miqësore mes dy vendeve, si dhe hapat e mëtejshëm të partneritetit strategjik, përfshirë organizimin e takimit të parë ndërqeveritar (G2G).

Në fokus do të jenë gjithashtu bashkëpunimi ekonomik, me theks te energjia, turizmi dhe infrastruktura, projektet rajonale si Korridori Blu, Korridori VIII, Nisma e Tri Deteve, si dhe rëndësia e zhvillimit të degës së gazsjellësit Adriatiko–Jonian për forcimin e lidhjes energjetike Kroaci–TAP.

Gjatë vizitës, Spiropali do të mbajë edhe një ligjëratë me temë “Shqipëria, një vlerë e shtuar në BE” për studentët e Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit.

1 nga 2

/m.m/j.p/

The post Spiropali në Kroaci, në fokus bashkëpunimi ekonomik dhe projektet rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Delegacioni japonez i JETRO-s viziton Portin e Durrësit

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Autoriteti Portual i Durrësit u vizitua sot nga një delegacion i Organizatës së Tregtisë së Jashtme japoneze (JETRO), në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Shqipëri.

Vizita u realizua në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me fokus në zhvillimet portuale dhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Autoritetit Portual të Durrësit prezantuan zhvillimet aktuale, projektet strategjike dhe prioritetet e institucionit, ndërsa delegacioni i JETRO shprehu interes për të njohur më nga afër potencialet e Portit të Durrësit dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm.

Autoriteti Portual i Durrësit vlerëson këtë vizitë si një hap pozitiv drejt forcimit të marrëdhënieve me partnerët japonezë dhe mbetet i hapur për inicimin e projekteve dhe nismave të përbashkëta në të ardhmen.

JETRO promovon tregtinë dhe investimet midis Japonisë dhe vendeve të tjera. Ata punojnë për të nxitur bashkëpunime ekonomike, investime të huaja, projekte zhvillimi dhe lidhje biznesi.

/k.s/j.p/

The post Delegacioni japonez i JETRO-s viziton Portin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dumani vizitë në Bruksel, BE: SPAK arritje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Kreu i Prokurorisë së  Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani zhvilloi një vizitë dyditore në Bruksel.

Gjatë kësaj vizite, Dumani u takua me zyrtarë të lartë të BE-së: Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR; Salla Saastamoinen, Drejtoreshë në detyrë e Përgjithshme në OLAF; Irena Moozová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e DG JUST; Marko Makovec, Shef i Kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe Alexander Ëinterstein, Shef i Kabinetit të Komisionerit për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranën bëri të ditur se, vizita dëshmon për arritjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të gjithë bashkëbiseduesit vlerësuan forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e SPAK-ut, si dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me agjencitë e BE-së, vendet anëtare dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se, “BE-ja ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimit, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

“Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, tha Gonzato.

“Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre”, theksoi Gonzato.

/gj.m/

The post Dumani vizitë në Bruksel, BE: SPAK arritje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌