Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Balla takim me aktivistin e diasporës në Itali, Mirel Bratko

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtues politik për Diasporën, Taulant Balla vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptar në rajonin e Venetto-s, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e lidhjeve me atdheun dhe në promovimin e vlerave shqiptare jashtë vendit.

Balla e shprehu vlerësimin gjatë takimit me avokatin Mirel Bratko, i cili u ka shërbyer dhe vijon t’u shërbejë çdo ditë bashkatdhetarëve në Itali, duke luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin dhe promovimin e komunitetit shqiptar në këtë rajon.

“U takova sot me një aktivist të palodhur të diasporës shqiptare në Padova, Itali. Avokati Mirel Bratko u ka shërbyer dhe u shërben çdo ditë bashkatdhetarëve dhe luan një rol të rëndësishëm një në promovimin e komunitetit shqiptar në rajonin e Veneto”, shkruan Balla.

Takimi u cilësua si një moment bashkëbisedimi dhe reflektimi mbi sfidat dhe nevojat e diasporës, si dhe mbi rëndësinë e përfshirjes së saj aktive në jetën shoqërore dhe kombëtare.

/gj.m/r.e/j.p/

The post Balla takim me aktivistin e diasporës në Itali, Mirel Bratko appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana zyrtarizon afrimin e mbrojtësit Johan Enrique Cortes Alfaro

TIRANË, 5 janar /ATSH/ KF Tirana ka prezantuar një tjetër afrim në merkaton e dimrit, duke zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit Johan Enrique Cortes Alfaro.

Futbollisti 25-vjeçar, pas kryerjes së analizave mjekësore, ka hedhur firmën në kontratë dhe është bërë zyrtarisht pjesë e bardhebluve.

Cortes Alfaro i është bashkuar menjëherë ekipit në fushën stërvitore dhe ka nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Nuhiu, duke u vënë në dispozicion të stafit teknik për sfidat e radhës.

Afrimi i tij vjen si pjesë e riorganizimit të skuadrës në një moment delikat të sezonit.

Ky transferim shënon një hap të radhës në një merkato mjaft aktive për Tiranën, e cila pak ditë më parë zyrtarizoi largimin e nëntë futbollistëve nga organika. Klubi bëri me dije se Dembele, Junior, Valerianos, Soler, Gjumsi, Tola, Kozi, Patsatsia dhe Fernandez nuk janë më pjesë e skuadrës, largime të realizuara me marrëveshje të përbashkët mes palëve.

Masat drastike vijnë pas pozicionit të fundit në renditje dhe rrezikut serioz të rënies nga kategoria.

Gjatë këtij sezoni, KF Tirana ka ndërruar tre trajnerë, ndërsa në merkaton e dimrit priten afrime të tjera në të gjitha repartet, nën drejtimin e drejtorit sportiv Omer Bunjaku, me synimin për të përmbysur situatën dhe për të siguruar mbijetesën.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Tirana zyrtarizon afrimin e mbrojtësit Johan Enrique Cortes Alfaro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Lara Colturi konfirmon sezon elitar në Kupën e Botës në Ski

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau një postim vlerësues për paraqitjet e skiatores kuqezi Lara Colturi në arenën ndërkombëtare, duke theksuar renditjen e saj si e treta në sllallom dhe e teta në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Ski për femra.

Sipas ministrit, këto rezultate konfirmojnë një sezon me standarde të larta performance dhe konkurrencë të fortë në arenën ndërkombëtare.

“Këto pozicionime reflektojnë vazhdimësinë, qëndrueshmërinë dhe nivelin e lartë të garimit mes sportisteve më të mira të botës, si edhe praninë e konsoliduar në elitën e garave të skive alpine”, thekson Gonxhja.

Këtë fundjavë u zhvilluan dy garat e radhës të Kupës së Botës për femra, të zhvilluara në Kranjska Gora të Sllovenisë.

Lara Colturi u rendit në vendin e 6-të në sllallomin gjigant të shtunën, ndërsa në garën e sllallomit të së dielës nuk arriti ta përfundojë provën.

Pas përfundimit të etapës së 17-të të Kupës së Botës në Ski (nga 37 etapa gjithsej), skiatorja 19-vjeçare mban vendin e 8-të në renditjen e përgjithshme me 402 pikë.

Ajo ka grumbulluar 280 pikë në sllallom, ku renditet e treta, ndërsa në sllallomin gjigant ka 122 pikë.

Po ashtu, Lara Colturi kryeson renditjen e kategorisë “Yjet e së ardhmes”, e shkëputur ndjeshëm nga rivalet, duke konfirmuar perspektivën e saj si një nga emrat më premtues të skive alpine në nivel botëror.

1 nga 3

/gj.m/r.e/a.f/

The post Gonxhja: Lara Colturi konfirmon sezon elitar në Kupën e Botës në Ski appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Anis Mehmeti mes rinovimit me Bristol City dhe interesimit nga Premier League e Ligue 1

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Bristol City ka konfirmuar se i ka ofruar një kontratë të re Anis Mehmetit, por e ardhmja e sulmuesit të Kombëtares shqiptare mbetet ende e hapur, teksa ai po monitorohet edhe nga klube të Premier League dhe Ligue 1.

CEO i Bristol City, Tom Rawcliffe, bëri të ditur se bisedimet me Mehmetin, ashtu si edhe me Zak Vyner dhe Mark Sykes, janë në zhvillim e sipër dhe “gjërat po ecin përpara”.

Kontrata aktuale e Mehmetit skadon në fund të sezonit të Championship-it, ndërsa klubi i ka bërë tashmë ofertën zyrtare për rinovim.

Megjithatë, sipas raportimeve nga mediet britanike, paraqitjet e mira të 24-vjeçarit këtë sezon kanë tërhequr interes konkret nga disa skuadra të elitës angleze dhe nga kampionati francez, Ligue 1.

Këto oferta e bëjnë më të ndërlikuar mbylljen e marrëveshjes në këtë fazë, pavarësisht dëshirës së Bristol City për ta mbajtur në “Ashton Gate”.

Mehmeti ka qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës nën drejtimin e Gerhard Struber, duke fituar një rol të rëndësishëm në formacion dhe duke rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

Klubi pritet të vijojë negociatat në javët në vijim, ndërsa vendimi final i lojtarit do të varet nga projekti sportiv dhe ofertat konkrete që do të formalizohen.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Anis Mehmeti mes rinovimit me Bristol City dhe interesimit nga Premier League e Ligue 1 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Teuta largon sulmuesin Sebastian Zela, peruani zero gola në Durrës

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Klubi i Teutës vijon riorganizimin e skuadrës gjatë merkatos së dimrit, duke zyrtarizuar një tjetër largim.

Pas ndarjes me Arbër Çyrbjen, durrsakët kanë ndërprerë bashkëpunimin edhe me sulmuesin peruan Sebastian Gonzales Zela.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi blu bëri të ditur përfundimin e marrëveshjes me lojtarin 26-vjeçar.

“KF Teuta njofton përfundimin e bashkëpunimit me lojtarin Sebastián Gonzales Zela. Klubi e falënderon lojtarin për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftim.

Zela rezultoi një zhgënjim në dy fazat e para të kampionatit. Sulmuesi nuk arriti të shënonte asnjë gol me fanellën e Teutës, pavarësisht 628 minutave të aktivizuara.

Në javët e fundit ai kishte humbur edhe vendin në formacion, duke përfunduar shpesh në stol, një sinjal i qartë se nuk ishte më në planet e stafit teknik të “Djemve të Detit”.

Me këtë largim, Teuta pritet të ketë më shumë hapësira për afrime të reja në repartin ofensiv, me synimin për të përmirësuar rendimentin në gjysmën e dytë të sezonit.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Teuta largon sulmuesin Sebastian Zela, peruani zero gola në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut në stërvitje intensive, së shpejti qendër e re operacionale

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ndau sot pamje nga stërvitja e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, i cili ka vijuar përgatitjen intensive edhe në ditët e para të vitit të ri.

“Viti nis siç duhet në Regjimentin e Këmbësorisë së Veriut”, shkruan Vengu në postimin e tij, duke theksuar rëndësinë e gatishmërisë dhe profesionalizmit të Forcave të Armatosura.

Në pamjet e publikuara nga ministri Vengu vërehen Forcat e Armatosura shqiptare, duke u stërvitur në zona malore dhe pyjore, duke krijuar situata të ndryshme rreziku, si pengmarrje etj. Po ashtu, vihet re përdorimi i armëve dhe municioneve në dispozicion të FA, pë realizimin me sukses të misioneve.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Mbrojtjes parashikon ngritjen e qendrës së re operacionale të Batalionit III të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, në ambientet e ish-repartit ushtarak në Mollëz.

Ky repart ka shërbyer më herët si garnizon dhe depo ushtarake, si dhe ka pasur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë, ku janë zhvilluar stërvitje të forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas planit afatmesëm të Ministrisë së Mbrojtjes, objekti do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë për të akomoduar një batalion të plotë këmbësorie, duke zgjeruar kapacitetet e Regjimentit të Veriut. Aktualisht, në Burrel operon një kompani e plotë, ndërsa synimi është rritja me rreth 30% e forcës aktive, shumëfishimi i kapaciteteve dhe krijimi i njësive të para të forcës rezerviste.

Pavarësisht degradimit dhe braktisjes ndër vite, tashmë është miratuar masterplani i zhvillimit, i cili parashikon një ndërhyrje tërësore infrastrukturore. Projekti synon një investim të qëndrueshëm, funksional dhe efikas për përmbushjen e misioneve operacionale.

Struktura e re do të akomodojë rreth 648 personelë, nga të cilët 401 efektivë aktivë dhe 247 rezervistë, të shpërndarë në një sipërfaqe prej rreth 366 hektarësh. Territori ofron kushte të përshtatshme për stërvitje, akomodim, aktivitete sportive e rekreative, si dhe për ndërtimin e poligoneve dhe terreneve ndihmëse.

Zona, e lirë nga banesat civile, garanton standarde të larta sigurie dhe akses të favorshëm në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe ujësjellësit.

Misioni kryesor i Batalionit të Burrelit do të jetë përgatitja, trajnimi dhe mbajtja në gatishmëri e kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e vendit, si dhe përballimi i emergjencave civile, si pastrimi i rrugëve nga bora, zjarret dhe situata të tjera të jashtëzakonshme, veçanërisht në zonën verilindore të vendit.

Projekti parashikon ndarjen e repartit në tre zona funksionale: administrative, logjistike e mbrojtëse, si dhe zonën e jetesës dhe stërvitjes, duke krijuar një garnizon modern në përputhje me standardet bashkëkohore të Forcave të Armatosura Shqiptare.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut në stërvitje intensive, së shpejti qendër e re operacionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Amir Rrahmani shënon në “Olimpico” ndaj Lazios

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Napoli po udhëheq 0-2 në “Olimpico” përballë Lazios, me kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani, që ka vulosur golin e dytë të kampionëve të Italisë.

Mbrojtësi dardan realizoi golin e tij të parë këtë sezon në Serie A, në paraqitjen e dhjetë me fanellën e Napolit, duke konfirmuar formën e mirë dhe rolin kyç në prapavijë.

Goli i Rrahmanit i jep qetësi skuadrës së tij dhe forcon epërsinë në një transfertë të vështirë ndaj Lazios.

Një moment i rëndësishëm jo vetëm për Napolin, por edhe për Kosovën, teksa kapiteni i saj shënon në një nga skenat më prestigjioze të futbollit italian.

/gj.m/a.f/

The post Amir Rrahmani shënon në “Olimpico” ndaj Lazios appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asllani drejt rikthimit te Interi, sinjale për fundin e huazimit te Torino

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Kristjan Asllani është shumë pranë rikthimit te Interi, duke sinjalizuar mbylljen e parakohshme të aventurës së tij te Torino.

Sipas asaj që raporton “Toro Goal”, mesfushori shqiptar nuk është grumbulluar për ndeshjen e sotme Verona–Torino, një vendim që nuk lidhet me probleme fizike apo dëmtime.

Mungesa e Asllanit nga lista e të grumbulluarve lidhet me zhvillime të reja në të ardhmen e tij sportive, duke e bërë gjithnjë e më të mundshëm kthimin e tij te zikaltrit.

Asllani ishte huazuar për një sezon nga Interi te Torino, me të drejtë blerjeje në fund të edicionit, por gjithçka tregon se kjo klauzolë nuk do të aktivizohet.

Gjatë qëndrimit te Torino, Asllani ka pasur hapësira të kufizuara dhe nuk ka arritur të konsolidohet si titullar i padiskutueshëm, çka ka ndikuar në vendimin për ndërprerjen e huazimit.

Rikthimi i tij te Interi pritet të vlerësohet nga stafi teknik, i cili do të vendosë për rolin e mesfushorit shqiptar në vazhdim ose për një zgjidhje tjetër në merkato.

Zhvillimet e ardhshme priten në ditët në vijim, ndërsa rikthimi i Asllanit te Interi duket tashmë një çështje kohe.

/gj.m/a.f/

The post Asllani drejt rikthimit te Interi, sinjale për fundin e huazimit te Torino appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta para Kryeministrisë, Lapaj: Kërkojmë dorëheqjen e qeverisë

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka zhvilluar sot një tjetër protestë përpara Kryeministrisë, duke vijuar qëndresën e saj prej 27 netësh radhazi.

Protesta drejtohet nga kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, i cili ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje.

Gjatë fjalës së tij, para mbështetësve, Lapaj deklaroi se protesta ka për qëllim kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit. Sipas tij, mazhoranca aktuale ka humbur legjitimitetin moral për të qeverisur, pavarësisht numrit të mandateve të fituara në zgjedhje.

“Jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e një qeverie që ka tradhtuar besimin e qytetarëve. Mandatet nuk kanë vlerë kur përdoren për të vjedhur dhe jo për të shërbyer”, u shpreh Lapaj, duke shtuar se protestuesit janë qytetarë të lirë që kërkojnë dinjitet dhe drejtësi.

Ai akuzoi qeverinë për shpërfillje ndaj protestës, duke theksuar se gjatë 27 netëve të qëndrimit në shesh nuk ka pasur asnjë reagim institucional apo mbështetje minimale, përfshirë edhe shërbimet shëndetësore.

Lapaj solli gjithashtu shembuj që, sipas tij, dëshmojnë keqmenaxhimin e fondeve publike, duke përmendur shpenzime të mëdha për luks, ndërkohë që sektorë jetikë si shëndetësia dhe arsimi përballen me mungesa serioze.

Protesta pati disa incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë aksionin e tyre deri në përmbushjen e kërkesave.

1 nga 17
Protestë e nismës "Shqipëria bëhet", Foto: Andrin Hoxha

/gj.m/

 

The post Protesta para Kryeministrisë, Lapaj: Kërkojmë dorëheqjen e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot dhe nesër reshje me intensitet të lartë në veri dhe jug të vendit

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka publikuar parashikimin më të fundit mbi rrezikun nga përmbytjet dhe kushtet hidrometeorologjike, duke paralajmëruar reshje intensive dhe situata potencialisht problematike në disa zona të vendit.

Sipas njoftimit zyrtar, sot pasdite dhe nesër priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe jug të Shqipërisë. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër paraqiten si më të rrezikuarat, ku mund të shfaqen vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë si dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane të këtyre qarqeve, përmbytjet e lokalizuara mbeten të mundshme, veçanërisht në rast të mbingarkesës së rrjeteve të kanalizimeve.

IGJEO thekson se për periudhën 4–8 janar 2026 priten reshje intensive të vazhdueshme, të cilat mund të sjellin rritje të ndjeshme dhe të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve ujore në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës, Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Parashikimi meteorologjik parashikon reshje shumë intensive në qarkun Shkodër, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në Lezhë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.

Në qarqet e tjera të vendit priten reshje me intensitet mesatar, të shoqëruara me shtrëngata.

Temperaturat për ditën e hënë pritet të luhaten nga 12 deri në 16°C në bregdet, 12–15°C në zonat e ulëta dhe 5–10°C në zonat malore. Era do të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe në veri të vendit.

Autoritetet u bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe qytetarëve të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare, të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve dhe përrenjve, si dhe të marrin masa parandaluese për minimizimin e pasojave të mundshme nga përmbytjet.

IGJEO bën të ditur se, përditësime të mëtejshme do të publikohen në varësi të zhvillimit të situatës.

/gj.m/a.f/

The post Sot dhe nesër reshje me intensitet të lartë në veri dhe jug të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga legjenda në fushë, sot trajnerë të suksesshëm që aspirojnë Botërorin 2026, Sylvinho një prej tyre

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Media britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull lojtarëve të shquar që tashmë janë trajnerë dhe me përfaqësueset që drejtojnë synojnë Botërorin 2026.

Kur një futbollist del në pension, shumë tifozë pyesin veten për hapin tjetër në karrierën e tij.

Për shumicën, gjetja e një pune të re brenda lojës duket të jetë rruga më e natyrshme, kështu që nuk është çudi kur një lojtar vazhdon të provojë veten në trajnim.

Megjithatë, jo të gjithë yjet ndjekin rrugën e trajnerëve të klubeve më të mira ose të një prej ish-ekipeve të tyre. Disa marrin rrugën më pak të “rrezikshme”, duke u futur në zona shumë larg shkëlqimit dhe shkëlqimit të ligave më të mëdha të Europës.

Disa shfaqen aty ku më pak i prisni, por me Kupën e Botës më të madhe të të gjitha kohërave këtë verë, mund të shihni disa fytyra që nuk i keni parë prej kohësh. Ja disa nga shembujt më të mirë të ish-lojtarëve në role të papritura si trajner kryesor….

Fabio Cannavaro (Uzbekistan)

Fabio Cannavaro konsiderohet gjerësisht si një nga qendërmbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Mbrojtësi italian e udhëhoqi Italinë drejt lavdisë në Kupën e Botës në vitin 2006 dhe është një nga tre mbrojtësit që kanë fituar trofeun Ballon d’Or (Topin e Artë)

Cannavaro luajti në disa nga klubet më të mëdha të Evropës, përfshirë Juventusin dhe Realin e Madridit. Megjithatë, në momentin kur ai vendosi të tërhiqet nga futbolli, ai zgjodhi një rrugë që pak do ta kishin parashikuar, duke marrë drejtimin e Uzbekistanit për Kupën e Botës për herë të parë në histori. Emërimi i Cannavaros erdhi pavarësisht faktit se Timur Kapadze, i lindur në Uzbekistan, e udhëhoqi kombin drejt kualifikimit për turneun e parë të Kupës së Botës. Duke nënshkruar një kontratë dyvjeçare për “Ujqërit e Bardhë”, Cannavaro shpreson që lëvizja e tij e guximshme të rezultojë në sukses për vendin e Azisë Qendrore.

Nolberto Solano (Pakistan)

Nolberto Solano, i njohur më mirë si Nobby, konsiderohet një hero kulti nga tifozët e Neëcastle United, të cilët e kujtojnë atë për këmbën e tij të majtë mbresëlënëse dhe dashurinë për të luajtur në trombë.

Megjithatë, që kur doli në pension, Solano i ka varur këpucët në gozhdë dhe e ka lënë mënjanë trombën për të provuar veten në menaxhim. Duke marrë drejtimin e disa klubeve që kur doli në pension në vitin 2012, hapi më i fundit i Solanos në rolin e trajnerit të Pakistanit ka habitur shumë njerëz. Pakistani, i cili renditej i 199-ti në renditjen botërore të FIFA-s në kohën e shkrimit të këtij artikulli, aspiron të kualifikohet për Kupën e Botës 2030, por ndërkohë është i përqendruar edhe në krijimin e ligave profesionale vendase si për meshkuj ashtu edhe për femra.

Detyra e parë e Solanos ishte të udhëhiqte ekipin e Pakistanit nën 23 vjeç në Kupën Aziatike U23, megjithatë, pas një humbjeje 8-1 ndaj Irakut dhe humbjeve të mëvonshme ndaj Kamboxhias dhe Omanit, është e qartë se një detyrë e madhe e pret peruanin.

Benni McCarthy (Kenia)

Karriera e Benni McCarthy si lojtar u zbukurua me arritje të profilit të lartë, duke përfshirë fitimin e Ligës së Kampionëve me Porton, një titull lige me Ajax dhe periudha të suksesshme në Premier League me Blackburn dhe Ëest Ham. Pas daljes në pension në vitin 2013, McCarthy mori një numër rolesh trajneri, duke përfshirë pozicionin e trajnerit të sulmuesve të ekipit të parë te Manchester United nga viti 2022 deri në vitin 2024.

Që nga marsi i vitit 2025, McCarthy ka qenë trajneri I përfaqësueses së Kenias, një ekip me një histori të pezullimeve nga futbolli ndërkombëtar në vitet 2004 dhe 2006 dhe nga Kupa e Kombeve Afrikane në vitin 2023.

Aktualisht, Kenia renditet në vendin e 113-të në renditjen botërore të FIFA-s dhe duke mos u kualifikuar kurrë për Kupën e Botës, ajo shpreson që McCarthy me përvojën e tij mund t’i udhëheqë ata drejt suksesit në skenën ndërkombëtare në një moment të caktuar.

Dwight Yorke (Trinidad dhe Tobago)

Dwight Yorke mbahet mend kryesisht si fituesi i tripletës me Manchester United, për partneritetin e tij vdekjeprurës me Andy Cole dhe festat e tij jashtë fushës, të cilat i dhanë nofkën “Dëight gjithë natën”.

Megjithatë, karriera e Yorke pas-lojtarit e ka parë atë të demonstrojë profesionalizmin e tij, duke marrë rolin e trajnerit kryesor të vendit të tij të lindjes, Trinidad dhe Tobago.

Si lojtar, Yorke ishte pjesë e një skuadre emocionuese të Trinidad dhe Tobagos që u kualifikua për Kupën e Botës 2006. Pas kalimit të tij në një pozicion trajneri, Yorke është kthyer në shtëpi për të marrë drejtimin e skuadrës, duke sjellë me vete përvojën e tij të klasit botëror.

Pavarësisht mungesës relative të pranisë së futbollit karaibian në skenën globale, Yorke është i vendosur të lërë gjurmë. Predikimi i tij në Premier League dhe përvoja në skenën ndërkombëtare i lejojnë atij të ngjallë ambicie dhe optimizëm në skuadrën e tij.

Stern John (Shën Lucia)

Legjenda tjetër e Trinidad dhe Tobagos, Stern John, dikur ishte një nga sulmuesit më të frytshëm në Major League Soccer dhe luajti në Angli me disa klube, përfshirë Nottingham Forrest dhe Crystal Palace.

Xhoni është aktualisht trajneri i ekipit kombëtar të ishullit të Karaibeve, Shën Lucia. Pavarësisht se është anëtar i CONCACAF – Konfederatës së Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve, që nga viti 1986, ekipi nuk është kualifikuar kurrë për Kupën e Artë.

Pasi e udhëhoqi skuadrën drejt një ngjitjeje prej gjashtë vendesh në renditjen e FIFA-s, John, i cili u paraqit në Kupën e Botës 2006 me Trinidad dhe Tobago, do të kërkojë ta ngrejë ishullin e vogël të Karaibeve në skenën ndërkombëtare.

Sylvinho (Shqipëri)

Sylvinho, ish-lojtari i kombëtares braziliane, i cili luajti për gjigantët europianë si Arsenal, Barcelona dhe Inter është trajneri aktual i Shqipërisë.

I njohur për inteligjencën e tij mbrojtëse dhe vrapimet sulmuese si lojtar, ai tani po ia sjell aftësitë e tij taktike një skuadre kombëtare të etur për të shkëlqyer në Evropë. Një tjetër fuqi sulmuese në formacionin e Sylvinhos është ish-fituesi i Premier League, Pablo Zabaleta, i cili është pjesë e stafit të tij të trajnerëve. Zabaleta u sjell lojtarëve të Shqipërisë një pasqyrë të rëndësishme, falë përvojës së tij duke luajtur në nivelin më të lartë.

Pasi e udhëhoqi Shqipërinë në fazën finale në grupet e Kampionatit Europian të vitit 2024, Sylvinho do të kërkojë të kualifikohet për Kupën e Botës 2026, me një ndeshje vendimtare kualifikuese që do të zhvillohet kundër Polonisë marsin e ardhshëm.

/gj.m/a.f/

 

The post Nga legjenda në fushë, sot trajnerë të suksesshëm që aspirojnë Botërorin 2026, Sylvinho një prej tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tubimi në Tiranë, Policia njofton kufizimet e qarkullimit

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Policia e Tiranës ka njoftuar se sot do të ketë kufizime të lëvizjes dhe bllokime të pjesshme të qarkullimit në disa segmente të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për shkak të tubimit që do të zhvillohet sot, në orën 12:00.

Sipas njoftimit zyrtar, masat e ndërmarra janë në përputhje me ligjin “Për Tubimet” dhe synojnë garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti publik.

Bllokimet do të prekin segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”, duke filluar nga ora 11:00 dhe deri në përfundim të tubimit.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të mëtejshme të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

Policia apelon për mirëkuptimin e qytetarëve, duke i kërkuar atyre të shmangin përdorimin e automjeteve në këto zona dhe të përdorin rrugë alternative, për të lehtësuar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve në tubim.

Policia e Tiranës ka theksuar se masat janë ndërmarrë me qëllim shmangien e pengesave dhe sigurimin e një mjedisi të qetë dhe paqësor për qytetarët dhe pjesëmarrësit në tubim.

/gj.m/a.f/

The post Tubimi në Tiranë, Policia njofton kufizimet e qarkullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Broja në formacionin e javës së Premier League: Jam më i fortë dhe me më shumë besim

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Armando Broja zhvilloi një paraqitje shumë pozitive kundër Newcastle, duke u përzgjedhur në formacionin e javës së Premier League, pavarësisht humbjes 1-3 të skuadrës së tij.

Sulmuesi shqiptar ndjeu disa shqetësime në minutat e fundit të takimit, por situata nuk paraqiti asnjë problem serioz, teksa vetë lojtari ka konfirmuar se ndihet shumë mirë fizikisht.

Në një intervistë të fundit për faqen zyrtare të Burnley, Broja ka folur për rritjen e tij të dukshme dhe ndryshimet që ka bërë krahasuar me periudhën e mëparshme, duke theksuar vështirësitë dhe kërkesat e larta të Premier League.

“Kur kam luajtur për herë të parë, ishte shumë e lodhshme, sepse e di sa kërkuese është Premier League. Është një kampionat shumë fizik dhe shumë i vështirë për të mbajtur ritmin në çdo ndeshje. Më duhej kohë që të ndërtohesha siç duhet fizikisht, ndaj u stërvita çdo ditë, çdo javë, për t’u bërë më i fuqishëm. Tani jam edhe më i shpejtë”, u shpreh Broja.

Sulmuesi kuqezi theksoi gjithashtu rëndësinë e besimit që i ka dhënë trajneri, duke e aktivizuar rregullisht në fushë, çka ka ndikuar pozitivisht edhe në aspektin psikologjik.

“Trajneri më ka hedhur në fushë dhe kjo më ka dhënë shumë besim. Tani jam shumë më mirë se më parë. Jam gati edhe për ndeshjen e radhës me Brighton. Jam tipi i sulmuesit që lumturohem kur shënoj, si çdo lojtar tjetër, por dua të kontribuoj më shumë: të dribloj, të krijoj raste për të tjerët dhe për veten, të jem pjesë aktive e lojës dhe jo vetëm të pres shansin për gol. Kam bërë një hap të madh përpara dhe ndihem shumë mirë”, përfundoi Broja.

Paraqitjet e fundit konfirmojnë rritjen e sulmuesit shqiptar, i cili duket gjithnjë e më i përshtatur me ritmin dhe intensitetin e elitës së futbollit anglez.

/gj.m/a.f/

The post Broja në formacionin e javës së Premier League: Jam më i fortë dhe me më shumë besim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Zbatim me zero tolerancë i ligjit Antimafia, asetet e paligjshme t’i kalojnë shtetit dhe qytetarëve

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, vuri theksin te zbatimi i ligjit Antimafia, duke e cilësuar atë si një nga instrumentet më të rëndësishme për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.

Berisha deklaroi se ligji Antimafia nuk po zbatohet siç duhet dhe se kjo ka sjellë pasoja të rënda.

“Një nga problemet më madhore sot është moszbatimi i ligjit Antimafia. Nëse në Shqipëri janë miliarda euro të investuara nga organizata kriminale dhe nga struktura të lidhura me qeverinë, sot janë sekuestruar vetëm rreth 60 milionë euro”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së garantoi se do bëhet gjithçka për zbatimin me zero tolerancë të ligjit Antimafia dhe të gjitha asetet do t’i kalojnë shqiptarëve, shoqërisë shqiptare.

Berisha u ndal edhe te raporti mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke shprehur bindjen se vendimmarrjet e prokurorisë dhe gjykatave nuk po respektohen.

Sipas tij, në këto kushte protesta mbetet një mjet i ligjshëm për të ushtruar presion qytetar.

“Nuk shoh mekanizëm tjetër efektiv, përveç reagimit qytetar dhe protestës paqësore, për të kërkuar zbatimin e ligjit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

/gj.m/a.f/

 

The post Berisha: Zbatim me zero tolerancë i ligjit Antimafia, asetet e paligjshme t’i kalojnë shtetit dhe qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Opozita duhet të mobilizohet për ndryshim politik

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh se opozita duhet të mobilizohet për ndryshim poltik në vend.

Berisha u shpreh se abuzimet nga ana e qeverisë dhe ministrave janë të dokumentuara.

Duke u ndalur te proceset zgjedhore, Berisha theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u vlerësuan pozitivisht nga OSBE/ODIHR.

“Zgjedhjet e 2009-ës plotësuan kriteret kryesore të OSBE/ODIHR për zgjedhje të drejta dhe të ndershme dhe u dhanë shqiptarëve një qeveri legjitime”, deklaroi ai.

Në kontrast, ai e konsideroi procesin e 11 majit 2025 si të kontestuar.

“Zgjedhjet e 11 majit 2025 ishin një farsë elektorale dhe përbëjnë një motiv të qartë ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar që opozita shqiptare të mobilizohet për largimin e pushtetit, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja”, tha Berisha.

Berisha shprehu gjithashtu admirimin për procesin zgjedhor në Kosovë dhe theksoi nevojën që Shqipëria të ndjekë një model të ngjashëm.

“Kam ndjekur me admirim zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe përgëzoj fituesin Albin Kurti, qytetarët dhe forcat politike që u angazhuan për një proces dinjitoz dhe të qytetëruar, që bën krenar çdo shqiptar. Uroj që Shqipëria një minutë e më parë të zhvillojë zgjedhje si Kosova”, u shpreh ai.

Në lidhje me veprimet e ardhshme të opozitës, Berisha nënvizoi se protesta paqësore mbetet rruga kryesore për të kërkuar ndryshimin politik.

“Rrugë tjetër të sigurtë për largimin e qeverisë aktuale nuk ka, përveç protestës së vazhdueshme. Protesta e vazhdueshme do të fillojë pa asnjë diskutim dhe është rruga e vetme për të ndarë vendin nga kjo qeveri”, deklaroi kreu i PD-së, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre.

Në vijim të bashkëbisedimit, Berisha foli edhe për rolin e opozitës në situatën aktuale politike, duke theksuar se ajo nuk mund të ketë një qëndrim pasiv.

“Një opozitë në kushte të tilla nuk mund të qëndrojë si dekor institucional. Ajo ka vetëm një mision, ndryshimin e gjendjes politike dhe rikthimin e standardeve demokratike”, deklaroi ai, duke shtuar se beteja e opozitës është e vazhdueshme.

Berisha, njoftoi se procesi i riorganizimit të partisë ka nisur dhe po zhvillohet në të gjitha qarqet e vendit.

Ai theksoi se puna ka filluar prej një muaji me koordinatorë aktivë, takime, analiza dhe mbledhje, dhe se ky proces do të vazhdojë me intensitet.

“Po ju informoj se ne në të gjitha qarqet, prej një muaji punojnë koordinatorët dhe vazhdojnë edhe takimet, edhe analizat, edhe mbledhjet” tha Berisha.

Ai shtoi se riorganizimi dhe ripërtëritja e Partisë Demokratike është prioritet kryesor i drejtuesve dhe anëtarësisë.

“Nuk do ketë asgjë që mund të na pengojë ne për një riorganizim, ripërtëritje të fortë të kësaj partie. E kam theksuar dhe theksoj se përqendrimi më i madh i Partisë Demokratike, i demokratëve dhe i drejtuesve do të jetë tek partia, riorganizimi dhe identifikimi i saj”, u shpreh Berisha.

Berisha: Qeveria teknike do të mbështetet nga të gjitha palët, do të krijohet një front i gjerë politik

Berisha gjithashtu nënvizoi rëndësinë e krijimit të një qeverie teknike që të ketë besimin dhe mbështetjen e të gjitha palëve politike.

“Qeveria teknike do të jetë një qeveri e cila besohet nga të gjitha palët dhe mbështetet nga të gjitha palët,” deklaroi ai.

Berisha, u pyet nga qytetarët për mundësinë e një qeverie teknike të drejtuar nga shkrimtarja Lea Ypi. Ai u përgjigj se nuk mund të komentonte mbi pretendimet individuale të saj, duke shtuar se nuk kishte informacion mbi këtë çështje.

“Unë nuk kam asnjë dijeni se çfarë pretendimesh ka, por qeveria teknike do të jetë një qeveri e cila besohet nga të gjitha palët dhe mbështetet nga të gjitha palët”, deklaroi Berisha.

Berisha paralajmëroi gjithashtu një hap tjetër në përpjekjet politike të opozitës, duke njoftuar organizimin e një tryeze të përbashkët me forca politike dhe faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare.

“Së shpejti, ne do organizojmë një tryezë të përbashkët me forca politike dhe faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, pikërisht për të krijuar një front sa më të gjerë të përbashkët në këtë betejë vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri kundër Edi Ramës”, u shpreh ai.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Opozita duhet të mobilizohet për ndryshim politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lara Colturi nis 2026-ën me podium, lë pas Mikaela Shiffrin

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Lara Colturi ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2026 në Skitë Alpine.

Skiatorja 19-vjeçare shkëlqeu në zbritjen e parë të slalomit gjigant, në ndalesën e Kupës së Botës që po zhvillohet në Kranjska Gora, duke u renditur në vendin e tretë.

Colturi zhvilloi një garë shumë solide dhe e përshkoi pistën me kohën 1 minutë, 1 sekondë e 75 të mijtat, vetëm 37 të qintat më ngadalë se fituesja e zbritjes së parë, Camille Rast. Vendin e dytë e zuri amerikania Paula Moltzan.

Paraqitja e saj ishte edhe më domethënëse pasi la pas emra të mëdhenj të skive alpine botërore, si Mikaela Shiffrin, kryesuese e klasifikimit të përgjithshëm të Kupës së Botës për këtë sezon, si edhe Julia Scheib dhe Sara Hector.

Zbritja e dytë e slalomit gjigant do të zhvillohet në orën 13:00. Në formë të jashtëzakonshme, Lara Colturi synon të konfirmojë performancën e shkëlqyer dhe të regjistrojë një tjetër podium, pas atyre të arritura më herët këtë sezon në Levi, Gurgl, Copper Mountain dhe Semmering.

/gj.m/a.f/

The post Lara Colturi nis 2026-ën me podium, lë pas Mikaela Shiffrin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Zhvillimet në Venezuelë, inkurajim për opozitën shqiptare

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku ka komentuar zhvillimet e fundit ndërkombëtare, duke i lidhur ato me situatën politike në Shqipëri.

Berisha u ndal te ngjarjet në Venezuelë, duke e cilësuar largimin e presidentit Nicolas Maduro nga pushteti si një zhvillim pozitiv për demokracinë në nivel global.

“Largimi i Maduros nga pushteti është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë kudo në botë, veçanërisht për popullin e Venezuelës që ka vuajtur për vite me radhë nën regjimin e tij”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, këto zhvillime përbëjnë edhe një inkurajim shumë i madh për opozitën shqiptare.

Sipas kreut të PD, është një lajm i mirë edhe për shqiptarët, pasi shërben si një nxitje për opozitën që të bëjë detyrën e saj dhe të punojë për largimin nga pushteti të një qeverisjeje që, sipas tij, qëndron mbi votën e grabitur dhe lidhjet me krimin dhe korrupsionin.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha komentoi edhe situatën në Iran, ku sipas tij po zhvillohen protesta të gjera kundër regjimit.

“Sot gjithashtu populli iranian është në rrugë kundër regjimit të ajatollahëve. Qytete të tëra janë përfshirë nga protesta të fuqishme”, deklaroi ai, duke shtuar se shpreson që këto lëvizje të çojnë drejt ndryshimeve politike.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Zhvillimet në Venezuelë, inkurajim për opozitën shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Anis Mehmeti nis 2026-ën me shkëlqim, supergol në Championship dhe sinjale për Kombëtaren

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Anis Mehmeti ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin e ri 2026.

Sulmuesi shqiptar ka realizuar një supergol në javën e 26-të të Championship, duke kontribuar në fitoren e Bristol City 5–0 ndaj Portsmouth. Mehmeti gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 24-t, duke shënuar golin e parë për këtë vit kalendarik.

Me këtë realizim, 24-vjeçari shkon në kuotën e 8 golave dhe 6 asistesh në sezonin 2025–2026, shifra që konfirmojnë një formë mjaft të lartë dhe një rol gjithnjë e më vendimtar në lojën e skuadrës së tij.

Mehmeti nuk po spikat vetëm si finalizues, por edhe si një element kreativ, që ndihmon ndjeshëm repartin ofensiv të Bristol City.

Rendimenti në rritje i sulmuesit shqiptar nuk është më rastësi. Paraqitjet e vazhdueshme pozitive e bëjnë atë një nga lojtarët më konstantë të skuadrës në këtë sezon të Championship.

Forma e shkëlqyer e Anis Mehmetit përbën një “presion” në distancë edhe për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho. Sulmuesi ka mbi dy vite që nuk është ftuar te kuqezinjtë, por me paraqitje të tilla, emri i tij po rikthehet fuqishëm në diskutim për një rikthim të mundshëm në përfaqësuese.

/gj.m/a.f/

The post Anis Mehmeti nis 2026-ën me shkëlqim, supergol në Championship dhe sinjale për Kombëtaren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjipali për ATSH: Shqipëria në fazën më intensive të negociatave me BE-në

TIRANË, 1 janar /ATSH-Gjergji Mima/ Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe më intensive të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pas nisjes zyrtare të negociatave dhe hapjes së të gjithë grup-kapitujve.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori ekzekutiv i Institutit Europian të Shqipërisë (EMA), Gledis Gjipali, thekson se ky zhvillim përfaqëson një sinjal të fortë politik nga Bashkimi Evropian dhe një moment vendimtar për vendin, ku pritshmëritë janë rritur ndjeshëm, por bashkë me to edhe sfidat.

Sipas Gjipalit, Shqipëria ka kaluar nga faza e përgatitjes, në atë të zbatimit konkret të standardeve evropiane.

Procesi i mbylljes së kapitujve ka nisur paralelisht, por mbetet provizor deri në momentin e anëtarësimit të plotë.

“Kjo fazë kërkon jo vetëm angazhim politik, por edhe kapacitete reale administrative dhe qëndrueshmëri në reforma”, thekson ai.

Duke folur për sfidat kryesore që ndikojnë ritmin e negociatave, Gjipali nënvizon se ato janë si të brendshme, ashtu edhe të jashtme.

Në planin e brendshëm, problematikat lidhen me lodhjen nga reformat, mungesën e qëndrueshmërisë në zbatim, polarizimin politik dhe mungesën e dialogut konstruktiv, elementë që janë vërejtur edhe nga institucionet evropiane. Administrata publike mbetet një faktor kyç, pasi kapacitetet e saj do të përcaktojnë drejtpërdrejt ritmin real të negociatave. Ndërkohë, në planin e jashtëm, mekanizmi i vendimmarrjes së BE-së dhe mundësia e përdorimit të vetos nga shtetet anëtare mbeten rreziqe potenciale për vonesa, shprehet Gjipali për ATSH.

Sa i përket pritshmërive për përparim të shpejtë, Gjipali vlerëson se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është ambicioz, por jo i pamundur.

Ai thekson se historikisht asnjë vend nuk i ka përfunduar negociatat në një periudhë kaq të shkurtër, por konteksti aktual gjeopolitik, mbështetja e shtuar nga Bashkimi Evropian dhe disa reforma tashmë të konsoliduara e bëjnë këtë synim potencialisht të arritshëm, nëse rritet ritmi i zbatimit dhe forcohet bashkëpunimi politik e institucional.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces luan edhe konteksti gjeopolitik evropian.

Sipas Gjipalit, zgjerimi po shihet gjithnjë e më shumë si një instrument strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Kjo ka rritur gatishmërinë e BE-së për të përshpejtuar procedurat dhe për të dhënë sinjale të qarta politike mbështetëse, për sa kohë vendet kandidate përmbushin kushtet dhe janë në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit.

Sa i përket kapitujve më problematikë, Gjipali thekson se më sfiduesit mbeten ata që lidhen me sundimin e ligjit: drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, administrata publike dhe funksionimi i institucioneve demokratike.

Këta kapituj kërkojnë jo vetëm ndryshime ligjore, por rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në praktikë, duke qenë se monitorohen vazhdimisht deri në anëtarësim dhe mund të rihapen në rast se vendi bën hapa pas në këtë drejtim.

Po ashtu, kapitujt që lidhen me mjedisin, sigurinë ushqimore dhe tregun kërkojnë investime të mëdha financiare dhe kapacitete të forta administrative për zbatimin e standardeve të reja evropiane.

Në këtë kontekst, Gjipali nënvizon se suksesi i Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të varet nga serioziteti në zbatim, bashkëpunimi politik dhe aftësia për ta kthyer procesin e integrimit në një projekt të përbashkët kombëtar. /r.e/

The post Gjipali për ATSH: Shqipëria në fazën më intensive të negociatave me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dy vajza, bebet e para të lindura në 2026-ën

TIRANË, 1 janar /ATSH/  Dy vajza janë bebet e para që erdhën në jetë në orët e para të vitit 2026 në kryeqytet.

Njëra prej tyre lindi në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ndërsa tjetra në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Kryeministri Edi Rama u uroi mirëseardhjen foshnjeve të para të vitit 2026,

/gj.m/

The post Dy vajza, bebet e para të lindura në 2026-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌