Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

GJKKO dërgon në gjyq mjekun Edvin Prifti për dy akuza

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur dërgimin në gjyq të çështjes penale ndaj mjekut Edvi Prifti, i akuzuar për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, vjedhjen duke shpërdoruar detyrën dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Në njoftimin zyrtar për mediat, bëhet e ditur se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), më 9 shkurt 2024, ka paraqitur kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit në ngarkim të Priftit.

Në seancën paraprake të zhvilluar sot, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri, pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin e çështjes për gjykim.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Edvin Prifti do të gjykohet për veprat penale: “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 episode, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjykata urdhëroi gjithashtu formimin e fashikullit të gjykimit, i cili do të përmbajë të gjitha aktet dhe provat e administruara gjatë hetimit, duke përjashtuar deklarimet dhe aktet e marra në seancën paraprake.

Çështja do të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë.

/gj.m/a.f/

The post GJKKO dërgon në gjyq mjekun Edvin Prifti për dy akuza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Federata e Basketbollit vlerëson më të mirët e vitit 2025

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Federata Shqiptare e Basketbollit zhvilloi mbrëmjen e djeshme eventin përmbyllës të vitit 2025, një aktivitet i rëndësishëm ku u pasqyruan të gjitha nismat, projektet dhe aktivitetet e realizuara gjatë këtij viti në shërbim të zhvillimit të basketbollit në vend.

Eventi shërbeu si një moment reflektimi dhe bilanci mbi punën e bërë, arritjet sportive dhe organizative, si dhe ndikimin pozitiv që kanë pasur programet e zbatuara nga federata, veçanërisht në rritjen e cilësisë së garave dhe përfshirjen e të rinjve në basketboll.

Gjatë aktivitetit u prezantuan programet kryesore zhvillimore, kampionatet kombëtare, pjesëmarrjet në gara ndërkombëtare, projektet për të rinjtë dhe iniciativat me fokus social, duke vënë në pah kontributin e sportistëve, trajnerëve, arbitrave dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në ekosistemin e basketbollit shqiptar.

Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje, Federata Shqiptare e Basketbollit ndau çmime për individë që janë dalluar për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të veçantë gjatë vitit 2025.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua çmimeve individuale MVP, ku u vlerësuan sportistët më të spikatur të sezonit në të gjitha kategoritë.

Fituesit e titujve MVP për sezonin 2025 janë:
Antea Filopati – MVP U14 Vajza
Aurora Dhedhes – MVP U16 Vajza
Izabel Kaçorri – MVP U18 Vajza
Etien Xhixho – MVP U14 Djem
Gleid Mema – MVP U16 Djem
Noel Heba – MVP U18 Djem
Brikena Muçenji – MVP Femra
Vinsent Grazhdani – MVP Meshkuj

Me këtë event përmbyllës, Federata Shqiptare e Basketbollit konfirmoi angazhimin për të vijuar investimet dhe projektet zhvillimore edhe në vitin 2026, me synimin për të rritur nivelin konkurrues dhe për të zgjeruar më tej bazën e basketbollit shqiptar.

1 nga 4

/gj.m/a.f/

The post Federata e Basketbollit vlerëson më të mirët e vitit 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vora fiton 4-1 ndaj Bylisit, portieri Vachoux braktis fushën

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Vora ka marrë një fitore bindëse 4-1 ndaj Bylisit, në takimin e vlefshëm për javën e 18-të të Kategorisë Superiore.

Përballja u karakterizua nga një episod i diskutueshëm në fundin e pjesës së parë.

Në minutën e 42-të, kur vendasit kryesonin 2-0, portieri i Bylisit, Jeremy Vachoux, braktisi fushën e lojës pa asnjë kërkesë apo zëvendësim nga stafi teknik. Veprimi i tij u interpretua si një akt revolte, ndërsa arbitri e ndëshkoi me karton të verdhë.

Sa i përket kronikës së ndeshjes, Vora e nisi fuqishëm takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 10-të me golin e Ruzgis. Epërsia u dyfishua në minutën e 24-t nga Geci, duke i dhënë siguri skuadrës vendase përpara pushimit.

Në pjesën e dytë, Bylisi reagoi dhe ngushtoi diferencën me golin e Mustapha në minutën e 54-t, duke rihapur përkohësisht ndeshjen. Megjithatë, në minutat e fundit, Vora vulosi fitoren me dopietën e Kasallës në minutat 77 dhe 81, duke mbyllur sfidën me rezultatin përfundimtar 4-1.

Falë këtij suksesi, Vora ngjitet në kuotën e 19 pikëve dhe pozicionohet në vendin e shtatë të renditjes. Nga ana tjetër, Bylisi zbret në vendin e tetë me 18 pikë të grumbulluara pas 18 javësh kampionat.

/gj.m/a.f/

 

The post Vora fiton 4-1 ndaj Bylisit, portieri Vachoux braktis fushën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia Rrugore në Elbasan shton masat për menaxhimin e fluksit rrugor

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Policia Rrugore e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ka intensifikuar masat dhe ndodhet në gatishmëri të plotë për menaxhimin e qarkullimit rrugor, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve në akset kryesore që lidhin Tiranën me Korçën dhe Vlorën, si edhe në drejtim të kundërt.

Si pasojë e këtij fluksi, parashikohet trafik i rënduar dhe qarkullim i ngadalësuar në disa segmente rrugore.

Patrulla shtesë janë vendosur në pikat me ngarkesë të lartë trafiku, me qëllim parandalimin e bllokimeve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të rrjedhshëm dhe të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Vlorës dhe Gjirokastrës që, kur është e mundur, të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat dhe ngarkesën e lartë të trafikut.

Njëkohësisht, drejtuesit e mjeteve ftohen të tregojnë durim, të respektojnë distancën e sigurisë, të qëndrojnë në radhë dhe të shmangin parakalimet e gabuara, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë dhe të shkaktojnë bllokime apo aksidente.

Masat parandaluese kundër aksidenteve rrugore janë forcuar përmes monitorimit të akseve me automjete inteligjente, radarë automatikë dhe patrulla të lëvizshme, me synim rritjen e nivelit të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore u bën thirrje qytetarëve të zbatojnë rregullat e qarkullimit dhe udhëzimet e Policisë, si dhe të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

/gj.m/a.f/

The post Policia Rrugore në Elbasan shton masat për menaxhimin e fluksit rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama nuk heq imunitet, do vazhdojmë me protestat

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se kryeministri Edi Rama ka dalë hapur kundër heqjes së imuniteteve dhe arrestimit të personave të përfshirë në krim të organizuar, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të bllokuar zbatimin e ligjit dhe vendimeve të institucioneve të drejtësisë.

Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se, sipas tij, qeveria po pengon veprimet e prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa theksoi se përgjegjësia kryesore, sipas opozitës, qëndron tek kryeministri.

Ai shtoi se zgjidhja e vetme për situatën aktuale është reagimi qytetar përmes një proteste të qëndrueshme dhe paqësore.

Berisha theksoi se sheshi dhe bulevardi, duhet t’u përkasin qytetarëve dhe se protestat, sipas tij, nuk duhet të jenë të përkohshme, por të vazhdojnë deri në arritjen e qëllimit politik të opozitës, që është largimi i kryeministrit nga pushteti.

“Pra, sot për largimin e tij nuk kërkohet asgjë tjetër përveç guximit, vendosmërisë dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë në një protestë të qëndrueshme gjer në largimin e tij”, tha Berisha.

“Prova u bë, revolta u dëshmua. Por kjo duhet të jetë e qëndrueshme. Bulevardi duhet të jetë i qytetarëve. Sheshi duhet të jetë i qytetarëve. Jo një ditë, dy apo tre, por aq kohë sa duhet për ta larguar”, theksoi kreu i PD.

“Ndaj dhe ne do punojmë fort, opozita do punojë fort për të bindur qytetarë të gatshëm për sakrifica në një revoltë paqësore”, shtoi Berisha.

Në vijim, kreu i PD-së u ndal edhe te ajo që e cilësoi si dosja e AKSHI-t, duke deklaruar se kjo agjenci, sipas tij, është përfshirë në praktika të dyshimta financiare.

Berisha kërkoi hetim të plotë institucional dhe transparencë mbi procedurat dhe përfitimet financiare të disa subjekteve private.

Berisha kritikoi gjithashtu mediat për mungesë vëmendjeje ndaj këtyre çështjeve dhe u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë pa ndikime politike, ndërsa opozita, sipas tij, do të vijojë përpjekjet për mobilizimin e qytetarëve në një reagim të gjerë dhe paqësor.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Rama nuk heq imunitet, do vazhdojmë me protestat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbrojtja e fëmijëve dhe e familjes, në fokus të diskutimeve për Kodin e ri Penal

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u zhvillua tryeza e 24 konsultative për draftin e Kodit të ri Penal, me pjesëmarrjen e ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, dhe zv/ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini.

Fokus i diskutimeve ishte mbrojtja e fëmijëve, familjes dhe martesës, si elemente thelbësore për një shoqëri që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst, u theksua se familja duhet të jetë një hapësirë sigurie dhe mbrojtjeje, dhe se dhuna ose shkelja e të drejtave të fëmijëve nuk mund të tolerohet.

Pjesëmarrësit e tryezës diskutuan mënyrat për të reflektuar këto parime në dispozitat e reja të Kodit Penal, duke mbledhur përvojat dhe praktikat më të mira në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, që synon harmonizimin me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

Për draftin e Kodit të ri Penal janë parashikuar që të zhvillohen rreth 25 tryeza konsultimi publik.

Drafti i parë i Kodit të ri Penal u paraqit më 25 korrik, pas një pune disavjeçare nga një grup ekspertësh i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, prof. Arben Rakipi.

Drafti u hodh për konsultim nga Ministria e Drejtësisë me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediet dhe qeverinë si pjesë e angazhimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një domosdoshmëri për forcimin e Shtetit të së Drejtës.

Tryeza për Kodin e ri Penal
1 nga 6

/gj.m/a.f/

The post Mbrojtja e fëmijëve dhe e familjes, në fokus të diskutimeve për Kodin e ri Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Krishtlindjen e ardhshme ta festojmë në liri dhe dinjitet

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një konferencë për mediat, ku përcolli një mesazh urimi me rastin e Krishtlindjeve.

Berisha uroi besimtarët shqiptarë që kremtojnë lindjen e Jezu Krishtit, duke e përshkruar atë si figurë që, me mësimet dhe udhëzimet e tij, ka kontribuar në vlerat e qytetërimit perëndimor dhe të mbarë njerëzimit.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për klerin e besimit të krishterë, duke vlerësuar rolin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e vlerave shpirtërore dhe morale.

Në përfundim, Berisha u shpreh se shpreson që Krishtlindjet e ardhshme të festohen në liri, dinjitet, shpresë dhe besim tek e ardhmja, duke theksuar rëndësinë e një atmosfere paqësore dhe harmonike për të gjithë qytetarët.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Krishtlindjen e ardhshme ta festojmë në liri dhe dinjitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontrolle kundër shitjes së lëndëve piroteknike në Shkodër, sekuestrohen 44 kuti

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Policia e Shkodrës vijon kontrollet intensive në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në kuadër të masave të shtuara për sigurinë në prag të festave të fundvitit.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan një rast të shitjes së lëndëve piroteknike nga një subjekt i paautorizuar, në një dyqan të ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë”.

Gjatë kontrollit në ambientet e dyqanit, në pronësi të shtetases S. P., u gjetën dhe u sekuestruan 44 kuti me lëndë piroteknike (kapsolla), të ndaluara për tregtim, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases S. P.

Policia bën me dije se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit.

/gj.m/a.f/

The post Kontrolle kundër shitjes së lëndëve piroteknike në Shkodër, sekuestrohen 44 kuti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Gjuha shqipe, të respektohet në ligj dhe në praktikë në Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, duke e cilësuar këtë ndalesë si një moment me peshë të veçantë në ruajtjen dhe forcimin e kujtesës sonë kombëtare.

Gjatë vizitës, Spiropali theksoi se Shkupi është një qytet ku historia shqiptare ka lënë gjurmë të thella dhe të qëndrueshme, duke përmendur figura të shquara të kombit si Shën Tereza, Pjetër Bogdani dhe Hasan Prishtina, të cilët përfaqësojnë themelet mbi të cilat është ndërtuar identiteti, dinjiteti dhe vizioni kombëtar i shqiptarëve.

Ajo vlerësoi rolin e Institutit si një pikë referimi, jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por për gjithë hapësirën mbarëshqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e studimeve shkencore mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e vetëdijes kolektive.

Në fjalën e saj, Spiropali theksoi gjithashtu se gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, duhet të mbrohet dhe të kultivohet vazhdimisht, si në aspektin ligjor ashtu edhe në praktikën e përditshme.

Ajo nënvizoi rëndësinë e transmetimit të saj brez pas brezi, me dashuri dhe përgjegjësi, si një pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik të vendit.

Ministrja u shpreh se, gjuha shqipe na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti dhe se në çdo shkronjë mban kujtesë, dritë dhe sakrificë që ende jeton.

/gj.m/a.f/

The post Spiropali: Gjuha shqipe, të respektohet në ligj dhe në praktikë në Maqedoninë e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marinsat e SHBA dhurojnë lodra për fëmijët e shtruar në QSUNT

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Programi humanitar “Toys for Tots”, i realizuar nga Korpusi i Marinsave të Shteteve të Bashkuara, vijon të sjellë magjinë e festave për fëmijët në nevojë edhe në Shqipëri.

Këtë vit, përfaqësues të Marinsave amerikanë, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, shpërndanë lodra për fëmijët e shtruar në Departamentin e Pediatrisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”.

Rreshteri i lartë në Trupën e Marinsave, Manuel Coronado, pjesë e Programit të Sigurisë në Ambasadë, shpjegoi se “Toys for Tots” është një nismë me histori të gjatë, e cila ka nisur në vitin 1947 nga një marins amerikan, me synimin për të bashkuar komunitetet dhe për t’u ofruar fëmijëve më pak fatlumë dhurata dhe shpresë në periudha të vështira ekonomike.

“Ne përfaqësojmë Korpusin e Marinsave dhe jemi krenarë që përmes këtij programi mund të sjellim buzëqeshje dhe gëzim për fëmijët”, u shpreh Coronado.

Ai theksoi se Marinsat amerikanë kanë shpërndarë lodra për fëmijët në Shqipëri që nga vitet 2000 dhe se kjo traditë do të vijojë edhe në të ardhmen, si pjesë e përkushtimit për të ndërtuar dhe forcuar marrëdhëniet me komunitetin vendas.

Nisma “Toys for Tots” mbetet një simbol i solidaritetit, bashkëpunimit dhe humanizmit, duke përcjellë mesazhin se edhe një lodër e vogël mund të sjellë shpresë dhe gëzim të madh.

/gj.m//a.f/

The post Marinsat e SHBA dhurojnë lodra për fëmijët e shtruar në QSUNT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia “kampione dimri”, Dinamo triumfon në derbin ndaj Partizanit

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Egnatia arriti një fitore të vuajtur, por jashtëzakonisht të çmuar në transfertë, duke mposhtur Teutën me rezultatin minimal 1-0 në stadiumin “Niko Dovana”.

Goli vendimtar u shënua nga Kastriot Selmani në pjesën e dytë, duke i dhënë rrogozhinasve tre pikë të arta dhe duke i konsoliduar ata të vetëm në krye të renditjes së Kategorisë Superiore.

Me këtë sukses, Egnatia mbyll vitin 2025 si lidere absolute me 37 pikë pas përfundimit të fazës së dytë të kampionatit, duke u shpallur edhe “kampione dimri”.

Sfida ishte e fortë dhe e luftuar. Teuta zhvilloi një pjesë të parë më të mirë, duke vënë disa herë në vështirësi mbrojtjen e Egnatias, por pa arritur të konkretizojë.

Në pjesën e dytë, durrsakët gjetën rrugën e rrjetës me Jurgens, por goli u anulua pas rishikimit nga VAR-i.

Reagimi i Egnatias ishte i menjëhershëm dhe Selmani përfitoi për të shënuar golin e vetëm të takimit. Në fund, të dyja skuadrat patën episode të tjera me VAR-in, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Teuta ndalet pas gjashtë rezultateve pozitive radhazi dhe mbetet në kuotën e 25 pikëve.

Ndërkohë, Dinamo regjistroi një fitore të rëndësishme 3-1 ndaj Partizanit në derbin e javës së 18-të, të luajtur në “Arena e Demave”.

Partizani e mbylli pjesën e parë në avantazh, pas golit të Tomës në fund të fraksionit të parë, ndërsa më herët Kontreras kishte humbur një rast të pastër shënimi.

Në pjesën e dytë, Dinamo reagoi fuqishëm. Bregu barazoi shifrat me një goditje dënimi mjaft të bukur, ndërsa Guindo firmosi përmbysjen pas një asistimi të Berishës. Fitorja u vulos nga autogoli i Bytyçit, duke i dhënë skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja tre pikë shumë të rëndësishme.

Me këtë sukses, Dinamo ngjitet në kuotën e 32 pikëve dhe barazon Elbasanin në vendin e dytë të renditjes, ndërsa Partizani mbetet në vendin e gjashtë me 23 pikë.

Ndërkohë, të mërkurën do të zhvillohen tre përballjet e tjera. FK Vora – Bylis do të luhet në ora 13:30. Dy ndeshjet e tjera do të zhvillohen në ora 18:30. Sfida Vllaznia – Flamurtari do të zhvillohet në “Loro Boriçi” ndërsa Tirana do të luajë në transfertë kundër Elbasanit në “Elbasan Arena”.

Java 18

Teuta – Egnatia  0-1

Partizani – Dinamo City 1-3

FK Vora – Bylis, 24.12.2025, ora 13:30

AF Elbasani – Tirana, 24.12.2025, ora 16:30

Vllaznia – Flamurtari, 24.12.2025, ora 16:30

/gj.m/a.f/

The post Egnatia “kampione dimri”, Dinamo triumfon në derbin ndaj Partizanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria merr nga SHBA sisteme raketore Javelin, dërgesa e dytë në 2026

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Shqipëria është pajisur zyrtarisht me sistemin raketor kundërtank “Javelin”, një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes që përdoret nga vendet anëtare të NATO-s.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur se ardhja e këtij sistemi është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë një vizite në një nga bazat e Forcave të Armatosura, ku u bë pritja e dërgesës së parë të këtyre sistemeve, ministri Vengu, u shpreh se ardhja e sistemeve antitank “Javelin”, përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke rritur parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.

Sipas Vengut, pajisja e Forcave të Armatosura Shqiptare me sistemin “Javelin” vjen edhe në përmbushjen të objektivave për modernizimin e ushtrisë.

“Ardhja e sistemeve “Javelin”, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare”,  u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Ministri bëri të ditur se kjo dërgesë është pjesë e një procesi të planifikuar, ndërsa faza e dytë e furnizimit pritet gjatë vitit 2026.

Vengu theksoi se kjo ndihmë dhe ky bashkëpunim bilateral me SHBA-në përfshin jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të këtij programi për sigurinë rajonale.

Ai kujtoi se bëhet fjalë për realizimin e një kërkese të hershme, e cila tashmë po konkretizohet me pajisje moderne antitank të standardeve më të larta.

Ministri vuri theksin edhe te roli kyç i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, i cili mbetet themelor në ndërtimin dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm, sipas tij, lidhet me aftësimin dhe trajnimin e personelit luftarak për përdorimin e pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara.

Gjithashtu, Vengu falënderoi për masat e marra në drejtim të infrastrukturës pritëse, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e punës ka qenë e fokusuar te përmirësimi i kushteve të punës dhe krijimi i standardeve të nevojshme për vendosjen dhe operimin e këtyre sistemeve.

“Nëpërmjet dërgesës së parë të sistemeve Javelin dhe asaj të dytë që pritet në vitin 2026, synojmë certifikimin e plotë të një grup-batalioni, duke rritur ndjeshëm gatishmërinë dhe efektivitetin operacional të Forcave tona të Armatosura”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Sistemi “Javelin” konsiderohet një element kyç për mbrojtjen tokësore, duke rritur ndjeshëm aftësinë e Forcës Tokësore për të përballuar kërcënime të avancuara dhe për të vepruar në përputhje me standardet e Aleancës.

“Javelin” është një sistem raketor kundërtank i gjeneratës së fundit, i prodhuar nga SHBA. Sistemi është shumë efektiv kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret gjerësisht nga ushtritë e NATO si dhe në operacione reale luftarake.

Shqipëria e ka porositur sistemin “Javelin” në kuadër të programeve të bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara, përmes mekanizmave të shitjeve ushtarake të huaja (Foreign Military Sales – FMS). Ky investim është pjesë e strategjisë afatgjatë të modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së parandalimit dhe përafrimit të plotë me kapacitetet dhe doktrinën e NATO-s.

/gj.m/a.f/

The post Shqipëria merr nga SHBA sisteme raketore Javelin, dërgesa e dytë në 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkurov për ATSH: Bashkëpunimi Shqipëri-Ukrainë, nga ekonomia tek integrimi në BE

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ukrainës kanë marrë një dimension të veçantë në vitet e fundit, të ndërtuara mbi miqësi, solidaritet dhe orientim të përbashkët drejt vlerave evropiane.

Në një kontekst të vështirë gjeopolitik, të diktuar nga lufta në Ukrainë dhe sfidat për sigurinë ndërkombëtare, bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar si në planin dypalësh, ashtu edhe në organizatat ndërkombëtare, teksa bashkëpunimi ka marrë edhe dimension ekonomik, duke u fokusuar tek investimet, tregtia…etj.

Në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, flet për gjendjen aktuale të marrëdhënieve Shqipëri–Ukrainë, duke theksuar dialogun politik aktiv, solidaritetin në çështjet e së drejtës ndërkombëtare dhe zhvillimin gradual të bazës ligjore që mbështet bashkëpunimin dypalësh.

“Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës është i qëndrueshëm, miqësor dhe i mbështetur në vlera të përbashkëta evropiane”, shprehet ai.

Shkurov thekson se, “vendet tona zhvillojnë një dialog politik aktiv, bashkëpunojnë në mënyrë efektive në organizatat ndërkombëtare dhe tregojnë solidaritet në çështjet e sigurisë dhe të së drejtës ndërkombëtare”.

Paralelisht, vijon ambasadori, “po zhvillohet gradualisht edhe baza kontraktuale dhe ligjore e marrëdhënieve tona dypalëshe”.

Një vëmendje e posaçme i kushtohet edhe potencialit për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik, në fusha si tregtia, investimet, energjia, bujqësia, turizmi dhe transformimi digjital, si dhe shkëmbimit të përvojave në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në drejtim të reformave dhe sundimit të ligjit.

“Ekziston një potencial i konsiderueshëm në fushat e tregtisë, investimeve, sektorit bujqësor, energjetikës, turizmit dhe transformimit digjital”, shprehet ambasadori Shkurov për ATSH-në.

Ai thekson se, “një drejtim me rëndësi të veçantë politike është shkëmbimi i përvojës në rrugën drejt integrimit evropian, veçanërisht në fushën e reformave, sundimit të ligjit dhe përshtatjes me standardet e Bashkimit Evropian”.

Ambasadori Shkurov ndalet gjithashtu te sfidat e mëdha me të cilat përballet Ukraina për shkak të luftës, situatës humanitare dhe shkatërrimit masiv të infrastrukturës.

“Ukraina po i reziston sfidave të mëdha falë qëndrueshmërisë së shoqërisë, funksionimit efektiv të institucioneve shtetërore dhe mbështetjes së gjerë ndërkombëtare”, nënvizon diplomati ukrainas.

Pavarësisht luftës, ambasadori Shkurov shprehet se, “shteti siguron funksionimin e ekonomisë, të sektorit social dhe të sistemit të ndihmës humanitare, duke vazhduar njëkohësisht reformat dhe përgatitjet për rimëkëmbjen pasluftës”.

Sot, vijon Shkurov, “sfida më e rëndë për ne mbetet pa dyshim fronti dhe bombardimet e infrastrukturës civile, banesave dhe objekteve energjetike nga Rusia. Dimri, i cili kërkon shpenzime të mëdha energjetike në kushtet kur rreth 80 %e infrastrukturës energjetike është shkatërruar, kërkon përpjekje të jashtëzakonshme për mbijetesë”.

Ambasadori i Ukrainës gjithashtu vlerëson mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën që nga ditët e para të nisjes së luftës, veçanërisht, qëndrimi parimor në Kombet e Bashkuara dhe në formate të tjera ndërkombëtare.

“Që nga ditët e para të luftës, Shqipëria e ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Ukrainën: politikisht, humanitarisht dhe në arenën ndërkombëtare”, thekson ai.

Veçanërisht e rëndësishme, nënvizon ambasadori i Ukrainës për ATSH-në, “është qëndrimi parimor i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe në formate të tjera ndërkombëtare, si dhe solidariteti me popullin ukrainas në luftën për liri dhe sovranitet”.

“Gjatë gjithë periudhës së luftës, Shqipëria ka ofruar mbrojtje të përkohshme për qytetarët ukrainas. Ne e vlerësojmë kjo gjë shumë dhe i jemi mirënjohës Qeverisë së Shqipërisë për këtë mbështetje”, thekson Shkurov.

Ai shpreh bindjen se, pavarësisht vështirësive, marrëdhëniet mes dy vendeve do të thellohen më tej në vitet që vijnë, mbi bazën e objektivave të përbashkëta strategjike: integrimin evropian, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Sfidat e përbashkëta dhe objektivat strategjikë: integrimi evropian, siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm, krijojnë një bazë të fortë për një partneritet afatgjatë, zgjerimin e bashkëpunimit praktik dhe mbështetjen reciproke”, përfundon ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov në intervistën për ATSH-në. /a.g/

The post Shkurov për ATSH: Bashkëpunimi Shqipëri-Ukrainë, nga ekonomia tek integrimi në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trajneri i Polonisë vlerëson Shqipërinë: Do të jetë një ndeshje e vështirë

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares së Polonisë, Jan Urban, ka vlerësuar lart skuadrën shqiptare, që do të jetë kundërshtari i tij në gjysmëfinalen e “Play Off”-it për kualifikimin në Botëror.

Në një prononcim për mediat, Urban theksoi se Shqipëria ka treguar kualitet dhe organizim, duke arritur deri në këtë fazë të eliminatoreve.

“Shqipëria është një skuadër që ka arritur të kalojë grupin e saj dhe këtë e tregon fakti se ndodhet në këtë fazë të eliminatoreve. Ata dinë të luajnë mirë futboll, ashtu si pjesa më e madhe e ekipeve që kanë siguruar kualifikimin për në Botëror. Është një ndeshje dhe mund të ndodhë gjithçka. Duhet të monitoroj jo vetëm lojtarët e mi, por edhe të Shqipërisë”, deklaroi trajneri polak.

Megjithatë, Urban e konsideron shortin relativisht të favorshëm për Poloninë dhe nënvizon rëndësinë e ndeshjes së parë në shtëpi.

“Shorti është i mirë, edhe pse do të më pëlqente të luanim të dyja ndeshjet në shtëpinë tonë. Por fokusi im i plotë është tek ndeshja me Shqipërinë. Për të shkuar në Botëror, gjithçka fillon nga kjo përballje”, shtoi ai.

Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë është programuar të zhvillohet më 26 mars në Varshavë.

Fituesi i kësaj gjysmëfinale do të përballet në finale me triumfuesin e çiftit Ukrainë-Suedi, duke përcaktuar kështu skuadrën që do të sigurojë një vend në Kampionatin Botëror.

/gj.m/a.f/

The post Trajneri i Polonisë vlerëson Shqipërinë: Do të jetë një ndeshje e vështirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria ruan vendin e 63-të në renditjen e FIFA-s

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ FIFA ka publikuar renditjen e përditësuar, ku Shqipëria e mbyll vitin 2025 në vendin e 63-të.

Sipas klasifikimit zyrtar, përfaqësuesja kuqezi nuk ka pësuar asnjë ndryshim krahasuar me renditjen e muajit të kaluar.

Pozicioni aktual pasqyron ecurinë e kombëtares gjatë këtij viti kalendarik.

Nuk ka ndryshime as në dhjetëshen e parë të renditjes botërore.

Spanja e përfundon vitin 2025 në vendin e parë. Pas saj renditen Argjentina në vendin e dytë dhe Franca në vendin e tretë.

Kombëtarja shqiptare ka arritur kualifikimin për në fazën ‘play-off’ të Botërorit 2026, ku do të përballet me Poloninë më 26 mars, ndërsa skuadra e kualifikuar do të përballet në finale me fituesin e çiftit Suedi-Ukrainë.

/gj.m/a.f/

The post Shqipëria ruan vendin e 63-të në renditjen e FIFA-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Biznesi i vogël pa tatim fitimi deri në 2029

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Paketës Fiskale 2026 theksoi mbështetjen e qeverisë për biznesin e vogël, duke nënvizuar se ky sektor nuk do të paguajë tatim fitimi deri në vitin 2029.

Gjatë diskutimeve, Rama u shpreh se fokusi i masave është tek biznesi i mesëm dhe i madh.

“Natyrisht që këtu jemi duke folur për sipërmarrjen e mesme dhe të madhe. Biznesi i vogël nuk ka fare tatim fitimi. Kemi të vetmin vend në këtë kontinent, ku biznesi i vogël nuk paguan tatim fitimi dhe do të vazhdojë të mos paguajë tatim fitimi deri në vitin 2029, sikundër ne e kemi premtuar,” tha Rama.

Ai theksoi se kjo masë ka ndihmuar biznesin e vogël të fuqizohet, ndërsa për bizneset që kalojnë kufirin e xhiros prej 140 mijë eurosh në vit, administrata tatimore do të zbatojë verifikime strikte.

“Sfida e administratës tatimore është të mos lejojë që ato biznese që janë mbi kufirin e 140 mijë eurove xhiro në vit të qëndrojnë nën kufi, për t’u trajtuar si biznese të vogla, ndërkohë që janë të mesme ose të mëdha. Në këtë aspekt nuk do të ketë asnjë tolerancë”, tha Kryeministri.

Për bizneset mbi këtë kufi, Rama sqaroi se paqja fiskale krijon mundësi për vetëkorrigjim dhe formalizim të deklaratave financiare.

“Interesi i paqes fiskale është shumë i madh për bizneset e mëdha dhe të mesme, sepse krijon një hapësirë shumë të favorshme vetëkorrigjimi për të formalizuar veten deri në fund. Nuk ka asnjë pasojë përveçse pozitive. Kuptohet qartë që vija e kuqe është mos të kesh probleme të hapura me ligjin. Në rast se nuk je në konflikt të shpallur me ligjin, je plotësisht i legjitimuar të nënshkruash paqen fiskale me qeverinë”, tha ai.

Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e dakordësimit paraprak me administratën tatimore për nivelin e fitimit të vitit.

“E gjitha kjo nuk është një shpikje, është një instrument i përdorur që në kohën e Romës dhe një instrument që jep rezultat për të gjithë ata që e përdorin duke besuar në dobinë e tij”, u shpreh Kryeministri.

Paketa Fiskale 2026 ka si qëllim të forcojë besimin mes shtetit dhe biznesit, të nxisë formalizimin e ekonomisë dhe të krijojë një ambient më konkurrues për sipërmarrjen shqiptare.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Biznesi i vogël pa tatim fitimi deri në 2029 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Paqja fiskale mundësi për sipërmarrjet që nuk janë në konflikt me ligjin

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin e biznesit në kuadër të prezantimit të Paketës Fiskale 2026, duke e cilësuar dialogun si nisjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi mes qeverisë dhe sipërmarrjes, me fokus formalizimin, rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përgatitjen për procesin e integrimit europian.

Gjatë diskutimeve, Rama iu përgjigj pyetjeve të sipërmarrësve lidhur me paqen fiskale, duke sqaruar se ajo nuk përbën amnisti fiskale.

“Dallimi është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë. Këtu bëhet paqe me të gjithë ata të cilët nuk janë në konflikt aktualisht me ligjin në Republikën e Shqipërisë. Pra, nuk janë në procese penale të hapura dhe nuk janë në procese gjyqësore të hapura që afektojnë legjitimitetin e të ardhurave. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh Kryeministri.

Ai theksoi se për pjesën tjetër, procedurat janë të përcaktuara qartë në ligjin e miratuar.

Rama shpjegoi se bizneset kanë mundësinë të vetëkorrigjojnë deklarimet e mëparshme financiare me një kosto minimale.

“Nëse sipërmarrja dëshiron t’i rikthehet pasqyrave të deklaruara në vitet e mëparshme dhe të paraqesë pranë administratës tatimore pasqyra të reja, ku ka vetëkorrigjim të të ardhurave, atëherë do të paguajë vetëm 5% të fitimit të ri. Kështu do të formalizojë atë pjesë të të ardhurave që nuk e ka në pasqyra. Nuk ka asnjë komplikim”, tha Rama.

I pyetur mbi kriteret që duhet të plotësojnë kompanitë për t’u përfshirë në paqen fiskale, kryeministri sqaroi se nuk ka kushte të veçanta përveç respektimit të ligjit.

“Asnjë kriter në kuptimin të posaçëm. Në rast se nuk janë në konflikt me ligjin aktualisht, pra në rast se nuk kanë procese të hapura ligjore, apo në rast se nuk kanë rekorde ligjore që vënë në dyshim legjitimitetin e sipërmarrjes”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, përfitues nga kjo masë do të jetë pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit.

“99.99% e sipërmarrjeve përfshihen në këtë kategori dhe do të përfitojnë nga paqja fiskale”, përfundoi kryeministri.

Paketa Fiskale 2026 synon të nxisë formalizimin e ekonomisë, të forcojë besimin mes shtetit dhe biznesit dhe të krijojë një terren më konkurrues për sipërmarrjen shqiptare në prag të integrimit në Bashkimin Europian.

/a.f/

 

The post Rama: Paqja fiskale mundësi për sipërmarrjet që nuk janë në konflikt me ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali me deputetet shqiptare në Shkup: Interesi i shqiptarëve mbi dallimet politike

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi në Shkup një tryezë të përbashkët me deputetet shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim, Spiropali theksoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit përtej ndarjeve politike, duke vënë në qendër interesin e përbashkët të shqiptarëve si komunitet shtetformues dhe rrugën e tyre drejt integrimit europian.

Ajo nënvizoi se, pavarësisht përkatësive të ndryshme politike, mesazhi ishte i unifikuar: më shumë bashkëpunim dhe më pak ndarje janë thelbësore për të ardhmen.

Ministrja vlerësoi gjithashtu rritjen e pranisë së grave shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv për cilësinë e vendimmarrjes, forcimin e dialogut politik dhe ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.

/gj.m/a.f/

The post Spiropali me deputetet shqiptare në Shkup: Interesi i shqiptarëve mbi dallimet politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali-Mickoski: Faktori shqiptar komunitet shtetformues, nxitës i proceseve eurointegruese

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u prit në një takim nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë edhe fushën e ekonomisë dhe investimeve. Po ashtu, edhe në përgatitjet për mbajtjen e sesionit të ardhshëm të takimit ndërqeveritar G2G.

Spiropali thekson se bashkëpunimi ndërinstitucional mes dy vendeve është përkthyer gjithmonë në rezultate të prekshme për jetët e qytetarëve tanë.

Kryediplomatja shqiptare solli në vëmendje njohjen e përbashkët të diplomave dhe gradave shkencore, njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët, kontrollet e përbashkëta dhe lehtësimi i kalimit kufitar, si dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike.

Kryeministri Mickoski e vuri theksin te aspirata europiane e të dyja vendeve, të cilat besojnë te integrimi në BE si një proces i bazuar plotësisht në meritë.

Ministrja Spiropali deklaroi se “partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve tona do të vijojë të forcohet, me fokus të qartë te projekte dhe rezultate konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe afrojnë më tej dy shoqëritë”.

Gjatë takimit me kryeministrin Mickoski, Spiropali theksoi se “faktori shqiptar në RMV është jo vetëm një komunitet shtetformues i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, por edhe një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegruese”.

1 nga 4

/gj.m/a.f/

The post Spiropali-Mickoski: Faktori shqiptar komunitet shtetformues, nxitës i proceseve eurointegruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Ministeriali i parë për Korridori VIII në Tiranë, pikë kthese për bashkëpunimin rajonal

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, se Korridori VIII përbën një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, i cili duhet t shndërrohet në një hapësirë të re mundësish dhe konektiviteti për rajonin.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, Spiropali theksoi se Ministeriali i parë për Korridorin VIII, që pritet të mbahet në Tiranë në shkurt 2026, duhet të shërbejë si një pikë kthese për institucionalizimin e bashkëpunimit pesëpalësh mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Rumanisë.

“Ky takim duhet të prodhojë rezultate konkrete përmes miratimit të një kornize të përbashkët strategjike, që e kthen Korridorin VIII në një motor zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian”, u shpreh Spiropali.

Sipas saj, potenciali për bashkëpunim mes dy vendeve mbetet i madh edhe në aspektin ekonomik.

Ministrja theksoi nevojën për intensifikimin e investimeve direkte, përmes heqjes së barrierave për investimet reciproke, në sektorë si bankat, industria, turizmi dhe krijimi i kompanive të përbashkëta në territorin e njëri-tjetrit.

“Duhet të punojmë më shumë për të krijuar një klimë të favorshme për biznesin dhe investimet, që përfiton drejtpërdrejt ekonomitë dhe qytetarët tanë”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi gjithashtu se synimi i përbashkët është shndërrimi i hapësirës shqiptaro–maqedonase në një hapësirë strategjike evropiane.

“Le të vijojmë punën për ta kthyer këtë hapësirë në një terren ku kufiri nuk është vijë ndarjeje, por vijë takimi, një urë për njerëzit, biznesin, energjinë, transportin dhe besimin”, përfundoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme.

/gj.m/

 

.

The post Spiropali: Ministeriali i parë për Korridori VIII në Tiranë, pikë kthese për bashkëpunimin rajonal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌